Art-Kulture

Dita e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare, grupi “Bilbili” koncert në Zagreb

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko shprehet se përmes aktiviteteve kulturore, promovohet identiteti ynë kombëtar në Zagreb.

“Në qytetin e Zagrebit në Kroaci, këtë fundjavë komuniteti shqiptar festoi Ditën e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare, përmes aktiviteteve kulturore ku u promovua identiteti ynë kombëtar”, tha ai.

I ftuar në aktivitet ishte edhe grupi folklorik “Bilbili”, i cili interpretoi disa nga këngët më të njohura të Labërisë e Bregut të Detit.

Mes të ftuarve të nderit ishte dhe kryetari i bashkisë së Zagrebit, Milan Bandić, Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda, Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, Kryetari i Shoqërisë se Pakicës Kombëtare të qytetit të Zagrebit, Gëzim Rexhepi.

Me këtë rast, përshëndeti edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Riza Poda.

Drejtori i grupit folklorik “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, u shpreh se “folku i bashkon popujt, por në këtë rast ai ndezi dhe bashkoi zemrat e shqiptarisë dhe këtë mision e kreu me sukses ansambli “Bilbili””.

“Duartrokitjet që nuk reshtnin, shoqëruan të gjithë numrat artistikë, këngët polifonike të grupit dhe ato te kënduara nga këngëtarja Ludmilla Baballëku”, – tha Gjokoli.

Grupi folklorik “Bilbili” juridikisht është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare./atsh

Dita e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare, grupi “Bilbili” koncert në Zagreb Read More »

Studentët nga Vlora sjellin “La patente” të Luigi Pirandello në teatrin “Zihni Sako”

Komedia “La patente” e nobelistit Luigi Pirandello, e vënë në skenë nga studentët e grupit amatorial teatral të Vlorës u ngjit në fundjavë në skenën e teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër.

Publiku i pranishëm priti ngrohtësisht shfaqjen teatrale të interpretuar në gjuhën italiane nga trupa amatoriale e studentëve vlonjatë.

Me regji të Neritan Mehmetajt, me skenografi të Drini Shehut, kostumografi Realda Malo dhe muzikë të Aulon Naçit, në komedi interpretuan aktorët e rinj Martina Aliaj Mario Mu]aj, Thoma Ngresi, Loris Sinanaj, Elisa Meçaj, Kristina Zykaj.

Shfaqja u përshëndet edhe nga Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.

“Një shfaqje ndryshe në teatrin “Zihni Sako”. Me ndihmën e aktorëve profesionistë, të rinjtë interpretuan sikur të kishin vite në skenë. Inkurajoj dhe mbështes aktorët tanë të përfshijnë në veprimtarinë artistikë në Gjirokastër edhe studentë të Universitetit “Eqrem Çabej””, tha Golemi.

Protagonistët e “La patente” janë gjykatësja D’Andrea dhe Rosario Chiarchiaro, punonjës në një dyqan pengjesh, i cili për shkak të namit të tij si ters-sjellës, humbi vendin e punës.

Ky njeri, i përbuzur dhe i izoluar nga shoqëria, denoncon dy të rinj të cilët në momentin kur u ka kaluar afër bëjnë gjestin tipik kundër tersit, atë të brirëve, për të larguar tersin.
Gjykatësja D’Andrea duhet të gjykojë një rast mjaft paradoksal: si njeri i ligjit dhe racionale, nuk beson në ekzistencën e tersit dhe në të njëjtin kohë duhet të qëndrojë mbi faktet pa marrë parasysh se Chiarchiaro, për shkak të gojëve të liga të fshatit, jo vetëm humbi vendin e punës, por edhe nuk mund të martojë vajzat dhe se ky nam sjell dëme dhe përbuzje për të gjithë familjen./atsh

Studentët nga Vlora sjellin “La patente” të Luigi Pirandello në teatrin “Zihni Sako” Read More »

Peizazhet e Shqipërisë në telajot e piktorëve në gjurmët e udhëtimit të Edward Lear

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është çelur për publikun ekspozita me titull “Në udhëtim me Edward Lear në Shqipëri”.

Ekspozita “Në udhëtim me Edward Lear në Shqipëri” sjell punime të piktorëve shqiptarë të peizazhit që udhëtuan në gjurmët e Edward Lear nëpër Shqipëri, të cilët hodhën në telajo peizazhet e ditëve tona. Pikturat e tij paraqesin pamje nga vendi ynë, si edhe veshje tradicionale të popullsisë vendase në mesin e shekullit XIX.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite ishte Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili u shpreh, “kjo është një ide gjeniale në krijimin e këtij itinerari turistik për vendet ku ka udhëtuar Edward Lear, kjo ekspozitë na ndihmon në evidentimin e peizazheve të vendit tonë, për të dhënë idenë sesi ka qenë dhe sesi është transformuar realiteti shqiptar në ditët e sotme dhe sesa bukur kanë ardhur”.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se, “të nderuar miq e dashamirës është kënaqësi për ne ku do kemi mundësinë të shohim e vizitojmë bukuritë e fshehura të vendit tonë, përmes peizazheve të cilat na kanë dhënë një qasje akoma dhe më të qartë”.

Piktori Kujtim Buzi tha se, “kjo ekspozitë do të mbahet mend për vlerat e saj kulturore dhe historike, Edward Lear pushtoj vendin tonë me penën e tij duke pushtuar zemrat dhe mëndjet e intelektualëve dhe artistëve shqiptarë”.

Ky aktivitet është një organizim i Institutit të Librit dhe të Promocionit, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe të Muzeut Historik Kombëtar. /atsh

Peizazhet e Shqipërisë në telajot e piktorëve në gjurmët e udhëtimit të Edward Lear Read More »

Amerikanët interes për kulturën dhe traditën shqiptare

“Dyert e Hapura të Ambasadës” këtë herë u mundësua për një grup qytetarësh të Uashingtonit, të cilët donin të dinin më shumë rreth Shqipërisë

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Floreta Faber i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë event që pasqyron më së miri interesin e tyre për vendin tonë. Më tej, Ambasadorja i bëri një ekspoze të pranishmëve rreth historisë, traditave dhe kulturës shqiptare si edhe i njohu ata me mundësitë që ofron vendi ynë në fusha të ndryshme.

Duke ju përgjigjur interesit të tyre për mundësitë e turizimit në Shqipëri, Ambasadorja i ftoi ata të vizitonin Shqipërinë dhe të shijonin më nga afër bukuritë natyrore që ofron vendi ynë.

Aktiviteti u shoqërua me gatime, pije dhe muzikë shqiptare, të cilës nuk mund t’i mungonte debutimi i të pranishmëve në kërcimet tona tradicionale.

Promovimi i Shqipërisë mbetet një nga prioritetet e Ambasadës së Shqipërisë në Uashington DC. /atsh

Amerikanët interes për kulturën dhe traditën shqiptare Read More »

Promovohet filmi dokumentar “Saga e Dinejve”

Sot, në Muzeun Historik Kombëtar u promovua filmi dokumentar “Saga e Dinejve”. Ky film dokumentar ka për skenaristë Lia Ramën dhe Enver Kushin. Regjia i përket Mjeshtrit të Madh, Kujtim Gjonaj dhe drejtor fotografie, Spartak Papadhimitri.

Dokumentari flet për familjen e Dinejve, një familje e rëndësishme dhe e madhe çame. Dinastia e Dinejve zë fill me Abedin Pashë Dino, i cili ka qenë nëpunës e politikan i Perandorisë Osmane, ideolog i çështjes kombëtare shqiptare dhe rilindas. Vazhdon më tej me Rasih bej Dino, i cili ishte politikan, diplomat dhe një figurë e lëvizjes kombëtare shqiptare, në fillim të shekullit të 20-të.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, e hapi aktivitetin duke thënë se takime të tilla nuk kanë nevojë për protokoll. “Janë takime zemrash dhe miqsh. Kam nderin të prezantoj një dokumentar shumë të rëndësishme për kombëtarinë tonë të perbashkët. Kjo familje e madhe e Çamërisë ka dhënë një kontribut në historinë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve. Ky film na bën të mundur të depërtojmë sa më thellë në familjen e madhe të Dinejve”, theksoi ai.

Më pas skenaristi Enver Kushi theksoi se me regjizorin Gjonaj ka patur një bashkëpunim shumë të frytshëm prej shumë vitesh. “Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar për këtë dokumentar, pasi dhe unë jam një djalë i Çamërisë”, vazhdoi më tej skenaristi Enver Kushi.

“Kujtimi i ka bërë një lapidar të pavdekshëm Çamërisë sonë. Do ta mbyllja me një varg kuptimplotë të Abedin-it, disa ditë para vdekjes, i cili thotë: “Fëmijët e vitit 3000 do qeshin e tallen me ne”. Ne çamët, kemi një përgjegjësi të madhe për brezat që do të vijnë dhe duhet të investojmë shumë për historinë e vendit tonë”, tha ai. /atsh

Promovohet filmi dokumentar “Saga e Dinejve” Read More »

Vlorë/ “Udhërrëfyesi i Vogël: Unë jam Guida”, nxënësit e shkollave përgatiten për guida turistike

Nisma më e re e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, “Udhërrëfyesi i Vogël: Unë jam Guida” vijon me nxënësit e klasave të pesta të shkollës “Muço Delo”.

Qëllimi i këtij aktiviteti është të formojmë miniguida me nxënësit e shkollave fillore, për t’u njohur më nga afër me historinë dhe monumentet kulturore të qytetit të tyre, si dhe me punën e udhërrëfyesit turistik.

Pasi të mbarojë faza e trajnimit teorik, nxënësit së bashku me specialistët e DRRK-Vlorë dhe muzeve të qytetit do të shëtisin pikat kryesore të qytetit të Vlorës në mënyrë që pasi të jenë mirëpërgatitur, të jenë vetë ata guida e shokëve të tyre./atsh

Vlorë/ “Udhërrëfyesi i Vogël: Unë jam Guida”, nxënësit e shkollave përgatiten për guida turistike Read More »

Shtatë fotografë të rinj prezantojnë punimet e tyre në Muzeun Kombëtar “Marubi”

Prej vitesh jetojnë dhe punojnë larg Shqipërisë, por u bashkuan dhe ekspozitën e tyre vendosen ta çelin në Shkodër.

Shtatë fotografë të rinj, me ndihmën e kuratorit të njohur francez Francois Cheval, prezantuan fotot e tyre me të veçanta, në mjediset e muzeut kombëtar “Marubi”.

Mesazhet që përcjellin 7 fotografët janë të ndryshme pasi edhe tematikat janë jo të njëjta por ata i bashkon ideja që rikthimi në vendlindje nuk është kurrë vonë dhe kontributi për Shqipërinë duhet të vazhdojë.

Ekspozita “Shtatë fotografë shqiptarë. Një rezidencë” do të qëndrojë e hapur në fototekën “Marubi” deri në muajin janar. /atsh

Shtatë fotografë të rinj prezantojnë punimet e tyre në Muzeun Kombëtar “Marubi” Read More »

Gruaja shqiptare në luftën partizane, aktivitet i veçantë në Berat

Në kuadër të 75-vjetorit të Kongresit të I të Gruas Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe në nder të kontributit të çmuar të tyre, bashkia e Beratit zhvilloi një aktivitet të veçantë në Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani”.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e zhvilluar tha se “nuk ka zhvillim dhe fuqizim social, kulturor, ekonomik e as politik, nëse nuk ka forcë gruaje, vajze, nëne që zhdërvjell një sistem tërësor principesh, kontributesh e vlerash transformuese për shoqërinë. Ndaj duhet të kuptojmë çdo kontribut të tyrin, si formësim i një memorieje përkatësie atdhetare, identitare për zhvillim të mëtejshëm”.

Demo theksoi se këto gra dhanë kontribut të çmuar për vendin e tyre, për familjet, për një gjeneratë të tërë që do të pasonte. “Jo më kot thonë: “Grua e fortë, shtëpi e fortë”, -përfundoi Demo. /atsh

Gruaja shqiptare në luftën partizane, aktivitet i veçantë në Berat Read More »