Histori

Dokumenti/ Historia e vajzës nga Gjirokastra, që u përdhunua nga ish-shefi i sigurimit

Një dokument sekret i vitit 1958, i Degës së Punëve të Brendshme të qarkut të Elbasanit zbulon një ngjarje të pazakontë për efektivët e Sigurimit të Shtetit.

Relacioni me firmën e kreut të institucionit, Gani Goxhi, “Mbi veprimtarinë e imoralitetit të organizuar në grup nga shefi i Degës Qatip L.”, e pohon qysh në mbititull thelbin e çështjes, që i përket një historie perverse, me një mori ndodhish e episodesh, të cilat fillojnë e mbarojnë me skena përndjekjesh e përdhunimesh, me skenarë të ideuar nga një zyrtar jo pak i rëndësishëm i Degës së Brendshme.

Ndër të tjera në këtë dokument flitet edhe për një vajzë nga Gjirokastra, me të cilën kishte abuzuar shefi i Degës, Qatip L. Ja çfarë shkruhet në këtë dokument.

“Në muajin korrik 1957, kapiten Qatipi ka marrë një vajzë imorale (minoritare) e quajtur Fotini nga Gjirokastra, me të cilën ka pasur lidhje edhe më përpara dhe së bashku me kushëririn e tij, Nevruz B., e çojnë nga rruga e trenit dhe aty bëjnë aktin.

Një herë tjetër po këtë femër e kanë thirrur në zyrë me pretekstin për t’i kontrolluar dokumentet, ku kanë mbajtur gjoja njëfarë procesverbali dhe pastaj e kanë nxjerrë jashtë dhe në afërsi të Degës së Brendshme, Qatipi dhe Nevruzi kanë kryer marrëdhënie seksuale me të”.

Dokumenti/ Historia e vajzës nga Gjirokastra, që u përdhunua nga ish-shefi i sigurimit Read More »

Pse Ali Pashë Tepelena i mbyti 18 vajza në liqen?

Janina apo Ioannina për fqinjët, vendi i lavdisë dhe rënies tragjike të Ali Pashë Tepelenës.

Mbi kodër, në pjesën perëndimore të qytetit, brenda kështjellës mesjetare gjendet varri pa kokë i Ali Pashait, i fortifikuar me një kupolë të hekurt.

Pranë tij thuhet se prehet Emineja, gruaja e parë dhe një foshnjë, eshtrat e së cilës janë zbuluar aty pranë, që thuhet të ketë qenë vajza, të cilët Pashai e mbyti pasi nuk donte fëmijë femra.

Pranë varrit është Xhamia e Fitores, e ndërtuar në rrënojat e një kishe bizantine më 1430 –ën. Formën e fundme ia dha Ali Pashai. Fotis Rapakusis, rrëfen për grupin e turistëve dashurinë e madhe që Ali Pashai kishte për gruan e parë Eminenë, me të cilën edhe pse pa kokë prehet pranë.

Thuhet se pas vdekjes së saj, Pashai dilte netëve dhe mbi varrin e saj lotonte.

Pamja piktoreske që ofron liqeni që rrethon kështjellën bëhet e zymtë nga legjenda se Pashai mbyti 18 vajza , duke i futur në thashë me grykë të mbyllur dhe lidhur me gurë…

Gjithçka nisi nga Zonja Frosina, gruaja pas së cilës u dashurua marrëzisht i biri i Ali Pashait, Muhtari .

“Frosina ishte e martuar me një tregtar. Kur iknin jashtë Pashai iu mbante familjet peng që të kishte sigurinë se ata do të ktheheshin. Frosina u lidh me djalin e Ali Pashës dhe kur u morr vesh kjo lidhje qe skandal për kohën”- rrëfen Rapakusis.

Gruaja e Muhtarit dhe nusja e djalit tjetër, motra dhe bijat e Pashait të Beratit thuhet se i vunë veton Pashait për të vendosur nderin në vend.

Për të mos e bërë publik skandalin e familjes së tij, por edhe për të kënaqur nuset dhe për të ruajtur aleancën me Pashain e Beratit, Ali Pashai nxori një dekret për të pastruar qytetin nga prostitutat.

U gjetën 17 vajza publike, ndërsa Frosina u bë e 18 –ta ndër to, të gjitha të mbytura në liqen. /mapo.al

Pse Ali Pashë Tepelena i mbyti 18 vajza në liqen? Read More »

Historia e kanunit të Labërisë !

Kanuni i Labërisë është përmbledhje e normave të pashkruara të së drejtës zakonore që kanë vepruar në krahinat midis tre urave: të Drashovicës, të Tepelenës e të Kalasës. Tradita gojore e lidh kanunin e Labërisë me emrin e papa Zhulit, themeluesit të katundit Zhulat (Gjirokastër).

Rreth viteve 1840-1850 u bënë disa ndryshime në kanunin e vjetër të Labërisë. Këto ndryshime njihen me emrin “Shartet e Idriz Sulit”.

Ndryshimet pasqyronin marrëdhëniet sunduese feudale dhe u përgjigjeshin interesave të agallarëve, të klasës sunduese feudale.

Ndërkaq ato u kundërviheshin ligjeve dhe sistemit gjyqësor të pushtuesve osmanë si dhe reformave të Tanzimatit. Kanuni i Labërisë ishte i mbledhur, por jo i kodifikuar.

Normat e tij janë përgjithësisht të njëjta me ato të kanuneve të tjera./Njekomb

kanuni-i-laberise-2

Historia e kanunit të Labërisë ! Read More »

Në gjurmë të shqiptarëve të Selanikut. Si u prish varreza e shqiptarëve nga grekët

Arlinda CANAJ

Selaniku, është qyteti i dytë më i madh në Greqi për nga numri i banorëve. Sot në Selanik banojnë rreth1.000.000 njerëz. Pas shpërnguljes së banorëve myslimanë pas vitit 1923 në këtë qytet u vendosën mijëra refugjatë të ardhur nga Azia e Vogël. Pothuajse 2/3 e banorëve të këtij qyteti dhe të prefekturës kanë ardhur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Lozanës.

Kush udhëton në Selanik vë re se ka shumë qytetarë grekë që kanë mbiemra të fjalës shqipe. Rrugës për në spitalin Shën Nikolaos, gjendet një Tavernë, pronari i së cilës quhej Mihal Allvanosi i cili ka origjinë shqiptare. Në rrugën Politeknou nr. 45 gjendet zyra e një avokati me emrin Orestis Albanis, e shumë të tjerë.

Selaniku dikur ka qenë metropoli heterogjen i popujve ballkanikë të cilët jetonin së bashku prej shekujsh. Në fillim të shek. XX, jetonin mijëra hebrenj dhe deri në fillim të viteve 1930 ekzistonte varreza më e madhe e tyre me 500.000 varre të cilat qeveria greke e atyre viteve i shkatërroi. Hebrenjtë e parë kanë ardhur në Selanik në vitin 140 para Krishtit dhe më 1376 mbërritën hebrenj nga Hungaria dhe Gjermania. Në vitin 1492, 20.000 hebrenj nga Spanja morën leje për tu vendosur në këtë qytet.

Gjatë pushtimit gjerman 54.050 hebrenj nga Selaniku u zhdukën në kampet e të burgosurve nga gjermanët.

Sipas regjistrimit zyrtar më 1913, në Selanik u deklaruan 61.439 hebrenj, 45.867 turq, 39.956 grekë, 6.263 bullgarë dhe 4.364 të tjerë, gjithsej 157.889 banorë.

Sot në qytetin e Selanikut jeton, një bashkësi e vogël hebrenjsh prej rreth 2.000 njerëz dhe kanë një varrezë të vogël në lagjen Evozmos. Shpeshherë varret e hebrenjve dhunohen nga grupe vandalësh.

Turqit pasi e humbën qytetin e Selanikut, një pjesë të madhe u larguan për në Turqi. Sot ndoshta kanë mbetur 2 – 3 mijë veta të cilët merren me punë të rëndomta duke shitur çaj dhe salep nëpër rrugët e qytetit. Ata jetojnë në baraka dhe shtëpi të vjetra duke mos pasur mundësi për ndërtime të reja.

Numri i serbëve që kanë jetuar në Selanik nuk dihet, por ata kanë një varrezë të madhe për të cilën tregohet një kujdes i veçantë, me punëtorë dhe roje. Në këtë varrezë mund të hysh vetëm me leje speciale nëse nuk ke kombësi serbe. Ndoshta është varreza më mirë e ruajtur në Greqi, aty janë eshtrat e ushtarëve serb të vrarë gjatë luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore.

Shqiptarët në fillim të shek. XX kanë zhvilluar aktivitetet politike dhe kulturore në Selanik. Në këtë qytetet kanë pasur shtëpi të tyre shumë tregtarë nga Korça si dhe ishkryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina i cili u vra në 1933, po në këtë qytet. Në rrugën Vasilis Ollgas, ku ndodhet ende shtëpia – pallat e Hasan Prishtinës, pak metra më tutje janë dy shtëpi-vila të tregtarëve shqiptarë Mehmet dhe Ahmet Kapandzit. (Për familjen Kapandzi, shpeshherë shkruhet se ishin hebrenj mysliman që njihen me emrin Donme, por në disa shkrime thonë se janë shqiptarë. Sot familja Kapandzi është e vendosur në Turqi). Këto dy vila u ndërtuan në vitin 1893- 1895, në një hapësirë prej 4 hektarësh të cilat shikonin nga deti.

Njëra është e modelit zviceran e projektuar nga Piero Arigoni me një dekorim të bukur të tavaneve me piktura. Ndërsa vila tjetër në vitin 1912 u bë rezidenca e princit të Greqisë, Nikollës.

Vila Kapandzit më tej u bë rezidenca e kryeministrit të Greqisë,Elefteros Venizellos, ndërsa në vitin 1928 kaloi në pronësi të Bankës Kombëtare Greke. Këto shtëpi gjenden në lagjen e të pasurve ku dikur kishin shtëpitë e tyre turqit, hebrenjtë dhe grekët e pasur.

Në vilën e Mehmet Kapandzi nga Gushti i vitit 1916 e deri nga fundi i vitit 1917 qëndroj Esat Pash Toptani i cili komandonte disa forca ushtarake shqiptare të cilët shërbenin në mbështetje të ushtrisë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore.

Esat Pashë Toptani mbërriti në Selanik më 27 Gusht 1916 dhe u prit me paradë madhështore nga gjenerali francez Emanuil Serraili. Për shërbimet që i bëri Francës Esat Toptani, do të nderohej nga gjeneral Serrail me Kryqin e Luftës në një ceremoni të madhe të organizuar më 18 Gusht 1917, në qendër të Selanikut.

Sipas gazetës greke ΜΑΚΕΔΟΝΙΑ, varrezat e bashkësisë shqiptare që ndodhej në Selanik u prishën në vitin 1983. Në këto varreza ndodheshin varret e shumë personaliteteve të jetës politike dhe shoqërore, por për fat të keq vetëm eshtrat e Hasan Prishtinës shpëtuan dhe u dërguan në Shqipëri pas zhdukjes së kësaj varreze. Deri në vitin 2000, pika gjeografike ku ndodhej varreza shqiptare ishte shënuar gabimnë librin e Artë të Selanikut.

Vendi i varrezave të shqiptarëve ka qenë i blerë nga familjet shqiptare që kanë jetuar dhe punuar në Selanik që në kohën e Perandorisë Osmane.

Në Selanik disa vite ka jetuar Ismail Qemali i cili u martua me një greke me emrin Kleoniki. Gjatë kohës së Kryengritjes së Turqve të rinj (Xhonturqve) në korrik-gusht tëvitit 1908, në Selanik kanë qëndruar Çerçiz Topulli, Bajo Topulli dhe Mihal Grameno.

Në vitin 1916 në qytetin e Selanikut forcat greke të ndihmuar nga ushtria franceze pushkatuan atdhetarin e shquarshqiptar Themistokli Gërmenjin. Për pak muaj qëndroi në këtë qytet edhe mbreti Ahmet Zogu bashkë me shoqëruesit e tij pas largimit nga Shqipëria në 1939.

Me Selanikun lidhet edhe një ngjarje shumë e rëndësishme për grekët dhe Greqinë. Më 26 Tetor 1912,komandanti turk me kombësi shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut.

Hasan Tahsin Pasha pas i dhuroi Selanikun u largua në fillim për në Francë dhe më pas në Zvicër ku vdiq në vitin 1918 në Lozanë të Zvicrës. Aty edhe u varros për herë të parë. Në vitin 1937 Hasan Tahsin Pasha ç’varroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesara. Pasi u prishën varrezat shqiptare më 1983,përsëri ç’varroset dhe rivarroset në varrezat e Malakopit, ku eshtrat i qëndruan 23 vite.

Më 2006 eshtrat e Hasan Tahsin Pashës do të ç’varrosen për të tretën herë për t’u rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me eshtrat e djalit të tij Qenanit në Muzeun e Luftërave Ballkanike që ndodhet 25 km larg Selanikut në drejtim të qytetit të Edesës. Ndërtesa që është kthyer në Muze ka shërbyer për bisedime midis Gjeneral Mesaresë dhe komandantit të

Pra, me qytetin e Selanikut lidhen dy ngjarje historike për shqiptarët në fillim të shek. XX edhe pse në këtë qytet kanë jetuar një numër i vogël i shqiptarëve në krahasim me turqit, hebrenjtë, bullgarët dhe grekët.

Revista greke PANDORA, e Qershorit të vitit 1869 shkruan se në prefekturën e Selanikut banonin 318
.000 grekë,19.000 shqiptarë, 15.000 vllahë, 17.000 sllavë, 12.000 ciganë dhe 26.000 hebrenj.

Borivoje Millojeviç, shkruan të ketë pasur 4.000 shtëpi ku banonin sllavë të krishterë, 200 shtëpi ku banonin shqiptarë të krishterë, 8.000 shtëpi turq mysliman, 200 shtëpi vllehë,5.000 shtëpi grekë të krishterë, 17.700 shtëpi hebrenj, 1.300 hebrenj të islamizuar dhe 4.000 shtëpi ku banonin njerëz të kombësive të ndryshme.

(U shfrytëzuan materialet e vyera të historianit Arben Llalla)

/konica.al/

Në gjurmë të shqiptarëve të Selanikut. Si u prish varreza e shqiptarëve nga grekët Read More »

Albert Kamy/ Nga Parisi në Berlin, në kërkim të unitetit të Europës

Në 1955, shkrimtari i madh francez ka mbajtur këtë fjalim në Athinë, në një diskutim për Europën, mes plagëve të vjetra dhe shpresave të reja: “Liria pa kufi është e kundërta e lirisë. Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve”.

Nëse besojmë se qytetërimi perëndimor konsiston mbi të gjitha në humanizimin e natyrës, domethënë në teknikat dhe në shkencën, Europa jo vetëm ka triumfuar, por forcat që sot e kërcënojnë, kanë huazuar nga Europa perëndimore teknikat dhe ambiciet e saj dhe, në cdo rast, metodën e saj shkencore apo atë të arsyetimit. I parë kështu, qytetërimi europian nuk është i rrezikuar, përvecse nga ndonjë vetëvrasje e përgjithshme.

Nëse, e anasjellta, besojmë se qytetërimi ynë është zhvilluar mbi konceptin e qnies humane, ky këndvështrim, që mund të jetë i vlefshëm, con në një përgjigje krejt tjetër. Ndoshta është e vështirë të gjesh një epokë në të cilën numri i njerëzve të poshtëruar të ketë qenë kaq i madh. Megjithatë, nuk do të thoja që kjo epokë përcmon në vecanti qenien njerëzore. Në fakt, njëkohësisht me këto forca, që do t’i quaja të së keqes për të thjeshtësuar gjërat, nuk ka dyshim që përgjatë shekujve është përhapur në mënyrë progresive një reaksion i ndërgjegjes kolektive dhe në mënyrë të vecantë i ndërgjegjes së të drejtave individuale.

Dy luftërat botërore vetëm sa e kanë lodhur pak dhe besoj se është e arsyseshme të përgjigjemi që qytetërimi ynë rrezikohet, në po të njëjtën masë sa, qenia njerëzore sot, kudo e nga pak, poshtërohet.

Këtij dallimi të dobishëm mund t’i shtoj se ne ndoshta mund të ngrejmë pyetjen që, mos vallë pikërisht suksesi i qytetërimit perëndimor në aspektin e vet shkencor, është pjesërisht fajtor për dështimin moral të këtij qytetërimi? Për ta thënë ndryshe, mos vallë, në një farë kuptimi, besimi absolut, i verbër, në fuqinë e arsyes racionaliste – të themi në arsyen karteziane për të thjeshtësuar gjërat, sepse është kjo arsye në qendër të dijes bashkëkohore – është përgjegjës në një farë mase për kufizimin e ndjeshmërisë njerëzore që ka mundur, gjatë një procesi të gjatë për ta shpjeguar, të shkaktojë pak e nga pak këtë degradim të universit personal.

Universi teknik në vetvete nuk është një gjë e keqe, dhe jam absolutisht kundër të gjithë atyre teorive që kërkojnë kthimin tek rrota, apo plugu i tërhequr nga buajt. Por arsyeja teknike, e vendosur në qendër të universit, konsideruar si agjenti mekanik më i rëndësishëm i një qytetërimi, përfundon duke provokuar një lloj perversioni, si tek inteligjenca, ashtu edhe tek zakonet, që rrezikon të cojë në dështim atë për të cilin kemi folur. Do të ishte interesante të përpiqeshim të kuptonim se si e bën këtë.

(…) Cilët janë, mbi të gjitha, elementët që përbëjnë qytetërimin europian? Ju përgjigjem që nuk e di. Megjithatë, secili prej nesh ka një këndvështrim të privilegjuar, sentimental në një farë mënyre, që për më tepër mund të arsyetohet bazuar mbi vëzhgime, e që na bën të preferojmë një prej këtyre elementëve, kundrejt të tjerëve.

Sipas meje, qytetërimi europian është pikësëpari një qytetërim pluralist. Dua të them që ai është vendi i diversitetit të mendimeve, të kundërshtimeve, të vlerave që bien ndesh dhe të dialektikës që nuk arrin në një sintezë. Në Europë, dialektika e gjallë është ajo që nuk con në një lloj ideologjie njëkohësisht totalitare dhe ortodokse. Më duket se kontributi më i rëndësishëm i qytetërimit tonë është ai pluralizëm, që ka qenë gjithmonë themeli i nocionit të lirisë europiane. Sot, është pikërisht ky që është në rrezik dhe këtë duhet të përpiqemi të ruajmë.

Shprehja e Volterit, që më duket se ka thënë se “nuk mendoj si ju, por do të luftoja deri në vdekje për t’ju lënë të shprehni mendimin tuaj” është natyrshëm një parim i mendimit europian. Nuk ka dyshim, që sot në planin e lirisë intelektuale, por edhe në plane të tjerë, ky parim vihet në diskutim, sulmohet dhe më duket se duhet mbrojtur.

Në lidhje me pyetjen, për të ditur nëse në fund do të shpëtohet dhe nëse në fund e ardhmja do të jetë e jona, siç thuhet, pikërisht këtyre lloj pyetjeve u përgjigjem në të njëjtën mënyrë sic u përgjigjem të tjerave, që i ngre vetvetes në situata të ngjashme. Në disa rrethana, më duket se një njeri mund të përgjigjet: “Kjo gjë është e vërtetë, sipas meje, apo ndoshta e vërtetë. Pra, kjo gjë duhet të jetojë. Nuk është e sigurtë që unë mundem ta bëj të jetojë, nuk është e sigurtë që atë që mua më duket thelbësore, nuk e pret vdekja. Sifdoqoftë, e vetmja gjë që mund të bëj është që të luftoj që të mbesë e gjallë”.

Mendoj se në këtë fazë Europa është e mbyllur në një kuadër të ngurtë, në brendësi të të cilit nuk mundet të marrë frymë. Që nga momenti kur Athina është gjashtë orë nga Parisi, që në tre orë nga Roma shkohet në Paris, dhe që kufijtë ekzistojnë vetëm për doganierët dhe pasagjerët që i nënshtrohen juridiksionit të tyre, jetojmë në një shtet feudal. Europa, që ka qenë fillesa e ideologjive që dominojnë sot botën, e që sot i sheh të kthehen kundër saj, teksa janë mishëruar në vende më të mëdhenj dhe më të fuqishëm industrialisht, kjo Europë që ka patur pushtetin dhe fuqinë që të teorizojë ideologji të tilla, në po të njëjtën mënyrë mund të gjejë forcën për të krijuar konceptet që mund të lejojnë kontrollin apo ekuilibrimin e këtyre ideologjive.

Thjeshtë ka nevojë për frymëmarrje, për mënyra të menduari që nuk janë provinciale, ndërkohë që për momentin të gjithë mënyrat tona të të menduarit janë të tilla. Idetë pariziene janë provinciale; edhe ato athiniane, në kuptimin që kemi vështirësi të madhe për të patur kontakte dhe dije të mjaftueshme, duke qenë se idetë tona janë të izoluara në vendet respektivë. E megjithatë mendoj që ky ideal, drejt të cilit të gjithë duam të shkojmë, që duhet ta mbrojmë dhe për të cilin duhet të bëjmë të pamundurën, nuk do të realizohet shumë shpejt.

“Sovraniteti” për shumë kohë ka vënë shkopinj në të gjithë rrotat e historisë ndërkombëtare. Do të vazhdojë ta bëjë. Plagët e luftës janë ende shumë të hapura, shumë të dhimbshme për të shpresuar që kolektiviteti i kombeve do të bëjë atë përpjekje, të cilën vetëm individë superiorë janë në gjendje ta bëjnë, e që konsiston në dominimin e ndjenjave. Pra, psikologjikisht ndodhemi përballë pengesave që e bëjnë të vështirë realizimin e këtij ideali. Thënë kjo, duhet luftuar për të kapërcyer pengesat dhe për të bërë Europën, më në fund Europën, ku Parisi, Athina, Roma, Berlini do të jenë qendrat nevralgjike të një perandorie të mesme, e që do të luajë rol në historinë e të nesërmes.

Rezerva e vogël që do të paraqes është si vijon. Eshtë thënë se nuk mund të përballet nga pikëpamja intelektuale problemi i të ardhmes europiane, që nuk mund të reflektohet deri sa nuk kemi atë strukturë të cilës mund t’i referohemi. Ajo që dua të them është: ne duhet të përballemi me problemin, t’u japim përmbajtje vlerave europiane, edhe pse Europa nuk do të bëhet nesër. Më goditi pak shembulli që dëgjova. Ju thatë: “Gjermania, kur nuk ishte e bashkuar, nuk ishte një fuqi”.

Eshtë e vërtetë. Madje, duhet të themi se pjesa më e madhe e ideologjive bashkëkohore janë formuar mbi ideologjinë gjermane të shekullit XIX, dhe që të gjithë filozofët gjermanë që kanë bërë të lindë ajo formë e re mendimi, i paraprijnë bashkimit gjerman, natyrisht nëse konsiderojmë që bashkimi gjerman u realizua në 1871. Pra, është e mundur të ndikosh mbi një qytetërim, edhe në gjendjen e braktisjes dhe varfërisë ku ndodhemi.

Roli i intelektualëve dhe shkrimtarëve është në një farë kuptimi ai i vazhdimit të punës në fushën e tyre, të përpiqen të shtyjën rrotën e historisë, nëse mund ta bëjnë e nëse kanë kohë.

(…) Liria pa kufi është e kundërta e lirisë.

Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve. Dua të shtoj që ajo ekziston dhe ka një kuptim vetëm nëse limitohet nga liritë e të tjerëve. Një liri që sjell vetëm të drejta, nuk do të ishte liri, por vetëm tirani. Por, nëse sjell të drejta dhe detyrime, është një liri që ka përmbajtje dhe mund të jetohet. Pjesa tjetër, liria pa limite nuk jetohet dhe ka si cmim vdekjen e të tjerëve. Liria me limite është e vetmja gjë që bën të bashkëjetojnë atë që e ushtrojnë dhe ata në favor të të cilëve ushtrohet./Bota.al

Albert Kamy/ Nga Parisi në Berlin, në kërkim të unitetit të Europës Read More »

Negovani, fshati që ka vetëm shqiptarë por ku nuk lejohet të flitet shqip

Është e trishtë historia e Negovanit. Në vitin 1928 këtij fshati të famshëm iu kthye emri në Flamburo. Në ditët e sotme aty ende banojnë shqiptarë ortodoksë dhe pak vllehë. Por sipas të dhënave nga viti 1912 deri në vitin 1928 në Negovan banonin rreth 1100 njerëz.

Ky fshat është i njohur për atdhetarizmin e banorëve të tij. Në shumë shkrime të mëparshme kemi përmendur që në këtë fshat u hapën shkolla shqipe dhe u mbajtën mesha në gjuhën shqipe që në fillim të shekullit XX.

Fshati është i njohur sepse këtu lindën figura të shquara shqiptare ndër më të njohurit Papa Kristo Negovani dhe Theodhos Haradhambi Negovani, të cilët u vranë barbarisht nga grekët në vitin 1905 sepse u mësonin fëmijëve të fshatit gjuhën shqipe.

Papa Vasil Gjikë Stillo është nipi i Negovanëve i cili më 1910, bëri përpjekje që në kishën e fshatit të mbante meshën në gjuhën shqipe dhe e goditën me thika gjatë meshës, vdiq më 16 janar 1910 në spitalin e burgut të Manastirit.

Për vrasjen, në Negovan, të priftit shqiptar, dëshironte ta kthente liturgjinë në kishë nga gjuha greke në gjuhën shqipe ka shkruar edhe Brailsford.

Sipas të dhënave që disponon historiani i njohur Arben Llalla në librin e tij “Demografia në viset Veriore të Greqisë”, shumë dokumente historike vërtetojnë se Negovani ka qenë fshat i pastër shqiptar. Pleqësia e fshatit në fund të vitit 1909, lajmëronte me një letër në gjuhën shqipe prej tre faqesh se është hapur shkolla shqipe “Dituria”, me mësonjës Petro Nini Luarasi, Në letër thuhet se shkolla në Negovan ka nevojë për libra dhe fletore për rreth 40 nxënës, djem dhe vajza të cilët e kishin braktisur shkollën në gjuhën greke. Në fund letra është firmosur nga pleqësia e shkollës, kryeplaku Sotir Kristo, arkëtari Sotir A Xoxe, pleqnar Naso Tire dhe mësonjësi Petro ( Αθανάσιος Χαλκιόπουλος, ΜΑΚΕΔΟΝΙΑ – ΒΙΛΑΕΤΙΑ, ΤΗΕΣΣΑΛΟΝΙΚΗΣ-ΜΩΝΑΣΤΙΡΙΟΥ, (Εθνολογική στατιστική των βιλαετίων Θεσσαλονίκης και Μοναστηρίου), Αθήναι, 1910, fq.90 203 ëëë.lithoksou.net/florina_gh.html).

Në fund letra ka edhe vulën e pleqësisë së mësonjëtores me vitin e themelimit të saj 1909. Origjinali i kësaj letre gjendet në muzeun e qytetit të Elbasanit. Kjo shkollë u drejtua deri në vitin 1911 nga Petro Nini Luarasi .

Nga Negovani është dhe ish-ministri i brendshëm i Republikës së Shqipërisë Koçi Xoxe (1911-1949), njëri nga figurat qendrore të Partisë Komuniste. Gjatë kohës së diktaturës komuniste është shkruar se Koçi Xoxe ishte sllav-folës, por në Negovan nuk ka pasur asnjë familje sllav-folëse. Një kushëri i Koçi Xoxes i quajtur Mihal Xoxe, në fund të shek.XIX kishte ngritur në Kostancë një shtypshkronjë nga më të mëdhatë të asaj periudhe në Rumani, ku rilindësit shqiptarë botonin veprat e tyre patriotike. Aty janë botuar edhe librat e Frashërllinjëve, të Naimit, Abdylit të Samiut dhe të shkrimtarëve e patriotëve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, të cilat ndezën në ato vite shumë ndjenjat patriotike.

Negovani në fillim të shek.XX ishte fshat shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara qind për qind me shqiptarë.

Në një shkrim të botuar në revistën gjermane Der Spiegel, më 10 nëntor 2003, Renate Flottau, shkruan se në Flamburo (Negovan) kishte takuar një të moshuar që shiste mollë anës rrugës dhe ai i kishte thënë se shqiptarët vendas nuk guxojnë as të flasin shqip në shtëpitë e tyre. Grekët na kanë asimiluar. Nuk ka shkolla shqipe apo institucione kulturore.

Nga të dhënat e regjistrimeve të popullsisë që do sjellim më poshtë, nuk na rezulton që në Negovan të ketë familje sllave.

Nga të dhënat që jep autori Brankof në fshat ka 96 bullgarë të krishterë, 110 grekë, 300 vlehë dhe 1080 shqiptarë të krishterë. Fshati kishte dy shkolla fetare, tre mësues dhe 200 nxënës. Sipas Millojeviç, ai jep të dhëna për 110 shtëpi ku banojnë shqiptarë ortodoks dhe 3 shtëpi vlleh ortodoks. Në regjistrimin e vitit 1932, fshati kishte 210 familje të huaja që flisnin gjuhën shqipe dhe pak prej tyre gjuhën sllave dhe rumanishten, dhe 44 familje kanë deklaruar hapur se janë shqiptar.Ndërsa Riki Van Boeschoten dhe Helleen van der Minne, deklarojnë se banorët e Negovanit janë deklaruar të gjithë shqiptarë.

Sot fshati i përket komunës së Perasmatos dhe ka rreth 420 banorë./njekomb

Negovani, fshati që ka vetëm shqiptarë por ku nuk lejohet të flitet shqip Read More »

Dokumenti i CIA-s: Publikohet harta e Shqipërisë së bashkuar, ja kur do të ndodhë

Në një kohë kur teza e bashkimit kombëtar sa vjen e artikulohet në qarqet e politikës mbarëshqiptare, një hartë e detajuar e një grupit ekspertësh pranë CIA amerikane parashikon që kjo gjë të ndodhë në vitin 2035.

Rritja e ndikimit të shqiptarëve në politikat rajonale, si dhe mbështetja në rritje nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duket se do të përshpejtojë procesin e bashkimit, i cili në retorikën e politikës së sotme globaliste, duket si i pamundur.

Në një kohë që në rajonin e Ballkanit kanë nisur të vlojnë çështjet e pazgjidhura historike si dhe padrejtësitë ndaj popullit shqiptar, është zbardhur një hartë e krijuar nga ana e ekspertëve të CIA e cila parashikon ndryshime drastike kufijsh jo vetëm sa i takon trevave shqiptare, por edhe territoreve të tjera evropiane të cilat prej shekujsh kanë qenë objekt luftërash.

Nuk dihet nëse botimi i kësaj harte lidhet me rrethanat aktuale, kur zëri i shqiptarëve për ndreqjen e padrejtësive historike sa vjen e forcohet, apo ky studim i CIA dhe agjencisë ruse GRU zbardhet fare rastësisht.

Paradoksalisht, këto harta të bëra publike në mediat amerikane dhe ato ruse nuk janë vetëm studim e ekspertëve të CIA, por edhe të agjencisë rusë GRU, shtet i cili njihet për politikat e tij proserbe dhe antishqiptare.

Në një kohë që çështja e rishikimit të kufijve shihet si një opsion i rrezikshëm për paqen, hartat qarkulluara në mediat amerikane dhe ruse proklamojnë një bashkim të të gjitha trevave shqiptare.
Ky bashkim parashikohet të ndodh në vitin 2035 dhe do të përfshijë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën si dhe trevat në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi si dhe Greqi.

Analiza dhe studimet për hartimin e hartës bazohen në analiza dhe studime speciale të kryera nga ana e të shërbimeve më prestigjioze amerikane dhe ruse siç janë CIA dhe GRU. Po ashtu konkludimi në këtë hartë bazohet edhe tek burimet e rëndësishme të institucioneve ndërkombëtare të cilat merren me studime gjeostrategjike.

Evropa
Edhe pse kjo hartë e bërë publike në mediat amerikane dhe ato ruse është produkt i analizave të ekspertëve të agjencive prestigjioze të inteligjencës së dy prej shteteve më të fuqishme të botës, nuk dihet nëse politikat e këtyre vendeve do të fokusohen zyrtarisht në konkludimin praktik të kësaj ndarjeje territoriale e cila prek jo vetëm trevat shqiptare, por edhe një pjesë të mirë të Evropës.
Kjo hartë zbardh fakte tronditëse në lidhje me një pjesë të mirë të territoreve në shtete evropiane të cilat kanë provokuar luftëra të shumta ndërshtetërore por edhe botërore.

Po sipas studimeve të konkluduara në këtë hartë, rezulton se Bosnjë-Hercegovina do të pushojë së ekzistuari si shtet për tu ndarë midis Kroacisë dhe Serbisë.

Ndryshime priten edhe në shtete e fuqishme si Britania, ku Skocia do të shpallë Pavarësinë ndërsa Irlanda do të bashkohet. Nga ana tjetër, Baskia dhe Katalonia, do të deklarojnë pavarësinë nga Spanja, duke marrë edhe pjesë nga territori francez.

Ky shtet duket se do të humbasë shumë nga lavdia e tij historike pas përqendrimit të lartë të grupeve islamike do të hapet rruga për rritjen dhe krijimin e një shteti islam në jug të Francës.

Krahina e luftërave historike franko-gjermane, Lorraine, mbi baza federale do të bashkohet me Gjermaninë ndërsa nga Belgjika do të ndahet Flamania, e cila do të bashkohet me Holandën.

Dokumenti i CIA-s: Publikohet harta e Shqipërisë së bashkuar, ja kur do të ndodhë Read More »

Çfarë më tha Fatos Nano, kur në skenë po kërcenin vajza gjysmë të zhveshura

Në intervistën e tij Muho Asllani rrëfen se pasi doli nga burgu në kushte të vështira ku e gjithë familja ishte pa punë vendosi të shkonte te Fatos Nano.

“E marr në telefon dhe kërkoj ta takoj. Më thotë hajde nesër në 12. Prita një orë, ma shtyu tre herë takimin, derisa pasdite më tha që hajde nesër. Mora trenin se kushtonte më lirë dhe shkova të nesërmen… Më sorollati përsëri, hajde pas një ore, hajde pas dy orësh. E mora në telefon dhe i thashë: Kurrë bojën mos ta pafsha! Kur erdhi në Durrës ishte fushata zgjedhore.

Fatosi më takoi në një takim, më pas në një program artistik. Më tha: ku je Muho Asllani, hajde, ulu këtu! Unë e përshëndeta me respekt edhe pse më kishte sorollatur pa më takuar më parë. Në skenë po kërcenin ca vajza gjysmë të zhveshura. Më thotë Fatosi: A do e kishe lejuar në kohën tënde këtë vajzën të kërcente kështu?

Jo vetëm që nuk do e kisha lejuar po do e kisha çuar në minierë të punonte, jo vetëm atë, por edhe ata që e kanë lejuar dhe organizuar këtë shfaqeje”, rrëfen Asllani për gazetën “Panorama”.

Ai tregon se që atëherë nuk është takuar më me të.

“Më ka ardhur keq kur u nda nga bashkëshortaja,Rexhina, sepse ajo ka sakrifikuar shumë për Fatosin. Ata kanë qenë të dashuruar që në gjimnaz, ndërsa famija e Rexhinës ishte një familje shumë e mirë shkodrane”, thotë ai.

Çfarë më tha Fatos Nano, kur në skenë po kërcenin vajza gjysmë të zhveshura Read More »