Histori

Shkuan për të shembur Kishën e Laçit/ E pabesueshme çfarë u ndodhi 32 ushtarëve. Edhe shkenca nuk e shpjegon dot

Në vitin 1981, një grup ushtarësh nga toga e Drojës në Laç shkuan për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit, në Kishën e “Shën Ndoit”.

Për herë të parë, shembja kishte ndodhur në vitin 1967, kohë kur shteti komunist i asaj kohe i shpalli luftë besimit fetar.

Edhe pse një pjesë e godinës ishte shembur pjesërisht, besimtarët gjatë viteve shkonin ende, gjë që për regjimin ishte një shqetësim. Për këtë motiv, ushtarët morën urdhër të asgjësonin muret, në mënyrë që askujt të mos i shkonte në mend për të bërë pelegrinazh.

Pasi rrëzuan një pjesë të rrethimit, toga prej 32 vetash mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë në mënyrë të pashpjegueshme. Disa ushtarë u dërguan nga pushteti popullor i kohës për kurim në Austri, për 6 muaj, ndërsa të tjerët në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Të gjithë mbetën me pasoja, duke u ngritur në këmbë vetëm pas një trajtimi intensiv të gjatë. Fenomeni mbeti i pashpjegueshëm dhe u vesh me mister.

Historia u përhap shpejt në Laç, duke u treguar si diçka mistike. Pushteti i asaj kohe tha se fajin për ngjarjen e pazakontë e kishte ushqimi, si pasojë e një helmimi, po ky fakt nuk u pranua kurrë shkencërisht. Historia është ende e veshur me mister, edhe sot e kësaj dite… / Top Channel /

Shkuan për të shembur Kishën e Laçit/ E pabesueshme çfarë u ndodhi 32 ushtarëve. Edhe shkenca nuk e shpjegon dot Read More »

MESAZH I FUQISHËM PËR KOMBIN DHE GJUHËN SHQIPE

Revista  e përkohëshme (mujore) në gjuhën shqipe „ALBANIA“,e themeluar më 1896, në Londër,kerkojn të përmirësohet gjendja e popullit, sepse, kur është i pasur populli, kombësia mbahet e tëra, e fortë dhe e lirë…

Më 1906, Londër*

„Të mbahet e të rritet kombësia. Të lërohet e të zbukurohet gjuha, se gjuha është shenja e kombësisë. Të përmirësohet gjendja e popullit, se, kur është i pasur populli, kombësia mbahet e tëra, e fortë dhe e lirë.“

  • Revista „ALBANIA“, e përkohëshme (mujore) në gjuhën shqipe, e themeluar më 1896, në Londër./Njekomb

MESAZH I FUQISHËM PËR KOMBIN DHE GJUHËN SHQIPE Read More »

“Shqipëtarët prap do t’humbasin, se jemi komb i ftoht, ku sicilido menton për veten e tija…”

Artikulli që po ribotojmë sot në bota.al, me titull “Shqipëria dhe turbullirat e Ballkanit”, është botuar në gazetën e të madhit Faik Konica, “Albania”, në qershor të vitit 1903. Eshtë një analizë brilante, një përpjekje për të parashikuar atë që pritet të ndodhë – sipas tij së afërmi – në Ballkan: një luftë mes Bullgarisë, të mbështetur nga Mali i Zi dhe Serbia nga njëra anë, dhe Turqisë nga ana tjetër.

Lufta e Parë Ballkanike në fakt do të shpërthente 9 vjet më vonë, në po atë vit kur Shqipëria shpallte pavarësinë e saj. Ashtu si e kishte parashikuar Faik Konica në këtë artikull, shkaku i shpërthimit të luftës ishte dëbimi i Perandorisë Osmane, nga ana e një aleance të shteteve të Ballkanit, Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Dhe ekzaktësisht si e parashikon Konica i madh në artikullin e tij të pothuaj një dekade më herët, plani i radhës për këtë aleancë ishte ndarja e Maqedonisë dhe Shqipërisë. Gjë që ndodhi…

“Edreneja e dhënë Bullgarisë, s’na prish aq punë”, shkruan Konica. “Po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë – ç’i mbeti Shqipërisë?” Lexoni më poshtë tre skenarit që parashikonte Konica për atë që do të merrte emrin Lufta e Parë Ballkanike. Kush të dojë mundet edhe ta bëjë pjesë të argumentave të debatit shterpë që ka shpërthyer, mbi atë se sa kombe shqiptarë ka në Ballkan … / bota.al

“Shqipëria dhe turbullimet e Ballkanit

Shkruan Faik Konica

Albania, qershor 1903

Turbullimet ditë për ditë më të dëndura në Ballkan na shtrëngojnë ta lëmë për më pastaj kryeartikullin që kishim nër mënt të shkruajmë përmi Papën e math qi vdiq, e të flasim për punët më të tanishme e më të ziarrta të vëndit t’onë.

Lufta në mes të Turqisë e të Bullgarisë duket se do të kërcasë, e, kur të bierë ky numër i “Albanies” nënë syt’ e këndonjëtorëve, munt të ketë krisur. Po munt edhe t’a ndalojn fuqit’ e mbëdha. Në e ndalofshin, punët po thua do të mbeten si janë, veç qi do të ketë ca Bullgarë më pakë, liri më tepër për Bullgarët e mbetur e robëri e shtrëngim më të fortë për Shqipëtarët të cilëve, ç’do që në ngjaftë në Turqi, u ngarkohet kurdoherë faji. Po, si ka më tepër të ngjarë, lufta do të kërcasë, e ahere ç’do humbasë, ç’do t’fitojë Shqipëria? Këtë duam të rrëfejmë këtu në pakë fialë.

Tri punë munt të ngjasin në u-bëftë kio luftë. E para është që Turqia, e ndodhur balla-ballës me Bullgarinë vetëm, do t’a muntjë në tri a katër javë. Shqipëtarët, n’atë të ngjarë, do të vriten disa mijëra; tepërimet e ushtërisë së tërë, do t’u ngarkohen atyreve vetëm, si kurdoherë; edhe fuqit’ e mbëdha do t’i thonë Turqisë: “Tani që e munde Bullgarinë edhe q’u hoq reziku i kryeqities, mëso mënt edhe ji e dreqtë. Dreqtësia është t’u lësh Bullgarëve liri të hapin disa shkolla të tiera, nga ana e Elbasanit dhe e Tetovës (që t’i qasen, sa më tepër, detit), edhe t’u marrsh Shqipëtarëve gjer më të vogëlën thikë (çdo Shqipëtar e di sepse)”.

E dyta e ngjarë është që, për ndihmë të Bullgarisë, munt t’i çfaqin luftë Turqisë edhe Sërbia me Malin-e-Zi. Se kush i di udhët e errëta, lidhiet e mpshehta të Pansllavismit? Punë në të cilat s’i vete mëntja njeriut, munt të dalin sheshit nesër. Turqia, me ushëtarët e saj të pakënaqur nga uria, me zbrazien e thesarit, e më tepër me tradhësin’ e qeveritarëve të kryeushëtarëve të Turqisë të cilët, nëndë për dhietë, janë shërbëtorët e Pansllavismit (si e thotë me arësye atdhetari Naço), ka të ngjarë të mundet për gjysmë – sa do që Bullgarët e Principatit janë të paktë, shumë më të paktë pakë Malëzestë, Sërbët ngordhanikë më të zotërit për të vrarë gra pa armë se për të dalë në fushë, e sa do që kryeqitësit s’kanë miaft armë e përmbushie.

Edreneja e dhënë Bullgarisë, s’na prish aq punë”, shkruan Konica. “Po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë – ç’i mbeti Shqipërisë? Një pun’ aq’ e rëndë me të vështirë munt të ngjasë, vërtet; Turqia rrëfeu në luft të fundit me Rusinë se ka edhe forcë, e më në funt ka edhe disa fuqi të mbëdha qi munt të mos e lënë aqë leht të vënët e këmbës sllave afër anëve t’Adriatikut. Po Historia është plot me të ngjara të pa-pritura; sa punë duken të çuditëshme e të rënda më parë se të mbarohen, e, kur u-mbaruan, i duron sicilido duke thënë “u-bë tani, le t’a durojmë” – “s’incliner devant le fait accompli” thotë frëngu.

Prandaj, sido që në qoftë, prapë Shqipëtarët do t’humbasin, se jemi një komb i ftohtë, ku sicilido menton për veten e tija, e në një të tillë komb s’munt të lidhen ay bashkim e ajo marrë-vesh ku sicilido punon për të mirën e të gjithëve e të gjithë punojnë për të mirën e sicilitdo e janë gati për t’i bërë ballë me udhë (me methudhë do me thënë) rrezikut. Ata Shqipëtarët për të cilët bota thotë se janë t’egër, Shqipëtarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, për kundrë janë Shqipëtarë të mirë e do t’ishin atdhetarë sikur të kishin njerës t’u jipjin të kuptojin. Po të tillë njërës janë të paktë e të shtrënguar, pa bërë dot gjë, të shikojnë me zëmrë të shtrydhur se si humbet nji komb.

Eshtë nji e tretë e ngjarë qi munt të pritet. Turqia, e zonjë e Bullgarisë e gati t’u shtierë prush në shalë “Maqedhonasve” qi janë shkakëtorët e gjithë turbullimeve, munt t’i forcojë fuqit’ e mbëdha të hedhin disa mijëra ushtarë në Turqi t’Evropës. Kio ushtëri e huaj, si të lidhë në hekura gjithë qenat e tërbuar, do të përpiqet të ngrehë një shtetësi të vërtetë t’atyre vëndeve. Ahere, ndofta do t’na jipen edhe neve aqë (nukë duam më tepër) të dreqta sa edhe kombeve të tierë të Turqisë. E ja pse kio e ngjara e tretë është më e mira për ne./Bota.al

“Albania”, qershor 1903

“Shqipëtarët prap do t’humbasin, se jemi komb i ftoht, ku sicilido menton për veten e tija…” Read More »

Si ishin vajzat shqiptare në 1920? Një foto e rrallë

Gazetari Ilir Ikonomi ka publikuar një fotografi të viteve të ’20 të shekullit të kaluar. Aty ka sqaruar se fotoja është marrë prej koleksionit të amerikanëve Frank dhe Frances Carpenter.

Lexojeni të plotë sqarimin

Kjo fotografi mahnitëse, e titulluar “Pesë vajza që thurin”, është marrë nga koleksioni i amerikanëve Frank dhe Frances Carpenter, që gjendet në Bibliotekën e Kongresit dhe mund të vizitohet online. Duhet të jetë bërë në vitin 1920″>1920.

Frank Carpenter ishte gjeograf dhe fotograf që shëtiste nëpër botë dhe shkruante tekste gjeografie. Frances ishte e bija. Frank Carpenter është autor i rreth 20 librave të përmbledhur në serialin Carpenter’s World Travels, të cilët u bënë mjaft popullorë mes viteve 1915-1930.

Fotoja ka kapur në një moment sinqeriteti 5 vajza shqiptare që thurin me shtiza në Shqipërinë e pas Luftës së Parë Botërore. Carpenter i ka fiksuar të pesta të përqendruara në punën e tyre, por edhe të vetëdijshme për të huajin përballë që po i fotografon.

vajzat_1920

Si ishin vajzat shqiptare në 1920? Një foto e rrallë Read More »

Fakte që nuk i keni ditur: Sa ishte rroga e Enver Hoxhës?

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë detyrë nga 23 tetori 1944 deri më 19 korrik 1954 – plot nëntë vite e nëntë muaj e 26 ditë. Në librin e tij “Historitë e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, gazetari dhe pedagogu Roland Qafoku, i jep të njëjtën hapësirë edhe Enver Hoxhë, si edhe drejtuesve të tjerë të shtetit shqiptar. Veçse ai e përdor shumë rrallë përcaktorin “diktator”.

Enver Hoxhës i mjaftuan vetëm pak vite për të ngritur kultin e tij. Këtë e bëri jo vetëm me vrasje, arrestime e dënime, por edhe me vlerësime për veten e tij.

Vetëm në pak vite si kryeministër, ai mori 11 dekorata dhe urdhrat më të lartë që merr një shqiptar: Hero i popullit, Urdhër i Lirisë së Klasit të Parë, Urdhër i Flamurit, Medalja e Kujtimit, Urdhri Partizan i Klasit të Parë, Urdhër i Skënderbeut i Klasit të Parë, Urdhër i Trimërisë, Urdhri “Ylli i Kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit. Kulmi i vetëdekorimit arrin kur, vetëm një vit e 11 muaj si kryeministër, mori urdhrin “Hero Kombëtar”.

Që gjatë Rilindjes dhe me ngritjen e shtetit shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte heroi ynë kombëtar. Por më 27 nëntor 1946, Shqipëria bëhet i vetmi vend në botë me dy heronj kombëtarë. Me Skënderbeun dhe Enver Hoxhën. Dhe çudia vijon: bashkë me titujt dhe urdhrat e tjerë këta tituj vazhdojnë të jenë edhe sot që ka kaluar një çerekshekulli nga rrëzimi i komunizmit.

Kryeministër, ministër i Mbrojtjes, ministër i Jashtëm, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH, gjeneral kolonel, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura…

Askush nuk ka mbajtur njëkohësisht kaq shumë detyra në historinë e shtetit shqiptar. Por, sa e kishte rrogën Enver Hoxha? Revista “Time”, e vitit 1971, zbulon se Hoxha merrte dymijë lekë të rinj, ose me kursin e asaj kohe 240 dollarë amerikanë.

Enver Hoxha rezulton i vetmi kryeministër që ka bërë një vjershë gjatë kohës që ka qenë në këtë detyrë. Edhe Fan Noli si vjershëtor u mor me përkthime gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa Mehmet Shehu kishte hedhur në vargje impresionet e Luftës së Spanjës, por jo kur ishte kryeministër.

Muza e Enver Hoxhës u frymëzua nga një pikëllim i madh, për kë do thoni ju? Vdekja e babait të tij shpirtëror, Josif Stalin. Ja dhe vjersha që sot më shumë të bën për të qeshur: “Nënë buçet Shkumbini/ Djalo ka vdekur Stalini/ Mëndjethelli, zemërtrimi/ E kish caktuar Lenini/ Të forcohej komunizmi”.

Për 40 vjet, Enver Hoxha drejtoi me dorë të hekurt Shqipërinë. Afro 100 mijë është shifra zyrtare që jepet për ata që kanë vuajtur gjatë sistemit komunist, ose janë vrarë, ose janë burgosur apo internuar.

Ndërkohë, as në 10 vite si kryeministër dhe as në 30 të tjera si sekretar i parë i Komitetit Qendror, Enver Hoxhës nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë. Asnjë atentat, asnjë përpjekje, asnjë tentativë,
asnjë plan nuk është konfirmuar që një apo disa shqiptarë të synonin për ta eliminuar Enver Hoxhën.

Sa ironike është ajo që thotë Sulo Gradeci, kryetari i grupit të Sigurimit të Enver Hoxhës, për 30 vjet, në intervistën e dhënë autorit të këtij libri në vitin 2007: “Enverin e ruante i gjithë populli”.

Është më se kuptimplotë pyetja naive e një studenti tim të gazetarisë, në një orë leksioni: “Si ka mundësi që me tërë ato krime që ndodhën, si nuk e qëlloi dikush diktatorin, të paktën me llastiqe”?

E, megjithatë edhe diktatorët një ditë vdesin. Fati i keq i Shqipërisë që diktatori shqiptar jetoi gjatë dhe po i gjatë ishte vargu i viktimave që ai shkaktoi në katër dekada. Më 11 prill 1985, kur ai vdiq, ishte 76 vjeç, gjashtë muaj e pesë ditë. Por, duket se të gjitha pasojat e atyre që bëri Enver Hoxha i pati pas vdekjes.

Më 20 shkurt 1991, shtatorja e tij gjigante në sheshin “Skënderbej” u tërhoq zvarrë duke u shndërruar në simbolikën e rrëzimit të komunizmit. Mesnatën e 3 majit të vitit 1992, u zhvarrosën eshtrat e tij dhe u hoqën nga varrezat e Dëshmorëve të Kombit për t’i varrosur në Sharrë po atë ditë. Por, jo për të gjetur prehje.

Në 20­vjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës, Teuta Hoxha, nusja e djalit të tij, tha për “Tirana Observer”: “40 herë e kanë shkatërruar varrin e Enverit që pas vitit 1992. Ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta rregullojmë sa herë ata na e prishin”.

Por historia e varrit të Enverit nuk mbaron vetëm me eshtrat. Në vitin 1996, në kodrat e Liqenit të Tiranës, në kujtim të ushtarakëve anglezë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u përurua një memorial bashkë me varrezat e 100 pjesëtarëve të misioneve që u vranë në tokën shqiptare.

Gazeta “Tirana Observer” zbuloi në vitin 2006 se pllaka përkujtimore prej mermeri me ngjyrë të kuqe nuk ishte gjë tjetër veçse pllaka e varrit të Enverit që dikur qëndronte në varrezat e Dëshmorëve. Një çudi që vazhdon të jetë edhe sot dhe po çudi vazhdon edhe kokëfortësia e atyre që e kanë vënë dhe atyre që e kanë për detyrë ta heqin. /Panorama/

Fakte që nuk i keni ditur: Sa ishte rroga e Enver Hoxhës? Read More »

Cili kryeministër shqiptar vdiq nga mbidoza e kokainës?

Gazetari Roland Qafoku ka botuar së fundmi një libër historik me 33 kryeministrat, nga Ismail Qemali deri te Edi Rama.

Mes tyre është edhe kryeministri i pestë i shtetit shqiptar, Iljaz Vrioni, i cili dyshohet se vdiq nga mbidoza e kokainës. Ja çfarë shkruhet në libër për Vrionin

“Historitë e tejkalimit të alkoolit me Iljaz Vrionin ishin kthyer në histori normale në Tiranën e atyre viteve.

Pietro Kuaroni përshkruan këtë gjendje: “Ai pinte gotë pas gote, pothuaj me gërnje dhe pas pak fytyra e tij u bë baltë, goja iu var, qepallat plumb, ai ishte krejtësisht i dehur. E tillë ishte drama e Iljaz Beut: pija mbyllte brenda tek ai një lloj tërbimi.

Dhe ai e duronte keq alkoolin, kalonte orë të tëra duke përsëritur të njëjtat gjëra me atë këmbënguljen ngacmuese të të dehurve: e pamundur të merrje leje për të dalë, biseda kthehej në një kalvar”, transmeton lapsi.al.

E gjitha kjo u ngjante krizave: ai pinte ditë të tëra pa ndërprerje. Fillonte sërish në mëngjes për t’iu dorëzuar ekseseve të pasdarkes në mbrëmje. Pastaj, befas, bëhej esëll, rrinte dy apo tri ditë mbyllur në shtëpi ku e dëgjonim të grindej.

Shërohej si nga një sëmundje: përsëri i qartë, i gëzuar, simpatik, gjer në rifillimin e afërt. Por transferimi i Iljaz Vrionit në Paris në detyrën e ministrit kishte edhe një gjë më shumë.

Historiani amerikan, Bernd Fisher, e çon më tej degradimin me mbidozat të ish-kryeministrit. Sipas tij, jo vetëm alkooli, por edhe kokaina ishin ato që i dhanë një goditje në zemër Iljaz Vrionit.

Asgjë nuk mundën të bënin mjekët e spitalit “Sain Clus” në Paris për ta rikthyer në jetë. Ai vdiq më 17 mars 1938”- shkruan Qafoku në librin “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”./Njekomb

auto_krye_1446749858-69384921446754619

Cili kryeministër shqiptar vdiq nga mbidoza e kokainës? Read More »

Faik Konica: Ju rrëfej legjendat dhe të vërtetat për Skënderbeun

Nga Faik Konica

Asnjë rrëfim për vetitë luftarake të shqiptarëve nuk do të ishte i plotë pa përmendur Skënderbeun, heroin mesjetar të Shqipërisë, i cili për afër një çerek shekulli i mundi turqit e hatashëm nën udhëheqjen e dy sulltanëve të fuqishëm dhe vetë kurrë nuk u thye.

Në Shqipëri ai është bërë legjendar për pesë shekuj dhe gjithashtu e kanë quajtur me të drejtë “kampion i krishterimit”, titull ky që ia kanë dhënë papët e Romës, sepse ishte veprimtaria e tij për t’u bërë një ledh, që ndihmoi të shpëtonte Evropa e krishterë nga pushtimi turk, një katastrofë kjo që do të kishte qenë shkatërrimtare për botën e qytetëruar.

Ndoshta mënyra më e mirë për të vlerësuar Skënderbeun është t’u drejtohesh fjalëve që kanë thënë për të disa shkrimtarë dhe ushtarakë të shquar.

Diku në veprën e tij të vëllimshme Volteri ka guxuar të shprehet se sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453. Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kuebekut, ka thënë: “Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse”.

Autori anglez i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”, e rendit Skënderbeun me shtatë mbretër të pakurorëzuar të Evropës:

“… bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishterimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta iu bënë ledh për aq shumë vjet gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë veta për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë si numër mbi njëqind mijë”.

Vetë Sulltani Mehmeti II, pushtuesi i Stambollit, ka thënë një herë: “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”.

Sipas legjendës Skënderbeu, siç njihet me këtë emër turk Gjergj Kastrioti, lindi në vitin 1403 dhe, siç na thotë peshkopi Noli, por pa e besuar plotësisht, “e mori peng Muradi II në moshën nëntë vjeç. Kjo do të ketë ndodhur më 1412, meqë Skënderbeu kishte lindur më 1403″. Më pas peshkopi Noli shton duke e shpjeguar: “Por më 1412 në Turqi sundonte Mehmeti I dhe jo Muradi II, që erdhi në fron nëntë vjet më vonë, më 1421″.

Po ta ndjekim më tej legjendën, Skënderbeu u edukua në shkollat më të mira të Perandorisë Osmane, ku ai shfaqi një talent ushtarak të shquar dhe në mënyrë paradoksale, u bë njeriu më i dashur për Portën e Lartë.

Ishte ky djalosh nëntëvjeçar, që tridhjetë e një vjet më vonë u kthye në Shqipëri dhe i mundi turqit për afër njëzet e pesë vjet deri sa vdiq më 1468.

Në mendjen e lexuesit mund të lindë kjo pyetje: a është e mundur për një djalosh nëntëvjeçar, të rritur në luks, të trajtuar si hero dhe që i dhanë një titull princëror, t’i hidhte mënjanë këto gjëra tridhjetë e një vjet më pas dhe të kthehej për të shpëtuar vendlindjen nga bamirësit e tij?

Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të drejtë e të përshtatshme, derisa të mos kemi më shumë fakte konkrete, që mund të jenë diku, ndoshta në Bibliotekën e Vatikanit.

Peshkopi Noli e hedh fjalën, por nuk e shpjegon plotësisht këtë mister. Megjithatë ai beson me të fortë se Skënderbeu e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës nga viti 1412 deri më 1443 ose në Shqipëri, ose në kufijtë pranë Shqipërisë. Po të jetë e drejtë kjo teori, atëherë do të kemi çelësin për dashurinë dhe përkushtimin e Skënderbeut ndaj vendlindjes.

Po të pranohej se Skënderbeu kaloi tridhjetë e një vjet diku në Perandorinë Turke, çfarë shoqërie gjeti ai kur u kthye në Shqipëri?

Peshkopi Noli mendon, por nuk e përpunon më tej, se shtresat shoqërore shqiptare mund të kenë qenë atëherë këto: fshatarët e lirë në viset malore, një lloj sistemi feudal në tokat fushore pjellore dhe “qytete të lulëzuara” gjatë bregdetit.

Sipas peshkopit Noli, ka pasur disa “aristokratë të vegjël, ose më mirë prijës patriarkalë të malësorëve”. Por shumica e shqiptarëve kanë qenë të lirë, meqë “bujkrobëria dhe skllavëria as mund të mendoheshin për ta”.

Një vëzhgues i mprehtë ka thënë me mençuri: “Një shqiptar nuk mund të ishte një skllav”. Dhe lidhur me këtë, është mjaft interesante që: “Në tregjet e skllevërve të Turqisë askush nuk mund të blinte një shqiptar… sepse ishte e pamundur t’i urdhëroje ata dhe ishin tepër të rrezikshëm për pronarët e tyre”.

Vëzhgimet e mësipërme mund të shpjegojnë përse popujt e tjerë të Ballkanit iu nënshtruan Turqisë fare lehtë, ndërsa shqiptarët u bënë ballë me sukses turqve për një çerek shekulli.

Me gjithë fitoret e panumërta, Skënderbeu gjatë gjithë kohës ka pasur telashet e veta me kuislingë. Herë pas here krerë të tij e tradhtonin dhe bashkoheshin me armikun. Disa këmbëngulnin për “bisedime për paqe”, siç na thotë peshkopi Noli, por “Skënderbeu as nuk donte të dëgjonte për to. Megjithatë shpesh shumica mbizotëronte”. Paqja u arrit më 27 prill 1463, pikërisht pesë vjet para se ai të vdiste. Por më 27 nëntor të po atij viti ai e rifilloi luftën kundër turqve, që vazhdoi deri në vdekjen e tij.

Disa nga veprimet luftarake më të mëdha të Skënderbeut lidhen me përpjekjet e turqve për të pushtuar Krujën, kryeqytetin e tij. Përpjekja e parë për të marrë Krujën u bë më 1450 nga Murati II, i cili pësoi disfatë pas një lufte epike prej pesë muajsh.

Duke përshkruar madhështinë e rrethimit të Krujës, autori amerikan Agnes Replajer në një artikull me titullin “Skënderbeu”, botuar në “Catholic World” të dhjetorit 1889, shkruan: “Vetë përmasat në të cilat qe planifikuar pushtimi i Krujës, tregojnë se sa i thellë qe zemërimi i sulltanit dhe sa ngulmues qëllimi i tij. U mblodhën njëqind e gjashtëdhjetë mijë veta… ushtria pushtuese marshoi drejt Krujës, i mbuloi gjithë fushat përreth, përpara portave masive të kështjellës vendosi topat, që atëherë ishin një risi imponuese për punët e luftës, dhe i kërkoi garnizonit të dorëzohej. Ata morën një përgjigje sfiduese dhe osmanët sulmuan muret, por u zmbrapsën me një tërbim aq të madh, sa mbi tetë mijë jeniçerë ranë në luftim, ndërsa Skënderbeu fluturonte si shqiponjë mbi shkëmbinj, priti sa beteja të arrinte kulmin dhe atëherë u lëshua teposhtë mbi armikun e hutuar, i çau llogoret e tij, i vuri zjarrin fushimit dhe gjithçka para tij e shkatërroi dhe i vrau e i preu”.

Përpjekjen e fundit për ta marrë Krujën e bëri në korrik 1467 Mehmeti II, i biri dhe trashëgimtari i Muratit, pikërisht më pak se një vit para se vdekja ta hiqte heroin nga skena e betejës. Për këtë sulm peshkopi Noli thotë se Mehmeti “e la ushtrinë e tij të madhe të lirë dhe shkatërroi me zjarr e hekur çdo cep të Shqipërisë ku mundi të shkelë”. Por shpejt ai “e kuptoi se çmimi për repartet që binin në kurthe dhe i shfaroste Skënderbeu, ishte shumë i lartë” dhe … “u kthye në Stamboll i poshtëruar e i mundur”.

Gjithë autorët për Skënderbeun, që nga Marin Barleti e deri te Eduard Giboni dhe peshkopi Noli, kanë ngritur lart heroizmin e tij luftarak, por pak gjë është thënë për aftësinë e tij që të punonte me njerëzit.

Në kohën e tij Shqipëria ka qenë e ndarë në disa principata dhe çdo prijës ishte ziliqar e krenar, siç mund të jetë një shqiptar, për rëndësinë e vet në tablonë e gjërave.

Në këtë pështjellim e përleshje, që afrohej me anarkinë, erdhi Skënderbeu më 1443. Për të sjellë rregull në këtë kaos, ai thirri një kuvend të gjithë princave në Lezhë më 2 mars 1444, ku formoi Lidhjen e Princave Shqiptarë, duke u bërë vetë kryekomandant i ushtrisë së Lidhjes. Ishin më shumë se një duzinë princash, por me anë të diplomacisë e të shpirtmadhësisë ai ia doli t’i mbante ata të bashkuar derisa vdiq. Një njeri më i vogël nuk do t’ia arrinte dot.

Herë pas here disa prej tyre u lëkundën, por personaliteti i tij dinamik i mbajti ata të bashkuar fort si në mengene. Por mengeja u prish sapo ai u varros në Katedralen e Shën Nikollës së Leshit më 17 janar 1468. Pak kohë më pas Lidhja e tij u përça dhe bashkë me të ra edhe Shqipëria, për të mos u ngritur dot më deri më 1912, pas katërqind e dyzet e katër vjetësh.

Kështu Shqipëria qe vendi i fundit në Ballkan që iu nënshtrua turqve dhe i fundit që rifitoi lirinë e vet. /gazetatema.net/

*Marrë me shkurtime nga libri “SHQIPËRIA – KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE DHE SHKRIME TË TJERA). Zgjedhur e përgatitur nga prof. Nasho Jorgaqi.

Faik Konica: Ju rrëfej legjendat dhe të vërtetat për Skënderbeun Read More »

Shpella e shkruar e Lepenicës

Shpella e shkruar e Lepenicës

Bota ka vetem 28 vende te ketilla (që i perkasin një periudhe qe shkon deri ne 50.000 vjet me parë).

Sipas profesor Emmanuel Anati-t, drejtor i arkivit botëror të protohistorisë, këto piktograme kanë një vlerë të jashtëzakonshmedhe për të kuptuar origjinën e kulturës Europiane.
Sipas tij ekzistojne rreth 28 të tilla që i perkasin një periudhe rreth 15.000 vjet me parë në të gjithë zonën e kulturave indeoevropiane.
Sipas prof Anati-t:
Duke filluar që 50.000 vjet më parë, praktikohej përdorimi i shenjave abstrakte konvencionale dhe të ripërdorura më vonë në Mesopotami dhe Kinë më shumë se 5.000 vjet më parë…

Merita për zbulimin e Shpellës së Shkruar të Lepenicës, rreth viteve ’70, i përket Prof.Dr.Myzafer Korkuti. Po në këto vite realizohet dhe kopja që sot gjendet në Muzeun Historik Kombëtar, në sallën numer 1, ku fillon dhe Historia e Shqipërisë.
Përdorimi i piktogrameve në vend të tingullit të parë të fjalës quhet akrofoni dhe përbën hapin e parë në rrugën e krijimit të ALFABETIT ose të sistemit të shkrimit mbi parimin; “Një tingull – Një shkronjë”.
Egjyptianët përdornin akrofonet si një sistem bashkëtingëllor përkrah sistemit të tyre rrokjesor (silabik) dhe ideografik. Kështu, deri në në këtë periudhë alfabeti nuk kishte lindur ende.

Parimet akrofonike të egjiptianeve influencuan mjaft në shkrimin Protokanaitik dhe ate Protosinaitik rreth 1700 vjet para erës sonë.

30 shenja të tilla janë gjetur në minierën e Serabit-al-Khadim në Sinai dhe që përbëjnë një paraqitje të qartë të një alfabeti bashkëtingëllor në vend të një sistemi rrokjesor (silabik).
Tabelë ku paraqitete shkrimi protosinaitik:

Ky alfabet ishte paraardhës i atij Fenikas, prej te cileve e moren alfabetin edhe Greket e Latinet. Ndërkohë në Veri (Mesopotami) po kryhej një tjetër provë me alfabetin bashkëtingëllor. Gërmimet në qytetin antik Ugarit, sot Ras Shamra, nxorën në dritë tekste të punuara në shkrimin kuniform i cili ishte gjithashtu një shkrim bashkëtingëllor./Shpend Bengu

Shpella e shkruar e Lepenicës Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com