Art-Kulture

Pushime dhe art, Teatri i Kukullave pranë publikut në shëtitoren e Lungomares

Gjatë kësaj fundjave Teatri i Kukullave është pranë publikut të vogël në Vlorë, në shëtitoren e Lungomares.

Kinemaja verore e qytetit gjatë këtyre ditëve ka qenë e tejmbushur me fëmijë dhe prindër të cilët kanë shijuar shfaqjet e kukullave dhe personazhet e tyre të dashur.

Mbrëmjen e djeshme Teatri i Kukullave shfaqi me sukses pjesën “Zemra e liqenit” në shëtitoren Lungomare. Kjo shfaqje u ndoq nga një numër i madh fëmijësh dhe prindër. Gjithashtu të shumtë në këtë shfaqje ishin dhe fëmijë të huaj të cilët kanë zgjedhur bregdetin e Vlorës për pushimet verore.

Shfaqjet do vijojnë dhe sonte në mbrëmje për të argëtuar të vegjlit ku përveç pushimeve verore argëtohen përmes këtyre shfaqjeve me personazhet e tyre.

Pra pushuesitë e vegjël në Vlorë dhe prindërit e tyre gjatë kësaj fundjave do shijojnë pushimet verore përmes artit me personazhet e dashura për fëmijë. /atsh

Pushime dhe art, Teatri i Kukullave pranë publikut në shëtitoren e Lungomares Read More »

Durrës: “Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer”, koncerti i Inva Mulës hap sot Bienalen 2019

“Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer” është tema që ka përzgjedhur këtë vit violinisti Florian Vlashi dhe ekipi organizator i Bienales “Netët e Muzikës Klasike 2019”, që do të startojë sot në Durrës dhe do të vijojë deri më 7 gusht.

Soprano e mirënjohur Inva Mula, e shoqëruar nga pianisti Genc Tukiçi dhe grupi instrumental “Shekulli i XX” do të hapë edicionin e nëntë të Bienales me pjesë nga Giacomo Puccini, Giuseppe Verdi, Pietro Mascagni dhe Alfredo Catalani.

Aktiviteti që ka nisur në vitin 2003 ka mbërritur në edicionin e nëntë të tij-tha drejtori I përgjithshëm I festivalit Haig Zacharian, duke kujtuar se çdo dy vjet në pikat arkeologjike dhe qendrat historike të qytetit antik janë interpretuar vepra muzikore të autorëve vendas dhe të huaj. Edicioni i këtij viti bashkë me instrumentistët e njohur do të ndalet te harmonia e Muzikës me Venën, siç ka dashur ta quajë Florian Vlashi, jo vetëm për ta veçuar nga stina e nxehtë, por edhe për të ruajtur ngjyrën e dialektit durrsak-shton kompozitori Zacharian.

Zgjedhja, prezantimi dhe degustimi i verërave nga kantinat lokale dhe ato nga Spanja, Italia dhe Gjermania, do të bëhet nga somelierë gjithashtu vendas dhe të huaj si Luis Paadin, Alejandro Paadin, Dashamir Elezi e Jorgji Toska. Një bashkëpunim shumëplanësh dhe një përvojë e re për Bienalen, thotë Haig Zacharian në rolin e drejtorit të festivalit, teksa nënvizon edhe bashkëpunimin me znj Nevila Dudaj dhe stafin e hotel Adriatik.

Duke kërkuar të jetë sa më konçiz në përkufizimin e harmonisë Muzikë-Venë të këtij edicioni, themeluesi i Bienales, Florian Vlashi, shprehet “duam të dëshmojmë se vera është kulturë, art dhe histori, si dhe një nga treguesit e mirëfilltë të qytetërimit, sipas Hemingëay-t; degustimi I verërave pas çdo koncerti prezantuar nga ekspertë të njohur si dhe nga artiste; 7 premiera shqiptare drejtuar nga dirigjenti Petrika Afezolli dhe një spanjolle shkruar enkas për tematikën e festivalit;

muzika baroke franceze aq pak e njohur; muzikantë të rinj shqiptarë me karrierë ndërkombëtare si Zamir Kabo, Juliana Laska e Daniel Vlashi; “Sax- Ensambel Madrid” grupi më i njohur në Spanjë në llojin e tij bashkë me “Grupo Instrumental Siglo XX”; programi “Kryqëzime udhësh” mbi pelegrinazhin Shqipëri-Compostela, program i porositur nga Institucionet Kulturore të Spanjës si kembim ndërmjet dy vendeve; “Katër Stinet” e Vivaldit në Amfiteatrin Romak me Daniel Vlashin solist, 30 vjet pas premierës shqiptare në të njëjtin qytet si dhe mbremja me sopranon e famëshme shqiptare “diamantin e artit shqiptar” Inva Mula e pianistin Genc Tukiçi që është njëherësh dhe hapja e Bienales”.

Pa harruar këtu dhe Konkursin e Talenteve te Rinj-e mbyll fjalën e tij shteruese, Florian Vlashi, i cili bashkë me stafin ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve./atsh

Durrës: “Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer”, koncerti i Inva Mulës hap sot Bienalen 2019 Read More »

Rikthehet në jug Turtle Fest, mijëra turistë dhe mbi 45 DJ nga e gjithë bota spektakël në rivierën shqiptare

Bregdetit tonë të mrekullueshëm të jonit do t’i shtohet akoma më shumë atmosfera këtë fundjavë nga tingujt e një prej festivaleve më argëtuese jo vetëm për pushuesit, por dhe për adhuruesit e zhanreve të ndryshme muzikore.

Festivali Turtle Fest do të hapë dyert e performancave fantastike në një prej perlave të plazheve të jugut, Drymadhes, duke nisur nga e premtja në mbrëmje deri të djelën, përkatësisht në datat 26, 27 dhe 28 korrik.

“Është koha për Turtle Fest. Evenimenti i njohur muzikor për të rinjtë shqiptarë dhe europianë, vjen verën e vitit 2019, në edicionin e tij të 8-ë. 3 netë muzikë, spektakël në brigjet e detit jon, në Drimadhë! Mijëra vizitorë, mbi 45 DJ më të famshëm nga gjithë bota do të shijojnë muzikën, natyrën dhe pamjet spektakolare të rivierës së jugut, në Shqipëri”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. /atsh

Rikthehet në jug Turtle Fest, mijëra turistë dhe mbi 45 DJ nga e gjithë bota spektakël në rivierën shqiptare Read More »

Qendra historike e Vlorës zgjeron mushkëritë e qytetit

Rikualifikimi i qendrës historike të Vlorës po e bën qytetin bregdetar jo vetëm destinacion për detin dhe plazhin, por edhe për historinë dhe kulturën e pasur.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke sjellë pamje të qendrës historike që po merr formë, tha se kjo po ndodh “sepse Vlora nuk është vetëm det, por edhe histori, edhe kulturë”.

“Do të duhej të kalonin shumë vite që të ndërmerrej një hap i vështirë dhe i rëndësishëm, ai i rikualifikimit të Qendrës Historike. Një kthim në identitet, që do të zgjerojë mushkëritë e qytetit”, theksoi Margariti.

Qendra historike e Vlorës është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të.

Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mbart: rruga “Justin Godard”.

Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare.

Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “Lagja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga.

Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin XIX, si një sahat (kullë) dhe Postën e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919.

Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar edhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni./ atsh

Qendra historike e Vlorës zgjeron mushkëritë e qytetit Read More »

Margariti: Trashëgimia kulturore, vlerë e shtuar në zhvillimin e agroturizmit

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, u shpreh të shtunën gjatë një takimi me banorë të Linit se, kishte ardhur në fshatin Lin një vit më parë kur mori detyrën si koordinatore e programit “100 Fshatrat”, program i cili, siç tha ajo, e befasoi më shumë ndërthurja e trashëgimisë kulturore, natyrës dhe resurseve agroturistike.

“Që atëherë kemi diskutuar shumë për këto mbështetje të ndërthurura dhe sot që vij pas disa kohësh, shoh që jo vetëm kjo bujtinë, por edhe të tjera investime, kanë marrë formë dhe i përgjigjen misionit për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit”, – tha ajo.

Margariti tregoi historinë e takimit me një gurgdhendës, i cili po ndërton një hotel që pritet të hapet këto ditë. Ai më tha, citoi ajo, “që mund ta ndërtoja shumë më shpejt hotelin me tulla e beton, por besoj që kjo shtëpi ka nevojë për këto gurë”.

Ka ardhur koha që investimet kanë nevojë për këto mjeshtra, theksoi Margariti. Ndaj, vijoi ajo, lajmi i mirë është që edhe liqeni i Ohrit, pjesa shqiptare, iu bashkua UNESCO-s dhe kjo nuk është vetëm një vlerësim, por edhe përgjegjësi për t’u menaxhur kjo pasuri botërore.

“Ju jeni pjesë e ruajtjes së trashëgiminë kulture”, tha ajo. /atsh

Margariti: Trashëgimia kulturore, vlerë e shtuar në zhvillimin e agroturizmit Read More »

“New York Times” për pasuritë nënujore shqiptare: Zbulohen 22 amfora antike

Në detin Jon, në afërsi të brigjeve shqiptare, janë gjetur amfora antike, të paktën 2500-vjeçare që mund të dëshmojnë për mbetjet e një anijeje të lashtë, sipas një projekt i përbashkët shqiptaro-amerikan të arkeologjisë nënujore, shkruan prestigjiozja amerikane “New York Times” (NYT).

Sipas ekspertëve të anijes kërkimore “Hercules” e “Fondacionit Detar RPM” janë gjetur 22 amfora, një vazo me dy mbajtëse me një qafë të ngushtë që përdoret për verë ose vaj, në një thellësi prej 40-60 metrash të shpërndara rreth shtratit të detit pranë një bregu shkëmbor në afërsi të gadishullit të Karaburunit.

Arkeologu Mateusz Polakowski tha se ata besojnë se amforat e llojit korintas datojnë në mes të shekullit VII dhe shekullit V para Krishtit.

“Nëse mund të gjenden mbetjet e një anije, kjo do të mundësonte të zbulohej anija më e hershme që ka lundruar përgjatë bregdetit shqiptar”, tha Polakowski.

Kryetari i RPM-së, James Goold, e konsideroi këtë zonë si “një nga më të rëndësishmet e të gjitha zbulimeve tona… do të jetë shumë e rëndësishme nga një perspektivë historike dhe arkeologjike nëse vërtetohet”.

Megjithatë janë të nevojshme kërkime të mëtejshme në zonë.

Arkeologu shqiptar Neritan Ceka u shpreh se “amfora të ngjashme vere me origjinë korinthase dhe kerkirase janë gjetur në Durrës dhe Apoloni dhe në zona të tjera në brendësi të Shqipërisë, gjë që tregon për tregtinë intensive gjatë gjysmës së dytë të shekullit VII para Krishtit, përgjatë bregdetit shqiptar”.

Që prej viti 2004, RPM-ja ka analizuar shtratin e detit në Shqipëri për anije të vjetra dhe moderne, me plane të vazhdueshme për hapjen e një muzeu nënujor në Shqipërinë perëndimore.

“Kjo sigurisht do të ishte një pikënisje e mrekullueshme për një program kombëtar rreth të cilit të krijohej një muze dhe do të tregonte rolin kryesor të Shqipërisë në antikitet”, tha Goold.

“Autoritetet shqiptare janë duke planifikuar një projekt të ri katër-pesëvjeçar me RPM-në dhe Institutin e Arkeologjisë Detare, me bazë në Teksas, për të eksploruar mundësitë e gërmimit të mbetjeve, një proces financiarisht i shtrenjtë dhe shkencërisht delikat”, shtoi Ceka.

Kërkimet në Shqipëri deri më tani kanë zbuluar 28 zona me anije të mbytura, si dhe disa grumbuj amforash dhe gjetjesh të tjera nga Saranda dhe Butrinti në jug e deri në Durrës dhe më pas synohet të shkohet në veri të Durrësit.

“Prania e RPM-së në 12 vitet e fundit ka qenë një “hap i madh” për studiuesit shqiptare të arkeologjisë nënujore”, sipas Auron Tares, kreu i UNESCO-s për Komitetin Shkencor dhe Teknik për Trashëgiminë Botërore Nënujore.

“Nëse konfirmohet, kjo mbetje e anijes mund të shoqërohet me themelimin e dy qyteteve kryesore në bregdetin shqiptar, Dyrrachium (Durrësi modern) dhe Apolonia, dy portat e rrugës Egnatia, rruga e lashtë drejt tregtisë lindore”, theksoi Tare.

“Ne kemi zbuluar jo vetëm anije të lashta, por edhe një numër të mirë të mbetjeve të anijeve të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore që hedh dritë mbi një kapitull të panjohur të historisë sonë”, vazhdoi ai.

Shqipëria po përpiqet të mbrojë dhe të përfitojë nga trashëgimia e saj e pasur nënujore, me fonde të pakta për ruajtjen e saj nga qeveria e një prej vendeve më të varfra të Europës. /atsh

“New York Times” për pasuritë nënujore shqiptare: Zbulohen 22 amfora antike Read More »

Polifonia shqiptare mirëpritet në Festivalin Ndërkombëtar “Lauksnos”, në Lituani

Grupi folklorik “Bilbili”i Vlorës u duartrokit gjatë në prezantimin e tyre në festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Lauksnos”, në qytetin bregdetar Klaipeda, rreth 300 km larg kryeqytetit Vilnus, Lituani, që po zhvillohet nga 11-14 korrik.

Në një nga sheshet kryesore të qytetit të Klaipedas në Lituani, nisi mbrëmjen e djeshme paraqitja e grupeve të ardhura nga dymbëdhjetë vende të Europës e Botës për të performuar me vlera të trashëgimisë shpirtërore, mbrojtur nga UNESCO.

Grupi foklorik “Bilbili” u prezantua me disa nga këngët më të njohura të Labërisë e Bregut të Detit.

Drejtori artistik i grupit “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “në koncertin e parë ku shënohet edhe prezantimi i të gjitha grupeve pjesëmarrëse e ku organizatorët kishin programuar një kohëzgjatje deri 10 minuta, “Bilbili” i Vlorës paraqiti një buqetë këngësh e melodish me instrumente popullorë, të cilat u përcollën me duartrokitje e ovacione nga të pranishmit e shumtë”.

Meloditë baritore me fyell e cylë dyjare, interpretuar me mjeshtëri nga Vendim Kapaj “Mjeshtër i Madh” dhe Sinan Gjoleka, u lanë vend këngëve polifonike kënduar nga Piro Latifaj, Tajre Bozhani e Valbona Nora.

“Spektatorët dhe dëgjuesit e shumtë duartrokitën këngën baladë të Ymer Agos, “Thëllëza që shkon mbi vesë”, “Bejkë e bardhë” si dhe meloditë baritore në fyell e culë dyjare, shoqëruar me avaze zilesh e këmborësh”, tha Gjokoli.

Polifonia e kënduar nga Grupi “Bilbili” u prezantua nga moderatorja e festivalit si kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit e shpallur nga UNESCO në vitin 2005 dhe kjo e shtoi edhe më shumë vëmendjen dhe kërshërinë për të gjithë.

Në festival, në Klaipeda të Lituanisë, në këtë qytet antik në breg të Balltikut, iso-polifonia shqiptare po shënon një tjetër performancë të jashtëzakonshme, si një kryevlerë e pa diskutueshme e kulturës dhe trashëgimisë tonë kulturore kombëtare.

Grupi folklorik “Bilbili” juridikisht është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare./atsh

Polifonia shqiptare mirëpritet në Festivalin Ndërkombëtar “Lauksnos”, në Lituani Read More »

Fasadat e unifikuara dhe kalldrëmet e rinj në Gjirokastër/ Margariti: Do ndryshojë dinamika e qytetit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është rikthyer në Gjirokastër për të inspektuar punimet në qytetin e gurtë.

“Gjirokastra na mblodhi sërish. U rikthyem të inspektojmë punimet në kalldrëme, që po i ribëjmë nga e para, për t’u ofruar bizneseve dhe banorëve, shërbimet e munguara. Nuk mungojnë skeptikët, por me mbarimin e punimeve, do të shijojnë lehtësirat. Fasadat e unifikuara dhe kalldrëmet e rinj, do të ndryshojnë dinamikën e qytetit”, theksoi ajo.

Projekti për rehabilitimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve të Gjirokastrës po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin”. Për këtë pjesë të ndërhyrjes FSHZH bashkëpunon ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Kulturës, specialistët e së cilës sigurohen që punimet për restaurimin e kalldrëmeve të kryhen sipas parametrave të duhur.

Kalldrëmi që po restaurohet është i viteve ’70-80. Në shumë vende ai ishte shumë i dëmtuar si në sipërfaqe, ashtu dhe në shtresat e tij. Gjatë punimeve inxhinierike u zbuluan edhe disa segmente kalldrëmi të vjetër që mendohet se është nga 200 deri në 400-vjeçar. atsh

Fasadat e unifikuara dhe kalldrëmet e rinj në Gjirokastër/ Margariti: Do ndryshojë dinamika e qytetit Read More »