Art-Kulture

“SOFAT Festival”, një përvojë interesante për të mos u humbur sot në Gjirokastër

Ka nisur mbrëmjen e djeshme dhe do të vijojë dhe sonte “SOFAT Festival” në Gjirokastër ku banorë dhe vizitorë të shumtë kanë shijuar dhe do të shijojnë deri në mesnatë muzikë, filma dokumentarë dhe prodhime tipike të zonës.

Gjithashtu vizitorët do të kenë mundësi të flenë dhe ushqehen në shtëpitë e vetë banorëve të zonës e të ndajnë me ta përvoja e histori të ndryshme duke shijuar ushqimet tradicionale dhe duke përjetuar përgjatë këtyre dy ditëve bukurinë e jetës rurale.

Kryeministri Edi Rama përmes një videoje i ka bërë thirrje qytetarëve, që nuk e kanë shijuar natën e parë, të mos mungojnë sonte në “SOFAT Festival”, një përvojë që nuk duhet humbur.

“Për të mos u humbur sot në Gjirokastër”, shprehet Kryeministri Rama.

“SOFAT Festival” është një festival kushtuar pasurisë kulturore dhe sharmit të jetës rurale, një dimension njerëzor kompleks, të cilin tashmë po e rizbulojmë dhe rivlerësojmë vazhdimisht nëpërmjet peizazheve, arkitekturës, veshjeve, muzikës e ushqimit. /atsh

“SOFAT Festival”, një përvojë interesante për të mos u humbur sot në Gjirokastër Read More »

Trashëgimia kulturore e Prizrenit prezantohet në zemër të Korçës

Monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit u ekspozuan mbrëmjen e djeshme në Pazarin e Korçës

Ekspozita “Trashëgimia e Prizrenit në Korçë” u organizua në kuadër të ditëve europiane të trashëgimisë nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Korçë.

Në zemër të Pazarit të Korçës, shembull i rijetëzimit dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore u prezantuan Kalaja e Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shtëpitë tradicionale të shekullit XIX-XX e deri te krojet karakteristike të qytetit, etj.

Ky aktivitet u inspirua nga kalendari i përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë më qëllim prezantimin e vlerave dhe sfidave të përbashkëta pasi qytetet e Korçës dhe Prizrenit i kanë dhënë kombit shqiptar data shume të rëndësishme historike, simbole të atdhedashurisë dhe qytetarisë dhe bashkëjetesës fetare.

Kjo ekspozitë është një ftesë për të njohur më tepër Prizrenin dhe trashëgiminë e tij kulturore dhe historike.

Ekspozita u çel edhe në në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturorë Kosovë-Shqipëri.

Qyteti i Prizrenit shtrihet në pjesën jugore të Rrafshit të Dukagjinit, në rrugën që lidhte me parë bregdetin verior të tokave shqiptare dhe qendrat e tij qytetaro- tregtare me rajonet e brendshme të Kosovës dhe të Ballkanit.

Ndër monumentet më të rëndësishme kulturoro -historike janë : Kompleksi i Shatirvanit, Nënkalaja, Marashi, Kalaja, Kisha e Shën Premtës, Kisha e Shën Shpëtimit, Xhamia e Bajraklisë, Xhamia e Safi Sinan Pashës, Hamamet e qytetit, krojet e qytetit, ura e gurit dhe një numër i madh i shtëpive folklorike të qytetarëve të trashëguar ndër shekuj.

Qyteti i famshëm i zambakëve, qyteti i aktorit të famshëm Bekim Fehmiu dhe i shumë njerëzve të shquar të artit ndër shekuj ka se çfarë të ofrojë nga krenaria e tij për ata mijëra e mijëra vizitorë të huaj dhe vendas./atsh

Trashëgimia kulturore e Prizrenit prezantohet në zemër të Korçës Read More »

“Zeje dhe Folk”, artizanët dhe grupet polifonike ‘pushtojnë’ Vlorën

” Zeje dhe Folk” titullohej aktiviteti që mblodhi mbrëmjen e djeshme në sheshin e ri përpara stadiumit “Flamurtari” në Vlorë grupet polifonike dhe artizanët e qytetit.

Ky aktivitet u organizua nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, në bashkëpunim me institucionet kulturore të bashkisë Vlorë, në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë dhe 29 shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Artizanët e shoqatës ” ArtCraft” dhe grupet e këngës e valles polifonike si dhe asaj qytetare, ‘pushtuan’ sheshin me ngjyra, melodi e ritme vallesh tradicionale.

Në shesh u ekspozuan plot bukuri e hijeshi edhe punimet e mjeshtrave krijues në dru, gur, mozaikë, alabastër etj.

Specialisti i trashëgimisë në DRKK Vlorë, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “i veçantë dhe mjaft tërheqës është këndi i krijuar me sende e orendi nga Muzeu Etnografik i qytetit, sidomos mjedisi baritor e ai bujqësor në qasje e evokim nga një kohë e shkuar dhe që sot vjen si trashëgimi brezash”.

“Artizanët Axhi Daupi, Axhem Binaj, Avenir Troqe, Qazim Sulioti, Dushan Mëzuraj, Shpresa Dahri, Festim Zemani, Musa Feruni etj. për të parën herë shpalosën në një aktivitet të gjerë kulturor krijimtarinë e tyre artizanale”, thekson Gjokoli.

Këta artizanë pikërisht për këtë pjesëmarrje, por edhe për kontribut të çmuar e të vazhdueshëm në ruajtjen e traditës së mjeshtërisë, u vlerësuan nga DRKK, përmes drejtorit të institucionit Orgest Feimi dhe deputetes së Partisë Socilaiste, Vilma Bello, me Certifikatë mirënjohjeje.

“Zejtaria, punimet artizanale dhe folku janë tregues të identitetit tonë kombëtar e që, përmes aktiviteteve të tilla, trashëgohen ndër breza si vlera të veçanta e të përhershme”, tha Bello.

Ndërkohë grupet polifonike “Vatra Labe”, “Bilbili”, Vranishti, grupi i grave të Tërbaçit, Sazet e qytetit, Ansambli “Krahu i Shqiponjës Taip Madani”, i valleve të Pallatit të Kulturës etj e ndezën mbrëmjen me ngjyra e melodi të këngëve polifonike e valleve tradicionale e popullore.

Si për të treguar vazhdimësinë e traditës së këngës në breza, përpara shikuesve të shumtë që mbushën sheshin “Flamurtari” performuan polifoni edhe nxënësit e shkollave të mesme “Pavarësia” e ” Jani Minga”.

Aktiviteti kushtuar Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore është një model i organizimit, i pasionit dhe fuqisë së trashëgimisë kulturore shpirtërore./atsh

“Zeje dhe Folk”, artizanët dhe grupet polifonike ‘pushtojnë’ Vlorën Read More »

Ditët Europiane të Trashëgimisë/ Vlorë, nxënësit vizita në muzeun arkeologjik dhe etnografik

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara në Ditët Europianë të Trashëgimisë, nxënës të shkollave të qytetit kanë nisur vizitat në Muzeun Arkeologjik dhe Etnografik të Vlorës, pjesë e Muzeut Historik të rrethit.

Përmes shpjegimeve të cicerones Arbela Kisi dhe artefakteve nxënësit u njohën me pjesë të historisë së antikitetit e mesjetës, gjetjeve arkeologjike të gjetura dhe grumbulluara pas gërmimeve dhe ekspeditave në vite.

Nxënësit vizituan edhe Muzeun Etnografik të qytetit, një muze me pasuri të jashtëzakonshme trashëgimie, prej kohës së mesjetës.

Shqipëria ka nisur të kremtojë Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore prej vitit 1998.Nga 24 deri 29 Shtator janë ditë të hapura që shoqëria duhet të kujtojë e tu kthehet vlerave të trashëgimisë kulturore që vijnë si trashëgimi nga shekujt e nga brezat. Trashëgimi që sot gjendet në muzeume, por edhe në monumente kulturore, site arkeologjike, objekte kulti, artizanale, krijimtari shpirtërore, zakone, doke, rite etj.

Ndërsa 29 Shtatori është Dita Kombëtare e Trashëgimisë tonë Kulturore. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë ka detajuar prej kohësh një program të larmishëm aktivitetesh, të cilat nisin me vizita të mjaft shkollave të qytetit në Muzeun Etnografik dhe Historik të qytetit, të cilat do të kulmojnë me një aktivitet të madh kulturor në datën 27 shtator 2019, në sheshin përpara stadiumit “Flamurtari”.

Në këtë ditë ,e cila do të organizohet në bashkëpunim edhe me Qendrën për Kulturë e Art të bashkisë Vlorë do të realizohet një Panair i madh me artizanët dhe mjeshtrat e Vlorës si dhe këngë e valle tradicionale nga Kryevepra jonë “iso-Polifoni”./atsh

Ditët Europiane të Trashëgimisë/ Vlorë, nxënësit vizita në muzeun arkeologjik dhe etnografik Read More »

Nis puna për restaurimin e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kryen një vizitë inspektimi në ndërtesën e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë.

Kjo vizitë u bë në kuadër të mbikëqyrjes së punimeve restauruese, në bazë të projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, mbas rënies së disa tërmeteve në qarkun e Korçës, që shkaktuan dëme në këtë monument të kategorisë I.

Punimet kanë filluar sipas parashikimeve me rrethimin e kantierit, ngritjen e skelerive, vendosjen e banerit dhe tabelës informuese.

Në vazhdim të punimeve dhe pas bërjes së sondazheve të parashikuara në projektin e restaurimit, punimet vijojnë dhe konsistojnë në ndërrimin dhe riparimin e suvatimeve të brendshme, ndërsa njëkohësisht kryhet edhe çmontimi i çatisë ekzistuese, për të lehtësuar punimet dhe më pas për t’u restauruar. /atsh

Nis puna për restaurimin e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë Read More »

Ditët e Trashëgimisë Europiane festohen nën temën “Art dhe Argëtim”

“Ditët e Trashëgimisë Evropiane”, një iniciativë e përbashkët e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, janë ngjarjet kulturore më të festuara gjerësisht nga vendet e Evropës. Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane dhe 29 Shtatorit – Ditës Kombëtare të Trashëgimisë organizuan aktivitetin me titull “Art dhe argëtim”. Gjatë këtij aktiviteti u zhvillua një sfilatë me veshje popullore të trevave të Shqipërisë, si të Mirditës, Tiranës, Malësisë së Madhe etj. Po ashtu fëmijët e Qendrës Kombëtare të Kulturës interpretuan këngë e valle të shumta tradicionale shqiptare.

Nuk mund të mungonte një nga aktivitetet më të sukseshme të Muzeut Historik Kombëtar, ai me titull “Arkeologu i Vogël”. Fëmijët morrën pjesë në zhvillimin e këtij projekti për të mësuar si të zbulojnë objektet e lashtësisë. Fëmijët e QKKF-së vijuan me gërmimet dhe në përfundim, plotësuan fjalëkryqin me fjalë nga arkeologjia e vizatuan objektet e zbuluara.

Aktiviteti i sotëm u pasurua me ekspozitën me vizatime nga fëmijët e talentuar të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, ku paraqiteshin objekte dhe pamje të ndryshme, pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. /atsh

Ditët e Trashëgimisë Europiane festohen nën temën “Art dhe Argëtim” Read More »

“Valsi i lumturisë”, romani që provokoi debat në Paris mbi emigracionin

Romani “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka është vënë në qendër të debatit “Emigracioni politik në Europë”, të zhvilluar në Paris, ku u diskutua mbi temën e ndjeshme të emigracionit europian dhe rastit shqiptar.

Mbrëmjen e kaluar, në kuadrin e ciklit të konferencave “Lexime europiane” Shtëpia e Europës në Paris, drejtuar nga ish-Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës dhe njëkohësisht ish-ministre e Kulturës së Francës, Katerinë Lalymiere, zhvilloi një takim-debat marrë shkas nga botimi në Francë i romanit “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka, me temë “Emigracioni politik në Europë”.

Katerinë Lalymierë, Ylljet Aliçka dhe profesori i Universitetit “SciencePo”, filozofi Yannick Prost debatuan në prani të medieve dhe të ftuarve nga mjediset akademike franceze.

Lulymiere bëri një analizë të romanit duke evokuar me këtë rast sfidat e emigracionit në Francë dhe bëri një historik të shkurtër të Shqipërisë mbështetur në kujtimet e vizitave të saj në Shqipëri si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Europës.

Sipas Yanick Prost, këshilltar pranë kryeministrit francez dhe profesori i Universitetit “SciencePo”, Franca dhe Europa kanë nevojë të rimendojnë aksionin e tyre e sidomos kontratën e tyre sociale, pasi kriza e madhe e emigracionit dhe demagogjitë politike ekstremiste rrezikojnë demokracinë dhe përgatisin terrenin për ardhjen e “Mbretërisë së Atilës”, fenomene këto mjaft mirë të trajtuara në romanin e Aliçkës.

Këshilltari i kryeministrit francez theksoi se artistikisht ky roman ka zbuluar edhe thelbin e emigracionit. Sipas tij, emigrantët ndiejnë mungesë të dyfishtë si në vendin e pritjes, dhe në atë të origjinës. Për këtë ai mori shembullin e familjes Popa tek romani.

Shkrimtari dhe ish-diplomati, Aliçka në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se ”ky moment ishte ngjarje me rëndësi dhe nuk qe thjesht promovimi tek lexuesi, por ajo çka provokoi. Pra, romani im u bë shkas për ngritjen e një debati në instancat e larta që merren me problemin aktual të emigracionit. Botimi në Francë i këtij romani mbi aspektet shpirtërore e psikologjike të emigracionit u mor si model analize për të provokuar një debat më të gjerë mbi sfidat e emigracionit në përgjithësi”.

Me nostalgji Katerinë Lalymierë risolli në vëmendje tri vizita në momentet kyçe në historinë e Shqipërisë. Ajo kujtoi vizitat në 1991, 1997 dhe 1999. Ajo e cilësoi “Valsin e Lumturisë” një roman politik nga më të spikaturit, i cili sipas saj, u bë burim i këtij debati.

Aktiviteti u ndoq live nga kanali kryesor “Franceinfo”, kanal i parë radios në shtetin francez.

Romani “Valsi i lumturisë” mbështet në një ngjarje të vërtetë.

Në dhjetor të 1985-s gjashtë anëtarët e familjes Popa, hynë ilegalisht në Ambasadën italiane në Tiranë. Rasti i tyre bëhet çështje ndërkombëtare për Shqipërinë e vogël e të izoluar. Familja Popa, një familje e thjeshtë nga Durrësi hynë në Ambasadën italiane duke u hequr si turistë dhe aty kërkuan menjëherë strehim politik. Shteti totalitar i kohës pësoi një tronditje të madhe nga ky gjest. I quan shtetasit e vet “kriminelë”.

Një gjë të tillë, cilido që kishte guxuar ta bënte më parë ishte pushkatuar. Ngjarja që erdhi nga këta njerëz të thjeshtë, mori përmasa të paparashikueshme ndërkombëtare. Gjashtë anëtarët e familjes Popa, nga frika e dënimit, deklaruan se do të vetëvriteshin, nëse ambasadori italian i dorëzonte në duart e Sigurimit të Shtetit. Ata u mbrojtën për rreth 5 vjet në Ambasadën italiane, veprim që u bë shkak për tensionimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, por edhe shkak për kthimin vëmendjes nga Shqipëria të ndërkombëtarëve. Ambasada italiane rrethohet me mbi 600 policë. Përtej brigjeve, televizioni italian transmetonte ngjarjen reale nga Tirana.

Romani “Valsi i lumturisë”, i shkrimtarit Ylljet Aliçka është botuar së fundmi në Francë nga shtëpia botuese “L’esprit du temps”, përkthyer nga Michel Aubry (Mishel Obri).

Në parathënien e këtij botimi në gjuhën frënge, shkrimtari Ismail Kadare shkruan ndër të tjera: “Një roman i shkruar me art dhe dinjitet”, ndërsa botuesi francez shkruan për këtë libër: “Një rrëfim jashtëzakonisht ironik dhe absurd, i frymëzuar nga një histori e rrallë, ku zbulohen dy botë, gjë e rrallë kjo për romanin tradicional. Është kjo qasje që e bën letërsinë e Aliçkës origjinale dhe njerëzore”.

Komisioni i çmimit “Ballkanika” ka përzgjedhur për vitin 2014 shkrimtarin Ylljet Aliçka me romanin “Valsi i Lumturisë” për të përfaqësuar Shqipërinë.

I shkruar para disa vitesh, ky roman është fitues i çmimit kombëtar “Pena e argjendtë” për 2012-ën, që ndan Ministria e Kulturës.

Shkrimtari Ylljet Aliçka përfaqësoi letërsinë shqipe në “Netët e letërsisë europiane 2012-2014”. Ai ishte përzgjedhur në projektin “10 shkrimtarë bashkëkohorë që prezantohen mes arritjeve të letërsisë së sotme europiane”. Ky është një projekt ndërkombëtar, partneritet i Bashkimit Europian me qytetet Brno, Bukuresht, Dublin, Lisbonë, Vilnius, Pragë dhe Wroclaw. /atsh

“Valsi i lumturisë”, romani që provokoi debat në Paris mbi emigracionin Read More »

Orik/ Zbulime të reja arkeologjike në qytetin antik, vizitorët ndjekin punën e arkeologëve

Në parkun arkeologjik të Orikut vijojnë gërmimet arkeologjike të projektit shqiptaro-zviceran të Institutit të Arkeologjisë së Tiranës dhe Universitetit të Gjenevës së Zvicrës, të cilat po kryhen në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë.

Gërmimet e këtij viti janë fokusuar në pjesën veriore të fontanës monumentale, gërmimin dhe gjurmimin e fortifikimit antik, si dhe zbulimin tërësor të kishës mesjetare.

Gjatë muajit shtator vizitorët në parkun arkeologjik të Orikut kanë mundësinë të ndjekin nga afër punën e arkeologëve dhe zbulimet e reja arkeologjike.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl para Krishtit, në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V para Krishtit, si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnjë), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore./atsh

Orik/ Zbulime të reja arkeologjike në qytetin antik, vizitorët ndjekin punën e arkeologëve Read More »