Kulinari

Zupa shtëpie me qumësht dhe biskota , ëmbëlsira me shije të lehtë

Zupa shtëpie, një ëmbëlsirë krejt e lehtë, e kombinuar në mënyrë fantastike me biskota për të kënaqur shijen në çdo kohë të ditës.

E shoqëruar me kafe, çaj apo duke e shijuar edhe vetëm, kjo ëmbëlsirë është ndër më tradicionalet, e përgatitur shpesh nga amvisat në shtëpi dhe një nga më të preferuarat në pastiçeritë shqiptare.

Fantastike në servirjen e saj si gosti në mikpritjen e miqve ashtu si edhe në servirjen e saj në fund të drekave e darkave familjare.

Një shije krejt tjetër, kremoze falë qumështit si përbërës kryesor të saj dhe e pasuruar me disa nga përbërësit më të shijshëm të kuzhinës, biskotat e thërrmuara por edhe arrat si gjithashtu.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së zupave.

Kjo është një ëmbëlsirë që përgatitjen krejt lehtë dhe shpejt për të ëmbëlsuar familjen dhe më të dashurit gjithashtu.
Përgatitja e Zupave në Shtëpi
Përbërësit
1.5 litra qumësht

2 të verdha veze

9-10 lugë sheqer

7 lugë niseshte

1 lugë kafeje vanilje

1 pako biskota të thjeshta të thërrmuara

Një grusht arra të thërrmuara

Kanellë
Përgatitja
Si fillim, në fundin e tasave të zupave hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.

Hedhim qumështin në tenxhere dhe e vendosim në zjarr të ngadaltë, shtojmë dy të vërdheat e rrahura të vezëvem sheqerin dhe niseshten.

Gjithë masën e përzjejmë pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të bëhet kremoze.

Kur masa bëhet kremoze shtojmë vaniljen dhe vijojmë të përzjejmë për pak sekonda.

E heqim tenxheren nga zjarri dhe nisim mbushjen e kupave.

I mbushim të gjitha me krem deri në gjysmë e më pas hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.

Më pas hedhim pjesën tjetër të kremit duke mbushur gjysmën e kupave. Në fund shtojmë sërish një shtresë me biskota të thërmuara por edhe arra nëse preferoni.

Zupat, pasi janë ftohur futen në frigorifer dhe konsumohen të ftohta./AgroWeb.org

Zupa shtëpie me qumësht dhe biskota , ëmbëlsira me shije të lehtë Read More »

Supë pule me miell misri dhe kos ,receta e lehtë plot shije dhe shëndet

E lehtë dhe plot shije, kjo pjatë tipike e kuzhinës tradicionale është ideale për gjallërimin e organizmit dhe shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e shijshme të përgatitjes së supës me mish pule, kos e miell misri në shtëpi.

Për 4-5 persona duhen

4 thela mish pule

3 lugë gjelle miell misri

2 lugë gjelle gjalpë ose vaj ulliri

3-4 thelpinj hudhra

4-5 lugë gjelle kos

Kripë

Piper

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni me ujë të rrjedhshëm thelat e pulës dhe më pas vendosini në një tenxhere ku keni hedhur pak vaj ulliri dhe pak gjalpë të freskët.

Kaurdisni për 1-2 minuta nga të dyja anët, shtoni kripë dhe mbulojini mirë me ujë.

Lërini të ziejnë derisa mishi i pulës të jetë zbutur.

Ndërkohë në një tigan shtojmë vajin e ullirit dhe hedhim dhe miellin e misrit. Me një lugë druri e kaurdisim derisa të marrë ngjyrë të artë.

Pasi mishi i pulës të ketë zierë, i largojmë thelat nga tenxherja dhe i lëmë mënjanë.

Tek mielli i misrit shtojmë pak nga lëngu i mishit të pulës dhe e përziejmë vazhdimisht, që të mos krijohen kokrriza.

AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni masën e lëngut të pulës dhe ta përzieni mirë derisa masa të njëtrajtësohet me lëngun.

Mishin e pulës pasi të jetë ftohur pak e presim në copa të vogla dhe e shtojmë tek tigani.

Shtojmë dhe piperin e zi dhe 3-4 thelpinj hudhra të shtypura sipas dëshirës, dhe e lëmë që të vlojë në zjarr mesatar.

Kjo supë duhet të jetë pak më e plotë, dhe nëse shohim që kemi shtuar shumë nga lëngu i mishit të pulës, mund të shtoni fare lehtë një lugë gjelle me pure patatesh.

Pasi të jetë zierë, e heqim tenxheren nga zjarri dhe e ndajmë nëpër pjata të thella, dhe para se ta shërbejmë shtojmë nga një lugë kos. /AgroWeb.org

Supë pule me miell misri dhe kos ,receta e lehtë plot shije dhe shëndet Read More »

Torta më e thjeshtë në kushtet e shtëpisë / Ëmbëlsi e mrekullueshme

Kjo recetë është shumë e thjeshtë në përgatitje, përbërësit e saj janë bazikë, kërkon pak durim dhe kujdes në përgatitje dhe shija e saj do t’ju ëmbëlsojë pa masë, bashkë me më të dashurit tuaj në familje.

Është një recetë ideale, e cila mund të përgatitet në raste ditëlindjesh, festash e gëzimesh familjare por edhe gjatë fundjavave.

AgroWeb.org ju udhëzon më poshtë të gjithë hapat që duhet të ndiqni për të përgatitur tortën e shtëpisë krejt lehtë në kuzhinën tuaj.

Përgatitja e Tortës së Shtëpisë

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për një tortë për 10 persona)

Për Pandispanjën

5 kokrra vezë

1 filxhan çaji miell gruri

5 lugë gjelle të mbushura me sheqer

1 lugë kafeje me gjalpë të freskët

Për Kremin e Pastiçerisë

2 të bardha veze

4 lugë gjelle me miell gruri

1 filxhan çaji e gjysmë me qumësht

½ lugë gjelle me gjalpë të freskët

4 lugë gjelle sheqer

Për Kremin e Gjalpit

100 gr gjalpë pako gjalpë

5 lugë gjelle sheqer

Për Aromatizimin dhe Kombinimin

 1 filxhan kafeje liker

1 filxhan kafeje me arra të thërrmuara

½ filxhan çaji me reçel qershie

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të nisni me përgatitjen e pandispanjës.

Rrihni në një tas të bardhat e vezëve veçmas përreth 20-30 minuta derisa vëllimi i masës të dy apo trefishohet dhe masa të fryhet e të bëhet kompakte.

Më vete rrihni të verdhat e vezëve, shtoni aty gjysmën e sasisë së miellit, përzjeini mirë me telin e kuzhinës.

Këtë masë shtojeni tek masa e vezëve të bardha të rrahura, shtoni edhe pjesën tjetër të miellit dhe përzjeini me telin e kuzhinës.

Duhet patur kujdes që gjatë përzjerjes së vezëve me miellin, vëllimi i vezëve të mos ulet.

Më pas, lyeni një tavë me gjalpë në të gjithë sipërfaqen e saj, shtoni aty masën e brumit të përgatitur dhe futeni të piqet në furrë në 200 gradë për 30-35 minuta.

Pandispanja lihet të ftohet për 4-5 orë.

Më pas pritet në dy apo tri shtresa.

Ndërkohë që pandispanja ftohet përgatisni kremin e pastiçerisë.

Në një tas shtoni të bardhat e vezëve, miellin, gjalpin, sheqerin dhe qumështin.

Përzjeini mirë me telin e kuzhinës dhe vendosini në zjarr duke i përzjerë vazhdimisht derisa masa të marrë valë duke pasur kujdes që të mos ngjitet në tenxhere.

E heqim nga zjarri dhe e aromatizojmë me vanilje, e lëmë të ftohet.

Për kremin e gjalpit, kaloni në mikser sheqerin dhe gjalpin derisa të krijohet një masë kremoze e butë.

Pasi të keni përgatitur pandispanjën, kremin e pastiçerisë dhe kremin e gjalpit nisni përgatitjen e tortën.

Torta

Secilën nga shtresat e pandispanjës përkateni me disa pika liker dhe me pak shurup sheqeri (zjeni në një tenxhere një gotë ujë me gjysmë gote sheqer derisa shurupi të lidhet në formën e sherbetit).

Lyejeni seciluen shtresë me krem pastiçerie dhe vendosini njëra mbi tjetrën. Nëse preferoni mund të shtoni edhe disa arra të thërrmuara në secilën nga shtresat e pandispanjës, copëza çokollate apo përbërës të tjerë sipas preferencës.

Në fund, lyejeni të gjithë tortën anash me kremin e gjalpit dhe sipër me kremin e pastiçerisë.

Vendosni arrat e thërrmuara anash tortës si edhe në sipërfaqe dhe dekorojeni me kokrra reçeli sipër.

Torta është gati për t’u servirur dhe ruhet në frigorifer./AgroWeb.org

Torta më e thjeshtë në kushtet e shtëpisë / Ëmbëlsi e mrekullueshme Read More »

Omletë me Spinaq Për Një Mëngjes Plot Shije e Shëndet

Spinaq dhe Vezë – dy burimet më të fuqishme të hekurit dhe proteinave, bazike për mirëqenien e organizmit në një pjatë të vetme në vaktin më të rëndësishëm të ditës: atë të mëngjesit.

Një mënyrë fantastike për të mbajtur trupin dhe organizmin në formë, për të nisur ditën mbarë me energji dhe shëndetshëm.

Veza është një ndër produktet që mbart vlera të jashtëzakonshme ushqyese renditur në listën e 10 super-ushqimeve dhe nuk ka mëngjes më të këndshëm se vezët, sido të jenë të gatuara.

Vezët janë një burim i shkëlqyer i kompleksit të proteinave cilësore dhe nga ana tjetër ofrojnë pak kalori. Një vezë e plotë përmban 5.5 gramë proteinë dhe 68 kalori.

Spinaqi është një nga barishtet më të kërkuara dhe më të përdorura nga konsumatorët.

Ai njihet për vlerat e tij ushqyese dhe është parë gjithnjë si një bimë me aftësi të jashtëzakonshme për të të kthyer energjinë, që rrit vitalitetin dhe përmirëson cilësinë e gjakut.

E para është se është i pasur me hekur, i cili luan një rol kryesor në funksionimin e qelizave të kuqe të gjakut.

Më poshtë AgroWeb.org sugjeron përgatitjen e një recete të thjeshtë por të pasur në vlera të omletës me spinaq dhe djathë të bardhë.

Omleta me Spinaq

Përbërësit

(Përbërësit e kësaj recete janë për dy persona, sasia përzgjidhet bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuhet)

Dy – tre kokrra vezë

Pak qumësht

Një tas mesatar me spinaq të freskët

Djathë i bardhë i thërmuar

Vaj ulliri

Kripë

Piper

Pak hudhër (Sipas dëshirës)

Përgatitja

Pastrojmë me ujë të bollshëm spinaqin, e këpusim disa herë me dorë dhe e vendosim në një tigan mesatar të zjejë me ujin e tij për disa minuta derisa uji të avullojë.

Nga ana tjetër, vezët i rrahim në një tas bashkë me qumështin, shtojmë spinaqin e zjerë, kripën dhe piperin.

I përzjejmë të gjitha bashkë dhe i hedhim në tigan, ku kemi hedhur më parë pak vaj ulliri.

Pasi piqet njëra anë e omletës, e kthejmë nga ana tjetër.

Pasi është pjekur nga të dyja anët, e heqim dhe e kalojmë në një pjatancë ku sipër i hedhim djathë të bardhë të thërrmuar dhe sipas preferencës pak hudhër të grirë gjithashtu./AgroWeb.org

Omletë me Spinaq Për Një Mëngjes Plot Shije e Shëndet Read More »

Mjaft harxhuat lekë kot, ju tregojmë receten origjinale për sufllaqe shtëpie me shije të përsosur

Me origjinë nga kuzhina greke, sufllaqet sot janë shndërruar në një nga ushqimet më popullore në çdo cep të botës përfshirë padyshim edhe Shqipërinë.

Pite të buta plot shije të kombinuara me shije të ndryshme fantastike.

Pavarësisht shijes së tyre të plotë dhe ngopëse, sufllaqja e përgatitur në fast food-e është një ndër produktet më të kontestuara përsa i përket vlerave ushqimore  dhe dëmeve të saj për shëndetin.

Por e përgatitur në shtëpi, sufllaqja mbetet një ushqim fantastik, i shëndetshëm me shije të mrekullueshme.

Ju sjellim më poshtë recetën origjinale të përgatitjes së sufllaqes krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Sufllaqes së Shtëpisë

Përbërësit 

2 lugë çaji maja buke, 1 lugë çaji me sheqer, 160 ml qumësht, 80 ml ujë i ruajtur në temperaturë ambjenti, 320 gr miell gruri, 1 lugë çaji kripë, 1 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja

Bashkoni në një tas sheqerin, majanë e bukës, ujin dhe qumështin. Përzjeini të gjitha bashkë dhe lërini mënjanë për 5 minuta.

Në një tjetër tas të madh, bashkoni miellin dhe kripën. Përzjeini me një njëra tjetrën. Shtoni përzjerjen e majasë me qumësht dhe përzjeheni me miellin derisa masa të njëtrajtësohet.

Kalojeni brumin në tavolinën e kuzhinës, të cilën më parë e keni spërkatur me pak miell.AgroWeb.org ju udhëzon të punoni brumin për disa minuta derisa masa e tij të bëhet e butë.

Më pas, të gjithë brumin rrumbullakoseni dhe mbulojeni me një pecetë të pastër kuzhine. Lëreni të pushojë përreth 40 minuta derisa masa e tij të dyfishohet.

Më pas, vendosni një tigan në zjarr mesatar.Shtypeni brumi me duar dhe ndajeni në 6 pjesë të barabarta.

Hapeni secilën prej tyre në formën e rrethit me një diametër prej 20 centimetrash.Shtoni pak vaj ulliri duke lyer të gjithë sipërfaqen e tiganit. Sapo të nxehet pak hidhni një nga pitet. Kthejini herë pas here nga të dyja anët derisa pitja të piqet dhe kështu bëni me të gjitha pitet.

Mbushja e Sufllaqes

Për mbushjen e sufllaqes mund të përdorni kombinime të ndryshme sipas preferencës.Klasikja është mish (kryesisht pule), patate të skuqura, salcë kosi e përzjerë me hudhra, mjadanoz e kastraveca, domate, qepë.

Mishin mund ta zjeni dhe ta ndani në fije ose copa të vogla ose ta gatuani më parë në formën e shishqebapit duke e ndarë në copa, kaluar në shkopinj në kuzhine kombinuar me copa të ndryshme perimesh e më pas ta piqni në furrë.

Më pas me shishqebapin mund të mbushni sufllaqen duke e lyer më parë me salcë kosi e duke i shtuar edhe përbërës të tjerë.

Mund ta kombinoni me perime të pjekura dhe djathë të bardhë por edhe me mbushje të tjera sipas preferencës.

Mjaft harxhuat lekë kot, ju tregojmë receten origjinale për sufllaqe shtëpie me shije të përsosur Read More »

Byrek me presh, shije e ngrohtë në tryezat shqiptare

Dredhanik, lakrorë, byrëkë a petanikë pavarësisht emërtesave të tyre sipas zonave e ndryshimeve të vogla në mënyrën e përgatitjes mbeten sërish ndër më të preferuarët dhe ndër gatimet më të mira të kuzhinës shqiptare.

Tradita e amvisave shqiptare në përgatitjen e byrekëve dhe llojeve të ndryshme të tyre është sa e vjetër aq edhe e shijshme.

Nëse do të veçonim byrekun e mbushur me presh, djathë e qumësht, recetë të cilën AgroWeb.org e përcjell më poshtë, padyshim për shumë kënd do të zgjojë nepsin e oreksin për ta gatuar apo për ta patur në tryezën e ngrënies bashkë me familjen.

Mbushja fantastike e kombinuar me presh, djathë të bardhë e qumësht i jep një shije fantastike recetës famoze të nënave e gjysheve shqiptare, atë të dredhanikut.

I lehtë për t’u përgatitur ndonëse kërkon pak durim, e sigurisht shumë dashuri, dredhaniku i shtëpisë është një nga mënyrat më të mira për të kaluar një drekë apo darkë të këndshme me familjen a miqtë.

Përgatitja e Byrekut me Presh

Përbërësit: 1kg presh, 500 gr miell, 1 lugë gjellë miell (për mbushjen e dredhanikut), Një filxhan çaji qumësht, Pak djathë i thërrmuar, Vaj ulliri, kripë

Përgatitja e Mbushjes

Pasi e lajmë preshin mirë me ujë të bollshëm, e grijmë në rrathë të vegjël dhe e hedhim në tenxhere. Shtojmë kripë, dy lugë vaj ulliri, dhe një gotë me ujë. E lëmë zjejë derisa të zbutet e uji të avullojë.

Për ta bërë mbushjen me presh pak kremoze e më të shijshme, në fund, në një tas të vogël hedhim qumështin dhe shtojmë aty një lugë gjellë e pak miell gruri.

E trazojmë bashkë me qumështin derisa të bëhen një masë e trashë dhe e hedhim në tenxheren ku kemi preshin. Përzjejmë masën derisa të bëhet e njëtrajtshme dhe shtojmë edhe djathin e thërrmuar.

Kur Petat i Hollojmë Vet

Si fillim përgatisim brumin. Brumin e zëmë me pak kripë dhe ujë të ngrohtë derisa të formohet. Sekreti i përgatitjes së brumit të mirë qëndron tek përpunimi me duar.

Pasi kemi përfunduar brumin e mbulojmë me një pecetë dhe e lëmë të pushojë përreth 30 minuta.

Më pas, brumin e presim në kuleçë të vegjël. Përdorim pak niseshte për hapjen e tyre. Secilin prej kuleçëve të vegjël e hapim në një formë rrethi 10 cm.

Kuleçët e hapur në formë rrethi i bashkojmë tre e nga tre duke u hedhur disa pika vaji mes tyre.

Secilën nga treshet e bashkuara më pas, e hapim në një petë të madhe. Në secilën prej petave të krijuara hedhim nga dy tre lugë me masën e përgatitur me presh.

Petën e mbledhim në formë roleje dhe e vendosim në formë spirale në tepsinë, të cilën e kemi lyer me pak vaj.

Të njëjtët hapa ndjekim edhe për petat e tjera. Në fund shtrojmë gjithë roletë në tepsi. Më pas lyejmë sipërfaqen e byrekut me pak vaj ulliri dhe e vendosim në furrë me 200 gradë. Pjekja zgjat 30 minuta.

Kur Petat i Kemi të Gatshme

Kur petat i kemi të gatshme procesi është më pak i mundimshëm. Edhe në përgatitjen e roleve me presh në këtë rast ndjekim të njëjtin proces si në rastin e petave të bëra vet.

Për të shmangur tharjen e petave, në një tas të vogël hedhim pak qumësht dhe pak vaj ulliri. Përmes një furçe kuzhine spërkasim të gjitha roletë e mbushura me preshë që kemi vendosur në tepsi.

Këtë proces e kryejmë edhe në fund të pjekjes së dredhanikut, sapo të kemi fikur furrën e sobës.

Byrek me presh, shije e ngrohtë në tryezat shqiptare Read More »

Kush tha që nuk duhet ngrënë lëkura e pulës?!

Lëkura e pjekur e pulës është një ndër pjesët më të shijshme për ata që preferojnë të kripurat. Por, nëse deri dje nuk e keni konsumuar prej kalorive të tepërta, tani është momenti të merrni frymë dhe ta konsumoni lehtësisht.

Është e vërtetë që një gjoks pule pa lëkurë ka pak kalori, por pas hulumtimeve që ka bërë shkolla për shëndetin publik në Harvard, do e kuptoni që nuk ka asgjë të gabuar në konsumimin e lëkurës së pulës,  pasi në të gjenden yndyrna të pangopura.

Këto të fundit janë të dobishme për organizmin tonë dhe mund të ndikojnë në uljen e nivelit të presionit të gjakut dhe uljen e kolesterolit të keq. Në lëkurën e pulës gjendet acidi oleik, i njëjtë me atë  vajit të ullirit. Acidi oleik ka efekte pozitive për sëmundjet kardiovaskulare, inflamatore dhe autoimune.

Studimi thotë se kthimi tek një dietë mesdhetare me yndyrna të mira bën që diabetikët e tipit 2 të reduktojnë përdorimin e insulinës, shkruan Top Channel.

Por lëkura e pulës ndihmon gjithashtu që pula të mos thahet shumë gjatë pjekjes. Lagështia e lëkurës bën që të kurseni kaloritë e tjera nga marinimet me vaj dhe kripë.

Mos harroni se lëkura e pulës nuk është aq e keqe sa keni menduar por është e lartë në kalori prandaj konsumojeni, por jo gjithmonë.

Kush tha që nuk duhet ngrënë lëkura e pulës?! Read More »

E dini si gatuhen bërxollat me birrë? Recetën mahnitëse jua themi tani

Kjo eshte nje recete e shijshme e cila mund te pergatitet lehtesisht gjate fundjavave, per te konsumuar dicka ndryshe nga perditshmeria.

Përbërësit:

5 bërxolla

1-2 birra

kripë

piper i zi

piper i kuq

Përgatitja:

Ndezim furrën dhe e lemë të ngrohet. Lajmë mirë bërxollat dhe i vendosim në një tepsi.

I hedhim kripën, piperin e zi dhe të kuq dhe i shtojmë birrën, derisa të mbulohen bërxollat.

E vendosim tepsinë në furrë dhe e lemë të piqet për 1 orë në 200 gradë Celsius.

Bërxollat me birrë mund të shoqërohen me oriz ose patate. Ju bëftë mirë!

E dini si gatuhen bërxollat me birrë? Recetën mahnitëse jua themi tani Read More »