Alfred Peza është shprehur se Enver Hoxha u përpoq të joshte mbretëreshën Geraldinë.
Ja biseda e videos:
Zoti Peza, jemi në vitet ’30- ’40 dhe ju ndodheni në një lokal me Sarah Blloshmin, çdo bënit?
Do bëja atë që do bënte instikti i çdo mashkulli përballë femrës më të bukur të vendit të vet, të cilën nuk e ka përditë aq afër sa e kisha unë dhe e kam unë në këto çaste. Do mundohesha ti tërhiqja vëmendjen dhe të flirtoja me të. Nuk e di sesa do ia arrija!
Një nga njerëzit që shihej në shoqërinë e saj ishte Enver Hoxha…
Të gjithë ambiciozët e kësaj bote, e nisin nga fustanet rrugën e tyre drejt majës dhe është e pashmangshme që edhe Enver Hoxha të ketë flirtuar me Sarah Blloshmin, ashtu siç thuhet që ka flirtuar edhe me një nga Princeshat. Ashtu siç do të flirtonte edhe me Mbretëreshën vetë më prapa. Arsyeja? Vetëm e vetëm që ti fitonte zemrën Mbretit Zog, për të arritur ambicien dhe synimin e tij.Ju thoni në libër që Enver Hoxha është përpjekur që të joshi edhe Mbretëreshën Geraldinë u shpreh Peza në një promo të realizuar nga Mapo Edition, në një bisedë me Alda Bardhylin.
Po. Sepse në mendjen e ambiciozit shkon gjithçka dhe flirti me Mbretëreshën është rruga më e shkurtër për të fituar vëmendjen e Mbretit.Ju thoni që Mbretëresha Geraldinë e ka ditur gjithmonë raportin e Ahmet Zogut me Sara Blloshmin…
Unë besoj se po. Është e pashmangshme. Po të lexosh me vëmendje kujtimet e saj, Ajo e kupton se deri në momentin që janë njohur, zemra e Tij, e gjithë vëmendja e Tij dhe Mbretëresha e Tij ka qenë dikush tjetër. Sepse ajo pranon me dhimbje që dashuria e tyre, është ajo e një rreth 50 vjeçari tashmë. E Ahmet Zogut në emigrim, larg atdheut, larg Pallatit Mbretëror, larg ballove, larg vëmendjes, larg tapeteve. Ishte një dashuri tjetër (përpara kësaj), ndryshe. Ishte vetëm një dashuri e atillë, si ajo që mund të ketë patur, vetëm Sara Blloshmi me Ahmet Zogun.
Janë zbardhur të tjera detaje nga rivliteti mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Në një document të vitit 1951 tregohet se marrëdhëniet mes tyre nuk ishin të qeta dhe se përplasjet nisën për shkak të Bashkimit Sovjetik ku e shikonte ish-diktatorin si një njeri autoritar. Në disa dokumenta të përkthyera nga gazeta ‘’SOT’’ dhe të deklasifikuara nga CIA thuhet se si regjimi komunist nisi shpartallimin e grupeve naziste.
27 tetor 1949
Për nisjen e operacioneve të transmetimeve radio të propagandës po sigurojmë tre transmetues me valë të shkurtra BC 610 për t’u instaluar në barkën e propagandës. Por përdorimi i transmetuesve me valë të shkurtra në këtë operacion është i dyshueshëm për arsyet e mëposhtme: Ne supozojmë, bazuar në informacionet e marra, se transmetimet duhet të jenë me valë të mesme për të arritur një audiencë sa më të gjerë në Shqipëri. Ne kemi propozuar që transmetimet tona të prodhohen në valët e radio-Tiranës (valë të mesme) me një sinjal të fortë sa për të dominuar radio-Tiranën.
Ne besojmë se shumica e aparateve marrëse me valë të shkurtra janë në dorë të klikës së Hoxhës dhe transmetimet për këtë grup nuk do të kenë përhapje verbale në publik. Ne e kuptojmë se vendimi për transmetime në valë të shkurtra bazohet në raportimet britanike se në Shqipëri ka më shumë aparate me valë të shkurtra nga sa mendohej, por ne nuk kemi parë prova konfirmuese për këtë.
Një tjetër faktor për t’u marrë në konsideratë është vështirësia për të siguruar një mjet të madh për aparatet me valë të mesme, që t’i afrohet brigjeve shqiptare. Britanikët duhet të na japin raportin e plotë për numrin dhe shpërndarjen e aparateve me valë të shkurtra në Shqipëri, dhe nëse faktet janë bindëse ne sigurisht do të tërheqim kundërshtimet tona.
COP duhet të sigurojë një mjet të përshtatshëm për të mbajtur transmetuesit me valë të mesme në ujërat shqiptare. Komandanti Smith tha se megjithëse kjo mund të jetë e mundshme, do të përshinte shumë shpenzime dhe përpjekje. Por ne besojmë se një mjet i tillë do të ishte i rëndësishëm për të gjithë projektin BGFIEND dhe mund të përdoret më vonë në zona të tjera si Bullgaria, Azia jugore apo Lindja e Largët. Veprimi për propozimin është në pritje për informacionet e kërkuara në propozim.
Tetor 1951
Lufta për pushtet Hoxha-Shehu
Kreu komunist i Shqipërisë Hoxha raportohet të jetë përfshirë në një luftë pushteti me të preferuarin e BRSS, gjeneral Mehmet Shehu. Arsyeja e armiqësisë, e cila është mbajtur shumë sekret, është unike në vendet socialiste sovjetike. Hoxha është themeluesi i Partisë Komuniste shqiptare në fuqi dhe ka vënë emrin e tij gjatë luftës. Ashtu si dhe Tito ai ka qenë bashkë-luftëtar me shumë nga bashkë-atdhetarët e tij.
Për të forcuar ambicien e tij personale dhe gjithashtu qeverinë e vendit, ai u nda nga Jugosllavia dhe nisi ta portretizonte veten si një tjetër “Skënderbe” që mbronte interesat kombëtare të Shqipërisë. Fushata e tij pati sukses dhe komunizmi në Shqipëri po personifikohet gjithnjë e më shumë vetëm me këtë person.
BRSS e shihte me dyshim rritjen e popullaritetit të Hoxhës, pasi preferonte që pushteti në vendet satelite të shpërndahej mes disa udhëheqësve komunistë që deri në një farë mase të konkurronin me njëri-tjetrin. Hoxha në mënyrë të pamëshirshme spastroi të gjithë elementët pro-titistë nga partia por ai është si figurë publike shumë i ngjashëm me Titon, prandaj mbi objekt dyshimet nga Bashkimi Sovjetik. Gjithashtu bashkëpunimi i mëparshëm me Jugosllavinë ishte një tjetër arsye që sovjetikët preferonin të ngrinin në përgjegjësi Mehmet Shehun.
Në vitet e pasluftës hegjemonia e Jugosllavisë në Shqipëri ishte një fakt i ditur, nga kompanitë e shumta jugosllave dhe prezenca e teknikëve që punonin në Shqipëri. Më në fund Tito propozoi që dy vendet të përdorin të njëjtën valutë, dinarin jugosllav.
Gjenerali Shehu nuk ka të kaluar politike, por ka qenë në disa poste të rëndësishme në qeverinë e Hoxhës. Ai është më pak inteligjent se Hoxha por mbështetet hapur nga sovjetikët dhe e konsideron veten ekspert në çështjet ushtarake. Përpjekja mes Hoxhës e Shehut është ruajtur sekret nga popullata, e cila nuk është fare në dijeni të saj.
Dhjetor 1951
Gjatë vitit 1952 operacionet CIA/OPC në Shqipëri do të përqendrohen në dy tipe të ndara veprimi: Depërtimi dhe Ngacmimi. Operacionet e depërtimit në 1952 do të marrin formën e veprimeve të veçanta e të kufizuara me qëllim formimin e rrjeteve të vogla të komanduara nga një agjent i nivelit të lartë, i cili do të ketë kontakte me individë specifikë në qeverinë e Shqipërisë dhe në rrethet ushtarake, me anë të teknikave klandestine. Objektivi afatgjatë i këtyre operacioneve është konvertimi në anën tonë të figurave të larta të regjimit dhe sabotimi i degëve të ushtrisë dhe dikastereve të tjera të rëndësishme të qeverisë së Hoxhës, deri në momentin e përshtatshëm të përmbysjes së regjimit. Misioni i parë i caktuar për agjentët është rekrutimi i agjentëve kryesorë, që do të ndiqet nga organizimi i rrjeteve të agjentëve që më pas do të dalin nga vendi, duke lënë pas një sistem të sigurt komunikimi. Në disa raste agjentët kryesorë mund të dalin nga vendi bashkë me agjentët e rekrutimit. Pritet që gjatë 1952 të kryhen rreth 10 operacione të tilla dhe planifikohet që të pajisen me radio ata agjentë që mund t’i përdorin aparatet dhe të krijojnë komunikimin me bazën.
Operacionet e ngacmimit
Këto janë operacione afatshkurtra që kanë si objektiv ruajtjen e rezistencës pasive të popullit shqiptar ndaj regjimit si dhe krijimin e një potenciali të fjetur rezistence. Kjo do të arrihet me anë të lëshimit të misioneve të shpejta të sabotimit, të incidenteve të propagandës dhje të luftës psikologjike, të cilat do të shfrytëzohen dhe në programin e transmetimeve radio. Operacionet e ngacmimit do të koordinohen me ato të depërtimit dhe të lëvizjeve të tjera amerikane ose britanike kundër regjimit të Shqipërisë, në mënyrë që zhvillimi i tyre të mos dëmtojë masa të tjera.
Operacionet e ngacmimit do të planifikohen në mënyrë të tillë që të minimizohet rreziku i hakmarrjes së autoriteteve ndaj popullatës civile. Përveç operacioneve me agjentë, CIA do të zhvillojë dhe programet e tjera të propagandës. Lëshimi fletushkave dhe pakove të ushqimit ka rezultuar efektiv në të kaluarën dhe pritet të vazhdojnë çdo gjashtë javë, ndërsa radio klandestine do të transmetojë në emër të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë. Publikimi i organit të Komitetit, gazeta “Shqipëria” do të vazhdojë dy herë në muaj, dhe tashmë ka nisur botimi i saj në gjuhën angleze për të shtuar publicitetin.
10 prill 1952
Raport BGFIEND
Në Shkodër dhe zonat rrethuese organizata e quajtur “Çlirimi” ka nisur rezistencën pasive. Në gusht 1945 ka nisur organizmi i grupeve të vogla me ide të ndryshme, por me qëllim kryesor luftën kundër regjimit të ashtuquajtur “popullor” me anë të propagandës dhe armëve. Në fillim të nëntorit 1945 u shpërndanë traktet e para të “Unionit Kombëtar” që drejtohet nga At Gjon Shllaku. Ndërkohë një tjetër grup i drejtuar nga doktor Fahri Rusi ka qarkulluar trakte që ftonin njerëzit të mos besojnë propagandën komuniste dhe të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 2 dhjetorit.
Por gjatë shpërndarjes së trakteve grupi dhe kreu i tij Shllaku u kapën, u torturuan dhe u gjykuan. Grupi vazhdoi gjithsesi punën e tij dhe në 9 shtator 1946 u revoltua. Fillimisht revolucioni nisi mirë. Disa kazerma u rrethuan dhe ushtarët u çarmatosën, por mungesa e organizimit dhe gabimet teknike bënë që komunistët të merrnin situatën në dorë dhe të hakmerreshin ndaj kundërshtarëve. Një ditë më vonë tridhjetë njerëz u ekzekutuan; tetë në stadiumin e Shkodrës dhe 22 në fshatin Postribë. Në një kohë të shkurtër në Shkodër e fshatrat rreth saj u arrestuan mbi 1000 vetë.
Dymbëdhjetë ndërtesa shërbenin si burgje të sigurimit. Ata që kishin luajtur rolin kryesor në revolucionin e 1946 ishin vëllezërit Jup e Said Kazazi, Cin Serreqi, Dulo Kali, Qasim Rroji. Fshatit të Postribës iu bashkuan dhe fshatra të tjerë si Shtoj i Ri, Hoti, Guri i Zi, Sheldia, Ganjolle, Rec e Koplik. Dëmin më të madhe e pësoi fshati i Postibës me 40 të vrarë e të ekzekutuar, 70 shtëpi të djegura e rreth 500 të arrestuar.
Krimet
Në Shkodër, kur avokati Myzafer Pipa u mor në pyetje nga “Mbrojtja e Popullit” në shtëpinë e Pjetër Cucia, agjentët e Sigurimit u përpoqën ta detyronin të denonconte të tjerët, por ai nuk u përgjigj dhe Elez Mesi e qëlloi me pistoletë në gojë. Ish-shtëpia e punëtorëve “Malet tona” është kthyer në burg e quajtur “Burgu i Totës” ku patriotët rrihen me drunj dhe i përplasin kokën në shkallë. Në Gjykatën e Mbrojtjes në Shkodër, komunisti Astrit Karabeci rrahu patriotin Abdullah Kazazi, duke i thyer këmbën para oficerëve komunistë Zoi Themeli, Nesti Kerenxhi, Dule Rolli e Dulaq Lekiqi.
Në gjykatë të burgosurit varen nga duart, siç ndodhi me doktorin Fahri Rusi, i cili u mbajt i varur për dhjetë ditë dhe më pas u ekzekutua. Avokati Paulin Pali u mbajt në një qeli prej 2 metra katrorë i lidhur me zinxhir nga këmbët, dhe më vonë u ekzekutua. Simon Daragjiati është rrahur me kamxhik dhe më pad kur ishte duke vdekur është hedhur nga dritarja e katit të tretë nga rojet Elez Mesi dhe Isuf Kurveleshi.
Profesor Qemak Dracini i arrestuar në Tiranë, thotë se ka parë në muret e gjykatës të shkruar fjalët: Sot më 18 shtator 1946 jam torturuar me kamzhik, me shok elektrik nga ora tetë e mëngjesit deri natën. Po shkruaj me gjakun që më rrjedh dhe një gozhdë që gjeta.
Zonja Muzina Kokallari. Profesor Dracini pasi u torturua vendosi të vrasë veten duke prerë venat. Patrioti Rrok Luli, pasi i rezistoi torturave me rrymë elektrike, e kishin zhveshur dhe i kishin ngulur në trup gjilpëra. Duke parë që ai po rezistonte, komunisti Zoi Themeli mori një hekur të nxehtë dhe nisi ta digjte. Kur Luli e pa që Themeli po përdorte përsëri nxehtësinë përfitoi nga rasti dhe u hodh nga dritarja.
Entuziazmi i jetës së re, i jetës në Shqipërinë socialiste kishte shpërthyer me hire për një botë ndryshe, për një Shqipëri të aspiruar, të ëndërruar, sado që gjysmake, e keqtrajtuar, e copëtuar dhe e kafshuar keq nga “bishat” fqinje. Ishte amaneti i të parëve për Shqipërinë e heroizmave, të imazheve të qëndresës shekullore, Shqipërinë, ( Ilirinë e Arbërinë) që nuk iu nënshtrua Romës as Bizantit, Sllavit as Turkut, Italianit as gjermanit).
Kishte gjalluar, kishte mbijetuar Shqipëria për hir të jetës, për inat të “neronëve dhe rashjanëve”, për dhunë të “Dovletit” dhe “Shtatë kralëve të Evropës”, të cilët u munduan dhe po mundohen ta zhbëjnë për plot 20 shekuj.
Po ku ka si ti o Shqipëria ime “me kreshta të larta malore, me fusha të gjëra e lumenj të kulluar, me brinja brigje e lugina pjellore. Atje “ku lindin po toskë e gegë, si dy rreze në një dielli, si dy rrufe që shkojnë tue djegun kur zbret reja nalt prej qiellit”.
Po ku ka si ti o Shqipëri, e rrethuar me kuçedra e lubi, me djallëzi sllavo-aziatike, mes lugetërish tuaj e të huaj.
Ku ka si ti, o e dashura, fatkeqja Shqipëri, “pranë detit e palarë, pranë dritës e pa parë, pranë sofrës e pangrënë”, pranë begatisë, që bishat e pamëshirshme e kanë ngrënë dhe po e hanë.
Kështu gjalloje dhe ende po gjallon, o Shqipëri!. Tani mbi trupin tënd të copëtuar t’ u kanë vërsulur edhe bijtë shkapërdarë, bijtë faqezi varrin po ta bëjnë, ashtu si dikur u munduan ta bëjnë, e ta bënë sa e sa sodomë e satanë.
Po ku ka si ti o Shqipëri jetime, as me lindje as me perëndime, e mbetur në gjysmë të rrugës, mes dy botëve lubi-gojëshqyer, që babëzitë dhe paudhësitë as i kanë ndalur as i frenojnë. Herë lindin neronë, e herë sulltanë, herë hitlerë e herë shah-Khanë. Nga çdo anë, nga shekulli në shekull, nga në çdo vit u munduan të të hanë, të të degdisin, të varrosin…
Evropa të përplasë drejt Azisë, Turqia të përplasë drejt Evropës, ndërsa fqinjët si qen të tërbuar të shqyejnë me dhëmbë, nga jugu në veri, Greqi-Mali-zi, nga verilindja e lindja Serbi-Bullgari. Kështu ke gjalluar dhe ende po gjallon ti Shqipëria jonë jetime, me bijtë shkapërdarë, që për veten e tyre, për farë e fis e akraba, munxët t’ i japin nga çdo anë, në Prishtinë, Shkup e në Tiranë anë, duke ta shitur truallin në Adriatik, në Veri, në Dukagjin, te Molla-kuqe e në Dardanë.
Askund në botë nuk ka si ti, o Arbëria ime. Fusha të gjera me lule, pyje të gjelbëruar, kreshta malore mitologjike, lumenj të kulluar, burime epike, kështjella të kujtesës së mbijetesës, bunkerë mbi tokë e nëntokë, fusha dikur të mbuluara me drithëra të bardhë, sot me hashah e marihunë.
Po ku ka si ty o Shqipëri ende e pa bërë, mes trojeve të mbetura shkret, mes djerrinave të Çamërisë, që ka mbetur vetëm emër kujtese, prej Prokupjes e përtej Nishit, ku barbaria ka fshirë çdo gjurmë Shqipërie.
Shqipëri mes deleve e derrave, mes zogjve e lakuriqëve të natës, mes bukurisë njerëzore dhe mujsharisë shtazore, mes ligësive e fisnikërisë njerëzore. Ashtu je ngjizur Ti, Loke-madhja jonë, Shqipëri, trupin në Evropë, kokën në Azi, kokën në Azi e trupin në Ballkan dhe vazhdon të mbetesh kallkan.
Po ku ka si ti o e mjera Shqipëri, “që bijtë e tu të kanë qitë me krye në hi”, që të ndukin mishtë, nga çdo trevë, nga çdo krahinë, një nga një, të plaçkitin, të shesin bregun e artë të detit, të djegin malet me pisha të dendura, ta shesin çelikun për skrap, t’ i shëmtojnë monumentet, pllakat, obelisqet, shtatoret, t’ i burgosin çlirimtarët, t’ i ndërsejnë mercenarët, t’ i bëjnë heronj tradhtarët, mujsharët, satanët, shejtanët…
Ti o Shqipëri, që na jep emër e nder”, që na bën të ndihemi krenarë, sidomos kur gojëshqyer e barbarë të vërsulen të të hanë, e ne jemi të bashkuar me fjalë, por me troje të copëtuar e të ndarë nga Serbi e Junan, nga tiranë barbarë.
Ku ka si ti, o Shqipëria jonë, Nënëmadhja e paepur, që jeton në gjashtë pjesë të ndara, gjithnjë me shpresë se një ditë bijat e bijtë shkapërdarë do të kujtohen për ty dhe do të lidhin një besë si ajo Besa e Konstandinit, si ajo e Gjergj Elez Alisë, si Besa e Legjendarit, e Adem Jasharit, si besë-betimi i shqiptarit.
Po ku ka si ti, o Shqipëria ime, copë-copë e ndarë, e rrethuar me barbarë, brenda shqiptarë trutharë, gjithnjë të përçarë, të ndarë, me trurin e shpërlarë, gjithnjë shkapërdarë, për fis e farë….
Po nuk ka si ti, jo, o Shqipëri e pabërë… (A.Q-RKL)
Ky gur është gjetur në Durrës dhe thuhet se daton katër shekuj para Krishtit.Ditëve të fundit është komentuar shumë për simbolin e Shqiponjës, kjo pasi që fotografitë e futbollistëve nga Kosova që mposhtën Serbinë në ndeshjen me Zvicrën, bëri jehonë në gjitha mediat vendore dhe të ndërkombtare.
Po ashtu me këtë rast, për të dëshmuar lashtësinë e këtij simboli, po qarkullon edhe një fotografi derisa shihet një njeri i gdhendur në gur që me duar krijon simbolin e Shqiponjës. Ky gur është gjetur në Durrës dhe thuhet se daton katër shekuj p.k.
Dy vjet kishin kaluar që nga vdekja e Brenda Schmitz, kur bashkëshorti i saj David mori një telefonatë nga radio stacioni KSZT ku u kërkua të paraqitej në zyrat e radios. Prej disa vitesh, gjatë periudhës së Krishtlindjes, ky stacion radiofonik plotësonte disa dëshira të përdoruesve të tij, megjithatë, kësaj here, letra nuk u dërgua nga personi në fjalë, ose nga Davidi, por nga një person anonim.
“Ata më thanë se kishin marrë një letër nga dikush që donte të më jepte një dhuratë. E pyeta kush ishte, por ata thanë se ishte kaq personale saqë nuk mund të flisnin në telefon dhe se më duhej të shkoj në zyrat e tyre “, thotë David.
Pak para se Brenda të vdiste për shkak të kancerit ovarian, ajo kishte shkruar letrën duke kërkuar dëshirën e saj të Krishtlindjes. Megjithatë, ajo kurrë nuk e kishte dërguar atë, përkundrazi, ia kishte dorëzuar një mikeshe të dashur, të cilës i kërkoi ta dërgonte në radio vetëm pasi burri i saj të kishte gjetur një nënë të re për fëmijët e tij.
Kështu, kur Davidi vendosi të martohej me Jayne Abrahamin, letra u dërgua në stacionin e radios.
Një letër anonime u dërgua në emisionin “Christmas Wish”.
“Ne bëjmë realitet dëshirat e Krishtlindjes për shumë prej dëgjuesve tanë prej shumë vitesh tashmë, por një letër si ajo e Brenda-s nuk kishte ardhur kurrë dhe të gjithë, pavarësisht moshës, u emocionuam”, tha pronari i radios Scott Allen.
Prezantuesja Collen Kelly lexoi letrën e Brenda-s për Davidin:
“Arsyeja pse po ju shkruaj është kjo. Kam një dëshirë. Unë kam një dëshirë për Davidin, për fëmijët dhe për gruan e re që do të jetë pranë tij. Unë dua që ata të dinë se i dua shumë.
Dëshira ime e parë është për partneren e re të Davidit: Dua të kalojë një ditë në spa dhe të relaksohet. Ajo e meriton atë, sepse është nëna e re e fëmijëve dhe kjo nuk është një detyrë e lehtë.
Ju lutem, bëjeni të buzëqeshë dhe le ta dijë se të gjitha përpjekjet e saj janë vlerësuar nga unë. Faleminderit, unë të dua kudo qofsh, bisedo me mua, unë do të të dëgjoj nga qielli”.
Ndërkohë që po e lexonte letrën, ishte e pamundur për të fshehur emocionin që ndihej, por ajo vazhdoi të lexonte:
“Dëshira ime e dytë është për të gjithë familjen, një udhëtim magjik. Një vend ku ata mund të gëzojnë një farë kohe familjare, për të krijuar ato kujtime që do të mbeten përgjithmonë … “.
Dëshira e tretë dhe e fundit e Brenda-s ishte për mjekët dhe infermierët të cilët, ditë pas dite, ishin kujdesur për të dhe shumë pacientë të tjerë në spital.
“Unë dua që ata të gëzojnë një natë të mbushur me ushqime të mira, pije dhe argëtim, për gjithçka që bëjnë këta heronj për të shpëtuar pacientët me kancer”.
Davidi kishte shpërthyer në lot.
Ai e dinte që Brenda i kishte qëndruar gjithmonë në krah, që ajo kurrë nuk e kishte lënë atë dhe se gjithnjë kujdesej për familjen e tij nga qielli.
Programi i radios plotësoi të gjitha dëshirat e Brendas dhe dërgoi gjithë familjen në Disney World, Florida, ku Jayne gëzoi edhe një spa, ashtu siç premtoi.
“Ne kurrë nuk kemi pasur një festë familjare dhe ky udhëtim do të jetë i mrekullueshëm. Zemrat tona janë plot gëzim “, tha Jayne me mirënjohje.
Gjesti i pabesueshëm i Brendas tregoi një dashuri të pafundme për familjen e saj; një dashuri kaq e madhe që, edhe nëse ishte aq afër vdekjes, u shqetësua për mirëqenien e të dashurve të saj. Nuk ka dyshim se dashuria e një nëne është e pafundme.
Kjo grua ka bërë një dhuratë të mrekullueshme për familjen e saj, a nuk mendoni? Jepni një koment dhe mos harroni të ndani këtë histori të bukur dashurie me miqtë tuaj.
Duke qëndruar akoma në vitet 1900, Fidel Castro duket se ka bërë seks me të paktë 2 gra në ditë për 40 vite. Një në mëngjes dhe një në darkë.
Mao Tse-Tung, nuk e adhuronte higjenën personale, nuk përdorte sapun dhe kishte sëmundje të transmetueshme seksualisht.
Saddam Hussein kishte 3 gra dhe 5 dashnore, ai përdorte edhe viagra për të mbajtur ritmin. Ish-i tij, Parisoula Lampsos tregoi se lideri iraken adhuronte të vishte flokë kaubojsi dhe të shihet video të armiqve që kishte vrarë.
Duke shkuar më tutje në histori, Napoleon Bonaparti ka humbur virgjërinë me një prostitutë, por jo më parë se të dështonte 4 herë. Ai nuk dëshironte të bënte seks me gruan e tij Josephine, vetëm nëse kjo nuk do të ishte larë për të paktën prej tre ditësh.
Në këtë pjesë të katërt të intervistës me ish-oficerin e Sigurimit të Shtetit, rezident në Paris, Hasan Luçi përshkruhen aktet terroriste që ballisto-zogistët e arratisur kanë kryer brenda Shqipërisë kur u hodhën si diversantë. Luçi është mjaft i besueshëm në ato që thotë, pasi flet me shifra dhe fakte që nuk i kundërshton dot. Këtu do të flitet edhe për një nga përpjekjet më të guximshme të agjentëve për të vrarë Enver Hoxhën dhe udhëheqës të tjerë komuniste.
Është një nga historitë sa të pabesueshme aq edhe e panjohur që kam dëgjuar në jetën time si gazetar. Është historia e Avdyl Banushit, atij ballistit të arratisur që hodhi bomba në ambasadën tonë në Romë. Një nga veprimtarët më aktivë kundër regjimit komunist në Shqipëri. Por edhe një trim i tërbuar dhe i paepur nga Golemi i Gjirokastrës. Kulmi është se kjo histori ka ndodhur gati një dekadë më përpara se të zbarkonte banda e Xhevdet Mustafës.
Ishte Avdyl Banushi që ka qenë shumë më pranë se paraardhësit dhe pasardhësit e tij terroristë për të vrarë Enver Hoxhën. Kjo ka ndodhur në vitin 1974, pikërisht kur Shqipëria kremtonte 30-vjetorin e çlirimit të vendit. Askush nuk mund ta merrte me mend, se pikërisht për të ndenjur para tribunës në atë ditë, ishin nisur që nga Nju Jorku një grup diversiv antikomunist, i kryesuar nga Avdyl Banushi. Ai dhe shokët e tij kishte mbërritur me bomba në xhep te Parku Rinia, madje kishin zënë strehë pikërisht në një apartament në bodrumet e pallateve të Shallvareve.
Intervistoi Xhevdet Shehu
– Zoti Luçi, është folur vazhdimisht se bandat diversioniste që hidheshin nga jashtë, kanë kryer edhe akte terroriste. Mund të na përmendni se ku konsistonin këto akte?
– Po ata për terrorizëm vinin këtu. Në atë kohë ata kryen disa akte terroriste si vënie zjarri në naftë në Kuçovë, djegie kooperativash, vënie zjarri shtëpive të rinisë, djegie banesash të patriotëve kooperativistë etj. Në këtë luftë pati sukses loja e zhvilluar me anën e Frontit të Rezistencës dhe amnistia e vitit 1949, megjithëse në veri kjo nuk dha rezultatet e pritura. Kështu në vitin 1951 veprimtaria e bandave të armatosura arriti kulmin, një pjesë e të cilave ishin të përbëra me diversantë të jashtëm, që së bashku organizuan 135 aksione si vrasje, plaçkitje, djegie, propagadë, spiunazh etj.
Në fakt në 1950 kishte 114 banditë, nga të cilët 30 diversantë të ardhur nga jashtë, kurse në 1951 vetëm UDB- a dërgoi 450 diversantë. CIA dërgoi bandën e Curr Pajës nga Greqia. Kështu më 1951 vepronin mbi 475 banditë, prej të cilëve një pjesë ish diversantë të ardhur nga jashtë dhe pjesa kryesore banditë që vepronin nga brenda. Por si rezultat i masave të marra u kryen operacione spastrimi në të gjithë vendin dhe u asgjësuan 144 banditë. Për të përtërirë bandat e dëmtuara që pësuan në vitin 1951 edhe në 1952 spiunazhet e huaja vazhduan hedhjen e bandave diversioniste.
Në 1952, pasi veproi nën urdhrat e anglezëve deri në 1951, A. Zogu vihet në lidhje me drejtuesit e ClA-s dhe vuri në dispozicion të saj njerëzit e tij më të besuar Zenel Shehun dhe Halil Branicën, të cilët më 1 maj 1952 u futën në Shqipëri, ku u kapën menjëherë dhe pasi u mësua misioni i tyre e planet e anglo – amerikanëve, u bë objekt i lojës “Liqeni i Vajkalit” vazhduar nga Sigurimi i Shtetit për 17 muaj rresht. CIA i dha përparësi bazave në Greqi në atë kohë.
Lojat me spiunazhet e huaja ishin suksese të punës vetëmohuese të shumë punonjësve trima legjendarë të Sigurimit të Shtetit e të mbështetjes së fuqishme nga masa e popullit. Edhe në vitin 1953 nën diktatin e huaj, reaksioni i jashtëm bëri edhe një përpjekje për aktivizimin e bandave duke dërguar kriminelin e njohur Hamit Matjani e grupe të tjera diversioniste. Për të parë se si dëgjohej në Shqipëri radiopërhapja e CIA-s në ishujt Kalasinia (Greqi) në vitet 1952 – 1953, një zbulues anglez kujton se anijet e CIA-s e SIS-it bënin disa udhëtime nga Greqia deri në kufirin jugosllav me diversantë brenda për të dëgjuar transmetimet në gjuhën shqipe dhe për të njoftuar për efektin e tyre.
– Pas viteve ’90 është bërë i njohur se ka pasur një plan për të vrarë Enver Hoxhën në mesin e viteve ’70. Pse dështoi ai plan?
– Nuk ka pasur vetëm një plan, por disa. Enver Hoxha ishte i pari që ishte në krye të listës për t’u vrarë. Po le të shikojmë planin për të cilën më pyetët. Ishte nëntori i vitit 1974. Shqipëria komuniste kishte kohë që priste të festonte me madhështi 30-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.
Më së shumti ajo atmosferë ndjehej te banorët e kryeqytetit, të cilët prej ditësh mbushnin gjatësinë e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të parë provat e përgatitjes së kuadrateve me ushtarakë që do të demonstronin para Enver Hoxhës në ditën e 29-të të muajit, e cilësuar si dita jubilare e çlirimit.
Në vëmendjen kryesore, ku rrinte dhe komisioni i përgatitjes së paradës së madhe, ishte pikërisht tribuna madhështore e ndërtuar prej më se 10 ditësh para hotel “Dajtit’, mbi të cilën në ditën e caktuar do të dilte Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe udhëheqësit e tjerë. Aty ishte menduar të bëhej një masakër e paparë ndonjëherë për të vrarë jo vetëm Enverin, por edhe të tjerët që ndodheshin në tribunë…
– Si e morët vesh planin e atentatit kundër Enver Hoxhës?
– Ua kam thënë dhe nuk është sekret se Sigurimi ynë ka pasur bashkëpunëtorët e vet në çdo organizatë e grup të mërgatës politike të shqiptarëve të arratisur, duke filluar nga ata ekonomikë, kosovarë dhe nga njerëz me të vërtetë atdhetarë që u dhimbsej me të vërtet populli i tyre. Më 30 prill 1974 unë mora informacionin se “Fronti i rezistencës kish marrë vendim që ai vit të ishte viti i aksioneve konkrete në Shqipëri ku të angazhoheshin të gjithë luftëtarët e lirisë.
Pikërisht aty u mor një vendim për të kryer detyrën më speciale që mund të ishte kryer ndonjëherë deri në atë moment. Të eliminohej fizikisht Enver Hoxha. Dhe më e veçanta akoma ishte se për atë detyrë nuk u caktuan njerëz të përgatitur në shkolla të rastit, por u caktuan pesë djem të fuqishëm me në krye siç dhe e kemi përmendur Avdyl Banushin.
– Ky ishte ai që hodhi bombën në ambasadën tonë në Romë?
– Dora vetë. Ai ishte autori i eksplozivit që ishte vënë në ambasadën tonë pak muaj më parë si merrej ai vendim ashtu siç do të bënte mbi ambasadën tonë në Itali apo të përsëriste aktin terrorist mbi ambasadën tonë në Paris. Avdyl Banushi ishte shumë i vendosur dhe i betuar për të realizuar detyrat. Ishte aktiv dhe i rrezikshëm. Kishte dhe një nuhatje natyrale të madhe, pra ishte i zgjuar. Është e çuditshme se si u bë armiku ynë ky njeri.
Gjatë luftës kishte qenë me rininë e Ballit, e arrestuan gjermanët dhe e çuan në kampin e shfarosjes në masa në Dakau. Nuk e di si shpëtoi dhe u kthye në Shqipëri. Pastaj u arratis… Me një fjalë ai së bashku me shokët bëheshin kamikazë të vërtetë. Por kjo gjë ishte shqetësuese pasi siç e shikon kishe të bëje me një njeri që e kishte ndarë mendjen për ta kryer me doemos atë akt. Unë dija që ishte nga Golemi i Gjirokastrës dhe në kohë të luftës kishte qenë me rininë balliste.
Pas çlirimit kishte qenë për shumë vite i dënuar në burgun e Burrelit. Por dija se kishte qenë shumë i papërkulur dhe nuk bënte as një kompromis për të lehtësuar veten. I ofruam të bëhej bashkëpunëtor i yni dhe t’ia lehtësonim dënimin, por ai nuk pranoi. Këta njerëz kur u ngarkon detyra bëhen shumë të rrezikshëm. Avdyl Banushi kishte hyrë shumë herë në Shqipëri dhe ishte kthyer shëndoshë e mirë. Madje pak para se të merrej ai vendim, pra punë muajsh ai kishte hyrë në Shqipëri. Kishte ndaluar në shumë rrethe dhe kishte aktivizuar të gjithë elementët e vet.
Kishte shkuar në Gjirokastër, Vlorë, Dukat, Fier, madje edhe në fermën Çlirim ku kishte qenë dikur i internuar në atë zonë, Durrës, Tiranë, Macukull të Burrelit dhe pastaj kishte dalë sërish jashtë kufirit. Ai kishte baza jashtë shtetit dhe brenda Shqipërisë. Jashtë shtetit kishte te shqiptarët e arratisur. Në Shqipëri kishte baza tek familje të pakënaqura nga regjimi. Në Lushnjë kishte bazën “GODO”. Në Durrës ishte baza “CERLOI”, në Tiranë ishte baza “BINERI”. Madje në bazën “Bineri” që i përkiste familjes së Sami Binerit, u formua dhe dega “Fronti i Rezistencës” për Tiranën, madje aty do të strehoheshin edhe më mbrapa kur donin të vrisnin Enverin.
– Cili ishte aksioni i Sigurimit të Shtetit për të penguar vrasjen e Enverit?
-Ka qenë një punë e jashtëzakonshme. Unë për vete kam kaluar momentet më të rënda të jetës sime. Nuk ishte e thjeshtë. Përfytyro ç’mund të bëjë CIA sot në qoftë se rrezikohet jeta e Presidentit Trump apo ç’mund të bëjë KGB-ja për Presidentin Putin etj. Neve na rrezikohej udhëheqësi më i shtrenjtë të cilit i ishim mirënjohës për gjithë ato vepra që kishte bërë për vendin dhe popullin. Më dilte gjumi natën. Nuk ngopesha me frymë. Mendoja se pavarësisht se do të merrnim masat më ekstreme, por po të mos ia arrinim dot ta mbronim. Po sikur të ndodhte…?! Ky tmerr u shtua më tepër kur u informuam se për këtë mision ishte marrë edhe miratimi i amerikanëve.
– Pse kishin edhe amerikanët dijeni për këtë akt?
– Po. Sekretari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Mexhit Dibra u takua me majorin Tomas Smith dhe i bëri të qartë planin ku mori edhe miratimin e tij. Unë mësova se majori Smith u kishte thënë se siguria e Enver Hoxhës ishte perfekte, por Mexhiti i ishte përgjigjur se ky aksion ishte marrë përsipër nga Avdyl Banushi të cilin ata e njihnin shumë mirë madje dhe e kishin paralajmëruar të mos hidhte më eksploziv në ambasadat shqiptare në Europë, pasi ishin akte terroriste. Kështu që si mësova edhe këtë miratim të fundit mua s’më ngelej gjë tjetër, por të mbaja në vëzhgim Avdylin në të gjitha lëvizjet e tij. Ndërkohë që informova Tiranën.
– Si mbikëqyrët ju operacionin apo aksionin e Banushit?
– Unë njoftova Tiranën. Kam njoftuar direkt Kadri Hazbiun, ndërkohë që detyrë tjetër kisha të ndiqja objektivin në të gjithë lëvizjen e tij dhe të mbaja në korrent Kadriun me anë kodesh të shifruara. Ka qenë 20 nëntor 1974 kur unë mora sinjalin se ata u nisën nga SHBA-ja. Ndërkohë që mësova mbërritjen në Prevezë të Greqisë. Dy ditë më mbrapa pikërisht në 22 nëntor mora sinjalin se mbërritën në Çamëri. Unë pas çdo informacioni i raportoja Tiranës. Në të vërtetë sipas informacionit që kishim siguruar për planin e lëvizjes së tyre prisnim që ai të futej nga “Kepi i Stillos”.
Për këtë njoftuam dhe ajo zonë siç mësohet u bë “blind”. Madje për parantezë po të them se edhe vetë Avdyli kur ka dhënë në vitin 2002 një intervistë deklaron se kur erdhi në Çamëri dhe u ngjit malit të Stillos kishte vënë re brenda tokës shqiptare lëvizje të shumta ku kishte kuptuar saktësisht se përkëtej kufirit ishte dhënë informacioni për të. Ai ishte bindur se ishte në vëzhgim prandaj bëri të pamundurën për t’i humbur atij që ndiqte lëvizjet. Kështu ndërroi planin e lëvizjes gjë që kush mund të informonte nuk dinte për çfarë.
– Dhe më tej, si hynë dhe nga hynë ata në Shqipëri?
– Ndërsa prisnim të hynte në “Kepin e Stillos”, arritëm të merrnim informacionin se hynë në zonën e minoritetit të Sarandës. Pas kësaj nuk mësuam dot asgjë derisa hyri në Tiranë. Kur ai mbërriti në Tiranë, menjëherë morëm sinjalin “Hyri”. Menjëherë njoftova Kadri Hazbiun.
– Si është e mundur që nuk e ndoqët dot brenda territorit shqiptar?
– Unë sapo thashë se ai ishte shumë i zgjuar dhe si mësoi se ndiqej gjë që e pa sa hyri në Shqipëri ai mundi t’i fshihte mirë gjurmët. Kjo bëri që të shpëtonte dhe pavarësisht se nuk e kreu dot misionin arriti të kthehet shëndoshë e mirë në Paris dhe Nju Jork. Më mbrapa, pas viteve 90, kur kam takuar Avdylin dhe atëherë si u kthyen pas misionit të pakryer kam mësuar se ai si kishte hyrë në kufirin shqiptar kishte mbërritur në fshatin Aliko të Sarandës.
Kanë fjetur në atë fshat te djali i njërit prej anëtarëve të “Frontit të Rezistencës” që ishte dhëndëri i Kryetarit të Kooperativës me profesion shofer. Të nesërmen të ndihmuar nga i zoti i shtëpisë ku kishin bujtur, i çoi deri në Gjirokastër. Prej andej me autobus arritën që në mbrëmje të shkonin në bazën e tyre te Shallvaret që i raportova unë Kadriut. Vetëm kur u kthyen nga Shqipëria, unë mësova se ata kishin qenë në familjen “Bineri”. Udhëtimi i tyre sigurisht kishte qenë i vështirë pasi informacioni ishte dhënë i saktë.
– Pse dështoi atentati?
-Natën e fundit të paradës tribuna e saj u largua nga vendi që ishte montuar prej dy javësh para hotel ‘Dajtit’ dhe u vendos para Kryeministrisë. Si nuk u kap dot Avdyli, ata mësuan se ishin në kërkim madje siç më ka thënë edhe pak kohë para se të vdiste, pothuajse ishte zbuluar se kur u kthye në shtëpi ku kishte bujtur, mësoi se roja që kishin lënë kishte parë njerëz të dyshimtë që ai besonte se ishin të sigurimit që vrojtonin me vëmendje. Kështu që reaguan menjëherë. Nga baza “Bineri” në mesnatë përfunduan në Ndroq pikërisht në familjen “Mancaku”.
Prej andej ai ishte rikthyer të nesërmen në Tiranë nëse mund të kryente misionin e dytë të hidhte eksploziv në Ambasadën Kineze. Siç më ka thënë kohët e fundit si shkoi te Ambasada e Kinës pa se ishte gardh me policë, pasi ishte përballë RTSH-së dhe shumë institucioneve. Kështu që ishte larguar pa kryer asgjë. Ishte lidhur me shefat e tij dhe i dërguan mjet nënujor për ta rimarrë në bazë.
– Po pastaj ku shkoi dhe si veproi?
– Mundi të fshihet mirë. Nuk u mësua asgjë. Unë ngela te momenti që është në Tiranë dhe është te Shallvaret dhe kaq. Vetëm pasi u rikthye në bazë unë munda të mësoja atë çka kishte ndodhur. Vetëm dy muaj më mbrapa si dështoi me misionin e parë për vrasjen e Enver Hoxhës dhe hedhjen e eksplozivit në Ambasadën Kineze, madje si kishte shpërthyer dy ambasadat tona në Paris dhe në Itali, Avdyl Banushi u përgatit të hynte sërish në Shqipëri.
Këtë herë do të hidhte në erë bustin e Leninit dhe të Stalinit. Por këtë herë ishte një kombinacion agjenturor ai që bëri që Avdyli të arrestohet i gjallë. Kjo u arrit nga zbuluesit tanë në Amerikë. Unë e kisha shumë të vështirë ta gjeja se isha në Francë. Atë kombinim e organizoi Rezidenti i Sigurimit në Amerikë, Sokrat Çomo, i cili ishte prezantuar si diplomat pasi ishte në OKB.
– Më thatë se jeni takuar me të pas vitit 1990, madje dhe kini pirë kafe me të. Si ishte komunikimi midis dy armiqve të dikurshëm?
– Jam takuar tre-katër herë pas 90-s me të e kemi pirë kafe te Sheshi Shopen, aty prapa Institutit të Arteve. Mund të them se ishte një takim normal. I hapëm kartërat. Kur i thashë se në radhët e tyre ne kishim agjentët tanë, filanin e filanin e filanin, ku merreshin vendimet më të rëndësishme,ai vuri duart në kokë. Edhe ai që e solli këtu kur e arrestuam ishte agjenti ynë.
Mirëpo vija re se nuk kishte asnjë shenjë pendese. Prapë po të jem në ato kushte, ashtu do të veproja, më tha. I kishte mbetur vetëm një peng i madh: Gjatë viteve kur kishte punuar si agjent i amerikanëve ai paguhej mirë dhe dollarët i kalonin në një bankë atj. Ishin 150 mijë dollarë. Priti t’i merrte kur doli nga burgu pas 90-s, por nuk i mori kurrë. Madje nuk i dhanë as vizë të shkonte as në Amerikë, dhe as në ndonjë vend tjetër. Vdiq në mjerim aty pas disa viteve…
Në trevat e Librazhdit të sotëm ndodhen disa shpella të banuara, të quajtura shpella eremite, ose shpella kisha, si në fshatrat Koshorisht, Skroskë dhe Urakë, të cilat kanë në muret e tyre shkëmbore piktura murale me tematikë biblike.
Në njërën prej këtyre shpellave, dhe pikërisht në atë të fshatit Koshorisht, ndodhet një nga pikturat më të mëdha shpellore në Shqipëri. Piktura e shpellës eremite të Koshorishtit ka disa skena, të cilat mbartin vlera të rëndësishme kulturore dhe historike. Krahas skenave biblike janë pikturuar edhe tetë figura njerëzore, që mendohet se i përkasin familjes së njohur të aristokracisë shqiptare, asaj të Aranitëve.
Para se të flasim për shpellën eremite, për pikturën dhe vlerat e saj, na duhet që të themi dy fjalë për eremitët, kush ishin, çfarë përfaqësonin dhe cila ishte jeta që ata bënin.
Kush ishin eremitët?
Në fillimet e kristianizmit, disa burra dhe gra, të cilët e kishin përcaktuar veten e tyre si ndjekës të Krishtit, praktikonin këshillat ungjillore dhe kishin vendosur t’i kushtoheshin jetës së Krishtit, duke e imituar atë. Ata bërin një jetë vetmitare kushtuar Perëndisë, por secili në mënyrën e vet. Shumë prej tyre, nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë, u bë eremitë.
Termi “eremit” (shqip: “vetmitar”) është thënë fillimisht për një murg të krishterë, që jetonte i vetmuar, i ndikuar nga bindjet e tij fetare. Fjala “eremit” vjen nga fjala greke ἐρημίτης (erimitis), që fjalë për fjalë do të thotë “e shkretëtirës”, duke nënkuptuar shkretëtirën, pra një vend të pabanuar, të “vetmuar”.
Termi “vetmitar” është përdorur jo vetëm për çdo të krishterë që bënte një jetë të izoluar, por edhe për çdo besimtar të feve të tjera, si, p. sh., të Budizmit, Hinduizmit, Islamit (Sufizmi) etj. Në përdorimin modern bisedor, fjala “vetmitar” tregon për një njeri që jeton larg nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Eremitët e krishterë kanë jetuar në vende të izoluara, në shpella natyrore, ose në banesa të vetmuara, që ishin të vendosura në shkretëtirë, në faqe mali, apo në pyll. Ata ishin të fshehur nga sytë e njerëzve dhe bënin një predikimi të heshtur ndaj Zotit, të cilit eremiti i kishte dorëzuar jetën e tij. Me dëshirën e tij eremiti hiqte dorë nga shqetësimet dhe kënaqësitë e kësaj bote.
Më të shumtën e herës ata e kalonin kohën me lutje të vetmuar dhe me punë. Eremitët ishin të kërkuar për këshilla shpirtërore dhe për mbrojtje. Disa prej tyre patën shumë dishepuj (pasues). Në Kishën Lindore eremitë bënin një jetë jo vetëm me lutje, por edhe me shërbime ndaj komunitetit të tyre. Eremiti ishte një vetmitar në dispozicion të të gjithë atyre që kishin nevojë për të.
Burime historike, por edhe gjurmë të vendbanimeve të ndryshme në Shqipëri, dëshmojnë se edhe në trojet shqiptare ka pasur një traditë të jetës eremite. Shpellat eremite, apo shpellat kisha, siç i quante populli, janë dëshmi që vërtetojnë se edhe në këto trevat kanë jetuar dhe kanë zhvilluar aktivitetin e tyre fetar eremitët e krishterë.
Nuk dihet mirë se kur kanë mbërritur në vendin tonë eremitët e parë të krishterë, por studiuesi Neritan Ceka, në librin e tij “Iirët” (Tiranë 2000), shkruan se disa murgj të persekutuar, gjatë periudhës së sundimit të perandorit bizantin Kostandini V, u vendosën në trevat e shqiptare.
“Qëndrimi liberal i kishës së Dyrrahut, – shkruan Ceka, – bëri që të vendoseshin murgjit ikonodule trakas të persekutuar në kohën e perandorit Kostandini V. Ata zgjodhën për të banuar shpellat në Letëm të Librazhdit…, duke lënë edhe gjurmë nderimi për shenjtorët në afresket e pikturuara në faqet e shpellave”(Ceka, 2000). Pikërisht për këtë shpellë eremite të Koshorishtit bën fjalë edhe shkrimi ynë.
Shpella eremite e Koshorishtit
Shpella eremite e Koshorishtit është shpella më e madhe dhe, për mendimin tonë, më e rëndësishme në Shqipëri. Ajo gjendet në fshatin Koshorit të krahinës së Çermenikës dhe është quajtur ndryshe “Shpella e kishës”. Fshati Koshorisht është i përmendur si një vendbanim që në shek.e 15-të.
Ai figuron në një regjistër kadastral osman të vitit 1467, me emrin Kosharishtë. Duke qenë se shpella ndodhet në faqen e Malit të Letmit, ajo njihet në literaturën shkencore si “Shpella e Letmit”. Por shpella ndodhet në teritorin e fshatit Koshorisht, ndaj ne kemi preferuar që ta quajmë “Shpella e Koshorishtit”. Në vitin 1971 Shpella e Letmit (Koshorishtit) është shpallur Monument Kulture e Kategorisë së Parë.
Shpella e Koshorishtit, për vlerat e saj historike e kulturore që mbart, ka qenë objekt studimi dhe hulumtimi i disa prej studiuesve shqiptarë më të njohur, si Prof. Theofan Popa, Prof. Dr. Akademik Andromaqi Gjergji, Prof. Dr. Dhorka Dhamo etj.
Studiuesi Th. Popa i ka kushtuar një kapitull të veçantë Shpellës eremite të Koshorishtit, në studimin e tij: “Piktura e shpellave eremite në Shqipëri” (“Shpella eremite mbi shkambin e Letmit”, Rev. St. historike/3,1965).
Në vitin 1982, gjatë një ekspedite etnografike në disa fshatra të krahinës së Çermenikës, për mbledhjen e të dhënave mbi veshjet popullore të krahinës, u krye edhe një eksplorim në Shpellën e Koshorishtit, me qëllimi për të parë dhe hulumtuar një nga monumentet më të rëndësishme kulturore të krahinës, si dhe për t’u njohur me vlerat e saj, siç ishin veshjet e disa prej figurave njerëzore të pikturuara në këtë shpellë.
Ekspedita ishte e organizuar nga Instituti i Kulturës Popullore dhe Muzeu Historik i rrethit të Librazhdit dhe e drejtuar nga etnologut i mirënjohur, Prof. Dr. Akademik Mark Tirta.
Shpella ndodhet mbi një shkëmb të thepisur, në faqen jugore të Malit të Letmit, në një lartësi prej 300 m dhe në një pozicion shumë të vështirë për t’u ngjitur. Ajo ka formën e një zgavre natyrore rrethore dhe thellësia e saj është rreth 8 m.
Në hyrje të saj shpella ka një gjërësi rreth 15 m dhe më tej ajo vjen duke u ngushtuar,duke formuar një ambient si dhomë me dimensionet 7 x 5 m. Në hyrje të shpellës dallohen disa fragmente muresh guri të lidhura me gëlqere, që dëshmojnë se shpella duhet të ketë qenë e mbyllur me mur.
Gjithashtu, në rrëzë të tavanit, duken disa gjurmë të gdhendura në shkëmb, që kanë shërbyer për të vendosur trarë. Studiuesi Theofan Popa ka mendimin se“shpella duhet të ketë pasë qenë shtrue me dërrasa…” (Popa, 1965).
Për mendimin tonë, trarët dhe dërrasat duhet t’i kenë shërbyer piktorit të shpellës si skelë gjatë pikturimit.Tavani i shpellës është i suvatuar me llaç e mbi të janë pikturuar, në formë kompozimi me rrathë, dy skena në formë medalioni dhe ngjitur me to familja e ktitorit në miniaturë.
Njëra nga skenat paraqet figurën e Shën Mërisë me Emanuelin (Krishtin fëmijë), kurse skena tjetër ka të pikturuar figurën e Krishtit Pandokrator. Th. Popa në studimin e tij i ka bërë njëanalizë dhe njëpërshkrim shumë të detajuar pikturave të shpellës.
“Pandokratorii pikturuem mbi gjoks e sipër, – shkruan ai në studimin e tij, – përfshihet brenda nji medalioni e paraqitet në qëndrim frontal, tue bekue me të djathtën dhe tue mbajtë ungjillin me të majtën, veshun me mafor blu dhe himation të kuq, me brerore të madhe ari të kryqëzueme me vizat që formojnë kryqin, të hapta pak aty ku bashkohen me vizën rrethuese të brerores.
Koka e Pandokratorit vjen pak në madhësi mbinatyrore, me flokë të mbështjellun e të përdredhun, lëshue nga mbrapa, me sy të mëdhenj e vetulla të nalta, me hundë të drejtë, me mustaqe e mjekër të vogël. Pjesët e fytyrës janë ndriçue në mënyrë të njinjishme. Duerët vijnë tepër të mëdha në përpjestim me fëtyrën” (Popa, 1965).
Një përshkrim të hollësishëm i bën Prof. Popa edhe figurave të Shën Mërisë dhe Emanuelit. “Shën Mëria, – shkruan ai, – paraqitet e tipit Oranta, me duer të hapta në qëndrim lutjeje deri në brez, nën maforin rreth kokës me nji napë blu të çelët.
Fytyra e saj paraqitet në formë vezake me vetulla të trasha, të nalta, me sy të mëdhenj por çakërr, me hundë të drejtë dhe të prefët, me vizën rrethese të fytyrës të errët, që shtrihet si sfumaturë rreth qendrës së saj.
Pjesët e fytyrës ndriçohen në mënyrë të njinjishme dhe duert i ka ma të vogla në përpjestim me fytyrën. Emanuelin e ka në krahnor, të përfshimë brenda nji medalioni, veshun me stihar të badhë me pika ngjyrë tjegulle, me brerore të kryqëzueme, tue bekue me të djathtën e me ilitarion në të majtën.(Popa, 1965).
Nën krahun e djathtë të Shën Mërisë janë pikturuar shtatë figura njerëzore në miniaturë dhe nën krahun e majtë të saj edhe një figurëe tetë. Të gjitha figurat janë me duar të ngritura lart, në qëndrim lutjeje.Tre figurat e para janë femra, ndërsa pesë të tjerët janë meshkuj.
Nga meshkujt, i pari që vjen mbas grave, mban në dorë maketin e kishës. Th. Popa ka mendimin në këtë pikturë paraqitet figura klitori i pikturës së shpellës dhe e familjes së tij.“Personat e tjerë pas klitorit, – shkruan Popa, – ka të ngjamë të jenë e shoqja dhe të bijat, kurse ata përpara djemtë”(Popa, 1965).
Një vend të veçantë zë në pikturën e shpellës eremite të Koshorishtit edhe një mbishkrim, i cili ndodhet ndërmjet fytyrës dhe krahut të djathtë të Shën Mërisë. Mbishkrimi është në greqishten bizantine. Th. Popa ka bërë edhe transliterimin, transkriptimin dhe përkthimin e këtij mbishkrimi, i cili është:
Nga ky përkthim del se piktura i kushtohej Shën Mërisë dhe se autor i saj ishte piktori Stano. “Rezulton pra, – shkruan Th. Popa, – që parklisi i asht kushtue Shën Mërisë, dhe së dyti që piktori i pikturës ka pas qenë nji farë Stano” (Popa, 1965).
Në ç’vit ishte krijuar piktura në shpellën e Koshorishtit? Duke u nisur nga disa elemente të pikturës, siç janë stili i pikturimit, linjat arkaike të vizatimit, thjeshtësia e disa prej tipareve të figurave biblike etj., Th. Popa ka shprehur mendimin se këto elemente dëshmojnë“për nji pikturë mjaft të lashtë, për nji pikturë ndofta të periudhës së dinastisë së Makedonëve e të Komnenëve, e cila fillon mbas fitores mbi ikonoklastët (gjysma e dytë e shek.IX) dhe shkon deri në të XII shekull”(Popa, 1965).
Popa është i mendimit se piktura është krijuar para shekullit të12-të. “Simbas tipareve që ka, – shkruan ai, – ne mendojmë se piktura e Shpellës së Letmit duhet të konsiderohet si e shek. XI-të, ndofta e nji periode ma të herët” (Popa, 1965), duke lënë të kuptohet se ajo është një nga pikturat më të vjetra në Shqipëri.
Kujt familje i përket piktura në shpellën eremite të Koshorishtit?
Një aspekt i rëndësishëm në pikturën e shpellës së Koshorishtit janë 8 figurat njerëzore, që studiuesi Th. Popa është i mendimit se janë figura e kritorit (dhuruesit) dhe e familjes së tij. Kujt u përkasin këto figura dhe kujt i kushtohet piktura e Shpellës së Koshorishtit? Prof. Theofan Popa, gjatë analizës që i bën pikturës së shpellës së Koshorishtit, nuk jep asnjë të dhënë se kush janë figurat njerëzore.
Ai nuk i identifikon ata, përveçse jep një opinion të shkurtër, se klitori “duhet të ketë pas qenë ndonjë përfaqësues së shtresës së pasun vendase të asaj kohe”. (Popa, 1965). Por, sipas studiuesve, duhet të ketë qenë një familje aristokrate vendase. Lind pyetja: Kush ishte familja aristokrate në pikturën e shpellës së Koshorishtit?
Thamë më sipër se piktura ishte e shek. të 12-të. Prof. Dr. Ak. Dh. S. Shuteriqit, një nga studiuesit e njohur shqiptar që është marrë gjërësisht me origjinën e familjes së Aranitëve, shkruan se Familja Princërore e Aranitëve gjatë mesjetës së mesme (shek. XI-XV) kishte në zotërim krahinën e Çermenikës.
Në tre nga studimet e tij më të spikatura për aranitët, si: “Aranitët-Emri dhe gjenealogjia” (1965), “Aranitët-Zotërimet” (1967) dhe “Aranitia në vitin 1467” (1981), Dhimitër S. Shuteriqi, kishte dëshmuar me fakte të dokumentuara që krahina ku shtriheshin zotërimet e Aranitëve quhej “Aranitia” dhe se Aranitët kishin që nga viti 1001 që përmenden në historinë e Shqipërisë. Domenat e Aranitëve, shkruan Shuteriqi, shtriheshin në Shqipërinë e Mesme dhe se e ata e kishin qendrën e tyre në trevat e Librazhdit të sotëm (Shuteriqi, 1981)
“S’ka asnjë dyshim,- shkruan ai, – se … me emrin e Aranitisë kuptoheshin domenat e Aranitëve në viset e Librazhdit të sotëm…”(Shuteriqi, 1965). Në tekstin e Historisë së Shqipërisë (Tiranë 2002), shkruhet se një nga emrat e familjes së aranitëve ishte “Çermenika”.
Si përfundim mund të themi se figurat në pikturën e shpellës së Koshorishtit, që Prof. Popa shkruante se ishin një familje “e pasun vendase” (Popa, 1965), nuk ishin tjetër veçse pjesëtarë të familjes Aranitase, sundimtarëve vendas të krahinës së Çermenikës.
Kjo pikturë e shpellës së Koshorishtit, që, siç e pamë, i përkiste familjes aristokrate të Aranitëve, është dokumenti më i hershëm, që paraqet në mënyrë figurative një familje aristokrate shqiptare. Theofan Popa është i pari studiues që tërhoqi vemendjen e veshjes në pikturë të klitorit dhe të familjarëve të tij, të cilat ai i krahasoi me veshjet e banorëve vendas të krahinës së Çermenikës. “Interesante këtu, – shkruan ai, – paraqitet veshja e sipërme e grave, me mangë të varuna nga mbrapa, njisoj si në mangoret e katrundarëve tanë” (Popa, 1965).
Shpella eremite e Koshorishtit ka kohë që është kthyer në një objekt të vizitueshëm turistik. Ajo vizitohet pothuajse çdo ditë nga shumë vizitorë të ndryshëm, të cilët shprehin admirimin e tyre për këtë vepër të rrallë të kulturës sonë të traditës.
Për fat të keq, piktura e shpellës eremite të Koshorishrir është dëmtuar shumë nga disa prej vizitorëve vandalë, të cilët kanë gërvishur muret, duke shënuar emrat e tyre. Skena më e dëmtuar në pikturë është ajo e figurave njerëzore, që paraqet familjen aristokrate të Aranitëve.
Ndonëse shpella ka mbi 40 vjet që është e shpallur Monument Kulture dhe mbrohet me ligj nga Shteti Shqiptar, por ajo nuk ruhet dhe ka po aq vjet që ndodhet në mëshirë të fatit të saj.
Piktura, si objekt kulture, dhe misteret historike që ajo mbart në gjirin e saj, nëse nuk merren masa urgjente për mbrojtjen, për fat të keq, ato do të jenë të destinuara që të zhduken përgjithmonë, duke bërë që të humbasë një nga reliket më me vlerë të kulturës dhe të historisë sonë kombëtare. /LibrazhdiOnline/