Kulinari

“Kam larë pjata… S’kanë bukë të hanë dhe shesin p*rdhë”, Renato Mekolli rrefehet si kurre me pare

Është përfolur shumë kohët e fundit për emisionin e tij që ka ngjallur shumë polemika.

Bëhet fjalë për shefin më të komentuar të momentit, Renato Mekollin.

Ai ishte i ftuar këtë të shtunë në emisionin “Thumb”.

Mekolli është pyetur në lidhje me punët që ka provuar para se të bëhej i famshëm dhe ai ka rrëfyer se ka punuar në pozicione të ndryshme para se të realizonte ëndrrën e tij.

Shefi i kuzhinës është shprehur:

Unë kam shitur gërvisht dhe fito, kam punuar edhe si murator me babin ne Greqi por kam larë edhe pjata dhe kjo pjesa, ua ka larë pjata ua kështu ua ashtu me dukët shumë fallso tek njerëzit dhe situata e showbizzit shqiptar sepse bëjnë sikur kanë filluar gjithmonë nga lart. Ndërkohë ne jemi një vend kaq i varfër dhe i shikon të gjithë me veshje te bukura me rroba të mira, por ata s’kanë bukë të hanë dhe shumica shesin p*rdhë.”
I pyetur, pse shqiptarët e bëjnë këtë, Mekolli është përgjigjur:

Është presioni shoqëror, dhe nuk jemi ngopur akoma me jetën me gjithçka që na rrethon e të gjitha situatat që janë rreth nesh.”

“Kam larë pjata… S’kanë bukë të hanë dhe shesin p*rdhë”, Renato Mekolli rrefehet si kurre me pare Read More »

Buka e shtëpisë – Aromë, shije dhe shëndet

Kanë ikur kohët kur buka që blihej ishte e një cilësie aq të mirë sa gjysma e saj konsumohej pa shkuar akoma në shtëpi.
Nuk ka të krahasuar buka e shtëpisë! Ajo të tundon që në momentet kur nis të piqet në furrë kur mbush gjithë shtëpinë me aromën fantastike të saj.

E më pas, e sapo dalë nga furra, e ngrohtë, me pak gjalpë e djathë apo vaj ulliri, kripë e rigon, shija e saj të përfshin tërësisht. Është diçka krejt e natyrshme dhe dashje pa dashje i dorëzohesh pa kushte që në kafshatën e parë.
Megjithatë, në larminë e ofertave që gjejmë sot në treg, njëzëri mund të biem dakord që buka e bërë në shtëpi është më e shëndetshmja dhe më shpërblyesja në kënaqësi dhe vlera.

Të bësh bukë vetë në shtëpi jo vetëm që është më e shëndetshme për stomakun por edhe për portofolin. Kostoja e pjekjes së bukës është më e ulët se një bukë e blerë në furrën e lagjes.

Pse buka e shtëpisë është më e shëndetshme
Sot, buka e blerë përmban shtesa produktesh nga më të ndryshmet, të dukshme dhe të padukshme, duke justifikuar shqetësimin e çdo konsumatori që tashmë nuk e di se çfarë po ha.

Ndonëse qeveritë e ndryshme në botë ushtrojnë kontrolle të imtësishme në përbërësit e industrisë ushqimore, numri i substancave shtesë në ushqime rritet gjithnjë e më shumë.

Syri nuk i sheh këto substanca, por shëndeti ynë vuan pasojat. Industria ushqimore e bën bukën me gjëra shtesë që ajo të rrojë më gjatë. Substanca të tjera përdoren që korja e saj të jetë më krokante apo fermentimi i majasë të përshpejtohet.

Këto shembuj janë të pakët në krahasim me ‘ushtrinë’ e adititivëve që përdoren në gatimin e bukës apo ushqimeve të tjera.

Si gjithmonë, zgjedhja është e konsumatorit. Nëse vendosni të bëni bukën vetë, atëherë është në dorën tuaj se çfarë përbërësish do të ketë ajo.

Në shtëpi, ju mund të gatuani bukë të ndryshme jo vetëm për nga madhësia por edhe përmbajtja. Siç e përmendëm më lart, arsyet për të gatuar bukën vetë në shtëpi janë të shumta. Megjithatë, arsyeja kryesore mbetet shëndeti dhe shija.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë një recetë të thjeshtë, të shijshme të bukës së përgatitur në kushtet e shtëpisë.

Si t’a përgatisim në shtëpi
Përbërësit
1 kg miell

300 ml ujë të vakët

200 ml qumësht të vakët

2 lugë maja birre

4 lugë vaj ulliri

2 lugë të vogla kripë

Përgatitja
Në një tas të vogël hedhim majanë dhe e tresim me pak qumësht të vakët dhe e lëmë aty për 15 minuta, në mënyrë që të fermetohet.

Më pas, në një tjetër enë hedhim qumështin e vakët, majanë e fermentuar, vajin e ullirit, ujin e vakët dhe kripën.

I përzjejmë të gjitha bashkë me një lugë dhe nisim të shtojmë gradualisht miellin duke e përzjerë si fillim me lugë e më pas nisim punimin e brumit me dorë. Gjithë sekreti i një buke të mirë shtëpie qendron tek punimi i brumit me duar. Brumi do të jetë gati në momentin që masa do të jetë e fortë, kompakte dhe nuk ngjitet në duar.

Brumin e mbulojmë me një pecetë të pastër. E vendosim në një vend të mbyllur dhe të ngrohtë përreth një orë, në mënyrë që masa të dyfishohet.

Pasi burmi të ketë ardhur, e ndajmë në 12 toptha dhe i vendosim me rradhë në tepsi me letër pjekjeje. I lëmë ashtu edhe për 30 minuta të tjera në një vend të mbyllur. Më pas i fusim në furrë për t’i pjekur.

Para se t’i fusim në furrën e nxehtë, bukën e lyejmë me pak qumësht të vakët të përzier me një lugë vaj ulliri.

I pjekim në 200 gradë përreth 25 minuta derisa buka të ketë marrë një ngjyrë të kuqërremtë, të praruar./AgroWeb.org

Buka e shtëpisë – Aromë, shije dhe shëndet Read More »

Kek në tigan – Receta me shije të lehtë dhe butësi delikate

Furra nuk është e domosdoshme për të përgatitur kekun tuaj të preferuar.

Me këtë metodë që AgroWeb.org ju tregon, mund të përgatisni të gjitha llojet e kekëve pa i pjekur në furrë.
Po, e lexuat mirë, një kek që nuk ka nevojë të piqet në furrë, madje ka shijen më të lehtë dhe butësinë më delikate se çdo kek tjetër që keni provuar.

Sekreti qëndron tek përgatitja e tij në tigan. Merrni recetën bazë, e më pas mund të krijoni lloje të pafundme të tij.

Keku në tigan është krejt i lehtë dhe i nevojiten vetëm pak përbërës.

Ideal për çdo rast dhe pa shpenzuar shumë kohë.

Për ta përgatitur ju duhet këto përbërës
3 vezë

150 g sheqer

120 g miell

40 ml qumësht

40 g gjalpë

Përgatitja
Si fillim në një tigan shkrini gjalpin, por AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes të mos e lini të digjet.

Pasi përveç aromës së pakëndshme, krijohen dhe disa kokrriza të zeza të cilat janë jo të shëndetshme.

Kalojeni gjalpin në një tas të vogël dhe lëreni të ftohet pak.

Ndërkohë merrni një tas të madh dhe hidhni aty vezët dhe sheqerin dhe përzjejini me rrahësen elektrike.

Këtë proces mund ta bëni dhe mekanikisht me telin e kuzhinës. Masa duhet të rrihet derisa të marri një ngjyrë të lehtë të verdhë dhe kokrrizat e sheqerit të jenë tretur.

Më pas shtoni miellin duke e kaluar më parë në sitë. Kështu do t’i jepni brumit të kekut më shumë ajër, duke krijuar një brum poroz.

Kur të keni përzjerë të gjithë miellin, shtoni gjalpin e shkrirë dhe në fund qumështin.

Përzjeni përsëri derisa masa të jetë homogjene.

Tiganin ku keni shkrirë gjalpin, hidhini dhe një lugë çaji me gjalpë të shkrirë dhe lyeni mirë sipërfaqen e tij.

Kaloni brumin që përgatitët dhe me ndihmën e një luge përhapeni në të gjithë sipërfaqen e tij.

Ndizni vatrën e sobës me korent dhe vendoseni tiganin duke e mbuluar me një kapak.

AgroWeb.org ju këshillon që të mos përdorni për këtë recetë vatër gazi pasi intensiteti i flakës duhet shumë i ulët.

Pasi të kenë kaluar rreth 30 minuta, hapeni kapakun dhe me nje thikë shponi kekun.

Nëse sipërfaqja e saj del e pastër, atëherë keku është gati.

Keku duhet të hiqet nga tigani në mënyrë që të mos lëshohet dhe nga nxehtësia e tiganit të ngjitet.

Kështu vendosini sipër një pjatë dhe kthejeni atë. Sipërfaqen e kekut mund ta spërkasni me sheqer pluhur, mjaltë apo kakao sipas dëshirës.

Me të njëjtën metodë mund të përgatisni dhe kekun me copëza çokollate, me kakao apo dhe fruta të thata.

Ju ngelet vetëm që ta prisni e ta servirni për familjarët e të dashurit tuaj./AgroWeb.org

Kek në tigan – Receta me shije të lehtë dhe butësi delikate Read More »

Një gotë me lëng të freskët shege – Për shëndet, fuqi dhe energji menjëherë

Këtë e konfirmojnë shkencëtarët sipas të cilëve, burrat dhe gratë që pijnë një gotë me lëng shege çdo ditë për 2 javë, përjetojnë një rritje të hormoneve që nxisin energjinë dhe qarkullimin e vrullshëm të gjakut.
Një studim i Universitetit Queen Margaret të Edinburgut, të cilit i referohet AgroWeb.org, konfirmoi se lëngu i shegës funksionon si një pije energjike krejt natyrale.

Për të arritur në këtë konkluzion, shkencëtarët analizuan performancën dhe të dhënat e një grupi personash të moshave nga 21 deri në 64 vjeç.

Në fund të studimit, të gjithë pjesëmarrësit patën një rritje të ushqyesve që janë të dobishëm për balancimin e hormoneve, plus vitalitetin e përgjithshëm.

Përveç vetërregullimit hormonal, studimi rezultoi edhe në rritjen e humorit të mirë dhe energjisë së organizmit.

Shega dhe lëngu i saj bëjnë mrekulli për nivelet e hormoneve si testosteroni tek meshkujt dhe estrogjeni tek femrat.

Testosteroni ndihmon në përmirësimin e humorit dhe kujtesës, thanë studiuesit.

Pas pirjes dy javore të këtij lëngu, niveli i këtij hormoni rritej nga 16 deri në 30%. Pjesëmarrësit treguan se ishin në humor të mirë dhe ndjenjat e tyre negative ishin shuar.

Estrogjeni është një hormon shumë i nevojshëm në trupin e çdo gruaje për të qëndruar të forta, energjike dhe me një cikël të shëndetshëm.

Vlerat E Tjera Të Rëndësishme Të Lëngut Të Shegës
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, studimet e mëparshme mbi rolin e lëngut të shegës, kanë veçuar rëndësinë e tij për shëndetin e zemrës dhe qarkullimin e gjakut.

Ky superfrut lufton disa forma të tumoreve, lehtëson simptomat e osteoartritit dhe kuron problemet me stomakun.

Ai është i pasur me shumë antioksidantë, vitamina dhe minerale të cilat përmirësojnë shëndetin e njeriut nga koka tek këmbët.

AgroWeb.org rekomandon pirjen e një gote 250 ml me lëng shege çdo ditë për të pasur përfitime afatgjata.

Sa Gota Me Lëng Shege Mund Të Pini Çdo Ditë
Deri më tani, ekspertët tregojnë se nuk nevojitet një dozë standarde ditore të lëngut të shegës.

Me përafërsi, një sasi prej 250 ml deri në 350 ml lëng shege në ditë, është jo vetëm e shëndetshme por edhe e sigurt.

Megjithatë, është shumë e rëndësishme të siguroheni që lëngu që po pini është 100% shegë e pastër dhe jo e gatshme me sheqerna të shtuara./AgroWeb.org

Burimi shkencor i informacionit gjendet në këtë link

Një gotë me lëng të freskët shege – Për shëndet, fuqi dhe energji menjëherë Read More »

Shije e lehtë fantastike, një ëmbëlsirë mahnitëse, shumë kollaj ta bëni në shtëpi

Do kënaqeni me këtë gatim që është për të vegjël e për të mëdhenj.
Receta perfekte për ta përgatitur në raste festash ose dhe për ta shijuar çdo herë që nepsi godet.
Mund të jetë keku më i mirë që do të përgatisni dhe do të mrekulloheni me shijen e tij delikate.

AgroWeb.org ju tregon recetën shumë të thjeshtë për përgatitjen e kekut super të butë, kështu do të surprizoni familjen apo të dashurit tuaj.

Përbërësit
35 gr gjalpë, pak kripë, 3 lugë gjelle me qumësht, 20 gr sheqer, 6 lugë e gjysmë gjelle me miell për ëmbëlsira, 2 vezë që do t’i ndani veç të verdhat dhe të bardhat e tyre, Gjysmë luge çaji me lëng limoni
40 g sheqer, 2 të bardha vezësh

Përgatitja
Ngrohni furrën duke e vendosur në 170 gradë Celsius. Në një tigan shkrini gjalpin me zjarr të ngadaltë.
Shtoni aty pak kripë, qumështin dhe 20 gramë sheqer, përzjejini derisa të shkrihen plotësisht. Hiqeni tiganin nga zjarri dhe hidhni miellin, përsëri duke e përzjerë në mënyrë që të mos krijohen kokrriza.

Më pas kur të jetë ftohur pak masa, shtoni të verdhat e vezëve dhe përzjejeni me kujdes sa të bashkohen të gjithë përbërësit deri sa të bëhen brumë.

Në një tas hidhni të bardhat e vezëve dhe rrihini derisa të formohet shkuma e bardhë.
AgroWeb.org ju këshillon që të shtoni aty ngadalë lëngun e limonit dhe 40 gramë sheqer, gjithmonë duke përzjerë me rrahësen elektirke.

Me pas duhet të shtoni këtë masë me të bardhat e vezëve tek brumi që formuat. Duke përdorur një lugë, merrni pak e nga pak nga vëzët e bardha të rrahura dhe përzjejini ngadalë me masën e brumit.
Vazhdoni këtë proces derisa e gjithë masa të jetë homogjene.

Në një tavë hidhni pak gjalpë dhe lyejeni sipërfaqen e saj, më pas spërkateni me pak miell, kështu keku nuk do të ngjitet. Masën e formuar kalojeni në tavë, dhe me lugë përhapeni në mënyrë që trashësia të jetë e barabartë.

Tavën me brumin e kekut vendoseni brenda në një tavë më të madhe tek e cila shtoni ujë derisa të mbulohet përrreth 3 cm e saj. Proces që njihet si banjo-mari.

Piqeni kekun në temperaturë 150 gradë Celsius përreth 50 minuta. Për të kuptuar nëse keku është gati, mjafton që me një kunjë dhëmbësh apo thikë të shponi brumin.

Nëse sipërfaqja e thikës është e pastër, atëherë keku është gati. Pasi ta keni nxjerrë nga furra AgroWeb.org ju këshillon që ta kaloni në një pjatë që të ftohet pa nxehtësinë e tavës.

Mund t’i shtoni sipër pak sheqer pluhur për ta zbukuruar, dhe mjafton ta ndani dhe ta servirini për familjarët dhe të afërmit tuaj.

Nëse ruhet i mbuluar në frigorifer, mund të qëndrojë i freskët për dy ditë. /AgroWeb.org

Shije e lehtë fantastike, një ëmbëlsirë mahnitëse, shumë kollaj ta bëni në shtëpi Read More »

Supë me lëng turshish.Receta më e veçantë që duhet të provoni

Supa e përgatitur me lëng turshish është kombinimi më perfekt për shijen por edhe shëndetin e organizmit gjithashtu.

Ky është një gatim special që me siguri do t’ju kënaqë nepsin dhe oreksin sapo ta provoni.

E veçanta e kësaj recete është përgatitja e saj me lëng turshish, ku në këtë gatim do t’ju duhen turshitë e kastravecit dhe lëngu i tyre.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur, sallata të freskëta të stinës, byrekë shtëpie, perime të pjekura etj.

Më poshtë, do të gjeni nga AgroWeb.org recetën fantastike të përgatitjes së kësaj supe me shije të mrekullueshme, që me siguri do përfshihet në menunë e recetave dhe gatimeve të shtëpisë suaj.

Përgatitja e Supës me Lëng Turshish

Përbërësit

4 kastraveca turshi

2 filxhan çaji me lëng kastraveci turshi

2 patate mesatare të prera në kubikë

2 karrota të prera në kubikë

2 lugë gjelle miell gruri

600 ml lëng pule (ose ujë)

1 filxhan çaji me qumësht

2 lugë gjelle gjalpë

Vaj ulliri

Kripë, piper, majdanoz i freskët

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni një tenxhere në zjarr.

Shtoni aty gjalpin dhe vajin e ullirit, karrotat e patatet e prera në kubikë. Kaurdisini për dy minuta, më pas shtoni kastravecat e prera në feta ose kubikë.

Kaurdisini të gjitha bashkë.

Më pas, shtoni lëngun e pulës ose ujë, lëngun e turshive dhe lërini të ziejnë sa të marrin një valë dhe patatet e karrotat të jenë zbutur.

Shtoni kripën në sasinë e preferuar.

Ndërkohë, në një tigan, hidhni pak vaj ulliri, shtoni miellin dhe kaurdiseni në zjarr derisa të marrë një ngjyrë të verdhë të artë, hiqeni nga zjarri dhe në këtë moment shtoni qumështin.

Përziejeni mirë në mënyrë që e gjithë masa të bëhet e njëtrajtshme dhe të mos krijohen kokrriza.

Shtojeni masën e miellit dhe qumështit tek supa duke e trazuar në zjarr të ngadaltë për disa minuta derisa supa të trashet dhe më pas largojeni nga zjarri.

Spërkateni me piper dhe majdanoz të freskët të grirë hollë dhe gati për t’u shërbyer./AgroWeb.org

Supë me lëng turshish.Receta më e veçantë që duhet të provoni Read More »

Qofte shtëpie plot shije.Ja mënyra ideale e përgatitjes

Një recetë fantastike, tipike e traditës shqiptare me një shije të plotë dhe speciale për një vakt të shijshëm dreke apo edhe darke.

Të përgatitura në shtëpi dhe të skuqura apo të pjekura në furrë, shoqëruar me salca të ndryshme të freskëta shija e këtij gatimi mbledh padyshim gjithë familjen drejt tryezës.

Kjo recetë tipike, e përgatitur nga amvisat shqiptare për dekada me radhë është një mënyrë fantastike për të servirur një pjatë të shijshme për veten, fmailjen dhe më të dashurit.

Qoftet e shtëpisë shoqërohen në mënyrë fantastike me patate të furrës apo pure patatesh, sallata të freskëta të stinës e zahire të ndryshme të kuzhinës shqiptare siç janë turshitë etj

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së qofteve të shtëpisë.

Përgatitja e Qofteve të Shtëpisë

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

300-400 gr mish i grirë

2 kokrra qepë

2 feta bukë

1 kokërr vezë

4-5 lugë gjelle miell

3-4 thelpinj hudhra

Vaj

Kripë, piper, nenexhik

Përgatitja

Në një tas të madh bashkojmë mishin e grirë me vezën, bukën e qullur me ujë ose qumësht, kripën, piperin, nenexhikun e grirë hollë, qepët dhe hudhrat e grira hollë, miellin dhe i përzjejmë  mirë derisa masa të jetë bërë homogjene.

Qoftet i ndajmë në forma të rrumbullakëta në madhësinë e një kokër are.

I kalojmë në miell dhe më pas i skuqim në zjarr të fortë nga të dyja anët.

Nëse preferoni,  mund të përgatisni edhe salca të ndryshme shtëpie për t’i shoqëruar. Mund të përgatisni salcë me domate dhe hudhra.

Mjafton të skuqni si fillim 5-6 thelpinj hudhra të shtypur me vaj ulliri , e më pas shtojini 4-5 domate të grira në rende, hidhini kripë, piper e pak spec djegës nëse preferoni dhe  luereni në zjarr derisa salca të jetë gati.

Por mund të përgatisni gjithashtu edhe salcë kosi të kombinuar me kastraveca të grirë, hudhra dhe arra të grira gjithashtu. Sipër spërkateni me pak vaj ulliri. /AgroWeb.org

Qofte shtëpie plot shije.Ja mënyra ideale e përgatitjes Read More »

Vlorë/ Promovohet në panairin e Kotës “Trashëgimia Gastronomike” e Labërisë

Gatimet tradicionale të zonës së Labërisë u promovuan në panairin e organizuar në Kotë të Vlorës.

“Trashëgimia Gastronomike” apo e “Kuzhinës Tradicionale”, titullohej aktiviteti i zhvilluar nga bashkia Selenicë, pjesë e projektit “Bashkitë për në Europë”, në bashkëpunim me zyrën e BE-së, ku e pranishme ishte dhe drejtoresha e projektit “Bashkitë për në Europë, Jolanda Trebicka.

Nga e gjithë harta e bashkisë banorët erdhën me produktet e tyre të shumta, gjellët tradicionale, duke shndërruar këtë panair në një sofër të madhe të shtruar në qendrën e qytezës së Kotës.

Amvisat kishin shtruar e mbushur gjithë sofrën Labe me gjellët tradicionale. Edhe mishi i pjekur ishte i pranishëm në këtë panair. Pjesëmarrja ishte nga bizneset, banorët e kësaj zone dhe amvisat, të cilat kishin përgatitur gatimet që do të ekspozonin në këtë panair.

Një falënderim u bë nga kryetari i bashkisë së Selenicës, Përparim Shametaj edhe për nxënësit dhe mësuesit e të dy shkollave të Kotës, për ndihmesën dhe bashkëpunimin e dhënë, për realizimin e këtij panairi.

“Identifikimi, ruajtja dhe pasurimi i mëtejshëm i traditës së gatimit, ashtu si në tërësinë e vlerave të kësaj bashkie, merr rëndësinë e saj, në identifikimin e kulturës së kësaj treve. Trashëgimia e të gatuarit, e bukës dhe gjellët tradicionale të zonave të vendit, kanë të veçantën e tyre, ruhen dhe transmetohen tek brezat”, tha Shametaj.

Kryetari Shametaj u shpreh se “kjo bashki ashtu siç njihet për traditën, zakonet, kulturën ka dhe të veçantën e kulturës së gatimit”.

“Njohja dhe promovimi i vlerave të kuzhinës tradicionale, ashtu si pjesë e së tërës, të kulturës, zakoneve, traditave të kësaj bashkie, duhet venë në shërbim dhe në në dispozicion të zhvillimit të turizmit të kësaj zone, me resurse të shumta, por që sot ndodhet në vështirësi, por gjithsesi perspektiva shihet dhe do të jetë optimiste”, nënvizoi Shametaj.

Gjyshet dhe nënat e Labërisë gatuanin në oxhakët e shtëpive, në furrat tradicionale, me tepsitë e tenxheret, në zjarrin me dru lisi, a prralli, që janë dhe “mbreti” i zjarrit dhe i gatimit, piqnin bukën e misrit, bukë saçi, kulaçin e grurit në vatër, zienin mishin, apo e piqnin në hell qengjin ose kecin. Nënat, gratë apo vajzat, përgatisnin gjellën, ndërsa mishin e pjekur e përgatisnin burrat, apo djemtë. Pranë mbanin edhe bijat, bijtë, mbesat e nipërit, që i ndihmonin dhe njëkohësisht mësonin se si duhet gatuar dhe përgatitur!

Mishi i pjekur në helli është ushqimi tradicional i Shqipërisë së Jugut dhe i Labërisë, sidomos mishi i qengjit dhe kecit.

Gjellët tradicionale të Labërisë dhe sipas stinëve janë edhe: Byreku, disa lloj, Harapashi, i gatuar me të brendshme qengji, Rosnicat e skuqura me zog vendi, ose zogu shqirak, Dollma, Rosnicat e bardha, Reshedia, Revania, Yshmeri, Qullapitja, Bakllavaja, (Samësi) sidomos ai me sherbet mjalti.

Por, edhe Urrëla, ajo me produktin; qumësht deleje, mbajtur në lëkurët e bagëtive dhe e përdorur sidomos në stanet e stinët e vjeshtës dhe të dimrit, janë ushqimet karakteristike, të zonës sonë, që plotësojnë sofrën tradicionale, të cilat janë ruajtur, dhe kanë ndryshuar gradualisht.

Pija alkoolike tradicionale në zonën e kësaj bashkie është sidomos rakia e nxjerr nga rrushi, koçimarja, por ka në menunë e pijeve edhe raki të nxjerr nga Mëni, Manaferrat, po edhe nga Kumbulla, jo me shumicë.

Territori i kësaj bashkie mundëson dhe favorizon zhvillimin e turizmit, duke u shtrirë në një terren mjaftë të favorshëm: fushor, kodrinor e malor, me lumenj, liqene, pyje dhe kullota, vende me vlera antike, historike, kulturore dhe turistike, të begata, me tradita zakonore, të cilat i ruan, i zhvillon dhe promovon edhe kjo bashki, për të qenë një vend atraktiv, i vizitueshëm si nga turistët vendas dhe ata të huaj./atsh

Vlorë/ Promovohet në panairin e Kotës “Trashëgimia Gastronomike” e Labërisë Read More »