Kulinari

Kjo recetë e shijshme për papate të skuqura do t’i lumturojë shumë fëmijët tuaj. Ja si ta gatuani

Ndonjëherë, fëmijët nuk duan të hanë ushqimin e ofruar për ta, për këtë arsye, ne prindërit duhet të përpiqemi të jemi më krijues dhe imagjinative të jetë e mundur për të krijuar pjata që, përveç të qënit të shijshme dhe ushqyese, provojnë gjithashtu argëtim për më të vegjlit.

Më poshtë ju mund të gjeni recetën për patate të buzëqeshura të skuqura dhe shumë të shijshme qeshur. Ka gjasa, ti keni parë apo blerë në supermarket, por, në fakt, këto patate mund t’i përgatitni edhe në shtëpi. Receta e patateve të skuqura të buzëqeshura: përbërësit: 400 gr patate; kripë; 3 lugë miell.

Përgatitja: Vlojmë patatet dhe, sapo të jenë gati, shtoni kripën dhe miellin dhe përzieni mirë, duke shtypur patatet, në mënyrë që të merrni një përzierje homogjene. Pastaj, duhet të derdhni gjithçka në një fletë letre pergamene dhe me ndihmën e një fletë tjetër ne do të duhet ta shtypim pastër.

Pastaj, me një formë të rrumbullakët klishe ose një gotë kemi krijuar rrathët, pastaj me një maje thike apo kruajtëse dhëmbësh kemi bërë dy vrima të vogla për sytë dhe me një lugë gojën e qeshur.

E lemë të qëndrojë në frigorifer për 30 minuta. Tani, vetëm mjafton të skuqim çipsat tona argëtuese dhe të shijojmë ushqimin. Ndani me nënat e tjera këtë recetë.

Kjo recetë e shijshme për papate të skuqura do t’i lumturojë shumë fëmijët tuaj. Ja si ta gatuani Read More »

Të lëpini gishtat…Pulën me arra si të Përmetit nuk e keni provuar askund tjetër

Kjo është një recetë tradicionale përmetare, shumë e shijshme, që nuk e keni provuar në asnjë vend tjetër. Ajo madje është edhe shumë e thjeshtë në përgatitje.

JA RECETA:

Përbërësit

gjysmë pulë, 2 lugë gjelle miell, 2 lugë gjelle arra (të grirë), 2 vezë (të verdhat), 50 gr gjalpë, kripë

Përgatitja: Presim pulën në copa të vogla dhe e shtojmë në tigan ku e skuqim pak. Më pas i hedhim 300 ml ujë dhe e lëmë të ziejë për 15 minuta.

Ndërkohë bëjmë brumin duke përzier miellin me arrët e grira dhe të verdhat e vezëve. E punojmë mirë me dorë sa të marrim një masë të plotë të cilën e skuqim me gjalpë derisa të marrë ngjyrë karameli.
Shtojmë lëngun e pulës dhe e lëmë derisa masa të bëhet pak kremoze.

Të lëpini gishtat…Pulën me arra si të Përmetit nuk e keni provuar askund tjetër Read More »

Supa e Sulltanit ,mrekulli për shijen dhe shëndet të mirë

E ka emrin supa e Sulltanit sepse ka qenë ndër recetat e veçanta që përgatitej më shpesh e shtrohej në tryezën e Sulltanit shekuj e shekuj më parë, madje edhe kur ai priste miq apo shtronte gosti.

Sot, kjo recetë, e njohur në mbarë botën përgatitet kudo nga amvisat në kuzhinën e tyre deri tek restorantet më prestigjiozë.

Është e lehtë dhe e mrekullueshme në shije ashtu si dhe e pasur me vlera ushqyese.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me gatime të ndryshme, sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, byrekë të ndryshëm shtëpie, bukë të thekur etj.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e përsosur të kësaj supe, e cila padyshim do të shndërrohet në më të preferuarën e amvisave dhe gjithë familjes.

Përgatitja e Supës së Sulltanit
Përbërësit
3-4 thela pule
2 lugë gjelle gjalpë të freskët (Për një gatim më të shëndetshëm, AgroWeb.org ju sugjeron përdorimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër)

2-3 lugë gjelle miell gruri
1 gotë me qumësht të vakët
4-5 lugë gjelle bajame të thërrmuara
2 të verdha veze

Lëngu i një limoni
Piper
Kripë
Përgatitja

AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni thelat e pulës në një tenxhere.

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe kthejini thelat nga të dyja anët derisa t’u thahen lëngjet, kaurdisini me pak gjalpë ose vaj ulliri.

Më pas shtoni rreth 1 litër ujë dhe lërini të ziejnë derisa mishi të zbutet.

Pasi mishi i pulës të ketë zjerë, largojeni nga texherja dhe copëtojeni mishin në fije-fije duke larguar kockat.

Lëngun e pulës ruajeni për të përgatitur supën.
Lëngun e pulës kalojeni në një tas dhe vendoseni tenxheren në zjarr mesatar.

AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni shtoni gjalpin, lëreni sa të shkrijë por kujdes që të mos digjet.
Sapo të shkrijë shtoni miellin, përzjeheni për 2-3 minuta derisa mielli të zverdhet pak.

Më pas, pak e nga pak shtoni qumështin e vakur dhe mos e ndaloni përzjerjen e masës. Për t’i përzierë sa më mirë mund të përdorni një rrahëse vezësh.

Pasi të keni shtuar qumështin, shtoni lëngun e pulës dhe vijoni akoma t’i përzjeni.
Shtoni në fund copat e pulës, bajamet e thërrmuara, kripën dhe piperin. Lëreni të zjejë aq sa supa të trashet mjaftueshëm. Përzjeheni herë pas here.

Pasi ta keni hequr nga zjarri, në një tas rrihni të verdhat e vezëve bashkë me lëngun e limonit.

Shtoni në po të njëjtin tas një garuzhde me lëngun e supës dhe përzjeini mirë të gjitha bashkë, në mënyrë që vezët të mos priten kur t’i shtoni në tenxheren me supë.

Shtojeni masën e vezëve dhe limonit të përzjerë me lëngun e supës ne tenxhere.
Përzjeheni mirë dhe vendoseni në zjarr edhe për 4-5 minuta.
Më pas, përzjeheni, largojeni nga zjarri dhe shërbejeni kur është ende e ngrohtë.

Për më shumë shije, kur ta shërbeni sipas preferencës spërkateni me pak majdanoz të grirë hollë dhe me disa pika gjalpë të shkrirë.

Supa e Sulltanit ,mrekulli për shijen dhe shëndet të mirë Read More »

Mish qengji me kos dhe hudhra / Receta plot vlera dhe shije unike

Kjo është një recetë e thjeshtë por fantastike si në shije ashtu edhe vlera ushqyese.

AgroWeb.org ju sjellë recetën e mishit të qengjit me kos dhe hudhra, e cila përgatitet në shumë pak minuta dhe krijon një pjatë të mrekullueshme.

Kjo recetë përgatitet edhe me lloje të tjera mishi siç është mishi i pulës apo i viçit.

Kjo do të jetë një recetë që do t’ju mahnisë, mishi qëndron i butë e plot lëng, por gjithashtu ka një shije perfekte nga erëzat e përdorura.
Përgatitja e Mishit të Qengjit me Kos e Hudhra
Përbërësit për 4-5 persona
4-5 thela të plota të mëdha mish qengji ose një pjesë e mirë e paprerë qengji, shpatull apo kofshue

2 gota me kos

6-8 thelpinj hudhër

2-3 lugë gjelle me vaj ulliri

Kripë

Piper

Majdanoz i grirë
Përgatitja e recetës
Thelat e mishit të pastruara ose pjesën e paprerë të qengjit vendoseni në një tenxhere me ujë dhe pak kripë dhe  vendosini të zjejë për 20 minuta. Më pas, hiqeni dhe lëreni të ftohet.

Në një tas hedhim kosin, pak kripë e piper sipas dëshirës, dhe i përziejmë në mënyrë që të formojnë një masë të njëtrajtshme.

AgroWeb.org ju këshillon që në rast se përdorni kos të përgatitur në shtëpi, duhet t’i kulloni lëngun që lëshon vetë kosi.

Kjo recetë mund të bëhet me çdo lloj kosi, por më ideali është ai i deles, pasi është dhe më kremoz.

Pasi e kemi përgatitur kosin, kalojmë aty copat e mishit të qengjit ose pjesën e paprerë dhe përziejini me një lugë druri.

Në një tavë qelqi ose balte, hidhni vajin e ullirit dhe mundohuni që ta përhapni në të gjithë sipërfaqen e saj.

Më pas qëroni hudhrat dhe mjafton t’i ndani në gjysmë.

Masën me kosin dhe mishin e qengjit vendoseni në tavë, shtoni aty dhe hudhrat e prera.

E vendosim për t’u pjekur në furrë të parangrohur me 220 gradë celsius, përreth 40 minuta, ose derisa mishi i qengjit të jetë pjekur plotësisht.

Nëse dëshironi t’i forconi shijen kësaj recete mund t’i shtoni dhe disa feta limoni pasi kanë kaluar 20 minuta nga pjekja.

AgroWeb.org ju sugjeron që kur mishi i qengjit të ketë marrë një ngjyrë të kuqërremtë, ta kthejni nga ana tjetër, kështu do të piqet uniform.

Para se ta servirni në tryezën tuaj, hidhini sipër majdanozin e freskët, të cilin e keni grirë imët, dhe përgatituni për një shije unike.

Mund të shoqërohet me bukë të thekur apo me sallatë perimesh të stinës për një vakt sa më të lehtë./AgroWeb.org

Mish qengji me kos dhe hudhra / Receta plot vlera dhe shije unike Read More »

Hirra ,efektet e mrekullueshme për organizmin

Hirra njëkohësisht nuk përmban gluten dhe mund të përdoret edhe nga ata që janë intolerantë.
Më kujtohet si tani mërzitja që pësonte nona ime, kur ajo shishe qumështi për të cilën kishte mbajtur rradhë që në 5 të mëngjesit, teksa zjente, pritej.

Pasi e linte të ftohej, e kullonte, dhe lëngun e tejdukshëm na e jepte ta pinim ne. Ndërsa ajo që mbetej një grusht, një tip salce, i hidhte dy kokrra kripë dhe thoshte se duhej ta hanim me bukë.

“Hirra të bën mirë, të pastron mëlçinë”, më thoshte mua si më të madhes ndër fëmijët, për të më bindur ta pija. Por në fakt unë s’isha e sëmurë dhe, këtë përgjigje i jepja, sa herë ma thoshte.

Sot pas 30 vitesh shkoj në dyqan enkas për të blerë hirrën dhe sa herë e pi mendoj se si nuk i dija më parë vlerat e saj, e të mos i shtoja më shumë mërziti gjyshes time.
Vlera dhe Shije
Për të bërë një kilogram djathë duhen 10 litra qumësht, 9 prej të cilave janë hirrë.

Është pikërisht ky lëng që kur kullon qartësohet dhe që e quajnë magjik. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, hirrën e krahasojnë me qumështin e gjirit për vlerat e jashtëzakonshme që ka dhe studimet e para për të janë bërë në fillim të shekullit 20.

Pionieri i kërkimeve për sistemin imunitar, Élie Metchnikoff, njëkohësisht fitues i çmimit Nobel në Psikologji e Mjekësi më 1908, e ka vlerësuar së tepërmi futjen në dietën e përditëshme të hirrës.

I quajtur ndryshe “Babai i imunitetit mes natyrales”, Metchnikoff ka thënë se hirra ka një efekt të pakrahasueshëm në sistemin gastrik.

Jetëgjatësia dhe mosprekja e banorëve të Kaukazit nga turberkulozi dhe tumoret, i atribuohen pikërisht konsumimit të hirrës nga kjo popullsi.
Hirra mund të përdoret si nga të rriturit ashtu edhe nga fëmijët.
Të vegjëlve, për t’i mbuluar atë efektin që më krijonte dhe mua për së vogli i përzjehet me lëngje frutash.

Një shishe 1 litroshe me hirrë kushton 50 lekë. Por mund ta bësh edhe vetë në shtëpi, me stilin e prerjes së qumështit.

Hirra nuk përmban gluten dhe mund të përdoret edhe nga ata që janë intolerantë. Foto: WebLibrary

Në bazë të leximeve unë konsumoj një litër në dy ditë, por sasia edhe mund të shtohet deri në një litër.

Sigurisht që hirra nuk ka as yndyrën që ka qumështi dhe është zëvendësues i mirë i tij për sa i përket vlerave ushqimore.

Nga studimet dhe burimet e konsultuara nga AgroWeb.org, rezulton se hirra përman 16 lloje proteinash.

Po ashtu tetë minerale, vitamina krysisht ato të grupit B, aminoacide, enzima dhe shumë elemente të tjera të shëndetshme.

Është pikërisht kjo përmbajtje që e ka bërë të krahasueshme me qumështin e gjirit.

Pija magjike ndihmon edhe në periudhën e prekjes nga problemet e kockave dhe osteoporoza pasi furnizon kockat me ushqim.

Ndërsa atyre që i pëlqen sporti, në vend të kokrrave energjike që marrin, mund të përdorin pikërisht këtë pije.

Kjo pasi fakti që ajo përmban shumë proteina i jep energji muskujve dhe gjithë trupit.

Ndërkaq, siç e thoshte dhe gjyshja ime, hirra pastron mëlçinë dhe është detoksifikues për trupin.
Përgatitja në shtëpi
Zjeni një litër qumësht, e kur të jetë në vlim e sipër hidhini një pikë limon që të pritet. Lëreni të ftohet dhe ndani veç lëngun e tejdukshëm që ngjitet sipër, pra hirrën. Hidheni në një shishe qelqi e konsumojeni fillimisht nga një gotë në ditë.

Pjesa që mbetet si salcë vlen po aq sa lëngu. Një lugë e saj po të tretet në ujë dhe të konsumohet jep të njëjtin efekt pozitiv në organizëm./AgroWeb.org

Hirra ,efektet e mrekullueshme për organizmin Read More »

Petulla të fshira ,tradita Shqiptare që ndjell shijen

Petullat e Fshira janë ndër gatimet më speciale të kuzhinës tradicionale shqiptare, ku në përgatitjen e tyre spikat zona e qarkut të Korçës.

Fantastike për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës dhe aq të shijshme sa për të lëpirë gishtat, sot Petullat e Fshira janë shndërruar në një nga gatimet më të kërkuara në restorantet tradicionale shqiptarë.

Të lehta për t’u përgatitur dhe fantastike për t’u servirur për familjen në mëngjes por ato mund të konsumohen në çdo kohë të ditës.

Të kombinuara me djathë e hudhra, shija e kësaj recete të përfshin tërësisht ndërsa të kënaq nepsin dhe oreksin.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron recetën tradicionale të përgatitjes së petullave në shtëpi.
Përgatitja e Petullave të Fshira në Shtëpi
Përbërësit
0.5 kg miell

1 gotë me qumësht

1 vezë

pak kripë

100 gr gjalpë

½ liter ujë

2-3 thelpinj hudhrash

Djathë
Përgatitja
Në 0.5 kg miell hidhet 1 gotë me qumësht dhe 1 kokërr vezë, të cilat përzihen me pak kripë dhe ujë dhe përgatitet një brumë shumë i rrjedhshëm.

Në tiganin e vendosur në zjarr, pasi ai është nxehur dhe lyer me vaj me një beze të pastër, hidhet me garuzhde një sasi brumi duke e përhapur në të gjithë sipërfaqen e tiganit.

Tigani rrotullohet në të gjitha anët dhe masa lihet të piqet.

Në momentin kur petulla shkëputet lehtë nga tigani , kthehet nga ana tjetër. Kështu veprohet me të gjithë brumin e përgatitur.

Në një tigan skuqet 100 gr gjalpë së bashku me një kokërr hudhër të prerë në copa shumë të vogla.

Hidhet pak kripë dhe gjysmë litër ujë. Pasi të ziejë pak uji, hiqet tigani nga zjarri dhe në të futen petullat një e nga një duke i lagur plotësisht.

Petullat e lagura vendosen njëra mbi tjetrën të ndara me djathë të grirë.

Pasi është radhitur sasia e petullave që dëshirojmë, u hidhet djathë sipër dhe futen për 5 minuta në furrë./AgroWeb.org

Petulla të fshira ,tradita Shqiptare që ndjell shijen Read More »

Vaj ulliri me hudhra, kura që duhet ta keni në shtëpi

Hudhra është përdorur prej shekujsh kundër shumë sëmundjeve.

Ajo shërben si një antioksidant dhe një shtysë e rëndësishme për  sistemin imunitar.

Siç e dimë, hudhra prodhon një lëndë kimike të quajtur alicinë, e cila çlirohet në momentin që hudhra pritet ose grihet.

Alicina është ajo që mban të gjithë peshën e fuqisë së madhe pastruese të hudhrës.

Vaji i ullirit ka vlera të pakundërshtueshme shëndetsore.

Disa ekspertë thonë se ai përbën kurën ideale të jetëgjatësisë.

Studimet kanë treguar se konsumi i vajit të ullirit së brendshmi por edhe aplikimi në lëkurë ka vlera dhe përfitime të mëdha.

Kombinimi i këtyre dy përbërësve të rëndësishme është i famshëm për vlerat shëndetsore që përcjell.

Tretja e hudhrës në vaj ulliri i shumëfishon vlerat e të dy përbërësve.

Një pikë nga vaji i ullirit ku keni tretur hudhrën është shumë i mirë për shijen e ushqimit por edhe kundër infeksioneve, rritjes së flokëve dhe kundër zbokthit.

Një nga mënyrat e ndërthurjes së hudhrës në vaj ulliri është nëpërmjet uthullës, një tjetër përbërës i rëndësishëm dhe i pasur në vlera.

Më poshtë do të gjeni tre alternativa të përgatitjes së kësaj kure të rëndësishme që nuk duhet të mungojë në shtëpitë tuaja.
Metoda e parë – në një enë të mbyllur
Mënyra më e mirë për të kombinuar vajin e ullirit me hudhrën është që t’i bashkoni të dyja në një enë qelqi të mbyllur mirë.

Në këtë mënyrë do të përfitoni një lëng ideal për aplikime në lëkurë. Por nëse vajin në fjalë dëshironi ta konsumoni atëherë hudhrat e grira duhen tharë në diell për 3-4 ditë për të hequr çdo gjurmë lagështie.

Më pas hudhrat mund të shtohen tek vaji i ullirit duke u siguruar që enët dhe duart tuaja të jenë të thata.
Përbërësit:
Një filxhan me vaj ulliri

1-2 dy hudhra të qëruara dhe të grira
Përgatitja;
Pas qërimit, grijini hudhrat hollë dhe vendosini në një enë qelqi.

Hidhni sipër tyre vajin e ullirit dhe përziejini së bashku.

Mbylleni kapakun fort dhe kavanozin lëreni në dritare ose parmak për 3-4 ditë.

Gjatë këtij harku kohor vlerat e hudhrës dhe vajit të ullirit ndërthuren plotësisht për të ofruar përfitime maksimale.

Pasi e keni hequr kavanozin, kullojeni vajin dhe largoni të gjitha hudhrat. Vajin e mbledhur ruajeni në frigorifer në një enë qelqi të mbyllur mirë.

Me këtë sasi hudhrash dhe vaji do të prodhoni një lëng të cilin mund ta përdorni deri në 2 muaj.
Metoda e dytë – në një tenxhere ose tigan
Këtë ndërthurje të shëndetshme mund ta përgatisni edhe duke i gatuar së bashku në një tenxhere.

Procesi zgjat 10 minuta dhe lëngu i përftuar është për konsum të përgjithshëm dhe aplikim në lëkurë.

Sipas dëshirës kësaj përzierje mund t’i hidhni 1-2 gjethe dafine për t’i shtuar vlerat ushqyese dhe përmirësuar shijen.
Përbërësit;
2 filxhanë me vaj ulliri

1-2 hudhra të qëruara dhe grira hollë

1-2 gjethe dafinePërgatitja
Hidhni vajin në një tenxhere dhe sapo të ngrohet shtoni hudhrën.

Me nxehjen e vajit do të vëreni që hudhrat do të lëshojnë bulëza.

Përziejini rregullisht që të shmangni djegien.

Temperatura duhet të jetë e ulët dhe përzierja duhet të vazhdojë nga 4 deri në 5 minuta ose deri sa hudhra të marrë një nuancë të artë.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet. Më pas kullojeni dhe hidhni hudhrat.

Vajin aromatik ruajeni në një enë qelqi në frigorifer dhe përdoreni brenda javës në gatime.
Hudhër e tretur në uthull
Një tjetër mënyrë për të përfituar nga vlerat e hudhrës është që ta tresni atë në uthull.

Kjo e fundit është përdorur në mjekësinë kineze prej shekujsh.

Uthulla me hudhër përdoret jo vetëm në kuzhinë por është ideale kundër të ftohurës, për rritjen e rezistencës, kundër dhimbjeve të kraharorit dhe inflamacionit.
Përbërësit
1 filxhan me uthull të bardhë

1-2 hudhra të qëruara dhe grira hollë

1 lugë çaji me kripë deti.
Përgatitja:
Kombinojini përbërësit në një kavanoz qelqi dhe më pas vendoseni në një vend të freskët për tre javë.

Tundeni kavanozin herë pas here që të përshpejtoni tretjen dhe lëshimin e aromave.

Do të vëreni se hudhra do të marrë nuanca blu ose jeshile, një gjë krejt normale që vjen si pasojë e ndërveprimit të sulfurit te hudhra me bakrin tek uthulla.

Pas tre javësh, kullojeni lëngun dhe ruajeni në një enë qelqi.
Konsumojeni për gjashtë muaj. Mund ta kosnumoni në gatime të ndryshme ose nga një lugë në ditë./AgroWeb.org

Vaj ulliri me hudhra, kura që duhet ta keni në shtëpi Read More »

Vezë të pjekura me patate ,receta e shëndetit të mirë

Ndër gjërat që nuk mungojnë kurrë në frigoriferin tuaj, me siguri janë vezët.

Qëllon shumë shpesh që t’i përdorim ato për një darkë të shpejtë, kur nuk kemi shumë kohë ose nuk mund të qëndrojmë gjatë në kuzhinë.

Por duhet të jemi të kujdesshëm. Vetëm një ose dy përbërës të gabuar janë të mjaftueshëm për ta kthyer një gatim në një koncentrat kalorish.

Gjalpi dhe kripa e tepërt janë disa nga këta përbërës me të cilët nuk duhet tepruar.

Kur gatuhet si duhet dhe shoqërohet me perime, ky ushqim është ekuilibri i përsosur midis shijes dhe shëndetit.
Si të garantoni vlerat e mira?
Në vijim AgroWeb.org ju sjell një recetë të përkryer për të gatuar një omeletë të lehtë pa vaj e pa gjalpë.

Është shumë e dobishme për shëndetin dhe ofron më pak se 200 kalori!

E shijshme, ngopëse dhe e lehtë për t’u përgatitur, kjo omeletë në sajë te lidhjes natyrale midis proteinave të vezës dhe niseshtesë së patates, është shumë e shëndetshme dhe plot vlera të mira ushqyese.

Gjithashtu mund të konsumohet dy herë në javë pa asnjë problem për peshën dhe kolesterolin.
Vezë të pjekura me patate

Përbërësit për një omëletë të lehtë me më pak se 200 kalori. Kjo recetë është për katër persona.

Për një omeletë të lehtë për dy njerëz, ndani masat në mënyrë të përshtatshme.

Ju duhen 6 vezë • 2 patate të mesme • dy tufa me majdanoz të freskët • një lugë çaji me pluhur shafran të Indisë • pak kripë dhe piper të zi
Përgatitja
Qëroni patatet dhe prijini ato në kuba, lërini të vlojnë në ujë për disa minuta derisa të zbuten dhe më pas kullojini.

Rrihni vezët në një tas dhe shtoni patatet, duke i përzier dhe shtypur bashkë derisa të formojnë një masë të plotë.

Shtoni majdanozin e prerë për t’i rritur shijen omletës tuaj pasi në sajë të vitaminës C, shtoni një efekt antioksidues dhe tretës.

Shtoni gjithashtu edhe shafranin e Indisë që e gjeni në markete bashkë me piperin e zi.

Të dyja këto erëza kur kombinohen, ndihmojnë në përthithjen e shpejtë të vlerave të gatimit nga organizmi juaj.

Shtoni pak kripë, përzieni mirë gjithçka. Më pas kalojeni masën në një tavë të veshur me letër pjekjeje të lagur me ujë.

Vendoseni në furrë të nxehur në 180° për 30 minuta dhe shijoni një gatim të lehtë plot shëndet!

Sekreti është pjekja dhe përdorimi i letrës së lagur pjekëse, e cila na lejon të mos përdorim shumë yndyrë.

Përveç kësaj, përdorimi i erëzave jo vetëm që e bën atë më të shijshëm, por siguron substanca shumë të dobishme siç është vitamina C, e bollshme në majdanoz./AgroWeb.org

Vezë të pjekura me patate ,receta e shëndetit të mirë Read More »