Art-Kulture

Restaurohet pas 100 vitesh flamuri i Kongresit të Lushnjës, Stamati: Më i rëndësishmi që ka Shqipëria

Mjeshtri i restaurimit Frederik Stamati ka përfunduar restaurimin e flamurit të valëvitur në kongresin e Lushnjës, të mbajtur më 21-31 janar të vitit 1920, duke e kthyer atë në gjendje shumë të mirë.

Stamati, i cili ka publikuar dy fotografi, një sesi ka qenë gjendja tij përpara dhe pas restaurimit, thekson se, “e gëzofshim flamurin e Kongresit të Lushnjës. Shqipëria nuk e ka flamurin e 28 nëntorit 1912. Por nëse Kongresi i Lushnjës konsiderohet si pavarësia e dytë e Shqipërisë, atëherë ne kemi flamurin e pavarësisë së dytë të Shqipërisë”.

Sipas tij, ky është flamuri më i rëndësishëm që ka Shqipëria.

“Kujdesi ndaj ruajtjes së këtij flamuri do të jetë i vazhdueshëm, ndërsa të tjera masa me bazë shkencore do të ndërmerren në vazhdimësi”, – tha Stamati.

Më herët në një prononcim për ATSH-në, Stamati është shprehur se “flamurin e ka pasur atdhetari Veli Vasjari, i cili e ka çuar në ndërtesën ku bëheshin punimet e Kongresit të Lushnjës. Pas përfundimit të punimeve e mori përsëri në vitin 1928 ai e dhuroi në Muzeun Kombëtar. Më pas Muzeu Kombëtar e ruajti në fondet e veta, ndërsa me ndryshimet ai kaloi nga një institucion në tjetrin dhe ky flamur mbeti në fondin etnografik”.

Pas një pune të lodhshme, pasi edhe dëmtimi ka qenë i rëndë flamuri është restauruar.

“Flamuri historik i kongresit të Lushnjës u zbulua në vitin 2011 nga Ariola Prifti, e cila në atë kohë ka qenë përgjegjësja e fondit etnografik, ku ruhej flamuri”, – tha Stamati për ATSH-në.

Më 25 nëntor 2011 u identifikua në Fondin Etnografik të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, flamuri i Kongresit të Lushnjës. Ky kongres cilësohet nga njohësit e afirmuar të historisë së asaj periudhe kohore si ngjarja më madhe pas Pavarësisë dhe në mënyrë figurative, si çlirimi i dytë i vendit tonë.

Kongresi i Lushnjës ku u valëvit ky flamur i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta./atsh

Restaurohet pas 100 vitesh flamuri i Kongresit të Lushnjës, Stamati: Më i rëndësishmi që ka Shqipëria Read More »

100 vjet parlamentarizëm në Shqipëri/ Kuvendi shënon përvjetorin e Kongresit të Lushnjës me aktivitete të shumta

Sot shënohen 100 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920.

Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar.

Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar sot një sërë aktivitetesh në Lushnjë dhe Tiranë.

Kështu kalendari i aktiviteteve për 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar parashikon mbajtjen e ceremonisë në Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë në orën 9:30, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ndërkohë në Tiranë në orën 11:30-12:00 do të bëhet çelja e Ekspozitës dhe shfaqja e Dokumentarit “100 vjet parlamentarizëm shqiptar” ne Pallatin e Kongreseve, holli para sallës së Albanologjisë.

Ndërsa në 21 janar, ora 12:00-13:30 do të mbahet Konferenca shkencore “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”, në Pallatin e Kongreseve, salla e Albanologjisë.

Aktivitetet vijojnë edhe në datën 22 janar, ora 10:00-20:00 me Ditët e Hapura te salla e seancave.

Ndërsa në datë 23 janar, ora 11:00 do të jetë faza finale e konkursit të shkollave të mesme të Tiranës dhe Lushnjës për interpretimin e fjalimeve të përzgjedhura parlamentare.

Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina./atsh

100 vjet parlamentarizëm në Shqipëri/ Kuvendi shënon përvjetorin e Kongresit të Lushnjës me aktivitete të shumta Read More »

Meta vlerëson aktorin Petrit Malaj me titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti Ilir Meta vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin e njohur Petrit Malaj, i cili ka interpretuar në mbi 20 filma artistikë, në shumë pjesë teatrale dhe përherë ka transmetuar plot talent te publiku jetën e personazheve të tij.

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në institucionin e kreut të shtetit, ku merrnin pjesë aktorë, regjisorë, profesorë e pedagogë të Universitetit të Arteve dhe personalitete të artit, Presidenti Meta i dorëzoi aktorit Malaj titullin me motivacionin: “Për talentin e spikatur dhe profesionalizmin në realizimin e shumë roleve artistike si në ekranin e kinemasë, ashtu dhe në skenën e teatrit; për kontributin e dhënë në organizimin dhe drejtimin e strukturave akademike të artit skenik”.

Duke i dorëzuar aktorit Malaj vlerësimin e lartë, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë e veçantë të nderimit të një personaliteti të artit skenik e filmit shqiptar dhe një pedagog me 35 vite eksperiencë pedagogjike në Universitetin e Arteve.

“Kontributi i tij është real dhe i prekshëm, si në krijimtarinë e tij aktoriale ashtu edhe në fushën pedagogjike. Me krijimtarinë e tij, Malaj është një personalitet i njohur për publikun shqiptar, ku me personazhet e interpretuara prej tij ka fituar simpatinë e të gjithëve. Ai ka interpretuar në mbi 20 filma artistik, në shumë pjesë teatrale dhe përherë ka transmetuar plot talent te publiku jetën e personazheve të tij. Petrit Malaj i përket një brezi të artë të artistëve shqiptarë. Nuk mund të lë pa veçuar rolet e tij në filmat si: “Besa e Kuqe”, “Nëntori i Dytë”, “Militanti”, “Balada e Kurbinit”, “Kolonel Bunker” e në veçanti në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, që është aq i dashur për publikun shqiptar edhe sot. Së fundmi ai është rikthyer me shumë sukses në teatër në shfaqjen “Vizita e Inspektorit” me regji të regjisorit Altin Basha”, – theksoi Meta.

Kreu i shtetit tha se “Malaj ka luajtur krah figurave më të mëdha të filmit shqiptar. Figura ikonike të ekranit dhe teatrit, të cilët janë krenaria e artit shqiptar si: Sandër Prosi, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Ndrek Luca, Timo Flloko, Kastriot Çaushi, e shumë artistë të tjerë dhe regjizorë të talentuar”.

“Interpretimi pranë këtyre figurave të skenës dhe filmit shqiptar, fillimisht si student i disave prej tyre, e më pas si profesionist, bëri që, me eksperiencën e tij të krijonte një profil të spikatur si aktor”, – nënvizoi Presidenti i Republikës.

Sipas tij, e larmishme sigurisht është edhe karriera e tij pranë institucionit të vetëm publik të arsimit të lartë artistik në Shqipëri, si udhëheqës artistik i teatrit të Akademisë së Arteve, Dekan i Fakultetit të Artit Skenik dhe Rektor i Universitetit të Arteve.

“Me krijimtarinë e tij, punën pedagogjike dhe drejtuese në Universitetin e Arteve, Petrit Malaj është pjesë e kontributit shumëvjeçar të brezave të shumtë të aktorëve, pedagogëve e studentëve për artin shqiptar. Shkolla e artit shqiptar ka patur dhe ka personalitete të spikatura e të shquara, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer për ta çuar atë në nivele të larta. Petrit Malaj është njëri prej tyre”-, tha Meta.

Presidenti Meta u shpreh se “nisur nga ajo çfarë Petrit Malaj na ka afruar me figurat e interpretuara në skenë dhe ekran, si dhe me punën e tij pedagogjike, ai ka krijuar një portret tejet të veçantë dhe interesant, i cili përherë ka ardhur tek ne duke promovuar energji pozitive e duke na dhënë sidomos në ekran, figura plot emocion”.

Meta i uroi aktorit Malaj suksese të mëtejshme në karrierën e tij artistike, i bindur se ai dhe brezi i artistëve të cilit i përket, janë shembull për të rinjtë shqiptarë që aspirojnë ekranin dhe skenat shqiptare e ndërkombëtare./atsh

Meta vlerëson aktorin Petrit Malaj me titullin “Mjeshtër i Madh” Read More »

Promovimi i kulturës dhe gjuhës shqipe në shkollën “Alba Life”, në New York

Në shkollën “Alba Life” në New York vazhdon mësimi i gjuhës shqipe, promovimi i muzikës, historisë dhe kulturës shqiptarë.

Ministri i Shtetit për Diasporën bën të ditur se “Kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe Këshilltar në Këshillin Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj, viziton nxënësit e shkollës shqipe “Alba Life” në New York, SHBA”.

“Ditë e mrekullueshme me studentet, stafin dhe familjet e shkollës Alba Life! Një program i mrekullueshëm në rrethin tonë që promovon dhe mëson fëmijëve gjuhën, muzikën, historinë dhe kulturën shqiptare, për të mbështetur dhe ndërtuar një identitet të shëndetshëm kulturor, pjesë e kaq shumë të tjerëve në lagjet dhe komunitetet tona të ndryshme”,- tha Gjonaj./atsh

Promovimi i kulturës dhe gjuhës shqipe në shkollën “Alba Life”, në New York Read More »

Përkujtohet 552-vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu

Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot 552-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu (1405-17 janar 1468).

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, strateg dhe burrë shteti i madh, udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkimin politiko- shtetëror të popullit shqiptar. Ai personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare.

Figura e heroit tonë kombëtar lidhet më luftën më se njëshekullore kundër pushtimit osman.

Lufta e shqiptarëve me në krye prijësin e tyre shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar. Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës, Skënderbeu mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar.

Si drejtues i Kuvendit theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të Shqiptarëve. Ai ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar. Mobilizimi masiv i forcave shqiptare që filloi në Dibër, erdhi duke u zgjeruar në të gjithë vendin, e cila u kthye brenda pak kohëve në një kryengritje të përgjithshme. Brenda muajve të parë u çliruan disa principata dhe pjesa me madhe e trojeve shqiptare. Forcat shqiptare me në krye Skënderbeun fituan një sërë betejash kundër ushtrive osmane, si në fushat e Pollogut, të Dibrës, së Ohrit e të Domosdovës, grykat e luginat e Shkumbinit, fushat e Ujit të Bardhë, të Livadit pranë Ohrit, të Vajkalit etj.

Pas vitesh lufte e rezistencë ndaj pushtimit osman, duke udhëhequr luftën e shqiptarëve për liri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Lezhë. Figura e tij dhe lufta që udhëhoqi, u bënë një burim frymëzimi gjatë luftërave për lirinë e pavarësinë e Atdheut dhe sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare./atsh

Përkujtohet 552-vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu Read More »

”Oda Shqiptare” mbledh më 14 janar bashkëkombasit nga e gjithë bota në emër të solidaritetit

“Në datë 14 janar, rikthehet eventi “Oda Shqiptare” për të ndarë së bashku vlerësimin për solidaritetin ndaj tërmetit dhe promovimin e Shqipërisë turistike”, tha sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Po ashtu Klosi shtoi se “Oda Shqiptare”, na mbledh në ditë të mira dhe në ditë të vështira, sepse: Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe Zotit!”.

“2019 na rikujtoi se në ditë të mira dhe në ditë të vështira ne duhet të jemi gjithmonë bashkë. Ku turizmi tregoi se është një industri e vërtetë dhe fuqi ekonomike, por 2019 provoi se bashkë jemi më të fortë edhe mes katastrofës më të rëndë natyrore. Se shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit. Kjo është “Oda Shqiptare”. Më 14 janar eventi më i madh mbarëshqiptarë mbledh bashkëkombasit nga e gjithë bota në emër të solidaritetit dhe në celebrim të turizmit. Oda shqiptare, manifestimi i besimit tek njëri tjetri”, thuhet në videon promovuese. /atsh

”Oda Shqiptare” mbledh më 14 janar bashkëkombasit nga e gjithë bota në emër të solidaritetit Read More »

Muzeu Historik Kombëtar/ Në vitin 2019 numri i vizitorëve u rrit me 19.26 %

Muzeu Historik Kombëtar ka bërë publike shifrat e vizitorëve në 1 vit, për periudhën janar – dhjetor 2019 ku shihet se interesi i vizitorëve vendas dhe të huaj ka qenë i lartë.

Sipas asaj që njoftoi Muzeu, numri i vizitorëve në total për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 19.26 %. Pra gjatë viti 2019 ky Muze e ka mirëpritur 72 613 vizitorë.

Ndërkohë që numri i vizitorëve të huaj për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 34.56 %. Pra në 2019 janë 44,606 vizitorë të huaj që kanë parë dhe janë njohur nga afër me objektet që ky muze ka.

Sipas këtyre të dhënave, raportohet se totali i të ardhurave për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 19.46 %. Pra përgjatë vitit 2019 totali i të ardhurave nga shitja e biletave është 10,421,260 lekë.

Muzeu Historik Kombëtar vijon të mbetet atraksioni kulturor dhe historik për vizitorët vendas dhe të huaj të cilët janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. /atsh

Muzeu Historik Kombëtar/ Në vitin 2019 numri i vizitorëve u rrit me 19.26 % Read More »

Miratohet projekti i restaurimit, “Ura e Navredës” Malësi e Madhe

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e restaurimit: “Ura e Navredës”, Malësi e Madhe.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sqaron se projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë dhe estetikë të urës.

Po ashtu, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështet këdo që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Ura mbi përroin e Navredës, Vukpalaj, Malësi e Madhe është monument kulture i kategorisë së I. /atsh

Miratohet projekti i restaurimit, “Ura e Navredës” Malësi e Madhe Read More »