Histori

Pse himariotët flasin greqisht sipas Petro Markos, Moikom Zeqos e Kristo Frashërit

Petro Marko: Himara, para disa shekujsh, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, quhej gjithë krahina e Labërisë së sotme, domethënë duke nisur nga Radhima, në Lekel e në Butrint. Dhe, siç dihet nga historia, ajo krahinë qe ndër zonat që i rezistoi turkut shekuj me radhë. Aty sulltanët kanë thyer kokën e tyre, aty gjetën strehë shumë nga shqiptarët, që nuk duruan dot zgjedhën turke. Gjatë viteve tridhjete, revistat “STUDI ORIENTALI”; “STUDI ALBANESI”, dhe veçanërisht Nilo Borxha, kanë nxjerrë nga arshivat e Vatikanit dokumente të rëndësishme për Himarën, sidomos për shekujt XVI, XVII, XVIII. Po ç’janë këto dokumente?

himare14Janë relacionet dhe letrat e misionarëve bazilianë në Shqipëri. Këta misionarë bazilianë, shumica arbëreshë ose me kombësi të tjera, po që dinin shqipen, më shumë për interesa politike se sa fetare, erdhën në Himarë. Prandaj shohim krerët e Himarës t’i drejtohen mbretit të Napolit, Papës së Romës, Spanjës, Polonisë, Rusisë për ndihmë materiale dhe jo bekime apostolike e lavdërime. Duke parë këtë gjendje në Himarë, Papa dërgoi misionarët e vet. Në një letër Neofit Rodino, misionar, midis të tjerave thotë: “Jam kurdoherë midis malësorëve të mi të dashur, gjithnjë i zënë për t’i evangjelizuar dhe për të mësuar fëmijët e tyre….”. Pas Neofit Rodinos, punoi në shkolla edhe Kostantidn Onofrio, për të çelur shkollë në shtëpinë e kapedan Lekës, mik i at Onofrios, që ishte në Dhërmi, ku jepte mësim në shkollën e atyshme. Edhe imzot Stanilas ka dhënë mësime në shkollën e Dhërmiut. Po ky, u luftua ashpër si dhe De Kamilis nga peshkopi ortodoks, i cili kur shkoi në Dhërmi dhe pa fëmijët të shkonin në shkollë e të mësonin, i mallkoi. Po pse i mallkoi? Pse dhespoti i Janinës ose i Delvinës që vareshin nga Fanari, mallkoi shkollat e atjeshme? Sepse ata mësonin shqip. Se librat që lexonin, ishin shqip dhe jo greqisht, siç ishin librat e Patriarkanës, që i shërbente verbërisht sulltanit. Sepse librat e Rodinës ose dhe Nilo Katalanos, siç do ta shohim më poshtë, ishin shqip se flisnin fshatrat e Himarës. Po të ishin greqisht, ata do të lexonin librat e Fanarit. Misionarët bazilianë, nuk bënë punën e Patriarkanës që t’u mësonin nxënësve greqisht për të lexuar librat fetarë të Fanarit! Po dokumenti më i saktë, që vërteton se në atë shkollë mësohej vetëm gjuha shqipe, është puna e madhe e Nilo Katalanit. Në kohën e tij, në Dhërmi, shkolla ishte zgjeruar shumë. Aty vinin nxënës nga Dukati, Tërbaci, e gjetkë. “Gramatikën shqipe, Nilo Katalanoja e bëri për 80 nxënësit e tij të shkollës së Dhërmiut”. Atë përdorte për mësim. Ky bëri edhe një fjalor shqip-italisht…Sipas Zef Skiroit, kjo gramatikë dhe ky fjalor gjenden në duart e Skirojve.

himare1111111111111111Në kohën e Nilo Katalanos, që vdiq atje dhe varrin e ka në Shën Thanas të Dhërmiut, Patriarkana e ndezi më shumë luftën kundër shkollave shqipe. Dhespoti i Janinës, që shkonte rrallë në fshatrat e Himarës, mallkonte dhe shpifte kundër atyre që ndiqnin shkollat shqipe. Kjo luftë përshkruhet shumë në relacionet e bazilianëve. Kam shkuar dhe kam parë varrin e Nilo Katalanos që është brenda në Ajovimë të Shën Thanasit, një kishë e vogël nja pesëdhjetë metra nga shtëpia ku kam lindur….Akoma e mbajnë në gojë, brez pas brezi emrin e Papa Dhimitrit, stërnipërit e tij në Gjilek. Me këto pak gjëra, del se si para tre shekujsh në Dhërmi dhe në gjithë fshatrat e Himarës (Himarë, Vuno, Palasë) kishte shkolla shqipe. Stërgjyshërit tanë luftonin me pushkë në dorë, duke mbrojtur lirinë dhe nderin e tyre, po ishin dhe në luftë për shkollat shqipe, për të mësuar shkrim e këndim, për të lëvruar gjuhën stërgjyshërore, gjuhën trime. Qysh atëherë, Patriku i Stambollit, me anën e dhespotit të Janinës mallkonte dhe çkishëronte gjithë ata që mësonin ne shkollat shqipe, aq sa një nga misionarët shkruan midis të tjerave: “Kur erdhi Dhespoti i Janinës dhe pa nxënësit në shkollë dhe dëgjoi meshën nga Onofrio, iu vërsul dhe e kapi nga mjekra brenda në kishë…” Vetëkuptohet egërsia e agjentëve të Fanarit, që s’lanë gjë pa bërë për të ç’kombëtarizuar krahinën heroike të Shqipërisë, Himarën e Labërinë.

mojkom zeqoMoikom Zeqo: Himariotët, arbërit që krenoheshin me Skënderbeun

Himara është një nga perlat e Kaonisë ilire në shekuj, banorët e brigjeve të saj janë quajtur fisi i Keraunëve (nga emri i vargmalit). Zeusi i keraunëve është më i vjetër se ai i mitologjisë greke. Vetë kreshtat malore të Akrokeraunëve, ose Maleve të Vetëtimave kanë qenë sipas profesorit të Kembrixhit, djepi i lindjes se kultit të Zeusit, që ka si atribut rrufenë. Ky prototip i Zeusit u zhvendos më vonë në Olimp të Greqisë. Zeusi i keraunëve përfaqëson kështu një mitologji paragreke, që duhet marrë në konsideratë nga studiuesit. Duket sikur parahistoria zanafillore e Himarës është spërkatur me yllësi perëndish dhe qeniesh të shpirtëzuara. Kaq shumë autorë legjendarë të antikitetit kanë folur për të, për të mos harruar më vonë, gjeniun e romantizmit, poetin Bajron, i cili ka shkruar vargje të shkëlqyera për himariotët luftëtarë.

Arkeologu francez, Leon Rei ka skalitur këto fjalë: “Nëse Shqipëria ka me se të mburret, ajo, në radhë të parë duhet të mburret me historinë e Himarës”. Dhe ja, në Palasë para shumë vitesh është gjetur një përkrenare bronzi tipike ilire e shek. V para Krishtit. Për fat të keq, kjo përkrenare sot është zhdukur. Është e pafalshme që nga shteti shqiptar nuk janë organizuar ekspedita arkeologjike në Himarë. Themelet e mureve të kalasë së Himarës kanë gurë të mëdhenj ciklopikë, të tipizuar si mure pellazgjike, që të paktën janë të lashtë nga shek. V para Krishtit. Padyshim në këto mure, jeta ka qenë akoma më e vjetër. Një forcë e çuditshme, një lloj elani jetësor, siç do te thoshte filozofi Bergson, e ka ngritur jetën e njerëzve në shpatet e Bregut te Detit, duke i emërtuar përfundimisht ata si bregdetas. Fshatrat e Himarës mund të quhen si qytete të vogla, tepër të lashta, që përbejnë një bizhuteri përrallore. Shtatë fshatrat e Himarës, si në një numër padidik Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Himara, Piluri, Kudhësi, Qeparoi. Por, në dokumente flitet edhe për një koncept më të gjerë të Himarës, ku përfshihet dhe Nivica, Piqerasi, Lukova, Dukati, Radhima, Tragjasi, Gumenica, Tërbaçi, Lopësi, Mavlova, Vranishti, Smokthina, Kallarati, Lepenica, Progonati, Tepelena, etj.

himara-e-vjeterHimarioti Anton Linerosa, sipas Barletit mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe u vra në betejën e Torviollit me 40 trima të tij më 1444. Me 31 gusht 1431, i biri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, Gjoni zbret nga Italia në Himarë dhe çliron tërë zonën dhe kështjellën e Borshit. Princi shqiptar, Balsha II ka qenë zotërues i Himarës, pas vdekjes së tij zotëruese qe gruaja Komita Muzaka. Më 12 korrik 1577, pleqtë e Himarës dërgojnë një letër për Papën, të cilën e dërguan në Romë Gjik Kola me Gjergj Katasin. Në këtë letër ata i thonë Papës se janë arbër, se krenohen me Skënderbeun dhe se kërkojnë që Europa t’u japë armë për të luftuar kundër pushtuesve. Në shek. XVIII, himariotët dërguan në Rusi Pango Bixhilin dhe Hil Kristoforin tek Caresha e Rusisë, Elisabeta Petrovna. Në letrën që iu dërgua careshës, thuhej: “Flasim shqip, atë gjuhë që flitet në tërë Shqipërinë deri në Bosnje”. Me 1818 Regjimenti Shqiptar në Korfuz luftoi për mbrojtjen e Psarës. Anglezi Millingen ka shkruar “Himariotët kishin pamje më luftarake në tërë ushtrinë. Nuk kanë dallim nga shqiptarët e tjerë. Veshja dhe gjuha – krejt e njëjtë”….Nuk është e rastit, që Papa Dhimitri nga Dhërmiu përktheu në shqip katekizmat, u hapën shkolla shqipe gjatë shek. XVI-XVIII. Historia e Kishës Katolike në Himarë nuk mund të zhduket dhe nuk mund të mohohet.

Kristo Frashëri: Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të 7 fshatrave

Në gjirin e shtatë fshatrave të Himarës ka një dallim në një pikë të rëndësishme. Tre nga vendbanimet e krahinës – Palasa, Himara dhe Dhërmiu – flasin brenda dhe jashtë shtëpisë shqip dhe greqisht. Katër fshatrat e tjerë, brenda dhe jashtë shtëpisë flasin vetëm shqip. Duhet patur parasysh se tre fshatrat e përmendura i kanë banesat e tyre afër detit. Për këtë arsye, ato merreshin kryesisht me lundrim, kurse kopshtarinë dhe blegtorinë e kishin si ekonomi ndihmëse. Pothuajse çdo familje kishte mjetin e saj të lundrimit, dikush anije, dikush varkë, sipas fuqisë ekonomike. Banorët e katër fshatrave të tjerë (Vuno, Qeparo, Kudhës dhe Pilur) me banesat e tyre në kodrina, larg buzës së detit, nuk merreshin, me ndonjë përjashtim, me detari, pra nuk kishin mjete lundrimi. Ata merreshin me kopshtari, blegtori dhe me emigracion. Si rrjedhim, sa herë që krahina e Himarës bëhej pre e fushatave ushtarake osmane, familjet e fshatrave kodrinore ngarkonin mbi kuaj teshat e shtëpisë dhe së bashku me familjet dhe bagëtitë e tyre strehoheshin përkohësisht në krahinën e Kurveleshit. Përkundrazi, banorët e tre fshatrave të buzëdetit, meqenëse nuk i merrnin dot anijet në krah, pasi ngarkonin mbi to familjet dhe orenditë e domosdoshme, lundronin në viset që nuk ndodheshin nën sundimin turk –kristo frashri në ishujt greke Jonianë (Korfuz) ose në brigjet italiane të Puljes dhe riatdhesoheshin, nganjëherë edhe pas disa vitesh, kur largohej rreziku turk…. Këto largime të përkohshme do të na shpjegojnë depërtimin e greqishtes (dikur, sikurse e pohojnë vetë krerët himariotë në një letër të tyren të vitit 1759, edhe të italishtes) tek banorët e tyre…. Sot në përgjithësi edhe historiografia shqiptare pranon se banorët e këtyre tre fshatrave, ndonëse jo të gjithë, e njohin greqishten. Por origjinën e saj, historianët shqiptarë e shpjegojnë me ndikimin që ka ushtruar kisha greko-fanariote në Shqipëri dhe pjesërisht me kontaktet tregtare, që këto fshatra kanë patur me qendra tregtare të afërta greke, kryesisht me Korfuzin dhe me ishujt e tjerë joniane…. Midis historianëve shqiptarë dhe atyre grekë ka pikëpamje të kundërta në tre drejtime. Sipas të parëve, banorët e këtyre tre fshatrave i përkasin kombësisë shqiptare dhe e kanë greqishten si gjuhë të dytë, sipas shkrimtarëve helenë ata i përkasin kombësisë greke dhe e kane shqipen si gjuhë të dytë.

E dyta, sipas të parëve idioma greqishte e këtyre tre fshatrave ka depërtuar nga jashtë në kohët e vona, sipas te dytëve ajo është me origjinë mesjetare, madje antike. Historianët shqiptarë e besojnë konstatimin e vëzhguesit të mprehtë anglez E. M. Leake, i cili pasi vizitoi Himarën më 1804 thotë: “Pothuajse të gjithë burrat dinë greqisht dhe ata që kanë qenë në kurbet, flasin edhe italisht; por gratë përgjithësisht s’dinë asnjë gjuhë tjetër veçse shqipes”. Të dytët, nuk e kanë kundërshtuar me argumente pohimin e M. Leake, i cili e thotë shkoqur se greqishtja në kohën e tij nuk ishte gjuhë familjare.

Marrë nga libri “Himara dhe përkatësia etnike e Himariotëve”

Pse himariotët flasin greqisht sipas Petro Markos, Moikom Zeqos e Kristo Frashërit Read More »

Lufta e Gjormit përmes fakteve, dokumenteve e këngëve të popullit

Nga: Lefter RROKAJ

Për luftën e Gjormit 31 dhjetor 1942 – 2 janar 1943 janë shkruar shumë artikuj në formën e kujtimeve nga dëshmitarët okularë të kësaj ngjarje, nga veteranët e LNÇL, nga studiues, historianë dhe ngjarja është përjetësuar në telajo nga Piktori i Popullit, Fatmir Haxhiu në v.1981. Piktura mban titullin “Lufta e Gjormit“ dhe është ekspozuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Pavarësisht këndvështrimeve dhe vlerësimeve që i bëhen kësaj ngjarje dhe aktorëve pjesëmarrës në këtë epope të lavdishme, pothuajse të gjithë autorët arrijnë në një rezultante të përbashkët, se kjo ngjarje ishte një luftë e armatosur e popullit të Lumit të Vlorës dhe vullnetarëve të ardhur nga krahina të tjera, pa dallim feje, krahine dhe ideje, sipas platformës së miratuar në Konferencën e Pezës, kundër një armiku të përbashkët, fashizmit Italian, i mbështetur nga mercenarët e Halil Alisë e Selim Kaloshit, të mobilizuar në krahinën e Dibrës. Në këtë betejë, në krah të çetës Plakë të Vlorës, që ishte i vetmi formacion i organizuar dhe i armatosur, u rreshtuan vullnetarët popullorë të organizuar në çeta territoriale sipas fshatrave, si dhe forcat nacionaliste të Hysni Lepenicës e Skënder Muços. Zanafilla e këtij konflikti të armatosur midis popullit të kësaj krahine dhe fashistëve italianë e shërbëtorëve të tyre nis në datën 17 dhjetor 1942, kur qeveria kolaboracioniste e Mustafa Krujës me urdhër nr 107/5 mori vendimin ogurzi për ndëshkimin e popullit të Vlorës me këtë motivacion: Në tërë Shqipërinë, Vlora mban sot rekordin e turbullirave. Erdhi dita e masave të forta. Dhe prandaj vepra shtypëse e autoriteteve do të fillojë nga Vlora. Do të shkatërrojmë shtëpitë dhe pasuritë e të arratisurve [kështu i konsideronte Qeveria e M. K. luftëtarët e lirisë]. Do të internohen familjet e të arratisurve. Në zbatim të këtij vendimi qeveria e M. K. ngarkoi 2 kolaboracionistët e fashizmit Halil Alinë dhe Selim Kaloshin të mobilizonin 2 batalione vullnetarësh me një

efektiv mbi 1000 vetë nga krahina e Dibrës, të cilët do të viheshin në dispozicion të komandantit të operacionit, kolonelit Italian Franko Klemente për të mbështetur veprimet luftarake të njësive fashiste të komanduara prej tij, e thënë më shqip, për t’u përdorur si mish për top. Rreth datës 21 deri 22 dhjetor 1942 grupi i mercenarëve dibranë të transportuar me mjetet e fashistëve italianë zbarkoi në Vlorë duke krijuar në qytet një situatë elektrizuese, efektet e së cilës u përhapën me shpejtësi edhe në fshatrat e Vlorës. Në këto kushte Komiteti Qarkor i Vlorës që drejtohej nga Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, i shqetësuar nga situata kritike që pritej të shpërthente nga çasti në çast, mori masat e para organizative duke u bërë thirrje 2 përfaqësuesve kryesorë të qeverisë së Mustafa Krujës, prefektit të Vlorës Vangjel Koçi, i njohur me emrin e shkurtuar Lele Koçi dhe të dërguarit të jashtëzakonshëm të qeverisë së Mustafa Krujës, Qazim Koçulit, të bënin një takim në Brataj, me qëllim që të evitohej përçarja në popull dhe situata të mos precipitonte drejt një konflikti të armatosur, si dhe të ndikonte te Mustafa Kruja me të cilin Qazim Koçuli kishte miqësi të vjetër. Këtë ftesë të sinqertë të Qarkorit të Vlorës Qazim Koçuli e refuzoi duke humbur kështu shansin historik për ta në

nshkruar për herë të dytë historinë. Një nga organizatorët kryesorë të Kuvendit të Barcallasë, ish-komandanti i forcave kryengritëse të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që hodhën në det më 20 qershor 1920 trupat pushtuese italiane me në krye gjeneralin Piacentini, mbas 23 vjetësh bëri hapin më fatal të karrierës së tij politike, hap që i kushtoi atij jetën.

Populli i kushtoi këtij veprimi antikombëtar vargjet aq shumë të njohura .
Kush e prishi këtë punë,
Kruja me Qazim Koçulë,
Mercenarët në Vlorë i prunë, dhe
Luftën në Gjorm e zunë.
Meqenëse dështuan negociatat me përfaqësuesit e qeverisë, u organizua një takim me Halil Alinë, me ndërmjetësinë e një shehu, me përfaqësuesit e Qarkorit Vehbi Hoxha e Hetem Gjinushi. Por Halil Alia duke devijuar nga propozimet që i bënë përfaqësuesit e Qarkorit dhe nën presionin e italianëve dhe qeverisë Kruja, i refuzoi kërkesat e tyre, duke i hapur rrugë konfrontimit të pashmangshëm. Në këto kushte, kur në horizont nuk dukej asnjë zgjidhje, Qarkori i Vlorës mori me shpejtësi masat emergjente për përballimin e situatës së jashtëzakonshme, e cila ishte çështje orësh. I vetmi njësit i organizuar ishte çeta Plakë e Vlorës me 40 luftëtarë të zgjedhur që kishte komandant Neki Imerin [Vangjon] nga Lepenica, një nga djemtë më trima dhe më inteligjentë të Lumit të Vlorës dhe komisar Qazim Çakërrin [Divi] nga Tragjasi, një familje me emër e kontribute të pa diskutueshme gjatë LNCL. Qarkori i Vlorës në bashkëpunim me këshillat NÇl. të çdo fshati bëri mobilizimin e burrave të aftë nën armë me kushtrimin luftarak 5 pushkë dhe një bombë, u bë organizimi në çeta territoriale të çdo fshati. Në të njëjtën kohë u përcaktuan edhe 3 drejtimet kryesore nga ku mund të marshonte armiku drejt krahinës së Lumit të Vlorës, në rrugën automobilistike Vlorë-Qafë e Dushkut -Ura e Gjormit -Gjorm do të marshonte makineria fashiste italiane, ndërsa nga Qafa e Shëngjergjit që kufizon Tërbaçin me Dukatin dhe në drejtimin Tragjas – mali i Lungarës – Gjorm mund të marshonin mercenarët e Halil Alisë; për mbrojtjen e Qafës së Shëngjergjit u ngarkua një pjesë e çetës së Terbaçit që kishte komandant Beqir Selimin. Hollësitë e këtij momenti i përshkruan Hito Çako në kujtimet e tij, të cilat janë botuar në këtë faqe, nga ana e Juljan Skëndos, nip i Beqir Selimit, dhe të cilave nuk do t’u lëviz asnjë presje. Në mbrëmjen e datës 26 dhjetor 1942, çeta Plakë kreu veprimin më të guximshëm, duke hedhur në erë depot e municionit në Radhimë, ku italianët kishin rezerva të konsiderueshme armatimi për kryerjen e operacioneve luftarake në shkallë të gjerë. Pastaj çeta u tërhoq në drejtim të Tragjasit, në pritje të zhvillimit të ngjarjeve. Në ndjekje të çetës në datën 27 dhjetor, u vunë mercenarët e Halil Alisë me 3 kolona me 1500 vetë, me qëllim rrethimin dhe asgjësimin e saj. Duke llogaritur raportin e forcave, që ishte me diferencë të madhe në favor të kundërshtarit dhe me qëllim që të ruhej kompaktësia dhe aftësia luftarake e çetës, u pa e arsyeshme që me një manovrim të rrufeshëm të shkëputej kontakti me kundërshtarin. çeta u tërhoq në drejtim të Gjormit, atje ku mendohej se ballafaqimi do të ishte i pa evitueshëm. Gjormi konsiderohej si terreni më i përshtatshëm ku do të përcaktohej edhe fati i këtij konflikti të armatosur. Jo më kot Qazim Koçuli deklaronte me cinizëm, por me vërtetësi se kush merr Gjormin, ka marrë gjithë krahinën. Të befasuar nga manovrimi i çetës Plakë, mercenarët e Halil Alisë e nxorën dufin me banorët e fshatit Tragjas. Të pashembullta kanë mbetur në kujtesën e popullit të Tragjasit, lemeritë që u shkaktuan njerëzit e uritur dhe të pa moralshëm të Halil Alisë, të cilët në kuptimin më të keq të fjalës i nxorën fshatit ujë të zi. Edhe sot kujtohen tmerret që përjetuan pleqtë, gratë e fëmijët që u trajtuan barbarisht nga mercenarët pa gjak shqiptari, të frymëzuar nga vendimi ogurzi i qeverisë Kruja, dhe nga krerët bajraktarë të shitur te pushtuesit e huaj. Të pangopur në limitet më ekstreme, mbasi therën në masë bagëti, dhe rrëmbyen çfarë u zuri dora, ngarkuan kuajt e fshatit dhe nisën plaçkat e rraqet e rrëmbyera drejt kazermave të ushtrisë italiane në Vlorë dhe pastaj drejt Fushë Çidhnës. Episodet e një vandalizmi të tillë i përcjell sot te spektatori Artisti i Popullit Pandi Raidhi me batutën brilante: “Kështu të jetë katandisur edhe Shabani ynë?!” Në datën 31 dhjetor 1942 armiku i nisur nga 2 drejtime [u përjashtua drejtimi Tragjas -Qafë e Shëngjergjit -Tërbaç ]. 1 Në drejtimin Vlorë -Qafë e Dushkut -Gjorm lëvizte autokolona italiane e përbërë nga 1 regjiment milicie, 1 grup karabinierësh, 1 batalion i rojës së financës, 1 batalion këmbësorie 1 grup artilerie dhe 1 n/repart i motorizuar, rreth 1500 vetë, nën komandën e kolonel Klemente.
2- Në drejtimin Tragjas – mali i Lungarës – Gjorm lëvizte turma laramane e Halil Alisë. Këtë skenë tragjike populli e ka përjetësuar në vargjet tronditëse;
Ç’është kështu siç po dëgjojmë,
Mercenarët që po shkojnë,
Nga mali i parë kaptojnë,
Nga Tragjasi për në Gjormë.
Në momentin e parë raporti i forcave fliste dukshëm në favor të armikut. Karshi 3000 forcave kundërshtare, të armatosura deri në dhëmbë, të mbështetura me armë të rënda e mjete të motorizuara, qëndronte një çetë partizane me 40 luftëtarë, por në një kohë rekord, ky raport nga ora në orë ngushtohej, si rezultat i mobilizimit të çetave territoriale nga të gjitha fshatrat dhe vullnetarëve të ardhur nga krahinat përreth, Zemra dhe shpirti i kësaj qëndrese ishin luftëtarët trima të çetës Plakë, të mbështetur fuqishëm nga qindra vullnetarë popullorë që e priten armikun kudo me armë, që nga Ura e Gjormit dhe gjatë gjithë rrugës automobilistike, në pjerrësitë e malit dhe deri në luftime të afërta me të. Sinjali i sulmit u dha në orën 23;30 min të datës 31 dhjetor 1942 dhe armiku u befasua nga që nuk e priste një organizim të kësaj shkalle kaq të lartë, që i përmbysi planet e tij për një fitore të shpejtë e pa humbje. Për 36 orë rresht u zhvilluan luftime të ashpra, ku italianët vunë në veprim edhe armët e rënda. Ballafaqimi i përgjakshëm shkaktoi edhe viktimat e para,ku terreni i favorizonte më shumë forcat popullore mbasi nga njëra anë ishte lumi i Shushicës, i pa kalueshëm në këtë periudhë, dhe nga ana tjetër pjerrësitë e malit, në të cilat ishin pozicionuar luftëtarët. Në fushën e Gjormit kalonte rruga automobilistike ura e Gjormit – Gjorm – Brataj dhe në qendër të teatrit të luftimeve ishte fshati Gjorm që u kthye në një Moskë të vogël. Situata e krijuar dhe terreni i ngushtë ku zhvilloheshin luftimet i ngjante tregimeve që kemi mësuar nga librat e historisë dhe filmave që i referohen betejës së Thermopileve ku Leonida me 300 spartanë luftoi me heroizëm 480 vjet para Krishtit me hordhitë e mbretit Kserks të Persisë. Por me ndryshimin se Leonidës nuk i erdhën në ndihmë aleatët, ndërsa 40 spartanët e çetës Plakë ishin të mbështetur fuqimisht nga populli, që nuk i la vetëm bijtë e tij. Të duket e pabesueshme që kjo ngjarje e ardhur nga thellësitë e shekujve, që më tepër është më afër kufirit të një legjende festohet me madhështi në çdo 9 gusht nga populli grek, ndërsa luftën e Gjormit dhe heronjtë që e ngritën lavdinë e saj në nivelet e të pabesueshmes, i ka mbuluar hija e heshtjes. Atëherë kur dukej qartë se armiku ishte futur në një darë të hekurt dhe rreziku i asgjësimit të plotë ishte evident, komanda e Korpusit 25 fashist e përqendruar në Vlorë dërgoi në ndihmë të të rrethuarve njësi të reja të motorizuara, tanke e autoblinda, duke hequr dorë nga synimi fillestar për të marshuar përpara dhe, mori masat për të dalë nga gracka dhe për t’u tërhequr me sa pak humbje. Pikërisht në këtë moment erdhi lajmi se ishte vrarë komandanti i operacionit, koloneli Klemente, i cili ishte rrëzuar nga kali. Për vrasjen e kolonelit ka pasur shumë versione, duke e veshur këtë ngjarje edhe me nota humori, kur një grup luftëtarësh panë me një dylbi të vjetër të mbetur nga lufta e ’20-ës, një oficer të mbuluar me pelerinë e të hipur mbi kalë, në një lartësi dominuese, dhe një prej tyre tha se ky do të jetë ai i madhi i tyre, ta vrasim qenin. Duke shfrytëzuar terrenin e veshur me shkurre, iu afruan dhe e qëlluan duke e rrëzuar nga kali. Më i besueshëm është versioni tjetër se koloneli ka qenë larg vijës së parë të frontit si dhe rrezes së armëve të luftëtarëve, dhe në distancë ndiqte me shqetësim e mllef luftimet, ku Gjormi po kthehej për të në një makth që gradualisht po shënonte fundin e tij të pa lavdishëm. Për asgjësimin e kolonelit janë përdorur armë me qytë të gjatë dhe me precizion të lartë, armë belxhik. Sipas teorisë së qitjes është krijuar një perde zjarri duke qëlluar në të njëjtën kohë drejt objektivit me disa armë të tilla. Këto episode kaq dramatike populli i përmbledh në një varg me 2 rreshta.
Në u varça dot i gjallë,
Do të djeg, do të vë ‘zjarrë.
Këto rreshta të shkruara nga populli dhe përgjigja që i dha Gjormi kolonelit Klemente shkojnë në kondicion të plotë me kërkesën që Kserksi, mbret i persëve, sipas mitologjisë i bëri Leonidës; Më jep armët. Dhe Leonida i bëri ofertën epike: “Molon lave” [ec e merri], por me ndryshimin se poeti popull e përjetësoi me vargje fundin e kolonelit duke identifikuar edhe vendin se ku ishte ky fund.
Kalibaq, o zall i bardhë,
U vra konsulli mbi kalë.
Vrasja e kolonelit shënoi edhe fundin e aventurës së armikut,. Lufta e Gjormit përfundoi, në pasditen e datës 2 janar 1943 dhe atë e fitoi populli i Vlorës. Armiku pësoi dëme të rënda që shkonin mbi 80 të vrarë, mbi 160 të plagosur, 80 vetë të zënë rob, si dhe shumë material luftarak. Përveç kolonel Klemente, u vra edhe një nga nipat e Halil Alisë dhe u plagos rëndë bashkëpunëtori më i afërt i tij Selim Kaloshi, i cili u transportua nga mercenaret dibrane dhe vdiq në fshatin e tij. Nga radhët e luftëtarëve dhanë jetën 7 vetë, 5 prej të cilëve ishin komandantët e çetave, sipas radhës së fshatrave; Bako Tafili nga Gjormi, Hano Rexhepi nga Lepenica, Bajram Xhebro nga Brataj, Beqir Selimi nga Terbaçi, Qamil Asllani nga Vranishti, si dhe 2 vullnetarë nga Smokthina, Velo Hysi e Bajram Rexhepi, si dhe u plagosën 14 të tjerë. I tmerruar nga disfata e pësuar Halil Alia në mbrëmjen e datës 5-6 janar 1943 vrau në Vlorë në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit Qazim Koçulin, si dhe prefektin Lele Koçi, duke iu faturuar atyre përgjegjësinë për shkaqet e disfatës si dhe duke vulosur plotësisht karakterin e tij gjakatar, si një barbar që nuk i njeh kufijtë e arsyes, edhe atëherë kur larja e hesapeve bëhet brenda llojit. Vrasja e 2 zyrtarëve të lartë shënoi edhe fundin e qeverisë së Mustafa Krujës, e cila dha dorëheqjen, e pa aftë të çonte para drejtësisë kolaboracionistin e fashizmit Halil Alinë. Këtë vrasje e konfirmoi drejtori i përgjithshëm i policisë Shyqyri Borshi me këtë njoftim: Në ora 12 të dt 5 të vazhduesit, ministri Koçuli e prefekti Koçi nga Vlora të gënjyer nga vullnetaret dibrane aty, mandej kanë qenë vrarë nga ata 2 km larg qytetit [A.Q. SH. Faqe 153 viti 1943 D.224,Faqe 6]. Ndërsa për cilësimin e Halil Alisë si kolaboracionist, vlen të theksohet konfirmimi që i bën këtij fakti historiani ultra i djathtë Uran Butka në orën 8:02 të datës 17-09-2016 ku thotë shprehimisht: Në betejën e Gjormit, në kuadrin e një operacioni spastrimi, merrnin pjesë përkrah pushtuesve italianë edhe forcat mercenare kolaboracioniste të Halil Alisë e Selim Kaloshit, me urdhër të kryeministrit Mustafa Kruja [nr 107/5 dt 17-12-1943]. Për ironi të fatit njeriu që i shkaktoi popullit të Vlorës tmerre të pa dëgjuara, jo vetëm që nuk konsiderohet si bashkëpunëtor i fashizmit, por edhe nderohet e vlerësohet me tituj e dekorata. Vetëm 10 km larg qendrës së Tiranës, në Bashkinë e Kamzës, ku është kryetar Bashkie Xhelal Mziu, një nga figurat më kontraverse të politikës shqiptare të këtyre 28 vjetëve, një rrugë e këtij qyteti mban pa asnjë lloj motivi emrin “Halil Alia”. Ish-komuna Fushë Çidhën, vendlindja e Halil Alisë e ka shpallur atë Qytetar Nderi. Ndërsa në qytetin e Peshkopisë është ngritur statuja e tij. Në të gjithë Evropën bashkëpunëtorët e fashizmit janë ndëshkuar, pavarësisht të kaluarës së tyre të mëparshme. Mjafton të cilësojmë këtu rastin e Marshallit Peten, Heroi i Luftës së Parë Botërore. Franca nuk i mori parasysh meritat e tij, por e dënoi atë me vdekje, e cila për shkak të moshës, iu kthye me dënim të përjetshëm, vdiq më 23 korrik 1951, në moshën 95 vjeçare. Të njëjtin fat patën edhe ish-k/ministrat: i Francës Pier Laval, i Norvegjisë Vidkum Kuisling, i Holandës Anton Muserti etj. Vetëm Franca dënoi me vdekje gjatë Luftës 6000 kolaboracionistë dhe mbas lufte 4000 të tjerë. Ndërsa në Shqipëri asnjë prej tyre nuk është cilësuar kolaboracionist, pavarësisht se bëmat e tyre sot janë kthyer në barsoleta. Halil Alia u ekzekutua në Tiranë, më 1944, nga Maksut Kalemi nga Koçuli, i cili deklaroi se e bëri këtë veprim në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Qazim Koçulit. Për Qazim Koçulin dhe Lele Koçin, shkrimtari i njohur Naum Prifti shkruan se janë shpallur dëshmorë të LNÇL. Por e vërteta për të cilën flet shkrimtari i nderuar është pak më ndryshe. Në dhjetor 1946 është bërë një propozim nga 3 figura të njohura të Luftës Nacional Çlirimtare; Hasan Pulo, Shemsi Totozani dhe Pupo Shyti, por komisioni i vlerësimit të dëshmorëve të Luftës nuk e mori në konsideratë një propozim të tillë.
Pavarësisht kalimit të viteve dhe pluhurit që përpiqet propaganda e djathtë ta mbulojë këtë epope të lavdishme, jehona e Luftës së Gjormit nuk e ka humbur dhe nuk do ta humbasë kurrë aktualitetin e saj. Populli i ruan në memorien e tij historike ato ditë të lavdishme dhe emrat e heronjve që i dhanë asaj pavdekësinë. Rapsodi i shquar i fshatit tonë, Xhebro Gjika i thuri me pasion vargjet e këngës aq të njohur që këndohet në çdo vatër, në momente gëzimi, festive, dasma e ceremoni të tjera.
Kush është vrarë i pari,
Hajredin Nurua në Vlorë.
I dyti Beqir Selimi,
Vrarë në luftën në Gjorm.
Për hir të së vërtetës rreshti i 4 në variantin fillestar ka tingëlluar ndryshe, por tërbeçiotët, si popull fisnik e tolerant e kanë ndryshuar atë, duke lënë pas fantazmat e të kaluarës dhe pavarësisht se falin, por ata kurrë nuk harrojnë. Kur ishim nxënës shkolle, dëgjonim shpesh të këndohej kënga; “Të kërkon Delo Balili o Bakooo birbilooo”Të them të drejtën unë e dija kush ishte Delo Balili, por Bakon e identifikoja me një personazh tjetër të njohur të Luftës. Shumë vite më vonë kur u emërova në Korçë, pyeta një shokun tim nga Gjormi, nëse kjo këngë i kushtohej komandantit tonë të korpusit B. D.
Shoku që e dinte mirë këngën ma recitoi ;
Të kërkon Delo Balili,
Lule o Bako Tafili,
Të daltë lart nga ShënMërtiri ‘
Ku u vra Beqir Selimi
O BAKOOO, BIRBILOO.

Lufta e Gjormit përmes fakteve, dokumenteve e këngëve të popullit Read More »

Vlora me 8 kështjella dhe dy dete

Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.

Miradministrimi i tyre mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj.

Ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve.

Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra.

Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të Kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e husëve.

Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1,6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme turistike që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.

Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3.625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.

Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s. E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë.

Por, një kështjellë e hershme është edhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s.

Dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizmin e jugut shqiptarë. Nisin me plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qendror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen në këtë periudhë nga pushues të shumtë.

Vlora mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.

Vetëm Parku i Llogarasë për vitin që shkoj u vizitua nga rreth 90 mijë turist. Po kështu dhe Zvërneci kapi mbi 20 mijë vizitorë pa llogaritur plazhet e Vlorës ku pushuesit janë të shumtë. Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar…

Vlora me 8 kështjella dhe dy dete Read More »

75 vjet më parë fashistët digjnin Tragjasin

Guri Shyti

Viti 1943 është quajtur viti i kthesës së madhe në skakierën e Luftës së Dytë Botërore, pasi, fitorja historike në Betejën e Stalingradit, apo në betejat e tjera të zhvilluara në Frontin Lindor, ashtu si edhe aksionet e shpeshta luftarake të popujve të pushtuar nga trupat e Boshtit, kishin bërë që bisha fashiste, jo vetëm ta humbiste atë vrullin e fillimit, por të shikonte me shqetësim fundin e pashmangshëm të saj. Rezultat i kësaj situate të favorshme ishte edhe shkarkimi i Mussolinit nga posti i diktatorit, në Itali, dhe vendosja në vend të tij e një mareshalli më pak arrogant e mendjemadh se paraardhësi, por jo më pak mizor.

Në kuadrin e gjithë qëndresës antifashiste europiane edhe në Shqipëri ishin shtuar forcat kryengritëse dhe ishin intensifikuar aksionet luftarake të tyre kundër pushtuesve fashistë. Lufta partizane kishte rritur përmasat e saj, aq sa u ndje e domosdoshme të krijohej një shtab udhëheqës për koordinimin e veprimeve luftarake.

Pikërisht në këtë periudhë, kur mendohej se ushtria fashiste italiane nuk e kishte më forcën e dikurshme goditëse, kur mendohej se vetë perandoria fashiste ishte duke “dhënë shpirt”, në drejtim të fshatit Tragjas u nisën forca të shumta për ta nënshtruar atë që, me veprimtarinë antifashiste, i kishte shkaktuar jo pak telashe komandës së forcave pushtuese në Vlorë dhe më gjerë.

Tragjasi, për ata që nuk e njohin, ishte (ndjej dhembje që detyrohem të flas në kohë të shkuar) një fshat me bukuri të rrallë. I ngritur në disa kodra rreth 300 metra mbi nivelin e detit, ai ngjante si një tufë pëllumbash të bardhë që, të lodhur në fluturimin e gjatë, kishin ndaluar majë atyre kodrave për të pushuar, por edhe për të soditur gjiun e kaltër të Vlorës, përballë me Sazanin dhe Karaburunin në “rojë”. Emri i fshatit, vjen nga fjala etruske “tregast”, ashtu si edhe Trieste e Italisë. Kjo do të thotë se daton përpara erës romake, dhe këtë e thonë vetë studjuesit italianë.

Pa dashur të thellohem në histori, duhet të theksoj se Tragjasasit asnjëherë nuk janë pajtuar me pushtuesit dhe kurrë nuk i kanë pranuar padrejtësitë, prandaj edhe janë ngritur në luftë kundër tyre. Këtë e tregon më së miri fakti që, sipas këngëve popullore të mbetura brez pas brezi, në kryengritjet e shpeshta antiosmane morën pjesë masivisht fshatarët e Tragjasit, të udhëhequr nga Mahmut Hoxha, Kamber Delua, Numan Bala, më vonë Alem Mehmeti etj. Tragjasasit nuk iu nënshtruan as Ali Pashë Tepelenës, prandaj ai e ndëshkoi gjithë fshatin me shpërngulje për shumë vjet, duke ia lënë tokat djerr. Në kohën e kryengritjeve të Tanzimatit çeta të Tragjasit luftuan heroikisht kundër hordhive osmane deri në Sinjë dhe Konisbaltë të Beratit. Edhe në Luftën e Vlorës, në v. 1920, tragjasi mori pjesë masivisht dhe i dha Atdheut tre dëshmorë.

Tragjasi ka një të kaluar të lavdishme edhe në fushën e arsimit dhe kulturës. Mjafton të përmendim se shkolla e parë shqipe në Tragjas është hapur ndër të parat në vend, qysh në v. 1908, viti i Kongresit të Manastirit; që rrugën e kurbetit e morën mbi njëqind djem të tragjasit për të punuar, por edhe për të përfituar nga kultura e atyre vendeve. Tragjasi ka qenë i vetmi fshat në qarkun e Vlorës që shkollën fillore e kishte me pesë klasë, të tjerat ishin vetëm me tre ose katër klasë. Si vërtetim i dëshirës së tragjasasve për kulturë është edhe fakti unikal që, vetë fshatarët jepnin ndihmesën e tyre në para’, pa i detyruar kush, për shkollimin e nxënësve të dalluar nga fshati, deri edhe jashtë shtetit. Këto shtysa bënë që Tragjasi, përpara luftës, të kishte njerëz me shkollë të lartë dhe të mesme aq sa gati i gjithë qarku i Vlorës.

Pas pushtimit fashist, ishin pikërisht djemtë e shkolluar të Tragjasit pishtarët e parë të luftës për liri. Gati i gjithë fshati u lidh pazgjidhmërisht me Luftën Atifashiste Nacional Çlirimtare. Ishte nga Tragjasi djaloshi Shyqyri Alimerko (Hero i Popullit), i cili, në gusht të v. 1941, u vuri zjarrin depove mijëratonëshe me municionet italiane, në Radhimë, që përgatiteshin të dërgoheshin në frontin e luftës italo-greke. Pikërisht në Tragjas e kishte bazën e vet kryesore edhe çeta e parë e organizuar partizane, që mori emrin “Çeta Plakë e Vlorës”.

Për të thyer qëndresën e këtyre fshatarëve, në kapërcyellin e viteve 1942-43, me urdhër të kryeministrit kuisling M. Kruja u dërguan dy regjimente mercenare, me në krye tradhëtarët dhe kriminelët H. Alia e S. Kaloshi, të cilët pas shumë krimeve ndaj fshatarëve të pambrojtur, u detyruan të largoheshin me turp nga  sulmi i forcave partizane. Në Tragjas e pati bazën kryesore përballja me padrejtësitë që filluan të bëheshin gjatë luftës, edhe me ndikimin e të dërguarve jugosllavë, të cilën historiografia e kohës e quajti “Fraksioni i Vlorës”.

Në këtë situatë të ndezur luftarake, më 5 gusht të v. 1943, në drejtim të Tragjasit u nisën forca ushtarake italiane të përbëra nga rreth 2500 ushtarë e oficerë të armatosur deri në dhëmbë.

Ndonëse në mbrojtje të fshatit morën pjesë të gjithë ata që ishin në gjendje të përdornin pushkën, duke u fshirë përkohësisht edhe dasitë ideoologjike që ishin krijuar, madje kishte ardhur në ndihmë edhe batalioni “Ismail Qemali”, i udhëhequr nga H. Kapo, gjithsesi, forcat partizane të fshatit, si nga sasia dhe nga armatimi, ishin tejet të pamjaftueshme për t’iu kundërvënë me sukses forcave të shumta armike. Kundër luftëtarëve që mbronin fshatin e tyre armiku përdori artileri, mortaja dhe, sidomos dy-tre avionë, të cilët, duke ndërruar njëri-tjetrin, mitralonin dhe bombardonin, jo vetëm luftëtarët e vendosur në front, por edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin fshehur në malin e Lungarës.

Megjithë vrullin luftarak të forcave mbrojtëse të fshatit, me gjithë dëshirën e mirë ta sprapsnin armikun dhe të mos e linin të futej në fshat, gjithsesi, taktika e luftës partizane na mëson se luftimet frontale janë raste shumë të rralla dhe vetëm në situata të detyrueshme, shumë të veçanta, prandaj parrulla e luftës partizane është: “Godit si rrufeja dhe zhduku si era”; ndërsa një rregull tjetër edhe më i rëndësishëm i luftës është që, përpara se të hysh në një betejë frontale, duhet të bësh raportin e forcave dhe të mjeteve; vetëm atëherë kur ky raport është i pranueshëm, mund të futesh të luftosh. Por, siç e theksuam, në rastin konkret u shkelën të dyja kërkesat, pasi raporti i forcave, si në trupa, por sidomos në teknikë luftarake, ishte dhjetra herë në favor të armikut. Në ato kushte çetat partizane duhej të goditnin dhe të tërhiqeshin në pozicione më të sigurta. Në Tragjas kjo nuk ndodhi. Komanduesit e forcave partizane dhe kryesisht H. Kapoja, vendosi të organizonte “mbrojtjen e fshatit” me forcat e tij tejet të pamjaftueshme. Si përfundim, pas dy ditë luftimesh të përgjakshme, pasi u thyen disa sulme të armikut, forcat partizane u detyruan të tërhiqeshin duke e lënë Tragjasin në mëshirën e fashistëve.

Në këto kushte, armiqtë, të inatosur, si nga gjendja e brendshme e Italisë, por, sidomos nga humbjet që pësuan gjatë luftimit, të cilat, duhet thënë, ishin të shumta, në mëngjesin e 7 gushtit të v. 1943, si bisha të plagosura, u futën me pishë në dorë dhe i vunë zjarrin pothuajse të gjithë fshatit. Nga treqind shtëpitë e Tragjasit, mbijetuan vetëm rreth njëzet.

Dhe populli siç është zakon në ato treva, e qau me këngë: “Shokë do këndoj një këngë/ Do këndoj për fshatin tënë/ Fashizmi na bëri gjëmë/ E dogji me gjithë rrënjë/ Nukë la shtëpi në këmbë”.

Gjithsesi, pavarësisht nga problemet e organizimit, epopeja e Tragjasit hedh poshtë edhe një herë me neveri pretendimet e pinjollëve të bashkëpunëtorëve të fashizmit se: “Në Shqipëri nuk është luftuar”, apo pretendimin edhe më absurd se: “Luftën e ka bërë kinostudio në filmat e saj”.

Vlen të theksohet një fakt domethënës. Pikërisht ata ushtarë dhe oficerë italianë, që morën pjesë në djegien e fshatit, pasi kapitulloi Italia, vetëm një muaj më vonë, më 8 shtator 1943, erdhën tufa-tufa në fshat për t’u shpëtuar raprezaljeve të gjermanëve. Fshatarët fisnikë të Tragjasit, jo vetëm nuk i përzunë ish-armiqtë, por i strehuan brenda mureve të shtëpive të djegura po prej atyre ushtarëve dhe i ushqyen me bukën e misrit të fëmijëve të vet, nga ajo që kishte mbetur pasi, po ata ushtarë ua kishin djegur në hambarët e shtëpive.

Fatin e Tragjasit, d.m.th. shkrumbimin e skajshëm, nuk e pati asnjë fshat tjetër, jo vetëm në Vlorë, por edhe në krahina të tjera. Natyrshëm lind pyetja: Pse Tragjasi? Pse pikërisht në luftën e Tragjasit duhej të shkeleshin ato rregulla, që nuk ishin shkelur më parë dhe nuk u shkelën më vonë, pothuaj gjatë gjithë aksioneve luftarake të partizanëve? Dhe natyrshëm lindin dyshimet. Mos ishte kjo hakmarrje ndaj faktit që Tragjasi, si kundërshtar i padrejtësive që ishte, përkrahu fuqimisht prirjen demokratike gjatë luftës, d.m.th. “fraksionin”? Them se po. Për të vërtetuar këtë hamendje mund të përmendim disa fakte: M. Shehu, gjatë qeverisjes së tij prej disa dekadash, nuk la cep të Shqipërisë pa shkelur, madje edhe në fshatra që e kishin pritur me pushkë dhe e kishin gjakosur brigadën e tij gjatë luftës, ndërsa në Tragjas nuk shkoi asnjëherë, ose, më saktë, shkoi vetëm një herë, në v. 1967, dhe deklaroi përpara fshatarëve se: “Nuk kam ardhur për Tragjasin, por për nysafirët nga Malësia e Madhe”. Për këtë argument ka edhe fakte të tjera që i kanë lënë në kujtimet e tyre njerëz të nderuar të Tragjasit dhe që e vërtetojnë hamendjen tonë. Një fakt tjetër është nisma e H. Kapos, i cili, pas çlirimit, i bëri një gjëmë tjetër fshatit duke e shpërngulur nga trojet e të parëve për të ndërtuar nga e para një fshat të ri, me mundime të patreguara të fshatarëve, edhe ashtu të sfilitur nga lufta, duke zënë tokat e bukës dhe përmbi burimet e ujit të Izvorit, gjë që e ka vënë në dyshim pastërtinë kristalore të  tij. Është edhe diçka tjetër që na shtyn të bëjmë hamendësimin e mësipërm: Tragjasit, i cili u ngrit ndër të parët në luftën çlirimtare, që i dha Atdheut mbi dyzet heroj populli e dëshmorë dhe që, ndër të parët përqafoi reformat revolucionarizuese të pas çlirimit, nuk iu dha asnjë dekoratë, ose titull nderi, siç ndodhi me shumë fshatra të tjera. Madje nuk përmendet as në shkrimet e herëpashershme që flasin për masakrat fashiste, sikur Tragjasi të mos figuronte në hartën e Shqipërisë.

Gjendja në të cilën është katandisur ai fshat heroik, në të gjitha aspektet, është aq tragjike sa edhe ne, të lindurit atje, na tremb dhe na shkakton dhembje të thellë. Me të drejtë një poet nga fshati ka shkruar, midis të tjerave: “…Veç gërmadha. Ferrat gjembat,/ Sokakët kanë mbuluar./ Kjo plagë zemrën ma shembi,/ Plagë që s’ka të shëruar…/

Le të shpresojmë që projekti i “100 fshatrave”, i ndërmarrë nga qeveria Rama dhe ku përfshihet edhe Tragjasi, do ta gjallërojë paksa atë trevë të pasur nga shumëçka, por të varfër për nga kujdesi njerëzor.

75 vjet më parë fashistët digjnin Tragjasin Read More »

SHKOLLAT E PARA SHQIPE TË MESJETËS

Nga

Ndue Dedaj

Këto kohë ka pasur zëra të shkruar e të pashkruar, për ta riparë datimin e së parës shkollë shqipe në vendin tonë, që sot për sot zyrtarisht e kemi në fundin e shekullit XIX, me Mësonjëtoren e Korçës të vitit 1887, natyrisht një gjurmë e shndritshme e veprës së Rilindësve tanë. Po a nuk janë rilindës dhe ata që i hapën ato shkolla dy shekuj e gjysmë para kësaj?

Shkolla e parë shqipe” mund të kërkohet dhe në një tjetër gjeografi rajonale nga ajo e mësipërme, në Jug të vendit. Kronikat thonë se në vitet 1628–1661, shkolla shqipe me germa latine u hap në Dhërmi të Himarës dhe më vonë edhe në disa qendra të tjera të krahinës.

Një kapitull më vete përbën shkolla e parë shqipe në Kosovë, aq më tepër se ajo është e shekullit XVI, afro gjysmëshekulli para shkollës së Kurbinit e Velës. Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore. Edhe atëherë kur persekutimi i arsimit shqip nga autoritetet osmane ishte i ngritur në sistem, në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kur edhe kishte funksionuar shkolla e parë.

Duke marrë në analizë këtë traditë të vyer të katër shekujve më parë, shkencërisht dhe pa paragjykim, siç i ka hije një historiografie moderne, a nuk është me vend që “datëlindjen” e shkollës shqipe ta shtyjmë më përpara, në gjysmën e parë të shekullit XVII, te një shkollë në Velë, Kurbin a diku tjetër

HISTORI/ NDRYSHE

NDUE DEDAJ

(I përkasin “rilindjes arbënore”, që i parapriu asaj kombëtare)

Shkolla e pareKorrigjimi i parë historiografik do të ishte: Nuk kemi një shkollë të parë shqipe, por disa shkolla të tilla dhe kjo është lumni për një komb. Korrigjimi i dytë historiografik: Shkollën apo shkollat e para shqipe nuk i kemi në shekullin XIX, por në shekujt XVI – XVII, të paktën nga viti 1632, ose 255 vjet më herët se shkolla e Korçës, që njihet zyrtarisht si i para. Korrigjimi i tretë historiografik: nuk ka kuptim që katolicizmit t’i pranosh librat e parë shqip, por jo dhe shkollat e para shqipe, pasi ato janë një unitet kulturologjik shqiptar, thënë ndryshe, ngjizur nga e njëjta ABC. Duhet mbajtur fort e ngulitur në mendje ajo që thoshte Faik Konica, se katolikët shqiptarë janë shkaku që u mbajt gjallë kombësia jonë, të cilët i thoshin lutjet shqip në meshën e së dielës, shkruanin librat shqip e hapnin shkollat shqipe. Kisha Katolike, në ravën e mundimshme të krijimit të vlerave themelore në shumëfishin e kulturës, s’i rreshti përgjatë Mesjetës përpjekjet shqipnore në lëmin e gjuhës dhe shkollimit. Ipeshkvi i Arbnisë, Imzot Gjon Kolesi, françeskan shqiptar, në vitin 1625 shpall para Selisë së Shenjtë nevojën e “ngrehjes” së një a dy shkollave në malësitë e dioqezës së vet (ku mvareshin dhe kishat e Krujës, Kurbinit, Matit, Lurës, Dibrës, përfshiheshin famullitë mirditore të Kthellës, Selitës e Rranzës) “me nga 10-12 çuna secila”, ku nxënësit “të mësonin shkrim e këndim dhe themele të mira të besimit”. Pastaj, të shkolloheshin më tej jashtë vendit, në Loreto (Itali), “sepse kështu do të nxirrej fryt i mrekullueshëm n‘ato vende ku s’ka shkolla e as mësues”. Dhe më e rëndësishmja: “mbasi të kenë nxanë për vete, do të bahen mësues për të tjerët”. (Injac Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII, Vëllimi I, Tiranë 1963, f. 371.)Kërkesa të tilla të prelatëve të lartë shqiptarë të shekullit XVII, por dhe të një shekulli më parë, bënë që për nevoja të predikimit shqip dhe formimin e klerit katolik vendas të hapeshin disa shkolla shqipe. “Një rol të rëndësishëm për këtë qëllim luajtën priftërinjtë katolikë shqiptarë, të cilët gjatë shekullit XVII hapën shumë shkolla fillore e të mesme në gjuhën shqipe; hartuan tekste shkollore, bënë përkthime të librave fetarë dhe hodhën themelet e letërsisë së shkruar shqipe”. (Menduh Dërguti, dr. Sonila Boçi, dr. Ledia Dushku, Historia, Tiranë, 2010, f. 38.) Studiuesit kanë vërejtur se “përveç shkrimit e leximit, aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit”. (Edwin Jasques, Shqiptarët, 1995, f. 313. Të dhënat për këto çerdhe të para të diturisë sigurisht që nuk janë të mjafta, për shkak të travlimeve politike që kalonte vendi, rrënimit të arkivave e bibliotekave. Por dihet se në Shqipërinë e Veriut në Mesjetë kemi një gjerdan shkollash dioqezane, ku dy më kryesoret ishin e Kurbinit dhe e Velës. Ndoshta ndër ato të dyja, asnjëra nuk ishte e para, por sipas një shprehje latine, secila ishte e parë ndër të para. Mundet të ketë qenë rastësi, por më shumë mund të ketë qenë marrëveshje mes ipeshkvnish që ato shkolla të hapeshin njëherësh, në një vit. Ato vijnë përgjatë shekullit të 17 si dy krenat e një shqiponje, sa në një kreshtë Kurbin-Kruje, në një tjetër Mirditë-Lezhe. Duhet mbajtur parasysh se ato shkolla ishin në male të thella, të fshehura, pasi nuk mund të ishin lirisht në qytete, që ishin nën sundimin otoman. Malet ishin më të lira dhe për vetë rrojtjen e Ipeshkvinjve. Kemi një lartësim shpirtëror, moral dhe kulturor në nismën për këto shkolla, për çka memoriali i tyre nuk duhet vonuar më tej në shekullin XXI. Shkollat më së shumti ishin “ngjitur” në male, në Shna Premte të Kurbinit (dikur abaci e Ipeshkvnisë së Krujës), në Velë-Mirditë (qendër ipeshkvnore e Lezhës) e Shën Llezhdër të Oroshit (abaci dhe rezidencë verore e Ipeshvit të Lezhës), ku institucionet e besimit herë pas here përtëriheshin, shekullare dhe rregulltare. Françeskanët u jepnin arsimin fillestar fëmijëve të shtresave të gjera të popullsisë, aq më tepër që në Urdhrin Françeskan kishte dhe shumë shqiptarë. Në vitin 1585 ata mbijetonin në kuvendin e Sebastes-Laç, atë të Lezhës, të Rubikut dhe të Kepit të Rodonit, me një numër të përgjithshëm prej 40 rregulltarësh. Edhe shekullarët i kishin shtuar e përmirësuar shkollat, dhe për faktin se Koncili i Trentos (1545-1563) kishte vendosur që çdo dioqezë të kishte seminare për përgatitjen e priftërinjve. (Nikollë Loka, zhvillimi i arsimit në Arbërinë mesjetare, “Dielli”, 2012.) Krijimi i këtyre seminareve u ndërmor për të garantuar një formim më të mirë fetar, kulturor e moral të klerit të ardhshëm, me qëllim që ta bënte atë të aftë në zhvillimin e veprimtarisë pastorale. (Gian Luca Potestà, Giovanni Vian, Historia e krishterimit, Bolonja 2010, Tiranë 2012, f. 334.)

Shkolla e Velës

Shkolla e Velës u hap nga ipeshkvi i Lezhës. “Aty nxënësve u mësohej gjuha shqipe.” (Historia e Letërsisë Shqiptare, Tiranë 1983, f. 14.) Dom Prend Suli shkruante se për shumë vjet, Ipeshkvia e Lezhës ka pasur në Velë një Gjakoni (shkollë fetare), ku priftnit u mësonin shkrim të rinjve. Më pas, djemtë kryenin mësimet pranë Ipeshkvit, i cili i shuguronte meshtarë. Historiani i njohur, Zef Mirdita, shkruan se qëllimi i kësaj shkolle ka qenë formimi i klerit, prandaj ajo mund të konsiderohet si seminar. Këtë shkollë e vlerëson në shkrimet e veta dhe profesor Jup Kastrati, kurse akademik Jorgo Bulo, duke pasur parasysh kryesisht ndihmesën e saj, shkruan se Mirdita është vendi ku shqipja u mësua të paktën nga shekulli XVII dhe ku u ruajtën trajta arkaike me vlerë për historinë dhe zhvillimin etimologjik të shqipes. (Gjon Marku, Mirdita-intervista I, 2002, f. 52.) Rëndësia e Shkollës së Velës dëshmohet dhe nga një Urdhëresë e Kuvendit të Arbërit (1703) që lëshohet posaçërisht për këtë shkollë dhe atë të Kurbinit, si dy shkollat kryesore të kohës. Kapitulli 5 i Koncilit Shqiptar “Mbi shkollën e Kurbinit dhe të Lezhës/Velës” porosit që nxënësit “pas përvetësimit të shkrim – këndimit, duhet të mësojnë njohuritë e para gramatikore (nënkupto: shqipe) dhe ato të gjuhës latine.” (P. Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999, f.127-128.) Ka pasur datime të ndryshme për sa i përket Shkollës së Velës, ndonjëherë është thënë gabimisht (nga mosnjohja e dokumenteve) se i përket vitit 1692, apo se është hapur rreth vitit 1660, por tashmë kohëhapja e saj është përcaktuar. Studiuesi amerikan Edvin Zhak, në librin e tij “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”, shkruan: “Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe, u hap në Velë të Mirditës më 1632”. Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij, “një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin po më 1632.” (Shih dhe Mehmet Elezi, Shkolla e Parë Shqipe në Shkodër, “Bota sot”, 8 nëntor 2003; Safet Hyseni: Histori e shkurtër e arsimit shqip, 10.09.2012.) Pas vdekjes së ipeshkvit Gjergj Uldanji më 1690, shkolla vazhdoi të funksionojë, ndërkohë që ipeshkvi la me testament që nga të mirat (të ardhurat) e tij të ndihmoheshin dy nxënës, dëshirë që nuk u çua në vend nga të kushërinjtë. (Z. Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Zagreb 1998, f. 324.).

Shkolla e Kurbinit 

Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) shkruhet: “Shkolla e Kurbinit. Një nga shkollat e para shqipe, e themeluar me 1632 në afërsi të Krujës, që i përkiste vilajetit të Shkodrës. Përveç leximit e shkrimit, aty jepej dhe mësimi i gramatikës. Përdoreshin si tekste mësimore edhe veprat e Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit e të ndonjë tjetri, në gjuhën shqipe. Pushtuesit osmanë e penguan veprimtarinë e saj derisa e mbyllën”. (Shefik Osmani – Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 1021.) Pak radhë, por thelbi është i qartë, shkollë shqipe, ku mësohej shkrimi shqip e ku përdoreshin librat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë. Shkolla e Shna Premtes së Kurbinit në Gallatë, u hap nga Ipeshkvi Gjon Kolesi dhe vazhdoi deri në vitin 1650, kur ipeshkvi i pasardhës i Arbnisë, Mark Skura, tashmë ishte mplakur dhe nuk mund ta mbronte nga sulmet dhe persekutimi otoman, siç i shkruan një kardinali të asaj kohe. Shkolla hapet përsëri dhe vazhdon gjatë, ajo kishte herë 10 e herë 12 xhakonj që Ipeshkvi i përgatiste meshtarë. Disa studiues, ndër ta dhe gjuhëtari David Luka e konsiderojnë atë si shkollën e parë shqipe. Por çudia është se ajo që pranohet si e mirëqenë në Enciklopedinë e vitit 1985, fshihet pa dhimbtë në Enciklopedinë e mangët të vitit 2008. Akademia e Shkencave, nëse me të vërtetë e meriton këtë emër, nuk duhet të lejojë lajthitje të tilla në botimet akademike. Vitet e fundit, bazuar në relacionet e vizitorëve apostolikë në dioqezën e Arbnisë e dokumente të ndryshëm arkivorë, kemi një profil të plotë të kësaj shkolle historike, bërë nga studiuesi i pasionuar i historiografisë kishtare dr. Kastriot Marku. (Kastriot Marku, Historiku i shkollës së Kurbinit, “Republika”, 30.10.2012.) Ndonëse drejtimi i këtyre dy shkollave (Kurbinit dhe Velës) ka qenë formimi intelektual i klerit, prapëseprapë qëllimi i tyre ka qenë më i gjerë – arsimimi i popullsisë në përgjithësi, thekson akademik Zef Mirdita në citim dhe të dr. Fra. Andria Nikiç. Gjatë mesjetës, arsimi ka qenë dyfarësh: arsimi klerikal, pra, në suazën e teologjisë së bashku me lëndë të tjera të karakterit linguistik dhe filozofik, si dhe të arteve të lira, por dhe arsim laik i llojit shekullar. (Moikom Zeqo, Ndihmesë për arsimin në Shqipëri gjatë shekujve, “Mësuesi”, 24 maj 2000.)

Shkolla e Pllanës dhe e Blinishtit 

At Donat Kurti, në një studim të botuar në revistën “Hylli i Dritës”, më 1935, përmend disa nga shkollat e para, por me gjurmimet e mëvonshme, informacioni dokumentar rreth tyre është bërë më i plotë, sado që ende jo shterues e përfundimtar. Vargu i shkollave do të përfshinte: shkollën e Himarës (1628), shkollën e Pllanës (me 50 nxënës, hapur më 1638 nga Pater Karli i Mirandolës), shkollën e Shkodrës (1638), shkollën e Blinishtit të Zadrimës (hapur më 1639 nga Fra Kerubini, që më vonë do të ngrihej në nivelin e mesëm), shkollën e Oroshit (1657), shkollën e Janjevës në Kosovë (1671), shkollat e Durrësit, Pejës, Gjakovës, Prizrenit etj., shumë prej tyre të çelura nga françeskanët, përfshi dhe Kuvendin e Troshanit (1639), të Rubikut (1582) etj. Nuk kemi të bëjmë me një panoramë lokale, por me një arsimpërhapje strategjike, ani se kryesisht në arealin verior, nga ata misionarë që u kishin mësuar nxënësve për herë të parë shkrimin në gjuhën shqipe, po dhe që kishin përkthyer vetë nga latinishtja në shqipe. Shkollat shtohen pas dekretimit të misionit të Fretërve të Vegjël të Reformuar në Shqipëri më 1634. Në njërin nga relacionet e kohës thuhet se fretërit e Pëdhanës, Blinishtit e të tjerë i “stërvisnin fëmijët në punët e fesë, duke i mësuar të ishin të aftë në mësimin e shkronjave”, (shto faktin se “gjatë meshëve gjithnjë predikohej ndonjë gjë në gjuhën shqipe”), “ishin afërsisht pesëdhjetë fëmijë që mësonin me shkrue e me lexue… të cilët në pak kohë përparuen shumë në mësime… disa prej të cilëve, mbrëmjeve, në shtëpiat e tyre, u mësonin të vetëve shkrim e këndim. (P. Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999.) Përndryshe, po vërtetohej ajo që ipeshkvi i Durrësit, Gjon Kolesi, kishte paralajmëruar dhjetë vjet më parë, se prej shkollave që do të hapeshin do të dilte fryt i mirë i dijes për popullin. Thuhet se në bibliotekën françeskane ka ekzistuar dhe një fletore e shkruar nga një ish-nxënës i shkollës së Blinishtit e vitit 1639.

Shkolla e Oroshit

Vizitori Apostolik Shtjefën Gaspri, gjatë vizitës së tij në Orosh në vitin 1671, ndër të tjera përmend dhe shkollën me nxënës që mbahej nga prifti Dom Nikollë Vladani, i afërt i ipeshkvit të Lezhës. Nuk jepen të dhëna se kur ishte çelur ajo shkollë, sa nxënës kishte etj., por sidoqoftë i rëndësishëm është fakti se në mesin e shekullit XVII Oroshi kishte një shkollë të veten me nxënës ku shkruhej gjuha shqipe. Në një tjetër dokument përmendet se, më herët, më 1657 në Mirditë kemi një seminar me 12 nxënës që përgatiten të vazhdojnë studimet e larta në kolegjet italiane, një praktikë e njohur e kohës. Nuk thuhet se ku është ky seminar, por të gjithë gjasat janë të jetë fjala për shkollën e sipërthënë të Oroshit, pasi asokohe shpesh ky identifikonte Mirditën, ngaqë aty ishte kryekisha abaciale dhe selia princërore e Gjomarkajve. Në të mirë të vendpërcaktimit të këtij seminari të Mirditës, në Orosh, vjen dhe fakti që Nikollë Vladani ishte një emër i spikatur mësuesi të shqipes, i cili më 1675, bashkë me Pjetër Perlatin dëshmohet si mësues i shqipes në dioqezën e Lezhës, nga ku varej Abacia e Mirditës. Ky misionar në kohën kur mbahet Kuvendi i Arbnit me 1703 ishte Ipeshkëv i Lezhës, sipas Viçens Zmajeviçit, “më i afti dhe më inteligjenti në ipeshkvinjtë e tjerë”. (Ndue Dedaj, “Toka e katedraleve”, Tiranë 2006.)Janë po misionarët katolikë, me Abat Prend Doçin në prije, që rihapin shkollën e Oroshit më 1899, me mësues famullitarin Dom Zef Marashi, për të vazhduar me shkollën e Spaçit, Rrëshenit, Kashnjetit, Milotit, Selitës, Kthellës, Rranzës, me mësues gjithashtu priftërinjtë.

Shkolla e Himarës 

“Shkolla e parë shqipe” mund të kërkohet dhe në një tjetër gjeografi rajonale nga ajo e mësipërme, në Jug të vendit. Kronikat thonë se në vitet 1628–1661, shkolla shqipe me germa latine u hap në Dhërmi të Himarës dhe më vonë edhe në disa qendra të tjera të krahinës. Ato u ngritën nga misionarët bazilianë, shumica e të cilëve ishin arbëreshë të Italisë së Jugut, të vendosur atje në vitin 1482. Kjo shkollë ka të bëjë me ndihmesën e bazilianëve për shkollim andej dhe këndej Adriatikut. Më parë, prej tyre kemi shkollën shqipe të Arbëreshëve të Italisë, ku “katekizmi i Lekë Matrëngës “E mbësuame e krishterë” (1592) ishte shkruar qëllimisht për t’u përdorur si tekst didaktik për mësimin e shqipes dhe besimit njëherësh te arbëreshët e Siçelisë.” (Kastriot Marku, “Shkolla e parë shqip e arbëreshëve të shekullit XVI, “Standard”, 2 mars 2015.) Lidhur me këtë vepër akademike, Gjovalin Shkurtaj shkruan se qysh prej saj, “nëpër ngulimet arbëreshe kanë parë dritë shumë vepra e vepërza, origjinale ose të përkthyera, në shqipen e variantit arbëresh të ngulimeve përkatëse”. (Gjovalin Shkurtaj, Ligjërimet arbëreshe, Tiranë 2006, f. 39.) Por të vijmë te shkolla e Himarës. Petro Marko, një nga korifenjtë e letrave shqipe, duke qëndruar në Francë dhe Itali, kishte hulumtuar dhe gjetur dokumente që vërtetonin dëshmitë e mësipërme për këtë shkollë. Prandaj historia e shkollave shqipe besohet se fillon me këto shkolla mesjetare, më shumë se 250 vjet përpara asaj të Petro Ninit dhe Papa Kristo Negovanit në Korçë. (Shih: Himara, Enciklopedia e lirë.)

Shkolla e Stubllës së Karadakut

Një kapitull më vete përbën shkolla e parë shqipe në Kosovë, aq më tepër se ajo është e shekullit XVI, afro gjysmëshekulli para shkollës së Kurbinit e Velës. Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore. Edhe atëherë kur persekutimi i arsimit shqip nga autoritetet osmane ishte i ngritur në sistem, në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kur edhe kishte funksionuar shkolla e parë. (Isak Ahmeti, Stubëll, 11 maj 2004.) Kjo shkollë, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Dhimitë S. Shuteriqi, ishte në formë kolegji, i rangut të një instituti të lartë, çfarë ishin zakonisht kolegjet fetare të asaj kohe në Europë, ku, përveç teologjisë, mësohej filozofia dhe studioheshin klasikët (shih: Dhimitër S. Shuteriqi, Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera, “Naim Frashëri”, Tiranë 1987, fq. 92). …Dhe vazhda e dituripërhapjes nuk ndalet. Në vendin e një qytetërimi të rrallë ballkanas, më 1744 u themelua në Voskopojë “Akademia e re”, e cila pati një ndikim të madh në zhvillimin e gjuhës shqipe.

“MËSONJËTORJA E KORÇËS”, E PARA? APO SHKOLLA E VELËS DHE E KURBINIT? …

Duke marrë në analizë këtë traditë të vyer të katër shekujve më parë, shkencërisht dhe pa paragjykim, siç i ka hije një historiografie moderne, a nuk është me vend që “datëlindjen” e shkollës shqipe ta shtyjmë më përpara, në gjysmën e parë të shekullit XVII, te një shkollë në Velë, Kurbin a diku tjetër? A nuk përkon kjo jo vetëm me një të vërtetë historike të padiskutueshme, por përafrohet natyrshëm në kohë dhe me fillimet e letërsisë shqipe dhe të shqipes së shkruar? A nuk ishin të një rangu, të një lartësie historike, të një frymëzimi, të një misioni kishtar e kombëtar, si ata që shkruan librat e parë shqip, si ata që hapën shkollat e para shqipe në dioqezat e tyre? Të gjithë humanistë-ipeshkvij e meshtarë shqiptarë! A nuk është e udhës që një famulli malesh shqiptare, të shpallet në mënyrë simbolike si “akademia” e parë shqiptare e dijes? Le të jetë kjo në Tivar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Mirditë, Shkodër, Elbasan, Ulqin, Karadak a Prizren. Duke shqyrtuar veprat e Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit (35 vepra, krejt a pjesërisht shqipe, të dala prej Propagandës Fide të Romës nga shkrimtarë shqiptarë) studiuesit kanë nënvizuar se kështu “ishte hedhur baza kulturore dhe ideore e një rilindjeje arbënore, e cila vërtet do të vononte të vinte, porse kishte të ardhme të sigurt. (Artan Shkreli, Propaganda Fide dhe Shqipëria, “Shqip”, 17 shtator 2006.)

Këto kohë ka pasur zëra të shkruar e të pashkruar, për ta riparë datimin e së parës shkollë shqipe në vendin tonë, që sot për sot zyrtarisht e kemi në fundin e shekullit XIX, me Mësonjëtoren e Korçës të vitit 1887, natyrisht një gjurmë e shndritshme e veprës së Rilindësve tanë. Po a nuk janë rilindës dhe ata që i hapën ato shkolla dy shekuj e gjysmë para kësaj? A nuk na thotë i vyeri profesor Namik Resuli, studiuesi i njohur i letërsisë shqiptare, se “për klerikët shqiptarë Rilindja Kombëtare kish zënë fill, ndonëse fshehurazi, që nga dita kur Shqipëria u robërua përfundimisht nga turqit.” (S. Çapaliku, Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare, Tiranë 1997, f. 35.) Ishte e kuptueshme që kisha katolike, i vetmi “institucion shqiptar i mbetur në këmbë”, në rend të parë të asaj rilindjeje, quaje po deshe dhe arbënore, të kishte punët e diturisë, arsimit dhe edukimit. Ndaj, sipas logjikës më të thjeshtë, do të pyetej: si mundet ta pranosh gjuhën dhe letërsinë shqipe të asaj kohe për të parë, kurse shkollën e bërë po prej tyre të mos e marrësh si të parë? Pa u nisur thjesht nga aritmetika e shifrave, cili komb nuk do të ishte i lumtur po ta kishte shkollën e vet të parë të paktën 255 vjet më përpara asaj që e mban për të tillë, d.m.th. jo në vitin 1887, por dy shekuj e gjysmë më parë, në vitin 1632! (Ndue Dedaj, Toka e katedraleve, Tiranë 2006.)

Kështu, “shkolla e parë shqipe”, në thelb s’ka të bëjë dhe aq me emrin Korçë apo Shkodër, Kurbin apo Velë, Stubëll apo Dhërmi, por me një koncept historik, atë të një Rilindjeje Shqiptare që fillon në shekullin XV dhe kulmon në shekullin XIX. Botimet dhe shkollat e para shqipe janë prirë e mbajtur gjallë nga ipeshkvijtë shqiptarë: Pal Engjëlli, Nikollë Mejkashi, Gjon Kolesi, Mark Skura, Frang Bardhi, Gjergj Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Gjergj Uldanji, Nikollë Vladani, Shtjefën Gaspri, si dhe mësuesit: Gjon Shqiptari, Filip Shkodrani, Dhimitër Dhërmiu, Fra Kerubini, Pater Karli, Dom Prenga i Troshanit, Dom Martin Bushalla i Durrësit, Dom Pjetër Perlati i Mirditës etj. Një traditë që vinte nga shekulli XV, me humanistët shqiptarë në Rilindjen Europiane, gjer profesorë në Universitetin e Padovas, si Gjon Gazulli etj. Por, pavarësisht shkrimeve sporadike të karakterit historik të autorëve të ndryshëm, me sa dimë askush ndër studiuesit nuk është ngulur me themel në ndriçimin e kësaj maratone shqiptare për diturinë.

Shkollat e para fuqizohen me Kuvendin e Arbënit që mbahet në Mërqi të Lezhës, në kishën e Shën Kollit, me 14-15 janar 1703, me bekimin e Papa Klementit XI, me origjinë shqiptare, përkundër asimilimit otoman. Deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, nga Durrësi në Shkodër e Kosovë, kishte 21 shkolla fillore me nga 30 nxënës e në Prishtinë deri në 80. Fakti që dokumentet e Kuvendit të Arbnit u botuan si në latinisht si në shqip 300 vjet më parë, dëshmon se ishin të shumtë ata njerëz që dinin të shkruanin e lexonin shqipen që e kishin mësuar në shkollat ku ata ishin shkolluar. (Mehmet Elezi, artikull i cituar.) Në këtë kontekst, Mësonjëtorja e Korçës nuk zbehet aspak, si një shkollë shqipe historike, kombëtare, martire, qytetare, laike, përkundrazi ajo del më fort në pah si rithemeluese e një tradite arsimore shqiptare paraardhëse, e një etape të dytë të arsimit rilindës në Shqipëri, si dhe vetë shkrimtarët e shquar të Rilindjes ishin pasardhës të shkrimtarëve të letërsisë së vjetër, misionarë të fesë dhe të qytetërimit.

Së fundi, a nuk ka ardhur koha që të ketë një qëndrim tjetër zyrtar ndaj këtyre shkollave të Mesjetës, jo vetëm nga njerëzit e letrave dhe të historisë, por dhe nga institucionet e shtetit shqiptar, posaçërisht Ministria e Arsimit dhe e Sportit? Nëse kisha katolike themeloi nëpër Europë universitetet e para si në Bolonja, Padova etj., këtu mundësitë ishin shumë më të kufizuara, por ama diçka e mirë ndodhi, një gjerdan shkollash të ulëta e deri të mesme u hapen. Por rrallë kemi vënë ndonjë pllakë aty ku ato kanë qenë. Ende në kokë kemi mendësinë ateiste se ato ishin “shkolla fetare”, lokale dhe si të tilla nuk ishin kombëtare?! Po kush mund të thotë se çfarë e bën më kombëtare “Mësonjëtoren e Korçës” se ato para saj? Në kuptimin e mësipërm, të ngushtë, a nuk ishte dhe ajo një shkollë Korçe? Por kombi kështu është bërë, me visarin kulturor, arsimor të të gjitha trevave shqiptare. Anatema “shkolla fetare” është e pakuptimtë, ajo i përket regjimit komunist, siç nuk qëndron dhe ndonjë kinse tjetër argument se atëherë nuk kishte alfabet shqip, por vetëm latinisht (?) E dinë dhe shkollarët fillestarë se alfabet shqip kishte të paktën qysh nga shekulli XV i Formulës së Pagëzimit.

___________

At Donat Kurti, “Hylli i Dritës”, Shkodër, 1935

Injac Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme, në shek. XVII, V. I, Tiranë 1963.

Shefik Osmani, Shkolla e Kurbinit, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985.

Edwin Jasques, Shqiptarët, Tiranë 1995.

Stefan Çapaliku, Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare”, Tiranë 1997

Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999.

Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptare, Zagreb, 1998.

Gjovalin Shkurtaj, Ligjërimet arbëreshe, Tiranë 2006.

Ndue Dedaj, “Toka e katedraleve”, Tiranë 1999 & ribotim 2006.

Artan Shkreli, Propaganda Fide dhe Shqipëria, “Shqip”, 17 shtator 2006.

Aurel Plasari, “Fenomeni Voskopojë”, Tiranë 2000.

Mehmet Elezi, Shkolla e parë shqipe në Shkodër, “Bota sot”, 8 nëntor 2003.

Isak Ahmeti, Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore, 11 maj 2004.

Gian Luca Potestà, Giovanni Vian, Historia e krishterimit, Bolonja 2010 dhe Tiranë 2012.

  1. Dërguti, Dr. Sonila Boçi, Dr. Ledia Dushku, Historia, Tiranë, 2010.

Gjon Marku, Kisha katolike dhe arsimi në Mirditë, “Shkodra në shekuj”, Shkodër.

Kastriot Marku, Historiku i shkollës së Kurbinit, “Republika”, 30. 10. 2012.

Kastriot Marku, “Shkolla e parë shqip e arbëreshëve të shekullit XVI, “Standard”, 2 mars 2015.

Nikollë Loka, Zhvillimi i arsimit në Arbërinë mesjetare, “Dielli, 2012.

Himara, Enciklopedia e lirë (online).

SHKOLLAT E PARA SHQIPE TË MESJETËS Read More »

Lidhja e rreme e dashurisë më shkatërroi jetën, ja historia

Ndërkohë që gëzoni një martesë të lumtur, të dashurat e fshehta mund t’ju shkatërrojnë gjithçka. Një vajzë ka treguar historinë e saj të rreme të dashurisë me një burrë të martuar që i solli ‘të gjitha të këqijat e mundshme’. Ajo ka shkruar letrën e saj për E.Jean në faqen Elle ku kërkon ndihmën e ekspertes për ti shprehur dashurinë një burri të martuar.“Isha dashnorja e lumtur e një burri të martuar për 6 vite. Dimrin e kaluar, ai vendosi të më zëvendësojë me një dashnore të re. U mërzita shumë, por ia dola të jetoj sërish. Gjeta një punë të re dhe krijova një marrëdhënie të fortë me shefin tim, një doktor fantastik. Tërheqja mes nesh ishte e menjëhershme. Ai thoshte se kur punonim bashkë, ishte magjike. Por unë u frikësova pasi ai ishte i martuar.

Elektriciteti mes nesh ishte aq i qartë sa kolegët filluan të mendonin nëse ka nisur diçka mes nesh. E dashur Jean, disa njerëz shkruajnë libra; unë krijova diçka më të mirë: fantazinë që i tregova miqve më të ngushtë në punë. I bëra ata të besojnë se kisha lidhje dashurie me shefin. Krijova histori të ndryshme të çmendura. Përse rashë kaq poshtë? Nuk ia kam idenë! Isha në dhimbje të madhe. Jeta ime e vërtetë ishte e mërzitshme dhe e errët. Ideja e të pasurit një lidhje dashurie me një mashkull fantastik ishte gjëja më e mirë që më largonte mendimet. Nuk u ndala kurrë së llogarituri pasojat, pasi mbi të gjitha ishte “sekret” dhe ata ishin “miqtë e mi”.Por tani vjen supriza. Fantazia ime po bëhej e vërtetë: Shefi im po binte në dashuri me mia. Nuk ishte thjesht një buzëqeshje e pafajshme, toni i zërit të tij dhe pamjet e tij (shprehjet e fytyrës që thonin: Të adhuroj, je një mbretëreshë), por gjithashtu veprimet e tij. Ai më bënte kafen çdo ditë më çonte për drekë dhe gjëra të tilla. Edhe pse nuk ishim prekur kurrë, e ndjeja që shumë shpejt ai do ishte në krevatin tim, tualetin tim dhe më pas një mëngjes gjithçka shpërtheu! Një prej ‘miqve’ të mi në zyrë raportoi “lidhjen” tonë tek koorporata ku kisha firmosur. Bashkëshortja e tij zbuloi gjithçka. Reputacioni i tij si doktor, si drejtor dhe bashkëshort u vunë në pyetje.

Tani po përpiqem të gjej një punë tjetër dhe javën e kaluar e përdora si referencë. Ai më çoi një mesazh ku më shkruajti: “Mos e përdor më kurrë emrin tim!” Ai më tha se nuk e kuptonte përse ia bëra këtë dhe përse tregova aq shumë gënjeshtra. Në fund më kërkoi ti qëndroj larg, ta lë vetëm dhe të mos e kontaktoj më. Çfarë duhet të bëj tjetër? Duhet të largohem nga vendi? Të blej një biletë dhe të kthehem në shtëpinë time në Barcelonë. Kam nevojë që të më falë. Kam nevojë që ti tregoj se pavarësisht se shkatërrova çdo mundësi me të, e dua! Edhe që ti them se ai po binte në dashuri me mua! Por më së shumti dua ta dijë sa shumë e dua dhe kam nevojë për faljen e tij”, shkruajti vajza.Përgjigja e ekspertes: Zonjusha e humbur dhe e mërzitur. Më lër të të jap dorën. Ti po vuan kaq shumë nga marrëzia jote kështu që nuk do të të qortoj, moj grua e pamundur. Pra, të fal. Edhe lexuesit të falin. Edhe zoti, që e do një gjysmë-mendje romantike të fal. Por doktori? KURRË! Ti i shkatërrove karrierën, hyre në karakterin e tij, i vrave respektin për veten dhe tradhtove një‘shoqe’, gruan e tij. Kështu që jo. Ti nuk e ke nevojë që ai të të falë. Nuk ke nevojë që ai të dijë sa shumë e do. Nuk ke nevojë ti thuash se ai po binte në dashuri me ty. Në këto momente, doktori është shumë larg ndjenjës për ty.Në fakt, ti e ke mbaruar punën tënde për t’ia çrregulluar jetën. Mbaroi! Ti nuk duhet ti shkruash në celular, Twitter, Snapchat, ti shkosh në shtëpi në mes të natës ose ta telefonosh si Zonja Rochester që kërkon Jane Eyre. Ti duhet të punësosh një avokat për ti shkruar një letër kompanisë për ta shfajësuar nga gjithçka, me një kopje që ti shkojë atij dhe bashkëshortes së tij. Dhe sepse ke nevojë të gjesh një drejtim të ri për veten, të ndjesh kulturën tënde, miqtë dhe familjen tënde. Ke nevojë për një fillim të ri kështu që hip në aeroplan dhe shko në Barcelonë. Të uroj me zemër që të kesh një të ardhme të lumtur dhe kam paralajmëruar të gjitha gratë e martuara se po shkon që të mos përjetosh sërish këtë gjë.

Lidhja e rreme e dashurisë më shkatërroi jetën, ja historia Read More »

Ilir Ikonomi Këto dy motra të varfra kishin ecur 40 kilometra nga një fshat malor për të arritur në Tiranë. Vajza në të majtë vuante nga një infeksion i rëndë në sy dhe, për të shpëtuar nga verbimi i plotë, kishte nevojë për një ilaç që shpërndahej nga farmacia e Kryqit të Kuq Amerikan në Tiranë. Motrat kishin sjellë me vete dy pula dhe gjashtë vezë për t’ia dhënë mjekut amerikan. Kur ai iu tha se ilaçi ishte falas, ato refuzuan dhe nuk donin të largoheshin pa lënë pulat dhe vezët që kishin sjellë. Një histori që flet shumë për karakterin dhe moralin. Fotoja është bërë më 1920 dhe është marrë nga Biblioteka e Kongresit, në Uashington.

Ilir Ikonomi
Këto dy motra të varfra kishin ecur 40 kilometra nga një fshat malor për të arritur në Tiranë. Vajza në të majtë vuante nga një infeksion i rëndë në sy dhe, për të shpëtuar nga verbimi i plotë, kishte nevojë për një ilaç që shpërndahej nga farmacia e Kryqit të Kuq Amerikan në Tiranë.

Motrat kishin sjellë me vete dy pula dhe gjashtë vezë për t’ia dhënë mjekut amerikan. Kur ai iu tha se ilaçi ishte falas, ato refuzuan dhe nuk donin të largoheshin pa lënë pulat dhe vezët që kishin sjellë.

Një histori që flet shumë për karakterin dhe moralin.
Fotoja është bërë më 1920 dhe është marrë nga Biblioteka e Kongresit, në Uashington.

Ilir Ikonomi Këto dy motra të varfra kishin ecur 40 kilometra nga një fshat malor për të arritur në Tiranë. Vajza në të majtë vuante nga një infeksion i rëndë në sy dhe, për të shpëtuar nga verbimi i plotë, kishte nevojë për një ilaç që shpërndahej nga farmacia e Kryqit të Kuq Amerikan në Tiranë. Motrat kishin sjellë me vete dy pula dhe gjashtë vezë për t’ia dhënë mjekut amerikan. Kur ai iu tha se ilaçi ishte falas, ato refuzuan dhe nuk donin të largoheshin pa lënë pulat dhe vezët që kishin sjellë. Një histori që flet shumë për karakterin dhe moralin. Fotoja është bërë më 1920 dhe është marrë nga Biblioteka e Kongresit, në Uashington. Read More »

Rrëfimi i ish-Kryeprokurorit të Enverit: Ju tregoj qelinë sekrete ku hidheshin prangat e byroistëve

Nuk është përbindëshi që tregojnë, por as engjëlli që shfaqet kur flet me të nga afër. E fshehur midis këtyre skajeve, historia e Rrapi Minos, kreut më jetëgjatë të Prokurorisë së Përgjithshme, është diçka tjetër, që ngërthen në vetvete dramën e ngjarjeve tronditëse, ku firma e tij ka qenë përcaktuese në fatalitetin e dhjetëra njerëzve dhe qasjen njerëzore në ato raste, kur ia kanë lejuar rrethanat për të evituar sa të mundej krimet përbindëshe që prodhonte regjimi.

Rrapi Mino duke rrëfyer për “Panorama”
Rrapi Mino duke rrëfyer për “Panorama”

Tani në moshën 90-vjeçare, kur ka lënë prapa bëmat e detyrës së hershme dhe vitet e jetës nën akuzë për krime kundër njerëzimit, rropatet në ritualin e zakonshëm në shoqërinë e një grupi të njohurish e ish-kolegësh, që rrallohen dita-ditës pa dashur t’u kthehet kujtimeve, as atyre të dikurshme kur shkëlqente në karrierë dhe as atyre të mëvonshme kur përpëlitej në qeli si i dënuari VIP në Shqipërinë e postdiktaturës.

Ai zyrtari i rëndësishëm i regjimit, që detyra ia kërkonte të përballej me një dinamikë të jashtëzakonshme, tashmë e nis dhe mbaron ditën me çapitjen nga shtëpia afër Ushtarit të Panjohur në qendër të Tiranës deri te kafja e preferuar te Pazari i Ri. I lodhur nga pesha e viteve dhe sëmundjet e moshës së thyer, ka hequr dorë nga vizitat pa kriter te miqtë e shokët dhe sidomos nga lëvizjet jashtë Tiranës.

Shfaqet shumë rrallë vetëm te zyra e veteranëve afër Bankës Kombëtare, për të marrë pjesë në veprimtaritë e shoqatës së Dëshmorëve të Atdheut, si i vetmi angazhim shoqëror, që preferon ta kryejë me pasion, kuptohet për aq sa ia lejojnë mundësitë. Ka kohë që e ka fshirë nga axhenda shfletimin e gazetave të përditshme dhe ndjekjen e lajmeve në televizor. Kjo jo thjesht për mungesë interesimi, po, më së shumti, për një obsesion të çuditshëm, që i shkakton prania e medies dhe e njerëzve të saj. I prerë për të refuzuar çdo kontakt me gazetarët, nuk ka lënë rast pa kthyer mbrapsh ofertën e çdo njërit syresh për të biseduar e hedhur dritë mbi historitë e patreguar, a kur firmoste në emër të ligjit dhe Republikës.

Ky është Rrapi Minua sot, ish-zyrtari më i frikshëm i regjimit, që di shumëçka nga bëmat e tmerrshme të epokës së komunizmit dhe rezervohet tej mase t’i ndajë me të tjerët. E megjithatë, ne mundëm të depërtojmë paksa në “ishullin e vetmisë” që ai ka blinduar për t’i qëndruar larg të djeshmes, falë përpjekjeve të shumta dhe ndërhyrjes së disa miqve të tij të ngushtë. E patëm vështirë, tmerrësisht vështirë për të kapërcyer qëndrimin e tij kategorik për mos t’u prononcuar për gazetën. Sidoqoftë, bisedat disaditore në mirëbesimin e shoqërisë së tij të afërt, na dhanë mundësinë të mësojmë shumëçka nga historitë e dikurshme.

Zoti Rrapi! Ju keni qenë Prokurori i Përgjithshëm më jetëgjatë i regjimit të kaluar dhe keni përfaqësuar akuzën në proceset më të bujshme…

Ndoshta nuk është kështu. Unë kam qenë 14 vite në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Jam emëruar në vitin ‘76 dhe e kam mbyllur në vitin ‘90…

Sidoqoftë, 14 vite nuk janë pak…

Detyrën kam bërë, atë që më kushtëzonte ligji…

Po më parë, çfarë funksione keni kryer?

Në përgjithësi në organet e drejtësisë. E kam nisur si prokuror në rrethin e Fierit në vitin 1958. Sa isha diplomuar jurist në Institutin e Drejtësisë në Tiranë. Fakulteti i Drejtësisë u krijua disa vite më vonë. Punova aty 10 vite, pastaj shkova prokuror në Lushnjë. Në vitin 1971 u emërova drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, ku punova dy vite. Në vitin 1973 më caktuan instruktor për organet e drejtësisë në Komitetin Qendror të Partisë. Në vitin ‘75 u riktheva në Prokurorinë e Përgjithshme dhe përfundimisht në vitin 1976 m’u besua detyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Pra, jeni nga juristët e parë që jeni diplomuar në shkollën shqiptare?

Ai ishte grupi i parë që certifikoi Instituti i Juridikut i krijuar në fillimin e viteve ‘50. Të gjithë ishin zgjedhur për nga cilësitë vetjake dhe tradita familjare. Filtri ishte rreptësisht rigoroz.

Që do të thotë se edhe ju vinit nga një familje me traditë në fushën e drejtësisë…

Jo, jo. Askush në fisin tonë, madje në krejt fshatin dhe krahinën tonë atëherë nuk trashëgonte një traditë të tillë në fushën e drejtësisë. Tradita familjare në këtë rast kishte të bënte me trashëgiminë atdhetare, me qëndrimin e familjes në vitet e luftës, apo me kontributin në aksionet e rindërtimit të vendit…

gjyq ne komunizem

Me biografinë politike, me një fjalë…

Pavarësisht si tingëllon sot ky term, në atë kohë ishte kushti bazik që tregonte raportet me shtetin, shoqërinë. Unë vërtet nuk vija nga një traditë familjare në fushën e jurisprudencës, por vija nga një familje që e kishte përkrahur Luftën Nacionalçlirimtare që në ditët e para të saj. Në zonë, por dhe më tej njiheshim si familje dëshmori…

Familje dëshmori, kishit ndonjë vëlla dëshmor?

Kisha djalin e xhaxhait që ishte vrarë në luftë. Dhimitër Mino e quanin. Ai është shpallur dëshmor i atdheut që në ditët e para të çlirimit. Ishte bërë pjesë e Lëvizjes Antifashiste qysh kur studionte në Normalen e Elbasanit. U vra në ballë të betejës në fillimin e Operacionit të Dimrit ‘44 në malësitë e Skraparit. Ne jemi rritur e burrëruar me krenarinë për aktin e tij. Bile edhe sot ndjehemi po aq krenar sa dhe atëherë. Gjaku i dëshmorëve është në themelet e çdo shteti dhe shoqërie. Dikur, në vitet e para pas ’90-s, turma të eksituara u turrën dhe mbi varrezat e tyre dhe me motivin e antikomunizmit bënë çfarë mundën në vendprehjen e martirëve të kombit. Sot shteti ka filluar të kujdeset dhe për varret e ushtarëve pushtues…

Me çfarë akti zyrtar certifikoheshin dëshmorët në vitet e para pasluftës?

Me porosi të udhëheqjes politike, në fillim të vitit ‘46, u krijua një komision zyrtar për evidentimin dhe vlerësimin e të rënëve në luftë me pjesëtarë të Ministrisë së Luftës, të Ministrisë së Financave dhe asaj të Punëve Botore. Më 9 shtator të vitit ‘46 komisioni publikoi vendimin me kriteret për trajtimin e të rënëve në luftë. Që këtej nisi dhe puna për evidentimin dhe trajtimin e tyre. Të rënët në luftë deri atëherë ishin dekoruar me medaljen e kujtimit dhe trimërisë. Me hyrjen në fuqi të ligjit në fjalë, familjet e tyre filluan të marrin një shpërblim emergjence, siç quhej atëherë. Se ata që u vranë kishin qenë të rinj, kishin lënë prindërit, fëmijët. Me daljen e këtij ligji, prindërit e tyre, por edhe fëmijët, ata që ishin në moshë të vogël, përfitonin një pension diku te 3400 lekë në muaj. Shumë vite më vonë ligji u përmirësua dhe mori trajtën e një statusi special, që u quajt Statusi i Dëshmorit. Në zbatim të tij ka pasur kritere rreptësisht rigoroze…

Kishte privilegje në atë regjim një familje dëshmori?

Absolutisht asnjë privilegj. Familjarët e të rënëve jetonin e punonin si gjithë të tjerët pa asnjë dallim. Kush shkelte ligjin ndër ta, penalizohej si gjithë të tjerët.

A nuk ishte privilegj për ju e drejta e studimit për t’u diplomuar jurist?

Mua nuk më çoi në shkollë gjaku i Dhimitrit, por arritjet e mia, si një nxënës i shkëlqyer dhe një veprimtar shoqëror i përkushtuar. Nëse m’u besua kjo degë, padyshim këtu influenconte edhe besnikëria e familjes dhe të afërmve për regjimin, kontributi i tyre për zhvillimin e vendit…

E zgjodhët vetë si degë Juridikun, apo jua rekomanduan autoritetet zyrtare?

Ajo m’u akordua si bursë nga Komiteti Ekzekutiv i Lushnjës. Deri atëherë, nuk më kishte shkuar në mëndje një profesion i tillë. Mendoja për mësuesi, për agronomi, apo diçka tjetër, por jo për jurist. Juridiku asokohe, së paku për ne, njihej fare pak. Sidoqoftë, qëllova me fat dhe u diplomova jurist, në një kohë kur juristët në vend ishin të paktë.

Nga e nisët karrierën e juristit?

E nisa nga rrethi i Fierit. Aty e kam ushtruar për herë të parë funksionin e prokurorit.

Ju kujtohet gjyqi i parë?

Si jo, më kujtohet shumë mirë. Ishte një proces për një vjedhje banale. Një fshatar kishte marrë disa dërrasa të një pusi nafte që kishte dalë nga puna dhe ishte denoncuar në organet e Sigurimit për vjedhje të pasurisë socialiste. Ajo ishte dosja e parë e punës sime. Po dhe akuza e parë që mbrojta në gjykatë. Mbaj mend që personi në fjalë u dënua me tetë muaj burg. Me sa më kujtohet në vendimin e formës së prerë ia kaluan tetë muaj me kusht…

Po gjyqi i fundit…

Gjyqi i fundit ka qenë ai i Kadri Hazbiut dhe Fiqrete Shehut. E kam fjalën për pozicionin e prokurorit të çështjes. Se si Prokuror i Përgjithshëm më ka qëlluar të ndjek dhe disa procese të tjera që vijuan pas tij…

E keni fjalën për procese të tjera politike…

E kam fjalën për procese gjyqësore. Për prokurorin e asaj periudhe nuk kishte procese politike dhe ordinere, pavarësisht subjektit që ndiqej penalisht dhe statusit të tij. Busulla orientuese mbetej gjithnjë ligji. Ligji parashikonte çdo gjë. Prokurori zbardhte raportet e të akuzuarit me ligjin.

A nuk ishin gjyqe politike ato që procedonin me akuzën e sjellë nga Komiteti Qendror i Partisë dhe Enver Hoxha, si në rastin e grupit të Kadri Hazbiut?

Forumet partiake, si Byroja Politike apo Komiteti Qendror, procedonin kryesisht mbi rrezikshmërinë politike e shoqërore që paraqiste njëri apo tjetri. Patjetër që kjo nuk ishte pak në hetimet e mëtejshme, por aspekti penal ishte krejt tjetër. Akuza në këtë rast parashikonte një mori procedurash të rregulluara me ligj të veçantë…

Që parakuptonte kthimin e akuzës politike në akuzë penale?

Jo, jo. Të arrestuarit në selinë e KQ, i nënshtroheshin një procedure shumë të gjatë e komplekse.

Çfarë keni parasysh me të arrestuarit në Komitet Qendror?

E kisha fjalën për krerët e grupeve armiqësore që u zbuluan nga Partia në vitet ‘70-‘80. Si grupi i ushtarakëve, ai i sabotuesve në ekonomi, grupi i Kadri Hazbiut etj.. Pra, për ata që arrestoheshin fill pas mbledhjes së Plenumit të KQ.

Ata i arrestonte Komiteti Qendror…

Nuk i arrestonte Komiteti Qendror, por arrestoheshin në selinë e Komitetit Qendror, më saktë në sallën e mbledhjeve të Plenumit të KQ. Aty ua hidhnin prangat oficerët e Sigurimit. Deri te ky çast çdonjëri prej tyre gëzonte privilegjet dhe statusin e anëtarit të Byrosë Politike, apo të KQ. Kishte ndër ta që ishin ministra, zëvendësministra etj.. Futeshin në selinë e KQ me staturën e udhëheqësit, të shoqëruar me roje, me kobure në brez dhe dilnin prej andej me pranga në dorë…

Në çdo rast me urdhër arresti nga Prokurori…

Në asnjë rast me urdhër arresti nga Prokurori, madje Prokuroria nuk kishte dijeni për ata që kryqëzoheshin në selinë e KQ për vepra të ndryshme penale…

Si nuk kishte dijeni Prokurori i Përgjithshëm? Kush e lëshonte urdhërarrestin në këto raste?

Kjo ishte një procedurë speciale që realizohej pa dijeninë e Prokurorit të Përgjithshëm. Ne viheshim në lëvizje kur i pandehuri VIP kishte përfunduar në qeli. Detyra jonë fillonte pikërisht në këtë moment. Çfarë kishte ndodhur më parë me objektin e radhës, na vinte shkresërisht nga Ministria e Brendshme.

Çfarë ishte kjo procedurë speciale në rastin e të dënuarve VIP?

Një procedurë sekrete e kopsitur midis udhëheqjes së lartë të Partisë dhe krerëve të Sigurimit të Shtetit.

Pra, midis Enverit dhe kreut të Sigurimit…

Pak a shumë diçka e tillë. Po si operohej konkretisht, unë si prokuror nuk kisha dijeni, bile nuk ma lejonte as detyra të hulumtoja më tej. E quanim një procedurë të mirëbesuar, dhe aq. Ca më tepër që në qendër të saj ishte udhëheqësi kryesor i Partisë. Pastaj, mos të harrojmë natyrën e sistemit Parti-shtet, që do të thoshte që vija politike e saj përshkruante tërë veprimtarinë e institucioneve shtetërore…

Me një fjalë, ju noterizonit atë që ju servirte politika…

Nuk ishte tamam kështu. Pavarësisht që shtysa e parë, lënda në ngarkim të të akuzuarve vinte nga institucionet politike, ne, sipas platformës së Prokurorisë, zbatonim politikën penale mbi të cilën ngrihej akuza…/ panorama

Rrëfimi i ish-Kryeprokurorit të Enverit: Ju tregoj qelinë sekrete ku hidheshin prangat e byroistëve Read More »