Art-Kulture

Të rinjtë gjermanë, të impresionuar nga historia e Shqipërisë

Muzeu Historik Kombëtar u vizitua dje nga një grup të rinjsh gjermanë të shoqëruar nga të rinjtë shqiptarë të Diasporës.

Grupi i të rinjve, të shoqëruar nga Anduena Stephan, Konsulle Nderi e Shqipërisë në Gjermani, u njohën me historinë e popullit shqiptar duke u nisur nga pavijoni i antikitetit deri në periudhën e regjimit komunist.

Të rinjtë shprehën një kënaqësi të vërtetë dhe u impresionuan shumë nga historia e Shqipërisë treguar nëpërmjet objekteve të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar. Pjesë e programit, përveç vizitës në Muzeun Historik Kombëtar, do të jenë dhe disa vizita në institucionet më të rëndësishme kulturore në vend.

Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të projektit “Rrjetëzimi i Rinisë shqiptaro-gjermane përmes kulturave”, i cili organizohet nga Ministria e Integrimit të Landit të Veriut të Vestfalisë, Shoqata IDEAL e Diasporës dhe Konsullata e Nderit të Shqipërisë në Gjermani dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, me qëllim njohjen me natyrën, kulturën, historinë dhe traditën shqiptare. /atsh

Të rinjtë gjermanë, të impresionuar nga historia e Shqipërisë Read More »

Pesë fotografë bashkëkohorë nismë për ta vënë Sazanin në hartën artistike kombëtare e ndërkombëtare

Sazani, ishulli dikur i militarizuar, sot muze i rastësishëm i rrënojave ushtarake, rizbulohet nga lentet e pesë fotografëve bashkëkohorë.

Ekspozita e titulluar “Sazan: No Man’s Land” (shqip “Sazani: Tokë e Askujt”), e cila u hap për publikun në Galerinë e Bregdetit, në Radhimë, Vlorë, eksploron dimensionet e ndryshme të ishullit mes punëve të Helidon Gjergjit, Dritan Hyskës, Gaime Melonit, Abi Shehut dhe Gerta Xhaferaj.

Ekspozita u pasurua nga ture të udhëhequra nga kuratorët si dhe aktivitete shoqëruese kulturore në ambientet e Galerisë së Bregdetit.

Dy kuratorët Elian Stefa dhe Niku Aleks Muçaj thanë se “No Man’s Land” është një reflektim vizual dhe përsiatje dokumentuese mbi të shkuarën dhe të tashmen e ishullit, duke i lënë hapësirë imagjinatës së publikut për një të ardhme të mundshme të Sazanit.

“Ekspozita do të udhëtojë edhe jashtë vendit për të treguar potencialin e ishullit dhe kontekstit unik që përfaqëson”, tha Stefa.

Sipas Muçaj, kjo ekspozitë është një përpjekje për ta vënë Sazanin në hartën artistike kombëtare dhe ndërkombëtare. “’No Man’s Land’ është fillimi i jetësimit të këtij misioni”, tha ai.

Fotografia pasqyron qasjet e ndryshme stilistike dhe analitike të secilit artist të ftuar, por formati dhe përmasat mbeten konstante, duke ekspozuar rregullin dhe estetikën ushtarake.

Artisti Helidon Gjergji e konsideron Sazanin një muze historik, natyror dhe ushtarak. “Është një muze i gjallë, ku objektet vdesin dhe lindin, transformohen dhe tjetërsohen, dhe për paradoks, tregojnë të vërtetën shumë më tepër se muzetë klasikë”, tha Gjegji.

Ndërsa fotografja Abi Shehu vëren se “shkretia e ishullit të pushton përkundër historisë së tij si një vend dikur i jetueshëm, ndërsa sheh gjurmë të njeriut të cilat kanë marrë formën e harresës”.

Krahas fotografive, harta origjinale të periudhave dhe fuqive të ndryshme paraqitën rëndësinë ushtarake të ishullit në detaje të hollësishme teknike. Po ashtu, u shfaq një intervistë me komandantin e ishullit për 15 vjet gjatë regjimit komunist, Naim Muho – dëshmi e cila skicon një fotografi më vete të jetës kur Sazani shënonte kulmin e tij.

Një instalacion i krijuar për të prezantuar Sazanin në relacion me Gjirin e Vlorës, solli një këndvështrim të ri mbi ishullin, përtej siluetës së zakonshme që shumica janë mësuar ta shohin.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në shtator dhe do të jetë e qasshme për publikun, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 20:00./atsh

Pesë fotografë bashkëkohorë nismë për ta vënë Sazanin në hartën artistike kombëtare e ndërkombëtare Read More »

Restaurim i murit romak në parkun arkeologjik të Finiqit

Qyteti i lashtë i Finiqit, përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pandarë e trashëgimisë tonë kulturore.

Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë ka hartuar projektin “Konsolidimi i murit romak në banesën me dy peristile në parkun arkeologjik të Finiqit.”

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje konservuese-restauruese në monument.

Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Mund të vini në park me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën kombëtare Sarandë-Gjirokastër dhe duke u kthyer në fshatin e Finiqit.

Në qendër të fshatit, do të gjeni një rrugë të asfaltuar e cila do t’ju çojë në kodrën ku ndodhet parku.

Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës. /atsh

Restaurim i murit romak në parkun arkeologjik të Finiqit Read More »

Spektakël dhe misteret e pasurive nënujore të Shqipërisë

Shqipëria njihet në gjithë botën për pasuritë nënujore që ndodhen në bregdetin e saj.

Në brigjet e thyer të Shqipërisë, një nga bregdetet më pak të eksploruara në botë, gjendet një pasuri e thesareve: anfore të lashta – anije të gjata dhe të ngushta terrakote që bartnin vajin e ullirit dhe verën përgjatë rrugëve tregtare midis Afrikës së Veriut dhe Perandorisë Romake, tregime të fshehura të heroizmit dhe tradhtisë nga dy luftëra botërore, formacione spektakolare shkëmbore dhe jetë detare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa fotografi mbresëlënëse nga pasuritë nënujore të vendit.

“Mirëmëngjes dhe me këtë spektakël të nënujit të Shqipërisë nga misteret e Jonit, në kaltërsinë e shpellave të Viroit të Gjirokastrës e të Petranit të Këlcyrës, ju uroj një fundjavë të qetë”, shprehet Rama.

Gjiri i Vlorës, Sarandës, Durrësit, Ksamilit, Karaburunit, Sazanit e deri në afërsi të Zvërnecit, përpos bukurive natyrore, fshehin relike të shumta të një rëndësie të veçantë historike. Zbulimi i këtyre pasurive nënujore me vlera të mëdha është në të mirën e Shqipërisë, si atraksione turistike. Shumë nga këto pasuri janë shumë të rëndësishme si thesare të trashëgimisë kombëtare/atsh

Spektakël dhe misteret e pasurive nënujore të Shqipërisë Read More »

Lushnjë/ Memorial për ikonën e skenës shqiptare, Vaçe Zela në “Sheshin e Qytetarëve”

Së shpejti memoriali kushtuar Artistes së Popullit, Vaçe Zela do të vendoset në “Sheshin e Qytetarëve” në qytetin e Lushnjës. Lajmi bëhet i ditur nga Bashkia Lushnjë duke theksuar se “në këtë memorial i cili është një vlerë e shtuar për qytetin e Lushnjës, Vaçe Zela është me kitarë e cila duket se do të këndojë këngët që nuk harrohen kurrë”.

Ky projekt u miratua nga Këshilli Bashkiak rreth një vit më parë më kërkesë të Kryetarit të Bashkisë, Fatos Tushe.

Vaçe Zela kishte një zë të rrallë si ai i flladeve dhe i ujëvarave pranverore, zë ky që për më shumë se 40 vjet hyri në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut.

Vaçe Zela që në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë” ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgimi vijojnë të mbeten gurë shndritës në gjerdanin e traditës shqiptare të këngës.

Vaçe Zela lindi në vitin 1939 në buzë të kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Që e vogël u dallua për karakterin e saj artistik. Fillimisht u vu re dëshira e saj e madhe për të kënduar dhe për të kërcyer. Prandaj, më vonë vijoi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956, kur ishte vetëm 17 vjeçe. Ky ishte ballafaqimi i saj i parë me skenën ndërkombëtare. Kështu, dalëngadalë, që nga ajo ditë filloi të bëhej e njohur edhe brenda vendit. Pjesëmarrja e saj në estradën e qytetit dhe në shfaqjet nëpër mbarë Shqipërinë ishin një ogur i mirë për rrugën që kishte nisur. Në vitin 1961 filloi të ishte pjesë e Estradës së Ushtarit.

Nga këtu nisi edhe karrierën artistike në kryeqytet. Mori pjesë në festivalin e parë të këngës së lehtë në radio në vitin 1962, për të interpretuar deri në vitin 1981 në Radio- Televizion, ku u shpall dhe fituese e çmimit të parë. Studioi për art dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare ku ka fituar 10 herë Çmimin e Parë.

Vaçe Zela ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Zërin e saj e dëgjojmë tek filmi “Në shtëpinë tonë”. Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi titullin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Gjithashtu ajo mbante edhe titullin “Artiste e Popullit”.

Numërohen rreth 55 këngë që prej fillimit të karrierës në vitet ’60 e deri në festivalin e fundit në RTSH.

Disa nga këngët që do të mbeten në kujtesën e publikut janë: “Fëmija i parë”, kompozim i Agim Krajkës, të cilën Vaçja e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, “Lumi Ebro”, “Për ty o këngë”, “Manushaqja”, “Esperanca” këngë kubane kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi “Karmen”, “Një zambak i bardhë në gur” etj.

Vaçe Zela ka bashkëpunuar me kompozitorët më në zë të muzikës së lehtë shqiptare, si: Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi, Agim Prodani etj.

Përfundimisht u largua nga skena në vitin 1990. Vaçe Zela u lind në Lushnje më 7 prill 1939 dhe vdiq në Bazel, Zvicër, më 6 shkurt 2014. Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret ikonë të skenës shqiptare. /atsh

Lushnjë/ Memorial për ikonën e skenës shqiptare, Vaçe Zela në “Sheshin e Qytetarëve” Read More »

Të enjten 8 Gusht ora 19:00 në Parkun Arkeologjik të Orikut organizohet “Tregime jete” me artistë të sukseshëm vlonjatë!

Një aktor i sukseshëm italian i lindur në Vlorë, një balerin i sukseshëm që jeton në Greqi i lindur në Vlorë, disa muzikantë dhe artistë të sukseshëm të fushave të ndryshme të lindur në Vlorë dhe të larguar, se bashku me miq artistë të ftuar , të cilët mbajnë lart emrin e vendlindjes me sukseset e tyre në vendet ku jetojnë, kur rikthehen I bashkon diçka tëpër e fortë: një dritare ….pas të cilës fshihen tregimet e jetës, pas të cilës për shumë prej tyre ndodhet njeriu më i shtrenjtë në botë: Nëna, por ndonjeherë pas dritares gjenden thjesht kujtime aromash të mbrojtura nga muret e akullt.

Tregime jete!

me:
Aleksandros Memetaj – teksti dhe interpretimi
Errik Nour – koreografia dhe interpretimi
Ardita Bufaj – piano
Elton Balla – fizarmonikë
Solen Alla – bariton
Mirjan Sulovari – perkusion
Dejon Bendaj – violinë I
Vilson Guri – violinë II
Albana Kola – violë
Enea Nushi – violonçel

Skenografia – Realda Malo
Regjia – Neritan Mehmetaj
Muzika dhe drejtimi artistik: Aulon Naçi

E ENJTE O8 Gusht Ora 19:00
në Parkun Arkeologjik të Orikut

Të enjten 8 Gusht ora 19:00 në Parkun Arkeologjik të Orikut organizohet “Tregime jete” me artistë të sukseshëm vlonjatë! Read More »

Artizanët vlonjatë ekspozojnë punimet e tyre për herë të parë në Lungomare

Artizanët dhe mjeshtrat e Vlorës për herë të parë po ekspozojnë punimet e tyre në një nga mjediset e Lungomares dhe pikërisht në rrugicën midis Palmash, përpara ish shkollës së Marinës.

Ky është një premtim i mbajtur i kryetarit të bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, dhënë gjatë fushatës së fundit elektorale.

Sejmen Gjokoli, kryetar i shoqërisë “Art CRAFT” thekson për ATSH-në se “për të parën herë artizanët e këtij qyteti dhe rrethinave për rreth, organizuar në shoqatën “Art CRAFT”, por edhe të tjerë individë dalin të organizuar në një nga mjediset e bukura të Lungomares buzë detit për të ekspozuar punimet e tyre të larmishme të krijuara kryesisht në mënyrë artizanale”.

“Me çeljen e tregut të artizanëve dhe suvenireve, Vlorës iu shtua një dimension i munguar jo thjesht në aspektin tregtar apo komercial, por më tepër si një aspekt i rëndësishëm trashëgimie e turistik i cili e kthen sipërfaqen turistike të qytetit në një hapësirë plot art e trashëgimi kulturore”, thekson Gjokoli.

Sipas tij, ky panair i përditshëm artizanësh synon që shumë shpejt të kthehet në një mini qytet artizanësh e mjeshtrash me punime artistike tradicionale.

Arben Breshani, kryetar i Dhomës së Tregtisë që qarkun e Vlorës tha për ATSH-në se “është një treg simbolik që e kthen Vlorën në qytet turistik. Ne të gjithë kemi dalë jashtë vendit dhe kemi parë e kemi marrë gjithmonë prodhimet artizanale të atij vendi. Sot të gjithë turistët që po vijnë në Vlorë do të marrin këto prodhime që janë autentike”.

Ai shprehet se prej një viti po punonim që përmes bashksië këta artizanë që janë pjesë e Dhomës së Tregtisë të kenë tashmë një shtëpi të tyre ku mund të shesin produktet e tyre.

“Në këtë treg ka 10-15 biznese të vogla, në të ardhmen synojmë që të ketë 30 pse jo 50 biznese që të mbushet Lungomare. Në të ardhmen do të bëjmë një listim të këtyre bizneseve, ti frymëzojmë dhe mbështesim edhe financiarisht për zgjerimin e tyre”, – thekson Breshani.

Kreu i Dhomës së Tregtisë që qarkun e Vlorës nënvizon se “po shikojmë që qyteti i Vlorës është vërtet turistik. Deri dje turistët nuk mund të merrnin një simbol nga qyteti i Vlorës, sot e kanë plotësisht mundësinë që në shtëpitë e tyre të kenë një prodhim të artizanëve të Vlorës”.

Artizani, Avenir Troqe, shprehet se “tregu i artizanëve për ne është një fitore e madhe, pasi më në fund arritëm të ekspozojmë punimet tona. Duke parë edhe fluksin e madh të turistëve mendoj se kjo është merita e shoqatës “Art CRAFT” dhe një premtim i mbajtur nga kryetari i bashkisë, Dritan Leli, sepse e mbajti fjalën dhe na krijoi kushte të mira”.

“Ne kemi arritur të gjallërojmë edhe jetën në Vlorë. Më parë nuk kishim ku ti ekspozonim punimet tona, kjo është hera e parë që ka një treg artizanësh në Vlorë, jemi të kënaqur ka akomodim, ndriçim edhe stendat janë njësoj”.

Tani edhe Vlora mund të renditet pa hezitim përkrah qyteteve të tjera të vendit, por edhe Europës ku në mjedise dhe hapësira të mirëfillta turistike gjallon edhe tregu i punimeve artizanale vendase e ku turistët apo vizitorët mund të gjejnë suvenire dhe produkte artizanale tipike të zonës.

Tani vizitorët dhe turistët që zgjedhin Vlorën për të pushuar dhe Lungomaren për shëtitjen e mbrëmjes kanë një alternativë më shumë për të zgjedhur e marrë si kujtim edhe produkte artistike të duarartëve vlonjatë.

Punime artizanale në dru, guaska e guralecë, si dhe etnografi kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj, por edhe atyre vendas të cilët kur largohen nga qyteti bregdetar marrin me vete suvenire.

Në Lungomare mbrëmjet vlonjate kanë tashmë një aset të shtuar artistik, kulturor e turistik: artizanët vlonjatë me prodhimet e tyre të shumëllojshme që vijnë si trashëgimi nga tradita e popullit tonë në breza./atsh

Artizanët vlonjatë ekspozojnë punimet e tyre për herë të parë në Lungomare Read More »

Teatri i Operas dhe Baletit, me pamje të re pas 6 dekadash

Pas 60-të vitesh nga krijimi i tij Tetari Kombëtar i Operës dhe Baletit do të ketë një pamje të re për artistët dhe artdashësit kryeqytetas.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me disa pamje nga Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, që është në fazën e fundit të punimeve.

Ky institucion do të kthehet në një tempull të muzikës lirike, baletit klasik me kushte moderne dhe e krahasueshme me skenat europiane.

“Mirëmëngjes dhe s’po flas fare për çfarë do të shihni e gjykoni vetë, duke ju uruar një të dielë të bukur”, shprehet Rama.

Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustiken si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në llozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975.

Gjendja e përgjithshme e ndërtesës shfaqej e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë nuk ka patur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij.

Me këtë rikonstruksion do të ketë një hapësirë të re qytetare, për të përmirësuar marrëdhëniet me spektatorin duke rimodeluar volumin dhe lëvizjen, etj.

Në imazhin e ri të TKOB do të ketë më tepër hapësira për shfaqje, apo hapësira për personelin dhe publikun./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/647309005781378/?t=0

Teatri i Operas dhe Baletit, me pamje të re pas 6 dekadash Read More »