Kulinari

Trilece nje embelsire e parezistueshme

Një ëmbëlsirë klasike e lehtë, shumë e dashur për shqiptarët, gosti fisnike për miqtë, fantastike për festat është Trileçe.

Është një ëmbëlsirë plot finesë, e thjeshtë në përgatitje dhe me pak përbërës por shija e saj është unike. Aq sa vështirë se mund t’i rezistosh.

Shoqërohet në një mënyrë fantastike me çajra të ndryshëm të ndryshëm por mbi të gjitha ëmbëlsira perfekte për të mbyllur me shijen më të mirë drekat apo darkat familjare.

Trileçe është ëmbëlsira perfekte për të ëmbëlsuar shpirtin dhe organizmin në çdo orë të ditës.

Me shijen e saj të kombinuar mes qumështit e krem karamelit kjo ëmbëlsirë është mahnitëse dhe shumë e dëshiruar nga të gjithë.

Ja një recetë fantastike të përgatitjes së trileçes në shtëpi, një mënyrë e lehtë për të ëmbëlsuar familjen apo të dashurit tuaj.

Si të përgatisim Trileçen në shtëpi 

Përbërësit

1 l qumësht

500 ml krem qumështi (krem pana)

10 kokrra vezë

10 lugë gjellë sheqer

10 lugë miell

350 qumësht i kondesuar (qumësht panda)

300 ml karamel (gjeni në supermarkete)

Përgatitja e pandispanjës

Në një enë hedhim vetëm të bardhat e vezëve dhe të verdhat i lëmë në një enë tjetër mënjanë.

Hedhim sheqerin në enën ku kemi të bardhat e vezëve dhe i rrahim derisa masa të bëhet e njëtrajtshme dhe e trashë.

Më pas, rrahim të verdhat e vezëve dhe i shtojmë tek masa e përgatitur me të bardhat e vezëve dhe sheqerin.

I përzjejmë derisa të njëtrajtësohen.

Më pas, shtojmë gradualisht miellin dhe njëkohësisht e trazojmë masën pa ndërprerje me qëllim që volumi i masës të jetë i njëjtë.

Ngrohim furrën në temperaturën 250 gradë.

Përmes një furçe kuzhine lyejmë me pak vaj tavën dhe hedhim në të masën e përgatitur dhe e lëmë të piqet në këtë temperaturë për 5 minuta, më pas gradën e nxehjes e ulim në nivelin 150.

E lëmë të piqet edhe për 10 minuta të tjera.

Përgatitja e Qumështit

Hedhim qumështin e kondesuar në një enë bashkë me qumështin e lëngshëm.

I përzjejmë derisa qumështi i kondesuar të tretet plotësisht.

Më pas shtojmë kremin e qumështit (pana). I përzjejmë mirë që të jenë një masë.

Heqim kekun ose pandispanjën nga furra. Pasi të jetë ftohur i presim në formë katrorë dhe hedhim përsipër masën e qumështit.

E lëmë derisa pandispanja të përthithë qumështin plotësisht.

Në fund, u hedhim sipër karamelin e lëngshëm.

Trilece nje embelsire e parezistueshme Read More »

Vlerat e mrekullueshme te cajit te frutave te pyllit

Frutat e pyllit janë unike në shije dhe vlera, por bashkimi i tyre, si gjithmonë sjell fuqinë maksimale për organizmin.

Nëse konsumoni boronica, luleshtrydhe, trëndafil të egër, manaferra dhe boronica të kuqe, vlerat shëndetësore të tyre do të shumëfishohen në të mirën e shëndetit tuaj.

Përfshirja e frutave të pyllit në ushqimet tuaja është një metodë mjaft e mirë dhe e zgjuar për të parandaluar sëmundjet dhe përmirësuar shëndetin.

Shkencëtarët kanë shumë të drejtë kur i klasifikojnë këto fruta si super ushqime, sepse ato janë të pasura me ushqyes, antioksidantë, fibër, vitaminë C dhe folat.

Më poshtë do të lexoni mbi vlerat e tyre dhe rekomandimet për përgatitjen e çajit të plotfuqishëm të frutave të pyllit.

Çfarë thonë studimet për konsumin e frutave të pyllit

Frutat e pyllit janë të pasura me flavonoidë, një ndër antioksidantët më të fuqishëm që ekzistojnë.

Ato gjenden me shumicë në frutat e pyllit dhe janë përgjegjëse për pigmentin e zjarrtë të së kuqes, vjollcës ose blusë që karakterizon këto fruta.

Studimet kanë zbuluar lidhje të forta mes flavonoidëve që gjenden tek boronicat me uljen e ndjeshme të rrezikut që i kanoset organizmit nga radikalet e lira.

Flavonoidët e ndihmojnë organizmin të jetë më i mbrojtur ndaj sëmundjeve. Ato neutralizojnë radikalet e lira të cilat dëmtojnë qelizat e shëndetshme.

Prodhimi i këtyre substancave të rrezikshme shtohet kur ne ekspozohemi ndaj ndotjes, rrezatimeve, tymit të duhanit dhe pesticideve.

Fitoushqyesit që gjenden tek kokrrat e pyllit përmirësojnë komunikimin mes qelizave të trurit, një proçes që me kalimin e kohës bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Të gjitha frutat dhe perimet janë të pasura me fibër, por frutat e pyllit janë të veçanta.

Pektina, lloji kryesor i fibrës që përmbajnë këto fruta është e tretshme. Ajo ngadalëson tretjen duke ju ndihmuar të qëndroni të ngopur për shumë kohë.

Një gjë e tillë mund të ndihmojë edhe në përpjekjet tuaja për të rënë në peshë. Pektina rregullon nivelet e sheqerit në gjak, ndaj frutat e pyllit nuk duhet të mungojnë në tryezën e njerëzve që vuajnë nga diabeti.

Frutat e pyllit janë një burim i mirë i vitaminës C, edhe ajo një antioksidant i fuqishëm dhe i dobishëm për rritjen dhe zhvillimin e organizmit dhe shërimin e plagëve.

Frutat e pyllit janë të pasura me folat, ose siç njihet ndryshe vitamina B9 që gjendet natyralisht tek frutat, veçanërisht tek luleshtrydhet.

Nivelet e larta të homocisteinës, aminoacidit që dëmton enët e gjakut, rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Folati është një nga armiqtë kryesorë të saj.

Studimet kanë treguar se antioksidantët kanë një ndikim të fortë në tensionin e lartë të gjakut. Ato zgjerojnë enët e gjakut dhe përmirësojnë qarkullimin e tij duke ulur në të njëjtën kohë tensionin.

Frutat e pyllit përmbajnë fruktozë, një sheqer natyral që mbetabolizohet pa nevojën e insulinës. Frutat e pyllit janë ideale për rënien në peshë, sepse ato përmbajnë pak kalori dhe aspak yndyrna.

PËRBËRËSIT

• 1 filxhan me trëndafil të egër
• 1 filxhan me boronica të thata
• 1 filxhan me manaferra të thata

UDHËZIMET

Vendosni frutat e pyllit të thata në një çajnik. Hidhni ujë dhe vendoseni çajnikun në zjarr.

Çajin mund ta bëni të fortë duke hedhur më pak ujë, ose më të lehtë duke hedhur më shumë ujë.

Sapo uji të nisë të ziejë, hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet për pak minuta. Më pas kullojeni nga frutat e thata dhe hidheni në filxhan.

Disa njerëz preferojnë të shtojnë pak sheqer, por edhe mjalti është një zgjidhje ideale.

Vlerat e mrekullueshme te cajit te frutave te pyllit Read More »

Caji qe ndjell lumturine perper shpiertin dhe mendjen

Është koha perfekte për ta shijuar. Një çaj fantastik me aromë ndjellëse për shijen, humorin e mirë e mbi të gjitha energjinë pozitive që çliron në të gjithë trupin, mendjen dhe shpirtin.

Me përbërës që gjenden lehtë në kuzhinë, me erëza fantastike dhe një kombinim perfekt i disa prej produkteve të mrekullueshme të natyrës.

Një filxhan çaj magjepsës që qetëson të gjithë muskujt, shtendos nervat dhe sjell qetësinë në mendje e shpirt.

Është pikërisht magjik nga kombinimi perfekt i erëzave më të mira në shije dhe aromë, si xhenxhefili, kanella dhe karafili, të përzjera me shijen unike të kakaos e qumështit dhe ëmbëlsuar me mjaltë.

Ideal për t’u përgatitur gjatë mbrëmjeve për një gjumë të qetë dhe relaksues gjatë natës.  Por sigurisht, ky çaj mund të përgatitet dhe konsumohet në çdo kohë të ditës, madje edhe për mëngjes.

Shoqërohet në mënyrë fantastike me biskota të ndryshme por edhe ëmbëlsira të lehta gjithashtu.

 

Çaji i Lumturisë Krejt Lehtë në Shtëpi 

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për dy filxhanë çaji)

1 gotë e gjysmë qumësht

Gjysmë gote ujë

3 lugë të vogla kakao

Një degë çaj mali

4 feta të holla xhenxhefil

5 karafila

Pak kanellë

2-3 lugë të vogla sheqer ose mjaltë

Përgatitja e Çajit  

Në një tenxhere të vogël ngrohni qumështin dhe ujin në nxehtësi të ulët derisa të ngrohet.

Bëni kujdes që të mos e ngrohni në nxehtësi të lartë.

Sapo të ngrohet shtoni pluhurin e kakaos derisa të tretet tërësisht.

Më pas shtoni, çajin e malit, xhenxhefilin, karafilat, kanellën dhe lërini të marrin një valë për maksimumi 10 minuta.

Largojeni nga zjarri dhe shtoni dy lugë sheqeri ose mjaltë sipas preferencës.

Nëse preferoni edhe më shumë aromë ndjellëse mund të shtoni edhe pak vanilje.

Çajin e përgatitur hidheni në filxhan dhe pijeni ngadalë sa është i ngrohtë.

Caji qe ndjell lumturine perper shpiertin dhe mendjen Read More »

Pija e shendetit te mire:Uje me mjalte cdo mengjes

Mjalti ky eliksir i jetëgjatësisë, është përdorur prej shekujsh në të mirë të shëndetit të njeriut.

Ai është i pasur me antiokisdantë, enzima dhe sheqerna natyralë.

Mjalti rekomandohet kundër inflamacionit dhe arrin të parandalojë disa çrregullime të ndryshme shëndetsore.

Falë këtij profili të pasur, mjalti është një nga përbërësit kyç të kurave popullore dhe produkteve kozmetike natyrale.

Ndikimi i mjaltit në organizëm është më i thellë kur kombinohet me ujin.

Kjo kurë e thjeshtë ndiqet me përpikmëri nga miliona njerëz në botë.

Në këtë artikull do të mësoni për përfitimet që do të merrni duke pirë ujë me mjaltë çdo ditë.

 

Tretje më e mirë

Enzimat tek mjalti përmirësojnë funksionet e mëlçisë dhe ofrojnë një tretje më të mirë të ushqimit.

Ngrënia e mjaltit e mbron florën bakteriale dhe lehtëson përthithjen e ushqyesve gjatë vakteve.

Sikur të mos mjaftonte kjo, uji me mjaltë ka një efekt laksativ që rregullon lëvizjen e zorrëve dhe parandalon konstipacionin.

Humbje në peshë

Mijëra njerëz pijnë ujë me mjaltë çdo mëngjes sepse i ndihmon të humbasin në peshë.

Mjalti përmban sheqerna natyralë që ofrojnë një energji të shëndetshme që pakëson nepsin dhe rrit djegien e kalorive.

Imunitet më të fortë

Sistemi imunitar ka një përfitim të menjëhershëm nga uji i ngrohtë me mjaltë.

Kjo kurë përmban enzima, vitamina dhe minerale që e forcojnë imunitetin dhe e mbrojnë atë nga patogjenët e dëmshëm.

Vetitë antibakteriale të mjaltit shkatërrojnë mikroorganizmat që mund t’u rezistojnë edhe antibiotikëve më të fortë.

Më pak alergji

Mjalti pakëson ndjeshmërinë ndaj polenit dhe nxitësve mjedisorë të alergjive.

Ai lehtëson largimin e sekrecioneve dhe pastron rrugët e frymëmarrjes.

Më shumë energji

Sheqernat tek mjalti janë një burim i shëndetshëm kalorish që përmirësojnë performancën tuaj fizike dhe mendore.

Nëse pini ujë me mjaltë në vend të kafesë së mëngjesit do të ndiheni energjikë dhe plot gjallëri.

Për më tepër, trupi do të jetë më i hidratuar dhe do të optimizojë të gjitha funksionet e tij.

Kundër kollës

Uji i ngrohtë me mjaltë është një tonik natyral që lubrifikon rrugët e thata të frymëmarrjes dhe ndihmon në nxjerrjen e sekrecioneve.

Kjo kurë përmirëson shëndetin e mushkërive dhe parandalon kollën e shpeshtë që irriton fytin.

Një organizëm i pastër

Nëse shtoni pak lëng limoni në ujin e ngrohtë me mjaltë do të përfitoni një pije me efekt detoksifikues dhe përmirësues të tretjes.

Pija largon toksinat e akumuluara në gjak, mëlçi dhe zorrën e trashë.

Limoni përmban acid citric që maksimizon funksionin e enzimave të mjaltit, përmirëson tretjen dhe pastron organizmin.

Kolesteroli nën kontroll

Ata që e shfrytëzojnë këtë pije një herë në ditë do të vërejnë një ulje prej 10 përqind të kolesterolit brenda 2 orëve të para.

Në një periudhë afatgjatë kjo nënkupton më pak gjasa për sëmundje kardiovaskulare.

Kombinimi i ujit të ngrohtë me mjaltin është një kurë mjaft efikase për pastrimin e traktit urinar dhe pakësimin e infeksioneve urinare.

Përgatitja e ujit me mjaltë

Uji me mjaltë përmirëson mirëqenien tuaj për sa kohë e konsumoni rregullisht.

Përbërësit:

1 lugë çaji me mjaltë

1 filxhan me ujë të ngrohtë

Përgatitja

Treteni mjaltin në ujë të ngrohtë dhe pijeni me stomak bosh.

Përsëriteni këtë proces të paktën tre herë në javë për të korrur përfitimet e ofruara.

Pija e shendetit te mire:Uje me mjalte cdo mengjes Read More »

Cfare mund te beni me nje patate?

Patatja është e shijshme për t’u ngrënë, por edhe shumë e volitshme në përdorime të tjera, siç mund të jetë pastrimi i njollave apo shkëlqimi i këpucëve.

Pastrimi i pajisjeve me argjend

Pataten mund ta përdorni për pastrimin e lugëve, pirunjve dhe thikave të kuzhinës.

Zieni disa patate në ujë dhe pasi ta hiqni nga zjarri, hiqini patatet nga tenxherja.

Në të njëjtin ujë vendosni pajisjet e argjendit dhe mbajini për një orë.

Më pas thajini me një napë të pastër.

Heqja e ndryshkut

Aciditeti i patates ndihmon në largimin e ndryshkut. Fërkojini enët që kanë zënë ndryshk me një gjysëm patate.

Nëse ndryshku është ‘kokëfortë’ atëherë lyejeni pataten me pak kripë ose solucion larës dhe vazhdoni fërkimin.

Patatja për sytë e fryrë

Nëse në mëngjes zbuloni se pjesa e poshtme e syve është fryrë atëherë merrni dy feta patate dhe mbajini mbi sy për 10-15 minuta.

Patatja për dhimbjet muskulare

Ngroheni një patate në mikrovalë, mbështilleni me një peshqir dhe vendoseni mbi zonën muskulare ku ndieni dhimbje.

Pataten mund ta përdorni edhe si kompresë të ftohtë.

Në rastet kur keni dhimbje koke mund të përdorni patatet për të fërkuar zonën e dhimbjes.

Pataten mund të përdorni edhe kundër nxirjeve në trup, të djegurave apo të çarave në lëkurë.

Patatja kundër kripës së tepërt

Nëse e keni tepruar me kripën në gatimin tuaj, atëherë shtoni një ose dy patate në gjellë dhe mbajini për 10-15 minuta.

Kripa do të jetë në nivelin e duhur.

Patatja kundër njollave

Patatja është e shkëlqyer kundër njollave në shtëpi, sidomos ato të panxharit dhe frutave të pyllit.

Merrni një gjysëm patate, spërkateni me kripë dhe me të fërkonin zonën e njollosur.

Shkëlqimi i këpucëve

Fërkojini këpucët e lëkurës me një patate përpara se t’i lyeni me bojë.

Shkëlqimi do të jetë krejt i ndryshëm nga lustrimet e mëparshme.

Patatja si ushqim i shëndetshëm

Pataten mund ta përdorni si më lart, por edhe duhet ta hani në variantin e pjekur, zier apo kavërdisur.

Patatja është një burim i mirë i vitaminës C, B6, manganit, fosforit, niacinës dhe acidit pantotenik.

Patatja përmban shumë fibër dhe ju mban të ngopur për shumë gjatë.

Cfare mund te beni me nje patate? Read More »

Laker me mish te thate ne tave balte:Receta e tradites

Lakra është një nga perimet më të përdorura në kuzhinën shqiptare.

Atë e përdorim në sallata të ndryshme kryesisht me simotrën e saj të kuqe, karrota e majdanoz.

Lakrën e përgatisim edhe në turshi për tu dhënë shije mbrëmjeve dimërore.

Lëngu i turshisë së saj shuan etjen për vlera të rëndësishme.

Kjo perime e rëndësishme në traditën e kulinarisë shqiptare përdoret edhe në gatimin e një gjelle, nga ato që të bëjnë të lëpish gishtat.

Gjella me lakër, e gjen veten në tryezat tona të paktën një herë në javë.

Ajo gatuhet thjeshtë dhe ka shumë shije, por duke u kombinuar me mishin e thatë, shija arrin në nivele superiore.

Receta e Gjellës Me Lakër dhe Mish Të Thatë

Përbërësit

Gjysëm lakre të grirë hollë

2 qepë

1 spec të kuq

1 filxhan kafeje oriz (sipas preferencës)

500 gr mish të thatë

5-6 thelpinj hudhre

Katër lugë me vaj ulliri

1 gjethe dafinë

1 lugë gjelle salcë domate (sipas preferencës)

Një pjatë me lakër turshi të prerë hollë (sipas preferencës)

Përgatitja

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe hidhni vajin e ullirit.

Kujdesuni që vaji të mos digjet dhe hidhni copët e grira hollë të specit të kuq.

Speci duhet kavërdisur i pari sepse është më i fortë dhe kërkon më shumë kohë.

Pasi të jetë zbutur, shtoni copat e grira hollë të qepëve dhe kavërdisini së bashku.

Më pas shtoni lakrën por jo të gjithën menjëherë, sepse në të kundërt tenxherja do të mbushet plot dhe do të kërkojë shumë kohë lakra të zbutet.

Pasi lakra të jetë kavërdisur për 5-7 minuta hidhni ujin, kripën e piperin dhe mbulojeni me kapak.

Lëreni të ziejë me zjarr mesatar dhe përziejeni herë pas here duke garantuar që nuk ngjitet në fund të tenxheres.

Nëse uji përthithet shpejt dhe lakra nuk është zier, shtoni më shumë ujë.

Kontrolloni përmbajtjen e kripës dhe rregullojeni atë sipas preferencës.

Kur lakra të jetë pothuajse e gatuar, shtoni orizin, hudhrat, dafinën dhe mishin e thatë.

Orizi është opsional. Disa amvisa e preferojnë gjellën me oriz për shkak të aftësive lidhëse që ai ka në një gjellë.

Pasi lakra të jetë zbutur, kontrolloni përmbajtjen e piperit.

Gjella e lakrës kërkon patjetër një shije pakëz pikante.

Në disa receta të veriut të Shqipërisë, gjella në fjalë gatuhet në gjysëm racioni me lakër të freskët dhe gjysëm me lakër turshi.

Lakra turshi i jep gjellës një nuancë pakëz të hidhur por të thellë dhe shumë të shijshme.

Gjella me lakër nuk duhet të jetë shumë e lëngshme.

Servireni të ngrohtë duke e shoqëruar me kos dhe perime të pjekura.

Laker me mish te thate ne tave balte:Receta e tradites Read More »

Kurat natyrale kunder marramendjes

Marramendja, ndjesia e humbjes së kontrollit dhe orientimit ka efekt ngurtësues për lëvizshmërinë e njeriut.

Marramendja mund të trajtohet nëpërmjet medikamenteve të ndryshme, por në disa raste, trajtimet natyrale funksionojnë më mirë dhe nuk shoqërohen me efekte anësore.

Marramendja ose momenti kur ‘të vjen mendja vërdallë’ shkaktohet kur truri percepton që trupi nuk është në ekuilibër.

Në këto raste, njeriu duhet të ulet menjëherë që të shmangë rrezime ose lëndime të rrezikshme.

Marramendja është shpesh tregues i një problemi të fshehur mjekësor ose disa prej tyre.

Ndonjëherë, marramendja ndodh rrallë ose vetëm një herë, por ka raste kur kjo simptomë përsëritet deri në diagnostikimin e një sëmundjeje.

Simptomat e marramendjes mund të zgjasin disa minuta apo disa herë.

Çfarë përfshijnë simptomat 

Të përzierat

Të vjellat

Lëvizje jo normale të syve

Dhimbje koke

Djersitje

Zhurmë në vesh

Humbje të dëgjimit

Probleme me orientimin

Dobësi të gjymtyrëve.

Çfarë e Shkakton Marramendjen

Marramendja mund të shkaktohet edhe nga problemet me veshin e mesit.

Disa prej shkaktarëve të tjerë të marramendjes janë:

Virozat që shkaktojnë inflamacion të veshit

Lëndimet në qafë ose në kokë

Ishemia

Inflamacion të nervave të trurit

Trajtimet e Marramendjes

Në shumicën e kohës, marramendja shërohet pa patur nevojë për trajtim, sepse truri është i aftë të kompensojë në ndryshimet që shkaktohen tek veshi i mesit për të rikthyer ekuilibrat.

Steroidet mund të zbusin inflamacionin e veshit të mesit

Kurat Natyrale Kundër Marramendjes

Një nga mënyrat më të mira natyrale për të trajtuar marramendjen është metoda e Eplit.

Kjo metodë përmban disa hapa që duhen kryer çdo natë deri sa simptomat të largohen.

Nëse marramendja e ka zanafillën në anën e majtë dhe në veshin e majtë atëherë duhet të ndiqni me përpikmëri hapat e mëposhtme:

Uluni në cep të krevatit dhe kthejeni kokën 45 gradë majtas.

Shtrihuni shpejt në krevat dhe mbajeni kokën lart në një kënd prej 45 gradë.

Qëndroni në këtë pozicion për 30 minuta.

Më pas kthejeni kokën 90 gradë në të djathtë por mos e ngrini.

Qëndroni ashtu për 30 sekonda.

Më pas kthejeni plotësisht kokën dhe trupin djathtas me shikimin poshtë për 30 sekonda.

Ngrihuni ngadalë por qëndroni ulur për disa minuta.

Nëse marramendja e ka zanafillën në anën e djathtë të kokës, atëherë këto hapa duhen ndjekur nga ana e kundërt.

Çaji me xhenxhefil

Studimet shkencore kanë treguar se xhenxhefili mund të përmirësojë efektet e marramendjes shumë më mirë se çdo metodë tjetër.

Ziejeni xhenxhefilin për 5 minuta. Shtoni mjaltë dhe pijeni dy herë në ditë kundër marramendjes.

Bajamet

Bajamet janë një burim i pasur i vitaminës A, B, dhe E. Nëse hani një grusht me bajame çdo ditë do të prekeni më pak nga marramendja.

Hidratimi

Dehidratimi është një nga shkaktar i fortë i marramendjes.

Trupi ka nevojë 8-12 gota me lëngje në ditë. Uji është alternativa më e mirë sepse nuk përmban kalori dhe kafeinë.

Uthulla me mjaltë 

Të dyja kanë ndikim kurues për qarkullimin e gjakut në tru.

Kombinoni dy racione me mjaltë me një racion me uthull dhe konsumojeni për të parandaluar simptomat.

Vajrat esencialë

Vajrat esencialë të nenexhikut, xhenxhefilit, lavandës dhe limonit janë të rekomandueshëm për menaxhimin e simptomave të marramendjes.

Ato mund t’i nuhasni ose t’i aplikoni në lëkurë.

Kur Duhet Të Konsultoheni Me Mjekun

Nëse marramendja përsëritet rregullisht, atëherë duhet të konsultoheni me një mjek.

Për shumë njerëz, marramendja është e padëmshme, por shkaktarët e saj duhen identifikuar patjetër.

Kurat natyrale kunder marramendjes Read More »

Per mengjes te shendeteshme:Kosi,gjiza dhe hirra

Një studim i kohëve të fundit ka arritur në konkluzionin se produktet e bylmetit siç janë djathi, kosi, qumështi e në veçanti hirra, janë të mira për një trup në formë.

Këto produkte përmbajnë një proteinë shumë të rëndësishme për mbajtjen e trupit në formë.

Kjo proteinë është e dobishme edhe për mbajtjen e sheqerit në gjak në nivele të qëndrueshme dhe për menaxhimin e diabetit.

Sipas ekspertëve, të nisësh ditën me proteinën e hirrës, është shumë e mirë për shëndetin se sa të hani një mëngjes të pasur me karbohidrate.

Këtë proteinë mund ta blini edhe në formë pluhuri.

Strategjia më e mirë për të pasur një trup në formë është që të hani një mëngjes me shumë proteina dhe kalori, një drekë mesatare dhe një darkë të vogël.

Por një mëngjes i mirë varet nga cilësia e proteinës dhe burimi i saj.

Proteina e hirrës në formë pluhuri arrin të të ngopë më shpejt dhe më gjatë se ushqimet e tjera me proteinë siç janë veza, soja apo peshku ton që rrisin nivelet e sheqerit në gjak.

Të dhënat e studimit 23 mujor, treguan se njerëzit që hanë proteinën e produkteve të bylmetit në mëngjes ndihen më të ngopur gjatë ditës.

Për më tepër ata nuk preken nga sulmet e shpeshta të urisë.

Kjo proteinë që gjendet me shumicë tek hirra, nënshtron dhe mposht hormonin e urisë.

Kosi, Gjiza dhe Hirra Për Mëngjes 

Produktet e bylmetit dhe sidomos kosi janë shumë të rekomandueshme për tu konsumuar në mëngjes.

Kosi është i pasur me kalçium, probiotikë  dhe shumë proteina.

Gjiza është një tjetër produkt bylmeti i pasur me vlera që duhet konsumuar në mëngjes.

Ajo përmban shumë proteina që përshpejtojnë metabolizmin dhe zbusin hormonin e urisë.

Hirra nga ana tjetër është gjithashtu e rekomandueshme për një ushqyerje të shëndetshme me proteina.

Hirra përman 16 lloje proteinash, tetë minerale, vitamina krysisht ato të grupit B dhe aminoacide.

Ajo është e pasur edhe me enzima dhe shumë elemente të tjera të shëndetshme.

Kjo përmbajtje e ka bërë hirrën të krahasueshme me qumështin e gjirit.

Hirra ndihmon edhe në periudhën e prekjes së femrave nga problemet e kockave dhe osteoporoza pasi furnizon kockat me ushqim.

Përgatitja në shtëpi

Zieni një litër qumësht, e kur të jetë në vlim e sipër hidhini një pikë limon që të pritet.

Lëreni të ftohet dhe ndani veç lëngun e tejdukshëm që ngjitet sipër, pra hirrën.

Hidheni në një shishe qelqi e konsumojeni fillimisht nga një gotë në ditë.

Pjesa që mbetet si salcë vlen po aq sa lëngu.

Një lugë e saj po të tretet në ujë dhe të konsumohet jep të njëjtin efekt pozitiv në organizëm.

Per mengjes te shendeteshme:Kosi,gjiza dhe hirra Read More »