Histori

Sekretari i Mehmet Shehut: Të pathënat e bunkerëve të Enverit

Flet ish-zyrtari i lartë i ushtrisë shqiptare, Hysen Qendro: Vendi ynë i vogël me numër të kufizuar forcash dhe mjetesh, e ka të domosdoshme përgatitjen që në kohë paqeje të çdo elementi të mbrojtjes, ku një ndër kryesorët është edhe fortifikimi

Z. Qendro, përse në atë sistem, fortifikimi ishte domosdoshmëri e mbrojtjes sonë?

 

Në kohët e sotme, zhvillimi dhe shpërndarja me shpejtësi e informacionit, është një e mirë e madhe dhe forcë lëvizëse edhe për fushën e mbrojtjes. Por pasja e informacionit nuk vlen pa nxjerrë përfundime dhe lypset pjesëmarrja e organeve të specializuara dhe  specialistëve që kanë punuar për një kohë të gjatë  në fushat përkatëse.

Tek ne ndodh një dukuri e veçantë. Këtu ata heshtin dhe flasin politikanët, shtetarët e mediat, që nuk kanë njohuritë e nevojshme mbi problemet dhe që as kanë punuar në atë fushë. Kështu, p.sh., për fortifikimin që është ndërtuar në vendin tonë, nuk flasin ushtarakët të cilët  e kanë ideuar dhe  ndërtuar atë, por ata që nuk njohin ligjet objektive të luftës dhe as parimet apo  rregullat e veprimeve luftarake, duke përhapur mendime dhe qëndrime të gabuara për këtë çështje.

 

Ndjej keqardhje për politizimin që u bëhet objekteve fortifikuese nga politikanë e shtetarë. Vendi ynë i vogël me numër të kufizuar forcash dhe mjetesh, me strategji të qartë për mbrojtjen e vendit të vet, e ka të domosdoshme përgatitjen që në kohë paqeje të çdo elementi të mbrojtjes, ku një ndër  kryesorët është edhe  fortifikimi. Situatat reale ushtarake e diktonin domosdoshmërinë e fortifikimit të pozicioneve, rajoneve dhe brezave tanë të mbrojtjes, si masë shumë e rëndësishme e qëndrueshmërisë së saj. Kurse fortifikimi i përhershëm kërkon kohën e nevojshme dhe duhet kryer përpara fillimit të luftës, pra që në kohë paqeje, për të qenë i gatshëm për të mbrojtur forcat dhe mjetet nga goditjet e fuqishme të mësymësit në kohë lufte. Fortifikimi i ndërtuar sipas pozicioneve, rajoneve dhe brezave tanë të mbrojtjes, ka kushtuar vlera të konsiderueshme ekonomike dhe ka angazhuar fuqi të madhe njerëzore për një periudhë dhjetëvjeçare dhe atje ku u ndërtua nuk cenon asgjë, përkundrazi, është një dëshmi e kohës e po të ruhet e mirëmbahet do të jetë i gatshëm për çdo rast.

 

Kur analizojmë dhe gjykojmë për vlerat e fortifikimit të mbrojtjes sonë, t’i shohim e t’i gjykojmë jo me gjendjen  e sotme politiko-ushtarake dhe të sistemit ekonomiko-shoqëror  të sotëm në vendin tonë, por me Shqipërinë e asaj kohe, me gjendjen, kushtet dhe sistemin ekonomiko-shoqëror të saj. Veç kësaj, atëherë dhe sot, lypset të  kuptojmë se shkenca ushtarake me ligjet e saj kanë vërtetuar se terreni dhe fortifikimi janë aleatë të përhershëm. Ata janë “skena” ku kryhen veprimet luftarake, që përgatiten dhe pajisen me kohë, sipas planëzimit luftarak. Kjo është domosdoshmëri që nuk duhet e nuk mund të mohohet, sidomos për kushtet e vendit dhe ushtrisë sonë të vogël, të pozicionit gjeopolitik të Shqipërisë në Ballkan. Askush nuk na siguron se nuk do të ketë më nevojë për objekte fortifikimi. Ato janë të ndërtuara dhe duhet të ruhen.

Kur dhe si filloi fortifikimi i mbrojtjes sonë?

Fortifikimi i mbrojtjes sonë filloi pas një studimi dhe përnjohje të hollësishme të terrenit, nga kuadrot më të larta ushtarake, në bashkëpunim me komandat e njësive, sipas një plani të veçantë. Objektet fortifikuese u vendosën sipas koncepteve taktike, operative dhe strategjike të artit tonë ushtarak dhe drejtimeve përkatëse të mbrojtjes. I ndërtuar në atë periudhë, fortifikimi e kreu funksionin e vet duke u treguar kundërshtarëve se ky vend kishte zot; se në rast sulmi ndaj tij armiqtë do të përballeshin me një mbrojtje që nuk mund të kalohej kollaj. Ishte organizimi ushtarak i përsosur, përgatitja e vijueshme ushtarake e të gjitha strukturave dhe kontigjenteve, fortifikimi i rajoneve dhe brezave tonë të mbrojtjes, si dhe gatishmëria e lartë luftarake, të cilat synonin që mbrojtja e vendit të ishte e sigurt dhe e paprekshme.  Fortifikimi i vendit për kohë lufte, i shërben mbrojtjes së forcave dhe mjeteve, veçanërisht gjatë përpunimit që armiku mësymës do t’i bëjë dispozitivit të mbrojtësit, që nga vija e parë e në thellësi, duke e goditur me aviacion, artileri dhe raketa, për ta paaftësuar e mbajtur nën goditje të pandërprerë kundërshtarin për një kohë të gjatë, siç vepruan forcat e NATO-s kundër objekteve të forcave serbe në luftën e Kosovës. Fortifikimi i ndërtuar në vendin tonë përballon në një masë të madhe jo vetëm goditjen e kundërshtarit me armët konvecionale, por edhe nga armët e dëmtimit  në masë. Objektet fortifikuese ishin të shumëllojshme. Siç ishin edhe llojet e armëve e të shërbimeve, për të siguruar mbrojtjen vetjake dhe të përbashkët të luftëtarëve dhe të popullatës së paaftë për luftë. Duke e parë nga këndvështrimi i vlerave, që fortifikimi u jep veprimeve taktike dhe operative të trupave si dhe organizimit të sistemit të zjarrit, le të analizojmë disa nga argumentet konkrete si masë e domosdoshme e sigurimit luftarak. Përvoja e veprimeve  luftarake në vija të fortifikuara dhe ajo e stërvitjeve me trupa e ushtrisë sonë, tregojnë se probabiliteti i goditjes së ushtarit, që lufton nga qendra e zjarrit, është shumë më i vogël sesa kur lufton në terren të hapur. Për ta vërtetuar këtë, në vitin 1988 në krye të një grupi oficerësh, efektivë të batalionit artmitralier të Çerenecit, në Peshkopi, kam kryer eksperimentin me qitje reale për të nxjerrë treguesit konkretë  sesa plumba mund të hynin në frëngjinë e qendrës së zjarrit dhe sa goditje mund të merrte ushtari kur lufton brenda saj. Eksperimenti u krye mbi një qendër zjarri, që ndodhej në pjerrësitë e lartësisë 802, 500 metra larg lapidarit të partizanit Tercilo Kardinali, hero i LANÇ-it, efektiv i batalionit partizan “Antonio Gramshi”.

Përfundimi: nga gjithë ai vëllim zjarri, plumbat goditnin kupolën dhe vetëm gjashtë prej tyre e rrezikonin ushtarin.

Si u veprua para se të kalohej në prodhimin në masë të qendrave të zjarrit?

Fortifikimi edhe në pikëpamje teknologjike është studiuar dhe eksperimentuar për cilësinë e ndërtimit të objekteve të tij. Përpara se të kalohej në prodhimin në masë të qendrave të zjarrit, për të parë qëndrueshmërinë ndaj goditjeve të artilerisë, të raketave dhe të efektit të zjarrit mbi efektivin, që do të luftonte brenda dhe jashtë tij, në vitin 1976, në rajonin e Rëzomave të Delvinës u kryen qitje të drejtpërdrejta mbi qendrat e zjarrit të një garnizoni pesësh. Ky rajon, në pikëpamje ushtarake, ishte një rajon tipik për vendosjen e forcave të skalioneve të dyta të mbrojtjes nga drejtimi bregdetar; por ajo ultësirë, e rrethuar nga lartësi, është shumë e përshtatshme, që kundërshtari ta përdorë për desantim, në ndihmë të forcave mësymëse që mund të veprojnë nga deti dhe nga drejtimi i Konispolit. Kjo ishte mbajtur parasysh në fortifikimin e atij rajoni. Me qëllim që qendrat e zjarrit të provoheshin për aftësinë mbrojtëse të tyre dhe shkallën e dëmtimit të forcave të gjalla nga zjarri i artilerisë, në to dhe në trashe, u futën kafshë eksperimentale; në secilën prej tyre  zjarri u futën: një qen; një dele ose dhi dhe një lepur. Në gojë u vunë  nga një shkop, për ta mbajtur të hapur, për efekt të krismave të predhave. Edhe në çdo element “E-4” u vendosën gjë të gjalla, si më sipër. Ndërsa në transhetë e qendrave të zjarrit, kafshët u vendosën çdo 6 metra. U vendosën dhe 20 figura në formën e pupacëve, me përmasat e trupit të njeriut. Kjo ishte gjendja që u sajua për të matur qëndrueshmërinë e fortifikatave dhe shkallën e dëmtimit të gjallesave, që ishin brenda dhe jashtë tyre, të cilat u qëlluan fuqishëm nga zjarri i armëve të kalibrave të ndryshëm të artilerisë. Në fillim u kryen qitjet me shënjim të drejtpërdrejtë, së pari me topin 75 mm, topin 107 mm, 85 mm dhe 100 mm. Pas tyre u krye qitja indirekte, me armët përkatëse, që përmendëm më sipër, duke filluar me baterinë e mortajave 160 mm, 120 mm dhe 82 mm. Pas këtyre dy lloj qitjesh, me bateritë e asaj artilerie, u krye qitja me zjarr të shpejtë me të gjitha bateritë njëherazi për pesëmbëdhjetë minuta mbi pozicionin e fortifikuar. Në fund u hap zjarr edhe me predha reaktive 130 mm.

Qendrat e zjarrit dukeshin me pajime të plota, ishin të pamaskuara dhe të parrafshuara me tokën. Në situatë reale do të jetë e vështirë të zbulohen, qendrat e zjarrit dhe të goditen me aq saktësi, si në provën eksperimentale që zhvilluam ne.

Në eksperimentin tonë i takoi 4,8 predha për m². Po të shumëzohet sipërfaqja që zë toga e këmbësorisë, 50.000 x 4,8, do të duhej të hidheshin 240.000 predha, që po t’i shumëzosh me peshën mesatare të një predhe, duhen 2660 tonë municion, vetëm për të përpunuar  me zjarrin e artilerisë pozicionin e fortifikuar të një toge të këmbësorisë në mbrojtje. Kur të shkoni ndonjëherë në Sarandë, hidhni sytë nga ajo fushë, ku, do të shikoni disa njolla të bardha pulla-pulla. Ato janë copat e betonit që kanë mbetur nga shkatërrimi i qendrave të zjarrit në të gjithë atë sistem kodrash përreth fushës. Ato vulosin turpin e shkatërruesve të organizuar të qendrave të zjarrit, të cilët s’kanë të ndaluar edhe sot.

Cilat kanë qenë rezultatet e eksperimentit të kryer nga ushtria jonë?

Në eksperimentin që u krye rezultoi: transhetë, që lidhnin qendrat e zjarrit me njëra-tjetrën, u dëmtuan aq sa nuk ekzistonin më, ndërsa hyrjet e qendrave të zjarrit ishin bllokuar me dhè. Të pesë qendrat e zjarrit, të cilat kishin formë dhe cilësi të njëjtë teknologjike, nuk patën dëmtime të mëdha; vetëm nga qitja me topin 75 mm rezultoi i dëmtuar elementi “E-2”, për të cilin, pas eksperimentit, u prodhua një element përforcues, “E-6”, që iu montua përpara, për ta mbrojtur. Eksperimenti tregoi se zjarri i artilerisë, që u derdh mbi atë pozicion të fortifikuar, asgjësoi plotësisht forcat e gjalla, që u vendosën në transhe, ndërsa ato që ishin future në qendrat e zjarrit, patën humbje shumë të vogla. Ky eksperiment u ideua, u organizua dhe u udhëhoq drejtpërdrejt nga strategu ynë ushtarak me përvoja luftarake, Mehmet Shehu. Me qëllim që të provohej veprimi i predhës që binte në afërsi të qendrës së zjarrit, sidomos pranë frëngjisë, për të parë ç’efekt kishte brenda në qendrën e zjarrit në kohën e plasjes, ç’masë dheu zhvendosej prej saj dhe pasojat mbi frëngjinë, u provua me një predhë mortaje 160 mm (predhë eksplozive). Ajo u vendos afër elementit “E-6”, përpara frëngjisë, u gropos në thellësinë 1.82 m, sipas llogaritjeve që bënë specialistët, në bazë të gropës që hap predha kur bie në tokë me fortësi mesatare.

Harxhimet më të mëdha të  municioneve të artilerisë

Harxhimi më i madh i  municioneve të artilerisë, që njeh historia e Luftës së Parë Botërore, është ai i ushtrisë aleate kundër Gjermanisë. Gjatë kundërmësymjes që u zhvillua prej 13 deri më 26 gusht të vitit 1917, në një front prej 15 km, u hodhën 14.000.000 predha. Ose në betejën e Stalingradit, më 3 shkurt 1943, ku në 5000 garnizone u hodhën 70.000 predha, që i takon 140 predha për çdo garnizon. Kjo sasi predhash, në qoftë se do të përdorej për të krijuar dendësinë që u arrit në eksperimentin tonë, do të mjaftonte  për të përpunuar me zjarr artilerie vetëm tre pikëmbështetje të fortifikuara toge. Po kështu, edhe gjatë luftës në Vietnam, ushtria amerikane, në vitet 1950-1952, mbi 400 garnizone hodhi 6.075.000 predha. Me këtë sasi predhash, në qoftë se do të arrihej dendësia e predhave të eksperimentit tonë, do të ishte e mjaftueshme për të përpunuar me zjarr artilerie 215 pikëmbështetje të fortifikuara toge ose 24 rajone të fortifikuara batalioni. Përfundimet na vlejnë për t’u mbajtur parasysh gjatë përdorimit të artilerisë e të zjarrit të saj nga kundërshtari, për bllokimin e qendrave të zjarrit dhe të humbjeve të forcave që janë brenda tyre.

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Sekretari i Mehmet Shehut: Të pathënat e bunkerëve të Enverit Read More »

Ku fshihet thesari i madh i Pashait të Janinës?! Aliu dhe misteri i 40 tonëve ar

Kur flasim për misteret më të mëdha shqiptare të bien në mendje shumë histori dhe legjenda, shumë prej tyre të trilluara, por ka dhe nga ato që qëndrojnë më të forta se vetë koha. Një ndër to është edhe e fshehta e thesarit të Ali Tepelenës, Pashait të Janinës.

Si mund të mos interesohesh për të kur bëhet fjalë për 40 tonë ar të pastër dhe një shumësi diamantësh? Epo me një pasuri të tillë gjithë hallet tona do të zgjidheshin dhe do të jetonim të lumtur në jetë të jetëve, por nuk është e thënë për ne…

Deri më sot na vijnë disa të dhëna për vendodhjen e tij dhe pikat më të forta qëndrojnë në Vlorë, përkatësisht në kalanë e Porto Palermos ose e Vasiliqisë dhe në Shpellën e Haxhi Alisë në Karaburun. Po çfarë na bën që të mendojmë diçka të tillë?

Si fillim në histori thuhet se Kalaja që tani ka marrë emrin e Porto Palermos është ndërtuar nga Ali Pashai si dhuratë për gruan e tij, Vasiliqinë, por a është e vërtetë kjo, apo është ndërtuar si fortesë për të mbrojtur diçka më të madhe, një thesar ndoshta? Epo kjo mbetet për tu parë. Le t’i hedhim një sy më nga afër kësaj kalaje sa legjendare aq e misterioze.

Të gjithë e vlerësojmë relievin si një nga bukuritë më të mrekullueshme në Mesdhe, ku të ofrohen jo vetëm pamje të mrekullueshme, por edhe plazhe shumë të bukura. Borshi, Himara, Dhërmiu janë disa nga vendet jo vetëm më të bukurat, por edhe me histori.

Tani do të flasim për një fshat shumë të veçantë, Qeparon po aq i kërkuar dhe i dashur sa gjithë të tjerët, por që diçka ndryshon me të dhe është, pikërisht ajo, kalaja e famshme e Ali Pashës.

Kalaja e vogël është e vendosur në një pozicion mjaft të bukur në një gadishull në gjirin e vogël tektonik të Porto Palermos, e cila në antikitet është njohur si në antikitet e njohur si gjiri i Panoramës.

Kalaja ndodhet jo larg fshatit të Qeparosë dhe ka formë trekëndore. Kalaja ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të. Kalaja ka formë planimetrike trekëndore me tre bastione të fuqishme nëpër qoshe. Hyrja ndodhet në mesin e murit jugor.

Nga ana e detit, midis dy bastioneve një sipërfaqe në formë trapezi është rrethuar me mure të pajisura me frëngji. Pjesa tjetër e kështjellës përbëhet nga një numër i madh ambientesh të mbuluara me qemerë të cilat përfundojnë në pjesën e sipërme me një tarracë të përbashkët.

Bukuria dhe madhështia e kësaj kështjelle ka zënë vend në shumë libra kushtuar Ali Pashës. Për të, ashtu si dhe shumë të tjerë, ka shkruar dhe Aleksandër Dyma, autori i Konti Monte Kristos.

Kështjella u ndërtua nën kujdesin e arkitektit Petro Përmetari dhe të një arkitekti Italian. Sapo kalon Qeparoin ose Himarën, përballesh me një panoramë të mrekullueshme të detit dhe në mes si një ishull i vogël duket vendi ku është ndërtuar kështjella e Porto Palermos.

Ky emër i ka mbetur këtij gjiri nga koha e pushtimit të italianëve, të cilëve u kujtonte vendin e tyre, qytetin e Palermos në jug të Italisë. Ajo ndodhet në një gadishull që lidhet nga një rrip i ngushtë shkëmbinjsh e dheu me tokën. Kështjella ngrihet madhështore në ishullin e mbushur me një bimësi të ulët. Një rrugicë e ngushtë, ndërmjet kësaj bimësie të ulët nëpër gurë gëlqerorë, që të shpien në derën e dhuratës së Pashait të Madh për të shoqen.

Dikur aty ka qenë një pllakë guri ku shkruhej: ”Unë Pashai i Madh, Aliu e ndërtova këtë kështjellë”. Forma e dhomave, kolonave mbajtëse me harqe dhe disa kthina të vogla të bëjnë të kuptosh se dikur ajo ka qenë e banueshme. Tashmë aty asgjë nuk të kujton kohën e Ali Pashë Tepelenës. Pamja që shfaqet nga bedenat e kështjellës është e rrallë. Prej aty duket i gjithë bregdeti si dhe Gjiri i nuseve, në të cilin, sipas legjendës, lahej nusja e Ali Pashës, Vasiliqia.

Forma e tarracës tregon se në atë kohë ajo ishte një vend shumë i mirë për tu mbrojtur nga armiqtë. Aty ndodheshin topat luftarakë të Ali Pashë Tepelenës si dhe vendet ku qëndronin ushtarët. Bedenat bien menjëherë mbi det, si thikë, dhe legjenda thotë se aty përfundonin armiqtë e Pashait të Madh.

Dhjetëra burra trima që kishin guxuar të sfidonin Ali Pashë Tepelenën kanë përfunduar në det ose janë përplasur në shkëmbinjtë që ndodhen poshtë bedenave. Forma e tyre tregon se ka qenë shumë e vështirë për t’i pushtuar nga ana e detit.

Rreth 300 metra larg kështjellës, në anë të rrugës ndodhet dhe kisha e famshme, të cilën Ali Pashë Tepelena e ndërtoi personalisht për Vasiliqinë. Kjo dhuratë simbolike ishte tepër e çmuar për Ali Pashën. Kisha ndodhej jashtë bedenave dhe ajo mund të sulmohej nga armiqtë e tij. Ndaj ndërtimin e saj Pashai i Janinës ia besoi arkitektit italian, i cili e mbaroi brenda një kohe të shkurtër.

Kur arkitekti italian i dorëzoi kishën Pashait të Madh dhe i kërkoi paratë për punën e kryer, ky i fundit i propozoi një provë. Ai i tha arkitektit që do t’i jepte paratë për punën e kryer vetëm nëse kisha do të ishte e fortë dhe do të duronte goditjet e topave.

Pasi mbylli arkitektin italian në kishë, Ali Pashë Tepelena urdhëroi topçinjtë e tij të qëllonin mbi kishën e vogël. Disa gjyle topi ranë mbi kishë, por asaj nuk i lëvizi as edhe një nga gurët që përbënin konstruksionin e saj.

Kjo e siguroi Aliun se gruas së tij nuk do t’i ndodhte gjë kur të ishte në kishë. Pas kësaj ai i dha paratë arkitektit italian. Edhe pas kaq vitesh kisha nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh.

Pra në tërësi Aliu kishte nevojë që aty të ishte një vend i sigurt, por vend i sigurt për gruan e tij të dashur apo për arin e tij? Ende deri sot nuk është zbuluar asgjë edhe pse të thënat janë të shumta.

Një vend tjetër ku mendohet se mund të jetë fshehur thesari në vendin tonë është gadishulli i Karaburunit, e posaçërisht në shpellën e famshme të piratëve ose të Haxhi Alisë. Kjo shpellë fsheh misterin e saj sepse është e përbërë nga disa zgavra të vogla të cilat thuhen se lidhin dhoma me njëra-tjetrën, por kjo sigurisht që nuk është e konfirmuar sepse nuk ka dalë asnjë i gjallë që të tregojë për to, madje as trupi nuk iu është gjetur. Dyshohet për këtë shpellë pasi që thuhet se Ali Pashai me të tijët shkonte shpesh aty dhe nuk ka vend më të mirë për të fshehur një thesar të të tilla përmasave.

Por le t’i hedhim një sy legjendës së kësaj shpelle legjenda e së cilës daton që në vitet 1500.

Kjo mendohet se ka qenë banesa më e sigurt e ulqinakasit Haxhi Ali Ulqinaku, i cili bashkë me tartanët e tij kishte qenë kryekomandant i flotës turke të Mesdheut e në fund të shekullit XIX, kapedani i detit erdhi u vendos në Karaburun dhe mbronte brigjet shqiptare nga sulmet që bënin venecianët, saraçenët nga Malta dhe Egjipti, spanjollët, anglezët dhe francezët. Për plotë 22 vjet u bë mbrojtësi i këtyre brigjeve. Në luftë me venedikasit ai u vra dhe varri i tij thuhet se është në det.

Anijet kur kalonin i binin sirenave dhe hidhnin bukë e vaj për shpirtin e tij në det. Këtë zakon e vijojnë dhe disa nga banorët e Dukatit, në zonën e Ravenës, ku kanë bagëtitë që jetojnë atje. Çdo mëngjes gushti hedhin bukë e vaj në det për shpirt të Haxhi Alisë.

Kjo është shpella më e madhe e bregdetit shqiptare cila ka një lartësi me hyrje mbi 60 metra mbi nivelin e detit dhe sipas historianëve kjo është edhe shpella që emrin e vjetër e ka dhe Shpella Iliriane. Shpella Iliriane e përdorur  nga  Haxhi Aliu është një dëshmitare interesante e historisë.

Duke u futur në brendësi të shfaqet një liqen në forme eliptike me aksin e madh të drejtuar nga hyrja. Salla ka një shtrirje në gjatësi prej 60 m e orientuar sipas Veriperëndimi-Juglindja dhe një gjerësi nga baza (mbi nivelin e detit) rreth 40 m në pikën më të gjerë. Në tërësi shpella është e gjatë rreth 100 m.

Thellësia e liqenit të brendshëm arrin 10,4 m drejt anës verilindore të fundit të shpellës. Në paretet shkëmbore të sallës përballë hyrjes paraqiten stalaktite të pjerrta me origjinë të mundshme organogjene ose të përzier. Në hyrjen e saj janë gjetur fragmente amforash antike të shekujve të parë të epokës sonë.

Kjo shpellë vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e detarëve të huaj e shqiptare. Detari i guximshëm shqiptar Haxhi Aliu e ka përdorur atë si strehë mbrojtëse duke u përleshur me anijet e huaja grabitqare, të cilat tentonin të hynin në Gjirin e Vlorës apo të grabisnin piratisht bagëtitë e vendasve në Karaburun.

Rreth viteve 1540-1545, është përdorur nga piratët francez për t’u mbrojtur siç thuhet edhe në toponimet afër shpellës.

Misteri rrethon jo vetëm thesarin në tërësi, por edhe vendet në të cilat mendohet se ai mund të jetë fshehur… Kërkimet vazhdojnë, deri më tani nuk ka asnjë gjë të re për të…/korrieri

Ku fshihet thesari i madh i Pashait të Janinës?! Aliu dhe misteri i 40 tonëve ar Read More »

“Vendosni Zotin të parin”. Fjalimi emocionues i Denzel Washingtonit, që ia vlen ta lexoni!

“Së pari, vendosni Zotin të parin në çdo gjë që bëni. Çdo gjë që shihni tek unë, çdo gjë që unë kam arritur, çdo gjë që mendoni se unë kam, ka ardhur prej mirësisë së Zotit. Kuptojeni këtë gjë.
42 vjet më parë, në mars të 1975, unë isha në universitet me një mesatare shumë të ulët. Isha ulur në sallonin e bukurisë së mamasë sime dhe shoh veten në pasqyrë.

Pas vetes shoh një grua dhe sa herë unë shikoja në pasqyrë, e dalloja që ajo po më shihte mua drejt e në sy, derisa në një moment më tha “Djalë, ti ke për të udhëtuar në mbarë botën dhe ke për të folur përpara miliona njerëzve”.

Në atë kohë unë nuk e besoja, por tani e them me siguri se unë kam udhëtuar nëpër botë dhe kam folur përpara miliona njerëzve.

Nuk ka rëndësi suksesi që kam pasur, por ajo që më tha ajo grua atë ditë dhe që unë akoma nuk e kam harruar. Unë jam rrëzuar, jam udhëhequr, jam korrigjuar nga të tjerët. Kam mbajtur Zotin në jetën time dhe Ai më ka bërë të jem dashamirës me të tjerët.

Ndoshta jo gjithmonë jam mbajtur tek Ai, por Ai gjithnjë më ka shoqëruar. Ndaj mbështetuni tek Zoti në çdo gjë që bëni. Nëse doni të bëni atë që unë kam bërë, atëherë bëjeni dhe mbështetuni në Zot.

Së dyti, mos u ndjeni keq nëse dështoni rëndë. Si fillim, bëni atë që e pëlqeni dhe e keni pasion. Ndërmerrni rreziqe dhe mos iu trembni dështimeve, edhe nëse dështoni rëndë.

Ëndërroni shumë, por mbani mend se ëndrrat pa realizim janë thjesht ëndrra. Kështu që, ëndërroni dhe realizoni diçka çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit… Për t’i realizuar ato, kujtoni gjithmonë se ju duhet vendosmëri dhe disiplinë.

Puna e fortë jep gjithmonë rezultate pozitive. Këtë gjë bëjnë edhe personat e suksesshëm. Ata punojnë fort. Mirëpo ju mos prisni që puna më e madhe të sjellë më shumë të mira në jetën tuaj. Jo gjithmonë mundimi dhe progresi ecin njëkohësisht…

Së treti, nuk do merrni gjë me vete nga kjo botë. Asgjë nuk ka të bëjë me çfarë keni, por me çfarë  bëni me gjërat që keni. Të gjithë ne kemi talente të ndryshme dhe gjëja më egoiste që mund të bëjmë është të ndihmojmë dikë tjetër. Pse është egoiste? Sepse përfiton vetë ndjenjën e mirë.

Ndjenja që unë marr kur ndihmoj të tjerët, nuk krahasohet me makinat, shtëpinë e madhe apo me çdo gjë tjetër që unë kam. Suksesi ka të bëjë pikërisht me ndihmën që ne i ofrojmë të tjerëve.

Së fundmi, dua të të kujtoj se duhet të jesh falenderues për çdo gjë që ke. Kështu e jetoj unë jetën time. Kjo është arsyeja se pse unë jam ky që jam sot. Falendero Zotin për çdo gjë që ke në jetën tënde.

Dëshira e madhe në zemrën tënde, ajo gjë që ju doni të bëni me veten tuaj, është prova më e madhe që Zoti të jep paraprakisht për të të bërë të kuptosh se ajo është jotja. Dhe ti mund të kesh çdo gjë të mirë që dëshiron.

Puno fort që ta arrish. Kur e arrin, ktheje kokën mbrapsht dhe ndihmo dikë tjetër të ngrihet bashkë me ty. Njëri të na mësojë të gjithëve, dhe të gjithë të mësojmë njërin. Frymëzojini të tjerët të bëjnë ndryshime pozitive!”. / Bota.al

“Vendosni Zotin të parin”. Fjalimi emocionues i Denzel Washingtonit, që ia vlen ta lexoni! Read More »

“Hasan Z. Kamberi, i pari që shkroi në shqip poezi e lutje islame”

Studiuesja Genciana Abazi Egro pas veprës së Nazim Beratit, përmbys deformimin letrar që u ndërtua në shekullin 20-të, në diktaturë, për poezinë e Hasan Zyko Kamberit që nga realizmi socialist ishte konsideruar rëndom si bejtexhi.

Me botimin tekstual kritik dalin në dritë tre dorëshkrime të mbijetuara të H.Z. Kamberit dhe gjithë krijimtaria letrare që ka mbërritur prej tij deri më sot.

Intervistoi: Violeta Murati

Për herë të parë, ju na sillni të plotë në një botim tekstual kritik poezitë e Hasan Zyko Kamberit. Çfarë plotëson ky botim në studimet tonë, ku është mbështetur?

Ky botim është ndërtuar mbi tri dorëshkrimet e mbijetuara të Hasan Zyko Kamberit dhe përmbledh gjithë krijimtarinë letrare që na ka mbërritur deri më sot prej tij.

Kjo vepër është e hapur për lexuesin e të gjithë kategorive, dhe besoj se njohja e krijimtarisë së tij do të përcaktojë për pasojë dhe vendin që i takon këtij poeti në historinë e letërsisë shqipe.

Ky poet ka qenë shumë i dashur për shqiptarët në shek. 19. Por në shek. 20 poeti humbi shumë nga lavdia. Madje vepra e tij nuk u botua dhe lexuesit e njohën vetëm nëpërmjet disa fragmentesh poezish të botuara nëpër antologji.

Krijimtaria poetike e H.Z.Kamberit vjen pas botimit të edicionit të Divanit shqip të Nezim Beratit, ç’histori e ka ndjekur këtë libër?

Fill pas Nezim Beratit, iu vura punës për të botuar veprën e poetit Hasan Zyko Kamberi. Kjo sepse, të dy këta poetë kanë patur një njohje të konsiderueshme në kohën kur kanë jetuar, por edhe sepse janë poetët që hasen më shumë në dorëshkrimet shqipe me alfabetin arab.

Por ndryshe nga Nezim Berati, Hasan Zyko Kamberi ka qenë i pranishëm në ligjërimin e intelektualëve nacionalistë shqiptarë jo vetëm myslimanë (Naim Frashëri, Hafiz Ali Korça, Lumo Skëndo …), por edhe të krishterë (Thimi Mitko, Jani Vreto, Vissarion Dodani…).

Në fakt botimi i kësaj vepre është tejet i vonuar, pasi si poeti më i madh i kohës së tij, ai prej kohësh duhej të ishte njohur i plotë nga lexuesi dhe opinioni i gjerë shqiptar.

-Si shihet në konktekstin e historisë ky autor? Në ç’kohë ka jetuar?

Poeti Hasan Zyko Kamberi ka jetuar deri në dekadat e para të shekullit 19, në kapërcyell të dy kohërave të rëndësishme në historinë e shqiptarëve.

Pikërisht kur në Ballkan po i vinte fundi stabilitetit disashekullor osman dhe po hapej epoka e proceseve nacionale.

Krijimtarinë e tij mund ta ndajmë në dy pjesë, marrëdhëniet e njeriut me Perëndinë dhe  marrëdhëniet e individit me realitetin e përditshëm. E thënë me fjalë të tjera një pjesë e krijimtarisë mbështetet në letërsinë klasike të Divanit, ndërsa pjesa tjetër në letërsinë realiste.

Ai është i pari ndër poetët e shek. 18 që shkëputet nga modelet e letërsisë klasike të Lindjes dhe lëvron fort poezinë realiste. Kjo natyrë komplekse e veprës së tij ka bërë që ai të jetë ndër poetët e parapëlqyer përgjatë shekullit 19.

-Është një fakt interesant kur kujtojmë se nuk ekziston ndonjë biografi, e shkruar, si keni arritur t’i mblidhni të dhënat rreth jetës së tij?

Për këtë poet mungojnë burimet dokumentare. Në vendin e tij të lindjes, në Starje të Kolonjës, për të rrëfehen shumë legjenda, veçanërisht për marrëdhëniet e afërta që ka patur me Ali Pashë Tepelenën, por që është e vështirë të dokumentohen.

Përveç kësaj edhe në varrin e poetit, që ndodhet në Starje dhe njihet me emrin Tyrbja e Baba Hasanit mungon data e vdekjes sepse tyrbja së bashku me mbishkrimet e saj ku jepeshin dhe të dhëna konkrete është djegur nga trupat greke më 1914.

Kështu që të dhënat e vetme mbi jetën e tij i kam nxjerrë nga poezitë që në shumë raste japin informacione të natyrës biografike.

-Çfarë të dhënash ofrojnë poezitë për marrëdhëniet e poetit me Ali Pashë Tepelenën, ka pasur një lidhje mes tyre?

Më tepër se për marrëdhënie të drejtpërdrejta me pashain e Janinës, në poezitë e Hasan Zyko Kamberit mësojmë për perceptimin që kishte popullsia e asaj kohe për atë se ç’kishte ndërmend të bënte pashai i Janinës me pashallëkun e tij dhe të çfarë natyre shteti aspironte të krijonte.

Ali Pashën e konsideronte si njeriun që do të krijonte shtetin e tij dhe që ai e emërton Shqipëri duke na dhënë kështu dhe dokumentin e parë që njohim deri më sot  ku haset për herë të parë përdorimi i termit Shqipëri.

-Kur është përmendur për herë të parë si poet H.Z.Kamberi?

Poeti në letrat shqipe për herë të parë përmendet në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit 19. Naim Frashëri më 1896 e vendos në kreun e poetëve shqiptarë, kurse pas tij rendit Nezim Beratin dhe Dalip Frashërin.

Po në këtë vit, d.m.th. më 1896, Jani Vreto në punimin dorëshkrim mbi historinë e shkrimit shqip shpreh vlerësimet maksimale për poetin.

Kurse Thimi Mitko përgatit për botim 3 poezi (Gratë e vejaParaja dhe Fati im), të cilat i përkthen edhe greqisht, por sikurse ka ndodhur në shumicën e rasteve me poetët shqiptarë të shekullit 19, do të mbesin në dorëshkrim pa e parë dritën e botimit.

-Si janë transmetuar këto poezi?

Poezitë e Hasan Zyko Kamberi janë transmetuar me anë të dorëshkrimeve, që do të thotë se transmetimi i tekstit është realizuar përmes kopjimit d.m.th. shumëfishimi i tyre është bërë me anë të kopjimit me dorë. Kjo praktikë në Perëndim u zëvendësua në mesin e shek. 15 me shtypshkrimin, pas zbulimit historik të Gutenbergut.

Mirëpo në Perandorinë Osmane përdorimi i shtypshkronjës për shtetasit myslimanë, për arsye të natyrës fetare filloi relativisht vonë. Shtypshkronja e parë u hap në Stamboll më 1727, por vetëm më 1783 filloi të funksionojë në mënyrë të rregullt.

Në këtë kontekst historik dhe institucional edhe tekstet që shqiptarët shkruan shqip me alfabetin arab qarkulluan në trajtë dorëshkrimi.

-Për herë të parë ju pohoni se me krijimin e Mevludit ai ishte i pari që ka përdorur shqipen në lutje dhe ceremoni fetare të besimit islam. Çfarë dëshmon kjo?

Hasan Zyko Kamberi është i pari që ka përdorur shqipen në mësimin dhe praktikimin e fesë islame. Krahas Mevludit ai ka shkruar dhe poezi të natyrës fetare didaktike (Ilmihal), të natyrës informuese, siç janë historia e fesë islame apo historitë për ngjarje të rëndësishme në Islam, si lufta mes Aliut dhe Muavijesë.

Por Mevludi (këngë mbi lindjen e profetit Muhamet dhe bëmat e tij) veçohet sepse është hera e parë që shqipja përdoret gjatë lutjeve në ceremonitë fetare të besimit islam.

Kështu ai është iniciues i traditës së Mevludeve në shqip pasuar nga Ismail Floqi, Hafiz Ali Ulqinaku, Abdullah Konispoli, Hafiz Ali Korça, apo Tahir Popova në Kosovë etj.

Këto krijime të natyrës fetare teologjike e vendosin Hasan Zyko Kamberin në pozitën e personalitetit të parë shqiptar që në mënyrë të qartë, të mirorganizuar dhe të plotë ka përdor gjuhën shqipe gjatë transmetimit në publik të historisë dhe kulturës islame.

Nga ana tjetër, Hasan Zyko duke krijuar në shqip edhe Ilmihali-n (udhërrëfyes i njohurive themeltare doktrinore dhe praktike të Islamit) i cili dëshmohet të ketë qenë pjesë e programit mësimor që zhvillohej në atë kohë në Perandorinë Osmane i ka dhënë kësaj krijimtarie edhe një perspektivë didaktike.

Fakti që ka krijuar në shqip poezi fetare me natyrë të qartë didaktike dëshmon për një ndjeshmëri të tijën në çështjen e mësimit dhe të përhapjes së fesë me anën e gjuhës amtare.

Ndonëse poeti nuk e ka artikuluar në mënyrë të qartë “misionin” e tij, krijimi i poezive në gjuhën shqipe mbi të gjitha dimensionet e besimit (shpirtëror, praktik e mendimtar) të shtyn të mendosh se kemi të bëjmë me një punë të vetëdijshme në këtë drejtim.

Këtë mendim ma përforcon edhe fakti se një shekull më vonë, Hafiz Ali Korça, pasi artikulon në mënyrë të qartë domosdoshmërinë e mësimit të fesë islame në gjuhën amtare, do të veprojë ashtu sikurse Hasan Zyko Kamberi, duke bërë pjesë të krijimtarisë së tij sistematike dhe qëllimore udhërrëfyesin për njohuritë themeltare doktrinore e praktike Myslimanija, Mevludin dhe veprën Historija e Shenjtë edhe të katër Halifetë.

Dhe këto dy krijimtari përbëjnë një shembull par exellence për studimin e mënyrës se si është zhvilluar në gjuhën shqipe ligjërimi fetar islam.

-Deri tani, ashtu siç është ngulitur nga realizmi socialist, Hasan Zyko Kamberi është konsideruar rëndom si bejtexhi. Ç’është ky poet tani?

Termi bejtexhi ka filluar të përdoret në vitet ‘50 të shekullit 20. Ai është krijim i mirëfilltë ideologjik i historiografisë letrare komuniste. Ky emërtim gjeti terren në kushtet kur vepra e këtyre poetëve nuk ishte botuar dhe ishte e vështirë që të gjykohej mbi kapacitetet letrare të tyre.

Sot lexuesi ka në dorë veprën e plotë të gjithë krijimtarisë së mbijetuar të Hasan Zyko Kamberit. Besoj se kjo do të shërbejë si pikënisje nga duhet të fillojë vlerësimi dhe ridimensionimi i këtij poeti.

-Çfarë keni parasysh kur thoni se H.Z. Kamberi ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e intelektualëve nacionalistë?

Të bije në sy që vepra e tij ka qarkulluar në duart e të gjithëve duke filluar nga teqetë, tek bejlerët syni, tek intelektualët ortodoksë, dhe ç’është më e rëndësishmja jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij. Madje ç’është më spektaktolarja dhe që të habit është se vepra e tij nuk ka qarkulluar vetëm me alfabetin arab, por edhe me alfabetin grek.

Kjo tregon që ai jo vetëm është njohur, por dhe është dashur. Madje intelektualë si Thimi Mitko dhe Vissarion Dodani kanë tentuar ta botojnë atë. Kurse Jani Vreto shprehet se të gjithë ata që janë jashtë kanë mall të dëgjojnë poezitë e Hasan Zykos.

-Poezitë e H.Z Kamberi tërheqin për natyrën realiste, ashtu siç edhe ju na vini në dukje në parathënien e librit, ç’ishte ky fenomen?

Hasan Zyko Kamberi në poezitë e tij është fokusuar në të përditshmen e njerëzve. Ai ka qenë një vëzhgues i mprehtë dhe kjo e ka orientuar edhe drejt kritikës, e cila shpesh kalon në sarkazëm.

E veçanta e Hasan Zyko Kamberit është se merret me problemet e grupeve margjinale të shoqërisë si të varfërit që ngopen me trahana, gratë e veja dhe vajzat e martuara pa njohur burrin e dashurinë. Realitetin e jep nga optika e këtyre grupeve dhe kërkon që shoqëria të jetë më e vëmendshme ndaj tyre.

Kështu shfaq dhe një anë të fortë humanizmi dhe ndjenja për një botë më të drejtë dhe më njerëzore. Kështu ai është i pari në letrat shqipe që ka në fokus gruan dhe i jep zë kërkesave materiale, shpirtërore dhe fizike të saj.

Madje ai shkon aq larg sa që objekt të poezive bën dhe marrëdhëniet që ka patur me gruan e tij (Rrapçon), të cilën e ka dashur dhe vlerësuar shumë. Për shkak se komunizmi mbajti qëndrim përjashtues ndaj fesë Hasan Zyko Kamberit ju mbajtën mend vetëm poezitë me karkater realist ku spikat Paraja e cila vazhdon të lexohet dhe të përmendet edhe sot e kësaj dite.

Madje bashkëvendasit e tij i atribuojnë poetit meritën që i ka kënduar parasë shumë kohë përpara se Marksi të shkruante Kapitalin.

A mund të themi se ishte një pararendës i Çajupit,  referuar satirës?

Të dy kanë lëvruar satirën në mënyrë të suksesshme, por mendoj se jemi herët që të vendosim një lidhje direkte mes tyre. Ka ende shumë dorëshkrime shqip me alfabetin arab, njohja e të cilave do të na japë një panoramë të plotë të zhvillimeve letrare. Dhe mendoj se vetëm atëherë mund të gjykojmë mbi ecurinë e realizmit dhe satirës në letrat shqipe.

-Thoni se Thimi Mitko, një ortodoks është marrë me poezitë e H.Z. Kamberit, si ka arritur t’i mbledhë kur kishte problem me alfabetin arab me të cilin ishte shkruar shqipja?

Përveçse të dy, si poeti ashtu dhe Mitko, gjeografikisht vinin nga e njëjta zonë, Thimi Mitko për një kohë të gjatë ka jetuar në Egjipt. Me çdo gjasë ai e ka njohur alfabetin arab që përdorej atje. Për më tepër ka qenë pjesë shumë aktive e kolonisë shqiptare të Egjiptit, ku shumë prej tyre vinin nga zona Korçë-Kolonjë-Përmet-Zagori.

Interesant është fakti që intelektualët shqiptarë të asaj kohe kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin shumë më aktivisht se ç’e mendojmë ne sot, pavarësisht se i përkisnin konfesioneve të ndryshme fetare. Thimi Mitko dorëshkrimin e poezive të Hasan Zyko Kamberit e ka marrë nga babai i Teqesë Halveti në Korçë.

– Çfarë mendoni se e ka vështirësuar njohjen e plotë të veprës së këtij autori, kur thoni se ka pasur edhe përfundime të gabuara. Për çfarë bëhet fjalë?

Ideologjitë e shek. 20 kanë penguar botimin e veprës së tij. Është e habitshme se si gjatë shek. 20 u fashit gjithë ajo famë që gëzonte ky poet. Madje u harrua edhe froni ku e ngjiti Naim Frashëri poetin. Studiuesi Osman Myderrizi tentoi në vitet ‘60 ta botonte, por nuk arriti.

Koço Bihiku me cilësinë e recenzentit të veprës, arriti deri aty sa poetin e quajti të degjeneruar që merret me gratë e veja dhe nuk kërkonte shkaqet se përse këto gra nuk i kishin burrat pranë. Sigurisht mosbotimi i veprës i hapi rrugë vlerësimeve nga më ekstremet.

“Hasan Z. Kamberi, i pari që shkroi në shqip poezi e lutje islame” Read More »

Enver Hoxha heq gjysmën e pjesëmarrësve në foton e viti 1943 në sallën e Bashkisë së Shkodrës !

Nga Kastriot Dervishi

Në vitin 1936 Enver Hoxha u gjend në Shkodër si “përfaqësues i djalërisë” në ceremoninë e gjetjes e më pas rivarrimit të eshtrave të Çerçiz Topullit e Muço Qullit. Nga mania për të dalë e për t’u dukur si person i rëndësishëm, ka manipuluar dy foto kryesore.

Në foton brenda bashkisë janë Hasan Dosti, kryetari i bashkisë Zenel Prodani, qarkkomandanti Daut Çarçani, etj, etj. Enver Hoxha fshin gjysmën e të pranishmëve në foton e

Në foton tjetër që është bërë shumë e njohur, ai del krejt i vetëm në ballkonin e bashkisë. Fshin personalitetet e kohës si At Anton Harapi, ish shefin e Zyrës Sekrete Spiridion Kacarosi, Maliq Bushatin, Zenel Prodanin, etj.

Enver Hoxha heq gjysmën e pjesëmarrësve në foton e viti 1943 në sallën e Bashkisë së Shkodrës ! Read More »

Ja si i manipulonte fotot diktatori Enver Hoxha ! Bëni krahasimin e kësaj foto të viti 1943!

Nga Kastriot Dervishi

Në fotot e propagandës, udhëheqësi duhet të dalë largpamës. Si pamja e tij ashtu edhe sfondi duhet të jenë gjithnjë të përkryera sepse kështu i shërbejnë manipulimit. Në të kundërt fotot përpunoheshin e pastroheshin. Populli duhej të krijonte një përfytyrim sa më afër gënjeshtrës së regjimit. Sjellim foton e radhës. Enver Hoxha është fotografuar këtu në Vithkuq të Korçës me rastin e formimit të brigadës së parë.

Origjinali (majtas) siç ruhet në Arkivin e PPSH-së dhe fotografia e manipuluar në albumet e diktatorit (djathtas). Për fatin e keq të qatipëve të propagandës, udhëheqësi kishte pozuar me tym cigareje në fytyrë. Po ashtu, pas tij vijnë të shkujdesur dy partizanë. Siç ishte fotografia nuk përçonte mesazhet e duhura. Nuk duhet të ishte me tym e i shkujdesur dhe ato partizanët nga prapa që nuk tregonin as disiplinë e rregull, nuk duhej të prishnin sfondin. Hiqen partizanët nga fotoja e gjithashtu hiqet edhe tymi nga fytyra.

Ja si i manipulonte fotot diktatori Enver Hoxha ! Bëni krahasimin e kësaj foto të viti 1943! Read More »

Pusi që ndryshoi historinë e Shqipërisë

Astrit Avdulaj*

Në vitin 1859, Edvin L. Drejku, një faturino treni në pension, duke përdorur një motor të vjetër me avull, me qëllim që të nxjerrë naftë shpoi një pus 22 metra të thellë, afër Tajtësvillit në Pensilvani, SHBA.

Kjo ngjarje shënoi fillimin e epokës së naftës.

Shpejt, blerja me ngut e tokave dhe shpimi i puseve u bë një ndër bizneset kryesore në të ashtuquajturat rajone nafte në Shtetet e Bashkuara. Në ato vite ishte e zakonshme të dëgjoje për njerëz që papritur bëheshin të pasur dhe për të tjerë që e humbnin pasurinë e fituar. Si për ironi, Edvin Drejku, njeriu që hapi pusin e parë të naftës në Pensilvani, ishte njëri nga ata që e humbën gjithë pasurinë e tyre.

Pavarësisht nga lulëzimi i jashtëzakonshëm i tregtisë së naftës, e ndoshta për shkak të këtij lulëzimi, industria e naftës në Pensilvani shpejt pësoi për herë të parë humbje. Çmimi i naftës ra nga 20 dollarë për fuçi në 10 cent për fuçi. Mbiprodhimi dhe spekulimi çuan në uljen e menjëhershme të çmimeve, e si pasojë disa puse shteruan shpejt. Një kujtim i veçantë i atyre kohërave është qyteti i Pitolit, në Pensilvani, i cili sot ka mbetur një qytet fantazmë. Ai u ndërtua, lulëzoi dhe pastaj u braktis. E gjithë kjo ndodhi në një hark kohor prej pak më shumë se një viti e gjysmë. Këto ulje-ngritje do të bëheshin pjesë e pandashme e historisë së naftës.

Pusi i parë në Shqipëri

Astrit AVDULAJ

Zbulimi i vendburimeve të naftës në shumë pjesë të tjera të botës pati një ndikim të madh në ekonomi dhe në politikë. Sigurimi i burimeve energjetike, sidomos të hidrokarbureve, ka përcaktuar gjeopolitikën, ndërtimin e strategjive afatgjata të fuqive të mëdha, si dhe ka qënë shkaku kryesor i rivaliteteve, konflikteve dhe luftrave në planetin tonë. Rasti i Shqipërisë tregon qartë se zbulimi i naftës një shekull më parë ndryshoi qasjet gjeopolitike të kohës, duke ndaluar copëtimin e Shqipërisë Londineze dhe garantimin e qenies së shtetit të parë të shqiptarëve.

Për gjurmë të naftës në territorin shqiptar, historianët e lashtësisë shprehen që gati 20 shekuj më parë. Në mars të vitit 1875, Qeveria Osmane dha të drejtën koncesionare për kërkime të bitumit të Selenicës duke krijuar mundësinë e një industrie të re nxjerrëse shqiptare, e cila për shumë vite mbeti e vetmja industri minerare në vend. Me rilindjen e këtij aktiviteti minerar Shqipëria tërhoqi vëmendjen e gjeologëve të ndryshëm, të cilët realizuan në disa pjesë të territorit, zhvillimin e disa kërkimeve gjeonaftëmbajtëse.

Rreth vitit 1914, gjeologët e ushtrisë italiane, e cila ishte vendosur në ishullin e Sazanit, vunë re në det shënja nafte dhe, duke i gjurmuar ato, zbuluan se vinin nga Lumi i Shushicës, i cili kalon në Drashovicë të Vlorës. Shumë të interesuar ata zhvilluan studime të gjithanshme dhe projektuan shpimin e një pusi nafte.


Kështu, plot një shekull më parë me fillimin e 6 mujorit të dytë të  vitit 1917 nën drejtimin e kapitenit Plate të Marinës Italiane, të  gjeologut Madalena dhe të teknikut të naftës inxh.Amoretti, në luginën e Shushicës afër fshatit Drashovicë filloi puna për shpimin e një pusi për nxjerrjen e naftës. Aty u morën shenja të naftës në thellësinë 71,4 m , 81 m , 119 dhe 125 m dhe në thellësinë 101 m, u eksperimentua niveli produktiv i pusit, nga i cili u nxorën fillimisht 3,500 litra në ditë.  Ky ishte shpimi i pusit të parë të kryer në territorin shqiptar, me anë të të cilit u konfirmua ekzistenca e naftës në Shqipëri. Për më tepër rezultoi të ishte një naftë cilësore e lehtë me densitet 0,78-0,94 gr/cm kub.

Ekipi i shpimit, i entuziazmuar me rezultatet e marra, e vazhdoi punën deri në 6 mujorin e dytë të vitit 1918 duke e çuar pusin deri në thellësinë 200m. Në këtë fazë për efekt të ruajtjes së sekretit u vendos të ndërpritet puna dhe vetëm në vitin 1924 të dhënat e marra nga pusi i shpuar në Drashovicë u bënë publike nga gjeologu Madalena.

Shqipëria dhe gjeopolitika në Ballkan në fund të Luftës së Parë Botërore

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane në 28 Nëntor 1912, e realizuar nga diplomati i shquar Ismail Qemali ishte shumë e rëndësishme për krijimin e një shteti shqiptar. Ky akt i kryer në kushtet kur, si rezultat i Luftrave Ballkanike gati i gjithë territori ishte i pushtuar nga ushtritë e fqinjëve veriorë dhe jugorë, nuk mund të realizohej pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të Perandorisë Austro-Hungareze dhe ndikimin pozitiv të Italisë, e cila kishte interesat e veta.

Mbas tetë muajsh, më 29 Korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër caktoi kufijtë e Shqipërisë, duke lënë jashtë trojeve etnike rreth 60% të territorit dhe dy të tretat e shqiptarëve. Gjithashtu Shqipëria do të ishte për dhjetë vjet nën mbikëqyrjen e fuqive të mëdha nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK).

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, KNK nuk funksiononte më, mbasi pjesëtarët e tij ishin pjesë të dy palëve ndërluftuese, ndërsa Shqipëria u kthye thjesht në një shesh lufte të këtyre palëve.

Në vitin 1914 Italia qëndroi në pozicion asnjëanës, duke pritur ofertën më të mirë nga palët. Ofertës së Antantës për t’u rreshtuar me të, Ministri i Jashtëm i Italisë iu përgjigj homologut të tij britanik me një memorandum të dërguar në 29 Mars 1915, i cili ndër pikat kryesore përmbante planin për copëtimin e Shqipërisë. Ky plan u përfshi në Traktatin e Fshehtë të Londrës, i nënshkruar nga palët më 26 Prill 1915. Një muaj më vonë Italia i shpalli luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë.

Lufta e Parë Botërore përfundoi në 11 Nëntor 1918 me fitoren e Antantës. Pasojë e kësaj lufte ishte rënia e katër perandorive, dy nga të cilat ajo Austro-Hungareze dhe Gjermane kishin qënë baza për krijimin e shtetit shqiptar. Shqipëria nuk kishte marrë pjesë në luftë, por ajo kishte qënë shesh lufte dhe plaçkë lufte e përcaktuar për t’u ndarë. Përfituesit e kësaj plaçke ishin në radhët e fituesve të luftës: Italia një nga katër fuqitë kryesore; Greqia megjithëse ishte rreshtuar me Antantën nga fundi i luftës dhe Serbia, e cila me 1 Dhjetor 1918, vetëm njezetë ditë mbas mbarimit të luftës, me mbështetjen e Antantës ishte bërë pjesë e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene.

Konferenca e Paqes e Parisit u mblodh nga 18 Janari 1919 deri në 21 Janar 1920. Në kuadër të kësaj konference u përpilua dhe marrëveshja për copëtimin e Shqipërisë midis Italisë dhe Greqisë e firmosur në 29 korrik 1919 nga Titoni-Venizellos. Të gjitha gjasat e kohës tregonin se copëtimi i Shqipërisë dhe asgjësimi i pavarësisë së saj ishin të sigurta.

Gjeopolitika e naftës në fillim të shekullit të Njëzetë

Në vitin 1901 britaniku William D’Arcy mori koncesionin të zbulojë dhe shfrytëzojë burime nafte në Iran. Në vitin 1908 u zbulua naftë dhe në vitin 1909 u krijua Shoqëria Anglo-Persiane e Naftës (APOC). Në vitin 1914 vetë Qeveria Britanike mori kontrollin e kësaj kompanie.

Në fund të shekullit të Nëntëmbëdhjetë, nga kërkimet e bëra, ishte rritur besimi se në Mesopotami (Iraku dhe Siria) që ishte pjesë e Perandorisë Osmane, kishte rezerva të konsiderueshme nafte. Për këtë arsye në vitin 1912 në Stamboll u krijua Kompania Turke e Naftës (TPC), ku aksionerë ishin shoqëri të mëdha europiane, si Deutsche Bank, Kompania Anglo Saksone e Naftës, Banka Kombëtare e Turqisë dhe biznesmeni turk me origjinë armene C.Gulbenkian. Në vitin 1914, kur Shoqëria Anglo Persiane e Naftës zotëronte 50 përqind të kapitalit të TPC, ajo mori premtimin për dhënien e koncesionit nga Qeveria Osmane, por fillimi i luftës i ndërpreu planet për kerkimin e naftës. Ishte pikërisht konflikti për zotërimin e burimeve të naftës së Irakut një nga shkaqet kryesore,  që çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.

Gjatë luftës nevojat për naftë dhe rëndësia e saj u rritën jashtëzakonisht shumë; pa karburant nuk mund të lëviznin luftanijet, aeroplanët, tanket dhe mjetet e tjera të motorizuara. Shërbimet inteligjente të shteteve dhe të kompanive të mëdha, kishin përparësi çdo informacion që lidhej me mundësitë e kërkimit dhe zbulimit të vendburimeve të reja të naftës. Megjithë synimet e italianëve për të mbajtur sekret të dhënat e pusit të shpuar në Drashovicë, qarqe të interesuara, në radhë të parë anglezët, i morën informacionet e duhura dhe filluan ta shohin Shqipërinë si një vend me interes të madh dhe të bëjnë projekte për të siguruar përfitimet e veta.

Henry Berenger, shkrimtar dhe politikan i shquar francez, në 12 Dhjetor 1919 i shkruan një notë kryministrit të vet Zhorzh Klemanso nga Londra, ku ai kishte për detyrë të përgatiste takimin e ardhshëm France-Britani në kuader të Konferencës së Paqes, në funksionin e Komisionerit të Përgjithshëm të Naftës dhe të Lëndëve Djegëse, në të cilën theksonte se “Ëho ëill have the oil ëill have the domination” (Kush do të ketë naftën do të sundojë).

Garantimi i burimeve të naftës mori prioritet absolut mbi çdo interes tjetër të fuqive kryesore të Antantës, që dolën fitimtarë të Luftës së Parë Botërore. Kjo u tregua më së miri në Konferencën e San Remos mbajtur në 19-26 Prill 1920, pasuar nga Traktati i Sevrës në 10 Gusht 1920, që përcaktuan interesat e këtyre fuqive të mëdha, të cilat lidheshin me rikonfigurimin e territoreve të ish Perandorisë Osmane dhe në rradhë të parë me Mesopotaminë, ku mendohej se kishte rezerva të mëdha të naftës. Mbas këtij rikonfigurimi, TPC mori nje koncesion për naftë nga Qeveria e Irakut në vitin 1925 për 20 vjet. Në Tetor 1927 në Kirkuk të Irakut u zbulua naftë. Ky zbulim mbas shumë negociatave coi në rikonfigurimin e interesave të aksionerëve ku Anglo Persian Oil, Royal Dutch/Shell, Kompania Franceze e Naftës dhe NEDC (Një konsorcium prej pesë kompanish të mëdha  amerikane) kishin nga 23,75% të aksioneve, ndërsa 5% mbeten për C.Gulbenkion.

Shqipëria në vitin 1920, fillim i dëshpëruar, fund i ndritur me pranimin në Lidhjen e Kombeve

Situatën e Shqipërisë në ditët e para të fillimvitit 1920 e përcakton më së miri fjala e Fan Nolit në parlament në 11 Shkurt 1924, në homazh të vdekjes së Presidentit amerikan Willson: “Në Janar 1920 një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjithë anët e vendit, i cili qe si një i vdekur në agoni. Projekti i copëtimit të Shqipërisë, i redaktuar prej Aleateve, ishte njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Willson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Willson jo vetëm nuk e vuri firmën, po u përgjeq edhe me Dy nota, me të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetë qeverim, dy nota që janë dy nga xhevairet më të ndritshëm të karierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë kohë të marrim frymë dhe të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot…Dhe si u hoq nga fuqia Presidenti Willson, kush e mori mprojtjen e Shqipërisë? Ishte Lidhja e Kombeve, krijesa e Presidentit Willson.”

Me mosfirmosjen e projektit të copëtimit të Shqipërisë u bë hapi i parë, por për të konsoliduar shtetformimin e shtetit të parë të shqiptarëve një projekt i ri ishte hartuar nga aleatët anglo saksonë dhe prej muajsh po punohej për zbatimin e tij.

Synimi i ketij projekti ishte që Shqipëria të ishte një shtet me pavarësi të plotë në kufijtë e vendosur në 29 Korrik 1913 në Londër të rikonfirmuar nga ndërkombëtarët, në mënyrë që ajo të kishte sovranitet të plotë qeverisje  mbi territorin dhe pasuritë e veta kombëtare.

Këtij qëllimi i shërbeu mbajtja e Kongresit Mbarëkombëtar të Lushnjës në 21-31 Janar 1920, i cili miratoi Aktin Themeltar Kushtetues për Pavarsinë e Plotë të Shqipërisë, duke hedhur poshtë çdo përpjekje për cenimin e kufijve të saj. Mbasi e quajti të rrëzuar Qeverinë e Durrësit, Kongresi zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetësh, në funksionin e Kryetarit të Shtetit, Këshillin Kombëtar prej 37 vetësh, Qeverinë me Kryeministër Sulejman Delvinën dhe caktoi kryeqytet Tiranën.

Një problem i madh për Kongresin e Lushnjës ishte siguria e mbajtjes së tij, mbasi ai ishte midis dy armiqve; forcave të ushtrisë italiane që ndodheshin në Vlorë dhe forcave të qeverisë së Durrësit. Eshtë fakt i njohur se majori anglez Morton Frederik Iden kishte muaj që lëvizte nëpër Shqipëri duke takuar delegatët e Kongresit dhe organizuar sigurinë e lëvizjes së tyre. Në një nga këto lëvizje duke kaluar Urën e Matit, atij i zunë pritë i vranë dy nga shoqëruesit dhe e plagosën në krah. Megjithatë ai vazhdoi punën e tij dhe gjatë ditëve të Kongresit organizoi konkretisht forca të armatosura që mbrojtën punimet e tij. Kongresi në fillim të punimeve të tij bëri homazhe për Abdyl Ypin, një nga iniciatorët dhe delegat i tij, i cili pak ditë para u vra nga njerëzit e Qeverisë së Durrësit për të trembur delegatët e tjerë që të mos shkonin në Kongres.

Mbas Kongresit të Lushnjës, u rrit fryma atdhetare dhe filluan organizimet për të bërë reale pavarësinë e Shqipërisë në të gjithë territorin e saj. Një nga epopetë më të lavdishme është ajo e Luftës së Vlorës për të larguar prej andej ushtrinë italiane. Luftëtarët nga krahina e Vlorës dhe nga shumë krahina të tjera të Shqipërisë, të mbështetur nga Qeveria e Tiranës, filluan sulmin mbi ushtrinë italiane në 5 Qershor 1920 dhe në 2 Gusht 1920 u nënshkrua Protokolli i Tiranës, ku Qeveria e Romës deklaronte se “ Respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë”. Një muaj më vonë trupat italiane ishin tërhequr nga Vlora. Kjo ishte një fitore e madhe, por edhe një mesazh për pretendimet territoriale të fqinjëve jugorë dhe veriorë.

Në 12 Tetor 1920 Qeveria Shqiptare bëri kërkesë për pranimin në Lidhjen e Kombeve, e cila në 15 Nëntor 1920 do të mblidhej në Gjenevë në të parën Asamble të saj. Në 12 Nëntor 1920 mbërriti delegacioni shqiptar i kryesuar nga Fan Noli, i cili filloi të plotësojë dokumentacionet e pranimit. Mbas shumë debatesh, kërkesa e Shqipërisë me raportin 8 pro dhe 13 kundër, me arsyrtimin që të shtyhej deri sa të rregullohej statusi ndërkombëtar i saj, nuk fitoi në Komisionin e Pestë, i cili shqyrtonte kërkesat për pranim. Në këto kushte kryetari i këtij komisioni Lordi Cecil, përfaqsues i Afrikës së Jugut, e ngriti problemin në Asamble, duke argumentuar pranimin e Shqipërisë. Mbas mbështetjes që i bënë atij, përfaqësues të tjerë të vendeve pjesë të Perandorisë Britanike, si Kanadaja, India dhe vetë Britania, Shqipëria në 17 Dhjetor 1920 u bë antare e 43 e Lidhjes së Kombeve, me 35 vota pro, 7 abstenime dhe asnjë votë kundër.

Kjo ishte një ngjarje shumë e madhe, mbasi tani për fatet e Shqipërisë nuk do të diskutohej dhe të merreshin vendime nëpër kulisa, por në institucione ku do të debatohej dhe do të dëgjohej edhe zëri i përfaqsuesve të saj.

Këto arritje të vitit 1920 janë të pashembullta në historinë e Shqipërisë dhe u realizuan si rezultat i një mobilizimi maksimal të të gjitha shtresave të shoqërisë, të cilat kuptuan se ishin para zhbërjes përgjithmonë të shtetit shqiptar. Gjithashtu pati një aktivizim maksimal të diasporës shqiptare në të gjitha fushat, në politikë, në luftë, në diplomaci, me shtyp dhe me ndihma të ndryshme.

Për të kuptuar më mirë arritjet e mëdha të vitit 1920, sidomos pranimin në Lidhjen e Kombeve, le ta krahasojmë atë me pranimin e Shqipërisë 25 vjet më vonë, kur ajo bëri kërkesën për pranimin në OKB. Megjithëse Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore u rreshtua me fitimtarët  dhe numëronte 70 mijë luftëtarë që ndoqën nazistët deri në Vishegrad, ajo u pranua në OKB vetëm mbas 10 vjetësh, në 14 Dhjetor 1955 duke u bërë antari i 176 i saj! Pse u pranua edhe atëherë kur pengesat e mospranimit nuk kishin rënë kjo mbetet të analizohet!?

Shkaqet e paqëndrueshmërisë politike në Shqipëri në vitet 1921-1924

Në vitet 1921 deri në 1924 qeveritë shqiptare kanë ndryshuar 12 herë. Në këtë situatë kanë ndikuar faktorë të brëndshëm si niveli i ulët i zhvillimit ekonomik të vendit dhe pamjaftushmëria e mbledhjes së të ardhurave buxhetore, mungesa e kapitalit vendës, mungesa e përvojës demokratike të popullit dhe të qeverisjes së tij nga klasa politike etj. Për vetë gjendjen e krijuar faktorët e jashtëm kanë qënë përcaktues në situatën politike të vendit dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ndikimin e vendeve fqinje me synimet e tyre territoriale, por për interesat dhe rivalitetin e fuqive të mëdha për të kontrolluar burimet e naftës që mendohej të kishte Shqipëria mbas daljes së të dhënave për pusin e shpuar në Drashovicë.

Më lart treguam se britanikët luajten rol vendimtar në përgatitjen dhe sigurinë e Kongresit të Lushnjës dhe në pranimin e Shqipërise në Lidhjen e Kombeve,  që si shpërblim për këtë të merrnin monopolin në kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës, mbasi në rast se në Shqipëri do të zbuloheshin sasi të konsiderueshme nafte cilësore, për shkak të kostos së transportit ajo do të konkuronte naftën e Iranit dhe Irakut, ku ata kishin kontrollin.

Në 25 Mars 1921 nga Qeveria me kryeministër Iliaz Vrionin, u ndërmor iniciativa për të paraqitur në parlament një projekt për dhënie koncesioni të naftës për “D’Arcy Exploration Company”, një filial ky i kompanisë Anglo Persiane të Naftës. Ky projekt nuk arriti të prezantohej në parlament për shkak të krizës së kabinetit qeveritar, i cili u detyrua të krijojë një qeveri koalicioni, pasojë kjo e rritjes së rivalitetit midis aleatëve dhe ndikimit të tyre në parlamentin shqiptar.

Veçanërisht e pakënaqur nga kjo situatë ishte Italia, së cilës futja në luftë i kishte kushtuar rreth 700 mijë të vrarë, rreth 1 milion të plagosur dhe 22 miliard lira deficit buxhetor. Mosmbajtja e premtimeve të Traktatit të Fshehtë të Londrës krijoi në mbarë Italinë ndjenjën e tradhtisë nga aleatët. Kjo pakënaqësi masive, ashtu si në Gjermani barra e reparacioneve të rënda të luftës çoi në lindjen dhe marrjen e pushtetit nga nazistët, edhe në Itali çoi në rritje të përgjithshme të fashizmit dhe krijimin e qeverisë fashiste nga Musolini në Tetor 1922.

Në këtë periudhë rivaliteti midis Perandorisë Britanike dhe Shteteve të Bashkuara për zotërimin e fushave naftëmbajtëse kishte arritur kulmin. Si pasojë  e pakënaqësisë për mënyrën e shpërndarjes së burimeve të naftës, veçanërisht atyre të Mesopotamisë nga ana e britanikëve, amerikanët kishin vendosur të luftonin fort për naftën në Shqipëri. Zyrat e ministrive dhe të parlamentit në Tiranë frekuentoheshin gjithnjë dhe më shumë nga përfaqësues të Sinclar Oil Company dhe nga Standard Oil Company të Neë Yorkut.

Nisi ndërkohë një fushatë e vërtetë konkruence midis partnerëve të kontraktuar të cilët vijuan të avanconin kushtet gjithnjë e më shumë për shtetin (edhe pse ishin të bindur se ata nuk do t’i respektonin) dhe influencuan në opinionin publik nëpërmjet mjeteve të shtypit lokal, duke kërkuar që të fitonin simpatinë e partive parlamentare të opozitës. Pretendentëve Anglo Saksonë u ishin shtuar edhe Francezët të cilët kishin legalizuar në Paris një “Sindikatë Franko Shqiptare” dhe dy ndërmarrje financiare private ”Shoqëria Italiane e Minierës së Selenicës” dhe “Grupi Londinez H H Rushton”. Problemi i dhënies së koncensioneve po merrte një predominancë të rëndësishme në politikën e brëndëshme e të jashtme shqiptare.

Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve e ndihmoi atë për njohjen ndërkombëtare. Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në Paris në 9 Nentor 1921 rikonfirmoi Shqipërinë si shtet të pavarur dhe sovran, në kufijtë e përcaktuar në 1913 duke njohur de jure dhe de facto qeverinë shqiptare.

Nuk mund të themi të njëjtën gjë për mbështetjen e Shqipërisë nga Lidhja e Kombeve në drejtim të ekonomisë, megjithë kërkesat e përsëritura nga ana e qeverive shqiptare, duke ndikuar edhe këtu rivaliteti i fuqive të mëdha. Kështu kur për këshilltar financiar të qeverisë shqiptare u propozua anglezi R.S.Peterson, përfaqësuesi i Francës kundërshtoi se ai mund t’u shërbente vetëm interesave britanike në Shqipëri.

Në 12 Maj 1922 Këshilli i Lidhjes shqyrtoi alternativën e marrjes  së protektoratit ekonomik mbi Shqipërinë, gjë që e kundërshtoi prerë Italia, e cila s’mund ta pranonte këtë protektorat pa siguruar interesat vitale të Italisë në këtë vend. Në 21 Korrik Lidhja vendosi të dërgojë në Shqipëri Prof. Albert Calmes nga Luksemburgu, për të studiuar situatën ekonomiko-financiare të vendit. Ky ekspert përgatiti raportin ku thekson gjëndjen e keqe ekonomiko-financiare të vendit duke filluar nga infrastruktura minimale, si dhe tregon edhe mundësitë e mëdha që ka vendi për t’u rimëkëmbur, por për këtë i duhet një hua prej 50 milionë fr.ari. Raporti u shqyrtua, por as Lidhja dhe as ndonjë shtet nuk u ofroi qeverive shqiptare ndonjë hua, duke u lënë atyre si alternativë vetëm dhënien me koncesion të pasurive natyrore të vëndit.

Zgjedhjet politike të vitit 1923 kishin rritur konfliktin midis partive të ndryshme, që u acarua me shumë gjatë vitit 1924 me atentatin ndaj Ahmet Zogut në parlament në 23 Shkurt dhe me vrasjen e Avni Rustemit në 20 Prill 1924 në Tiranë. Rritja e revoltës popullore çoi në largimin e Zogut nga vendi dhe ardhjen në fuqi të qeverisë me kryministër Fan Nolin.

Noli filloi menjëherë tratativat për njohjen e qeverisë së tij nga fuqitë e mëdha. Britanikët nuk e mirëpritën, ndërsa megjithëse shkoi dy herë në Legatën Amerikane në Tiranë në 22 qershor dhe në 4 korrik, përfaqësuesi amerikan Grant Smith i vuri si kusht të parë për njohjen dhënien e koncesioneve të naftës për shoqëritë amerikane.

Në verën e vitit 1923 një projekt i ri koncesioni Anglo-Persian i ishte paraqitur parlamentit, me insistimin për t’u miratuar. Në Mars 1924 Administrata Hekurudhore Italiane prezantoi pranë qeverisë shqiptare një propozim koncesioni të një niveli të lartë teknik dhe financiar dhe me garanci të plota për të ardhmen e naftës në Shqipëri. Në 11 Tetor 1924, Fan Noli takon Musolinin, i cili i propozon nënshkrimin e një pakti ku në këmbim të kredive dhe ndihmave për ushtrinë shqiptare të miratohej propozimi koncesionar italian i naftës. Noli nuk e pranoi këtë pakt dhe pas dy muaj e gjysmë, si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të Zogut me mbështetjen e Beogradit dhe të fuqive të mëdha që i qëndronin mbas, qeveria e tij u detyrua të larghet në azil politik.

Sejfi  Vllamasi, delegat në Kongresin e Lushnjës dhe ministër në qeverinë e Fan Nolit në librin e tij ”Ballafaqime politike në Shqipëri (1899-1942)” shkruan se kur ishte si emigrant politik në Paris në vitin 1934 takon Majorin Morton Frederik Iden, të cilin e kishte njohur që në Lushnjë, me të cilin ha një darkë dhe ai i thote “Vajguri që ia shkëputi Turqisë vilajetin e Mosulit për shkak të burimeve vajgurore për t’ja dhënë Irakut, po ai vajguri ju përzuri juve nga Shqipëria dhe pruri Zogun në fuqi”

 

Dhënia e koncesioneve nga Ahmet Zogu e bënë atë President dhe Mbret

Sapo Zogu mori pushtetin dhe qeveria e re nuk ishte formuar ende, njerëzit e tij përgatitën projektin e Konçensionit Anglo Persian Oil dhe me shpejtësi e dërguan në parlament pa asnjë diskutim, për t’a miratuar në një nga seancat e para të tij në 16 Shkurt 1925. Kjo procedurë e përshpejtuar nuk mund të mos tërhiqte vëmëndjen e qeverisë fashiste, e cila ishte përfshirë në një procedurë konkurimi dhe refuzoi të njihte legjitimitetin e këtij urdhëri politiko administrativ të parlamentit të Tiranës. Qeveria e Romës e dinte se urdhërat për këto veprime vinin nga Londra, prandaj çështja doli nga situata në një terren ndërkombtar tepër të vështirë dhe zgjidhja e tij nuk mund të realizohej pa konsensusin e Romës. Tezat kontraditore u bënë objekt i shkëmbimeve të notave të ashpra diplomatike midis Romës dhe Londrës. Për të zgjidhur këtë problem Londra dërgoi në Romë ekspertin më të mirë të saj, Sër Xhon Kadman, me një ekip të madh teknikësh dhe juristësh. U realizua kështu akordi për rishpërndarjen e zonave të kërkimit për naftë duke respektuar interesat e Italisë në fushat naftëmbajtëse. Kjo u arrit nëpërmjet një bashkpunimi shkencor dhe teknik dhe të shkëmbimit të informacioneve midis dy palëve.

Vetëm pas kësaj marrëveshjeje midis fuqive të mëdha u bë e mundur që qeveria shqiptare të japë koncesionet e para.

Sipas rendit kronologjik koncesionet e naftës të dhëna nga qeveria e Zogut ishin:

  1. Anglo Persian Oil Co ( në mes me D’Arcy Exploration Co ), në 11 Mars 1925 merrnin antiklinalin në rrjedhjen e poshtme të Semanit përfshi zonën e Patosit me një sipërfaqe prej 34,412 hektarë.
  2. Hekurudhat e Shtetit të Mbretërisë Italiane, në 12 Mars 1925 përfshinte zonën nga brigjet e Semanit deri në Gjirin e Vlorës dhe në luginën e Shushicës (7 zona ku përfshiheshin shenja të naftës dhe pikërisht aty ndodhej edhe miniera e bitumit Selenicë), nga ana tjetër përfshinte zonën e Devollit në Shqipërinë Qëndrore me një sipërfaqe të përgjithëshme 47,213 hektarë.
  3. Shoqëria Italiane Minerare Selenica, S.I.M.S.A. në 2 Maj 1925 në territorin e së cilës përfshihej edhe Penkova e Drashovica me një sipërfaqe prej 2,148 hektarë.
  4. Standard Oil Co e New Yorkut , në 29 Korrik 1925 me dy perimetra prej të cilëve një për ultësirën bregdetare, nga krahu i Lagunës së Karavastasë përfshinte plazhet deri në Vlorë dhe tjetra kufizohej në luginën në lindje të Durrësit gjithësej 51,500 hektarë.
  5. H.H.Rushton në 12 Gusht 1925 përmblidhte zonën që kufizohej me kufirin Anglo Persian të Patosit dhe një zonë të izoluar në Mallakastër gjithësej prej 8,600 hektarësh.
  6. Sindikata Franko Shqiptare në 18 Dhjetor 1925, kishte zonën formuar nga perimetri midis koncesioneve të më sipërm duke u zgjatur në Luginën e Shushicës si dhe dy izolime, një në zonën e Shkodrës dhe një në afërsi të Korçës në total 118,193 hektarë .
  7. Hekurudhat e Shtetit Italian të Mbretërisë së Italisë (2 koncensione nga 15 Korriku i vitit 1925) që përfshinte tre perimetra (Nga Dumreja, Mallakastra qëndrore dhe luginën e Vllahinës) që shteti shqiptar kishte zgjedhur në verën e vitit 1925 që dështoi në konstituim. Një zonë e gjërë e cila përfshin depresivin neogjenik dhe perëndimin e vargut të Malit të Dajtit, Dumrenë Qendrore dhe një pjesë të vogël në afërsi të Vlorës, gjithësej 116,815 hektarë.

Madhësia e territorit të dhënë me koncesion përmbledh 13% të sipërfaqes së përgjithëshme  të vendit. Shteti arkëtonte një tarifë fikse në franga ari prej 1,5 fr për hektar, si edhe një rentë vjetore prej 13, 5% të vlerës së produkteve të nxjerra.

Tetë vjet mbas marrjes së rezultateve të para pozitive për naftë nga pusi i shpuar në Drashovicë , projekti anglo –sakson për ndalimin e copëtimit të Shqipërisë dhe krijimin e një shteti shqiptar sovran që të marrë vendime mbi pasuritë e veta ishte realizuar. Të gjitha kërkesat koncesionare për naftë të shoqërive të huaja, u plotësuan brënda vitit 1925, mbi bazën edhe të një akordi që fuqitë e mëdha që ato përfaqësonin kishin arritur midis tyre.

Për një kombinim rrethansh këto koncesione i dha Ahmet Zogu, duke e vendosur atë në një pozitë shumë të favorshme për të plotësuar të gjitha ambiciet e tij politike. Ishte edhe në interesin e fuqive të mëdha, që qeveria që u dha koncesionet të vazhdonte dhe të ishte e fortë, prandaj ato mbështetën dhe nxitën të gjitha nismat e Zogut në ndryshimet e sistemit politik që pasuan. Shoqëritë koncesionare tashmë ishin në fazën e shpenzimeve dhe të investimeve prandaj donin të eliminonin çdo risk politik. I vetmi risk që ato tashmë donin të përballeshin ishte ajo se çfarë do t’u ofronte nëntoka shqiptare, në sipërfaqet që kishin marrë me koncesion.

Me këtë konjukturë ndërkombëtare dhe të kombinimit të interesave ekonomiko-politike shpjegohen ndryshimet politike që ndërmori Zogu. Duke eliminuar partitë politike, në vitin 1925 ai u bë Kryetar Shteti në një Republikë Presidenciale dhe me një parlament me dy dhoma, ndërsa në vitin 1928 me një Asamble Kushtetuese prej 58 vetësh e shpalli veten mbret.

Kjo është historia e pusit të parë të naftës shqiptare e treguar në njëqind vjetorin e fillimit të shpimit të tij. Gjatë dhjetra viteve në vendburimin e Drashovicës janë shpuar 78 puse, nga të cilët 49 kanë dhënë naftë. Aktualisht në punë është vetëm një pus, i cili jep një ton naftë në ditë. Ai pus rri atje në qetësinë e vet, duke bërë punën e vet dhe duke shërbyer si një foltore për t’u kujtuar të gjithë shqiptarëve se një i ngjashmi  i vet një shekull më parë bëri shtet Shqipërinë dhe kondicionoi për dhjetë vjet politikën shqiptare dhe trazoi jo pak të mëdhenjtë e botës.

*Astrit Avdulaj ka kryer studimet për Ekonomi (1977) dhe ka punuar për shumë vite në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe në dikastere dhe institucione qendrore të vendit. Ka kryer një sërë studimesh me vlerë, përfshi edhe naftën. /Gazeta Dita/

Pusi që ndryshoi historinë e Shqipërisë Read More »

Dosja e rrallë britanike: Operacioni i fshehtë me nëndetëset në Vlorë

Një dosje e rrallë sekrete zbulohet në Arkivin Britanik, e cila publikohet për herë të parë në gazetën “Panorama”. Bëhet fjalë për një çështje top-sekret, e cila u hap si dosje vetëm vitin e kaluar nga autoritetet britanike.

Një dosje e rrallë sekrete zbulohet në Arkivin Britanik, e cila publikohet për herë të parë në gazetën “Panorama”. Bëhet fjalë për një çështje top-sekret, e cila u hap si dosje vetëm vitin e kaluar nga autoritetet britanike.

Një dosje pune e kryeministrit britanik, Klement Etli, e marsit 1950, flet mbi mënyrën se si britanikët kryen një fluturim sekret mbi gjirin e Vlorës në fundin e marsit 1950, për shkak se marina britanike kishte hasur dy nëndetëse sovjetike që kishin hyrë në ujëra shqiptare dhe ishin ankoruar në Vlorë.

Për të konfirmuar më tej këtë informacion, ministri i Aviacionit Britanik i kërkoi leje kryeministrit që të urdhërojë fluturim special vëzhgimi në Shqipëri. Por dosja e plotë tregon se kryeministri ka hezituar për dy arsye.

Së pari nga frika se ky fluturim mund të zbulohej nga shqiptarët dhe, nëse kjo ndodhte, atëherë pala shqiptare mund të ngrinte këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkeljen e sovranitetit territorial të Shqipërisë, çka mund ta vinte Britaninë e Madhe në një situatë të vështirë politike dhe diplomatike.

Kjo për shkakun se britanikët sapo kishin fituar gjyqin mbi incidentin e kanalit të Korfuzit, ku edhe çështja e shkeljes së ujërave territoriale dhe sovranitetit të Shqipërisë ishte një temë e nxehtë. Përsëritja e kësaj situate mund të krijonte probleme të mëtejshme.

Pikërisht për këtë arsye, në lidhje me këtë çështje, kryeministri britanik Klement Etli kërkon edhe mendim ligjor nga juristët e Gjykatës Mbretërore dhe vetëm pasi sigurohet nga inteligjenca e aviacionit se shqiptarët nuk mund të zbulonin këtë fluturim sekret për shkak se nuk kishin radarë modernë, ai dha urdhrin për këtë fluturim sekret mbi Shqipëri.

Pas urdhrit të tij, u krye edhe fluturimi për vëzhgimin ajror, me qëllim zbulimin e nëndetëseve sovjetike në Vlorë.

Më datë 31 mars 1950, kryeministri mori lajmin se dy nëndetëset sovjetike nuk ishin hasur në Shqipëri, por i konfirmohet se ishte siguruar tjetër informacion i vlefshëm, që do të analizohej më vonë, por që nuk ndodhet në këtë dosje.

Gjithsesi, britanikët mbeteshin të sigurt se dy nëndetëset sovjetike hynë në Mesdhe dhe u ankoruan në Shqipëri dhe fakti që nuk u zbuluan nga avioni sekret, kishte të bënte me faktin se fluturimi zbulues ndodhi me vonesë dhe nëndetëset kishin ikur sërish nga Vlora, duke mos qëndruar gjatë në Shqipëri.

Në dokumentet që publikojmë sot, nuk paraqitet misioni dhe lloji i nëndetëseve sovjetike që kishin qenë më parë në Shqipëri, por nga mënyra si interesohej kryeministri britanik për ekzistencën e tyre, duket qartë qëllimi i autoriteteve të Londrës për të studiuar arsenalet e kampit tjetër që kishin filluar të instaloheshin në Mesdhe.

Sidoqoftë, kjo dosje sekrete mbetet tepër interesante për zbulimin e faktit të panjohur që sovjetikët kanë sjellë nëndetëse shumë më herët seç mendohej në Shqipëri dhe se pala shqiptare ishte tërësisht e gatshme për t’iu nënshtruar atyre.

Vetë rreshtimi i Shqipërisë në aleancën me Bashkimin Sovjetik parakuptonte, ndër të tjera, edhe bashkëpunimin ushtarak, që shkoi në rritje deri në fillimin e viteve ’60.

Në mesin e viteve ’50, në Vlorë, Pashaliman, do të instaloheshin 12 nëndetëse sovjetike, duke krijuar një bazë detare nga më të fuqishmet në Mesdhe, për të cilën do të angazhoheshin me vite ushtarakët e NATO-s, sidomos shërbimet inteligjente të Aleancës së Atlantikut të Veriut, për t’i paraprirë një rreziku të mundshëm.

Sidoqoftë, kjo është një histori tjetër, që i përket një kohe të mëvonshme nga ajo e interesimit të kryeministrit britanik në vitin ’50 për ekzistencën e nëndetëseve sovjetike në Shqipëri.

Po çfarë përmban dosja e kryeministrit britanik, Klement Etli, rreth operacionit të vëzhgimit sekret për zbulimin e nëndetëseve sovjetike në ujërat shqiptare, në mars të vitit 1950…

DOKUMENTI NR 1

Ministria e Aviacionit Top sekret

Z. kryeministër

Kohët e fundit jemi pyetur nga inteligjenca detare për të nisur një fluturim të veçantë zbulimi sa më shpejt të jetë e mundur mbi gjirin e Vlorës në Shqipëri, ku është raportuar prezenca e dy nëndetëseve sovjetike.

2-Shpresohet që vetëm një fluturim do të jetë i nevojshëm, por, nëse moti do të jetë i papërshtatshëm, atëherë mund të nisen edhe 3 fluturime. Avioni do të fluturojë në kuotën e 30 mijë këmbëve lartësi dhe, përderisa në dijeninë tonë shqiptarët nuk janë të pajisur me interceptorë modernë të fluturimit apo me radarë paralajmërues, risku i zbulimit është i papërfillshëm dhe në fakt nuk mund të ndodhë zbulimi i avionit.

3-Ministri i Jashtëm e aprovoi propozimin për këtë pjesë dhe unë bie dakord që ky fluturim zbulimi të bëhet, por më duket me vend të tëinformoj në çka propozohet.

4-Po i dërgoj kopje të kësaj shkrese ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Jashtëm. 17 mars 1950

DOKUMENTI NR 2

Top Sekret

17 mars 1950
I nderuar ministër i Aviacionit, z.Shearer Siç ua thanë në telefon mbrëmjen e kaluar, kryeministri e mori shkresën nga sekretari juaj i shtetit për një fluturim zbulimi mbi Shqipëri dhe komentoi:

“Dua të kem edhe mendimin e oficerëve të ligjit. Ne vetëm së fundmi sapo fituam çështjen në gjyq ndaj Shqipërisë” (Gjyqi për incidentin e kanalit të Korfuzit- shënim i autorit) Ndoshta ju do të keni çështjen e duhur që duhet të ngrini. Kopje të kësaj letre e dërgoj edhe te Tomkins në Ministrinë e Jashtme dhe te Wood në Ministrinë e Mbrojtjes.

DOKUMENTI NR 3

Gjykata Mbretërore / Londër/

20 mars 1950

I nderuar Kryeministër

Më njoftuan që ju dëshironi një mendim në lidhje me çështjen, nëse aviacioni mund të bëjë një fluturim zbulimi për të konfirmuar raportimin nëse nëndetëset janë ankoruar në gjirin e Vlorës, në bregdetin e Shqipërisë.

Më njoftuan se fluturimi zbulues do të jetë në 30 mijë këmbë lartësi dhe kjo do të bëhet për të evituar gjurmën e avullit të avionit dhe, përderisa shqiptarët nuk janë të pajisur me radar në dijeninë tonë, është me tepër mundësi që avioni nuk do të zbulohet dhe se risku i zbulimit është pothuaj i papërfillshëm. Unë besoj se mundësia dhe pajisjet e radarit të vetë nëndetëseve është marrë parasysh.

Sigurisht dhe pa dyshim që një fluturim i tillë mund të përfshijë shkeljen e sovranitetit të Shqipërisë dhe, siç jeni në dijeni, shqiptarët u ankuan gjatë çështjes së kanalit të Korfuzit për shkeljen e sovranitetit të Shqipërisë nga britanikët, ashtu si vendet e tjera të Europës Lindore janë ankuar në të kaluarën për shkeljen e sovranitetit të tyre nga ajri.

Nëse shqiptarët do të jenë në dijeni të këtij fluturimi zbulimi dhe nëse do të jenë në gjendje ta zbulojnë fluturimin, ata mund të kërkojnë ta ngrenë çështjen në Këshillin e Sigurimit apo të kërkojnë dëmshpërblim në Gjykatën Ndërkombëtare, pavarësisht se ata nuk janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara apo pjesë e statutit të Gjykatës Ndërkombëtare, por procedura e parashikon në nenin 35 për shtete jo anëtare dhe mund të çojnë në gjykatë.

Gjithsesi, unë mendoj se shqiptarët mund t’i ndjekin këta hapa, megjithëse unë nuk e di se ç’pasoja politike dhe diplomatike mund të ndodhin. Në këtë pikëpamje, në rëndësinë që ka sigurimi i informacionit për nëndetëset sovjetike në Mesdhe, ka për t’u bërë kundër çdo padyshimi joligjor në fluturimet zbuluese mbi territoret e vendeve të tjera.

Ju me të drejtë mund të mendoni se në metodat që po përdoren kundër nesh, ne nuk mundemi që në një rast të tillë t’i lejojmë vetes të jemi shumë skrupulozë duke ditur riskun që kemi përballë dhe ky fluturim zbulimi duhet të bëhet.

Duhet të vëzhgohet që mund të ketë ndonjë mundësi që nëndetëset mund të jenë larguar nga Vlora, nisur nga fakti që ato janë zbuluar në port kohë më parë. Një kopje të kësaj letre po e nis edhe te ministri i Jashtëm, Ministria e Aviacionit dhe te Thesari.

DOKUMENTI NR 4 

Top Sekret 20 mars 1950

Drejtuar 3 ministrive

Lidhur me çështjen e datës 17 mars, Kryeministri mori edhe letrën e datës 20 mars për këtë çështje, dhe urdhëroi që fluturimi i zbulimit të bëhet.

DOKUMENTI NR 5

Top Sekret 31 mars 1950

Kabineti Z Kryeministër

Mësuam nga Ministria e Aviacionit se fluturimi zbulues mbi gjirin e Vlorës në Shqipëri u realizua nga aviacioni mbretëror.

Nuk ka asnjë shenjë të nëndetëseve sovjetike, por është përfituar një informacion i vlefshëm nga ky fluturim, i cili po analizohet. Forcat e Aviacionit Mbretëror janë konfidente se ky fluturim vëzhgimi nuk u zbulua./Panorama/

Dosja e rrallë britanike: Operacioni i fshehtë me nëndetëset në Vlorë Read More »