Art-Kulture

Ansambli Popullor mbylli turin në Odesa të Ukrainës

Turi i koncerteve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore jashtë vendit u mbyll në qytetin Odesa të Ukrainës. Artistët e ansamblit përcollën një program të pasur për pjesëmarrësit në këtë koncert.

Më herët artistët e Ansamblit Popullor zhvilluan koncerte dhe në qytetet italiane, por edhe në Ukrainë gjithashtu u përcollën perlat e krijimtarisë sonë popullore.

Qyteti i Odesës ku është vendosur edhe një komunitet shqiptarësh e mirëpriti koncertin, që erdhi si përmbyllje e trajnimeve që Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës kryen më herët. Për publikun u soll një koncert me një program, që përmbante këngën dhe vallen e gjithë krahinave.

Bashkëpunimi i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore me Agjencinë Kombëtare të Diasporës synoi njohjen e elementëve kulturor, antropologjik, historik dhe folklorik te më të rinjtë e komunitetit shqiptar në Ukrainë.

Por sipas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, 2019 është viti që Ansambli Popullor dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës jetëzuan idenë e tyre për të qenë me vallet, këngët, muzikën dhe kostumet e traditës te diaspora. /atsh

Ansambli Popullor mbylli turin në Odesa të Ukrainës Read More »

“Nusja dhe shtetrrethimi” mirëpritet në VIENNALE të Austrisë

Në Vjenë, në kuadër të ciklit “O Partigiano” që po transmetohet gjatë festivalit të filmit VIENNALE, u shfaq filmi shqiptar “Nusja dhe shtetrrethimi”.

Një interes tejet i madh i publikut vjenez u vu re akoma pa filluar filmi. Regjisorë, aktorë, njerëz të artit, kulturës e letrave vjeneze mbushën sallën ku të pranishmit u përshëndetën nga vetë krijuesit e filmit, skenaristja Helena Kadare, regjisori Kristaq Mitro si dhe nga Drejtoresha e Arkivit të filmit shqiptar, Iris Elezi.

“Nusja dhe shtetrrethimi” prodhim i vitit 1978, ishte përzgjedhur për të qenë pjesë e programit të filmave europianë, që trajtojnë Luftën e Dytë Botërore.

Me muzikë të muzika Kujtim Laros, në role janë Rajmonda Bulku, Llazi Serbo, Thimi Filipi, Sotiraq Bratko, Kastriot Çaushi, Gjergj Lala, Marta Burda, për të vijuar dhe me aktoret Behije Çela, Pavlina Mani, Zyliha Miloti, Vitore Nino, etj./atsh

“Nusja dhe shtetrrethimi” mirëpritet në VIENNALE të Austrisë Read More »

Ambasada e SHBA-së, financim për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri

“Shqipëria ka një trashëgimi kulturore të pasur dhe programi i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore ofron financim për të ndihmuar në ruajtjen e saj”, shprehet ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Ambasada e SHBA sqaron se pranon projektpropozime për këtë program deri më 30 nëntor 2019.

“Byroja e Arsimore dhe Kulturore (ECA) ofron një sërë programesh, duke përfshirë programe të përqendruara nga të rinjtë për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme dhe për të krijuar lidhje të qëndrueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. ECA ofron programe për nxënës të shkollave të mesme, universitare dhe të diplomuar, si dhe mundësi të zhvillimit profesional”, sqaron ambasada e SHBA-së./atsh

Ambasada e SHBA-së, financim për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri Read More »

Takim me historianin dhe arkeologun Jani Koçillari

Aktivitetet e organizuara nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës në kuadrin e Tetorit të Librit u mbyllën dje në Muzeun Arkeologjik me një takim, prezantim dhe diskutim rreth librave të historianit dhe arkeologut nga Durrësi Jani Koçillari. Takimi nxiti një diskutim me mjaft interes, që lidhte përfundimet e studimeve me nevojën për një rishikim të interpretimit të pasurisë sonë arkeologjike, veçanërisht asaj të periudhës ilire.

Koçillari prezantoi librat e tij “Epiri dhe Aleksandër Molosi”, si dhe “Qeramikat me figura të kuqe”. Duke marrë shkas nga këto dy studime, u prekën shumë çështje kritike të arkeologjisë, trashëgimisë kulturore, interpretimit të saj dhe turizmit kulturor me aktorë të ndryshëm të qytetit. /atsh

Takim me historianin dhe arkeologun Jani Koçillari Read More »

Ministria e Kulturës organizon festival kushtuar letërsisë së re shqipe

Shkrimtarët e rinj bëhen bashkë në një festival, ku letërsia e re shqipe do të jetë në fokus të “New Literature Festival” i cili nisi për herë të parë hapi siparin nga dita e sotme e deri më 30 tetor në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar.

Personazhe të jetës letrare pas viteve ’90-të, dhe emra të njohur të letërsisë shqipe do të jenë bashkë në një komunikim që kërkon të nxjerrë në pah prirjet e sotme të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Ditën e martë u zhvillua edhe takimi i parë me pjesëmarrjen e një numri të madh nxënësish nga gjimnazet e Tiranës, si “Sami Frashëri”, “Ismail Qemali” etj.

Festivali nisi sot me një panel diskutimi me botues, studiues të letërsisë, autorë të rinj mbi sfidat e letërsisë bashkëkohore shqipe. Botuesja Arlinda Dudaj, studiuesit dhe shkrimtarët Agim Baçi, Ardian Vehbiu, Blendi Fevziu, Visar Zhiti, Loer Kume, Brahan Sukaj, Enkelejd Lamaj, Tobias Xhaxhiu etj., diskutuan rreth letërsisë bashkëkohore, çfarë përfshihet në të, çfarë ndikimi ka, sa lexohet sot, letërsinë si kujtesë, e të tjera tema që shqetësojnë krijuesit e rinj. /atsh

Ministria e Kulturës organizon festival kushtuar letërsisë së re shqipe Read More »

Muzeu Historik Kombëtar/ Numri i vizitorëve është rritur me 20,33%

Muzeu Historik Kombëtar ka bërë publike shifrat e vizitorëve për periudhën 1 maj – 15 tetor, periudhë kjo që përkon me sezonin turistik. Vizitorët vendas e të huaj nuk ngurruan të vizitonin pavijonet, ku ruhen thesare të trashëgimisë sonë kulturore.

Sipas asaj që njoftoi Muzeu, numri i vizitorëve në total për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 20,33 %. Ndërkohë që numri i vizitorëve të huaj për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 36,75 %.

Sakaq, sipas këtyre të dhënave, raportohet se totali i të ardhurave për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 17,91 %.

Muzeu Historik Kombëtar vijon të mbetet atraksioni kulturor dhe historik për vizitorët vendas dhe të huaj të cilët janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. /atsh

Muzeu Historik Kombëtar/ Numri i vizitorëve është rritur me 20,33% Read More »

Tetori i Librit, një prurje e re në letërsinë për fëmijë

Në muajin e librit, një botim i ri i shtohet letërsisë shqipe për fëmijë dhe bibliotekave të fëmijëve. Është “Supa Magjike e Dragoit” një përrallë dygjuhëshe në vargje.

Në shqip dhe në anglisht vjen historia e tre dragojve të vegjël të cilët mësojnë si të hanë shëndetshëm kur takojnë një dragua, kuzhinier me famë, i cili gatuan një supë me perime dhe me një përbërës magjik.

Përralla në vargje është shkruar në anglisht nga Stela Gega – Mçonaghy për t’u sjellë më pas në shqip nga Matilda Vangjeli. Me situata me humor dhe imagjinatë, përralla është ilustruar bukur nga Ledia Kostandini dhe është redaktuar nga shkrimtarja e njohur për fëmijë, Adelina Mamaqi.

Në një botim cilësor kjo prurje e re e letërsisë shqipe për fëmijë vjen për lexuesit e vegjël si një argëtim ndërsa për prindërit e tyre si një ndihmë për t’i mësuar fëmijët që të duan perimet.

Ashtu si ka ndodhur edhe Stela Gega-Mçonaghy e cila është frymëzuar për këtë përrallë teksa mundohej ta mësonte djalin e saj trevjeçar që të hante perimet. Libri rekomandohet për fëmijë mbi 4 vjeç. //atsh

Tetori i Librit, një prurje e re në letërsinë për fëmijë Read More »

Mirush Kabashi: “Fishta mbetet përjetësisht njeri i madh, edhe sikur shtatorja e tij të ishte pa piedestal fare, por rrafsh me barin2

I ftuar në përvjetorin e 148 të lindjes së At Gjergj Fishtës ka qënë edhe artisti Mirush Kabashi i cili, pasi ka recituar dy prej poezive madhore të Fishtës, ka kërkuar lejen e të pranishmëve për një koment të shkurtër.

Kabashi thotë se u ndje keq kur hyri në bibliotekën e Lezhës dhe vuri re se sipër fotografisë së madhe të Fishtës ishte e shkruar fraza: At Gjergj Fishta Nderi i Kombit.

“Të më falni për mungesën e modestisë” ka shtuar Kabashi “por titulli Nderi i Kombit më është akorduar edhe mua, dhe unë s’e përfytyroj të jem në lartësitë e Fishtës. Ose krijoni një titull tjetër shumë herë më të lartë për 3 apo 4 personalitetet e larta të historisë së Shqipërisë, ose na e ulni titullin neve dhjetëra të tjerëve që kemi dhënë kontribute në fusha të caktuara”.

Mirush Kabashi ka dhuruar emocion dhe mori duartrokitje të shumta kur u shpreh “se Fishta mbetet përjetësisht njeri i madh, edhe sikur shtatorja e tij të ishte pa piedestal fare, por rrafsh me barin, sepse madhështia e këtij njeriu nuk qëndron aspak te lartësia e shtatores por tek ajo sandalla që mbante veshur, duke treguar me gisht detajin e hollë të skulptorit të shtatores së Fishtës në Lezhë, një detaj i cili nuk i ka shpëtuar artistit të madh, që rrëfen për thjeshtësinë dhe shpirtmadhësinë në jetesën e përditshme të françeskanëve.”

Mirush Kabashi: “Fishta mbetet përjetësisht njeri i madh, edhe sikur shtatorja e tij të ishte pa piedestal fare, por rrafsh me barin2 Read More »