Ekskluzive: Fotot e rralla. Historia e panjohur e ngjarjes së ndodhur 43 vjet më parë në fshatin Baldushk të Tiranës, ku pas ngordhjes së 100 lopëve, Sigurimi i Shtetit “zbuloi një grup armiqësor” nga i cili dy persona u pushkatuan, një grua viiq në hetuesi dhe kreu “vetëvrasje” kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Ndue Marash
Nga Dritan Xhemalaj
Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili është një projekt i ideuar dhe mbështetur nga zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë e kryesuar nga znj. Claudia Wollmer, në bashkëpunim të ngushtë me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe nën kujdesin direkt të Drejtorit të Përgjithshëm z. Thoma Gëllçi, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e pestë, me titull “Dritëhijet e ngjarjes së Baldushkut”.
Ky cikël dokumentarësh i cili ka filluar prodhimin që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe trasmetimin në ekranin e RTSH1 që nga fillimi i muajit dhjetor, sjell para teleshikuesëve ngjarje të bujshme apo dhe të panjohura nga periudha e regjimit komunist të para viteve ’90-të. Në këtë kuadër, dy autorëve të sipër cituar, si dhe stafi i tyre, sjellin këtë dokumentar që i kushtohet ngjarjes së vitit të largët 1975,kur në kooperativën bujqësore të fshatit Baldushk të Tiranës, ngordhën 100 lopë të rracës hollandeze, gjë e cila alarmoi udhëheqjen e lartë komuniste dhe deri Byronë Politike.
Nisur nga kjo, në fshatin Baldushk që atë ditë që u konstatua “intoksikimi i lopëve”, zbarkuan me urgjencë të madhe forca të shumta të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, Sigurimit të Shtetit, Hetuesisë dhe Prokurorisë së Përgjithëshme, të cilëve iu paraprinte, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretar i parë i Komitetit Partisë së Tiranës, Manush Myftiu, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Ndue Marashi e shumë zyrtarë të tjerë partiakë e shtetërorë të rangjeve më të ulta. Si rezultat, kjo ngjarje që shkaktoi jo pak zhurmë në atë kohë, për shkak se përveç disa dënimeve të rënda me nga 25 vjet burg, iu pre jeta në mes edhe katër personave të akuzuar si krerët e “Grupit sabotator”, (dy u pushkatuan, një i tretë vdiq në hetuesi nga torturat dhe për të katërtin u tha se bëri vetëvrajsje), ka intriguar dy autorët bashkërealizues të projektit në fjalë, të cilët kanë synuar ta rindërtojnë atë ngjarje ashtu siç dhe ka ndodhur plot 43 vjet më parë.
Në këtë konteks, përveç dokumenteve arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendëshme, (dosja hetimore dhe gjyqësore), në dokumentarin në fjalë, vijnë me dëshmitë e tyre para kamerave, pothuaj të gjithë personat që kanë lidhje direkt me atë ngjarje, apo më saktë personat që u akuzuan si pjestarë të “Grupit sabotator” dhe vuajtën dënimet e gjata në burgjet e regjimit komunist, apo dhe familjarët e katër personave që humbën jetën si të akzuar për implikim në këtë ngjarje. Në këtë kuadër sjellin dëshmitë e tyre para kamerave, Agim Akçani, një nga punonjësit kryesorë (brigadier) të stallës së lopëve ku ndodhi helmimi i lopëve, i cili përveç rrëfimit të ngjarjes, tregon torturat psikollogjike dhe fizike që i bëheshin atij gjatë hetuesisë, duke përmëndur të gjithë ata që e kanë keqtrajtuar.
Po kështu vijon me rrëfimin e tij edhe Hamdi Shabani ish-normist në stallëne lopëve të Baldushkut, ku ndodhi intoksikimi i lopëve. Me mjaft interes janë dëshmitë e dy vëllezërve, Faik dhe Haxhi Daja, (i pari ish-oficer i Sigurimit të Shtetit në atë kohë), të cilët tregojnë para kamerave lidhur me ngjarjen në fjalë, ku dy vëllezërit e tyre, Rifat dhe Latif Daja, u akuzuan si “Krerët e grupit sabotator” dhe si rezultat, Rifati u dënua me vdekje dhe u pushkatua, ndërsa Latifi u dënua me 25 vjet burg si “armik i popullit”. Po kështu dëshmi mjaft interesane sejll para kamerave, Nadire Shima, ish-mjelse e lopëve në atë kohë në stallat e Baldushkut ku ndodhi ngjarja, e cila tregon versionin e saj për atë se çfarë ka ndodhur në atë kohë, si dhe për torturat psikologjike dhe fizike që i bëheshin asaj gjatë hetuesisë, duke i futur në qeli një kufomë njeriu…?! Mes të tjerash, Nadirja tregon edhe për ato që ndodhnin në qeli me motrën e saj, Emine Shima, e cila nuk arriti të dilte dot e gjallë nga burgu?! Ndër dëshmitë me mjaft interes që vijnë para kamerave, janë edhe ato të Zef dhe Gjovalin Marashit, vëllait dhe të birit të Ndue Marashit, (ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës në atë kohë), për të cilin u tha se; “vrau veten nga që ishte i implikuar me ngjarjen e helmimit të lopëve”. Po kështu lidhur me këtë, jep versionin e saj edhe znj. Marta Doçi, (motra e bashkëshortes së Ndue Marashit), e cila hedh poshte versionin zyrtar të vetëvrasjes së kunatit të saj, madje duke vënë gishtin edhe mbi autorët…?!
Dokumentari në fjalë vijon me dëshmitë e rralla të Prof. Dr. Kosta Gazelit, i cili në atë kohë ka qenë një nga hetuesit kryesorë që është marrë me këtë ngjarje, i caktuar nga Drejtori i hetuesisë së Tiranës, Dilaver Bengasi. Lidhur me këtë, Gazeli (aktualisht profesor në Universitetin Mesdhetar të Tiranës), tregon versionin e tij rreth asaj ngjarje që ai ka hetuar në atë kohë, duke folur gjatë edhe rreth akuzave për tortura dhe keqtrajtime që i bëhen atij nga Agim Akçani, njëri nga të akuzuarit kryesor për ngjarjen në fjalë. Një dëshmi kyçe është ajo që sjell gjatë në dokumentar edhe prof. dr. Qemal Poçi, ish ekspert toksikolog dhe shef i Laboratorit Qëndror të Toksiokologjisë në atë kohë, i cili u ngarkua për të bërë analizat e lopëve të intoksikuara që shteti i dërgoi deri në Kinë për të “zbardhur” atë ngjarje. Prof. Poçi jep versionin e tij lidhur me dilemën e madhe: intoksikimi i lopëve kishte ardhur për shkak të ushqimit me pesticide që thuhej se kishin ngrënë lopët, apo ato ishin helmuar me zhivë termometri, siç akuzonte në atë kohë hetuesia?!
Përveç dëshmive të gjalla të ish-protagonistëve kryesorë të asaj ngjarje, dy bashkëautorët e dokumentarit, Kaloçi dhe Stafa si dhe stafi i tyre, kanë bërë publike edhe një numër të madh dokumentash arkivore dhe foto të rralla të panjohura më parë. Ky dokumentar që realizohet me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë e kryesuar nga znj. Claudia Vollmer dhe Radio-Televizioni Publik Shqiptar, nën kujdesin direkt të drejtorit të përgjithshëm, Thoma Gëllçi, vjen premierë të mërkurën, në ora 20 e 35 dhe ritrasmetohet të premten në ora 13 e 20 në Radio Televizionin Publik Shqiptar./Tema
Në revistën franceze, « L’Année géographique : revue annuelle des voyages de terre et de mer ainsi que des explorations, missions, relations et publications diverses relatives aux sciences géographiques et ethnographiques », botuar në 1872 nga shtëpia botuese « L. Hachette et Cie (Paris) » gjejmë, në faqen n° 327, shkrimin e arkeologut të njohur francez, Albert Dumont, i cili gjendej në Shqipëri gjatë verës po të atij viti.
Si përshkruhen shqiptarët në këtë shkrim ? Në vijim do të gjeni rrëfimet brilante, të revistës dhe të autorit, mbi popullin tonë, të sjella në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu Dars (Klos), Mat – Albania » :
Rrëfimi i revistës mbi shqiptarët nëpërmjet udhëtimit të arkeologut francez në Shqipëri :
«Shqipëria, ku në të cilën Z. Albert Dumont ka hyrë nëpërmjet Shkodrës, e vendos atë në qendër të vëzhgimeve të reja.
Në Dalmaci, autori studion kryesisht vendin, ndërsa në Shqipëri popullin. Shqiptari – « Skypétar » siç i quan ai vetë – është një popull i virgjër, pothuajse primitiv, i cili nuk ka ngjashmëri me evropianin (me perëndimorin).
I familjarizuar me antikitetin helenik, Z. Dumont, është habitur çdo moment nga kostumi, zakonet, traditat apo analogjitë shqiptare, të cilat i kujtojnë atij Grekët e kohëve Homerike. Shqiptarët banojnë në trojet që dikur ishin të Pellazgëve.
Ka shumë mundësi që një pjesë e gjakut të këtyre banorëve të lashtë (e kësaj rrace parësore) rrjedh ende në damarët e shqiptarëve. »
Rrëfimi i arkeologut francez për shqiptarët :
« Shqiptari dallohet përsosmërisht ; koka e tij e vogël, hunda e hollë, syri i mprehtë, i çelur si bajame, qafa e gjatë, trupi i dobët, këmbët e gjata dhe të forta, ai na kujton Grekët e lashtë, ashtu siç e gjejmë në skulpturën arkaike prej mermeri të Egjinës.
Edhe kostumi (veshja) i tij vë në pah kujtimet e antikitetit. Fustanella e bardhë na kujton tunikën me pala deri në rrip, ndërsa gjunjakët (tirqit) e gjatë që mbështjellin këmbët deri në gjunjë janë mbrojtësit e kërcinjëve të epokës heroike.Kostumi nuk është i gjerë dhe i fryrë si në epokën e bukur greke ; por dallojmë, në vazot e stilit të vjetër që,
(Në 1870, Ministria franceze e Arsimit publik i ka dhënë për mision autorit të studiojë vazot e pikturuara greke dhe të zbulojë prejardhjen e tyre),
Helenët e dikurshëm nuk kanë pasur zakonet e bashkëkohorëve të Perikliut. Pikërisht, shpjegimi i kostumeve më të vjetra helenike duhet kërkuar në Shqipëri. »/Njekomb
Një nga popujt e hershëm që kanë bashkëjetuar me shqiptarët në trojet e tyre, janë vllehët. Origjina e tyre shtrihet që me pushtimet e perandorisë Romake. Kanë shkruar për këto histori shumë studiues dhe autorë të ndryshëm.
Gjurmë në lashtësi
Më të plotë e më të hershëm me studimet e tyre kanë qenë, Straboni, Eugjen Borene me studimin “Shënime mbi Vllehtëë” në vitet 1869, dhe veçanërisht murgu francez, Zhan-Klod Faverial, me librin “Vllehtë e Pindit” në vitin 1864 dhe “Historia e Vllehëve” në vitin 1891. Ky autor ka shkruar gjithashtu të parën vepër “Historia e Shqipërisë” (Histoire de l’Albanie), botuar në origjinal në gjuhën frënge, si një ndër veprat e para të periudhës së hershme të Shqipërisë deri në gjysmën e dytë të shek. të XIX-të.
Këta autorë kanë shtruar pyetjen, se kush ka qenë Maqedonia e Aleksandrit të Madh, hipotezë e cila është ende e errët në historinë tonë? Në një nga përgjigjet Faverial thekson se, “maqedonasit e Greqisë ishin Pellazgë”. Kurse Straboni thekson se,“maqedonasit flisnin të njëjtën gjuhë me epirotët”. Pra nuk flisnin greqisht, dhe për t’u marrë vesh me grekët ishte i nevojshëm një përkthyes. Pellazgjishtja e tyre ishte më e ngjashme me latinishten se sa me greqishten. Krahina e Thesalisë, sipas zbulimeve historike, është vendstrehimi i Pellazgëve dhe në rrethinat e shpateve të maleve të Pindit që quhet Maqedoni, ndodhen rrënojat e mureve masive të tyre.
Pindi, Olimpi i vllehëve
Pellazgët dhe Ilirët sipas këtyre autorëve, ishin homogjenë, me prejardhje fisnore shumë të afërt. Në këto krahina që quhej Thesali dhe në veçanti në territoret e Pindit që quhej Maqedoni, kanë jetuar fiset shqiptarë e vllehë. Këta i përkisnin bërthamave të ndryshme, por ishin të së njëjtës rracë, Ilirë.
Dokumente
Në vitin 1708 princi i Hongro-Vllahisë, Gjergj Kosturi, nxorri një akt themelimi për hapjen e dy shkollave vllahe në Kostur. Në kishën metropolitane të Elbasanit, gjendet një dokument i hershëm i vitit 1736, ku metropoliti i Beratit, Metodi, me origjinë nga fshati Bubullimë i Myzeqesë, shkruan për inspektimin që bëri në kishën e Shën Marisë së Neokastrës (Elbasanit), për funksionimin e shkollës vllahe. Elbasani shkurtimisht nga vllehtë është quajtur Neoksa. Një dokument i tillë për shkollat vllahe është dhe për Kavajën, Tiranën, e Durrësin. Këto janë dokumenta të hershme të shkollave vllahe.
Në vitin 1878 Sulltani i shkruante Valiut të Selanikut dhe të Janinës, “Ne jemi bërë me dije se vllehët e Epirit, Thesalisë, Maqedonisë, Trikallës, e Selanikut, dëshirojnë të ngrenë shkollat e tyre në gjuhë amtare. Kërkoj të ngrini aq shkolla vllahe sa ta shihni të arsyshme.”Që në vitin 1884 në Korçë kishin nisur orvajtjet për shkolla shqipe dhe vllahçe. Vllehët qytetit të Korçës i thoshin Kërçao, Kavajës Këvalja, Beratit Villardi, Fierit Ferka dhe Vlorës Avllona.
Në vitin 1770 në Venecia u botua një fjalor Greqisht-Vllahish-Shqip me 1070 fjalë me autor Teodor Kavaliotin, protopap i Voskopojës. Studjuesi Hammer thoshte se, “Në mesin e shekullit të XVII-të, një voskopojar i quajtur Dhimitër Prokopi, lëvronte në vllahishte me mjaft sukses.” Ndërsa studjuesi Pakimer shkruan, “Vllehtë shtriheshin nga rrethinat e Kostandinopojës deri në Bizi e më tutje. Ata pëlqejnë të jetojnë në vende të pa arritshme, ku ushqejnë kopetë e bagëtive, si dhe janë të zot në përdorimin e armëve.”
Vllehët, vendodhja dhe besimi fetar
Vllehtë në territorin shqiptarë ndodhen të përqëndruar në pjesën jug-lindore, në atë të mesme dhe jug-perëndimore të Shqipërisë. Po ashtu ata shtrihen edhe në shtetet e tjera të Ballkanit si, në Greqi, Maqedoni, Bullgari, Rumani, Serbi, deri dhe në SHBA, në Gjermani, Kanada, Australi, Argjentinë e tjera si emigrant ekonomik ndër vite. Në Fraiburg të Gjermanisë, është qendra e studimeve Vllaho-arrumune me në krye profesor V. Barben. Besimi fetar i vllehve është ai ortodoks. Bizanti bëri të gjitha përpjekjet të konvertonte popujt në Helenë, ata që Roma i kishte kthyer dikur në Romakë. Po ashtu dhe latinishten e gjuhët e tjera vendase, i zëvëndësuan me gjuhën Greke. Helenizimi mori autorsinë dhe të krishterimit, ku çdo i krishterë quhej grek. Profesionet e vllehëve kanë qenë kryesisht: blegtorë, zejtarë, tregtarë, mirëmbajtës kanalesh, ujësjellsave, ndërtues banesash urbane e kishtare, si dhe ndërtues urash.
Popullsia shqiptaro-vllahe ka bashkëjetuar në harmoni të plotë, si në përpjekjet për zhvillimin shoqërorë të tyre dhe në atë politikë. Mbretëria shqiptaro-vllahe e Prespës ka qenë një nga bashkëjetesat e suksesshme në luftrat e tyre të përbashkëta për egzistencë, nën drejtimin e Kontit Samuel në vitet 976-1017, duke patur si kryeqendra Ohrin dhe Durrësin.
Një delegacion vllah në Kostandinopojë
Në vitin 1878 nga Kongresi i Berlinit u shkëputën shumë krahina nga shtete të ndryshme, që u aneksuan vendeve të tjera dhe që e ndryshuan hartën e Europës. Kështu u aneksuan dhe Epiri e Thesalia që i kaluan Greqisë. Profesori Zhan-Klod Faverial në veprën e tij shkruan : “Po aq sa dhe Epiri e Thesalia kurr njiherë s’i kanë përkitur Greqisë. Vllehtë iu kundërvunë aneksimit të këtyre krahinave me po ato arsye të drejta si dhe shqiptarët ndaj aneksimit të Epirit.”
Një delegacion vllah shkoi në Kostandinopojë për të marrë takim me ambasadorët e disa shteteve të mëdha, për t’u ankuar ndaj këtyre padrejtësive. Një takim i till u bë me ambasadorin rusë. Ai u tha :
-“Kini mendjen, ju keni marrë përgjegjësi të madhe mbi vete”. Ata u përgjigjën :
-“Shkëlqesi, ne i kemi menduar mirë, por jemi mes jetës dhe vdekjes. Dhe midis këtyre të këqijave, duhet të zgjedhim më të voglën, ndaj kemi parapëlqyer shpresën për jetën ndaj vdekjes”. Në takimin me ambasadorin italian, Konti de Kortin, ata i thanë :
-“Po, Europa na garanton zotërimin e disa fushave, maleve e shkrepave, por ajo nuk na del dorzanë për kombësinë tonë rromane, gjuhën e zakonet tona. Dhe për ne kanë rëndësi këto vlera më shumë se të tjerat. Ne vllaho-romanët me t’u përfshirë nën Greqinë, pa dyshim do biem pre e tyre dhe në se ndokush kërkon të mbetet rroman, ai me hirë apo me pahirë do detyrohet të emigrojë. E shihni zoti Ambasador, se në se forma ndryshon, thelbi mbetet i njejtë? T’u lihen tokat tona grekëve, do të thot të lemë në dorë të tyre kombësinë, gjuhën e zakonet tona, me një fjalë ajo çka është më e shtrenjtë për ne.”
Vllehët, as rumunë as grekë…
Shumë e rëndësishme është dhe Proklamata që vllehët i drejtuan shqiptarëve në 4 gusht 1888 ku shkruhet: “…dhe t’i dëshmojmë botës së qytetruar, se shumica e popullsisë në Shqipëri e Maqedoni janë shqiptarë e vllehë dhe aspak grekë.” Edhe kongresi i vllehëve i mbajtur në Frajburg të Gjermanisë në vitin 1993, e deklaroi me argumente shkencorë definitivisht se “vllehët nuk janë as rumunë e as grekë”.
Zhak-Klod Faverial, studiuesi francez, mik i shqiptarëve
Ai ishte një prift francez i dërguar në patriarkanën e Ohrit. Që në vitet 1858-67 kish filluar të mblidhte një bibliotekë historike me libra të rralla për shqiptarët, bullgarët e vllehët. Ishte njeri i ditur dhe interesohej shumë për historinë dhe anekdotat e udhëtarëve mbi këta popuj. Interesohej kryesisht për historinë e popujve të Ballkanit të jugut. Në vitin 1884, ai vizitoi Shqipërinë së bashku me Apostol Margaritis, ku themeluan disa shkolla vllaho-arrumune në Berat, Korçë dhe Prizren. Ai ishte një mik i madh i shqiptarëve dhe vllehëve. Nga viti 1867 dhe deri sa vdiq në vitin 1893, punoi si profesor në liceun vllah të Manastirit, ku jepte mësim të gjuhës frënge dhe fillozofi. Vepra kryesore e tij është “Historia e Shqipërisë” (Histoire de l’Albanie) e botuar në origjinalin frëng, si e para vepër e lashtë deri në gjysmën e dytë të shek. të XIX-të. Në vitin 1909 biblioteka e tij e madhe u dogj në qendrën lazariste të Manastirit në shkurt të atij viti.
Tre fiset e vllehëve: frashërjotët, voskopojarët dhe myzeqarët
Historia e vllehëve të Shqipërisë
Shënime të Ilo Mitkë Qafzezit mbi vllehët
Vepror Hasani
Një histori interesante për vllehët e Shqipërisë vjen nga studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi, e shkruar me mjeshtëri, me sinqeritet, me ngrohtësi dhe mirënjohje. E papublikuar më parë në shtypin shqiptar, ai zbulon hap pas hapi tradita dhe zakonte të vjetra, tashmë të harruara, por që kur i lexon të lenë të befasuar dhe të mrekulluar njëkohësisht. Ai na rrëfen për bashkëjetesën me shqiptarët, për dasmat, fisnikërinë dhe këngët e tyre. Përmes këtij udhëtimi ne do të kemi mundësinë të hyjmë në të gjitha të fshehtat e jetës së vllehëve si nomadë.
Të tri fiset e vllehëve, me të cilët bashkëjetojmë vllazërisht në Korçë, quhen vllehë frashërjotë, voskopojarë dhe myzeqarë. (Këta të fundit janë fort të pakët, të parët përbëjnë numrin më të madh). Mirëpo krushqi me arbineshët korcarë edhe ne qarkun, frashërjoti bën vetëm rrallë e tek; vllehët voskopojarë bëjnë radhë krushqi me shqiptarët, po nga sa dihet, kurrë me dy fiset e parë, të cilët i heqin si më të poshtmë. Gjithashtu Voskopojari vllah nuk e bën aq kabull të nakatoset me vllahun frashërjot, por me korçarin Arbinesh, u përzie duke bërë krushqi që prej gjashtëdhjet vjet e tëhu (Studimi është i viteve 30), dhe u asimiluan shpejt. Voskopojari, zanaqar a tyxhar duke u vendosur në Korçë zgjodhi për vend shtëpie mëhallën e quajtur “e voskopojarëve”, pranë pazarit dhe përveç kësaj u vesh me dollma e me xhybe si tyxhari shqiptar korçar i asokohe. Mirëpo frashërjoti, dhëndër i djeshëm dhe terzi-shajaku i sotëm, zgjodhi një tjatër vend në Korçë: pëlqeu rrëzën e bregut të “Shën Thanasit” me erën më të pastër e të shëndetshme dhe përveç kësaj nuk e këmbeu rrobën e stërgjyshëve të tij; veshjen e bekuar të shajaktë dhe këmishën me kinda të dhenarisë. Sidoqoftë, është një gabim historik po të besohet se fiset vllehe që kemi në Korçë dhe kudo në Shqipëri, gjoja nuk paska lidhje gjaku mes tyre dhe se voskopojari, për shembull, është më i fismë nga frshërjoti dhe myzzeqari apo frashërjoti më i fismë nga myzeqari. Kjo gjë ngjet tani sikur të mburremi se cili prej nesh toskë e gegë, që njëri fis prej tjetrit gjoja, të kemi më tepër sipëroritet fisnikërie. Asnjë ndryshim gjaku në rrënjët nuk është mes cëncarit frashërjot, voskopojar apo myzeqar. Që të gjithë kanë rrënjën Dake të vjetër, të Dacisë së Rumanisë së sotme, kushërinj jo të largmë me Ilirët, stërgjyshrit shqiptarë, siç e dëshmon fare mirë historia.
Vllenjtë dhe Beteja e Çezarit me Pompein në Frasalá
Pushtimi Romak i gadishullit Ilirë, krijoi dhe fiset e romanizuara, që pretendohet për prejardhjen e vllehëve. Këta janë quajtur dhe romano-vllehë, që lëvronin latinishten e vjetër e quajtur Volskja, latinishtja ballkanike me dialekt popullorë. Volskët kanë qenë ndër fiset më të lashta së bashku dhe me Umbrët, Oskët e tjerë, që iu nënshtruan pushtimit Romak rreth viteve 338 p.e.s. Straboni thekson, se rreth vitit 168 p.e.s. veç romanizimit të fiseve Ilire, në atë periudhë u shpërngulën në një eksod masivë rreth 150 mijë banorë e kryefamiljarë nga Iliria në gadishullin Apenin në Itali. Në vend të tyre romakët dërguan kolonë të tjerë romakë dhe këta romenë u quajtën romano-vllehë.
Po ashtu kësaj popullsie iu bashkangjitën edhe mbeturinat e ushtrive romake nga lufta midis Pompeit dhe Çezarit në betejën e famshme të Frasalës, ku këto mbeturina të ushtrive u quajtën vllehë-farserotë dhe që dallohen nga vllehtë e tjerë nga theksi frëng i gërmës R” dhe që shumë vite më vonë krijuan dhe fshatra me emrin Frashër, si në Shqipëri, në Bullgari e tjera.
Voskopoja, kryeqendra e qytetërimit të vllenjve
Voskopoja ishte nga kryeqendrat e qytetrimit vllah nga fundi i shek. të XVIII-të e fillimet e shek. të XIX-të. Ajo u bë lakmia e rajoneve të tjera dhe e rrethinave të saj që përjetonin varfërinë. Kjo çoi në atë fund tragjik të sulmeve vandaliste, plaçkitjes e djegies nga bandat e dhunshme të Kolonjës e Dangëllisë, të mbështetura dhe nga feudalët e rrethinave,si dhe nga kreditorët voskopojarë. Voskopoja ishte për atë kohë kryeqendra për vllehtë e Pindit të sipërm, ndërsa Mecova ishte kryeqendëra për vllehtë e Pindit të poshtëm. Të dy këto kryeqendra vllahe nuk patën të njëjtin fat e rëndësi. Mecova ekziston dhe sot, ndërsa Voskopoja u dogj e u shkatërrua. Ja çfarë shkruan profesori francez Zhan-Klod Faverial për Voskopojën: “Po çfarë nuk do kish shkruar Pukëvili mbi Voskopojën, në se do kish arritur ta vizitonte këtë qytet kur ishte me rreth 45 mijë banorë, i pari i atyre kohëve në gjithë Shqipërinë para se të plaçkitej e të katandisej në një fshat me 250 familje.”
Teodor Kavalioti, personalitet i shquar i Voskopojës
Voskopoja në Mesjetë u bë qyteti i lakmuar i piktorëve, që erdhën aty të derdhin talentin e tyre të ikonografisë, u bë qendra e vëmendjes e tregtarëve të kohës, si qyteti më fitimprurës e më i pasur, me një tregti të zhvilluar fuqishëm. Voskopoja ishte një fenomen për kohën, një copëz Europe në mes të obskurantizmit aziatik, shkruajnë historianët…Lindi, lulëzoi e u shua, duke lënë pas pikëpyetje pa fund në kokat e studiuesve, historianëve, kureshtarëve e adhuruesve të saj, për shekuj me radhë.
Një ndër figurat e shquara të Voskopojës ishte Teodor Kavalioti. Ai lindi në 1718 dhe vdiq në 1789 në Voskopojë. Mbaroi kolegjin Marusian të Janinës dhe u emrua mësues në Voskopojë. Me iniciativën e tij dhe të disa profesorëve të tjerë, u ngritë Akademia e Re e Voskopojës dhe ky më pas u bë drejtor i saj. Ishte me kulturë të gjerë enciklopedike. U bë udhëheqës i mbarë lëvizjes kulturore në Voskopojë si dhe në mbarë Shqipërinë e mesme dhe të jugut, duke qenë një përkrahës i flaktë i ideve iluministe. Jepte leksione në filozofi, logjistikë, matematikë, fizikë e filologji. Hodhi bazat racionaliste të një kulture të re, kundër skolastikës mesjetare. Bëri orvajtjet e para për ti dhënë kishës ortodokse shqiptare një karakter shqiptarë.
Përktheu “Dhjatën e Re” në shqip. Botoi në Venecia në vitin 1770 fjalorin tri gjuhësh, Greqisht-Vllahisht-Shqip me 1070 fjalë dhe e ribotoi atë në Leipzig të Gjermanisë. Ka hartuar dhe tekste të ndryshme për shkollat shqip e vllahisht. Gjithë jetën e kaloi në qytetin e lindjes në Voskopojë, ku vdiq në 11 gusht 1789. Jeta e tij është e pasqyruar dhe në Kodikët e Manastirit të Shën Prodhomit, ndër kishat më të vjetra të Voskopojës.
Gjuha e vllehëve, latinishtja ballkanike
Historiani rumun, Teodor Capidan në studimet e tij “Romani Nomadi” dhe “Farseroti”, i quan vllehtë e Shqipërisë autoktonë me rrënjë trako-romane të asimiluar shekuj më parë me shqiptarët dhe që kanë ruajtur gjuhën dhe zakonet e tyre. Ai i ndanë vllehtë e Shqipërisë në tri degë: vllehtë me origjinë nga trevat e Pindit, vllehtë e Gramozit me shtrirje në Voskopojë e përtej, dhe vllehtë e Myzeqesë në lëvizjet e më vonëshme. Gjuha e folur e vllehëve është dialekt popullorë i latinishtes. Studiusi francez, prifti Zhan-Klod Faverial shkruan se, “Ata lëvronin latinishten ballkanike që ishte dialekt popullorë dhe kjo e folur përdorej nëpër familje. Kjo gjuhë vllahishte ruhet e tillë edhe sot, duke patur huazime sipas shteteve ku jetojnë vllehët”. Për ruajtjen e gjuhës vllahe si dhe të shqipes, është bërë një luftë e madhe ndaj qarqeve shoviniste greke e sllave, që kanë dashur ti eleminojnë këto gjuhë./Dita
Albanologu Robert Elsie ka postuar në faqen e tij të internetit një koleksion të rrallë veshjesh popullore shqiptare në kartolinat e hershme.
Pasuria dhe shumëllojshmëria e veshjeve popullore shqiptare u fotografuan për herë të parë në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë.
Izolimi tradicional i shqiptarëve nga pjesa tjetër e Evropës bënë që veshjet popullore të shfaqnin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat mahnitën udhëtarët e parë evropianë.
Në Malësinë e Veriut çdo fis, bile çdo luginë dhe çdo fshat, kishte veshje të veta të cilat ishin të dukshme për popullatën në përgjithësi. Veshjet popullore tregonin jo vetëm përkatësinë fisnore dhe fetare, por edhe – për femrat në shumë raste – nëse gruaja në fjalë ishte e martuar apo jo.
Veshjet popullore shqiptare ishin në përdorim të përgjithshëm deri në vitet ‘30, dhe në disa treva shqiptare edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Madje edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetenjë nuk është gjë e rrallë të shohësh gra të cilat përdorin veshje popullore përditë, apo të paktën në ditën e pazarit.
Kjo vlen në radhë të parë për Veriun e Shqipërisë në rrethet e Shkodrës, të Malësisë së Madhe, të Lezhës dhe të Mirditës, por veshjet shfaqen tek-tuk edhe në zonat e thella të Shqipërisë së Jugut, të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë, transmeton Kult Plus.
Mirëpo, për fat të keq, globalizimi po i zhduk këto veshje me shpejtësi të madhe.
Gatë tre dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të njëzetë fotografitë e veshjeve popullore u shndërruan në kartolina dhe, si në vendet e tjera, këto të fundit u futën në qarkullim për shitje.
Kjo përmbledhje kartolinash të hershme na vjen nga fondet e Qendrës për Studime Shqiptare (Centre for Albanian Studies) në Londër, së cilës i jemi mirënjohës. Në fund duhet theksuar se kjo përmbledhje ofron në radhë të parë kostumet e Veriut.
Arsyeja e mungesës së veshjeve të Jugut nuk është se ato janë më pak të bukura apo më pak interesante, por thjesht sepse fotografët e parë dhe, rrjedhimisht, kartolinat e para erdhën nga Veriu”, shkruan Elsie.
Vepra-mal e Fan Nolit, kontributi i tij për pavarësinë e Shqipërisë, themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, kulturën dhe letërsinë shqipe, cilindo do ta bënte të mendonte, se i dëbuari i madh i 1924-s, menjëherë pas luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë, do të rikthehej në vendin e tij, në piedestale të bëra gati për të dhe me kurora dafinash mbi krye.
Është folur e shkruar shumë për mundësinë dhe pamundësinë e rikthimit të “Moisiut” në “Tokën e Shenjtë”, e, megjithatë, pyetja “përse Noli nuk erdhi kurrë në Shqipëri?”, vazhdon të përsëritet.
Mallin dhe dëshirën e tij për të parë atdheun e vet dhe për të ardhur në Shqipëri e sheh në dhjetëra letërkëmbime të tij me miq, bashkatdhetarë dhe në biseda me miq e shokë.
Po këndej, nga Shqipëria zyrtare, qeveritarët e rinj të pasluftës, a donin vërtetë që Noli të kthehej në Shqipëri?
Fillimi duket tepër idilik.
Në një letër që Sejfulla Malëshova i dërgon Fan Nolit, më 27 gusht të vitit 1945, ndër të tjera, i shkruan: “Hirësi! Enver Hoxha, unë dhe gjithë Shqipëria jemi të mendjes, se ardhja juaj në Shqipëri, do të ishte një fat i madh për Shqipërinë.
Kështu, jo vetëm do të kurorëzohej tërë e shkuara Juaj patriotike, por vendi ynë do të kishte në situatën e sotme, një ndihmë të madhe morale dhe politike… Për së afërmi, ndoshta, nga fundi i tetorit do të kemi zgjedhjet për në Kuvendin Themelonjës.
Do të ishte shumë mirë të vinit me këtë rast në Shqipëri, qoftë edhe provizorisht…” (Nasho Jorgaqi. Fan S.Noli. Letërkëmbimi i Fan Nolit. Shtëpia Botuese “Erik”, Tiranë, 2012, Faqja 389).
Ndërkaq, vetëm një muaj më vonë më 25 shtator, 1945, është vetë Enver Hoxha, i cili, përmes një letre dërguar Nolit, i propozon të vihet edhe emri i tij në listën e kandidatëve për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese që u zhvillua më 2 dhjetor, 1945. (Po aty. Faqe 392).
Këtyre letrave, Noli iu përgjigj në 3 tetor, 1945: “Me kënaqësi të madhe mora mesazhin tuaj të nxehtë dhe bujar, si dhe letrën e mikut tim dhe kolegut tuaj, Sejfulla Malëshova.
Kam dëshirë të madhe të jem aty me ju, por, sot për sot nuk munt, pse udhëtimet janë të kufizuara, përveç që ka edhe pengesa të tjera… Mundet t’ju bëj një vizitë pas Pashkëve; kështu, do të takonj përsëri me miqtë e mij të vjetër. Kam shumë arsye që më pengojnë të vë kandidaturën në Shqipëri.” (Po aty. Faqe 175)
Kërkesat dhe ftesat që Noli të vinte në Shqipëri, në vitet e para janë të shumta e nga më të ndryshmet.
Në Konferencën e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në 7 tetor të vitit 1945, “Noli u zgjodh me unanimitet “Kryetar Nderi” i Lidhjes, kurse miku i tij, Sejfulla Malëshova u zgjodh Kryetar i Komitetit Drejtues të Lidhjes; Nën-kryetar-Profesor Aleksandër Xhuvani”.
“Sa herë shkoja në Nju Jork, në mbledhjet vjetore të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Enver Hoxha më porosiste t’i bëja të fala Fan Nolit.”,-shkruan në librin e tij, Behar Shtylla, ish-ministër i Jashtëm në vitet 1956-1965, dhe mik i Nolit. (Behar Shtylla. Fan Noli, siç e kam njohur. Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë, 1997, Faqe. 157)
Por, komplimentet, urimet, premtimet, sigurisht të shoqëruara gjithmonë me ftesa dhe kërkesa për miqësi e bashkëpunim, Nolit nuk i vinin vetëm nga Shqipëria. I vinin nga Amerika ku jetonte, nga Anglia, Italia, Greqia,- nga gjithë diaspora shqiptare.
Kostë Çekrezi, antikomunist i njohur, në një letër të tij, në 11 janar 1947, dërguar Nolit, “i këshilluar nga disa miq të përbashkët në Nju Jork, i propozon të bashkohen e të bashkëpunojnë në një “iniciativë për çështjen e shpëtimit të Shqipërisë”, tani që “puna e Shqipërisë ka marrë rugën më të keqe”. Nuk njohim ndonjë përgjigje të Nolit, në qoftë se ka pasur, por dihet se ai nuk u bashkua me “iniciativën e Çekrezit” (Behar Shtylla, Fan Noli, siç e kam njohur. Shtëpia Botuese “Dituria”; Tiranë, 1997. Fq.152)
Një ftesë për bashkëpunim “për një Kuvend Kombëtar me shqiptarët e diasporës, Nolit do t’i vinte edhe nga ai që i rrëmbeu fronin e kryeministrit, e dënoi me vdekje në mungesë dhe e dërgoi syrgjyn, Ahmet Zogu. (Nasho Jorgaqi. Fan S.Noli. Jeta. Shtëpia Botuese OMBRA GVG. Tiranë, 2005. Faqe 178)
Edhe kësaj ftese, Noli nuk iu përgjigj.
Tashmë, siç shkruante me të drejtë gazeta “Dielli”, në një editorial të sajin “Fan Noli nuk është një person, por një institucion kombëtar” (“Dielli”, 1959)
Është tepër e vështirë të jesh “shkrimtar-institucion kombëtar” dhe, njëherësh, – i pavarur.
Edhe në rastet, kur institucionet janë organizma të një shteti, madje, edhe demokratik, nuk e kanë të lehtë të jenë të pavarura.
Merret lehtësisht me mend, se sa të vështirë e ka dhe çfarë sulmesh duhet të përballojë një njeri, një shkrimtar, aq më tepër një “shkrimtar-institucion kombëtar”, për t’i rezistuar politikës dhe pushtetit politik, të ngarkuara me njerëz, para, propagandë, etj., për të mbetur gjithmonë edhe institucion, edhe i pavarur.
Shkrimtarit i kërkojnë veprën për të blerë atë vetë, dhe e kërkojnë atë, për t’i blerë veprën dhe emrin.
Në qoftë se vepra e Nolit është e pasulmueshme dhe e parrëzueshme, kjo nuk e largonte aspak rrezikun; përkundrazi, e shtonte. Por kjo do të thoshte vetëm se, tanimë, tërë pesha e goditjeve, pra, e dyfishtë,- do të binte mbi Nolin – njeri.
I ndodhur i vetëm dhe i pambrojtur brenda rrethit të egër të politikës, ku secili përpiqej të rrëmbente, të zhvaste, të shqyente prej tij ç‘të mundte,- kokën, krahët a këmbët, (-një të vetme, një deklaratë, një foto, një dalje bashkë në publik- një artikull apo një poezi për liderin do ta bënte të lumtur!) – të dukej, sikur në fund të kësaj masakre, nga shkrimtari nuk do të mbetej asgjë.
Për paradoks, pavarësia e Nolit, ishte, ndoshta, më e rrezikuar nga “të tijtë”, nga Shqipëria. “Të sëmurit nga shqipja” mund t’i vinte “vdekja e lirisë”, pikërisht nga andej ku kishte dheun e vet. “Do të luftonj, gjersa të vdesë. Shpërblimi i mjaftë për luftën time dua të jetë një këngë labësh a laleshash, kur të vdesë” (Shpëtim Sala, Letër e Fan Nolit për Thanas Tashkon, 26 shtator, 1906. “Letra të panjohura të Fan Nolit”. Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta”. Shkodër, 2008, Faqe 44).
Por a mund t’i këndohej kënga një shkrimtari të blerë?
Rreziku ishte i madh. Vetë Noli, me dorën e tij kishte shkruar, e zeza mbi të bardhë, se “guverna e Enver Hoxhës e rrëmben Shqipërinë nga thonjtë e vdekjes me sakrifica heroike në periudhën e luftës”. Madje, edhe, “Guverna e Enver Hoxhës, jo vetëm e shpëtoi Shqipërinë nga vdekja, por tani i vë themele të patundura shtetit me reformat dhe veprat konstruktive… Ballistët tanë janë një grup heterogjen dhe nuk kanë asnjë program fare.” (“Dy fjalë për ballistët” “Dielli”, 26 mars, 1947).
Nuk e parashikoi dot Peshkopi, se “nesër- pasnesër” këto deklarata mund ta “implikonin” me secilën nga palët politike për ta “kapur”? Sigurisht, ai i shkroi me bindje ato që shkroi, por, për “të tijtë”, domethënë, Tiranën zyrtare, këto dolën të mjaftueshme, që, sipas saj, “institucioni kombëtar” të quhej “i tyri”. Prandaj, dhe në letrat e saj të njëpasnjëshme, Tirana këmbëngulte: “Të vini, vetëm të vini në Shqipëri, qoftë edhe përkohësisht, sepse “kemi zgjedhjet”, “në situatën e sotme…”, “ndihmë e madhe morale e politike”.
Më hapur, s’bëhej.
Në vitin 1944, Fan Noli ishte 62 vjeç, burrë i pjekur, me dy-trifishin e moshës së udhëheqësve të Tiranës politike, dhe, kryesorja, me një mal veprash e përvoje politike dhe një emër të madh.
A thua, të mund ta hidhnin kaq lehtë në grackën politike këto thirrje, letra e artikuj kaq të troçta nëpër rreshta njeriun që tërë jetën ishte mësuar të lexonte midis rreshtash?, stilistin brilant, të aftë edhe “për të hedhur fjalën duke shkelur syrin”?
Mendja e Fan Nolit ishte një mendje e thellë, domethënë, e tillë, që nuk besonte lehtë.
Intrigat e luftës për pushtet, Noli nuk i kishte mësuar, thjesht, nga përkthimi i dramave të Shekspirit, por nga shpina e tij, dhe veç këtyre, kishte dekada që jetonte në vendin më të madh demokratik të botës, – shkollë më vete.
Sigurisht, edhe nga bota e madhe e librit dhe nga përkthimi dramave të Shekspirit kishte mësuar. Por, Makbethin, Hamletin, Mbretin Lir, dhe kryevepra të tjera të dramaturgut të madh, ai u kishte shkruar shqiptarëve në gjuhën e tyre, me po atë qëllim fisnik, siç kishte bërë 400 e ca vjet para tij, Makiaveli, që i dha vendit të tij dhe botës “Princin” e vet, për t’i mësuar si të mbrohen nga Princat” absolutizmi, pushteti politik, oratatorët e diktaturat kudo.
Krahasuar me “letrat” e vargjet e anglezit të madh, letrat që i vinin nga Tirana politike, Nolit, besoj i ngjanin me hartime fillestarësh.
Fan Noli mund të pranonte të vinte në Shqipëri, vetëm nëse edhe ajo do të ishte e denjë për të dhe për gjithë shqiptarët; e tillë, që ai të ndihej mirë me të trija “veshjet” e tij: Të qytetarit të lirë, demokratik e patriot; Të shkrimtarit “institucion kombëtar” dhe i pavarur, dhe; Të Hirësisë së Tij, Metropolitit, Tehofan Stilian Noli, Themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
*Shkrimi është marrë nga libri “Fate shkrimtarësh dhe gazetarësh”
Petra: emri është ndoshta i dervizuar nga iliriani që ishte i frikësuar në lindje të Italisë. Në gjuhën shqipe emri Peter ka një formë tjetër PJETER emrat vjen nga fjala JETE që do të thotë LIFE në Ilirian emri i të cilit është i njëjti formular PJETER.
guri pre-grek petra gur ψωτσκ, χτθπ,
Paliga, S. Leksikon etimologjik i elementeve indigjene (trakane) në gjuhën rumune (Bukuresht 2006), f. 47,
Shkrimtari i madh shqiptar, Marin Barleti për këtë kala thotë :
“Ky është një qytet i vogël në Mat, i ndërtuar në majë të një mali dhe që s’i trembet asnjë fuqie armike, përveç urisë”.
Petrelë gjendet një kala e lashtë ilire e ndërtuar në maje të një shkëmbi.
Petrela quhet edhe Petralba, që në gjuhën shqipe do të thotë gur i bardhë.
Në kohët e lashta Petrelë njihej si Petralba, e cila përkthehet nga greqishtja ‘guri’ ‘alba’, do të thot “guri i Albanëve”.
‘the stone’ of ‘alba’, therefore “The stone of Albanians”.
Dikush mund të kuptojë pse quhet i tillë, pasi qyteti dhe kështjella e saj janë ndërtuar mbi një gur të madh në majë të një mali të vogël.
Në kohët e lashta Petrelë njihej si Petralba, e cila përkthehet nga greqishtja ‘guri’ i ‘alba’, prandaj “guri i shqiptarëve”. Dikush mund të kuptojë pse quhet i tillë, pasi qyteti dhe kështjella e saj janë ndërtuar mbi një gur të madh në majë të një mali të vogël./Njekomb
Kalaja e Petrelës ishte pjesë e sistemit të sinjalizimit dhe mbrojtjes së Kështjellës së Krujës. Kështjellat sinjalizohen me njëri-tjetrin me anë të zjarreve.
Sot ka një restorant brenda kështjellës. Kalaja ofron pamje spektakolare të luginës së Erzenit, kodrave, pemëve ullirit dhe maleve përreth.
Në librin “Françeskanët e Mëdhaj” atë Zef Pllumi tregon diçka shumë interesante në lidhje me atin e madh…
I pari arkeolog shqiptar ishte atë Shtjefën Gjeçovi i cili një periudhë të gjatë të punës së tij si arkeolog e kaloi në Laç të Kurbinit. Por kjo nuk ishte e gjitha. Madje kjo ishte një pjesë e vogël e punës së tij shumëvjeçare e cila e ktheu atë në një ndër njerëzit që lëvizi më shumë nëpër Shqipëri në kërkim të objekteve antike.
Në librin “Françeskanët e Mëdhaj” atë Zef Pllumi tregon diçka shumë interesante në lidhje me atin e madh, Shtjefën Gjeçovi i cili nuk mbante një ditar si të gjithë studiuesit e tjerë. Ditari i tij ishte një objekt i cili tani ruhet në Muzeun e Shkodrës:
Shifeni këtë relike të Gjeçovit që sot ruhet në Muzeun e Shkodrës. Asht shkopi që e shoqnoi gjithkund. E ka gdhendun ai vetë në dru bushi. Shifeni me kujdes se si ndër zgavrat e gdhenduna ai ka shkrue për të gjitha vendet radhazi, ku i shkeli kamba. Mund të thuhet pa dyshim që kurrnji udhëtar i shkencës nuk e përshkoi mbarë Shqipninë që nga Veriu deri në Jug ma shumë se ai./Njekomb
Taisa Pisha ka jetuar në Shqipëri përgjatë viteve ’57-’90, dhjetë prej të cilave i ka kaluar në burg. Gjithë ç’ka jetuar, ajo i ka përshkruar në një libër autobiografik “Shpresuam dhe mbijetuam”. Aty është treguar gjithçka, nga denoncimet, dhuna, spiunimet… gjithë elementët që i ishin kthyer në mënyrë jetese.
Libri u botua në rusisht dhe u përkthye më pas për t’u botuar në shqip, sipas amanetit të autores, e cila është ndarë nga jeta 3 vite më parë. Taisa ishte me origjinë hebreje, por e lindur në Rusi. Ajo u njoh me Gaqo Pishën në Moskë, ndërsa të dy ishin studentë dhe erdhi me të në Shqipëri ku u emërua pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Në vitin ’76 akuzohet për spiunazh dhe dënohet me burg. Menjëherë pas ’90-s, Taisa largohet me dy djemtë e saj në Izrael.
LIBRI
…Frika e kthen njeriun në rreckë, e privon nga mundësia për të rezistuar. Por ja që e gjithë puna e hetuesve bazohej te frika, te trembja. Shumë kemi lexuar e mësuar për rolin e ekonomisë në ecjen e ngjarjeve shoqërore (falë Marksit), jo më pak është thënë nga idealistët për rolin e ideve (falë Kantit), por askush nuk përmend frikën, çfarë roli ka luajtur ajo në fatet e njerëzve. Frika makabre, si i ka ndryshuar, thyer, sakatuar ajo njerëzit dhe ngjarjet.
Frika…kjo sustë komanduese e historisë! Nën ndjesinë e frikës i kalova të gjitha vitet e burgut, megjithëse ne vazhdimisht rrekeshim të rezistonim, ta mposhtnim frikën. Mua, njeriun aq të shoqërueshëm, frika dhe burgu më ndryshuan shumë. Tani jam bërë njeri krejt tjetër, e mbyllur, me shumë vështirësi afrohem me njerëzit. Kanë kaluar shumë vite, që pas lirimit nga burgu, por akulli i frikës në shpirtin tim ende nuk ka shkrirë. Edhe tani, që po shkruaj këto radhë, frika e vjetër ende më shoqëron.
…Në qeli, gjatë hetimeve, pashë një ëndërr të tillë: “Në shtëpinë tonë po presim mysafirë. Gjithçka është gati për ardhjen e tyre: në bufe janë radhitur tortat, byrekët, biskotat, çokollatat, nëpër shtëpi bredhin njerëzit e mi dhe presin të vijnë miqtë. Kurse mysafirët, familja e vëllait të Gaqos dhe disa familje të tjera të njerëzve të afërt dhe të miqve tanë, sillen rrotull shtëpisë dhe nuk hyjnë dot… dhe nuk erdhën…”
Më habiti kjo ëndërr, kurse njëra nga shqiptaret, kur e dëgjoi, e interpretoi kështu: “Është fare e thjeshtë: shtëpia juaj është e mbushur me pikëllim, kurse të afërmit dhe miqtë nuk mund të vijnë dhe ta ndajnë me ju të keqen që ju zuri… duan, por nuk munden”. Po, ëndrra pasqyroi me vërtetësi atë çka po ndodhte. Më vonë, në kamp, pasi kalova të gjithë rrathët e ferrit, hetimeve, gjyqeve, e kuptova dhe mendoj se kisha të drejtë: njerëzit tanë tej hekurave e kishin më të vështirë se ne. Nëse ne ishim të gjitha të barabarta, të gjitha njëlloj të vuajtura, njëlloj të poshtëruara, ata në liri ndiheshin shumë më keq. Ata papritur e pakujtuar u bënë të deklasuar.
Shumica iu kthyen krahët, u trembën, u shmangën. Kosta, nxënësi më i mirë i klasës së tij të 7-të, hokatar, pjesëmarrës në të gjitha veprimtaritë e shkollës, konkurset, mbrëmjet, aktivist, papritur u bë “djalë i armikut të popullit”. Merret me mend se sa e mundonte kjo djalin. Megjithëse e mbaroi 8-vjeçaren me nota të shkëlqyera, Kostën nuk e lejuan të hynte në teknikum ditën. Ai u regjistrua në gjimnaz, por për të marrë një profesion nisi të punojë dhe të vazhdojë shkollën në teknikum… natën. Sashën nuk e lejuan të vazhdonte universitetin.
U detyrua të punojë si punëtor i thjeshtë në fermë, pastaj e morën ushtar. Gjatë gjithë kësaj kohe, gjatë një viti e gjysmë që zgjati hetimi im, mua më gënjenin pa pikë druajtje, më thoshin se në familjen time gjithçka shkonte për bukuri. Dhe unë u besoja… desha të besoja dhe besova. Në fakt, familja ishte në gjendje të vështirë dhe jetonte shumë ngushtë. Pasi morën Sashën ushtar, ata provuan edhe urinë, sepse me pensionin e vogël të burrit më ndihmonin mua, Sashën në ushtri, blinin ilaçe të shtrenjta për Gaqon e sëmurë dhe rronin me thërrimet që mbeteshin.
Gjendja tej hekurave ishte e tmerrshme. Arrestimet vazhdonin, njerëzit i internonin, i hiqnin nga puna, i dëbonin nga universiteti. Sigurimsat shpërndanin në të katër anët gjithfarë gjepurash për spiunë, sabotatorë, armiq. Atje flitej edhe për radiotransmetueset, që gjoja kishin gjetur në shtëpitë tona. Në revistën “Për Mbrojtjen e Atdheut”, organ i Ministrisë së Punëve të Brendshme, botoheshin shkrime për “çekistët”* trima shqiptarë, të cilët qëndronin në roje të sigurisë së shtetit dhe shkulnin me rrënjë rebelët. Gjithkush që komunikonte në ndonjë mënyrë me familjet tona dhe përpiqej t’i ndihmonte, rrezikonte të futej në rrethin e njerëzve të përndjekur. Këtej buronin frika dhe spiunimet, si mjete mbijetese. Spiunimet i ndeshje kudo: në punë, në familje. Njerëzit i detyronin të spiunonin edhe të afërmit e tyre, ose, në rastin më të mirë, të mos komunikonin me ata që kishin rënë në hall. E gjithë koha e hetimit tim, gjyqit, kaloi me frikë për familjen time. Për shkak të kësaj frike, unë humba aftësinë për të menduar, arsyetuar dhe për të vlerësuar me gjakftohtësi gjendjen e krijuar.
NË BURG, GJATË HETIMIT
Ditën e dytë pas arrestimit, llozi pas derës lëvizi me gërvimë të tmerrshme, u hap dera dhe gardiania thirri: “Merri plaçkat!” Nuk e mora vesh se çfarë plaçkash duhej të mblidhja. Ajo më shtyu me harbutëri, më tregoi me kokë dyshekun, batanijet dhe pagurin e ujit. Pasi i mblodha të gjitha, ajo më drejtoi nëpër korridor, ndaloi pranë një dere dhe më shtyu brenda. Aty pashë një grua rreth 35 vjeçe, nuk e mbaj mend si e quanin… kishte emër grek, a Parashqevi, a Polikseni… edhe fytyrën nuk ia mbaj mend. Po ta takoja tani në po atë moshë, me siguri nuk do ta njihja.
Ato ditë të para të hetimit, kur ende s’e kisha humbur aftësinë për të arsyetuar, e kuptova se ajo grua ishte spiune dhe s’kisha ç’të bisedoja me të. Kisha frikë, por nuk mendoja dot gjë tjetër, veç shtëpisë. Mendoja për burrin tim të sëmurë, për djemtë. Ata kishin mbetur vetëm, nuk kishin as pará. Ne jetonim me vështirësi, nga rroga ime deri te pensioni i tij… po tani, si do të rrojnë me atë pension të vogël… duhej të blinin edhe ilaçe të shtrenjta. Po Sasha? Si do të shkojë jeta e tij?…
Unë mendoja vetëm për ata, flisja vetëm për ata. Për çfarëdo pyetje që më bënin gjatë hetimit, unë u flisja vetëm për shtëpinë. Që në marrjen në pyetje për herë të parë, kërkova të shkruaja një autorizim në emër të djalit, që të merrte rrogën time. E dija se në shtëpi nuk kishte pará. Sa përbindësh i egër, i pamëshirshëm duhet të ishte sistemi dhe organet e tij të sigurimit të shtetit, sa të më fusnin mua në burg, të më ndanin nga burri i sëmurë rëndë! Ata e dinin shumë mirë se unë s’kisha bërë ASGJË të keqe, nuk kisha faj. Këtej mund të nxirrej përfundimi: ata mund të më bëjnë ç’të duan, të më padisin për gjithçka, të më japin çdo dënim.
Pas disa ditëve, fqinja ime trokiti në mur dhe nisi të më tregojë për diçka, që gjoja ia kishin thënë nga qelia ngjitur. Unë i besova. As më vajti në mendje se gjithçka ishte e kurdisur. “Ua! – ia bëri fqinja, – atje është Nina Pumo!” “Ashtu? Trokit! Pyete si është!” – iu luta. Ajo trokiti dhe nisi të më tregojë për Ninën. Disa ditë më vonë, pas trokitjes së radhës, ajo më tha se Nina akuzohet për spiunazh, në grupin e saj bëjnë pjesë Nadja dhe Zoja. U pataksa. “Nadja?! Ç’hyn Nadja këtu? Nadja ka kohë që është dënuar 7 vjet për agjitacion!” Fqinja trokiti në mur dhe mori përgjigje që andej: “Nadjën e sollën nga kampi; tani e akuzojnë për spiunazh. Ato i kanë pranuar dhe firmosur të gjitha”.
Vetëm më vonë, kur na çuan në kamp dhe takova Ninën, ajo më tha se nuk kishte qenë kurrë në qeli ngjitur me mua dhe nuk dinte të trokiste në mur, prandaj asnjëherë nuk ka trokitur, kurse fqinja ime vepronte për llogari të hetuesve. Ata donin të më trembnin dhe e arritën të vetën. Unë u binda se hetuesit mund të bënin me mua ç’të donin, të më akuzonin për gjithçka u tekej. Isha plotësisht e sigurt se asnjëra nga shoqet e mia nuk qe marrë ndonjëherë me spiunazh. Ne qëndruam në Shqipëri vetëm për hir të fëmijëve dhe familjeve tona.
Specialistët dhe këshilltarët sovjetikë, deri para prishjes së marrëdhënieve, punonin në të gjitha fushat e jetës në Shqipëri, në ushtri, në industri, në financa… kudo. Ata kishin informacion të plotë për gjendjen në vend, ishin në gjendje të rekrutonin spiunë dhe agjentë të vërtetë, me vlerë, çka besoj se e kishin bërë. Për këto nuk kam ditur gjë as atëherë, as tani. Mirëpo këta spiunë duheshin kërkuar, duheshin gjetur, e kjo nuk ishte fort e lehtë. Kurse kështu… kap, arresto, frikëso, kërcëno, torturo dhe… mbaroi puna, rrjeti agjenturor u zbulua!… Dekorata dhe lavdi çekistëve trima shqiptarë, sigurimsave! Kurse për njerëzit e vegjël, për fëmijët e tyre, për burrat, as që do të dijë njeri. Njeriu është një… hiç!… Kaluan disa ditë.
Fqinja sërish komunikoi gjatë me të trokitura në mur me qelinë nga e majta jonë, pastaj më tha: “U zhvillua gjyqi dhe Nadja u dënua me 18 vjet heqje lirie, Zoja me 15, kurse Nina me 14”. Nuk e tregoj dot tmerrin që më pushtoi. Edhe tani, kur kanë kaluar kaq vite, sa herë e kujtoj atë kohë, sërish më rrëmben një dallgë tmerri. Tani s’duhet të ketë më frikë, gjithçka mbeti pas, por tortura me frikën është e tmerrshme, gjurmët dhe hija e saj mbetën për tërë jetën. E ndjeva veten si buburrec i pafuqishëm, mbi të cilin përplaset me rropamë, si bllok betoni, tirania komuniste.
Pas disa ditësh, fqinjën ma hoqën nga qelia, nisi kështu epopeja e burgimit fillikat, e cila zgjati gati një vit e gjysmë. Po t’i krijoje mundësi dikujt nga jashtë të hapte dritaren e qelisë sime dhe të hidhte sytë brenda, do të shihte një krijesë në gjysmëterr, midis katër mureve, ulur mbi një dyshek të pistë kashte dhe me një dritare aq lart, sa nuk do të mundeshe kurrë të vështroje jashtë dhe të shihje se ç’bëhej atje; me një derë gjithë shula dhe me dry, që hapej vetëm tri herë në ditë për nevoja vetjake dhe për marrjen e ushqimit. Ai, me siguri, do të mbetej i habitur, si është e mundur që i burgosuri ende është gjallë dhe nuk i ka dhënë vetë fund jetës. Mirëpo, ja që njeriu shumë shpesh mbijeton, edhe në kushte të skajshme.
Ditët kalojnë njëra pas tjetrës dhe ai mësohet me këtë jetë të tmerrshme. Qelia! Ajo ishte… një pus i gurtë, me sipërfaqe afër 5 metra katrorë dhe 6 metra lartësi. Pusi ishte bosh, me dysheme dërrase; aty flinim. Shumë lart nga dyshemeja ishte një dritare e vogël katrore me hekura, pa kornizë dhe pa xhama. Prej andej, ditën hynte pak dritë, kurse në ditët me diell nëpër murin përballë saj lëvizte njolla e dritës. Nisur nga pozicioni i saj, unë mësova të përcaktoj kohën pa gabime. Përpiqesha ta shfrytëzoja atë rreze të vogël dielli, lëvizja nëpër qeli dhe vija fytyrën para saj, thithja pikat e ajrit të freskët nga dritarja. Që andej në verë futej më shumë ajër i nxehtë, kurse në dimër i ftohtë acar. Por, gjithsesi, ishte ajër i freskët.
Dita niste me zhurmë dhe rropamë. Në mëngjes me rrahje shuplakash, oficeri i shërbimit ndërronte turnin, pastaj zhurma e dyerve që hapeshin, kryerja e nevojave vetjake, silla. Pinim çajin paksa të ngrohtë, pa sheqer dhe njomnim koren e bukës në të. Niste kështu dita e gjatë e qetësisë mbytëse. Qetësi e padurueshme dhe nganjëherë britma, që ta bënin shpirtin akull, zhurmë hapash dhe sërish qetësi.
Gardianët i bënin punët pa zhurmë, ecnin, afroheshin te dera për të parë nga vrima se ç’bëhej në qelitë, aq lehtë, sa nga brenda nuk e kuptoje dot se dikush të shihte nga vrima e veshur me rrjetë. Befas, në mes të kësaj qetësie, dëgjoheshin gërvima të frikshme, rropamë që të bënin të dridheshe, të kërceje përpjetë, teksa zemra niste të rrihte më shpesh. Dera hapej kanat dhe një zë i vrazhdë të thoshte: “Ej, ti, çohu!” Ecje nëpër korridor, në gjysmëterr, muret dhe dyert ishin të lyera me bojë kafe, shumë dyer, të gjitha pranë e pranë, te të gjitha ishin varur dryna masivë.
Gjithçka ishte menduar mirë, çdo vogëlsirë ishte sajuar e tillë që të të thyejë, të të shtypë, të të frikësojë. Njeriu me çdo gjë mund të mësohet, por unë kurrë nuk u mësova dot me zhurmën e shulave dhe drynit, me gërvimat e derës, kur hapej e mbyllej, me kërcitjet e kapakëve të vrimave në dyert e qelive. Gjatë paraburgimit s’kishte takime, ishte terr dhe dezinformim i plotë, as libra, as gazeta, as letër, as laps. Që të mos çmendesha, të merresha me diçka, sajoja gjithfarë: nxirrja nga dysheku i pistë një kallam kashte dhe “shkruaja” me të në dysheme, kombinoja fjalë çfarëdo, njëfarë fjalëkryqi. Kur hapej dera, mjaftonte një lëvizje e shpejtë për të kthyer gjithçka në një dorë kashtë.
Një ditë më morën më shpejt për te hetuesi dhe nuk arrita ta fshihja fjalëkryqin tim. Kur më kthyen në qeli, mbikëqyrësja Vasilika, (ajo shquhej për vigjilencë dhe egërsi të veçantë) lexoi fjalët në dysheme, kujtoi se kisha një kalem të fshehur dhe hyri me vërtik në qeli, por kashta u shpërnda. Shpëtova pa britma dhe pa të shara. Dera u mbyll dhe unë sërish mbeta vetëm. Për t’u marrë me diçka, sa për të shtyrë orët pambarim, më shumë se çdo gjë tjetër më ndihmonin vjershat. Unë përpiqesha të rikujtoja vargje që dikur i kisha ditur përmendsh dhe i kisha dashur shumë. Më shpesh më kujtohej Pushkini, Lermontovi, Esenini dhe Simonovi.
I recitoja, në fillim me zë të ulët, pastaj me zë të plotë. Hapej dritareza e derës dhe oshtinte britma e inatosur e gardianes: “Mjaft!” Unë nisja t’i përsërisja vjershat me zë të ulët. Kujtoja shumë syresh dhe i përsëritja me vete, sërish e sërish. Kjo më ndihmonte të shpërngulesha në botë tjetër, shumë të largët dhe herë-herë më bëhej se nuk do të kthehesha kurrë tek ajo. Kur u takuam më vonë në kamp, mësova se vjershat e Pushkinit kishin shpëtuar edhe të tjera shoqe të mia, i kishin ndihmuar të mbijetonin, të mos luanin mendsh. Ditët e para, kur fqinja ime trokiste në mur, desha edhe unë ta mësoja këtë mënyrë komunikimi.
Fqinja më tha se trokiste sipas alfabetit. Një e trokitur – A, dy – B etj.. Mirëpo unë, megjithëse e dija alfabetin e gjuhës shqipe, nuk arrija t’i “lexoja” trokitjet, sepse e përsëritja shumë ngadalë alfabetin. Atëherë vendosa të mësoja përmendësh numrin e çdo shkronje dhe të numëroja trokitjet. Dhe ashtu bëra. Nuk shkoi keq! Pasi u lirova nga burgu, lexova librin e Fatos Lubonjës: “Ridënimi” dhe mësova që burrat përdornin për të komunikuar një mënyrë më efikase, por ne, gratë, nuk e dinim atë ABC prandaj trokitnim me radhë çdo shkronjë. Herë llomotitnim diçka, herë mësonim diçka nga gratë e qelive fqinje… kalonim kohën!
Të trokisje s’ishte fort e lehtë, madje me rrezik; rojet dhe gardianet vazhdimisht kontrollonin, afroheshin tinës, përgjonin dhe kapnin shkelësit. Një ditë, rojet ia behën në qelinë time dhe vetëm sepse i binda me pamjen e padjallëzuar dhe u thashë se nuk e dija alfabetin e gjuhës shqipe, shpëtova nga biruca. Zakonisht trokitnim mbrëmjeve, kur shefat iknin në shtëpi, kurse rojet mbaronin punë dhe mblidheshin në fund të korridorit, për të llomotitur mes tyre.
Më kujtohen dy raste të veçanta gjatë “ndërlidhjes”. Pranë qelisë sime, nga e djathta, rrinte dikush që merrte ushqim ndryshe nga i yni. Në vend të lëtyrës së zezë, që na jepnin ne të tjerëve, atje çonin pure, qofte. Trokita dhe pyeta për emrin. “Mina”, – m’u përgjigj ajo. Më vonë, kur ishim në kamp, mësova se ishin dy motra, Mina dhe Nadira, dy vajza të reja fshatare, të akuzuara sipas një çështjeje të sajuar… për punë lopësh. Për këtë do të shkruaj më poshtë me hollësi. Gjatë hetimit, Mina u sëmur keq. Procesi ishte politik. Jeta e Minës duhej ruajtur derisa të zhvillohej gjyqi. Edhe fqinjët e mi nga e majta e kishin vënë re ushqimin e Minës dhe nisën të më pyesnin se kush rri në atë qeli. Unë nisa të trokas: “M-I-N-…”
Atë çast dëgjova sinjalin; fqinja gërvishti murin, çka do të thoshte: “E kuptova, mund të mos vazhdosh”. Gjashtë muaj më pas u takova me fqinjën time në kamp dhe mësova që germat “min…” ajo i kishte marrë si të parat e fjalës “ministri”. Ishte koha, kur në burgje futën gati të gjithë elitën partiake dhe shtetërore, prandaj prania në mes të të burgosurave e një ministri nuk habiti njeri. Rasti tjetër. Do të ketë qenë 1 tetori 1976. Më çuan te hetuesi, i cili po lexonte gazetën. Ia ngula sytë gazetës si e djegur për ujë. Prej 5 muajsh nuk dija se ç’bëhej në botë.
Lexova: “Përshëndetje e udhëheqjes së PPSH-së për udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës”. Emri i Mao Ce Dunit nuk ishte. Ç’të ketë ndodhur? Nuk e pyeta hetuesin, sepse mund të merrja si përgjigje ndonjë fjalë të rëndë ose tallëse. Kur u ktheva në qeli, mendova të pyesja fqinjët; ata ishin “të freskët”, vetëm pak kohë më parë kishin ardhur. Kisha frikë të pyesja me tekst të hapur. Në Shqipëri isha mësuar me kohë të heshtja, të mos pyesja. Më në fund e sajova: trokita për pyetjen: “Do të vijë Mao Ce Duni në Tiranë?” Mora përgjigje: “Ai ka vdekur.” “O Zot! – mendova. – Ndoshta me vdekjen e tij diçka do të ndryshojë dhe ne do të na lirojnë?”
Shpresa të kota, të pabazuara gjëkundi! Frika, mungesa e shpresës, vetmia bënin të vetën. Befas, nisa të kem halucinacione dëgjimi. Më bëhej sikur dëgjoja zërin e Sashës që më thërriste: “Mama, mama!” Mendova e tmerruar që e kishin arrestuar, ai më thërret… dhe gati më merrej fryma. Kjo vazhdoi disa minuta dhe më kaloi, pastaj nisi sërish, gjithnjë e më shpesh. Qëllonte të arrija deri në gjendje të fikëti; rrija shtrirë gjatë, pa lëvizur, ose dridhesha, këlthisja. Në raste të tilla, në qelinë time sillnin fqinjën, që njëfarë kohe të mos mbetesha vetëm. Pastaj fqinjën e nxirrnin dhe gjithçka niste nga e para.