Gazeta franceze, “Le Radical”, ka botuar, të mërkurën e 9 prillit 1913, në faqen n°3, intervistën e patriotit dhe trimit shqiptar, Isa Boletini, në lidhje me përcaktimin e kufijve të Shqipërisë.
Atdhetari shqiptar, ashtu siç i ka hije një lideri, ka mbrojtur asokohe çështjen e kombit tonë, madje duke dhënë edhe disa këshilla për fqinjët tanë.
Në vijim, do të gjeni intervistën e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:
Kufijtë e Shqipërisë
Romë, 8 prill. – Në një intervistë, Isa Boletini, shqiptari i famshëm, i cili aktualisht shërben si Ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme, ka shprehur :
“Në qoftë se është ende e pamundur të shprehemi për vijën e saktë të kufijve, mund të themi se shqiptarët nuk do të heqin dorë kurrë nga qytetet e Gjakovës, Pejës, Manastirit, Shkupit, Shkodrës dhe Janinës, nga që i konsiderojnë logjikisht pjesë të territorit të tyre. Këto qytete janë kryesisht shqiptare; ata na përkisnin për shekuj me radhë; në zemër, ato kurrë nuk kanë reshtur të jenë tonat. Bashkëqytetarët tanë i banojnë pothuajse tërësisht. Na u tha që edhe sikurse Evropa të na japë një status, ne nuk do të jemi të sigurtë ndaj ndonjë rreziku tjetër.
Në fakt, na shpjegojnë se Fuqitë e Mëdha i patën garantuar solemnisht Turqisë integritetin e territorit të saj, dhe megjithatë Turqia u nënshtrua nën shtytjen e tërbuar të shteteve aleate.
Mos vallë edhe Shqipëria do të shtypet? Unë jam i lumtur t’u përgjigjem këtyre shqetësimeve duke i siguruar miqtë tanë.
Krejt ndryshe është situata jonë : populli shqiptar është një popull homogjen, i nxitur nga patriotizmi i zjarrtë, lufton për një ide. Ai nuk shpall luftë, por mbizotëron dhe triumfon nëpërmjet kryengritjes.
Shikoni të kaluarën tonë: lëvizjet tona kryengritëse kanë qenë gjithmonë lëvizje fitimtare. Shtetet e Ballkanit kanë çdo interes të jetojnë në mirëbesim me shtetin autonom të Shqipërisë.
Në rast të shkeljes së drejtave, në kundërshtim formal dhe të qëllimshëm të Evropës, njëqind mijë luftëtarë që kemi në dispozicionin tonë, nuk do të vonojnë të sulmojnë së shpejti shtypësit, nëse Serbia, Greqia dhe Mali i Zi përpiqen të mbajnë nën sundim qytetet shqiptare që kanë pushtuar, atëherë atyre do t’u duhet të mbajnë ushtritë përjetësisht në gjendje lufte.
Në tetor të vitit 1943, një person “i armatosur” me mbi 50 fotografi, troket në derën e ambasadës gjermane në Ankara dhe kërkon t’i shesë ato për 20-mijë sterlina. Nëpunësi përkatës i verifikoi fotografitë, dhe megjithëse çmimi iu duk i lartë, e pagoi personin dhe i tha të vinte sa herë që të kishte foto të tilla.
Kështu filloi karrierën e tij si spiun me pagesë shqiptari Iliaz Bazna ose Ciceroni, emri i koduar që i dhanë nazistët, duke u kthyer në një legjendë të spiunazhit.
Por cila ishte historia e njërit prej agjentëve më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore, që nga çelësabërës kasafortash u shndërrua në vjedhës dokumentesh të rëndësishme? Lexoni specialen e mëposhtme.
Nga Raimonda Moisiu & Armand Plaka
Emri i një agjenti shqiptar është shënuar në fjalorin biografik me personalitetet e spiunazhit që kanë bërë emër dhe famë gjatë shekullit të 20-të, në Luftën e Dytë Botërore, fjalor ky që jep mjaft të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e tyre.
Të tërheq vëmendjen jeta e agjentit shqiptar, i cili është një nga agjentët më të shquar të shekullit XX. Ai punoi për gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilëve u dha informacione mjaft të vlefshme.
Ai radhitet përkrah agjentëve me famë botërore, që kanë bërë emër në të dyja luftërat botërore, si: Franc Fon Papen, Fric Kolbi, Kim Filbi, Mata Hari apo Ana Maria Leser.
Jeta e shqiptarit Bazna nga hajdut në çelësabërës
Iliaz Bazna është emri i legjendës shqiptare të spiunazhit, i njohur me pseudonimin “Ciceroni”. Ka lindur në vitin 1904, në Prishtinë, në kohën kur krahina e Kosovës, por edhe pjesa më e madhe e Ballkanit, ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane. Ai dhe e gjithë familja e tij janë shqiptarë në origjinë, por në edukimin e tij ndikoi shumë tradita turke.
Bazna tregonte se babai i tij ishte një mysliman i devotshëm dhe mbante titullin “mullah”. Gjyshi i tij dhe xhaxhallarët kanë jetuar kohën e xhonturqve, d.m.th., të turqve të rinj, në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Tre nga kushërinjtë e parë të tij, por edhe Bazna vetë, patën studiuar në një akademi ushtarake turke dhe arritën të shkëlqejnë me punë, aq sa njëri prej tyre ka qenë kryebashkiaku i Ankarasë nga viti 1960-1962.
Por agjenti i ardhshëm, Bazna, do të flakej jashtë akademisë ushtarake dhe në vitin 1919 do të niste jetën e keqbërësit ordiner në Stambollin e pushtuar nga aleatët. Fillimisht kapet duke vjedhur armë në depot e ushtrisë britanike, dhe për këtë kalon një pjesë të jetës së tij në kampin penal të Marsejës.
Pasi doli kampi, zuri punë në një fabrikë ku prodhoheshin çelësa për kasafortat dhe bëhet mjeshtër në këtë profesion, pas disa dështimesh në përpjekjet e tij për të gjetur punë në përfaqësitë diplomatike.
Dokumentet sekrete
Pasi punoi për një ambasador jugosllav, për një konsull britanik, për një atashe ushtarak amerikan ai arrin të punësohet nga ambasadori britanik, Knaçbull-Hugesen, në Ankara. Hugesen ishte “naiv” kur mendonte se ishte i përgatitur për të mos ia hedhur kurrkush. Në fillimin e vitit 1943 ambasadori punësoi Baznën, një njeri i mprehtë, servil dhe dinak, i cili e dinte se ç’duhet të bënte për padronin e tij. Bazna, pasi qe shtrënguar ta linte akademinë qe kthyer në një autodidakt dhe kishte njohuri të mira në disa gjuhë, të cilat i fliste rrjedhshëm. Ai ishte i përpiktë në realizimin e të gjitha detyrave. Hugesen e vlerësoi Baznën dhe i besoi atij verbërisht për të gjitha. Pra, ai nisi të mbështetet tek Bazna.
Kështu, Bazna, brenda pak muajve, i mësoi të gjitha zakonet e ambasadorit, madje dhe lëvizjet e sjelljet tij. Shqiptari u bë njeriu më i privilegjuar dhe më i besuar. Ai zbuloi që punëdhënësi i tij solli në shtëpi dokumente shumë të rëndësishme sekrete për t’i studiuar.
Madje, ai vuri re që Hugesen i mbante dokumentet në kasafortë. Bazna, mjeshtri i çelësave të kasafortave, arriti t’i dublojë çelsat. Zbuloi dhe kombinimin e shifrave të kasafortës sekrete dhe i tërhoqi dokumentet. Kështu, më 20 tetor ai i merr ato dhe, me anën e një likuidi të quajtur “Leica”, prodhon faksimile të tyre.
Ishte koha e Konferencës së Teheranit dhe Bazna jo vetëm që zbuloi dokumente sekrete, që kishin të bënin me operacionet e aleatëve në Normandi, por ai mësoi shumë të fshehta në lidhje me rrezikun që i kanosej Ballkanit.
Takimi me gjermanin Ludvig
Në mbrëmjen e 26 tetorit të vitit 1943 Bazna takohet me një zyrtar të lartë të ambasadës gjermane, për të cilin kishte punuar më përpara, dhe i ofron atij faksimilet e dokumenteve sekrete. Zyrtari i lartë gjerman i njohur me pseudonimin “Pierre”, ishte rekrutuar nga RSHAVI, dhe quhej Ludvig C.
Bazna dhe ai punuan së bashku në fshehtësi. Bazna i kërkoi gjermanit 20 mijë stërlina në këmbim të informacionit. Gjermani e refuzoi për momentin kërkesën e shqiptarit, duke i thënë se nuk ishte i gatshëm të jepte shuma të tilla. Megjithatë, ai e kuptoi se bëhej fjalë për një informacion shumë të rëndësishëm dhe këmbënguli të shikonte dokumentet. Bazna i tha se nuk ishte aq budalla sa t’ia jepte dokumentet para se të paguhej, përndryshe do t’ua shiste ato sovjetikëve.
Ai i tha gjermanit se do t’ia jepte dokumentet në bobinë filmike, por kjo do t’u kushtonte gjermanëve 15 mijë stërlina. Ludvigu kishte në dispozicion 3 ditë për ta vlerësuar ofertën e shqiptarit. Bazna do ta telefononte Ludvigun në ambasadën gjermane në datën 30 tetor 1943, në orën 3 pasdite dhe do të prezantohej në telefon si “Pierre”.
Ai do të pyeste nëse Ludvigu kishte ndonjë letër për të. Nëse përgjigja do të ishte negative, atëherë gjermanët nuk do të dëgjonin më kurrë për të. Ishte pak pas mesnate kur vizitori veshi pallton, vuri një kapele që i binte pak mbi sy dhe shkoi te dera ku ndodhej Ludvigu. U ul pranë gjermanit dhe i tha me zë të ulët: “Ju doni të dini se kush jam unë? Jam rekruti i ambasadorit britanik.
Pasi u fut brenda, Bazna në mënyr të habitshme iu zhduk nga sytë Ludvigut i cili fillimisht e ndoqi atë nëpër rrugë, por nuk e pa më. Mengjesin tjetër Ludvigu ia tregoi historinë e tij ambasadorit gjerman në Turqi, Franc Fon Papen. Por ky nuk u habit, pasi ishte marrë me spiunazh dhe intriga.
Kishte rekrutuar spiunë në Amerikë, madje kishte kontaktuar edhe me Mata Harin, me famë, dhe tashmë ishte përfshirë në të gjitha kombinacionet sekrete brenda Rajhut të Tretë. Duke qenë se Turqia ishte një vend neutral, ajo ishte bërë një qendër e spiunazhit të të gjitha fuqive të mëdha.
Si e mori shqiptari emrin “Cicero”
Fon Papen i tha Ludvigut se nuk ishte i autorizuar ta paguante shumën prej 20 mijë stërlinash, për një informacion akoma të pavërtetuar. Për më tepër, ai i tha se ky vendim duhet të merrej nga nivele më të larta shtetërore në Gjermani, pra nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë të asaj kohe, Joakin Fon Ribentrop. Ambasadori i dërgoi një mesazh të koduar Ribentropit, ku i shpjegonte situatën dhe i kërkonte shumën prej 20 mijë stërlinash si fillim, ndërsa më pas do të procedohej edhe me shuma të tjera.
Shuma duhet të mbërrinte në Ankara jo më vonë se 30 tetori, përndryshe operacioni do të dështonte. Edhe pse ambasadori nuk e mendonte të tillë, përgjigjja nga Berlini ishte pozitive.
Ludvigu shkoi më pas, sipas urdhrit, në zyrën e ambasadorit. Papeni i tha Ludvigut se duhej të bënte marrëveshje me atë që tashmë do të quhej “Ciceron”, sipas emrit të marrë nga oratori i famshëm romak, pasi informacioni ishte shumë shpresëdhënës. Ambasadori i tha Ludvigut se korrieri kishte mbërritur dhe me vete kishte sjellë edhe 20 mijë stërlinat.
Megjithatë, ambasadori e këshilloi Ludvigun që të ishte i kujdesshëm, pasi puna që po bënte ishte me rrezik. Takimi u bë në vendin e caktuar dhe shqiptari i dorëzoi Ludvigut dy bobina filmike 35 mm. Ndërsa Ludvigu u zgjat të merrte bobinat shqiptari i qetë i tha: “Më parë, paratë”. Ludvigu i nervozuar hapi zarfin dhe numëroi paratë.
Ai këmbënguli që, gjithsesi, para se t’ia jepte Ciceronit, t’i shihte filmat të zhvilluar, sepse nuk besonte. Ciceroni ra dakord për të pritur vetëm gjysmë ore. Ludvigu e mori filmin dhe e pa të zhvilluar në një dhomë të errët pranë zyrës së tij. Informacioni përmbante të dhëna të rëndësishme të kohëve të fundit. Ludvigu më në fund vendosi të kryente pagesën.
Që nga ky moment Ciceroni vazhdoi ta furnizonte Ludvigun me sekrete shumë të vlefshme, të cilat ai i fotografonte me shumë kujdes dhe i ruante në godinën e ambasadës britanike.
Materiali i zbuluar nga Ciceroni ishte një thesar sekretesh, duke përfshirë edhe planet e Konferencës së Kazablancës midis Ruzveltit, kryeministrit britanik, Çërçill dhe liderit nacionalist kinez, Çan Kai Shi. Më pas Bazna u dha gjermanëve edhe planin e Konferencës së Teheranit, midis presidentit Ruzvelt, Çërçillit dhe Stalinit. Nga detajet që mësuan mbi këtë takim të nivelit të lartë, nazistët kuptuan për herë të parë planet e aleatëve mbi pushtimin e Evropës.
Por komanda e lartë gjermane, pasi i studioi dokumentet e ardhura nga Stambolli vendosi të mos i pranojë ato si të verteta, duke arritur në përfundimin se informacioni ishte një sajesë e britanikëve për t’ua hedhur nazistëve.
Plani ishte shumë i mirë për të qenë i vërtetë. Gjermanët në vend të kësaj i besuan plotësisht informacionit të sjellë nga një agjent i tyre i rekrutuar nga britanikët, i cili njihet në terminologjinë e spiunazhit si “njeriu që kurrë nuk ekzistoi”. Rrjedhja e informacioneve shumë të vyera të Ciceronit ndaloi në pranverë të vitit 1944, kur aleatët mësuan se diçka serioze kishte ndodhur në ambasadën britanike në Ankara.
Aleatët e mësuan këtë jo si rezultat i shërbimit të tyre sekret, por nga goja e vetë ministrit të Jashtëm të Rajhut, Riobentrop, ose e thënë më saktë nga një spiun aleat, nga të paktët që kishin mbetur në Gjermaninë e asaj kohe.
Ky agjent ishte Fric Kolbe, i cili kishte punuar për një kohë të gjatë në administratën naziste, një patriot gjerman që i urrente nazistët. Kolbeg kishte arritur të vihej në kontakt prej kohësh me zyrën e shërbimit strategjik OSS dhe shefin e saj Alen Dallas në Berë të Zvicrës, duke i dhënë atij dokumente shumë të rëndësishme.
Në fillim të vitit 1944 Kolbeg kishte arritur të dekodifikonte një telegram të ardhur nga ambsadori Papen për Ribentropin në Berlin, ku bëhej fjalë për informacione sekrete të ardhura nga spiuni Ciceron, dhe ku thuhej se ky informacion vinte direkt nga zyrat e ambasadës britanike në Ankara. Ai ia kaloi këtë informacion në mënyrë urgjente Dallesit, i cili ia përcolli më tej në Inteligjent Servisit.
Arrestimi
Pas verifikimeve, Bazna u arrestua në Ankara. Por, nuk pranoi asgjë. Të gjitha pyetjeve që iu drejtuan i përgjigjej me heshtje. Ai kishte arritur të mblidhte në atë kohë një shumë prej 300 mijë stërlinash, në atë periudhë një shumë marramendëse.
Ai arriti të arratisej dhe të shkojë në Lisbonë, ku prenotoi një udhëtim për në Amerikën e Jugut. Sapo shkoi në Amerikë të Jugut, Ciceroni hapi një llogari bankare duke depozituar paratë në një bankë të madhe. Pushonte në një vilë që kishte pamje nga oqeani, kishte shumë shërbëtorë, një femër të bukur dhe bëri një jetë qejfi prej një xhentëlmeni.
Tashmë ishte ai që kishte një të rekrutuar që i shërbente atij verbërisht. Kjo e bëri të renditej mes spiunëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Por, si për ironi të fatit, ai nuk do ta shijonte për një kohë të gjatë stilin e ri të jetës që kishte nisur.
Bankierët amerikanojugorë erdhën ta vizitonin në vilën e tij dhe e informuan se kishte diçka që nuk shkonte me llogarinë e tij bankare. Pothuajse shumica e stërlinave britanike kishte dalë jashtë qarkullimit. Në fillim ai u shokua, por më pas arriti të kuptojë “tradhtinë” e stërholluar të gjermanëve. Mjeshtri i spiunazhit ia plasi të qeshurit me zë të lartë.
Punëdhënësit e tij nazistë thjesht kishin prerë monedha false dhe ia kishin dhënë atij. Bazna u arrestua dhe u dërgua në burg, por më vonë arriti çuditërisht të lirohet dhe të kthehet në Evropë. Shumë libra, përfshirë edhe kujtimet e tij vetjake, si dhe një film të madh që quhej “Pesë Gishtat”, shfaqin profilin e tij të pabesueshëm, fantazma e të cilit për shumë kohë do të vërtitej në korridoret e errëta të spiunazhit.
Si shumë spiunë të tjerë, ai punoi për përfitim personal, por në fund ai i kaloi ditët e tij në varfëri të plotë, duke vdekur në vitin 1971 pa pasur një dyshkë në xhep.
Hitleri i besoi shqiptarit
Në gati 6 muaj Bazna prodhoi 400 kopje të dokumenteve, shumica e të cilave bënte fjalë për planet e operacioneve të mëdha ushtarake. Autoritetet gjermane në Berlin, duke përfshirë edhe vetë Hitlerin, patën shumë arsye të besonin që dokumentet sekrete të Baznës ishin autentike, se ato s’ishin pjellë e intrigës britanike. Në përgjithësi, arsyeja që jepet për dështimin e Gjermanisë deri në kapitullimin e saj të plotë, ishin xhelozitë dhe kundërshtimet që patën midis tyre organizatat e shërbimeve sekrete të Ribentropit. Himlerit dhe Kanarisit.
Por më 20 prill, në një kohë relativisht të shkurtër, zbulimi sekret britanik, vendos një linjë të sigurtë përgjimi. Bazna e nuhat dhe lë punën e largohet si një njeri i lirë. Me një shumë prej 1,2 milionë dollarësh Bazna do të fillonte të ndërtonte një hotel luksoz turk, por nuk arriti ta përfundonte, sepse të gjitha kartëmonedhat britanike që ai kishte marrë nga OPN Bernard do të dilnin false.
Bazna, kësaj radhe, i shpëton burgut për mrekulli, i akuzuar për falsifikim monedhash. Ai e kaloi pjesën tjetër të jetës në varfëri dhe nuk ishte në gjendje të merrte kompensimet nga qeveria perëndimore gjermane e pasluftës.
Duke punuar si një rregullues automjetesh dhe si një mësues muzike (kishte pasur disa kurse trajnimi në fushën e operistikës) Ciceroni vdiq në Stamboll në vitin 1971.
Disa thonë se ai kishte qenë agjent i dyfishtë, – vetë Ilias Bazna nuk tregon gjë në librin e tij “I Was Cicero”, ndoshta sepse ky libër ishte pjesë e një operacioni të zbulimit britanik për të mbajtur tepër sekret sistemin e agjenturës së dyfishtë për shumë kohë edhe pas luftës së dytë botërore.
Në vitin 1952, Çështja Bazna gjithashtu frymëzoi kineastët për realizimin e filmit “Five Fingers” me aktorin e njohur James Mason në rolin e shërbyesit të pabesë./TO/
Jeta në internim, ku mijera shqiptarë provuan persekutimin e diktaturës më të egër do të dukej si një legjendë, nëse do të kishim vetëm rrëfimet e të mbijetuarve.
Reliket e ruajtura nga ajo kohë janë shumë të vyera dhe sidomos fotografitë. Përmes tyre mund të shohim çaste që janë fiksuar nga aparati fotografik në dhjetra kampe internimesh përgjatë gjithë viteve të regjimit komunist.
Por si mund ti japim emër çdo personazhi të shfaqur në këto foto?
Në gushtin e vitit 1944, Adolf Hitlerit, i kishin mbetur shumë pak nga arritjet e tij të dikurshme të luftës. Nga Tripoli në Romë dhe Kiev, metropolet e pushtuara prej tij ishin rimarrë nga armiku. Ai sapo kishte humbur kryeqytetin e parë që kishte pushtuar gati 5 vjet më parë, teksa Ushtria e Kuqe e Josif Stalinit çliroi Varshavën.
Në kohën kur marshuan sundimtarët e rinj, kryeqyteti polak ishte një grumbull rrënojash ende në flakë. Qe një situatë e cila e joshte Fyhrerin: Nëse Hitleri dhe Gjermania nuk mund të kishin Varshavën, e pse duhet ta kishte dikush tjetër? E njëjta gjë vlente edhe për Parisin.
Larg Varshavës, një amerikan i gjithëpushtetshëm, ishte gjithashtu i shqetësuar për fatin e kryeqytetit francez. Për gjeneralin Duajt Ajzenhauer, Parisi, bërthama kulturore dhe artistike e qytetërimit perëndimor, përbënte një dhimbje koke të madhe.
Dy kilometra në brendësi nga bregu i Normandisë, komandanti suprem i aleatëve vendosi me ngurrim të shtyjë çlirimin e “Qytetit të Dritave”. Një raport prej 24 faqesh, paralajmëronte se çlirimit i Parisit do të kufizonte seriozisht aftësinë e aleatëve perëndimorë, për të mbajtur nën presion mbi gjermanët diku tjetër. Ai sugjeroi sugjeroi një plan alternativ, sipas të cilit gjenerali britanik Bernard Montgomeri, do të të sulmonte në lindje midis lumenjve Senë dhe Oiz, dhe çlironte portin strategjik të Le Havre, duke neutralizuar vend-lëshimet e raketave V-1 dhe V-2 në Pa Dë Kale.
Ndërkohë, armata e XII amerikane mund të lëvizte në jug të Parisit për të kaluar Senën në Melun, për të marshuar rreth 100 kilometra në veri të Reimsit, dhe pastaj për t’u kthyer në perëndim dhe bashkuar në Amiens. Një betejë shkatërruese urbane në Paris do të shmangej,
terreni në fjalë ishte i përshtatshëm për kalimin e ushtrisë, dhe garnizoni gjerman i qytetit do të neutralizohej me rrethim, dhe jo me sulme të drejtpërdrejta.
Operacioni u vendos paraprakisht që të fillonte diku midis 15 shtatorit dhe 1 tetorit 1944. Kur Sharl De Gol mësoi mbi planin për të anashkaluar Parisin dhe për të vonuar çlirimin, ai u bind se amerikanët kishin ende arsye të panjohura, në favor të një komploti për të shkatërruar të ardhmen e tij politike.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, gjermanët ishin zhgënjyer në përpjekjet e tyre për të pushtuar Parisin. Dy milionë prej tyre, kishin vdekur në baltovinat e përgjakura të Frontit Perëndimor. Një nga të mbijetuarit ishte pikërisht Adolf Hitleri. Katër vite pasi nazistët kishin hyrë triumfisht në kryeqytetin francez, ai ishte i fiksuar për ta mbrojtur atë më çdo kusht.
Megjithatë, Hitleri e kuptoi gjithashtu se edhe mund ta humbiste Parisin. Nëse çlirimi i qytetit ishte i afërt, ai vendosi që kryeqyteti francez të shkatërrohej. Pas 3 vitesh shërbimi të shquar në frontin rus, gjenerali Ditrih von Sholtic u soll në frontin perëndimor nga Fyhreri. Pas atentatit të dështuar ndaj tij më 20 korrik, Hitleri kishte pak besim tek besnikëria e komandantëve të tij ushtarakë.
Por tek Sholtic, ai besonte se ai e kishte gjetur njeriun e tij për një mision monumental. Trashëgimia familjare e Sholtic e gjeneratave të militarizmit prusian, i linte pak hapësirë një fryme të pavarur. Kur udhëhoqi pushtimin gjerman të Holandës në pranverën e vitit 1940, ai urdhëroi formacionet e avionëve bombardues të bënin pluhur e hi Roterdamin, përpara se qyteti të kishte shansin të dorëzohej.
Ditrih von Sholtic, ishte realisht një shkatërrues i aftë i qyteteve, por kur mbërriti në Paris si guvernator i ri ushtarak, pati disa takime që e ndryshuan rrënjësisht si njeri. Ai e kishte takuar për herë të parë Hitlerin në një takim veror në vitin 1943 në frontin rus, duke u mahnitur nga personaliteti i fuqishëm dhe besimi ngjitës që impononte Fyhreri.
Por kur shkoi në selinë e tij në Rastenburg, Prusinë Lindore, një vit më vonë, ai u zhgënjye tërësisht. Shëndeti i Hitlerit ishte shkatërruar nga presioni i madh psikologjik, dhe siç dyshonin disa mjekë edhe nga sëmundja e Parkinsonit. Hitleri e caktoi guvernator të Parisit, duke e porositur të mos kishte asnjë mëshirë ndaj të gjitha akteve civile të mosbindjes apo terrorizmit.
Duke lënë pas kompleksin pyjor të Hitlerit, Sholtic e kuptoi se këtë herë nuk bëhej fjalë për ndonjë qytet industrial apo bujqësor në stepat ruse, për për Parisin, qytetin më të bukur në botë.
Për herë të parë në jetën e tij, Sholtic mendoi të mos i bindej një urdhri të drejtpërdrejtë nga lart. Pas mbërritjes në komandën e tij të re, ai u informua mbi urdhrat e tmerrshme për një tërheqje në stilin e tokës së djegur, në rast se trupat gjermane nuk do të ishin në gjendje të mbanin qytetin.
Shumë shpejt, kompania e xhenierëve nisi vendosjen strategjike të eksplozivëve. Pajisjet elektrike dhe ato ujore patën prioritetin më të madh, por strukturat e para të minuara ishin urat shekullore mbi Senë.
Pa këto ura, çdo ushtri do ta kishte të vështirë të përparonte me shpejtësi. Më 16 gusht, Hitleri urdhëroi drejtuesit e Gestapos të evakojnë qytetin. Më 17 gusht, Sholtic mori një urdhër nga Feldmarshalli Gynter von Kluge ku thuhej:”Unë jap urdhër për shkatërrimin e parashikuar të Parisit!”. Gjenerali u gjend midis prirjes së ngulitur prusiane për të zbatuar urdhrin nga lart, dhe vetëdijes se do të ishte një akt vandal, për të cilin ai do të mbante një përgjegjësi të përjetshme historike.
Po atë ditë Sholtic shkoi në zyrën e Pier Tatinger, kryebashkiakut të Parisit. Ky u alarmua nga eksplozivët e vendosur në të gjithë qytetin, dhe i kërkoi shpjegime. Ai u trondit nga përgjigja e Sholtic:”Ju duhet të kuptoni se duhen marrë disa masa. Është detyra ime, të ngadalësoj sa më shumë të jetë e mundur përparimin e aleatëve”.
Papritmas, Sholtic u prek nga një nga sulmet periodike të astmës, duke nisur të kollitej në mënyrë të pakontrollueshme. Duke e shoqëruar për në ballkon për pak ajër të pastër, Tatinger pa poshtë mbi kopshtin e bukur të Tylërive, dhe u frymëzua. Më poshtë, një vajzë e re dhe e bukur e po e ngiste biçikletën e saj në rrugën de Rivoli; në zonat e lëmuara të Le Notrit, fëmijët po luanin me varkat e tyre prej letre; dhe përtej kësaj qëndronte simboli i qytetit të dritës, Kulla Eifel.
Apeli i francezit ishte i fuqishëm:”Shpesh një gjenerali i jeper rasti të shkatërrojë, dhe rrallë të ruajë. Imagjinoni që një ditë mund, ju mund të ngjiteni sërish në këtë ballkon, si një turist, të shihni edhe njëherë këto monumente dhe të mund të thoni:Një ditë unë kisha mundësi t’i shkatërroja, por i ruajta si një dhuratë për njerëzimin!”.
Sholtic qëndroi një moment i heshtur dhe pastaj tha:”Ju jeni një avokat i mirë i Parisit zoti Tatinger. E keni bërë mirë detyrën tuaj. Po ashtu edhe unë, si gjeneral gjerman, duhet të bëj detyrën time”. Por a do të ishte vërtet kështu?
Në mëngjesin e 19 gushtit, forcat goliste nisën një sulm ndaj forcave gjermane. Ndërsa gjermanët reaguan me pancerat e tyre, shkatërrimet në qytet nisën të shtohen. Gjenerali Ajzenhaer përjetoi një përzierje emocionesh teksa priste ardhjen e De Golit në selinë e tij në Grenvil, por ku mbizotëronte zemërimi.
Kryengritja pariziane e kishte tërbuar. Pa ndihmën e menjëhershme nga aleatët, revolta kishte gjasa të shtypej, dhe Parisi do të pësonte të njëjtin fat si Varshava. Ajzenhauer e kuptoi se ai dhe aleatët perëndimorë në tërësi, do të mbaheshin përgjegjës si gjermanët, nëse nuk do arrinin ta parandalonin këtë katastrofë, por kjo mund të sabonten gjithë kalendarin e luftës në Europë, dhe të zgjaste me disa muaj konfliktin e tmerrshëm.
Në qytet, rebelëve po u mbaronte municioni, dhe gjermanët po i shtypnin me një dhunë në rritje. Në mesin e luftimeve, gjermanët minuan bodrumin e “Les Invalides”; që nëse do të shpërthente mund të shkatërronte Muzeun e Ushtrisë Franceze, galerinë e artit ushtarak, kazermat 400 vjeçare, dhe varrin e Napoleon Bonapartit.
Mëngjesin e 23 gushtit, 4 inxhinierë SS po inspektonin këmbët mbështetëse të Kullës Eiffel, duke kërkuar vendet më të mira për të vendosur eksplozivin. Sholtic rrezikoi jetën e tij dhe të familjes, duke e gënjyer gjenerajlejtnantin Hans Shpidël, se shkatërrimi i qytetit tashmë kishte filluar.
Gjermanët po forconin perimetrin e tyre mbrojtës në perëndim të kryeqytetit, por ishte tepër vonë. Armata e II-të franceze dhe Divizioni IV i këmbësorisë amerikane, ishin gati të nisnin goditjen. Luftwaffe kishte marrë urdhra nga Hitleri për të kryer sulm të madh ajror mbi Paris,
por Sholtic kundështoi duke thënë se një sulm i tillë “do të vriste po aq shumë gjermanë sa edhe parizienë”.
Ai u dorëzua dhe arrestua mesditën e 25 gushtit nga forcat franceze. Në Gjermani, një gjykatë ushtarake u mblodh për të gjykuar Sholtic në mungesë për tradhëti. Megjithatë, i pandehuri kishte shumë miq të vendosur në rradhët e ushtrisë, dhe ata arritën ta vononin gjyqi derisa mbaroi lufta, duke shpëtuar kështu gruan dhe fëmijët e Sholtic nga ekzekutimi apo burgimi. /HiStoryNet – Bota.al
Hiri i shpërthimit të vullkanit Tambora në Indonezi, të ngarkuara elektrikisht, kontribuan në mënyrë indirekte, në vitin 1815, në humbjen e Napoleonit në Vaterlo, një ngjarje që ka ndryshuar rrjedhën e historisë në Europë, sipas përfundimit të një studimi të bërë nga Matthew Genge, i “Imperial College” në Londër dhe i publikuar në revistën shkencore “Geology”.
Ky studim ka filluar që kur historiografia u bind në lidhje me kushtet meteorologjike, ku mbizotëronin shiu dhe balta, që ndihmuan ushtritë aleate angleze dhe prusiane të mundin perandorin francez në qershor të atij viti.
Dy muaj para asaj beteje, në prill, është verifikuar shpërthimi vullkanik më shkatërrues dhe i fuqishëm ndonjëherë, ku vdiqën menjëherë rreth 12 000 persona dhe pati të paktën 80 000 viktima për shkak të urisë që pasoi.
Ky shpërthim shkaktoi një ndryshim klimatik në nivel planetar.
Sipas zbulimit të Genge, hiri i dalë nga vullkani, i ngarkuar elektrikisht, ka krijuar një rrjet të shkurtër të jonosferës, shtresa më e lartë e atmosferës, ku edhe krijohen retë.
Sipas studimit sugjerohet se shpërthimi i Tamboras shkaktoi krijimin e reve që shkaktuan shira të rrëmbyer në Europë duke shkaktuar edhe humbjen e Napoleonit./korrieri
Gazeta prestigjoze franceze, « Le Figaro », ka botuar të shtunën e 30 nëntorit 1912, në faqen n°2, shkresën diplomatike të Ismail Qemalit drejtuar asokohe Antonino Paternò – Castello-s (1852 – 1914), Markez i San – Giulianos dhe ministër i jashtëm i Italisë.
Çfarë kërkonte udhëheqësi shqiptar ndaj zyrtarit italian ? Në vijim do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :
Romë, 29 Nëntor
Kryeministri i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë, Ismail Bej Qemali, i ka dërguar Markezit të San Guiliano-s, shkresën në vijim :
« Asambleja Kombëtare, e përbërë nga delegatë të të gjitha trojeve shqiptare, pa dallim feje, e mbledhur sot në qytetin e Vlorës, sapo shpalli pavarësinë politike të Shqipërisë dhe formoi një qeveri të përkohshme përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave dhe ekzistencës së popullit shqiptar – i kërcënuar me shfarosje nga ushtria serbe – si dhe përgjegjëse për çlirimin e tokës kombëtare të pushtuar nga ushtritë e shteteve aleate.
Duke i sjellë në vëmendje Shkëlqesisë Tuaj rrëfimin e sipërm, kam nderin t’i lutem Qeverisë së Madhërisë së Tij Mbretërore që të njohë këtë ndryshim politik jetësor të Kombit Shqiptar.
Shqiptarët, duke u bërë pjesë e familjes së popujve të Evropës Lindore për të cilën janë krenarë si paraardhës të saj dhe duke ndjekur vetëm një qëllim, të jetojnë në paqe me të gjitha shtetet ballkanike e të jenë element stabiliteti, janë të bindur se qeveria e Madhërisë së Tij Mbretërore dhe e gjithë bota e qytetëruar do t‘u rezervojnë atyre një mikpritje të ngrohtë duke i mbrojtur kundër çdo sulmi të ekzistencës së tyre kombëtare dhe kundër çdo copëtimi të territorit të tyre. »
Kisha kohë që e kërkoja atë libër. Ndoshta disa vite. Dhe kjo, thjesht me shpresë për të gjurmuar edhe më tepër për rënien e heroit të madh, Isa Boletini. Aq më tepër që më mbërrinte disi zbehtë e dhëna se Isa Boletinin e kishte vrarë babai i Milovan Gilas-it. Të ishte e mundur?…
Ndoshta çelësi mund të ishte vërtet libri i Milovan Gilas-it, “Toka pa drejtësi”. Më dukej e çuditshme, madje pak si prej fabule që familja e Milovan Gilas-it të qe përfshirë në rënien e Isa Boletinit. Drejtë me thënë, nuk e besoja fort. Ndërkaq, ka vite që e ndjek veprën tanësore të Milovan Gilas-it.
Kjo, sepse figura e tij, përveçse e lidhur me gazetarinë e historinë, është e shumanshme ngado që ta marrësh. Komunist qysh në vitet ’20, bashkërithemelues i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, partizan i orëve të para, pjesë e katërshes së famshme byroiste Tito – Kardel – Gilas – Rankovic, zëvendëskryeministër i Jugosllavisë komuniste, shkrimtar, gazetar, botues i “Borbës”, bashkëpunëtor krejt i afërt i Titos. E
mandej? Mandej disident, kundërkonformist ndaj vetë Partisë së tij, autor i librave dhe shkrimeve që vetvetiu rrëzojnë shoqërinë komuniste, qoftë edhe atë jugosllave, e kësisoj i shndërruar në kundërtitist. Gjëra që pak a shumë dihen këto, qoftë edhe prej disa përkthimeve të dy-tre librave të tij të njohur në shqip.
Dhe mbi të gjitha i papërkulshëm. I burgosur i paraluftës prej Mbretërisë Jugosllave, i burgosur dy herë prej Partisë së tij të Jugosllavisë Komuniste, Hero i Popujve të Jugosllavisë, titull i hequr mbas kthesës së tij, Sergio Romano, një studiues, politolog e gazetar i madh, e ka përcaktuar kështu Milovan Gilas-in: “Një nga intelektualët më
të ndritshëm të Europës Qendrore-Lindore dhe natyrisht më heretiku i komunistëve europianë në vitet e luftës së ftohtë”.Librat dhe shkrimet e Gilas-it, dihet, kanë pasur dhe kanë një jehonë mbarëbotërore.
Është një
marathonë e tanë, tash kundërkomuniste e kundërstaliniste e tij. E nis më 1957-n, me librin e famshëm “Klasa e re. Kritikë e komunizmit të sotëm” (“Nova Klasa. Kritika savremenov komunizma”, Londër 1957). Nuk do
të ndalin librat e tij, rreth 20, duke tronditur sa s’ka ku shkon më edhe lidershipin e Josip Broz Titos. Mandej mbërrin deri dhe te studimet letrare, romanet e histori mirë- filli. Libri i tij i dytë, është ky që ka të bëjë me temën tonë: “Toka pa drejtësi” (“Zemlja bez pravde”).
Më 1956 ai e dërgon librin në shtëpinë botuese “Srpska Knjizevna Zadruga” të Beogradit. Dëshiron që librin ta mbështesë nobelisti Ivo Andric. Por Andric refuzon ta lexojë duke i thënë pa u tronditur aspak:
“Kjo për mua do të krijonte telashe, përderisa jam një anëtar i Partisë”! Edhe pse ky është libri i vetëm i Gilas-it që thuajse s’ka asgjë kundër regjimit titist e shoqërisë komuniste! E ai arrin ta botojë në Nju Jork më 1958, madje duke qenë në burg. Në italisht libri botohet më 1959-n.
Për çudi ka mbetur krejt në heshtje. Ky është ekzemplari që
kam unë në zotërim. Them pa mëdyshje se ky është libri më i ndryshëm prej gjithë të tjerëve që do të vinin më mbas në rritje spektakolare të rëndësisë së tyre.
Kam shumicën e tyre dhe në to ka kaq shumë Shqipëri, saqë deri më sot, në botime të ndryshme disi fragmentare, te ne është e njohur vetëm nja 30 për qind e kësaj “Shqipërie” të tyre. Ia vlen që një herë tjetër t’i kthehem deri në shterim.
Nuk ma merrte mendja se do ta gjeja librin “Toka pa drejtë- si” (“Zemlja bez pravde”). Dhe mû kur i kisha humbur shpresat, papritmas “zbuloj” një bukinist në Romë, i cili oborrin dhe një dhomë të vogël, ndoshta të shtëpisë së tij, i kishte shndërruar pra, në librari të librave të vjetër në një dekor që të dukej se vinte nga Italia e shekullit XIX…
Ai kishte vetëm një kopje të këtij libri të 57 vjetëve më parë. Për çudi një kopje të mirëmbajtur, krejt e re, ndonëse disi fletët e zverdhura, por i pahapur, deri aty sa që faqet e tij nuk ishin prerë, ashtu siç dilnin librat dikur.
E preka plot gëzim dhe m’u kujtua një thënie kuptimplote e Varlam Tikhonovich Shalamov-it (1907-1982), shkrimtar e
poet i shquar rus, përveç të tjerave një bibliofil i madh, i cili i ka vuajtur të gjitha: prej gulagut stalinian e deri te ndalimi i veprës së tij.
Thotë Shalamovi: “Nuk ka gjë më të ëmbël se sa kur të bjen në dorë një libër ende i palexuar”. Këtë ndjesi pata dhe unë teksa kisha në dorë “Toka pa drejtë- si” (“Zemlja bez pravde”) të Milovan Gilas-it. Është
një libër i mrekullueshëm, që i kushtohet fëmijërisë dhe rinisë së parë të Gilas-it.
Por në të vërtetë, më e rralla e këtij libri qëndron sidomos në përshkrimin e jashtëzakonshëm që ai i bën Malit të Zi të periudhës midis dy luftërave. Zakone, histori, luftëra, krime, zhvillime e moszhvillime, atdhetari e trimëri, madje edhe antropologji e etni, kanune e hakmarrje.
Gilas nuk është i mëshirshëm, por them se është tejet realist për ato çka di, ndonëse herë-herë pasioni për të shkruar e bën të bjerë paksa edhe në subjektivizëm. Sidomos kur është fjala për babën e tij. E kuptueshme kjo për këdo.
Ka jo pak Shqipëri ky libër i Milovan Gilas-it (1911-1995) origjinar i Podbishes të Malit të Zi, fshat që ndodhet vetëm nja 150 kilometra larg Shkodrës. Ose më mirë të thuash, libri ka jo pak marrëdhënie shqiptaro-malazeze.
Jemi shpinë më shpinë, dhe them se nuk ka gjë më me vlerë që ta shohësh historinë e vendit tënd duke pasë përpara edhe
historinë e fqinjit tënd, qoftë ai i mirë apo “i keq”. Mbërrita kështu te fragmenti përshkrues i rënies së Boletinit tonë, për herë të parë nën gjykimin e një malazezi të famshëm pra.
Natyrisht, nuk prita se aty do të gjeja elozhe dhe as ditirambe, qoftë edhe prej një Gilas-i. Ajo që u vërtetua pa mëdyshje ishte kjo befasi: se babai i Milovan Gilas-it, Nikola Gilas, është njeriu apo ushtaraku që
drejtoi aksionin e vrasjes së Isa Boletinit. Gilas-i nuk e pranon se babai i tij ka vrarë Boletinin. Por Gilas-i pranon se babai i tij e ka ngritur pushkën për ta qëlluar Boletinin.
Pa pasur kohë megjithatë ta shkrepë, sepse plumbi i një ushtari të Nikola Gilas-it kryen punë më shpejt. Dhe babës së Gilas-it nuk i mbetet gjë tjetër, veçse ta lejë pa e shkrepur pushkën e tij. Atëherë? Atëherë them se nuk ka rëndësi nëse Boletini ynë u vra prej plumbit të Nikola Gilas-it apo të një ushtari të komanduar prej tij. Dhe do apo s’do
Milovan Gilasi, i ati i tij, në njëfarë mënyre, është edhe ai vrasës i Isa Boletinit. Ajo çka shkruan Gilas-i në tregimin e këtij episodi do ta gjeni fjalë për fjalë shkëputur prej librit të tij, e botuar në shqip për herë parë këtu në “Panorama”.
Dhe po t’i bënim një kritikë letrare këtij përshkrimi, që në të shumtën i bën nder aktit heroik të Isa Boletinit, them se kemi të bëjmë me një stil të nivelit të lartë, çka dihet që Gilas-i e ka pasur zotëruar si pakkush.
Është një përshkrim rrëqethës dhe për ne rëndësi ka se përmes tregimit të birit të “vrasësit”, ne gjejmë një afirmim madhështor për
heroizmin e Isa Boletinit. Sigurisht, nuk është aspak e vërtetë ajo që shkruan Gilas-i se: “Heroi i shquar shqiptar Isoja i Boletinëve, zgjodhi pikërisht këtë çast të një rrënimi të përgjithshëm, të dëshprimit dhe të kaosit, për të sulmuar Podgoricën”. As që e kishte ndër mend Boletini një veprim të tillë.
Nuk do të zgjatem në këtë, sepse mjafton të merrni në dorë librin e çmueshëm “Kujtime” të Tafil Boletinit, i pranishëm në Podgoricë në ditën e rënies së axhës së tij Isa, për të kuptuar pavërtetësinë e këtij synimi, gjoja të kaçakëve shqiptarë që “dunë me na djegë e me na plaçkitë Podgoricën”.
Rrénë e madhe kjo, që, për fat të keq, del edhe
nga penda e bukur e një Milovan Gilas-i. “Këtë propagandë e kishte përhapë qeveria, se gjoja shqiptarët rreth kufinit, të shtytun nga Austria, do të na djegin qytetin”, siç e thotë paragjykimin e malazezëve
Tafil Boletini.
Mbrapaskenat e eliminimit të heroi tonë duken qartë që zbrisnin nga vija beogradase, ndoshta edhe e një Pashiçi, duke shfrytëzuar paqëndrueshmërinë e Podgoricës së atyre ditëve.
Të tjerat janë një dinakëri e rrallë, një absurd që do të mbërrijë deri edhe te vizita për ngushëllime e gjeneralit Radomir Veshoviç, që dihet, ishte frymëzuesi i vetë aksioneve të Nikola Gilas-it, babës së Milovanit, siç del qartë edhe nga ajo çka përshkruan ky i fundit në librin e tij. Shkruan Tafil Boletini: “Oficeri komandues me za të naltë urdhnon: “Predajte oruzhje”! (“Dorëzoni armët!”). Axha Isa: “Jo besa kurr s’ia kam dorëzue mbretit, as kralit”. E logjika ta do se ky oficer komandues nuk mund të jetë
tjetër përveçse Nikola, babai i Milovan Gilas-it.
Është ndërkaq, vërtet interesante që si në një “contrappunto” i episodit të rënies heroike të Boletinit, Gilas-i paraprin me përshkrimin e një krimi të shëmtuar të malazezëve ndaj një bashkëkombasi të tyre të pafajshëm, për më tepër i verbër.
Dhe pikërisht nga kjo “antropologji” kriminale, nëse mund të përcaktonim kështu, Gilas-i shkon menjëherë te përshkrimi i rrallë i heroizmit të Boletinit tonë, duke e ngritur figurën e tij deri në lartësinë e një heroi, teksa e mbyll me përcaktimin sublim thuajse të një romantike: “Kur të vjen koha për të vdekur, do të ishte bukur të bije si Isa
Boletini”. A mbaron këtu kjo histori? Them se jo. E pra, cili është fati i Nikola Gilas-it, babës së Milovan Gilas-it?
Edhe në përgjigje të kësaj pyetjeje shkojmë te logjika e palëkundshme se historia shkruhet, por dhe rishkruhet, ngaqë gjithmonë dalin fakte të reja. (Përfitoj nga rasti i këtushëm për të vlerësuar, natyrisht për mendimin tim, dy libra të kohëve të fundit: “Për Gjermaninë” të Bashkim Zenelit dhe sidomos “Pranvera e rrejshme e ’56-s” të Ana Lalajt, çka
them se me seriozitetin e tyre, me shpalosjen e shtjellimin e plot fakteve të panjohura e dokumentacionin, janë një provë e bukur e rëndësisë së rishkrimit të historisë edhe në Shqipërinë tejet të njëanshme në këtë kah.
Po aq mund të them edhe për ribotimin e librit të Uran Butkës për “Luftën civile në Shqipëri”.
E do të guxoja të shtyhesha edhe më tej në vite: askush nuk mund ta injorojë qoftë dhe librin tejet të diskutueshëm të Tahir Kolgjinit për Esat Pashën). Dhe shihni tash se sa thjesht mund të gabohet. Edhe në faqe serioze të internetit të sotëm ku përshkruhet gjatë biografia e Milovan Gilas-it, do të gjesh këtë informacion të rremë, tek shkruhet fjalë për fjalë: “Milovan Gilas-i ka mbetur jetim nga babai qysh i vogël”…
Çka assesi nuk është e vërtetë. Mirë interneti, që siç thotë një studiues aq shpesh është i pasigurt, po një historian si Vladimir Dedijeri?… Dihet ndërkaq, se midis Milovan Gilas-it dhe historianit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, të mirënjohurit Vladimir Dedijer, autori i librit “Marrëdhëniet Jugosllavo – Shqiptare (1939-1948) përgatitur nga Dr. Sofokli Meksi – që ec e gjeje po deshe – sa ka miqësira, bashkëpunim e pësime të përafërta, po aq ka prishje e
moskuptime. Ka shkruar fjalë për fjalë Dedijer-i: “…Është fjala se çka ka ndodhur në Kosovë më 1914-n, me përzanien jashtë saj të serbëve dhe malazezëve dhe të një serie krimesh.
Midis të tjerëve një natë u vra edhe babai i Milovan Gilas-it, Nikola Gilas.” Kundërpërgjigjet Milovan Gilas-i, tek shkruan edhe ai fjalë për fjalë në mbrojtje të faktit të vërtetë dhe të dobësisë së natyrshme për babën e tij: “Babai im është vrarë prej shqiptarëve, por jo për hakmarrje pronarësh, por prej fashistëve më 1943- shin, sepse ishte një
plak i respektuar malazez, babë i bijve të tij komunistë. Dhe jo në ‘një natë’, por ditën për diell”. Një historian i shquar si Dedijer e prapëson vrasjen e Nikola Gilas-it 30 vjet mbrapa, më 1914-n.
Lahutari Gjok Nonaj eshte vlerësuar rapsodi më i vjetër në Evropë.
Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës që u mbajt në 2015, lahutari Gjok Nonaj ishte bartësi më i vjetër që këndoi në skenën shqiptare, madje vlerësuar rapsodi më i vjetër në Evropë e më gjerë. Nonaj ishte 10 vjeç kur mësoi lahutën dhe është shprehur se “kurrë s’do ndahem prej saj”.
Lahutari i moçëm Gjok Nonaj e ka përcjellë këtë traditë edhe tek e mbesa Lumturije Nonaj, e cila është lahutarja e vetme femër në Shqipëri, por edhe te nipërit e tij Gjovalin dhe Gjet Nonaj.
Në daljen e tij të fundit në publik, pra në Gjirokastër rapsodi 105-vjeçar, Gjok Nonaj, ka interpretuar këngën epike “Fuqia e Mujit”, një fragment rapsodik i shkëputur nga eposi i Kreshnikëve. Eposi i kreshnikëve (ose Cikli i kreshnikëve) janë këngë epike, ku këngët kryesisht shoqërohen me lahutë.
Ardhja e lahutarit 105-vjeçar është vlerësuar si një risi e festivalit, ku për herë të parë lahutarët e familjes Nonaj, Gjoka e Lumturija (e bija) janë bërë bashkë duke kënduar në Gjirokastër.
Gjok Nonaj u nda nga jeta ne moshen 107 vjecare, ne korrik 2017./nje komb