Nga Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI , Angjelo KAZO
Të takosh historinë
Moti kish shkundur supet e vesuar dhe kish hedhur vellon e jeshiltë. Malet kishin hequr qeleshen e bardhë të dëborës. Në këmbët e tyre jeta rrjedh e qetë. Zhurmojnë veç rrugët nacionale e qendrat urbane.
Fshatrat presin udhët që të “zgjohen”. Pasi kalon ujin e Ftohtë të Tepelenës dhe Shkallën e Zezë përhapet një dritë e ndritshme e luginës së Drinos. Në të majtë lamë Hormovën e kapedanëve dhe të historisë, ku pak kohë më parë Sheh Hysen Hormova kishte zhvilluar një takim mbreslënës. U kthyem djathtas. Morën rrugën që gjarpëron drejt Shtëpëzit, vendi ku u mbajt kuvendi historik i prillit 1914, ku kapedanët lidhën besën për luftë ndaj andartëve grekë. Ka kaluar një shekull dhe Shtëpëzi është mes gjelbërimit me kokën “pështetur” në faqe të malit. Ai ngjason me bedenat e një kalaje të stërlashtë. Vellua e jeshile e hijeshisë e qetësisë, e Shtëpëzit na fton si në një ballkon të luginës së Drinos. Pushteti i dukshmërisë është si në pëllëmbë të dorës, nga Lekëli në Kakavijë. Përballë tij, hijerëndë manastiri i Cepos, vendi i Zotave, një karakoll mijravjeçar i ngjarjeve heroike, me kuvende, ku “shkruhej” e ardhmja labe e shqiptare.
Në të djathtë lugina e lumit të Kardhiqit kullon bardhësi dhe që përfundon me qafën e Skërficës dhe atë të Shtufit. Mali i Gjerë, i Lucës, i Pusit mbyllnin horizontin me rryma të freskëta mëngjesi, që pasojnë me ditë të shndritshme të mbushur me diell. Fshatrat e Labërisë në shekuj kishin qenë gjerdan në kuvende. Sa herë binte briri i luftës lebrit, gjirokastritët, lunxhiotët, tepelenasit e përmetarët ishin bashkë, sikurse thotë polifonia, lidhur “si fishekë gjerdani,/kush na prek i humbet nishani”. Kështu ishin mbledhur dhe para një shekulli, në fillim të prillit 1914 paria e kuvendi të kapedanëve dhe prijësave. Nga Fushëbardha Halil Sullo, legjenda e pushkës, burrërisë dhe mendjemprehtësisë së bashku me katër djem fushëbardhas: Dalip Kondi, Surja Tefa, Rizal Muho e Sejdi Baho. Nga Golëmi ishte kordinatori i katër çetave Solo Beqiri, luftëtar trim dhe i mençur. Nga Zhulati Hazhi Zeman Muxhai, luftëtari kombëtar Çerçiz Topulli, trimi dhe luftëtari i paepur Hasan Xhiku, legjenda e të gjithë luftrave me osmanët, grekun e italianin e 20-tës, Selam Musa Salaria etj. Prijësa e kapedanë të tjerë shkuan në kuvendin e Shtëpëzit, nga Kurveleshi i sipërm dhe Kardhiqi. Në takim ishin edhe kapiteni holandez De Ëaal, lejtnanti Juljus Sonne dhe ekipi mjekësor i përbërë nga ushtarakët Tido Reddinguis, Van Vliet dhe civili De Groot.Takimi i Shtëpëzit u inicua nga hollandezët mbështetur nga një batalion xhandarmërisë shqiptare. Qëllimi ishte që të vëzhgohej nga afër tërheqja e ushtrisë greke dhe rivendosja e autoritetit të shtetit shqiptar nën drejtimin e V.Vidit. Në fakt ishte direktiva e Fuqive të mëdha. Ushtria e grekut po tërhiqej nga Picari, Fushëbardha e Kardhiqi. Urdhëri i fuqive të Mëdha ishte që ata të dilnin jashtë kufirit të njohur të “Shqipërisë londineze” të miratuar nga Konferenca e Ambasadorëve. Takimi i Shtëpëzit ishte përzgjedhur në kohën e vendin e duhur. Shtëpëzi ishte një vendkomandë lufte në faqe të malit, që priste e përcillte kapedanë, ku lidhej besa si gjerdan i gatshëm për beteja. Kuvendi i Shtëpëzit ishte besë për lirinë. Burrat e bashkuar në idealin e lirisë lidhën besë që do të zinin pikësëpari të pesë shtigjet e Labërisë por shtegu i parë ishte qafa e Skërficës. Ata u bashkuan kundër synimeve të qeverisë autonomiste të Vorio-epirit me seli në Gjirokastër. Foli kapedani i çetës së Fushëbardhës Halil Sullo, i cili kërkoi nga hollandezët vetëm armë dhe municion. Gjithë burrat e fshatit ishin të gatshëm për luftë. Kishin vetëm pak mauxer, maliher e disa nagantë, një pjesë e tyre të fshehur në Qafë Dardhë që të mos i gjenin ushtarët e Xhavarrës (komandant i postës greke në 1914). Këto anë nuk kishin pasur ndonjëherë ndihmë shteti deri në këtë periudhë. Për herë të parë shikonin dhe mjekë hollandezë në Labëri. Personel mjekësor tradicional kanë qenë nënat labe dhe ilaçet popullore si melhem për plagët si dhe shehlerët, hoxhallarët e ca “doktorë” pleq e plaka që mjekonin me mjete rrethanore. Foli Sulo Beqiri, Kapedan Çerçizi, Xhaferi nga Gusmari, Latifi nga Progonati… “Fermani i kuvendit të Shtëpëzit” ishte i qartë: “…të mbyllet me çdo kusht e me çdo sakërficë Skërfica, kjo portë e moçme e Labërisë nga kapedan Halili dhe burrat e Fushëbardhës, Zhulatit e Rrëzomës, por edhe luftëtarë të tjerë. Kapedan Sulo Beqiri me çetat e tij u vendos nga Manastiri i Cepos, Qafa e Shtufit, Gryka e Kaparielit dhe Rehovës, Jomenin dhe me radhë.. gjithë shtigjet e Kurveleshit dhe të Labërisë”. Krismat për lirinë përcjellin historinë në një krahinë e treve luftarake të pa nënshtruar ndaj çdo pushtuesi. Ishin këta prijësa dhe çetat e tyre që përbaltën akademikët ushtarakë fqinjë, që hodhën në koshin e plehrave të historisë strategjitë e tyre, përfshi edhe ata ushtarakë grekë që kishin studiuar në akademitë gjermane. Kishin kaluar gjithë jetën me armë në dorë. Takimi pati dhe romuze, kur oficerët hollandezë kërkonin t’u mësonin lebërve artin e luftës dhe armët. Nuk e dinin se shqiptarët kishin lindur me armë. Lebërit ishin mjeshtra kur merrnin nishan në zemër dhe dinin t’i dërgonin plumbat në lule të ballit. Djalëria e labërisë këpuste dhe fijën e gjalmit me plumb. Dyfekun e kishin zanat. “Mësimi” i armëve në Shtëpëz nga lejtnanti Juljus Sonne i njohu me arsenalin e armëve të andartëve grekë që pothuaj ishin që të gjitha i markave bavareze gjermane me pushkë gjysëmautomatike, mitroloza e armë artilerie, topa të kalibrave të lehtë e të mesëm, por dhe thikat (bajonetat). Depërtojmë në gojëdhënën popullore, në arkivën e përjetshme të shqiptarit, por dhe në fondet dokumentare gjejmë ende krismën e betejave popullore të 120 burrave në Fushëbardhë, 60 burrave në Zhulat, 170 luftëtarëve të Golemit, 100 vetë të Lekëdushit, 80 vetë të Gusmarit, 46 burra të Rexhinit, 110 burra të Nivicës dhe çdo fshati të Labërisë. Çdo betejë në Labëri është një epope.
Udha historike në luginën e Kardhiqit
Tek Ura e Kardhiqit, ku rrahin erërat e shekujve ka një tabelë-kilometrazh: “Fushëbardha 17 km”. Një stacion ku janë ankoruar malet e bukuria. Në të djathtë ura që bashkon brigjet dhe lejon të rrjedhin ujrat e bardha të Belicës që derdhen në Drino. Ujrat e maleve të krahinës së Kardhiqit derdhen tek këmbët e kalasë së lashtë të Palokastrës që daton bashkë me romakët. Lugina e lumit të Kardhiqit është një histori më vete. Është një “portë” natyrore, me çelësa tek Qafa e Zenele. Ky është “check point” (pikëkontrolli) i Cepos. Belica ose lumi i bardhë përshkon luginën e Kardhiqit, “mbledh” në një shtrat grykën e Kaparielit, rrëketë e malit të Pusit, lumin e Fushëbardhës, Çullunarin, grykën e Honit e Piriun, rrëketë që zbresin nga mali i Pusit, Grykës së Shurit, Gramatisë, lumit të Piksit, Qafës strategjike të Skërficës, etj. Udhëtim përmes kënaqësive e bukurive mahnitëse. Zogjtë, lumi, fëshfërima e erës, gjelbërimi masiv “flet” me gjuhën e vet. Bregu i Shehe, Çepuna e Zenelaj, vendbanime të lashta e të reja. Historia i njeh si “tuma” ilire. Në një shekull janë jetësuar pranë erës së urbanizimit. Më tej fshatra me rëndësi historike si Plesati, Kardhiqi, Prongjia, Kakodhiqi, Taronina, Zhulati e Fushëbardha. Peizazhi natyror e historik përzihen. Vende-vende natyra është dehëse me lule erëmirë në detin e gjelbërimit. Rruga ekzistuese dikur gjithë gumëzhimë është “e lodhur”. Rruga e re që do të lidhë Urën e Kardhiqit me Skërficën e Sarandën, “përton” të shtrojë transe të re. Koridoret e shtigjeve të lashtë kalojnë përmes gryka malesh që presin të gjallërohen sërish. Nga antikiteti e mesjeta nga kaonët ilirikë, molosëve epirotë të Pirros, maqedonasve të Aleksandrit të Madh, romakëve, sllavëve, osmanëve, grekëve, italianëve, gjermanëve panë e provuan të kalonin Skërficën, këtë “patkua strategjik”, shtegun e parë të Labërisë si një ndër pesë shtigjet e stërralltë të Labërisë. Punimet pesë vjeçare të rrugës së re kanë shkuar deri në këmbët e Kardhiqit, kanë çarë fushën e Kakodhiqit.
Banorët e pakët të fshatrave gjysmë të braktisur nuk e besojnë javashllëkun që po shton shpopullimin dhe padurimin. Ka pasur dhe disa investime për shtëpitë e tyre, por që të gjithë banorët e ish banorët janë sy e vesh mbi të rejat e rrugës. Shumëkush pyet: “-Ku janë fshatrat me emër e histori si Fushëbardha, Zhulati..? Ku është jeta e gjallëria e dikurshme?” VKM-ja që mundësuan fushëbardhasit në maj 2005 për rrugën e re Ura e Kardhiqit-Sarandë vetëm 37 kilometra, e cila do lidhë dy shtigje të Labërisë Kardhiqin dhe Skërficën pranë Fushëbardhës, do rindezë shpresat e turizmit malor në një zonë me bukuri e peizazhe mahnitëse. Vetëm me rrugë turizmi malor do gjejë shtëpinë e vet.
Cepua si vendkomandë lufte dhe vend peligrinazhi
Manastiri i Cepos është ndriçim i memories historike të Labërisë për besimin e hershëm kristian të krahinës së Labërisë. Manastiri ka qenë në vijimësi shtëpia e kuvendeve. Historikisht kapedanët e prijësat mblidheshin poshtë shpatit verior të Malit të Gjerë, një prerje shkëmbore dhe një pikë dominuese strategjike midis Kardhiqit dhe Luginës së Drinos. Kurveleshi, Kardhiqi, Fushëbardha, Tepelena, Lunxhëria, Picari, Kolonja, Golemi. Këtu ishte parlamenti i fjalës dhe besës.
Manastiri në Cepo njihej nga vendasit dhe të huajt, për pozicionimin gjeografik strategjik, si vendi i shenjtëruar i besimit, i bekimit dhe i faljes. Këtu ishte selia kundër të gjithë pushtimeve.. Në 1914 mori flakë dyfeku kundër andartëve të etur për tokë e gjak. Cepua ka pritur e përcjellë gjithmonë luftëtarë legjendë të njohur të Jugut të Shqipërisë si Çerçiz Topulli, Halil Sullo, Hasan Xhiku, Sulo Beqiri, Çelo Picari, Barjam Prongjia (Ligu), Hito Labi (Lekdushi) etj. Kënga e ka përjetësuar: “Cepo moj te manastiri,/Gjëmon pushka, buçet briri,/Sokëllin Sulo Beqiri,/Sa dëgjohej nga Erindi/E nxori pallën nga milli/ Se na rrethoi qafiri/U vra Vejo Strokë trimi,/Halo Godua lule prilli,/Elmaz Jaçe bojëmiri..”. Por kjo kala natyrore u shfrytëzua për kuvende e luftra në të gjitha brezat. Edhe gjatë LANÇ këtu u shkrua epope heroizmi e mençurie nga bijtë më të mirë të krahinës si Riza Veipi, Dilaver Poçi, Mustafa Matohiti, Karafil Bello, Shefqet Peçi, Adil Çarçani, e shumë të tjerë. Pas luftës strategët ushtarakë shqiptarë të mësuar në shkollat më prestigjioze të botës, e bënë Cepon kazermë ushtarake, vendkomandë. U ruajt tradita si vendgrumbullim luftëtarësh, si pikë referimi për kuvendet e brezat dhe ndërtimin e jetës. Nën këmbët e Cepos janë Plesati e Prongjia. Dielli i rreh vetëm në Perëndim në mbretërinë e heshtjes së manastirit me kishë bazilikë me kupolë, hajat, trapezari, hambarë etj., ku jo të gjitha mbijetojnë. Përballë vendlindja e Çelo Picarit, më tej Kolonja, Rehova e Golëmi i Çobo Golëmit. Trima e burra të mëdhenj të krahinës. Çelo Picari ishte djali i hallës së Çobo Golëmit. Të dy bashkë kur vinin në qafë të Skerficës për në Kurvelesh lanin këmbët e kuajve në burimet e Skërficës, që balta e moçalishteve të mos vinte në Labëri. Çelua dhe Çobua anulluan planin e zhvendosjes së Kurveleshit me arsyetimin: “A do donit që atë baltë kur të vdisni ta hidhni mbi trupin tuaj?” Populli këndonte: “Kur dil Çobua në Skërficë,/Të ligjtë bijnë e vdisnë,/Hajde sylesh i syleshit,/Del i pari i Kurveleshit,/Del Çobua me pallë sheshit..”. Rruga ecën paralel me lumin e kristaltë të “Joshe”. Prongjia e identifikuar me emrin e Bajram Ligut (Prongjisë), i cili vrau bimbashin e Gjirokastrës bashkë me Hito Lekdushin (Labin) më 1908 dhe shkroi histori në vigjilje të Pavarësisë. Zhurmëmadh në dimër “Kollopanashi” ku në bashkim me Belicën është një lapidar i 7 gushtit që përkujton batalionin partizan “Asim Zeneli”. “7 gushti” është zëvendësuar me “takim brezash” në Fushëbardhë, Zhulat… që vijë të shuajnë mallë me gjithçka të mirë të trashëguar në shekuj. Humelica, Zhulati e Kardhiqi janë “guri i rëndë” krahinor i së shkuarës. Fshatra me bedena, me qytetari të hershme, që nuk ngjasojnë. Humelica në kodër me gjurmë kishash, Zhulati në gropë me kalanë mbi kokë me gjurmë krishterimi, Kardhiqi në brinjë paralel me kalanë me gjurmë xhamish e tyrbesh. Historiani Halil Inalxhik (Hicri 835 Tarihli Suret-i Defter-i Sancak-ı Arvanid, Ankara: TTK, 1954) sipas Evlia Çelebia, Pukëvili..etj. Kalatë e muret e kështjellave kanë “harruar” të shkuarën, janë braktisur e tjetërsuar. Dritaret e dyert e banesave, pragjet, dyshemetë, tarracat, qemerët e gurit, kullat me frëngjitë, oxhakët kanë humbur mesjetarizmin. Urbanistika e karakteristikat, shkëlqimi dhe “madhështia” janë përkulur sikur duan të kërkojnë ndjesë. Në literaturën gazetareske: “Atë që nuk e bëri hakmarrja e Ali Pashës dhe luftërat e bënë vitet 90-të dhe skamja. Pukëvili, konsulli francez i Napoleon Bonapartit në Oborrin e Ali Pashë Tepelenës, shkruante për mbijetesën në shekuj e banorëve të zonës së Kardhiqit e Zhulatit.. Po sot? Kardhiqotët fshatarat e saj arianë në kohë të Alarikut që shkatërruan Epirin, kristianë ortodoksë kur perandorët e Kostandinopojës zotëronin Epirin, katolikë gjatë invazionit të normanëve dhe katalanëve, myslimanë pas pushtimit të Epirit prej osmanëve; ju fshehën pushtuesve edhe pse me veshje e identitet kaon. I mbijetuan hakmarrjes mizore të Ali Pashë Tepelenës, që afro 40 vjet pas çnderimit të Hankos, më 1812, rrethoi Kardhiqin dhe fillimisht ekzekutoi 60 burra të parisë kardhiqote. Aliu shkroi histori mizore në Kardhiq, në hanin e Xharahajve në Valare, për “faljen e madhe vëllazërore”, që në fakt ishte hakmarrja më e çmendur e shekujve me vrasjen e masakrimin e 705 burrave kardhiqotë. Nuk u përfillën as këshillat e komandantit mirditor Ndrek Gazulli. Thanas Vaja ishte nënshkrues i masakrës, dhe kënga e përjetësoi: “Mu te pusi i Valaresë,/I biri i Hanko kapesë,/Vrau shtatëqind e pesë..”. Historia mbart lavdinë, luftrat, fitoret, dëshmorët, tregon “bardh e zi” mizoritë, brengat, tmerret e tragjeditë. Të gjitha udhët të çojnë tek historia. Idriz Sulli, parlamentari i kanunit dhe sharteve labe është autor i dy kuvendeve madhështore, kuvendin e Besës në Senicë dhe atë të rrepeve të Agait (1773) pranë qytetërimit zhulatas dikur me kala, akademi e bibliotekë të famshme. Brezat mësojnë nga autorë si Ismet Elezi, Marko Koroni, Eqerem Vlora, Ramiz Harxhi, Riza Runa, Agim Hila, Bardhosh Gaçe, Bernard Zotaj, Albert Zholi, Laver Stroka, Rahmi Memushi, Arif Kazo, Mitat Kondi, Resul Bedo, Tamaz Kondi, Zeqo Cama, Muzafer Pula, Xhemil Çeli, Sejmen Gjokoli etj. Nga Taronina duket qartë Zhulati, ku një burrë të ulur këmbëkryq në mes të fshatit, si në kuvende, një perandor që ishte brenda rrapit shekullor të Zhulatit, por që e zbuloi me finesë artistike artisti Murat Shuquri Këraj më 17 gusht 2013. Kalaja “majë kodrine”, pa mure e gurë, por vetëm me ca radhë guri. U grabit në shekuj. Andartët më 1914 i rrëmbyen kambanën e sahatin për të shuar historinë. Zhulati quhej Julius/Zhul.. dhe heraldika botërore e njeh si kaproll në arkivat e Venedikut. Çelebi “Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, me 200 shtëpi .. Kalaja e Zhulatit madhështore si kalaja e Kordusit ose Benefshes në Peloponez, u ngrit nga mbreti i Spanjës dhe ka ndërruar “pronarë”, me Dukën e Venedikut, në shekullin e Bajazitit me Qedik Ahmet Pasha; në shekullin e XVII u sundua nga “Çarçanët”, (titull osman). Çarçanajt janë Gjikaj të Qeparoit, Senicës e Fushëbardhës. “Çarçanët”, komanduan edhe kalanë e Zhulatit.
Në fushëbardhën historike e lapidare të memorialeve
Në këtë trevë padyshim më i madhi është Papa Zhuli burri dhjetë shekullor. Në Taroninë një lapidar kujton të shkuarën luftarake, por dhe vetë duket sikur ka dalë nga LIIB. Në Taroninë mushkëritë zgjerohen nga ajri si parfum mali që të gudulis fytyrën.
Para një çerek shekulli korierja e më vonë autobusi i Skënder Veliut, qëndronte çdo mëngjes në këtu, ku merrte “racionin” e Zhulatit, 10 vende të rezervuar në autobus drejt Gjirokastrës. Rruga gjarpëron grykës së Çullunarit në fundin e Hingës, emër i gjetur në zhargonin popullor. Kemi hyrë në Fushëbardhë. Ndihemi ndryshe. Gjaku lëviz me natyrshmëri e gjallëri. Takojmë vendin e këngës, trimërisë, mençurisë, për të cilën këngëtari virtuoz fushëbardhiot Murat Nelo Cama këndon: “Fushëbardhë nuk ka më lartë,/Këtu zoti derdhi mjaltë,/ Të dha bukuri e dije,/Mbretëreshe labërie…”..“Trimëri guxim i labit,/Për kët’ popull fisnik/Fushëbardha lapidare,/Por dhe Qafa në Skërficë…” Emri “Mbretëreshë Labërie” i takon princit të polifonisë pilurjotit me rrënjë Lefter Çipa. Ai erdhi i pari ta prekte memorialin “Fushëbardha 2014”.
Fshati e vendbanimi historik ku ka jetuar Papa Zhuli, themeluesi i Kanunit të Labërisë, është i njohur edhe pse 933 vjet më parë në qershor 1081 u realizua dhe marrëveshja e parë në Labëri. Papa Zhuli edhe me këshillën e të urtëve të krahinës bëri pakt me ushtrinë e Boemundit (sipas revistës “Shejzat” Romë 1957). Udhëtari që zbret në Fushëbardhë e gjen vet emrin e fshatit. Fusha e bardhë flet shumë me dy lapidarë, një çezmë me emblemë dhe domethëniet e shekujve për ngjarjet. Monumentet dhe rrapi “monument kulture” tregojnë për luftë e qëndresë, për sakrificë e mbijetesë shekullore, për unitet njerëzor, dikur kanunor, përbën një kompleks vlerash të kulturës shpirtërore të bashkësisë labe, që ngjan si kala qindravjeçare të ndërtuar gur mbi gur, si monument i kulturës materiale, dhe të bashkarisht në unitet të pandarë si pjesë përbërëse e kulturës së kombit shqiptar. Jeta dhe e drejta zakonore janë të gdhendura dhe përbëjnë unitet vlerash zakonore; lirinë, barazinë, nderin, besën, mikpritjen, solidaritetin njerëzor..
Në Fushëbardhë nuk rreshtin gojëdhënat për Papa Zhulin, për mençurinë…për të drejtën zakonore labe. Historiografia nuk e ka thënë plotësisht fjalën e saj për këtë figurë të rëndësishme të Kanunit të Labërisë gjendet qysh atëherë dhe ka vepruar në praktikë krahas monokanunit bizantin, pavarësisht se ende nuk janë gjetur dokumente arkivorë. Një personalitet i kulturës labe e më gjerë studiuesi i apasionuar Fitim Çaushi, e analizon historinë përmes vargjeve të këngës si një nga këngët më të vjetra dhe më të bukura: “Lum, o bir, Petro Zhulati,/Kal i kuq sa gjysmë shpati,/Me Bizant të zu inati,/Ç’i bëre gjithë ata trima,/Me kuaj si vetëtima,/Jataganët vringëllima”.
“Fushëbardhë 2014” – memoriali i luftës, qëndresës dhe mbijetesës
Përpara na shfaqet me përmasa të pabesueshme Memoriali “Fushëbardha-2014” në qendër të fshatit, i veçantë në llojin e vet, që mbart historinë e një shekulli më parë, që mbart emocion, mendim të thellë, vërtetësi e vlerë të lartë artistike. Ai flet për betejën në Qafë të Skërficës, në këtë istikam natyror, ku çeta bëri një qëndresë heroike për një javë rresht ditë e natë nga 20 deri në 26 qershor 1914. Memoriali fletë për bashkim e burrëri, për qëndresë dhe mbijetesë. Skërfica u kthye në një xhephane të vërtetë lufte. Rezistenca ishte mjaft e fortë dhe pati përgjakje nga të dy palët. Memoriali të kujton luftën që u bë fillimisht nga 11 fushëbardhas si detashment zbulimi i përparuar në Gurët e Bashe, tek Shpella e Dhespinës, Shkëmbi i Kaze, Nomeja e Qershisë, Përroi i Shametit, Qafa e Trullave, Gropa e Dërrasës poshtë Gramatisë, Vrahull e deri në Qafë të Skërficës. Memoriali flet më shumë se 1000 fjalë për luftën e Skërficës në një patkua strategjik të gozhduar në të dy anët e malit në darën e malit të Gramatisë dhe të Pylloit.
Memoriali përjetëson Skërficën dhe burrat e shquar që u trupëzuan njësh me të në emër të lirisë: Halil Sullo, Dalip Kondi, Halil Nora, Rizal Muho, Sejdi Baho, Surja Tefa, Cenko Onjea, Mete Jonuzi si dhe 60 të plagosur që shkruan faqe heroizmi që u gdhend në panteonin e kombit.
Memoriali përmban dhe Haxhi Muxhain nga Zhulati; … që ranë dëshmorë në një xhephane të përbashkët lufte për Labërinë, por dhe dëshmorë të tjerë që jetën e bënë fli për atdheun. Dokumenti “dëshmor” i përket vendimin Nr. 162 datë 30.11.1979. botuar në librin “Dëshmorët e Atdheut”, me rastin e 100 vjetorit të shtetit. Memoriali përmban histori, luftë, qëndresë e mbijetesë. Në të janë të shkrira motivet, etapat, mendimi unanim i djemëve të Fushëbardhës, nderim për brezat e sakrificave sublime. Kënga “Fushat me lule, malet me dëborë,/Qaj moj Shqipëri, ulëri e gjorë,/Gratë e Kurveleshit nisen për në Vlorë..” është në çdo grimcë të memorialit. Dëshmitari okular, Ramiz Harxhi nga Gjirokastra, ka publikuar një shekull më parë në Amerikë të vërtetën për “Betejën e Skërficës: “Në luftën e rreptë, q’u bë në Skërficë,/Ku, kundër një tufe, luftoi një pakicë,/Grykën e Skërficës, shtegn’e Labërisë,/Ç’e kishin rrethuar shtazët e Greqisë….Trimërisht luftuan me rrëmbym sa s’thuhet,/Sa q’ajo betejë as mund të përshkruhet, /Të pavdekur janë gjith’ata luanë,/Që për nder të kombit u grin’e u vranë”. Skërfica është shtegu i udhës së lashtësisë, si pjesë e strategjisë së mbretërve. Në 230 p.e.s Antigonea. Qafa e Skërficës kjo fortesë natyrore ishte dhe në planet luftarake të kalimit ushtarak për të sunduar në Foinike, kryeqytet i epirotasve. Mbreti Skerdilaid, komandant ushtarak dhe sundimtar i shtetit ilir (217-205 pes), që ishte kunati i Teutës së Durrësit, 23 shekuj më parë, i solli fitoren Mbretëreshës Teuta mbi foinikasit. Skerdilaidi manovroi trupat në Skërficë dhe bashkë me Teutën për krijimin e një Fronti të Adriatikut kundër Romës. Skërfica ishte porta ku vendosej fati i luftës. Zotërimi i Butrintit, Onhezëmës (Saranda) erdhi pas marshimit të Skerdilajdit me ushtrinë në ngushticën e lumit të Kardhiqit, në Fushëbardhë dhe në Skërficë. Historiani grek Polibi, shkruan: “Kur kaonët morën vesh se Skerdilajdi me 5000 luftëtarë ilirë po vinte kundër tyre nëpër tokë, duke kapërcyer ngushticën e Antigonesë, dërguan një pjesë të forcave të tyre për të mbrojtur këtë qytet”. Më vitin 198 p.e.s., mbreti Filipi V u nis për të pushtuar “ngushticat e Antigonesë”, por në planet e luftës kishte dhe “portën” e Skërficës. Historiani romak Tit Livi, shkruan: “..ushtria romake e udhëhequr nga konsulli romak Tit Kuinkt Flamini, e ndihmuar edhe nga një bari vendas që dinte shtigjet, goditi nga pas shpine kampin maqedon në anë të lumit Aos (Vjosa e sotme).
Në shekuj Fushëbardha e Skërfica ishin dhe mbetën çelësi magjik në shtegun e parë të Labërisë. Në gjoksin e grykës së Skërficës u “gozhdua” kujtesa e luftës si ngjarje lapidare e madhore e fillimshekullit të XX. Misioni i thjeshtë, por i madh e i shenjtëruar: “ruajtja e tokës shqiptare”. Lufta zgjati nga 20 deri më 26 qershor 1914. Çeta e Fushëbardhës kishte edhe djem nga Zhulati, Golemi, Picari, Libohova, Gjirokastra, Delvina, Rrëzoma që në total shkonin mbi 120 luftëtarë. Komandoheshin nga Halil Sullo në shtegun e parë të Labërisë. Luanët flisnin me grykën e maliherit ndaj pesëqind andartësh. “Kali i Trojës”, nuk mundi të mposhtë “Patkoin strategjik” të Skërficës deri në largimin e gjithë banorëve drejt Vlorës. Fushëbardha e Skërfica të lidhura pazgjidhshmërisht nëpër shekuj. “Patkoin strategjik” të Skërficës e “zbuluan” për herë të parë dhe u ndeshën legjonet romake, Pirrua i Epirit tregoi muskujt në emër të forcës dhe krenarisë kaone, duke bërë që të lartësohej lavdia e forca e madhështisë ilire. Në Skërficë me marrëveshje me Papa Zhulin kaloi Boemundi, por u bë shteg i pakalueshëm për gjithë hasmët e të pabesët e Shqipërisë. Skërfica dhe Fushëbardha si binjake historike në mbretërinë e Zotave. Shkalla e Bregu i Erëzës bashkë me qafën e pesë priftëre janë mbushur me legjenda e mite që i pështjell Lëmëthi me mistere historike. Ato janë dëshmitare nga kaluan romakë, bizantinë, venecianë, osmanë, grekë etj. Vëndasit u ndeshën me perandoritë në Gjashtë, Lëkurës, Sarandë, Delvinë, Rrëzomë në të gjithë Kaoninë. Liria, dinjiteti, krenaria kanë shoqëruar në shekuj luftëtarët Fushëbardhas, zhulata.. në barikadën e shekujve. Ndaj u bënë barikadë për andartët e 1914-ës. Nuk harrohet “përqafimi” bajonetë më bajonetë e thikë më thikë më pushtuesit në Skërficë. Kaonia, Labëria, Fushëbardha ecin… në rrugën e prosperitetit.
Dëshmorët e djeshmja dhe e sotmja bashkë. Rruga aty këtu ndriçon nga gurët e shndritshëm fosforikë, që Fushëbardha i ka me bollëk. Ngjan si bulevard pedonaleje e ndriçuar me drita të “mbira” nga dheu. Ato rezatojnë vetëm lartë. Dëshmorët e 14-ës, luftëtarët e tjerë në Skërficës nuk bënë pakt me dredhinë, sepse nuk u zihej besë të pabesëve. Dëshmorët u trupëzuan me kalanë natyrore të Skërficës, portën e parë të Labërisë. Ata ngelën në panteonin e kombit e memorien popullore të Kardhiqit, Rëzomës, Labërisë, mbarë kombit shqiptar. Fushëbardhën e kishte mbuluar një mbrëmje magjike ku tingujt e muzikës çanin muzgun. Hëna që sapo nxori synë mbi majin e Lucës si ta dinte që ishte festë nuk e linte fshatin të flinte. Fekste habitshëm mbi lapidarët e dëshmorëve, mbi sheshin e fshatit, shkollën, rrapin, çezmën e re, shtëpi më shtëpi dhe e kishte kthyer natën në ditë!.. Diku larg një lehje qeni, një këngë këndezi, një zile mushke, një blegërimë qingji… Çezma “thërmon” ujin me gurgullimë… Gjithçka flet. Yjet e hëna kuvendojnë gëzueshëm, vallëzojnë dorë më dorë shtegtojnë larg…Sami Frashëri shprehej: “Njerëzit i bëjnë të përjetshëm veprat”. Memoriali i 100 vjetorit të luftës, dëshmorëve të Skërficës dhe kontributit në luftë për liri e pavarësi flet shumë, thjeshtë e qartë.
Nisma ka autorësi: “Shoqata “Fushëbardha”, Çuli, Trifoni, Nexhipi, Pajtimi, Banushi, Tiku, Teli, Flamuri…skulptori i talentuar Murat Këraj. 16 gushti 2014 po afron.. Këngë e monumente të reja sërish do ngrihen në Fushëbardhë, por memoriali i luftës, qëndresës e mbijetesës për betejën e Skërficës do tregojë gjatë shekullit XXI dhe në shekujt e tjerë.