Histori

Deklarata revoltuese e Ismail Qemalit ndaj Esat Pashës pasi braktisi Shkodrën: Familja e tij…

Kur nuk ishin mbushur ende një vit nga shpallja e pavarësisë, Esat Pasha nisi të krijojë aleancë me Malin e Zi, duke braktisur qeverinë e Ismail Qemalit. Në një deklaratë të botuar të martën e 29 prillit 1913 në gazetën franceze « Le Temps », Ismail Qemali, asokohe kryeministër i përkohshëm i qeverisë shqiptare, gjendej në kryeqytetin francez dhe përfiton nga rasti t’i japë një deklaratë gazetarit me inicialet L.G. për të shprehur pakënaqësinë ndaj Esat Pashës dhe rrezikun në të cilin gjendej tashmë Shqipëria.

Ja deklarata në vijim :

«Nëse ngjarjet e raportuara janë të sakta dhe fakti se Esat Pasha është larguar nga Shkodra me trupat, armët dhe pajisjet e tij, kjo mund të konfirmojë marrëveshjen e lidhur midis mbretit të Malit të Zi dhe atij. – Ka vetëm dy fjalë për të përshkruar këtë akt : kjo është tradhti dhe çmenduri! Tradhti, sepse ai i pret krahët Shqipërisë duke braktisur Shkodrën dhe për faktin se ai e bën praktikisht vendin tonë një zonë aneks të Malit të Zi dhe të Serbisë.

Çmenduri, sepse ai na vë në pozitë të vështirë për të vazhduar negociatat me qëllim për të fiksuar kufijtë tanë pikërisht po në momentin e krijimit të pavarësisë sonë. Përveçse ai vë në lojë rrezikshëm pavarësinë, veprimi i tij bie ndesh me interesat dhe bindjet ndërkombëtare të Evropës, e cila është duke punuar në formimin e kombësisë sonë dhe se vullneti i saj i mirë mund të dekurajohet nga loja teatrale që sapo u realizua.

Unë jam i sigurtë se popullata shqiptare, kur të kuptojë pasojat e qëndrimit të Esat Pashës, nuk do ta ndjekë atë. Sigurisht që Esat Pasha i përket një prej familjeve më të mira shqiptare, por ai nuk ka një ndikim të mjaftueshëm për të fituar. Sa për Xhavit Pashën, me të cilin (Esati) mund të ketë lidhje, ai nuk është shqiptar.

Trupat e Esat Pashës nuk do t’i qëndrojnë besnike, vetëm një pjesë i përkushtohet atij personalisht, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet. Qeveria e përkohshme, që unë drejtoj dhe e cila proteston kundra këtij atentati ndaj pavarësisë sonë të sapolindur, do të mbështetet edhe nga kontigjentet e Beratit dhe Elbasanit.

Sa për Evropën, ajo nuk mund të anojë në favor të gjendjes aktuale, sepse bie ndesh me interesat dhe konventat ndërkombëtare, të cilat ajo ka për mision ti ekuilibrojë. Pavarësia jonë përfshin integritetin e tokave shqiptare, të kërkuar edhe nga Austria, të cilës i jemi mirënjohës për ndërhyrjen e saj në favorin tonë, edhe pse ne nuk pranojmë të jemi në kujdestarinë e një shteti tjetër.

Ne duam të shkojmë mirë me të gjithë, si me Evropën dhe me fqinjët tanë sllavë, me të cilët ne e kuptojmë nevojën për të formuar një bllok të fortë dhe të qëndrueshëm në interes të pavarësisë sonë. » Në përfundim të intervistës, Ismail Bej Qemali i ka thënë gazetarit L.G. se po nisej po atë ditë për në Londër me qëllim për të shprehur pikëpamjet e Qeverisë së përkohshme shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve./korrieri

Deklarata revoltuese e Ismail Qemalit ndaj Esat Pashës pasi braktisi Shkodrën: Familja e tij… Read More »

Vendet arkeologjike shqiptare

Territori i Shqiperise, si pasoje i pozicionit  te favorshem  ne pellgun e Mesdheut, i cili njihet si nje prej djepeve me te rendesishme te civilizimit  boteror ruan ne brendesi te tij nje numer te konsiderueshem te pikave arkeologjike te cilat jane deshmi e ketij qyteterimi.

Durresi i Lashte 
Qyteti i Durrësit daton në shek e VII para Kr., bazuar në dokumentat dhe burimet antike tradicionale në vitin 627. Qyteti modern është ndërtuar mbi rrënojat e Epidamnit ose Dyrrachion-it të lashtë, që më vonë u transformua në Dyrrachium-in e periudhës Romake.
Sipas Tukididit, qyteti u themelua nga Korkyras dhe Korintas, të cilët e quajtën qytetin Epidamn. Ai që e themeloi (oikisti) ishte Phalius, një Bakiad, i biri i Eratoklidit nga Korinti dhe pasardhës i Herkulit. Monedhat e para të Epidamnit në gjysmën e parë të shekullit V para Kr., qenë me simbole korintike, me Athinën dhe Pegasin dhe një epsilon arkaik. Sipas Apianit, një mbret jo-Grek, i cili jetonte në këtë vend përpara se grekët të vinin, me emrin Epidamn, ndërtoi qytetin e parë, të cilit i vuri emrin e tij. Dyrrahu, djali i vajzës së tij Melisa dhe thuhet edhe i Poseidonit, ndërtoi një port në qytet dhe e quajti Dyrrah. Gjatë viteve 435-404 Para Kr., Epidamni u përfshi në Luftën e Peloponezit, kur popullsia (demos-i) përzuri nga qyteti njerëzit me influencë (dynatoi) që nga ana tjetër u ndihmuan nga ilirët vendas dhe sulmuan përsëri qytetin. Kjo luftë ndryshoi marrëdhëniet politike dhe ekonomike të qytetit, gjë e cila është dokomentuar nga gjetjet arkeologjike. Gjatë shekullit të III para Kr., marrëdhëniet e qytetit me Ilirët u zhvilluan më tej, ndërkohë që emrat Ilirë zinin rreth 30 % të emrave të gjetur në varrezat antike, gjatë gërmimeve arkeologjike brenda dhe rreth qytetit.

Picture

Dyrrachium u kthye në një shesh kryesor beteje ndërmjet legjioneve të Cezarit dhe Pompeut gjatë Luftrave Civile (49-48 para Kr.) dhe u dëmtua si pasojë e veprimeve luftarake. Gjatë regjimit të Augustit, në vitin 30 para Kr., Dyrrachium u bë koloni romake dhe morri emrin Colonia Iulia Augusta Dyrrachinorum. Gjatë shekullit të II pas Kr., qyteti u fuqizua si rezultat i ndërtimit të rrugës së njohur me emrin Via Egnatia, e cila lidhte Adriatikun me Selanikun në Greqinë Veriore dhe në kohët e vona me Kostandinopojën. Godinat më të mëdha u ndërtuan në Dyrrachium gjatë gjatë shekujve të I-II pas Kr. Amfiteatri filloi të gërmohej duke filluar nga viti 1960, ka një kapacitet vendesh rreth 15.000-20.000 spektatorë dhe është i vendosur në qendër të qytetit modern, ndërkohë që ndërtesa të tjera të rëndësishme janë dhe banjot bublike të shek të II pas Kr., të zbuluara në vitin 1966, mbetjet e ujësjellësit rreth 15 km të gjatë i ndërtuar gjatë periudhës së Hadrianit, muret Bizantine dhe rreth forum-macellum, të ndërtuara në shekujt V-VI pas Kr. Një nga gjetjet më interesante nga qyteti është mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”, që gjendet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Mozaiku i përket shekullit të IV para Kr., dhe është një nga më të bukurit të këtij lloji në Shqipëri. Në shekullin e IX pas Kr., u krijua Tema e Durrësit, një nga dy më të mëdhatë  në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që në vitin 1071 dhe 1081 Normanët pushtuan qytetin. Prej 1204 qyteti u pushtua nga Venediku dhe nga 1501 Osmanët arritën ta pushtonin.

Picture

 Fortifikimi i Goricës
E ndodhur në bashkimin e lumenjve Osum dhe degës së tij Velabisht, ky fortifikim ka një rëndësi të dyfishtë. Nga njëra anë fortifikimi mbyll plotësisht grykën e Osumit, duke pasur përballë kalanë e Beratit, nga ana tjetër kontrollon mirë dhe nga afër shtegun tjetër që është grykëderdhja e Velabishtit. Nga ana veriore kalaja është e mbrojtur nga shkëmbi natyral, kurse në anët e tjera dhe më ekzaktësisht në atë lindore, jugore dhe pjesërisht perëndimore është e rrethuar me mure, të cilat mund të ndiqen pothuaj në të gjithë gjatësinë e tyre.
Duke u nisur nga teknika e ndërtimit si dhe qeramika, ky mur rrethues i takon shekujve 4-3 para Kr. Ekzistojnë të dhëna për praninë e mbetjeve arkeologjike të një periudhe më të hershme të cilat datojnë në Bronzin e Vonë dhe në atë të Hekurit në zonat përreth fortifikimit të Goricës, që mund të tregojë se ky vendbanim mund të jetë më i hershëm se shekulli 3-të para Kr. Ndërprerja e jetës në Kalanë e Goricës, lidhet me pushtimin romak, pas shekullit të 2-të para Kr.

Picture

Vendbanimi i fortifikuar i Gradishtës së Peshtanit
Kodrina që mban emrin e Gradishtës së Peshtanit ndodhet pranë fshatit Peshtan. Vendbanimi ka qenë shtrirë kryesisht në rrafshin e gjerë të kodrës, me një sipërfaqe rreth 2 ha dhe në disa tarraca të ngushta në faqet lindore, jugore dhe perëndimore të saj. Këto anë të kodrës janë relativisht të buta dhe me lartësi të vogël, vetëm faqja veriore, që është më e ngushta, përbën një mbrojtje natyrale për pjerrësinë e saj. Kjo linjë muri ishte e ndërtuar me blloqe katërkëndëshe prej guri ranor tek i cili mund të vërejmë teknikën e ndërtimit të mureve të periudhës ilire.
Arkeologët, bazuar në teknikën e ndërtimit dhe të gjetjeve sipërfaqësore e datojnë këtë qytezë në shekullin e 4-rt para Kr. Kësaj periudhe i përkasin hedhje të shumta fragmentesh qeramike në faqen jugore të kodrës që ndoshta lidhen me ekzistencën një punishteje qeramike.

Picture

Mbjeshovë 
Kalaja e Mbjeshovës ndodhet pranë fshatit Mbjeshovë, në skajin verior të malit Shpiragut. Sipërfaqja e rrethuar e Kalasë së Mbjeshovës arrin në 1, 5 – 2 ha. Muri rrethues, ruhet në një gjendje të mirë dhe në të gjithë gjatësinë duke ndjekur konturet e majës së kodrës.
Fortifikimi është i dyfishtë i formuar nga një mur i brendshëm përforcues duke shërbyer në të njëjtën kohë si shkallë dhe si vend vrojtimi për ushtarët. Në anën lindore ndodhen 3 kulla dhe një hyrje. Duke u mbështetur në kostruksionet e murit rrethues, të kullave dhe hyrjeve tipike të periudhës së vonë antike, kalaja daton në shekujt 4-5 mbas Kr. Kjo kala konsiderohet si një nga qendrat arkeologjike më të ruajtura të rajonit.Kalaja e Vokopolës
Kalaja e Vokopolës e cila njihet si Kalaja e Ali Pashë Tepelenës, ndodhet në një kodër në veri-perëndim të fshatit Vokopolë pranë qytetit të Beratit. Ky fortifikim ndodhet mbi një kodër 765 m mbi nivelin e detit. Përmasat e kalasë dhe teknikat e ndërtimit tregojnë se kalaja mund të ketë shërbyer si garnizon ushtarak.Bazilika Paleokristiane e Shën Mëhillit në Arapajt
Në kodrën e Shën Mëhillit, 6 km larg qytetit të Durrësit, në sondazhin e kryer në vitin 1974 u zbuluan rrënojat e një kishe të hershme kristiane. Kjo kishë, e njohur si kisha e Shën Mëhillit paraqet një bazilikë trenefëshe, me tre apsida, tre nefe, me atrium në anën perëndimore dhe një ambient ndihmës në anën jugore të naosit.
Mozaiku me sipërfaqe 54 m², ruhet në gjendje të mirë me përjashtim të një pjese të vogël në skajin jugor e cila ka pësuar shëmbje. southern part. Një material të rëndësishëm përbën edhe  skulptura arkitektonike, që daton në shekujt 5-6 pasKr. Materiali numizmatik që është gjetur në bazilikë është mjaft i pasur dhe daton nga shekulli 5të pas Kr., deri në shekujt 13-14 pas Kr., duke treguar një vijimësi të përdorimit të bazilikës për rreth 10 shekuj.

Forumi Bizantin 

Eshte nje kompleks i gjere ndertimesh qe i perket shek V – VI A.D. Ai eshte i zbukyuruar me kolona mermeri dhe ne qender gjendet nje pus.  Termat  I perkasin shek II.A.D. jane zbuluar ne vendin ku sot gjendet teatri “ Aleksander Moisiu”.Mozaiku “ Bukuroshja e Durresit” – u zbulua ne vitin 1616. Ky mozaik i perket shek IV B.C . eshte eshte nje prej me te bukurve ne Shqiperi i punuar me gure zalli.. Tashme ai ndodhet i ekspozuar ne muzeun Historik kombetar.

 Kalaja e Durresit

Eshte fortifikuar gjate shek V- VI ne ne periudhen e Perandorit Anastas . Gjatesia e mureve ishte 3,5 km . Sot rruhen 500 metra nga muri i kalase

Nikaia (Klos)

Qyteti antik i Klosit (Nikaia) ndodhet 1 km larg Byllis-it. Ky qytet rrethohet nga një mur të gjatë rreth 1850m, duke mbuluar një sipërfaqe prej rreth 18 ha. Muri përfaqëson një nga fortifikimet e hershme të gjysmës së dytë të shek të V para Kr. në Shqipëri, me një gjerësi prej 3-3.5m me blloqe gurësh poligonalë dhe trapezoidalë. Fortifikimi ka një hyrje të vetme dhe tre kulla mbrojtëse. Disa nga monumentet kryesore janë teatri i vogël, shëtitorja (Stoa) dhe gjurmët e stadiumit. Teatri ka patur një kapacitet prej rreth 800-1000 spektatorë ku ruhen 14 mbishkrime për dhënie qytetarie, dhe daton në shekullin e III para Kr. Shëtitorja ishte e gjatë rreth 40 m dhe e gjerë rreth 10 m. Jeta në Nikaia mbaron në 167 para Kr. kur ushtria e Paulus Aemilius pushtoi Epirin dhe një pjesë të Ilirisë së Jugut.

Picture

Theatri i Sofratikes
Ndodhet ne luginen e Drinos ne rrethin e Gjirokastres afer fshatit me te njejtim emer. Ketu ka qene nje qytet i periudhes romake i quajtur Adrianapoli , shek II A.D.  Theatri ne fjale eshte zbuluar ne vitin 1984. Ai ka nje kapacitet prej 4.000 vendesh me 27 shkalle Dimal
Ekspedita e parë arkeologjike filloi në 1963 dhe prej atij viti një stoa 30 metra e gjatë ka dalë në dritë. Monumenti tregon një ngjashmëri të madhe me stoan e Apollonisë duke treguar për lidhjet e forta ndërmjet dy qyteteve. Në shumë tjegulla janë gjetur mbishkrime me emrin DIMALITAN, duke treguar qarte se punishtet ishin pronë e qytetit.
Shkrimtari antik Polibi, thekson se lufta e dytë Iliro-Romake ndodhi gjatë viteteve 219-218 para Kr., kohë në të cilën Dimali ishte fortifikuar. Historiani Romak Tit Livi, përmend Dimalin sërisht në ngjarjet e e vitit 205 para Kr., kohë në të cilën qyteti drejtohej nga Romakët. Shumë mbishkrime të gjetura gjatë gërmimeve hedhin dritë mbi organizimin politik të qytetit antik.
Gurëzeza
I vendosur afër qytezës së Cakranit, vendbanimi i Gurëzezës, dominon pamjen mbi lumin e Vjosës dhe vështrimi shtrihet deri në Gadishullin e Karaburunit dhe ishullin e Sazanit në gjirin e Vlorës. Muret e ruajtura mirë mbulojnë një sipërfaqe prej 15 ha, ndërkohë që emri antik i qytetit të lashtë ende mbetet për tu gjetur. Tre pjesë të ndryshme të rrënojave janë të lidhura me sitin dhe datojnë: duke filluar me fazën protourbane duke vazhduar me periudhën urbane dhe duke përfunduar më periudhën e vonë antike. Shumë thesare monedhash janë gjetur pranë këtij vendbanimi, njëra me rreth 2000 monedha bronzi nga Apollonia dhe Epiri. 200 monedha argjendi, 40 prej tyre i përkasin mbretit Monun, madje disa arkeologë mendojnë se qyteti mund të ketë qënë rezidenca e tij.

Picture

Aulona (Vlora)
Mbetjet e kështjellës në formë trekëndore ka dalë në dritë pas monumentit të Pavarësisë në Vlorë, i cili i përket qytetit  të vjetër të Aulonës. Kështjella duket se është ndërtuar në shek IV pas Kr., për të përballuar dyndjet gotike, ndërkohë që gjetje të tjera tregojnë datën më të hershme të banimit ndërmjet shekujve V-IV para Kr. Gjetja më e njohur e kësaj periudhe është një skulpturë e quajtur “Vajza e Vlorës”, e cila tregon një vajzë të veshur me një fustan Ilir. Burimet historike e përmendin Aulonën në shek. II pas Kr., që mesa duket është e lidhur me masat që do të ndërmerreshin në lidhje me fuqizimin e rrugëve të komunikit në pjesën e Ballkanit perëndimor. Në intenerare të ndryshme Aulona është përmendur si një nga vendet kryesore lidhëse të Dyrrachiumit (Durrësi) me Butrintin në jug.
Pas pushtimit gotik në shekullin e V-të pas Kr., një faltore u ndërtua brenda kështjellës, ndërkohë që gjatë regjimit të perandorit Justinian kështjella u fortifikua me urdhër të tij. Gjatë shekullit të VI-të pas Kr., qyteti u dëmtua shumë nga dyndjet sllave dhe si rredhojë shumë qytetarë u larguan për në ishullin e Sazanit, në gjirin e Vlorës, ku gjurmë të asaj periudhe e dëshmojnë këtë lëvizje. Emri i Aulonës rishfaqet në vitet 1082 dhe 1205 në dokumenta bizantine për rëndësia e saj vjen në rënie ndërkohë që qendra të tjera pranë saj forcohen.Treport
Gërmime pranë kepit të Treportit kanë gjetur gjurmë që datojnë që nga shekulli VII para Kr. Përgjatë shekujve vendbanimi u zgjerua dhe muri i ri u ndërtua rreth shek IV para Kr. Shekujt IV-II para Kr., janë periudha kur qyteti pati një zhvillim të mëtejshëm ekonomik ndërkohë që ka spekulime rreth emrit të tij me të dhëna që çojnë drejt emrit antik Daulia. Nga ana tjetër është ende e panjohur pse qyteti është braktisur pas shekullit  II para Kr., por kjo mund të jetë e lidhur me luftrat Iliro-Romake, si dhe me paqen relative që u vendos.Onchesmos (Saranda)
Emri i qytetit antik vjen nga trojani Anchises, lidhja e të cilit me perëndeshën Afërditë solli në jetë një djalë me emrin Enea. Enea së bashku me të atin dhe djalin e tij Ascanius pasi u larguan nga Troja e shkatërruar udhëtuan nëpër Mesdhe. Donisi i Halikarnasit e quan Onchesm-in gjirin e Anchises, ndërkohë që historiani bizantin Prokopi përmend faktin se Anchises vdiq në Onchesmos.
Në periudhën e vonë republikane dhe perandorake të hershme, qyteti përmendet përsëri në lidhje me lundrimin dhe gjirin. Rreth shekullit të VI pas Kr., qyteti ndryshon emër në “40 Shenjtorët”, por është e paqartë se në çfarë rrethanash ka ndodhur ky ndryshim. Kjo mund të jetë e lidhur me ndërtimin e një bazilike të madhe mbi një kodër pranë qytetit modern të Sarandës. Monumente të ndryshme dhe gjetje arkeologjike nga qyteti janë zbuluar gjatë shumë viteve kërkimi si: sinagoga/bazilika, një pjesë e një harku perandorak romak, një shtëpi e antikitetit të vonë, një ndërtesë apsidale, një Odeon, një varrezë dhe një ndërtesë me mozaik të përsosur i ashtuquajtur “Dyshemeja e Delfinit”.Vendbanimi i fortifikuar i Gradishtës së Belshit
Vendbanimi i Gradishtës së Belshit ndodhet pranë fshatit Belsh, në perëndim të  lumit Devoll. Gërmimet e para në këtë vendbanim filluan në vitin 1969. Fazat kryesore të identifikuara në vendbanim përfshijnë periudhën e Bronzit të Vonë, për të vazhduar me periudhën e Hekurit (periudha proto-urbane Ilire), deri në periudhën Antike të Vonë, duke përfshirë dhe rifortifikimin e vendbanimit. Në nekropolin e qytetit janë gjetur varre të shekujve 4-1 para Kr. dhe 4-6 mbas Kr.

Picture

Stacioni rrugor Romak i Ad Quintium
Stacioni rrugor Ad Quintium ndodhet përgjatë rrugës Egnatia, pranë qytetit të sotëm të Elbasanit. Rrënojat e këtij stacioni janë evidentuar në fshatin Bradashesh pranë qytetit, që ndodhet në kilometrin e shtatë të rrugës automobilistike Elbasan-Peqin, në vendin e njohur në popull me emrin “Kalaja”. Bazuar në gjetjet e ndryshme dhe teknikën e ndërtimit, kjo qendër daton në shekujt 2-4 mbas Kr.Fortesa e Përsqopit
Fortesa e Përsqopit ndodhet pranë fortifikimit të Petrelës në malin Vilë. Faza e parë e banimit datohet në periudhën Ilire Urbane dhe në faqet e kodrës janë gjetur trakte të murit të rrethimit të kësaj periudhe. Në Periudhën e Vonë Romake fortifikimi u rindërtua dhe u zgjerua.
Ndoshta ky fortifikim mund të ketë shërbyer si vend strehimi për banorët e Petrelës që vazhdon të banohet gjatë Mesjetës. Në verilindje të fortifikimit janë gjetur mbetje të një ujësjellësi që furnizohej me ujë nga Mali Vilë.

Picture

Vendbanimi i fortifikuar i Rosujës
Vendbanimi i Rosujës ndodhet 6 km në jugperëndim të Bajram Currit, pranë fshatit Binjaj. Vendbanimi siguron mbrojtje të mirë natyrore me një degëzim të lumit Valbona që rrjedh përreth fundit të kodrës.
Nga gërmimet del se kjo qendër arkeologjike të jetë banuar nga periudha e Hershme e Hekurit deri në shekullin e 5-të pas Kr. Brenda zonës së fortifikuar janë vënë re banesa të cilat datojnë në periudhën Romake dhe në atë të Vonë.Vendbanimi shpellor Eneolitik i Rrëzës së Kanalit
Vendbanimi shpellor me pamje nga Gjiri i Vlorës u zbulua në 1939. Gërmimet hulumtuese në vendbanim zbuluan vegla guri Eneolitike, qeramikë e djegur prehistorike dhe kocka kafshësh. Gërmimet e fundit kanë treguar për prezencën e aktivitetit mesjetar në shpellë dhe për një sipërfaqe të copëtimit të veglave të gurit, në tarracën jashtë shkëmbit.Grupi i varrezave tumulare të Shtojit
Fusha e Shtojit ndodhet 5 km në verilindje të qytetit të Shkodrës, midis fshatrave modernë Boks, Dragoç dhe Ura e Mesit, në krahun perëndimor të lumit Kir. Tumat e gërmuara kanë një datim që fillon nga Epoka e Bronzit të Hershëm deri në Epokën e Hekurit të Vonë. Periudha më e pasur e aktivitetit funeral daton në Epokën e Hekurit (kryesisht nga shekulli i 7-të deri në shekullin e 5-të para Kr.).Vendbanimet shpellore në Spile, Himarë
Në të dalë të Spilesë në faqen e kodrës të drejtuar nga deti në krahun e majtë të rrugës Himarë-Sarandë ndodhen tre vendbanime shpellore. Depozitat përmbanin material që nga Eneoliti dhe periudha e Bronzit, dhe vazhdonin në periudhën Helenistike e Romake.

Vendbanimi i fortifikuar i Karosit pranë fshatit Qeparo
Vendbanimi i fortifikuar i Karosit ndodhet 490 m mbi nivelin e detit në një kreshtë me kah veri-jug përgjatë luginës së lumit Qeparo. Pllaja e kodrës së fshatit Qeparo është 1 km e gjatë dhe vazhdon përgjatë shpatit perëndimor. Shpati ka një kreshtë të thepisur në anët veriore, perëndimore me pamje nga lugina e lumit dhe përgjatë bregut verior. Në faqen lindore shpati është i butë dhe këtu është përqëndruar vendbanimi kryesor.
Linja kryesore e mbrojtjes ndjek konturet natyrore dhe ka një hyrje (1.8 m gjerësi) të pozicionuar në qendër me faqe nga lindja. Ky mur është 340 m i gjatë dhe 3 m i gjerë. Lartësia më e madhe e ruajtur është 1, 5 m. Mbas hyrjes janë shtuar dy linja mbrojtjeje për ta riforcuar. Materialet e grumbulluara nga gërmimi japin një datim të gjerë duke filluar me fazën e parë të banimit të datuar në Periudhën e Hekurit të Hershëm dhe vazhdon deri në shekullin e 4-të pas Kr.

Fortifikimi i Kratulit
Fortifikimi i Kratulit ndodhet në majën e kodrës me të njëjtin emër, 143 m mbi nivelin e detit, 6 km në verilindje të Shkodrës dhe 600 m larg nga ura e Mesit. Muri mbrojtës mbyll një hapsirë në formë elipsi me sipërfaqe përafërsisht 0.5 ha. Muri është ndërtuar me blloqe të mëdhenj në dy faqet anësore, kurse mesi është mbushur me gurë mesatarë dhe të vegjël. Blloqet janë të papunuar dhe janë lidhur me njëri-tjetrin në të thatë. Gjerësia e murit arrin deri në 3,35 m ndërsa lartësia deri në 2,55 m.
Tre porta të cilat i shërbenin hyrjes dhe daljes së vendbanimit jane identifikuar. Dy prej tyre gjenden përballë njëra-tjetrës në anët veriore dhe jugore ndërsa tjetra në anën lindore të fortifikimit. Nga pikëpamja tipologjike dhe teknika e ndërtimit fortifikimi i Kratulit është i ngjashëm me atë të Gatanit megjithatë ka edhe ndryshime thelbesore në planimetri si kulla dhe forma e rregullt eliptike, çka e bëjnë këtë fortifikim të veçantë. Brenda murit rrethues nuk janë gjetur gjurmë banesash. Materiali arkeologjik tregon se vendbanimi ka patur një jetë të gjatë që fillon periudhën e Hekurit të hershëm dhe zbret deri në shekullin e 1-rë pas Krishtit./njekomb

Vendet arkeologjike shqiptare Read More »

Lufta për pushtet mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, si u hoq Nexhmija nga puna…

Pas ardhjesh në pushtet të komunistëve, mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut ka pasur një luftë të ashpër për pushtet. Lufta mes tyre përveç intrigave, pati edhe largimin e Nexhmije Hoxhës nga puna prej Shehut pasi Enveri po lidhte aleancë të re me Jugosllavët.

Zhvillimet në Shqipëri dhe veçanërisht raportet ndërmjet liderëve kryesorë të regjimit komunist kanë qenë në vëzhgimin e pandërprerë të shërbimeve të fshehta amerikane. Fakti pak i njohur pohohet më së fundi në dokumentet e deklasifikuara të CIA-s. Studiuesi i shkencave historike dhe bashkëpunëtori i “Panoramës”, Beqir Skreli, që jeton dhe punon në SHBA, ka sjellë nga hulumtimet e tij për gazetën një cikël shkrimesh që kanë në fokus raportet e panjohura të shërbimeve amerikane për profilin e udhëheqësve shqiptarë dhe raportet konfliktuale ndërmjet tyre.

Agjencia Qendrore e Informacionit të SHBA-ve, siç konkludohet në zbulimin e Skrelit, ka pasur vazhdimisht në qendër të vëmendjes zhvillimet e brendshme për kreun e partisë dhe të shtetit komunist, duke qëmtuar informacione të rregullta për ecurinë e tyre. Ajo, madje, interesohej për shëndetin e tyre, familjet, miqësitë, për karakterin, aftësitë, veset, lidhjet shoqërore, të shkuarën, manitë etj.

Burimet e informacionit kanë qenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga emigrantët politikë, agjentët e fshehtë brenda vendit, agjentët e dërguar nga jashtë, vizitorët që ktheheshin nga Shqipëria, gazetarët, shtypin shqiptar dhe të huaj, diplomatët, shërbimet e huaja, sidomos ato jugosllave, greke dhe italiane. Në ciklin që po publikojmë veçohen raportet për mënyrën si CIA vëzhgonte rivalitetin ndërmjet Hoxhës, shefit të Partisë dhe Shehut, kreut të Ekzekutivit shqiptar, që vinte në këtë post nga detyra e ministrit të Brendshëm… 

BEQIR SKRELI

“Planet e Shehut, të cilat do të varen prej miratimit sovjetik, janë ta emërojë Hoxhën ministër të Bujqësisë, sa për t’u bërë qejfin rusëve dhe pastaj t’i ngarkojë atij përgjegjësinë për gjendjen e keqe në bujqësi. Shehu gjithashtu ka në plan të shkarkojë Beqir Ballukun si pro Titos dhe të emërojë Rita Markon në sekretariatin e partisë”.

Raporti i CIA-s, që depërton në këto mistere të pabesueshme, shtjellon më poshtë të tjera zhvillime në raportet problematike midis Hoxhës dhe Shehut, respektivisht kreu i Partisë dhe Kryeministër i vendit. Kishte arsye që, po të ishte puna për të zgjedhur midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, sovjetikët do të parapëlqenin Mehmetin. Ndryshe nga udhëheqësit e tjerë të Lindjes, Enveri nuk kishte kaluar nga shkolla e Moskës. Ai ishte udhëheqës, i dalë nga lufta i një vendi që nuk u çlirua me ndërhyrjen direkte të Ushtrisë së Kuqe.

Udhëheqja e re sovjetike, pas vdekjes së Stalinit, nën udhëheqjen e Hrushovit kishte bërë ndryshimin e udhëheqjeve në të gjitha vendet e kampit socialist dhe nuk duronte dot asnjë shenjë pavarësie ose sfide. “Për të siguruar dominimin e tyre sovjetikët dëshirojnë një parti, ku të ekzistojnë klika rivale. Ambasadori sovjetik Chuvakhin përfitoi nga dobësitë e Hoxhës dhe e shtyu atë të eliminonte të gjithë elementët që përbënin pengesë në parti dhe në të njëjtën kohë nxori në pah Mehmet Shehun, i cili për shkak të qëndrimit dhe interesave të tij gjatë luftës partizane, ishte përjashtuar nga KQ-ja i Partisë dhe në kohën e Rezolutës së Informbyrosë ishte vetëm një personalitet i rangut të tretë ose të katërt.(Takimi CIA-UDB, 16-17 shkurt 1953)

Rusët donin që udhëheqësit e vendeve të tjera të ndiheshin të detyruar ndaj tyre për ardhjen dhe mbajtjen në pushtet. Në këtë kuadër, Mehmet Shehu ishte një kandidat ideal. Ambicioz, karrierist, i pakënaqur me postin, me njolla nga e kaluara, i shkolluar në Rusi, Mehmeti ishte i natyrshëm, i parapëlqyeri i rusëve. Dokumenti i mëposhtëm tregon se parapëlqimi rus nuk kishte mbetur thjesht vetëm si ndjenjë.

Në raportin informativ të CIA-s, datë 11 tetor 1955, me subjekt “Lufta për pushtet Hoxha-Shehu”, thuhet: ”1. Enver Hoxha u nis nga Tirana për në Moskë më 18 gusht 1955, pasi personalisht kyçi dhe dyllosi zyrën e tij. Ai informoi Mehmet Shehun se do të ikte nga Durrësi me një anije sovjetike, që ishte gati për t’u nisur. Udhëtimi i papritur i Hoxhës është pasojë e vendimit të tij për t’u njohur me instruksionet ruse për një afrim me jugosllavët, pavarësisht kundërshtimit të Shehut. Në shpagim, Shehu hoqi të shoqen e Hoxhës nga Presidenca e Bashkimit të Grave të Shqipërisë dhe i hoqi Hoxhës automobilin personal dhe rojën. Pastaj, Shehu vuri forcat ushtarake dhe të sigurimit në gatishmëri luftarake dhe i përqendroi trupat në zonat pranë kufirit jugosllav.

  1. Më tej, Shehu urdhëroi udhëheqësit e lartë të partisë dhe të shtetit të merrnin pjesë në një “referendum” për të vendosur “Po” ose “Jo”, në lidhje me rinovimin e Paktit të Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke të nënshkruar në Beograd nga Hoxha më 1946. Rezultatet e votimit ishin 5 “Jo” dhe 4 “Po”. Shehu do të informojë Moskën se “Qeveria shqiptare, partia dhe populli riafirmojnë përkushtimin dhe mirënjohjen ndaj Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), por nuk pranojnë të kenë asnjë detyrim ndaj Jugosllavisë, që mund të vinte në rrezik integritetin, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit dhe të institucioneve politike të garantuara prej Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Traktatit të Varshavës”.
  2. Më 1 shtator arriti në Tiranë një personalitet i lartë sovjetik, gjoja për të marrë pjesë në Kongresin e Tretë të Bashkimit të Grave të Shqipërisë, por në fakt ka ardhur si i dërguari i Moskës për t’u marrë me situatën, që kulmoi me vizitën e Hoxhës në Moskë. Shehut iu parashtruan pikat e mëposhtme:
  3. BRSS synonte t’i jepte fund luftës Hoxha-Shehu, e cila po ndikonte në situatën e brendshme në Shqipëri, në parti dhe në politikën e jashtme sovjeto-shqiptare, në një kohë që harmonia duhet të jetë mbi gjithçka.
  4. Është e qartë se njëri prej tyre, ose Shehu ose Hoxha, duhet të zëvendësohet. Duke pasur parasysh qëndrimin e mbajtur prej shumicës së qeverisë dhe të udhëheqësve të partisë, Shehu do të merrte udhëheqjen e partisë, kurse vendin e tij si Kryeministër do ta zinte Gjeneral Kadri Hazbiu. Qeveria do të riorganizohej për të justifikuar para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm ndryshimet në udhëheqjen e partisë dhe të qeverisë. c. Sovjetikët kërkonin respekt për pozicionin e Hoxhës, i cili do të kthehej në Shqipëri pas disa ditësh.
  5. Shehu u përgjigj se ndryshimet në qeveri dhe në parti janë e drejtë ekskluzive e Komitetit Qendror të Partisë dhe se ai “Do të mbetej në post për aq kohë sa gëzonte besimin e Kuvendit, Komitetit Qendror dhe popullit”. “Hoxha, të cilin askush nuk dëshiron ta vrasë ose ta bëjë idhull, nuk e ka një përkrahje të tillë”.
  6. Më 3 shtator, Hoxha u kthye në Tiranë me dy gjeneralë sovjetikë. Shehu nuk kishte dalë ta priste. Hoxha iu tha se Shehu nuk mund ta priste atë pa qenë i njoftuar që dy ditë më parë dhe u kontrollua para se të futej në zyrë. Gjithashtu, iu shkurtuan dhe fondet e trajtimit ekonomik.
  7. Planet e Shehut, të cilat do të varen prej miratimit sovjetik, janë ta emërojnë Hoxhën ministër të Bujqësisë, sa për t’u bërë qejfin rusëve dhe pastaj t’i ngarkojë atij përgjegjësinë për gjendjen e keqe në bujqësi. Shehu gjithashtu ka në plan të shkarkojë Beqir Ballukun si pro Titos dhe të emërojë Rita Markon në sekretariatin e partisë”. Ky dokument do të kishte akoma më shumë vlerë nëse prej tij nuk do të ishte fshirë gjysma e faqes së fundit. Në dokumentet e deklasifikuara të CIA-s ka shumë faqe të tilla ku emra, praktika, fakte janë të fshira.

Ato ende përbëjnë sekrete shtetërore. Kur lexon këtë dokument, vetvetiu të lind pyetja: Në qoftë se jo vetë Mehmet Shehu, kush mund t’ia ketë dërguar CIA-s këtë informacion kaq të detajuar, duke filluar nga dyllosja e zyrës së Enverit e deri te plani për emërimin e tij ministër i Bujqësisë? Mehmeti nuk e eliminoi dot Enverin. Ndryshe nga përshtypja e krijuar deri tani për Mehmetin gjatë konfliktit me rusët, si kundërshtar i ashpër i tyre, dokumenti mëposhtëm i CIA-s që mban datën 18 mars 1963, që bën fjalë për dënimin e Liri Belishovës, dëshmon se ai e mbrojti deri në fund vijën ruse.

“Gjatë vitit 1961 shpërtheu një konflikt ideologjik midis sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë Enver Hoxha dhe Kryeministrit Mehmet Shehu, në lidhje me çarjen sovjeto-kineze. Dikur, pasi konflikti midis Hoxhës dhe Shehut ishte marrë vesh, një femër, anëtare e KQ-së të PPSH-së u kthye në Shqipëri prej një vizite në Kinë. Mësohet se gjatë qëndrimit atje, ajo ishte shprehur në favor të pozicionit ideologjik të Bashkimit Sovjetik dhe se pak kohë pas kësaj, ajo u përjashtua nga Komiteti Qendror dhe nga partia. Përjashtimi i saj shikohet si një fitore e madhe ideologjike për Enver Hoxhën, i cili si përkrahës i komunizmit kinez, kërkoi përjashtimin e saj në kundërshtim me Kryeministrin Shehu, i cili mbështeti pozicionin e saj pro sovjetik”.

Në vend të konkluzionit

PARTNERITET PUNE EFEKTIVE

“I vetmi rival i Hoxhës brenda hierarkisë së sotme është Mehmet Shehu, të cilit ai më 1954 i dorëzoi postin e Kryeministrit. Megjithëse vazhdimisht është raportuar për fërkimet midis tyre, shumica e vëzhguesve mendojnë se ata kanë arritur të krijojnë një partneritet pune të efektshëm. Që nga fundi i viteve ‘40, ata kanë bashkëpunuar me sukses për të mbajtur nën kontroll absolut vendin e vogël ballkanik dhe sipas studimeve të kohëve të fundit, nuk duket shumë i mundshëm ndonjë ndryshim në udhëheqjen shqiptare”. (Maj 1963)

Me sa duket, koha e bindi Mehmetin se nuk ishte aq i fortë sa të mund ta hante dot Enverin dhe se e vetmja mënyrë për të mbijetuar e për të arritur qëllimin ishte të mbante gjallë në popull idenë se ai ishte bashkëpunëtori më i aftë e më besnik. Ata e njihnin mirë njëri-tjetrin dhe në një farë mënyre e kanë përdorur njëritjetrin. Kudo që shkonte, Mehmeti nuk e hiqte nga goja emrin e Enverit ashtu si Lin Biao emrin e Maos. “Në unitet të çeliktë rreth Komitetit Qendror të Partisë dhe shokut Enver Hoxha, ne jemi më të fortë se çdo armik, se çdo pengesë e vështirësi dhe jemi në gjendje t’i ngjitemi malit pa na u marrë fryma, pa ndaluar në mes të rrugës, të ecim përpara me kurajë drejt socializmit dhe komunizmit”, u shpreh Mehmet Shehu në mitingun e Vlorës, me rastin e 65-vjetorit të pavarësisë.

PËRFUNDIM

Siç dihet, fitues i kësaj lufte ose partneriteti të gjatë doli Enveri. Ajo që nuk dihet me siguri është: A ishte Enveri i vetëdijshëm që Mehmeti punonte kundër tij me plane e me qëllime të përcaktuara apo sinqerisht besonte se Mehmeti ishte “një nga udhëheqësit më të shquar, më të talentuar e më të domosdoshëm të partisë”, por që kishte “nevojë të frenohej disi sepse ishte shumë i rrëmbyer”./Panorama

Lufta për pushtet mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, si u hoq Nexhmija nga puna… Read More »

Tërbaçi, historia e një fshati që përkujtohet çdo vit

Bexhet Rrapo (Kryetar i Shoqatës Atdhetare  Kulturore “Tërbaçi”)

Fshati i Tërbaçit njihet nga më të hershmit në krahinën e Labërisë e Luginën e Mesaplikut të Vlorës. Ai ndodhet midis kurorës së maleve të Stogoit, Qores, Çikës, Bogonicës, Kunjovës, Çipinit e Tartarit, në pjerrësinë jugore të vargmalit të Lungares, rrëzë malit, në lartësinë 552 m mbi nivelin e detit. Mali i Çikës me lartësi 2050 m e kufizon atë me fshatrat e Bregut.

Terreni i tij dhe përreth fshatit është fushor, kodrinor dhe malor i thyer me pyje e shkurre vende – vende të zhveshura. Nga perëndimi ai kufizohet me malet e fshatit Brataj deri në qafën e Shëngjergjit, ku kufizohet me fshatin Dukat. Nga veriu kufizohet me fshatin Brataj dhe nga jugu me fshatin Vranisht e malin e Çikës, pas të cilit ndodhen fshatrat e Bregut. Fshati shtrihet në lartësi, nga 200 m e deri në 2000 m mbi nivelin e detit. Si pasuri kryesore zona ka bagëtinë e imët dhën e dhi. Fshati ka plot kullota verore dhe dimërore, në kodrat me shkurre e pyje dhe malet e larta. Banorët e fshatit Tërbaç, shquhen për tradita të mira në mbarështimin e blegtorisë.

Malet e Tërbaçit janë shumë të mira si kullota, për të veruar e vjeshtuar me mijëra krerë dhen e dhi. Pra, blegtoria e saj nuk e ka të domosdoshme për të shtegëtuar në zona të tjera të largëta. Tërbaçi në kuptimin e përgjithshëm, është me një terren tërësisht të thyer malor. Në aspektin fizik, territori ka mundësi tepër të kufizuar komunikimi. Si i tillë ai përbën një ekosistem tërësisht të veçantë dhe i ndryshëm nga të tjerët, çka i jep karakteristika të tipizuara fshatit dhe e bën atë me emër në të gjithë krahinëne Labërisë.

Emri i Tërbaçit shfaqet për herë të parë në vitet 350 të erës së re dhe i përket fisit ilir, dega e Labjonëve. Paraardhësi i tyre është Gjin Kriqi, i cili përbën edhe familjen fshat-formuese.

Në këto troje, ndoshta edhe nga karakteristikat natyrore, janë rritur burra e gra me karakter të fortë e të besës. Ata vazhdimisht kanë luftuar në mbrojtje të territoreve të tyre si dhe atyre kombëtare. Në vitet 1700-1900, janë dalluar si prijësa e luftëtarë, Lulo Abazi, Labe Aliu, Shako Xhaka, Zenel Hodo, Dulo Koka, Miro Tërbaçe, Gego Bobja, etj. Këta luftëtarë me çetat e tyre kanë bashkëpunuar me çetat e tjera të Labërisë, Mallakastrës, Himarës, etj.

Nga Tërbaçi kanë marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë më 1912, në mbështetje të Ismail Qemalit; në Revolucionin e Qershorit 1924, në Luftën e Vlorës, më 1920 me komandant çete, Selman Gjodedaj.

54389423Në Luftën Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazi-fashist, kanë marrë pjesë mbi 250 vetë, duke u rreshtuar përkrah Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar.

Në luftërat për liri e pavarësi kanë dhënë jetën 102 veta, janë shpallur dëshmorë 61 veta. Tërbaci ka 4 heronj populli: Halim Xhelo, Hysni Kapo, Haredin Bylyshi e Vehbi Hoxha dhe 3 Heronj të Punës.

Tërbaçi është fshati i bashkimit, unitetit, i besës dhe mirkuptimit. Ai kurrë nuk ka qenë shkaktar konfliktesh me fshqinjët. Tërbaçi është fshati që i dha besën 13 birbilejve dhe i strehoi në truallin e tij duke u përballuar me ushtarët turq.

Tërbaçi është nga të vetmit fshatra të lumit të Vlores dhe Labërisë që mbas Luftës Nacionalçlirimtare nuk cilësoi asnjë kundërshtar politik. Nisur nga këto virtyte të komunitetit Tërbaçiot dhe emrit Tërbaç, disa e shpjegojnë se vjen nga fjala tërë-bashkë.

Në vitet ‘90 u bë ndryshimi i sistemit ekonomiko-shoqëror, nga ai i centralizuar në sistemin pluralist demokratiko-kapitalist. Këto ndryshime Tërbaçi i mbështeti. Por ky ndryshim, krahas të mirave që pruri, si ajo e levizjes së lirë që ishte e domosdoshme, boshatisi fshatin. Kjo çoi në largimin e njerëzve nga vendlindja, gjë që rrezikonte të harrohej vetë kjo e fundit dhe vlerat e saj historike, për të cilat folëm edhe më lart, si dhe të ndërpriteshin lidhjet me njëri-tjetrin. Ishte kjo arsye, që një grup intelektualësh tërbaçjot në vitet 1998-2000, krijuan Shoqatën Atdhetare dhe Kulturore “Tërbaçi”, kryetari parë i saj do të ishte intelektuali Gëzim Arshi Xhelili, kurse vendimi i parë i marrë do të ishte një takim në Tërbaç, duke e pagëzuar me emrin “Takim brezash“, shumë kuptimplotë e përbashkues. Qëllimi i këtij takimi ka qënë dhe është bërja bashkë e gjithë tërbaçioteve në një ditë të caktuar dhe në moment të përshtatshëm për të gjitha shtresat dhe moshat duke mos privuar asnjë. Do të ishte më keq në qoftë se do t’i përshtatesh vetëm një shtrese.

Ky aktivitet, “Takimi i brezave“, po bën 16 vite që organizohet nga shoqata Tërbaçi. Që në takimet e para ky ishte mjaft mbresëlënës. Këtu në Tërbaç vinin nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, takoheshin me bashkëfshatar e të afërm, me te cilët kishin shumë vite pa u parë. Në kushtet e emigrimit jashtë shtetit, ky takim ishte shumë më i domosdoshëm për djemtë e vajzat e Tërbaçit, të cilët në vitet e para nuk kishin as dokumente të rregullta për të ardhur pranë familjeve dhe jo më të takonin shumë miq e të afërm që jetonin si në Shqipëri, por edhe jashtë: Greqi, Itali, Angli, Amerikë e deri në Zelandën e Re. Pra ky takim jepte mundësinë e çmalljes me njëri-tjetrin.

Efekti i këtij takimi brezash është i gjithanshëm. Krahas çmalljes me njëri-tjetrin, rëndësi merr edhe njohja apo vizitat në vendet historike, vendosja e buqetave me lule tek ata që kanë dhënë jetën për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë dhe Tërbaçit, kjo sidomos për më të vjetrit. Shoqata po punon që edhe të rinjtë, deri tek nxënësit e shkollave të njihen me këto vlera e kontribute për vendlindjen dhe historinë. Sa më shpesh që të takohen me këto vende historike e vlera kulturore, aq më shumë do t’u nguliten në kujtesën e tyre. Njohja e brezit të ri me vlerat historike është një investim i madh për të ardhmen.

qen

Qeni i Tërbaçit, si një simbolikë e vendit të origjinës

Në Shqipëri njihen dy raca qenësh që janë unikalë edhe në botë, qeni i Sharrit dhe qeni i Tërbaçit. Në këtë rast do të flasim për qenin e Tërbaçit, që përbën një simbolikë dhe një vlerë të shtuar për vendin e origjinës së tij.

Shpesh, në Labëri përdoret shprehja: “Ma ke kokën si qen Tërbaçi”! Natyrshëm lind pyetja, se përse qentë e kësaj treve janë mbartës të emrit të këtij fshati të zonës së Lumit të Vlorës? Barinjtë tërbaçiotë kanë arritur te krijojnë një tip qeni me nam. Ata i mbanin qentë të ushqyer mirë dhe i mësonin të bëheshin të egër. Qeni i Tërbaçit është shumë i afërt gjenetikisht me ujkun. Si i tillë ai është i lashtë e primitiv, i papërpunuar dhe i pakryqëzuar, rrjedhimisht autokton, sipas studimeve,  rezulton se është i lashtë prej rreth 24 shekujsh. Struktura gjenetike qenit të Tërbaçit ka ngelur e pacënuar. Jo vetëm për ta ruajtur, por edhe për ta fuqizuar qenin e tyre, bariu tërbaçot në shekuj ka përdorur në mënyrë empirike, por me shumë rezultat, parimet kryesore të seleksionimit e të çiftëzimit të kafshëve. Mësohet se ata kanë përdorur me sukses në këtë drejtim, çiftëzimin e bushtrave të staneve me ujkun e malit, gjë që njihet edhe shkencërisht.

Përveç kësaj, intuita dhe zgjuarsia natyrore e barinjve tërbaçot, shkonte më tej në “edukimin” e qenve. Këlyshët mbaheshin 1,5-2 vjet brenda në katua në errësirë të plotë dhe larg njerëzve e kafshëve të tjera. Kjo, derisa ata të bëhen të aftë si qen roje stani. Si njeri i vetmuar gjithmonë nëpër male, gërxhe apo livadhe, ditë e natë pas bagëtisë, çobani tërbaçiot detyrohej të kishte të paktën tre “shokë” të përhershëm dhe të pandarshëm: qenin, kërrabën dhe culen (fyelli, xhura).

 

Miro Tërbaçe, amazona e trimërisë labe

Në luftërat e vazhdueshme për liri, pavarësi e drejtësi shoqërore, krahas trimave kordhëtarë të kryengritjeve popullore, bij të shpatës shqipëtare, kanë luftuar edhe gratë.

Legjenda Miro Tërbaçja është heroinë popullore, që doli nga gjiri i Labërisë, u vesh si djalë, u ngjesh me jatagan si burrat, sepse, mbeti e vetme në familje, pa nënë, pa baba, pa vëlla. Babai i saj Kostë Strati u vra nizam në hapësirat e shkreta të Perandorisë Osmane, ndërsa vëllain, Skëndon ia vranë në Bramyshnjë të Tërbaçit administratorët shërbëtorë të Perandorisë së Murme Osmane. Vajza u betua se do të mirrte hak, të çonte nderin e familjes në vend.  Nga person i thjeshtë ajo u kthye në personazh epik, në faqet e historisë dhe në gjirin e këngës epike, të epikës historike. Ajo tregoi një akt të lartë në shërbim të atdhetarizmit. Mirua u betua se do të merrte hak. Preu flokët si djalë, hodhi pallën e argjendtë mbi supe, e veshur si burrë, u vu në ndjekje të gjurmëve të vetë sundimtarit, hipur mbi kalin e saj të shpejtë si era e vetë vetëtimë mbi të, e shoqëruar me kalorës të tjerë tërbeç. Në Vlorë s’e gjeti. U hodh në Mallakastër, kaptoi qafën e Sinjës e zbriti në sarajet e rënda, e ballëpërballë me pallatin e Pashait, ky qe strukur sanxhaktari i Vlorës. Rrufeshëm këtu funksionoi intuita e Miros Kapedane. U kërkoi rojave të sigurisë një takim me sundimtarin e Vlorës, mbasi do t’i dorëzonte një letër shumë sekrete dhe koha nuk vhhpriste. Ata e hëngrën (e besuan). Sundimtari po zbriste. Dy plumba në ballë i nisi Mirua dhe ai ra në vend i vdekur. Kjo shqiponjë mali i shoqëroi krismat e kobures me fjalët: “Po të kthejmë borxhin, o sanxhaktar, se shumë ta kemi vonuar!”. Dhe u kthye si suferinë, bashkë me trimat e saj për në Labëri. Në Dhemblan ndodhet varri i kësaj atdhetareje. Në Tërbaç, Flamur Lushaj, si një nga pinjollët e sotëm të mëhallës së Strate, ka mundësuar ngritjen e një shtatorje të Miros në sheshin qendror, në ballkon të fshatit, si dhe ka bërë një varr simbolik me dhè, marrë atje ku mendohet se prehet Mirua, në varret e fisit Meçaj, te dajorit e saj, në Dhemblan.

Në Tërbaç, Lumin e Vlorës dhe në të gjithë Labërinë populli ka përcjellë gojë më gojë e brez pas brezi aktin e saj heroik të Miro Tërbaçit. Ja ç’thotë një variant i saj:

E shkreta Miro Tërbaçe,

Moj e rritura bonjake,

me lakëra burdullake.

nëpër dyer të Tërbaçe;

Ike, te berberi vajte:

“O berber, ore vëllamë,

premi çepetë si djalë,

se do vë dyfek e kamë,

do marr hakë për babanë,

për baban’ e për vëllanë!

dhe për kushurin’ e parë,

për të gjithë shqipëtarë.

Qëllove mbi pashallarë,

Tërbaçit se ç’i le namë!…

 untitled-1

Tërbaç (Tërë bashkë)

Kronika e takimit të sivjetshëm

Si çdo vit edhe sivjet, shoqata Tërbaçi mori masat e nevojshme për ta organizuar sa më mirë këtë takim me 20 gusht. Nuk u mjaftua vetëm me organizimin e ndonjë dreke, por u zhvilluan edhe veprimtari të tjera brenda këtij formati, për ta bërë takimin sa më të larmishëm për të gjithë pjesëmarrësit.

Siç dihet, Tërbaçi në të kaluarën është dalluar për grupet folklorike, djem dhe vajza, por koha bëri që ato të pushojnë. Për t’i riaktivizuar iu bë thirrje disa ish-pjestarëve të grupit të vajzave 1974-1978, si Shpresa, Margarita e Liliana Kapo, Baftie Dauti, Shpresa Abazi, Hava Çela e Lavdie Xhaka. Ato u treguan të gatshme, filluan përgatitjet dhe kënduan disa këngë për bashkëfshatarët e tyre, të cilat u mirëpritën për interpretimin e mrekullueshëm. Mësuesja e apasionuar Albana Gjika, si edhe herë të tjera, me kërkesë të shoqatës, organizoi një grup nxënësish me recitime nga krijimtaria e autorëve tërbaçjotë.

Në ambientet e ish-shkollës 8-vjeçare, tashmë e mbyllur, para 12 vjetësh, ishte hapur një muze i vogël historik për Tërbaçin. Me dëmtimin e shkollës edhe ky i fundit kishte pësuar dëmtime. Duke e vlerësuar si të domosdoshëm, shoqata Tërbaçi, punoi dhe e ribëri atë me disa investime modeste. Për ta shpënë në parametra normalë, u freskuan shumë materiale figurative, u zëvendësuan stendat e dëmtuara si dhe u bënë stenda të reja duke i shoqëruar edhe me materiale të reja. Në qendër është historia e heronjve, dëshmorëve dhe luftëtarëve tërbaçjot, në të gjitha kohërat.

Fjalën e mirëseardhjes në takimin e këtij viti e mbajti kryeplaku Arben Abazi, kurse kryetari i shoqatës Tërbaçi, Bexhet Rrapo, ku foli për vlerat historike të Tërbaçit si dhe punën e bërë nga shoqata. Përshëndetën gjithashtu, Hasan Hoxha, nënkryetar i shoqatës Tërbaçi; Flamur Çela, anëtar i kryesisë dhe kontribues financiar; kryetari i veteranëve të Tërbaçit, Izmir Kapo, Lavdie Nanaj, në emër të shoqatës atdhetare kulturore “Labëria”; përfaqësuesi i bashkisë Himarë, Thoma Seva; veterani nga Tirana, Ali Xhaka etj. Momenti më i bukur ishte drekimi vëllazëror në vendlindje të ndarë grupe-grupe shoqërore apo familjare.
Pjesëmarrja ishte më e mirë se vitet e tjera gjë që i dedikohet vlerësimit të vetë tërbaçjotëve, por edhe organizimit të mirë nga drejtuesit e shoqatës Vlorë, Tiranë e Fier.

Ky takim kishte shumë të veçanta, por më e rëndësishme ishte pjesëmarrja e disa përfaqësuesve të fiseve të larguar prej shumë vitesh nga Tërbaçi, rreth 200-300 vjet si, Siri Petani nga Petanajt dhe Ibrahim Lutaj nga Lutajt (Baçoj). Po ashtu mund të thuhet edhe për Veli Bufin, i cili është aktivizuar në shoqatën Tërbaçi nga fillimi.

“Mirë u takofshim vitin tjetër”! – ky ishte urimi në ndarje nga të gjithë pjesëmarrësit.

Tërbaçi, historia e një fshati që përkujtohet çdo vit Read More »

VELEDIN BILBILI DHE GRUPI “ARMIQËSOR” I DUKATIT

Veledin Bilbili e la me gisht në gojë Sigurimin e Shtetit në vitin 1948, ndërsa kishte vajtur ta arrestonte në shtëpinë e tij në Dukat. Ai doli nga një derë e fshehtë e shtëpisë dhe u arrtis. Në prill të vitit 1949, zbarkoi nga një nëndetse në Karaburun dhe mori 9 shokë ideali antikomunist, ndërmjet tyre edhe baban e gjeneralit famëkeq Halim Xhelo që kishte vajtur në Dukat të arrestone të atin.
Kjo ikje e tërboi Sigurimin e Shtetit dhe ushtroi raprezalje çnjerzore mbi famijet dhe bazat e të arratisurve…

Nga Enver Lepenica

 

1.Organizat Antikomuniste “Rilindja Kombëtare”

Kur Shqipëria ra nën robërinë komuniste, asnjëherë nuk u shuan shpresat e Shqiptarëve për të këputur këta zinxhirë. Edhe në Vlorë ka pasur disa lëvizje e më e rëndësishmja është Organizata “Rilindja Kombëtare”.

Nëse ju referohemi akteve, shkresave dhe historisë së Sigurimit të Shtetit në Vlorë nuk jepet një datë e saktë e formimit të kësaj organizate antikomuniste. Edhe në procesin gjyqësor nuk fiksohet një datë e tillë.

Nga materiali që disponojmë del e qartë se lëvizja antikomuniste e përfaqësuar në Vlorë prej organizatës “Balli Kombëtar” nuk u shua edhe pasi erdhën në fuqi komunistët edhe pse krerët kryesorë të kësaj organizate u vranë, u burgosën ose u arratisën jasht shtetit.

Nacionalistët largpamës si Bego Gjonzeneli, Tahir Hoxha, Maliq Koshena e parashihnin një fund tragjik të diktaturës komuniste. Ata nuk e ndalën asnjëherë luftën dhe punën e tyre kundër diktaturës komuniste, prandaj lëvizja nacinaliste “Rilindja Kombëtare” mund të quhet e filluar që më 1945, megjithëse ajo mori forme organizative në fund të vitit 1947. Ajo u formua në burgun e Vlorës nga Bego Gjonzeneli, Maliq Koshena, Hamdi Gjoni, Meçan Hoxha, Telha Shehu, Murat Demiri, Dilaver Rrapo, Riza Çize, Dushan Koçiu etj. Qëllimi kësaj organizate ishte lidhja me anglo-amerikanët dhe rrëzimi i sistemit diktatorial komunist. Kryetar i organizatës u zgjodh Bego Gjonzeneli. Ata rekrutuan edhe tre polic Loro Simonin, Orhan Bogdanin dhe Hajdar Dushkun me anën e të cilëve mbanin lidhje nga jashtë burgut.

Në vitin 1949 u amnistuan dhe u liruan Riza Çize, Telha Shehu, Murat Demiri etj. Këta dhe të tjerë e shtrinë aktivitetin e organizatës në shumë fshatra të Vlorës, Kurvelesh, Mallakastër dhe në Gjirokastër.

Sigurimi Shtetit ra shpejt në gjurmët e organizatës me anë të bashkëpunëtorit “Gishtëza” dhe e dominoi organizatën duke eleminuar pa mëshirë, me zjarr dhe me hekur kundërshtarët e tij politik. Më 25 nëntor 1949, u arrestuan 81 anëtarë të organizatës. Në grupin e parë u gjykuan me bujë të madhe 25 vetë nga të cilët u dënuan: 11 vetë me vdekje, 4 vetë me 20 vjet, 5 vetë me 15 vjet, 4 vetë më 12 vjet dhe 1 me 7 vjet. Vazhduan pastaj arrestime dhe dënime të shumta. (Arkivi MPB D. 2475)

 

  1. Arratisja e grupit dukatas.

Një ndër udhëheqësit më aktiv të kësaj organizate jashtë burgut ishte Veledin Bilbil Çapaj nga Dukati, që mundi ti shpëtonte mizorisë komuniste, duke u arratisur në Greqi. Petref Agaj që u dënua me vdekje ka deklaruar në gjyq: “Në maj të 1948 jam takuar në Vlorë me Veledin Bilbilin. Ai më tha se kemi formuar një organzatë dhe duhet të punojmë…” dhe më poshtë: “Kur jesh në pazar më takoi Baftiar Feriku dhe më tha se të do Rushit Grabova. Bashkë me Baftiarin shkuam në zyrën e Piro Xhezos që e kishte në sheshin e Flamurit. Aty takuam: Rushit Grabovën. Veledin Bilbilin, Fejzo Lulon, Qemal Dalanin nga Trevëllazëri, Dervish Hodon, Piro Xhezon dhe Baftiar Ferikun”. Është fjala për një mbledhje të krerëve të organizatës jasht burgu ku me propozim të Veledin Bilbilit e Rushit Grabovës u formua një komitet me emrin “Drita” dhe me sekretar Piro Xhezon.

Aktiviteti organizatës jasht burgut ka filluar me lirimin nga burgu të Veledin Bilbilit, Dervish Hodos, Riza Çizës etj. Këta ishin përgatitur në burg dhe jasht u bënë udhëheqës dhe organizatorë të lëvizjes antikomuniste. Siç pamë më lart ata formuan një komitet për drejtimin operativ të punës si dhe në disa fshatra formuan këshilla sekrete.

Veledini punoi me përkushtim për të krijuar një degë të fuqishme të organizatës në Dukat. Për këtë ai ka bërë disa mbledhje radhazi në të cilat kanë marrë pjesë: Xhelo Koçiu babai gjeneralit të Sigurimit Shtetit Halim Xhelo (Dukatit), Laze Thanasi, Gani Hamiti, Ahmet Blyshi, Laze Berdua, Cane Dervishi, Haxhi Hasko, Halim Hodo, Dervish Cane, Jazo Ademi etj. Në një nga këto mbledhje në Dukat u vendos:

  1. Nga ish ballistët, familjet e të vrarëve dhe të pushkatuarve të formohej fshehtas një çetë e armatosur e cila të ishte e gatshme për veprime luftarake kur t’i kërkohej.

  2. Veledin Bilbili të binte në kontakt me diversantët dhe të shkonte në Greqi për të raportuar situatën e dhunës që ishte në Shqipëri.

Për këtë mbledhje Gani Hamiti ka deklaruar: “Duhet t’ja bëjmë “bamp” që Europa ta marrë vesh që nuk e durojmë skllavërinë e të na ndihmojë të përmbysim pushtetin e shtrigave”.

Në një mbledhje tjetër ku mori pjesë Veledin Bilbili si drejtues, Dervish Hodua, Piro Xhezua etj u ndanë detyra për sejcilin dhe u kërkua që të raportohej për zabtimin e tyre.

Sigurimi Shtetit me anë të komunistëve, njerëzve të dobët dhe frikacakë që ishin bërë spiunë e bashkëpunëtor të tij e ndiqte organizatën. Ata punonin që sa më shumë “armiq” të binin në rrjetën e tyre dhe shpresonin që ti kapnin në flagrancë kur ata do të bënin takim me aleatët, siç mendohej. Mirëpo ky moment po vonohej, kështu që Sigurimi vendosi që krahas spiunëve të tjerë të rekrutonte edhe Laze Thanasin, shok besnik i Veledin Bilbilit. Në zyrat e Sigurimit Laze Thanasi pranoi të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit dhe e firmosi deklaratën. Porsa u kthye në Dukat Lazia u tregoi shokëve çfarë i kish ngjarë, duke u thënë se ditët i kishin të numëruara dhe se grupi ishte në rrezik, prandaj ai propozoi të arratiseshin, si e vetmja rrugë shpëtimi.

Veledini Bilbili u porpozoi Cane Dervishit, Shaqir Bejos dhe Ahmet Blyshit, që të bënin një lojë për të shpëtuar: të shkonin me Vlorë tek kryetari Degës Punëve të Brëndshme dhe ti propozojnë atij bashkëpunim për çfarë ai ka nevojë. Ashtu bënë edhe ata. Por dhelpërat e vjetra të trajnuar prej ujqërve Serb e nuhatën lojën dhe e refuzuan bashkëpunimin.

Pas dy ditësh Sigurimi dërgoi në Dukat, të birin e Xhelo Koçiut, Halim Xhelon gjeneralin famëkeq të Sigurimit që përfundoi i varur në birucat e Burrelit prej shokëve të tij komunist. Halim Gjenerali ose Halim Stalini siç e quante ai veten duke kërkuar nëpër fshat të atin Xhezo Koçiun anëtar aktiv i grupit, arriti tek shtëpia e Dervish Canes dhe pyeti për babanë. E shoqja e Dervishit i tha se kanë shkuar në fshat të vjetër. Halimi nxitoi për atje por nuk gjeti gjë, atëherë u kthye përsëri tek shtëpia e Dervishit, por edhe atje e gjeti shtëpinë bosh.

Veledin Bilbili (djathtas) me një emigrant shqiptar

Ç’kishte ngjarë në fakt?  Kur Halim Xhelua kishte trokitur në shtëpi të Dervish Canes atje ndodheshin nëntë burra: Xhelo Koçiu, babai i Halimit, Cane Dervishi djali Dervishit, Gani Hamiti, Laze Berdo, Shaqir Bejo, Halim Hodo, Laze Thanasi, Ahmet Blyshi, por e zonja e shtëpisë e kishte gënjyer duke i thënë se babai tij kishte shkuar në fshat të vjetër. Ndërkohë që gjenerali udhëtonte në drejtim të fshatit të vjetër për të arrestuar babanë e tij, të nëntë burrat trima, dualën fshehtasi nga shtëpia dhe udhëtuan në drejtim të kundërt, kështu ata burra fshatarë e lanë gjeneralin, ujkun e vjetër të Sigurimit me gisht në gojë!

Më 27 prill 1949 ky grup ra në kontakt me mikun e besës dhe udhëheqësin e rezistencës antikomuniste të Dukatit Veledin Bilbilin, i cili kishte ardhur  nga Greqia në Dukat me nëndetëse me detyrë për të shpëtuar shokët e tij të idealit.

Në historinë e Sigurimit të Shtetit ky akt është fiksuar me këto fjalë:  “Grupi Hodo Metos nga Tragjasi, Ilia Konomit nga Palasa, Jorgji Martikos nga Dhërmiu dhe dy oficera grek më 27 prill 1949 morën me vete 10 dukatas midis tyre edhe Xhelo Koçiun dhe pesë veta nga Dhërmiu”.

3.Terrori Sigurimit të Shtetit mbi familjet, strehuesit e të arratisurve.

Arratisja e grupit të Dukatit tregoi dëshirën dhe trimërinë e dukatasve për të mos ju nënshtruar mizorisë dhe dhunës të Halim Xhelos e Kadri Hazbiut, të Hysni Kapos e Mehmet Sehut. Kjo arratisje e tronditi armën mizore të Sigurimit të Shtetit dhe e bëri atë më mizore dhe më të pashpirt. Me dhunën, terrorin dhe pabesinë që ushtruan në Dukat ata hodhën vëllanë kundër vëllait, duke shkelur çdo kod zakonor e ligjor të Shqipëtarëve.

Bashkë me grupin prej 9 vetash ishte nisur edhe Jazo Adem Jazaj në atë kohë 63 vjeç i cili nuk mundi t’i ndiqte shokët sepse u sëmur. Shokët e porositën të strehohej te fshatari tyre besnik Sinan Ali Hamiti. Pas Sinanit, Jazo Ademi u strehua te Dervish Iliazi dhe në fund te Shyqyri Bodua, ku u kap më 31.8.1949, pas katër muajve në arrati në pyjet e Dukatit. Pas arrestimit të Jazo Ademit u arrestuan edhe14 burra të tjerë, për të cilët Gjykata e Shkallës së Parë me kryetar Vangjel Kocani dha për ta dënime çnjerzore:

Jazo Ademi, Sinan Ali Hamiti, Beqir Qamil Jazo, Haxhi Hasko, Mete Ali Myftari u dënuan me vdekje me pushkatim. Hysni Aliaj, Sinan Jazo, Dervish Jazo, Haxhi Qepi, dhe Shyqyri Bodo me 20 vjet burgim. Siri Jazaj, me 15 vjet, Zini Hamiti me 8 vjet, Dervish Ahmet Hibraj dhe Alem  Blushi me 7 vjet dhe Hasim Hamzo, me 2 vjet punë të detyruar.(Vendimi nr. 116, dt. 23.12.1949)

Por dora e ngrohtë e partisë siç dihet “mendonte” per popullin dhe dënmet me pushkatim i ktheu me burgim dhe të zezs dukatas u dergjën burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar për 25 vjet.

Për të gjith të dënuarit u vendos sekuestrimi i pasurisë dhe humbja e të drejtave elektorale.

Të dhjetë familjet e të arratisurve u internuan .

Çfarë kishin bërë këta burra që u dënuan me vdekje dhe familjet e tyre u internuan?

Të 15 burrat e dënuar ishin fshatarë, bujq e blektorë, pa arsim ose e shumta me arsimin fillore. E tërë jeta e tyre kishte shkuar pas bagëtive ose në ara, por ata ishin me ndjenja kombëtare dhe nuhatja e mençurisë popullore i kishte shpurë në përfundimin se komunizmi ishte sistem çnjerzor prandaj duhet të luftonin dhe të mos nënshtroheshin.

Jazo Ademi ka deklaruar në hetuesi nën tortura çnjerzore: “Jam analfabet, me profesion bari dhe bujk… Pushteti më ka marrë më tepër se njemijë kokë bagëti: dhën, dhi, lopë e qe. Kam biseduar me Xhelo Koçinë, sot i arrtisur, dhe thoshim si do bëjmë se keshëm frikë mos na arrestojnë si kulakë dhe na vrasin se Xhelua më thosh kulakët në Rusi i kanë vrarë… Traktorë për tokën ne nuk na jepnim se ishim kulakë. Kështu ditën vejm me dhën dhe natën diheshim jashtë… Kështu që unë u nisa për t’u arratisur, por në rrugë u sëmura dhe rashë si i vdekur, Gani Hamiti dhe Xheloi Koçiu më vunë dorën në ballë dhe më thanë kur të mngrihesh shko te Sinan Ali Hamiti, se atje do vim të të marrim” (Arkivi MPB, F.1, D. 1474)

Ky ishte i tërë faji i Jazo Ademit, ndërsa faji i Sinan Hamitit, i Shyqyri Bodos që dënoheshin me vdekje ishte se kishin strehuar Adem Jazon që siç thoshin hetuesit komunistë ishte armik i popullit!

 

4.Jeta e mundimshme e Veledin Bilbil Çapaj (1903-1981)

Veledini ruante zakonet, traditat dhe ishte njeri bujar. Ai i urrente komunistet dhe thosh: “Këta brashnjarë duan të bëjnë popullin të hajë në gavetë si ushtarët. Dinte italisht e nuhaste të keqen dhe e evitonte. Paratë i kthente në kapital.

Ai u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe më 5 gusht 1943, ka marrë pjesë në luftën në Llogora. Pas kësaj lufte italianët bënë raprezalje dhe kontrolle në fshat dhe arrestuan: Veledin Bilbilin, Xhafer Asllan Çapaj, Sadudin Ahmet Alushi dhe Musa Goxhon. Musa Goxhua ju dha italianëve 3-4 qypa me mjaltë dhe shpëtoi. Tre të tjerët i çuan për ti pushkatuar. Veledini e dinte italisht dhe e kuptoi që do i pushkatonin, prandaj u thotë shokëve të iknin me vrap. Ndërsa Veledini u nis me vrap, shokët hezituan për momentin dhe pastaj u nisën dhe ata. Xhafer Çapaj dhe Sadudin Alushi u vranë nga plumbat e fashistëve dhe u shpallën dëshmor, Veledini shpëtoi.

Në pranverën e vitit 1943, zbarkoi në gadishullin e Karabarunit misioni Anglo-Amerikan i cili u prit nga Skënder Muço, Hodo Meto, Veledin Bilbili, Sulejmën Meço, Maliq Koshena, Gani Hamiti, Halim Hodo, Çane Dervishi, Axhem Imeri, Xhelil Imeri etj.

Veledini zotëronte një pasuri të madhe tokë arë, kullota e pyje si dhe 4 shtëpi 2 në Dukat dhe 2 në Kepin e Gjuhzës Karaburun, 750 dynym tokë etj.

Ndërmjet burrave të shquar të Dukatit si Shaqir Bejua, Xhelo Koçiu , Cane Dervishi, Azem Shehu, Jazo Ademi, Ahmet Blyshi, Shyqyri Mislliu, Xhezo Mislliu, Axhem Imeri, Maliq Koshma, Xhelil Imeri, Çelo Imeri, Ahmet Mëhilli, Selman Hamiti, Hamdi Gjoni etj., përmëndej edhe emri Veledin Bilbil Çapaj.

Më 1943 komunisti Salo Petoshati po u fliste fshatarëve të tij Dukatas dhe u tosh: “Partia jonë i ka rrënjët në shkëmb…” Aty kaloi edhe Veledin Bilbili shoqëruar me Shaqir Bejua e Cane Dervishi. Kur e dëgjoi Veledini i tha Salo komunistit: “Partia juaj i ka rrënjët tek gënjeshtra e pabesia vrasëse, e në i pastë në shkëmb, një ditë ai shkëmb do të bëhet pluhur dhe do ta marrë era, të m’i mbash mënt këto fjalë o Salo komunisti.

Nën shtypjen e komunistëve,tre herë i arrestuar, dy herë i shpëton arrestimit.

Oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit Mustafa Hoxha, ka lënë kujtimet e tij në shërbim të diktaturës komuniste, ku shkruan ndërmjet të tjerave edhe për Veledin Bilbilin:  “Veledini, pas çlirimit, nisi një fushatë të hapur anti-qeveritare. Ai propogandonte parulla për të përmbysyr rendin socialist. Në Dukat njihet historia e Murat Goxhos i cili kish qenë ushtar në Turqi, erdhi lajmi se qe vrarë dhe njerëzit e qanë. Më pas Murati erdhi i gjallë në fshat dhe dukatasit thoshin: “U ngjall Murati”. Veledini e përdorte këtë shprehje “U ngjall Murati” që kishte kuptimin që u ngjallën Anglo-Amerikanët dhe po vijnë!”.

Në vitin 1947, i sigurtë se do t’ja merrnin mallin e gjënë një pjesë të plaçkave  i transportoi dhe i fshehu tek miku i tij besnik Musa Gaxho.

Ai ishte i lidhur edhe me desantët ose emisarët e lirisë që vinin nga bota e lirë për të luftuar këtu në atdheun e tyre me kuçedrën e kuqe. Kështu ndërmjet të tjerëve ai ka strehuar në Zabrek të Dukatit në një kasolle për 15 ditë rresht Izet Vrazhdon, Lahe Nuron dhe Ahmet Kukën. Këto lëvizje të tij kishin rënë në sy të Sigurimit dhe spiunëve dukatas që përgjonin natë e ditë, prandaj ai ishte në shënjestër.

Për këtë veprimtari antikomuniste Veledini u arrestua tre herë, por falë inteligjencës tij natyrore, shkathtësisë, miqsisë dhe qëndresës, komunistët nuk mundën në asnjë rast të provonin fajsinë e tij.  Dy herë të tjera ai me guxim dhe shkathtësi i shpëtoi arrestimit, kur bandat e ndjekjes i trokitën në derë të shtëpisë.

Herën e parë e arrestuan më 1945 për vrasjen e një partizani dhe për arrestimin e Ramadan Alushit. Për 45 ditë rresht u torturua në hetuesi, por u lirua për mungesë provash.

Herën e dytë e arrestuan në shtator 1948 në Himarë, ku Veledini kish vajtur për të biseduar me miqt e tij për t’u arratisur në Greqi. Këtë herë ai u ndihmua nga Izeir Nuhu, çam, oficer Sigurimi, por që kish ndenjur në Dukat e qe ndihmuar prej familjes së Veledinit.

Kështu vazhduan ta arrestonin Veledin Bilbilin. Herën e katërt që vanë për ta arrestuar, Sigurimi e gjeti Veledinin maje çatisë duke rregulluar tjegullat.

  • Hyni brenda, – u tha Veledini – se po zbres!

Në fakt Veledini zbriti dhe kaloi nga dera e pasme e shtëpisë dhe nga ai moment u hodh në arrati, i ndjekur kudo këmba këmbës prej bandave të Sigurimit të Shtetit dhe spiunëve të tyre.

Në vitin 1949, ai u dënua me vdekje në mungesë dhe në vitin 1959, ai nuk u fal prej qeverisë shqipëtare.

 

Në arrti në tokën mëmë.

Ai flinte me net të tëra jashtë. Në netët e ftohta gdhihej në kasollet e bagëtive në mal, që ishin bosh. Kur vinte darka bashkë me errësirën e shoqja Velideja bashkë me të birin Idain vinin përpara një ka të cilit i kishin lidhur posht barkut një trastë me ushqime dhe ia shpinin Veledinit. Po të takonin njeri do të thoshin se po ja çojnë të zotit Musa Goxhos. Dhe nëse do ta takonin kur të ktheheshin do të thoshin se na pati ikur kau dhe e gjetëm këtej nga Goxhajt! Kështu ngryseshin dhe gdhiheshin netë të tëra.

Veledini sipas sinjalit që merrte nga e shoqia dhe i biri vente edhe në shtëpi për t’u ndërruar. Ata ishin marre vesh për këtë sinjal: E shoqia dhe i biri kontrollonin territorin dhe nëse nuk do të shihnin ndonjë gjë të dyshimtë të hidhnin në mur një qylym të kuq. Një ditë në të errur Veledini pa qilimin e kuq dhe mbriti në shtëpi me shpejtësi të madhe. Nuk kaluan as pesë minuta dhe trokiti porta. Ishte hera e parë që Veledini nuk e mendoi të keqen dhe doli vetë e hapi derën. Kur ç’të shoh forcat e ndjekjes të armatosur.

– Erdha, u tha Veledini, sa të marr kapelen! Ai u fut brenda dhe me shkathtësinë që e karakterizonte iku nga dera e pasme e shtëpisë duke kaluar mure e gjerdhe.

Kjo ishte hera e pestë që ai u shpëtonte bandave komuniste dhe dita e fundit në shtëpinë e tij, prej asaj dite ai nuk u kthye më kurrë në shtëpi dhe nuk i pa as gruan, as të dashurit e tij dhe as shtëpitë dhe pronat e tij të shumta që i kish ngritur me aq punë e djersë.

Sigurimi i Shtetit e ndiqte tashmë këmba-këmbës. Ai ku gdhihej një natë nuk gdhihej një natë tjetër. Sa merrte vesh Sigurimi se ku gjendej, ai kishte ikur që andej. Nder dhe respekt gjithë familjeve dukatase që e mbajtën e fshehën dhe e strehuan birin e tyre, ashtu si shumë bij të tjerë të tyre. Pas vitit 1990, në liri këto familje trime e fisnike tregojnë për Veledinin se ai e kalonte natën më shumë në këmbë se sa shtrirë në ato krevata dërrase që i ofronte fshatari i varfër por i ndershëm dhe që priste orën katër të mëngjesit që të mund të largohej e të mos e gjenin aty hijet e zeza të Sigurimit.

Fadili, djali i Veledinit shkruan në kujtimet e tij: “Babai iku, por si iku shpirti i tij e di. Si u shkëput nga ajo shtëpi me dhimbje e mall, për gruan që e la vetëm në moshë të re, me dhimbje për 6 fëmijët e tij të dashur, që po i linte prapa. Po linte prapa gjithë djersën e tij, gjakun e tij. Punën që e kish kthyer në kapital, por koka vlente më shumë se gjith kapitali etj. Gruaja nuk do të shihte më burrin, strehën e shtëpisë që për pak vite që jetuan bashkë, kaluan një jetë të mire. Fëmijët do qajnë dhe s’do u thotë më goja baba. Nuk do të bëjë më hije në atë vend ku kish jetuar, punuar e luftuar për 45 vjet me rradhë. Fëmijëve ju mbetej vetëm çiftja e varur në mur. Këtë armë nuk do ta preki më dora e atij burri trim, hije rëndë dhe mëndjemprehtë”. Fadili vazhdoi më poshtë:

“Por që tragjedia familjare të quhej e plotë dhe që të kënaqte bishat komuniste duhej që bashkë me arratisjen e babait të internohej edhe nëna. Një nënë shqipëtare e re në moshë duhej të largohej me dhunë nga çerdhja e saj familjare edhe pse ishte e pastër e ndershmë dhe pa asnjë faj. Ajo çerdhe e porsa krijuar me dallëndyshe të vogla duhej të prishej. Edhe pse dallëndyshet e vogla sapo kishin filluar të cicëronin. Ende nuk kishin lëshuar krahë për të fluturuar. Edhe më të mëdhenjtë që mendonin se kishin krahë, ua preu komunizmi dhe i la cung”.

Kuçedra e kuqe qe vërsulur me egërsi, si e tërbuar mbi një grua me një foshnjë dy muaj në gji dhe 5 fëmijë të mitur, njerëz të pafajshëm, por Sigurimi duhej të realizonte qëllimet e tij makabre. Kështu gruaja e Veledin Bilbilit, me një foshnjë në gji dhe me dy djemtë e mëdhenj u internuan në disa kampe. Tre fëmijët e tjerë të mitur mbetën vetëm në mes të katër rrugëve.

Siç ka treguar në emigracion, Veledini diku i fshehur e kishte parë nga larg me hidhërim këtë skenë tragjike të internimit të gruas dhe fëmijëve të tij të mitur.

Para kësaj skene Veledini mendoi se s’kishte ç’të bënte më në Dukat. Iku në Dhërmi tek miqtë e tij Thanas Dallfa për ta ndihmuar që të arratisej në Greqi. Miku i besës shpejt i gjeti një anije greke dhe nga Spileja e Himarës Veledini u gdhi të nesërmen në Greqi. Ishte 15 nëntor 1948.

 

Në emigracion dhe desant i lirisë.

Jetën e vështirë të emigracionit Veledini e nisi në një kamp refugjatësh në Greqi e Itali. Por ai nuk hoqi dorë asnjëherë dhe deri në fund të jetës nga lufta kundër komunizmit. Janë këto arsyet që ai tre- katër herë ka ardhur si desant në Shqipëri.

Në Greqi ai bije në kontraditë me disa shqiptarë për bindje politike dhe jep dorëheqje përfundimisht prej Ballit Kombëtar dhe kalon në Partinë e Legalitetit. Në dasmën e Leka Zogut ai ka shpurë si dhuratë një mijë dollarë, shumë e cila tërhoqi vëmendjen e trashëgimtarit të fronit dhe prej atij momenti ata mbeten miq deri në fund të jetës.

Më vonë kushëriri i tij i parë Shaqir Bejo e tërhoqi atë në Kanada së bashku me Cane Dervishin dhe djalin e tij, pas ca kohe shkoi në Çikago dhe së fundi jetoi në Detroid së bashku me kunatin e tij Jaup Xhezo nga Tragjasi.

Veledin Bilbili e mbylli jetën në korrik të vitit 1981, nga një aksident automobilistik në Detroid të ShBA, zemërdjegur që nuk i pa asnjëherë as fëmijët dhe as Shqipërinë për të cilën luftoi tërë jetën. Dyvjet pas tij ndërroi jetë edhe Velideja, bashkshortja e tij besnike.

 

  1. Takimi i Fadilit me nënën pas 12 vjet ndarje, që nuk e njohu.

Mbasi u arratis Veledini, komunistët  internuan gruan e tij. Këtë grua fisnike dhe besnike ndaj të shoqit dhe Shqipërisë fillimisht e çuan në Tepelenë, pastaj në Lozhan të Korçës, Valias të Tiranës, Cërrik të Elbasanit dhe së fundi në Plug dhe Saver të Lushnjës. Po vazhdojmë tregimin, tashmë sipas kujtimeve të djalit të Veledinit, Fadilit:

“Nënën na e rrëmbyen në vjeshtë të vitit 1948, me një vajzë 2 muajshe në gji dhe dy djem mbi 14 vjeç. Tre fëmijë të tjerë të Veledinit më i madhi 7 vjeç, mbeten në fshat, në mes të katër rrugëve.

Zoti vetë ndërhyri dhe i tha një njeriu të mirë të merrte tre fëmijët e Veledinit e t’i mbante në prehërin e tij së bashku me fëmijët e tij. Zoti i dha atij njeriu të mirë forcën e mendjes për të ndriçuar udhën e mirësisë. Ashtu bëri një njeri i mirë Gani Çapaj. Në atë kohë të trazuar ku njeriu vuante nga urija po më shumë nga dhuna e Sigurimit të Shtetit një veprim i tillë është më shumë se heroizëm.

Gani Çapaj kish kurajon, trimërinë, zgjuarsinë, shpirtin e bukur dhe zemrën e madhe. E kjo barrë e rëndë që mori përsipër nuk ishte kohë e shkurtër por plot 12 vjet që nga 1948 deri më 1960-tën. Kështu tre fëmijët e Veledinit u rritën së bashku me pesë fëmijët e Ganiut. Ja çfarë bëri një njeri i ushqyer me ndjenjat e larta të dashurisë ndaj atdheut, me besimin tek Zoti, me mirësinë e shpirtit, ai u dha jetë krahas pesë fëmijëve të tij edhe tre fëmijëve të vegjël të Veledin Bilbilit të mbetur në rrugë.

Na e morën nënën. Kurrë nuk mund ta harroj atë skenë të dhimëshme edhe vdekja do të ishte më e lehtë. Na e morën nënën bashkë me dy vëllezër dhe një foshnjë. Përse na e morën nënën çfar kish bërë? Çfar mund të bëj një foshnjë e porsa lindur, që ia prishën çerdhën ku po flinte!

Motra dy muajshe kish si burim ushqimi gjirin e nënës. Po nëna e shkretë ku do të gjente pakë bukë që të mbante gjallë veten dhe foshnjën e sajë?

Ne të tre e kishim një çerdhe ku mblidheshim, shtëpin e xha Ganiut. Nga ne më e madhja ishte motra 7 vjeçe. Ajo zëvendësoi nënën që na e morën bishat. Motra e mjerë ngrihej natën na mbulonte. Na pyeste shpesh a kishim uri, sa për ta ditur se dhe ajo s’kish ku të gjentë asnjë kafshat bukë.

Xha Ganiu na dërgoi dhe në shkollë. Unë mësoja shumë. Kur vija nga shkolla veja më dhën. Por ngado që veja mëndjen nuk e hiqja nga nëna. Ah! Mendoja të kisha nënën do më thoshte ndonjë fjalë të ngrohtë e cila do ma ngrohte trupin e sfilitur, dhe fjala e ngrohtë është e ngrohtë!…

Kisha 12 vjet që isha ndarë me nënën dhe nuk e kisha parë asnjëherë. Më kishte lënë 8 vjeç më 1948-tën kur u ndamë dhe tani më 1960, unë isha 20 vjeç. Edhe nëna kishte 12 vjet të kaluar në vuajte e mjerim, pa bukë e pa ujë, pa dashuri, pa familje e ndarë për së gjalli me njerëzit dhe me fëmijët e saj. E kishin plakur shumë, por nuk ja kishin prishur shpirtin e saj të bukur…

Kështu pas 12 vjetësh xha Ganiut në Dukat i erdhi një letër nga nëna, e që morëm vesh se ajo ishte internuar në Savër të Lushnjës. Ajo shkruante: “I dashur vëlla Gani! Të lutem me përgjërim m’i sill një herë të tre fëmijët ti shoh dhe le të vdes”. Burri fisnik na veshi e na ngjeshi me ato që kish dhe me të u nisëm për të takuar nënën pas 12 vjetëve pa e parë.

Në Plug të Lushnjës mbritën pas mesdite. Në arat e pafundme të Lushnjës shumë gra ishin duke prashitur. Mua më dërgoi xha Ganiu të pyesja për nënën:

– Ku është Velide Çapaj? – pyeta gratë e para që takova.

– Çfarë e ke? – më pyetën ato.

– Nënë! – u thash unë.

– Është në fund të arës, më thanë ato gra të lodhura dhe të drobitura, ajo me atë fëmijën pranë.

Pasi mbrita në fund të arës ju drejtova gruas që prashiste dhe që kish pranë një vajzë rreth 10-12 vjeçe.

-O shoqe, i thashë asaj gruaje, a e njihni Valide Çapajn?

– E ç’e do a të keqen nëna? – më tha ajo.

– E kërkojnë në xhade, – i thashë unë.

Gruaja e vuajtur mi nguli sytë mirë, filloi të marrë frymë si me zor dhe më pyeti:

– Po ti i kujt je dhe nga je mor bir?

– Jam nga Dukati, i biri i Gani Çapaj, e gënjeva unë.

Gruaja mu qas pranë dhe po më vështronte nga lart poshtë, po ashtu bëri dhe vajza e saj, të dyja më vunë në mes dhe po më shikonin si të shastisura. Mua filloi të më rrihte zemra fort.

– Mos më gënje, të keqen nëna, më tha ajo. Gani Çapaj nuk ka djalë të madh, mos je ti Fadil?, – më pyeti me zë të dridhur.

– Po, i thashë unë.

Nëna e mjera ra përdhë, ndërsa vajza e saj mu hodh në qafë duke më puthur.

  • Të keqen motra, të keqen motra!

Ajo plakë që nuk e njoha ishte nëna ime, ajo vajzë që nuk e njoha ishte motra ime. Ishim ndarë me të kur ishte 2 muajshë dhe tani po e shihja 12 vjeçe.

Kjo është drama ime, po sa drama të tilla ka në Shqipëri shkaktuar prej komunistëve barbarë. Hodha sytë nga fusha dhe pyeta veten mos vallë edhe fëmijët e këtyre grave të mjera, nuk i njohin nënat e tyre kështu si dhe unë?

Prej atij moment edhe ne të tre fëmijët e mbetur jetim me nënë dhe babë gjallë u bashkuam me nënën pas 12 vjetësh dhe jetuam në Savër të Lushnjës”.

VELEDIN BILBILI DHE GRUPI “ARMIQËSOR” I DUKATIT Read More »

Raporti i fshehtë i CIA-s: Mehmet Shehu agjent i…është pesë kokë mbi të tjerët, por Enveri…

Ndonëse Shqipëria ishte një vendi i izoluar për shumë vite pas Luftës së Dytë Botërore, kjo nuk do të thotë se shërbimet e fshehta amerikane nuk kishin informacion se çfarë po ndodhte. CIA dhe Agjencia Qendrore e Informacionit të SHBA-ve, ka pasur vazhdimisht në qendër të vëmendjes zhvillimet e brendshme për kreun e partisë dhe të shtetit komunist, duke qëmtuar informacione të rregullta për ecurinë e tyre. Ajo, madje, interesohej për shëndetin e tyre, familjet, miqësitë, për karakterin, aftësitë, veset, lidhjet shoqërore, të shkuarën, manitë etj.

Burimet e informacionit kanë qenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga emigrantët politikë, agjentët e fshehtë brenda vendit, agjentët e dërguar nga jashtë, vizitorët që ktheheshin nga Shqipëria, gazetarët, shtypin shqiptar dhe të huaj, diplomatët, shërbimet e huaja, sidomos ato jugosllave, greke dhe italiane. Në ciklin që po publikojmë veçohen raportet për mënyrën si CIA vëzhgonte rivalitetin ndërmjet Hoxhës, shefit të Partisë dhe Shehut, kreut të Ekzekutivit shqiptar, që vinte në këtë post nga detyra e ministrit të Brendshëm…

BEQIR SKRELI

Atë që e shikonin të gjithë nga jashtë, shqiptarët nuk e dalluan kurrë! Lufta për popullaritet midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut e ka shoqëruar deri në fund bashkekzistencën e tyre në krye të regjimit komunist në Shqipëri. Ka qenë kjo një nga aspektet më të rëndësishme të luftës për pushtet.

Jo rastësisht, shërbimet inteligjente amerikane, por jo vetëm, e kanë pasur në qendër të vëmendjes këtë çudi shqiptare. Dokumenti i CIA-s, i datës 15 tetor 1951, me titull “Lufta për popullaritet midis Hoxhës dhe Shehut”, bazuar në një “burim me kualifikim të shkëlqyer” thotë: “Sipas një burimi të besueshëm, Enver Hoxha, kreu komunist i Shqipërisë, është përfshirë në një “luftë të ashpër për popullaritet me të preferuarin e ri të Rusisë, gjeneral Mehmet Shehun”.

Arsyeja për këtë luftë, e cila po ndiqet me shumë vëmendje, është unike për një vend satelit të sovjetikëve. Hoxha, themeluesi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, bëri emër si udhëheqës i rezistencës gjatë luftës. Ashtu si edhe Titua, ai ka shumë shokë lufte. Për ambicien e tij personale dhe për të forcuar qeverinë, mbas prishjes së Jugosllavisë me Informbyronë, Hoxha filloi të popullarizonte veten si një Skënderbe i ri, heroi kombëtar shqiptar që mbrojti vendin nga turqit 500 vjet më parë.

Si pasojë e kësaj fushate të suksesshme, gjithmonë e më shumë komunizmi shqiptar po personifikohet më një njeri-Hoxhën. Ndërkohë, Rusia e shikon me dyshim popullaritetin në rritje të Hoxhës sepse në vendet satelite ajo dëshiron ta shpërndajë pushtetin midis shumë udhëheqësve komunistë, të cilët të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Megjithëse Hoxha e spastroi pa mëshirë partinë nga elementët titistë, autoriteti i tij në popull, i ngjashëm me të Titos, është objekt dyshimi për rusët.

Veç kësaj, bashkëpunimi i ngushtë i Hoxhës me jugosllavët gjatë dhe pas luftës, ka shumë të ngjarë të përdoret kundër tij prej rusëve kur ata duan të ngrenë të preferuarin e tyre-Shehun. (Gjatë luftës, dy divizione partizane shqiptare nxorën nga rrethimi forcat e Titos. Pas luftës, hegjemonia jugosllave mbi Shqipërinë ishte fakt i njohur. Ajo dukej në shumë shoqëri zhvillimi të përbashkëta jugosllavo-shqiptare, ekspertët jugosllavë që punonin në Shqipëri dhe më në fund propozimi i Titos për të pasur një monedhë të vetme, dinarin jugosllav). Gjeneral Shehu nuk mbart një barrë të tillë politike nga e kaluara, megjithëse ka mbajtur shumë poste në qeverinë e Hoxhës.

Më pak inteligjent dhe i shkolluar se Hoxha, Shehu mbështetet hapur nga ambasada sovjetike në Tiranë, e cila gjithmonë e më shumë po e konsideron atë si njeri të besuar veçanërisht në çështjet ushtarake. Kjo luftë e brendshme midis Hoxhës dhe Shehut është mbajtur me zgjuarsi fshehur nga populli, i cili s’di gjë fare për të. Në takimin CIA-UDB, 16-17 shkurt 1953, u tha se ambasadori rus Chuvakhin, para eliminimit të Koçi Xoxes, kishte detyruar Enverin të pranonte Mehmet Shehun në Komitetin Qendror, nga i cili qe përjashtuar me iniciativën e Koçit.

Si shprehje të kësaj lufte për popullaritet në një dokument të CIA-s të 22 dhjetorit 1949 citohet nga “Neë York Herald Tribune” se, “sipas raporteve prej qarqeve komuniste në Tiranë, në muret e zyrave shtetërore po vendosen fotografitë e Gjeneral Shehut, kurse nga disa ndërtesa janë hequr fotografitë e Gjeneral Hoxhës”. Të bën përshtypje popullarizimi i emrit të Mehmet Shehut prej gazetarit të “Neë York Times”, Cyrus L. Sulzberger, të njohur për lidhjet e tij me shërbimet e fshehta.

Më 19 dhjetor 1944, kur rangu i Mehmet Shehut ishte më i ulët nga ai i shumë udhëheqësve të tjerë, Sulzberger e quan atë që po ndodhte në Shqipëri “Lëvizje të udhëhequr nga Kryeministri Hoxha dhe Mehmet Shehu”. Pesha që ai i atribuon këtu Mehmet Shehut duket pak e çuditshme po të kujtojmë se në një artikull mbi Shqipërinë, të botuar më 21 korrik 1944, Sulzberger përmend të gjithë krerët shqiptarë të luftës, nga të gjitha krahët e spektrit politik, por jo Mehmet Shehun.

Kur u bë Mehmet Shehu për 4 muaj “Numri 2” kur ishin akoma shumë të fuqishëm, Koçi Xoxja, Nako Spirua, Sejfulla Malëshova etj? Ngritja e Mehmetit në këtë rang në këtë periudhë, duket më tepër dëshirë e Sulzbergerit për ta popullarizuar figurën e Mehmetit sesa pasqyron realitetin e kohës. Më vonë, më 19 janar 1950, ai e cilësonte Mehmet Shehun si “njeriu i fortë i vendit të vogël ballkanik, i shkolluar në Moskë, shefi i Sigurimit të shtetit dhe ndoshta personi më i fuqishëm në vend pa përjashtuar madje as Kryeministrin Enver Hoxha”.

Më 27 mars të po atij viti, ai e quan Mehmetin “Agjenti shqiptar më i besuar i Bashkimit Sovjetik”, “Zoti Shehu është pa dyshim udhëheqësi shqiptar më i besuar”, kurse “Vetë zoti Hoxha nuk është i sigurt për të ardhmen e tij”. Mehmet Shehu, me gjithë përpjekjet e tij dhe përkrahjen e të tjerëve për ta fituar luftën për popullaritet me Enver Hoxhën, e kishte të pamundur.

Në dokumentin e CIAs datë 28 dhjetor 1962, një bashkëpunëtor që i njihte mirë të dy shkruan: “Zakonisht e sidomos këtu në Greqi, (me sa kam kuptuar) mendohet se frenat e situatës në Shqipëri i ka më tepër Mehmet Shehu. Nuk jam i këtij mendimi. Mendoj se frenat e Shqipërisë, edhe në momentet më kritike për të, (1948), i ka pasur Enveri. Opinioni im është ky: Mehmeti është bashkëpunëtori i tij më i ngushtë; dora e djathtë e tij. Diktatori i vërtetë ka qenë dhe mbetet Enveri. Në rast se Mehmet Shehu është pesë kokë përmbi udhëheqësit e tjerë të partisë, nuk pushon, prapë se prapë, të jetë një kokë më poshtë sesa Enveri. Enveri ka qëndruar kurdoherë gjashtë kokë përmbi të tjerët. Tek–tuk, në shtypin e lirë, figuron mendimi se Enveri nuk është njeri me puls, se ka një karakter më tepër të butë e që pëson ndikimin e ndonjë tjetri. Nuk pajtohem as me këtë opinion. Edhe puls ka, edhe karakter ka. Pa asnjë dyshim, Mehmeti është më i egër; temperamenti i tij është më i spikatur. Merita të domosdoshme këto për një udhëheqës në një regjim totalitar. Mirëpo këtu nuk duhet harruar fakti se krahas këtyre meritave, Mehmeti ka edhe të meta të mëdha; është kapriçoz, i rrëmbyer dhe ka kurdoherë nevojë për ndokënd që ta përmbajë. Aq më tepër sepse dëshirat e tij i merr për realitete, sepse udhëhiqet shumë nga pasionet e tij personale, sepse rrëmbehet nga sukseset e çastit. Ndryshe nga Mehmeti, Enveri është më tepër politik, më tepër diplomat, më realist. E tërë jeta e tij tregon se sekretari i parë i sotëm i K.Q. është udhëhequr nga parimi “mat shtatë erë e prit një herë”.

Ndryshe nga Mehmeti që është sanguin, Enveri di të shtrijë këmbët sa është krevati. Nuk i mungon pastaj, as guximi, as pulsi. Enveri nuk ka guximin e një ushtaraku kapadai (siç është Mehmeti), por atë të një diplomati të talentuar që di të bëjë lëshime kur ato janë të domosdoshme dhe të paevitueshme. Ndryshe nga Mehmeti që është ekstremist intransigjent Enveri ka turua (common sense). Pa dyshim, Enveri është njeri shumë i respektuar në parti. Ai është udhëheqës i padiskutueshëm në Shqipëri”. Në një dokument të CIA-s, që mban datën 31 korrik 1956, citohet një burim, i cili ngre lart aftësitë oratorike të Enverit. “Enver Hoxha është i aftë të mbajë fjalime publike me efekt të konsiderueshëm, madje duke i bërë disa edhe të derdhin lot”.

Kush ishte Cyrus L. Sulzberger

Cyrus L. Sulzberger, ishte nipi i pronarit të Neë York Times. Falë inteligjencës dhe kulturës së tij, përpos lidhjeve të shumta me qarqet e larta dhe shërbimet e fshehta, për gati 40 vjet, ka pasur një rol shumë të veçantë si gazetar, mesazher, por edhe si këshilltar. Ndoshta do të ishte e padrejtë mos të përmendim faktin që ishte dhëndër grek dhe i dashuruar me jugosllavët, çfarë ndikonte që mos t’i kishte shumë për zemër shqiptarët.

Ai njihet në Shqipëri për reagimin e ashpër që ka patur Enver Hoxha kundër tij. Sakaq, me rrëzimin e komunizmit Cyrus L. Sulzberger vizitoi për herë të parë Tiranën dhe zhvilloi një bisedë diskrete me Ramiz Alinë, asokohe president I republikës dhe figura numur Një e Partisë në pushtet./korrieri

Raporti i fshehtë i CIA-s: Mehmet Shehu agjent i…është pesë kokë mbi të tjerët, por Enveri… Read More »

Kur Enver Hoxha vendosi ta eliminonte Mehmet Shehun

Ignacio Vidal-Folch

Kur Enver Hoxha vendosi ta eliminonte Mehmet Shehun (në vjeshtën e 1981-shit), në një nga spastrimet periodike paranojake me të cilat kërkonte të imunizohej nga puçet e mundshme brenda pallatit dhe nga spiunazhi i të gjitha fuqive armike të botës, edhe familja e atij njeriu, gjer atëherë të pushtetshëm dhe të frikshëm (që kishte qenë shok i Hoxhës qysh nga vitet e luftës partizane kundër pushtuesve italianë), ra në fatkeqësi, sipas normës së diktaturave të orientalizuara.

Për Mehmet Shehun s’u mor vesh më asgjë. I biri, Bashkimi, hyri në burg, prej ku do të dilte pas vitesh të shumta, me shembjen e botës komuniste, i shndërruar në shkrimtar.

Po çfarë shkrimtari se! Romanet e tij, të shkruara në Barcelonën ku jeton, të gjitha të shkëlqyera, janë të mbrujtura me këto përvoja kafkiane, frymojnë atmosferën toksike që është karakteristike për totalitarizmin e burgjeve, një botë e çuditshme, në kufijtë e marrëzisë së kulluar, dhe shpalosen, duke u mbështetur në përvetësimin e kulturës europiane moderne, përmes dëshirës për të ndriçuar kuptimin e fshehtë të përvojës së tragjedisë dhe përmes një rrugëdaljeje inteligjente.

Sapo është botuar (nga “Siruela”) Angelus Novus, titull (dhe subjekt) që i referohet akuarelit të famshëm të Paul Klee-së, që e ka pasur njëfarë kohe Walter Benjamin-i, i cili, kur u nis të ikte në Shtetet e Bashkuara duke kaluar nga Spanja, ia besoi Georges Bataille-it, pastaj u bë e Theodor Adorno-s, pastaj e Gershom Scholem-it, ndërsa tani ndodhet në muzeun e Izraelit, në Jerusalem.

Benjamin-i ka shkruar (dhe falë atij shkrimi ky akuarel është vepra më e famshme e Klee-së) se engjëlli i hutuar i kësaj tabloje është “engjëlli i Historisë”:

“Fytyrën e mban të kthyer nga e kaluara. Aty ku ne shohim një vargëzim ngjarjesh, ai shikon një katastrofë të vetme, që grumbullon gërmadha mbi gërmadha duke i hedhur te këmbët e tij.

Ai do të donte vërtet të rrinte e të vonohej, t’i zgjonte të vdekurit dhe të mblidhte gjithçka të copëtuar.

Mirëpo, ndërkaq, nga parajsa fryn shakullina e një shtrëngate që përplaset në flatrat e tij, aq furishëm sa ai, engjëlli, më nuk mund t’i mbyllë. Kjo shakullinë shtrëngate e shtyn pandalshëm drejt një të ardhmeje, së cilës ai i ka kthyer shpinën, teksa pirgu i gërmadhave përpara tij lartohet gjer në qiell. Kjo shtrëngatë është ajo që quajmë progres”.

Edhe Shehu është ai Angelus Novus, ai Walter Benjamin që, pas Anschluss-it, pyeste veten “nëse është i mundshëm një konceptim i kuptimshëm i vuajtjes dhe i vdekjes”.

Por, nëse do të thosha që romani i sapodalë është një meditim mbi jetën, veprën dhe vdekjen e parakohshme dhe tragjike të Walter Benjamin-it, lexuesi potencial ndoshta do të sprapsej, ngaqë Benjamin-i është mendimtari më i përmendur nga gjithfarë mashtruesish e snobësh intelektualë në këto tridhjetë vjetët e fundit, një epidemi e vërtetë.

Dhe do të ishte gjynah. Angelus Novus është, gjithashtu, rrëfimi i miqësisë së fortë dhe i bisedave meditative të autorit me një bashkëvuajtës të quajtur Mark Gjoka, tek bëjnë shëtitje në oborrin e burgut të Burrelit, ashtu si grekët e lashtë në Stoa.

Një jetë në robëri dhe e varfër, e thjeshtuar gjer në kockë, si të thuash, por ndoshta pikërisht për këtë përjetohet dhe kujtohet intensivisht, njëlloj sikurse dhimbja e një plage na bën të vetëdijshëm për organin e dëmtuar.

Liria dhe njohja, ndoshta, mund të ndihen më shumë si aspiratë sesa përvojë e arritshme. Mungesa e tyre është prania e tyre.

Ky roman i shkurtër, i përpiktë, mbi miqësinë dhe njohjen (dhe mbi Walter Benjamin-in), portretizim i tre apo katër ritakimeve të Mark Gjokës, të cilin, ashtu si mendimtarin gjerman, liria e priste (duke vështruar sahatin) në Shtetet e Bashkuara, arrin të plazmohet në mënyrë të mahnitshme dhe befasuese si monument i një të burgosuri që, pasi lirohet, bëhet mendim, duke u përpjekur të përfundojë atë punë që engjëlli, i rrëmbyer nga stuhia, me krahë të shqyer, i shtyrë drejt progresit, nuk mundi ta përfundonte.njekomb

Kur Enver Hoxha vendosi ta eliminonte Mehmet Shehun Read More »

Gjon Kastrioti dhe Dardania

Patty Haxhiaj

Burimet historike kanë të dhëna të pakta për praninë e Kastriotëve në Dardani. Ato janë të drejtëpërdrejta dhe të tërthorta, ndaj dhe nuk janë vlerësuar nga burimet historike. Kryesisht ato kanë të bëjnë me taksat doganore që paguheshin në rrjetet tregtare që lidhte bregdetin me Dardaninë dhe që kalonin në zotërimet e Gjon Kastriotit.

Dokumenti i parë është një letër e Gjon Kastriotit e 25 shkurtit të vitit 1420. Në të tregohet se duke nisur nga perëndimi për në lindje, zotërimet e Gjon Kastriotit shtriheshin nga Shufadaja, që ishte port dhe qendër doganore e Gjon Kastriotit në grykëderdhjen e lumit Mat, dhe arrinin deri në Prizren (Illyrich-albanische Forschungen, I, Munchen und Leipizig, 1916, fq 146).

Ky qytet e vendkryqëzim rrugësh ndërkrahinore shumë të rëndësishme është treguar nga vetë Gjon Kastrioti se ka qenë në zotërimin e tij. Rrjedhimisht edhe treva e Prizrenit ka qenë nën zotërimin e Kastriotëve, dmth pjesa jugore e rrafshit të Dukagjinit të sotëm dhe malësia e Sharrit.

Në një dokument tjetër, i vitit 1426(Jovan Radoniç, Durad Kastriot Skanderbeg I arbania u XV veku, Beograd 1942, fq 2-3)po nga Gjon Kastrioti dëshmohet se krahina e Rekës, rrjedhimisht edhe ana jugore e Sharrit, ka qenë nën zotërimin e tij.
Se deri ku ishte shtrirja lindore e zotërimeve të Kastriotëve në rrugën Prizren-Prishtinë e tregon me përafërsi një dokument i 13 shtatorit të vitit 1430.

Dokumenti është shkruar pasi ushtritë osmane kishin shtypur kryengritjen e Gjon Kastriotit dhe kur një pjesë e zotërimeve të tij në Dardani kishin kaluar në duart e pushtuesve. Në të janë shënuar porositë për ambasadorët raguzianë që do të shkonin tek komandanti Osman i Shkupit dhe te sulltani.

Ndër të tjera ambasadorët janë porositur që kur të arrinin në Prishtinë, të pyesnin për taksat doganore që”paguhen nëpër vendin që ka qenë i Gjon Kastriotit deri në Lezhë(Historijski arhiv, Dubrovnik, Lettere e comissioni di Levante, reg XI, 12 v)”. Dokumenti ka një të dhënë shumë të rëndësishme. Ai tregon se banorët e Prishtinës i njihnin taksat doganore që ishin paguar në vendin e Gjonit.

Nga Prishtina deri në Prizren sot janë 76 km rrugë automobilistike. Të dy këto qytete janë ngritur rrëzë maleve dhe në anë të dy fushave të gjera e pjellore. Fushat janë ndarë midis tyre prej një treve kodrinore e malore me gjerësi 28 km dhe që është më afër Prizrenit(20 km) se Prishtinës (28 km).

Gjithashtu si qytet mesjetar Prizreni ka qenë mëiI rëndësishëm se Prishtina. Rrjedhimisht dhe treva malore midis këtyre dy qyteteve ka qenë e lidhur më shumë me Prizrenin edhe për shkaqe ekonomike, për kripë e mallrat ë tjera që vinin nga trevat bregdetare dhe nëpërmjet Prizrenit kalonin në drejtim të viseve lindore.

Me Prizrenin ka qenë e lidhur ngushtësisht edhe treva e Tetovës e më gjerë, prandaj ato kanë qenë përfshirë në të njëtën njësi administrative të kishës katolike dhe më pas të administratës osmane.

Nëpërmjet të dhënave të tërthorta nga burimet historike arrihet në përfundimin se krahas trevës së Prizrenit, Gjon Kastrioti ka zotëruar dhe trevën kodrinore që ndante fushën perëndimore të Dardanisë nga fusha lindore e saj, si dhe rrugën që lidhte Prizrenin me Tetovën.
Lidhjet historike ndërkrahinore, interesat ekonomike të banorëve të zotërimeve të tij dhe lidhjet familjare kishin bërë që Gjon Kastrioti të martohej me Vojsavën, në zotërimin familjar të së cilës ishte Pollogu, trevë që sipas Main Barletit kufizohej me qytetin e Shkupit.
Të njëjtat motive e shtynë Gjon Kastriotin që vajzën e parë të tij, Marën ta martonte me sundimtarin e Gentës, Stefan Gjurashin. Nëpërmjet kësaj martese Gjon Kastrioti dhe dhëndri i tij zotëronin Udhën e Gentës, që lidhte bregdetin me Dardaninë.

Qytetet bregdetare, si Kotorri furnizoheshin me drithë prej Gjon Kastriotit. Në tetor të vitit 1413, kur Vendiku atë, fëmijët e trashëgimtarët e tij i bëri “qytetarë venecianë”,Gjon Kastrioti është cilësuar “sundimtar në viset e Bosnjës”. Kjo dëshmon se zotërimet e tij shtriheshin në Shqipërinë e Epërme, e cila në mesjetë kufizohej në veri me Bosnjën.

Disa muaj më parë, në mars të vitit 1413, Gjon Kastrioti ishte bërë dhe qytetar i Raguzës, qytet shtet që kishte interesa të veçanta ekonomike në Dardani, ku jetonin dhe tregtarë raguzianë. Jeta politike në Dardani u decentralizua në fund të shekullit XIV me rënien e Balshajve dhe pas vdekjes së sundimtarit të trevave lindore të saj, Vukë Brankoviçit.

Prandaj në mes të shekullit XV Dardania Lindore u regjistrua prej osmanëve me emrin e tij, “Vilajeti i Vukut”. Kjo dëshmon se Dardania Perëndimore nuk ka qenë nën pushtetin e Vukë Brankoviçit dhe se që nga fundi i shekullit XIV dhe deri në pushtimin Osman të shekullit XV, Dardania Lindore nuk është qeverisur prej një sundimtari të vetëm, por ka qenë e ndarë midis disa sundimtarëve, emrat e të cilëve kanë mbetur të panjohur.

Zotërimet kryesore të Gjon Kastriotit kanë qenë në trevat lindore, prandaj ai ka bërë përpjekje të mëdha për të pasur dalje në det, dalje që në fillim të shekullit XV, ka nisur me Shufadanë, në grykëderdhjen e lumit Mat, dhe është vijuar me përpjekjet për t’u shtrirë drejt veriut.

Në vitin 1410 ai kishte kërkuar të kishte banesë në Ulqin, të cilën e ka siguruar, sepse në vitin 1469 gruaja dhe djali i Skëndërbeut kanë ndenjur aty gjatë udhëtimit drejt Italisë me të birin.
Përdorimi i sllavishtes, si gjuhë e shkruar prej kancelarisë së Skëndërbeut, dhe emrat vetjakë të fondit të kishës, në gjuhën sllave, që kishin disa fëmijë të tij, dëshmojnë se zotërimet kryesore të Kastriotëve dhe qendra administrative e tyre, kanë qenë në trevat ku si gjuhë kryesore kishtare dhe e shkruar është përdorur sllavishtja.

Një nga dëshmitë më të rëndësishme të Gjon Kastriotit është Prizreni. Ai ishte një qytet që përfshihej në zotërimet e tij. Prizreni si vendkryqëzim rrugësh, ka qenë i përshtatshëm dhe është përdorur si qendër administrative e shteteve mesjetare dhe më pas e administratës provinciale osmane.
Duhet pranuar se dhe fraza e shkruar prej Gjon Kastriotit se zotërimet e tij shtriheshin “nga Shufadaja deri në Prizren”, duhet interpretuar se ky qytet ka qenë qendër e shtetit të tij.

Prizreni u bë qendër administrative e Gjon Kastriotit me rënien e Balshajve në fund të shekullit XIV dhe jo më vonë se shekulli XV. Kastriotët me Balshajt kanë qenë kushërinj.

Pas fitores së Kryengritjes Çlirimtare, të nëntorit të vitit 1443, Skënderbeu ka deklaruar se “ishte pasardhës i Balshajve dhe donte vendet e tyre”. Jo më pak pretendues për trashëgiminë e Balshajve ka qenë më parë i ati, Gjon Kastrioti.

Bashkëpunimi me Balshajt e ka fuqizuar Gjonin dhe rënia e tyre ka ndikuar që ai të zgjeronte zotërimet e tij me trevat që ata humbën. Këtë zgjerim e favorizoi dhe dobësimi i Perandorisë Osmane në atë kohë.

Gjon Kastrioti zgjerohet në drejtim të viseve bregdetare dhe që në vitin 1406 ai shfaqet për herë të parë në dokumentet veneciane dhe raguziane si një partner i rëndësishëm në marrëdhënie me shtetet e huaja.
Pikërisht fakti që ai ishte zot i fuqishëm në bën të kuptojmë që qendra e tij të ketë qenë në një qytet i fuqishëm.

Në vitin 1411 Gjon Kastrioti ka treguar se ai kishte në gadishmëri luftarake”dy mijë kalorës shqiptarë dhe treqind kalorës turq”. Kjo e dhënë dëshmon se Gjon Kastrioti kishte një forcë ushtarake të konsiderueshme dhe se ai në atë kohë ishte në marrëdhënie të mira me osmanët. Në fakt marrëdhëniet e tij me osmanët kanë njohur acarime dhe marrëdhënie vasaliteti por dhe partneriteti.
Pas betejës së fortë të Nishit që shënon dhe kthimin e Skënderbeut në Shqipëri pas kthimit nga Nishi rruga e solli natyrshëm Skënderbeun në Dardani.

Dimri ishte shumë I ashpër dhe Skënderbeu në Prizren duhet të ketë ndejtur gjatë. Prej këtu ai mori udhën drejt Pollogut ku ndenji tre javë.
Dhe më pas ndërmorri betejat e tij çlirimtare.
(revista Albanica, Kasem Biçoku)

Gjon Kastrioti dhe Dardania Read More »