Intervista

Sabit Brokaj: Sali Berisha dhunën dhe vrasjen i ka bashkudhëtarë në karrierën e tij si politikan. Arsyeja përse Llalla u arratis drejt Turqisë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar dje zhvillimet më të fundit politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Brokaj ka dhënë detaje se përse ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka zgjedhur Turqinë për t’u arratisur. Sipas tij, lëvizja e Llallës drejt Turqisë është e paramenduar, pasi ai synon që përmes azilit t’u shpëtojë hetimeve dhe akuzave të ngritura për të.

Sa i takon pretendimeve të Partisë Demokratike se kryeministri Edi Rama përmes Ministrisë së Brendshme po survejon kreun e opozitës Lulzim Basha, ish-ministri i ka quajtur ato si shpifje mjerane. Sipas tij, PD-ja ka nisur këtë fushatë shpifjesh me audio-përgjime, Babale dhe survejime, sepse është një parti pa vizon dhe pa ide. Duke komentuar thirrjet e Berishës për dhunë, Brokaj akuzoi ish-kryeministrin Berisha se dhunën dhe vrasjet i ka bashkudhëtarë në karrierën e tij si politikan. Dhe për këtë, ai vuri në dukje masakrën e “2 Prillit” 1991 dhe “21 Janarin”, dy ngjarje që sipas tij janë shkaktuar nga Berisha.

-Zoti Brokaj, të enjten u mbajt seanca e radhës në Kolegjin e Apelimit ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, por ky i fundit nuk ishte i pranishëm dhe u njoftua se ndodhet në Stamboll. Në gjykimin tuaj, pse mund të ketë shkuar në shtetin turk?

Në gjykimin tim, ikjen e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla drejt Turqisë, e shoh si një mundësi për t’u strehuar dhe larguar nga hetimi dhe gjykimi. Turqia është bërë një vend i zakonshëm për njerëzit e sërës së Sali Berishës për t’u strehuar dhe qëndruar atje. Atje ka qënë dikur dhe ish-kreu i SHISH, Bashkim Gazidede, si dhe Agim Shehu, etj, etj. Kështu që Llalla ka ikur në gjurmët e atyre meqenëse veprimtaria e tij, është thuajse e njëjta si e Gazidedes dhe Shehut, apo edhe të tjerë beniaminëve të Saliut.

-Pra, sipas jush ish-kryeprokurori Llalla po tenton të përfitojë azil politik nga frika e hetimeve që po bëhen në Tiranë?

Adriatik Llalla ka vajtur në Turqi për azil politik. Për mendimin tim ai prandaj ka udhëtuar drejt Turqisë, pavarësisht se është tjetër gjë se sa do të ia arrijë ta realizojë që të përfitojë azil. Pra gjithë synimi i Llallës është që t’i shmanget hetimeve dhe të qëndrojë atje. Fakti që ish-kryeprokurori e largoi me kohë familjen e tij nga Shqipëria, tregon qartë që çdo gjë ai e ka bërë me paramendim. Pra çdo njeri normal duhet të gjykojë që Llalla e largoi familjen qëllimisht, pasi më pas do bënte dhe lëvizjen tjetër duke ikur vetë. Kështu që është në atë linjë të menduar dhe këshilluar prej kohësh, madje veprimi i tij është edhe i diktuar edhe nga bashkëpunëtorët e tij.

-A duhet të mbajë përgjegjësi ish-kryeprokurori për dështimin gjatë 5 viteve në krye të organit të akuzës? Kjo pasi premtoi disa herë se do arrestonte pushtetarë të korruptuar dhe sot të gjithë ish-ministrat me dosje janë të lirë.

E kam thënë kaq herë dhe vijoj ta përsëris që kryeministri Edi Rama duhet ta kishte hequr Adriatik Llallën nga kryeprokuror, qysh në fillim të mandatit të tij të parë. Madje, për mendimin tim Rama duhet ta çonte në Kuvend Llallën që të jepte llogari për dështimet e tij dhe më pas ta shkarkonte publikisht Parlamenti. Në 5 vite detyrë, Adriatik Llalla nuk ka bërë asgjë dhe do të mbahet mënd dhe do hyjë në gjenezën e historisë si kryeprokurori më i dështuar që ka pasur Shqipëria, për shumë arsye. Llalla gjatë kohës që ushtronte postin e kryeprokurorit ka qenë vetëm në shërbim të Saliut dhe Partisë Demokratike dhe nuk ka bërë asgjë të mirë për këtë vend. Kështu që është e tepërt të thellosh më tej analizën, sa i takon gjykimit të punës së tij.

-PD të premten hodhi akuza ndaj policisë se është duke survejuar dhe përgjuar kreun e saj, Lulzim Basha. Si i shihni këto pretendime dhe pse do i interesonte policisë të survejonte liderin demokrat?

Lëvizja e fundit e Partisë Demokratike me të ashtuquajturat audio-përgjime, video-përgjime dhe survejimi, siç është pretendimi më i fundit i PD që gjasme policia po survejon Lulzim Bashën, është e vetmja mençuri e kësaj partie në konotacionin negativ, që të bëjë dhe shpikë sa më shumë budallallëqe. Pra të gjitha këto janë jashtë PD-së në njëfarë mënyre, pasi në qoftë se vërtet Partia Demokratike kërkon të vijë në pushtet duhet të organizohet, duhet t’i ofrojë qyetarëve program, duhet tju mbushë mendjen se është një parti demokratike, me vizion dhe me vlera, madje edhe një parti me perspektivë që ofron potencial qeverisës.

Por meqenëse Partia Demokratike nuk ka asgjë nga këto që sipërpërmenda, venë tek zakoni i vjetër i filluar qysh në vitin 1990 dhe 1991, shpif, shpif dhe vetëm shpif. Kështu që kësaj partie i kanë mbetur reflekset negative të krijimit të kësaj force politike. PD di vetëm të shpifë dhe trillojë se nuk ka asnjë mënyrë tjetër. Vetëm se në gjykimin tim këto shpifjet e fundit si gjasme survejimi i Bashës apo rasti i “Babales” janë nga më idiotet.

Për arsye se shteti nuk ka nevojë të survejojë apo të përgjojë kryetarin e opozitës, në një kohë kur lideri i minorancës mbrohet me ligj nga Ministria e Rendit, me njerëz me të gjitha. E çfarë do t’i gjesh Bashës që ta përgjosh. Kanë ndërmend ata të bëjnë ndonjë grusht shteti dhe po përgjohen!!!??? Kështu që pretendimet e demokratëve janë vërtet si përgjimi i Babales. Është mjerane teksa shikon që opozita e një vendi është katandisur në këtë farë derexheje. Prandaj si përfundim unë ndjej keqardhje për opozitën dhe sjelljen e saj. Madje, edhe neveri për mënyrën se si po bën opozitë.

-Ditët e fundit kemi parë dy qëndrime brenda opozitës: Nga njëra anë është kreu demokrat, Lulzim Basha, i cili është kundër dhunës. Dhe nga ana tjetër kemi ish-kryeministrin që nxit revoltë. Pse Berisha është gjithmonë për dhunë?

Protesta e opozitës ishte e koordinuar. Por mos harrojmë që protestuesit mësymën para Ministrisë së Brendshme. Nuk vajtën atje me dëshirën e Lulit, pasi mënyra pse u thirr protesta të forconte bindjen se ata do të shkonin atje. Por realiteti është më i thellë, kështu që nuk ka asnjë dyshim që organizatori dhe regjisori është Berisha. Berisha dominon PD-në sot. Më lejoni tju sjell në vëmendjen tuaj rastet kur Saliu ka qeverisur këtë vend.

Sali Berisha gjithmonë në karrierën e tij politike është udhëhequr nga dy parime: “Dhuna dhe Vrasjet”, binom i cili i ka dhënë luksin që të mbajë pushtetin. Kini parasysh “2 Prillin” e vitit 1991, që është ingaurimi i marrjes së pushtetit me dhunë nga ana e Berishës, në kuptimin që sabotuan zgjedhjet normale dhe realizuan të parakohshmet duke ia faturuar krimin e tyre, i cili u urdhërua nga Berisha në adresë të partisë tjetër që ishte në pushtet.

Më pas Berisha të njëjtën gjë ka bërë gjithmonë, duke ardhur tek viti 1998, kohë kur Saliu bëri grusht shteti për të marrë pushtetin. Kështu që në kodin e Saliut dhuna dhe vrasjet për të marrë apo mbajtur pushtetin janë. Është tjetër gjë pastaj momentet kur arrin t’i realizojë ai. Kini parasysh edhe një tjetër fakt, “21 Janari”.

Dhe ajo vrasje për pushtetin ishte. Asokohe Berisha kishte synim të asgjësonte opozitën, madje ta implikonte si të përfshirë në nxitjen e trazirave, vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin. Kështu që nuk ka asgjë të jashtëzakonshme dhe jashtë strategjisë së Berishës. Berisha sa të jetë në politikë, gjithmonë do të synojë të shkaktojë dhunë në këtë vend.

-Si e shihni faktin që PD-LSI kanë filluar të sulmojnë shumë fortë reformën në drejtësi?

Është absurde të sulmosh reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi është një nga reformat më të mëdha të ndërrmara nga ana e qeverisë. Kështu që sa i takon vetingut, kam bindjen se ky proces do të skualifikojë shumë gjyqtarët e prokurorë, madje nuk kam asnjë dyshim për këtë. Çdo gjyqtar dhe prokuror i korruptuar duhet të përjashtohet nga sistemi dhe të ndiqet penalisht nëse ka abuzuar me detyrën. Ka ardhur koha që në Shqipëri të ndërtohet një sistem drejtësie profesional dhe i pavarur.

– Kryeministri Edi Rama dhe ministri Bushati kanë folur për prezencë të ndikimit rus. Sa të rrezikuar jeni ne?

Ne jemi vend anëtar i NATO-s kështu që Rusia e ka të vështirë të penetrojë. Por duke parë që ka elementë të kësaj natyre, ku Rusia ka shtrirë tentakulat në shumë vende, për rrjedhoje frika ekziston, dhe pa diskutim mund të gjesh.

-A mendoi se dhe Shqipëria duhet të ndjekë shembujt e rajonit për të nisur arrestimet në nivele të larta?

-Mendoj që me ngritjen e reja të organeve të drejtësisë duhet të nisin arrestimet e zyrtarëve të lartë që i kanë bërë gjëmën këtij vendi duke e vjedhur dhe plaçkitur. Arrestime e ashtuquajtura “VIP” do të shëndoshin imazhin e Shqipërisë tek sytë e ndërkombëtarëve, duke treguar më në fund që ne jemi të denjë të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar deri në embrion. Megjithatë, na duhet të presim që ta shikojmë këtë realitet.

Sabit Brokaj: Sali Berisha dhunën dhe vrasjen i ka bashkudhëtarë në karrierën e tij si politikan. Arsyeja përse Llalla u arratis drejt Turqisë Read More »

Monikën e “gënjen mendja” sfidon Ramën: Ja bashkitë që do të humbasë për shkakun tonë

Në emisionin ‘’Të Paekspozuarit’’ në Top Channel kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka bërë një analizë të zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm. Sipas saj, PS-ja do të humbasë të gjitha baskitë që i ka fituar LSI-së. Bëhet fjalë për baskitë e Fierit dhe Lushnjes  të cilat janë bastione të socialistëve. Këto dy bashki PS-ja i ka fituar para koalicionit me LSI-në.

Fjala e Monika Kryemadhit

“Do t’ju jap vetëm një analizë të qarkut të Fierit, që quhet bastion i së majtës.

Bashkinë e Fierit e kanë fituar me 1600 vota diferencë ndaj kandidatit Alibeaj, ku ndërkohë ishte edhe LSI.

Tani nuk po them për të gjithë votat e LSI-së të 2017-së, por vetëm me gjysmat e tyre, ra Bashkia e Fierit.

Bashkinë e Patosit e kanë fituar me 300-400 vota bashkë me LSI-në.

Nuk po të them lëvizin gjithë votat e LSI-së nga Patosi, por me vetëm gjysmat e atyre, iku dhe Bashkia e Patosit.

Roskovecin e kanë fituar me 600 vota bashkë me LSI-në, hiqi gjysmat e votave që ka fituar LSI në Roskovec në 2017-ën, ra dhe bashkia e Roskovecit.

Po kështu dhe Bashkia e Lushnjes, po kështu dhe bashkia e Divjakës.

Pra konkluzioni është, LSI, Partia Demokratike dhe të gjitha partitë e tjera të frontit opozitar, komunistë, demokratë, ballistë, legalistë, se këtu nuk është çështje ideologjie, këtu është çështje fronti kundër krimit dhe kundër drogës, kundër varfërisë së shqiptarëve, të cilët po i kthejnë shqiptarët në skllevër të krimit të organizuar, po i kthejnë shqiptarët në emigrantë në vendin e tyre, do e mundin PS-në.

S’ka më këtu bindje politike. Këtu është një front i përbashkët kundër të keqes më të madhe, që ka një emër Edi Rama, krimi i organizuat.

Prandaj ky front pa dallim feje, ideje dhe krahine, ka vetëm një qëllim. Të rrëzohet Edi Rama, sepse ai nuk përfaqëson gjë tjetër, por përfaqëson atë strukturë kriminale që varfëroi Shqipërinë”, tha Kryemadhi.

Monikën e “gënjen mendja” sfidon Ramën: Ja bashkitë që do të humbasë për shkakun tonë Read More »

A do të dorëhiqet Rama? Përgjigjia e tij për median franceze

Kryeministri Edi Rama është shprehur se në Shqipëri është bërë tashmë e modës që të kërkohet dorëheqja e numrit një të qeverisë dhe se kjo gjë bëhet rregullisht që kur ka ardhur demokracia. Gjatë një interviste për “France 24” Rama tha se vendi ka rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe se kjo është arsyeja përse KE rekomandoi hapjen e negociatave.

Pjesë nga intervista:

Është plagosur një gazetar në Shqipëri…

Nuk është një lajm që duhet të zërë faqet e para të gazetave ndërkombëtare.

Nuk keni ndërmend të dorëhiqeni?

Të kërkosh dorëheqjen e kryeministrit në Shqipëri kjo ndodh shpesh herë. Shqipëria ka parë manifestime më të mëdha.

Keni rezultate konkrete në luftën kundër drogës?

Kemi shumë rezultate që janë themelore. KE nuk do të bënte rekomandimin pa kushte të hapjes së negociatave në të kundërt. Jemi të ndërgjegjshëm se ka ende për të bërë. Nuk jemi duke trokitur në dyert e BE për tu bërë anëtarë, por jemi duke u përgatitur për hapjen e negociatave. Kjo është një punë në vazhdim

Europa po vuan nga kriticizmi…

Po, vjen nga brenda BE-së. Ka shumë arsye dhe një prej tyre është më themelorja: sot Europa po jeton një çast që brezi i ri i sotëm nuk e ka njohur luftën. Unë isha ministër kulture kur patëm një luftë të tmerrshme kur u detyruan që 600 mijë shqiptarë të Kosovës u detyruan të vijnë në Shqipëri.

A patët përshtypjen se në Samitin e Ballkanit dyert e BE-së u hapën për ju?

Nuk bëhet fjalë për zgjerim, por për të shkuar drejt thellimit të Unionit përpara se të zgjerohet. Si dhe një thellim të reformave përpara se të bëhemi anëtarë.

A do të dorëhiqet Rama? Përgjigjia e tij për median franceze Read More »

Gazetari Jetmir Olldashi nuk del garant: PD ta vërtetonte autenticitetin e përgjimit, nuk isha aty kur Babalja foli me vëllain e ministrit!

Gazetari Jetmir Olldashi ka treguar gjatë emisionit Ajsberg rrugëtimin e tij në Vlorë, takimin me Albert Veliun dhe dilemat që kishte në lidhje me investigimin që e çoi drejt Agron Xhafajt, vëllait të Ministrit të Brendshëm.

“Vendosa të mos shkoj më tek se mendoja që nuk mund të mos shkoja pa rrezikuar kokën. Në një moment, mendova se Babalja edhe mund të fliste se kishte shkuar me mua në Vlorë për të bërë një emision televizin dhe mund të nxirrte disa gjëra rreth identitetit tim dhe kjo bota e nëndheshme mund të ndjehej e rrezikuar dhe nuk e di çfarë mund të më ndodhte mua.

Në këto kushte vendosa t’i drejtohem Partisë Demokratike.

Ky ishte momenti. Më pas nuk është se pata ndonjë kontakt apo dëgjova më për këto materiale, biles mendova se PD mund ta vërtetonte autenticitetin e zërit a ku di unë se çfarë, se unë nuk kisha qenë prezent kur Babalja kishte folur me vëllain e ministrit të brendshëm.

Kur doli përgjimi mu kthye në kujtesë kjo çështje dhe kuptova se rreziku ishte po aty se vecse kishte qenë punë e imja, tashmë isha në mes të një lufte politike.

Ata donin të qëronin hesapet me njëri tjetrin dhe unë isha në mes.

Një natë në të gdhirë, mora një telefonatë dhe më thanë se kemi gjetur Babalen dhe do të të takojë ty, që t’i bësh një intervistë.

Pyeta ku? Dhe më thanë tek Partia Demokratike. Shkova se mendova që intervista do të transmetohej në Ajsberg.

Partia Demokratike vendosi ta publikojë vetë u shpreh Jetmir Olldashi.

Autenticiteti i përgjimit është në fakt pika më e fortë e debatit nëse personi tjetër që flet me Babalen është apo jo Agron Xhafaj dhe vetë gazetari qartësisht nuk del garant në lidhje me këtë moment të investigimit.

Gazetari Jetmir Olldashi nuk del garant: PD ta vërtetonte autenticitetin e përgjimit, nuk isha aty kur Babalja foli me vëllain e ministrit! Read More »

Historia prekse e të internuarit: As nuk i qanim dot “armiqtë” e pushkatuar pa gjyq! (Video)

Edhe pse ishte vetëm 9 vjeç, Adnan Nasufi nuk mund ta fshijë nga kujtesa 16 shtatorin e vitit 1946.

Një grup prej shtatë vetësh, ish-xhandarë dhe oficerë të regjimit të Zogut, u pushkatuan rrëzë një kodre në Dobrovë të Peshkopisë, mes të cilëve xhaxhai dhe daja i tij. Edhe pse një fëmijë i pafajshëm në atë kohë, kujton me dhimbje se që nga ai moment nisi persekutimi.

Edhe nuk mund t’i qanim, se na thoshin për kë po qani, për armikun”, tregon Adnan Nasufi.

E mban mend mire vendin ku u ekzekutuan pa gjyq ata. Por të nesërmen nuk mund të shkonin të merrnin as kufomat e tyre.

“Këtu te agjencia e transporteve ka qenë një gropë dhe tani është mbushur. Po nuk mund t’i kërkojë, ishte absurde t’i kërkoje”, shprehet Nasufi.

18 vite internime nga njëri kamp në tjetrin. Ka provuar edhe burgun e Spaçit edhe atë të Qafë Barit, por si më të tmerrshmin kujton kampin e Tepelenës.

“Ka qenë çnjerëzor. Jetonim në kazerma ushtarësh në dërrasa, pa dyshek. Na jepnin vetëm 400 gram bukë. Shkonim në shkollë dhe kur ktheheshim nuk kishim ç’të hanim më”, shprehet Adnan Nasufi.

Adnani tregon se tortura vazhdoi edhe pas mbaruan viteve të dënimeve dhe persekutimeve.

“Po edhe kur u kthyem, as njerëzit tanë nuk na flisnin, as dorën në rrugë nuk na jepnin. Nuk na ftonin nëpër dasma se kishin frikë”.

Por ka peng se jo vetëm ai dhe vëllezërit dhe motra nuk mundën të arsimoheshin, por dhe fëmijët e tij u privuan nga arsimi.

“Shkollën e mesme e bëra natën kur isha 45 vjeç. Ditën shkoja në punë, natën në shkollë. Por dhe fëmijët e mi nuk i lanë të bëjë gjimnazin. Shkonin në shkollë bujqësore”.

Në shtatëshen e Dobrovës u pushkatua pa gjyq edh gjyshi, i cili i kërkon me çdo kusht qeverisë gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve pa gjyq. E ka amanet nga nëna e tij.

“Ne kërkojmë të gjenden me çdo kusht eshtrat. Kanë gjetur varret e ushtarëve në Ersekë, të grekve dhe të italianëve. Duhet të gjenden pasi dikush ka firmosur. Nëna ime ka ndërruar jetë. Amaneti i saj i fundit kanë qenë gjetja e eshtrave të babës tim. Nuk ka as vëlla, as motër”, thotë Erion Doda, i persekutuar.

Dibranët nuk reshtin së kërkuari eshtrat e të pushkatuarve pa gjyq gjatë regjimit komunist, të cilët nuk janë pak.

“Kemi shumë të pagjetur. Halil Alinë e kanë vrarë në Kukës dhe e kanë varrosur atje, eshtrat nuk janë gjetur. Lushët nuk janë gjetur, Kalosht nuk janë gjetur. Janë rreth 100 që nuk janë gjetur”, tregon Ilmi Spata, shoqata e të përndjekurve politikë.

Në Dibër janë 295 të pushkatuar një pjesë e të cilëve as dëmshpërblimet nuk i kanë marrë. /Top Channel

Historia prekse e të internuarit: As nuk i qanim dot “armiqtë” e pushkatuar pa gjyq! (Video) Read More »

‘Çfarë nuk ju punon më si dikur’? Kejvina vë në siklet Parodistët e Vlorës (foto)

Parodistët e Vlorës, Afrimi dhe Agroni janë të ftuar sot në “Xing me Ermalin”, ku me batutat e historitë që kanë treguar i kanë bërë të gjithë të qeshin, por siç dihet pyetja më pikante vjen nga Kejvina e cila i ka vënë në siklet sot të ftuarit.

“Çfarë nuk ju punon më si dikur në shtëpi?”, i pyeti Kejvina Afrimin dhe Agronin të cilët fillimisht u habitën nga pyetja dhe qëndruan pa folur.

Pasi u mendua pak, Agroni u përgjigj: “Grirësja e mishit”.

“Pajisjet elektronike në fakt janë vjetëruar duhet t’i ndërrojmë”, tha Afrimi.

‘Çfarë nuk ju punon më si dikur’? Kejvina vë në siklet Parodistët e Vlorës (foto) Read More »

Sonte e mësuam fatkeqësinë e tij! Aktori që dikur na ka bërë të qeshim me lot, sot nuk flet më pas operacionit

Emocione pafund sonte në “Xing me Ermalin”! Ku të ftuar ishin dy humoristët e njohur të grupit Parodistët e Vlorës, Afrimi dhe Agroni të cilët prej dekadash kanë bërëtë qeshin të gjithë shqiptarët. Por dy parodistët e tjerë, Muhameti dhe Mane nuk ishin në studio.

Për Manen, Afrimi dhe Agroni treguan se ai fatkeqësisht nuk flet më për shkak të një operacioni në grykë.

“Ishte viti 2004 dhe ndodheshim në Amerikë për turne. Mane u vizitua në një klinikë private dhe u konstatua që kishte një masë në fyt dhe duhej të operohej patjetër. I hoqën komplet të gjithë kordat. Mane nuk flet më. Gëzon shëndet të plot dhe nuk mungon në shfaqjet tona. U trondit kur e mori vesh, ishte moment i vështirë. Kur doli nga doktori ishte shumë i shqetësuar. I kishin thënë që kishte tumor”, treguan Afrimi dhe Agroni.

Sonte e mësuam fatkeqësinë e tij! Aktori që dikur na ka bërë të qeshim me lot, sot nuk flet më pas operacionit Read More »

Historia që bëri edhe Arbana Osmanin që qajë me pikë loti: “Të premtoj që nuk do të të lë vetëm…”

Emocione pafund mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”, i cili u hap me një histori të jashtëzakonshme, plot dhimbje.

Protagonisti kryesor i kësaj historie i shkroi redaksisë së programit për të falenderuar nënën birësuese dhe për të mundësuar për herë të parë një takim me nënën biologjike.

Në pjesën e parë të programit, Blerimi dhe Sabahetja (nëna e tij birësuese) na vërtetuan edhe një herë se prind nuk është ai që të lind, por ai që të rrit.

Blerimi ishte fëmija i birësuar i Selaminit dhe Sabahetes, pasi çifti nuk kishin mundur të kishin një fëmijë. Frika se mos ai largohej dhe i linte vetëm për të gjetur prindërit biologjik e kishte ndaluar çiftin që t’i tregonin të vërtetën.

Djali i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për të falenderuar mamanë e tij dhe për t’i premtuar që edhe pse babai kishte ndërruar jetë ai do të qëndronte përherë me të.

Blerimi me lot në sy dhe tepër i emocionuar iu drejtua nënës së tij me këto fjalë: “Nëna ime e shtrenjtë, u bënë dy muaj që babai ka ndërruar jetë, por doja që sadopak të të bëja të lumtur. Çdo gjë që keni bërë për mua e keni bërë nga zemra dhe jo nga mëshira. Babai me të vërtetë ndërroi jetë, por shtëpia jonë është plot. Unë të premtoj me gjithë zemër që atë dhimbje që ke do të të bëj ta harrosh dhe të premtoj që do të të qëndroj gjithmonë afër siç më ke qëndruar ti mua.“

Gjatë leximit të letrës së shkruar nga Blerimi, Sabahetja ishte tepër e emocionuar dhe nuk mundi t’i përmbante lotët.

Por Blerimi përveç falenderimit që i bëri Sabahetes, kishte kërkuar nga programi “Dua të të bëj të lumtur” edhe që të gjenin mamanë e tij biologjike. Programi e kishte gjetur dhe e kishte ftuar atë në studio

Historia që bëri edhe Arbana Osmanin që qajë me pikë loti: “Të premtoj që nuk do të të lë vetëm…” Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com