Art-Kulture

Nobeli në letërsi për Peter Handke/ Akademia e Shkencave: Akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore

Akademia e Shkencave e Shqipërisë u njoh me shqetësim e zhgënjim të thellë me vendimin e jurisë së çmimit Nobel në letërsi, i cili për këtë vit iu rezervua shkrimtarit Peter Handke.

Duke qenë prej shumë vitesh propozuese ngulmuese e kandidaturës së shkrimtarit shqiptar me reputacion të gjithëvlerësuar botëror Ismail Kadare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë u është shmangur interpretimeve të kësaj jurie.

Por laureimi i sivjetmë, që me të drejtë ka krijuar një gjendje shqetësimi gjerësisht në Europë e në botë, ku dhe Akademia e Shkencave ka reaguar për këtë laurim.

“Këtë vit ne jemi të detyruar të shprehim qëndrimin tonë, sepse kandidati i laureuar e implikon rëndë këtë parimësi, duke e paraqitur jurinë e këtij çmimi dinjitoz në standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si hate speech, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të dukshme të Kodit të Etikës. E njëjta Akademi që akordon vit për vit çmimin Nobel të Paqes nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin”, deklaron Akademia e Shkencave.

Në reagimin e Akademisë së Shkencave thuhet se, ”ne nuk gjykojmë vlerën e veprës letrare të fituesit të Nobelit të sivjetëm. Ne na dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim nga juria e këtij çmimi, duke mbyllur sytë para inkurajimit të hapur që ai i ofroi makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të frymëzuar prej një njeriu të dënuar për krime të rënda kundër Njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”.

“Pyetja jonë është: A mund të besohet më kjo “parimësi”? Prej kohësh janë paraqitur dyshime për moralin e Nobelit në Letërsi. Ka ndodhur që juria e këtij çmimi të lartë ka konsideruar edhe opinionet; ka ndodhur edhe e kundërta, që, në emër të idealeve, ideologjive, qendrimeve vetjake politike, të bëhet para-përzgjedhje, duke përjashtuar edhe kryemjeshtër të artit të fjalës. Siç ka ndodhur që talente të jashtëzakonshëm në letërsi të rezultojnë, shumë kohë pas shpalljes fitues, që kanë pasur implikime okulte në jetën shoqërore”, vijon reagimi i i Akademisë së Shkencave.

“Por nuk ka ndodhur ndonjëherë që frymëzuesit e ideologjisë primitive të urrejtjes dhe armiqësisë etnike të laureohen duke ua amnistuar përgjegjësitë e tyre të mirënjohura si famëkeqe prej kohësh botërisht”, shkruhet në reagim.

Sa më sipër, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë paraqet mospajtimin dhe indinjatën e saj, pasi në vlerësimin tonë ky është një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore. /atsh

Nobeli në letërsi për Peter Handke/ Akademia e Shkencave: Akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore Read More »

Si u mbrojt Princesha Rugjine ne Kalane e Gjon Bocarit me 300 luftetaret e saj!

Rugjina ka qene princesha ose sundimtarja e Vilajetit te Kanines. Ajo ishte bije shqiptare nga dera e Balshajve te Shqiperise se Veriut, nga ku mesojme se ne vitin 1372 Vloren dhe Kaninen i zoteronte princi shqiptar Balsha Balshi; njeri nga tre vellezerit e deres se Balshajve. Dokumentat thone se Vloren dhe Kaninen ja kish sjelle si “Paje” bashkeshortja Komnena, e cila ishte vajza e Dhespot Janit te Beratit. Balsha Balshi me 18 Shtator 1385 u vra ne nje perpjekje kunder nje grupi kaloresish turq ne fushen e Frakulles.

Pas kesaj ngjarje Komnena mbeti grua e ve’ dhe per te mbrojtur Kaninen nga kercenimi turk u fut ne bisedime me Venedikun, me ndihmen e te cilit (Republikes se Shen Markut, Venedik) ajo mundi te mbronte ne vitet 1389-1390 vetem nje pjese te dominioneve te saj, si Sazanin, Kullen e Pirgos, Keneten e Solit dhe kishen e Lacenjve afer grykes se Semanit.

Ne kete periudhe Komnena jetonte ne Kalane e Kanines bashku me te bijen Rugjinen, te cilat kishin ne dispozicion nje fuqi te armatosur prej rreth 300-vetash; numer i pamjaftueshem per t’i bere balle ushtrive te shumta turke. Me 1391 Rugjina u martua me Mrksha Zarkovicin, djalin e kreut te Krahines se Zetes ne Mal te Zi (Zharko Mrkshicit), qe ishte fis me mbretin dhe princa serbe si dhe me Perandoreshen e Bizantit.

Pershkrimi thote se burri i Rugjines ishte i pamshem, trim por shume llafazan e mburravec. Pas martese Rugjina me Mrkshan u kthyen te jetonin ne Kanine per te administruar vilajetin e saj Kaninen se bashku me te emen Komnenen, qe ishin te dyja trime e burrnesha. Por me 1396 ajo (Komnena) vdiq dhe u varros ne kishen e Shen Merise e pas saj me 1414 vdiq edhe Mrksha Zarkovici (thuhet se ka vdekur ne Itali). E mbetur keshtu vetem, pricesha Rugjine kerkoi disa here ndihme nga Venediku, por vec se me premtime ajo asnjehere nuk u ndihmua, pasi Rep. e Venedikut ne kete kohe nuk donte t’i prishte marrdheniet me Turqine, qe donte te shtrinte influencen e vet ne kete zone. Ne keto kushte te renda, e deshperuar Rugjina u detyrua te mbyllet ne Kalane e Kanines.

Me 17 Qershor 1417 ushtria turke nen komanden e Hamza bej Evremozit hyri ne lufte dhe pushtoi Vloren e Kaninen. Ne keto rrethana Rugjina doli naten nga kalaja dhe se bashku me sekretarin e saj Nikolla Zhorka mori rrugen nga Shashica, zbriti ne buze te detit e duke kaluar neper Radhime zuri kalane e Gjon Bocarit. Pasi ajo mblodhi rreth 300-luftetare nga krahina jone u mundua te organizonte rezistencen kunder turqeve ne kete kala dhe ne Shkalla ne Radhime. Meqenese kalaja ne fjale ne rastin konkret nuk kishte vlera ushtarake dhe se trupat i kishte te pamjaftueshme per t’u bere qendrese turqve ajo hoqi dore nga vazhdimi i luftes. Keshtu ne nje nga ditet ne vazhdim Rugjina e shoqeruar edhe nga trimat e saj u detyrua te kaloje qafen e Llogorase e nepermjet Himares me anije shkoi ne Korfuz

Si u mbrojt Princesha Rugjine ne Kalane e Gjon Bocarit me 300 luftetaret e saj! Read More »

Kalaja e Gjon Boçarit, Tragjas, Vlorë/ Historiku dhe detaje mbi të

Kalaja e Gjon Boçarit Statusi i objektit: Kalaja e Gjon Boçarit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës me vendim Nr. 6, datë 15. 01. 1963. Viti/koha e ndërtimit: Shek. XV. Vendndodhja: Fshati Tragjas, Bashkia Vlorë.

Përshkrimi: Kalaja e Gjon Boçari është ndërtuar në një kodër dominuese midis fushës së Dukatit dhe fshatit Tragjas, duke kontrolluar bregdetin dhe rrugët që të çojnë drejt qafës së Llogarasë dhe Shën Gjergjit. Kjo kështjellë ka formën e një katërkëndëshi kënddrejtë (30 x l8 m), me dy kulla poligonale në qoshen veriore dhe lindore, ndërsa hyrja e vetme, ndodhet në mesin e njërës nga brinjët e ngushta të katërkëndëshit. Kurtinat kanë një trashësi prej 1,80 m dhe po aq është edhe gjerësia e mureve të kullave. Lartësia e mureve, deri në shtegun e rojes, arrin 4 m, ndërsa parapeti i ruajtur vetëm si gjurmë, kishte një gjerësi prej 0,54 m.

Kalaja e Gjon Bocarit

Kalaja e Gjon Bocarit

Në shtegun e rojes të çonin nga dy palë shkallë të ndërtuara brenda trashësisë së mureve veriperëndimore dhe juglindore. Kullat janë krejtësisht të hapura nga ana e brendshme e fortifikimit, duke qenë kështu më tepër një vazhdim i mureve rrethuese. Në burimet historike Gjonboçari mendohet se shfaqet që në shek. XVII. Një regjistrim osman në fund të këtij shekulli, shënon në Sanxhakun e Vlorës një qytet me emrin Gjoniqestra, i cili kish edhe një lagje hebraike me 61 kryefamiljarë. Ky vendbanim mendohet të jetë kalaja e Gjon Boçarit, pasi emri Gjoniqestra, mund të përkthehet kështjella e Gjonit, që i përgjigjet mjaft mirë kalasë së Gjon Boçarit. Fshati Gjonboçar përmendet në letrën që Himarjotët i dërguan careshës së Rusisë, Elisabeta Petrovna, më 1759. Sot në veri të kështjellës ruhen rrënojat e banesave të këtij fshati dhe janë pjesë e zonës së mbrojtur të monumentit. Kështjella vizitohet për herë të parë nga arkeologu austriak Carl Patsch, në vitin 1904. Nga vëzhgimet e kryera prej tij në brendësi të kështjellës nuk u gjetën rrënoja objektesh, për këtë arsye ai mendon se garnizoni që qëndronte në këtë kala, ka ndenjur në çadra ose ndërtime druri të lehta. Vëzhgime të tjera janë kryer nga arkeologu shqiptar Damjan Komata, i cili kështjellën dhe rrënojat e vendbanimit jashtë saj i daton rreth shek. XV. Nga vëzhgimet arkeologjike të viteve të fundit, në kodrën ku nodhet fortifikimi janë gjetur gjurmë të një varreze antike.

Kalaja e Gjon Bocarit

Bibliografia: C. Patsch., Das Sandschak Berat in Albania. Wien, 1904, f. 70; D. Komata., Disa qendra të fortifikuara të vendit tonë, Buletini Arkeologjik 4, 1974, f. 181-182; P. Xhufi., Arbërit e Jonit (Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII), Onufri, 2016, f. 104-119.

Itinerari: Për të vizituar kalanë e Gjon Boçarit duhet të shkoni drejt fshatit Tragjas i ri dhe të ndiqni një rrugë automobilistike të pashtruar, deri në afërsi të kodrës ku ndodhet kalaja. Drejt kalasë mund të shkohet vetëm me anë të një shtegu këmbësorësh.

Kalaja e Gjon Bocarit

DRKK Vlore

Kalaja e Gjon Boçarit, Tragjas, Vlorë/ Historiku dhe detaje mbi të Read More »

Parku i Orikut, thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike atraksion për brezin e ri

Qyteti antik i Orikut, i ndodhur pranë qytetit të sotëm të Orikumit, në Vlorë, i themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., vijon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve për shkak të vlerës historike dhe thesareve arkeologjike që fsheh.

Nxënësit e shkollës së mesme “Hasan Pulo”, Orikum, vizituan ditën e sotme parkun arkeologjik të Orikut, ku u njohën nga afër me zbulimet më të fundit arkeologjike nga projekti shqiptaro-zviceran. Prezantimi i të dhënave më të reja arkeologjike u krye nga vetë arkeologët e këtij projekti të cilët janë në përfundim të kësaj fushate gërmimi.

Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të aktiviteteve për “Ditët Europiane të Trashëgimisë” dhe “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore./atsh

Parku i Orikut, thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike atraksion për brezin e ri Read More »

Viktor Zhusti vlerësohet me çmim në Festivalin e Filmit në Irak

Festivali i Filmit në Irak ka vlerësuar aktorin shqiptar Viktor Zhusti me çmimin ‘Best Actor’ (Aktori më i mirë), në edicionin e katërt të këtij festivali që u mbajt më 7 tetor 2019.

“Slemani International Film Festivl” u mbajt në qytetin Slemani në Kurdistan Irak dhe morën pjesë 154 filma nga 78 vende të botës.

Shqipëria garoi me filmin “Delegacioni” ku arriti të marrë çmimin prestigjoz nga aktori Zhusti.

Në këtë film Viktor Zhusti interpreton personazhin kryesor, që është një intelektual i burgosur, që nuk pranon lojën e pushtetit por preferon sakrificës në vend që të kthehet në vegël të tyre. /atsh

Viktor Zhusti vlerësohet me çmim në Festivalin e Filmit në Irak Read More »

Manastiri i “Shën Kollit”/ Restaurohet kisha më e madhe bizantine në vend

Manastiri i “Shën Kollit” në Mesopotam përbën një monument me historik dhe arkitekturë të veçantë, mbivendosje kulturash, arkitekturash dhe historish.

Kisha, më e madhja ndër kishat bizantine të ruajtura në Shqipëri në shek. XI-XIV dhe ndër monumentet arkitekturore me të vjetra, është restauruar duke nxjerrë në pah vlera të jashtëzakonshme historike.

“Falë një ndërhyrjeje restauruese kanë dalë në dritë të gjithë elementët arkitektonikë, detajet e imëta, që ia shtojnë edhe më tepër misterin. Është bërë një punë e jashtëzakonshme për përforcimin e strukturës, riparimin e çatisë, ndërsa ka ende punë për t’u bërë për sistemimin e oborrit dhe zbulimin afreskeve, që koha dhe regjimet i kanë fshehur”, – thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Kisha e Shën Kollit ka ekzistuar në fillim si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha. Kjo Kishë mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku./atsh

Manastiri i “Shën Kollit”/ Restaurohet kisha më e madhe bizantine në vend Read More »

Nis festivali ‘Metrofest 3’, vijnë për herë të parë 4 komedi të viteve 1920-’30

Nisi mbrëmjen e djeshme në teatrin Metropol edicioni i tretë i Festivalit Metrofest i cili do sjell për publikun katër komedi shqiptare. Janë vepra të shkruara gjatë viteve ’20-’30, që shohin dritën e skenës për herë të parë gjatë muajit tetor tek Teatri Metropol.

Edicioni i tretë i festivalit u çel dje me komedinë satrike “Kolltuku” me regji nga Sonila Kapidani e do të shfaqet edhe sot dhe nesër në teatrin Metropol. Në këtë komedi interpretuan aktorët Mirela Naska, Griseld Kapllanaj, Ismail Shino, Bledar Naska, Hygerta Bushpreni dhe Amarildo Bala.

Vepra bën fjalë për një ish-drejtor teatri, dy aktorë të dashuruar dhe një sufler përfundojnë në një ishull të pabanuar në mes të detit pasi u përmbytet anija.

Në këtë takim të gjallë e plot ngjyrime satire ansambli artistik dhe publiku u bashkuan në një mbrëmje të gëzueshme reflektimi ndaj problemeve të ndryshme që kemi kaluar, ngjarjet që vijnë si një pasqyrë ironike e trazirës dhe copëzimit politik që Shqipëria përjetonte në atë kohë.

Edicioni i tretë i Metrofest do shoqëroj publikun gjatë këtij muaji dhe me komedi të tjera si “Sot tetë ditë”, me regji nga Elona Hyseni e cila bën fjalë për një djalë dhe një vajzë të dashuruar, të cilët janë në mes të një dileme. A duhet të fitojë dashuria e tyre për njëri-tjetrin apo mblesëria e përcaktuar nga familjet e tyre? Po sikur dashuria dhe mblesëria ta kishin syrin në të njëjtin vend?

“Karagjozi” është një tjetër komedi e shkruar nga Skënder Guri, me regji nga Rexhina Mollaymeri, e cila ka premierë javën e tretë të muajit tetor. Tinger Beu feston ditëlindjen e vajzës dhe vendos të sjellë në fshat kafshë ekzotike nga xhunglat e largëta. Beu ngarkon karagjozin e fshatit që t’ja zbutë kafshët nëpër kafaze përpara se të habisë dynjanë me shfaqjen e tyre. Por karagjozi dembel dhe qejfli i ther kafshët për t’i ngrënë.

“NjëMi në xhep” është komedia e radhës e autorit Hivzi Sulejmani me regji nga Aldi Hysotoci. Komedia me tre akte bën fjalë për Skercon, një nëpunës shtetëror, që ka aspirata për t’u bërë ministër. Në fund të fundit, pse të mos bëhet? Edhe gruaja e tij është dakord që ai e meriton. Ditët e Skercos janë të ngarkuara me hallet e këtij populli që nuk kënaqet kurrë dhe s’ta di as për faleminderit. Ndërkohë që ëndrrat për përfitime të reja vazhdojnë, portieri i sjell Skercos vendim nga lart.

Përpos komedive pjesë e “Metrofest 3” është edhe organizimi mbrëmjes poetike kushtuar krijimtarisë së Lasgush Poradecit me titull “Ndrit vash’ e kulluar, në flakë e pushtuar” dhe koncerti “Imazhi Jazz i Gjon Milit”.

Shfaqjet do të prezantohen nga data 3 deri në datë 27 tetor në Teatrin e Metropolit./atsh

Nis festivali ‘Metrofest 3’, vijnë për herë të parë 4 komedi të viteve 1920-’30 Read More »

Dita Kombëtare e Trashëgimisë/ Hyrje e lirë në muze, parqe arkeologjikë e monumente

Muzeu Historik Kombëtar vazhdon të mbetet një atraksion historik dhe kulturor për vizitorët vendas dhe të huaj edhe për muajin shtator.

Ky muaj, edhe pas tërmetit të 21 Shtatorit, vazhdon të sjellë një numër të madh vizitorësh në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Shtatori është muaji kur të gjithë kujtojmë Ditët Evropiane të Trashëgimisë dhe 29 Shtatorin, “Ditën Kombëtare të Trashëgiminë”, kur të gjitha vlerat e prekshme dhe të paprekshme bëhen një së bashku me ata që i krijuan dhe i ruajtën ato për t’ia kaluar brezave si dëshmi të identitetit tonë kulturor dhe evropian.

Edhe këtë mëngjes shumë njerëz kanë vizituar Muzeun për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë (nga prehistoria deri në fund të epokës komuniste), të shpjeguara përmes objekteve dhe artefakteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.

Sot, në Muzetë Kombëtarë, Parqet Arkeologjike dhe Monumentet e Kulturës është hyrje e lirë. /atsh

Dita Kombëtare e Trashëgimisë/ Hyrje e lirë në muze, parqe arkeologjikë e monumente Read More »