Histori

Cili ishte amaneti i fundit i Gjergj Fishtës… A u përmbush ai?

Hylli i Dritës u themelua në vitin 1913 nga atë Gjergj Fishta bashkë me françeskanët e tjerë. Në gjithë ekzistencën e vet, Hylli i Dritës njohu peripeci të pafunda. Botimi i tij u ndalua disa herë për arsye të ndryshme, kryesisht politike, por vlerat që tejçoheshin prej tij në shoqëri nuk harroheshin asnjëherë.

Krijimtaria e forcave shkencore, që u lidhën me këtë qendër studimesh, e nxiti Fishtën të mendonte për të nisur punën për të krijuar një organ shkencor. Ai e realizoi këtë ide pak vjet pas Kongresit të Manastirit dhe një vit pas Shpalljes së Pavarësisë. Fishta, revistën Hylli i Dritës” arriti ta bëjë shpejt, jo vetëm publikuese të krijimeve të bashkëpunëtorëve të saj, por edhe një polemizuese të fuqishme për mbrojtjen e idealit kombëtar.

Ai, për ta mbajtur në këmbë këtë revistë, pati shumë shqetësime. U sulmua shpesh nga forca të ndryshme, të brendshme dhe të jashtme, që nuk mund të duronin tendencën e saj për t’i paraqitur gjërat ashtu siç ishin.

Amaneti i themeluesit të tij, në çastet e vdekjes ishte: “Hylli të jetojë!

Nën zë lexoheshin poezitë e atë Vinçenc Prennushit kur errësira komuniste nuk e linte Hyllin e Dritës të ndrinte i lirë. Pranë vatrave lexoheshin “Prrallat Kombtare” të cilat, para se të botoheshin së bashku në një libër, qenë shkruar te Hylli. Ithtarët e Fishtës me mburrje lexonin letrën e tij drejtuar Hilë Mosit, kur ky i fundit e kishte kundërshtuar në disa pika. Por cili ishte kontributi i drejtpërdrejtë që Hylli i dha Shqipërisë?

Hylli i Dritës ishte i ndarë në disa nënkategori, ku dy më kryesoret, njëlloj si motoja e françeskanëve, ishin Fe dhe Atdhe. Përpos kësaj, aty botoheshin studime historike, gjuhësore e letrare. Rëndësi shumë të madhe patën botimet folklorike, ku përfshihen “Kanuni i Lekë Dukagjinit” mbledhur prej atë Shtjefën Gjeçovit dhe “Prralla Kombtare” mbledhur nga atë Donat Kurti.

Periudhat e botimit të Hyllit janë disa. E para i përket viteve 1913-1914, kur Hylli filloi të njihej mbarëkombëtarisht. Gjatë këtij viti u diskutua aftësia e shqiptarëve për t’u vetëqeverisur.

Këto shkrime, të cilat cenonin autoritetin e Fuqive të Mëdha, për të cilat atë Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcis” shkruan “O Evropë, ti kurvë e motit/Që i re mohit besës t’Zotit”, i shtynë ato që me anë të një politike intrigante ta mbyllnin atë, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga fuqia e penës së atë Gjergjit, pasi ky i fundit shkroi “Nji komedi e pandershme e shekullit XX” duke shigjetuar Fuqitë e Mëdha.

Kopertina e dorëshkrimit të “Lahuta e Malcis”

Periudha e dytë i takon viteve 1921-1924, në të cilën u trajtuan apekte kulturore, politike, arsimore e kombëtare. Kjo periudhë cilësohej nga Hylli si periudha më demokratike e historisë së shtetit të ri shqiptar, por gjithçka mbaroi në dhjetorin e vitit 1924, kur pasi u përmbys regjimi i Ahmet Zogut nga lëvizja e Fan Nolit, Zogu u kthye sërish në pushtet. Kështu françeskanët e ndërprenë botimin e Hyllit, duke pritur një moment më të favorshëm.

Periudha e tretë i takon viteve 1930-1944, e cila mund të cilësohet si periudha më e ndritur e Hyllit të Dritës. Gjatë kësaj periudhe, Hylli u vlerësua me çmime kombëtare e ndërkombëtare, ndërkohë që temat e lëvruara sa vinin e zgjeroheshin.

Autorët e studimeve nuk ishin vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, ku veçohen Norbert Jokl, Georg Stadtmüller e të tjerë. Ndër botuesit shqiptarë u dallua atë Anton Harapi, i cili shkroi në vitin 1944 një analizë tepër të mprehtë mbi çështjen shqiptare.

Por gjithë kjo histori e lavdishme kulture e shkence u ndërpre me ardhjen e komunizmit. Në vitin 1944 u ndalua çdo aktivitet privat dhe u sekuestrua çdo shtypshkronjë në rang kombëtar. Kështu edhe botimi i Hyllit të Dritës reshti përkohësisht duke shënuar “Të premten më të zezë”, pas së cilës “E Diela më e bardhë e pashkës” do të vinte në vitin 1993, kur me insistimin e atë Zef Pllumit do të niste rishtazi botimi i Hyllit të Dritës.

Atë Zef Pllumi

Hera e fundit kur botimi u ndërpre ishte viti 1997, kur, për arsye politike, Shqipëria kaloi në anarki.

Në vitin 2013, me rastin e 100-vjetorit të botimit të “Hylli i Dritës”, drejtori i asaj kohe, Ardian Ndreca, thoshte se “Hylli bën përpjekje që të ecë me kohën, t’u përgjigjet sfidave me gjuhën e shkencës, duke prekur fushat si gjuhësia, albanologjia, historia e të tjera.”

Ftesa me rastin e 100 vjetorit të “Hylli i Dritës”

Kështu “Hylli i Dritës” ka dhënë, po jep dhe ka për të dhënë edhe në të ardhmen kontributin e patjetërsueshëm në krijimin e një identiteti shqiptar në çdo fushë.

Sot “Hylli” kërkohet nga studentët për të përgatitur tema studimi dhe nga punonjësit shkencorë për të studiuar probleme të veçanta të profilit të tyre. Amaneti i Fishtës: “Hylli të jetojë” u bë realitet./njekomb

Cili ishte amaneti i fundit i Gjergj Fishtës… A u përmbush ai? Read More »

Përkujtohet 75 vjetori i Luftës së Drashovicës

Eshtë përkujtuar 75 vjetori i Luftës së Drashovicës. Beteja e Drashovicës apo siç njihet Lufta e Drashovicës është përplasja e parë frontale kundër pushtuesit nazifashist.

Ngjarja u zhvillua nga data 15 shtator deri më 4 tetor 1943. Kjo ishte beteja e parë në shkallë qarku dhe ndër të parat dhe më të ashpra në shkallë vendi, kundër pushtuesit të ri nazist gjerman dhe zgjati plot 19 ditë.

Në këtë luftë ranë 20 dëshmorë dhe mbetën 50 të plagosur.
Shprehim sot respektin, mirënjohje dhe nderimet e veçanta për heronjtë e luftës!!!

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Përkujtohet 75 vjetori i Luftës së Drashovicës Read More »

Ja si planifikuan Tito dhe Ahmet Zogu rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës

Ish-mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu tentoi të merrte mbështetje nga jugosllavët për të rrëzuar regjimin komunist. CIA ka zbardhur një dokument të vitit 1952, në të cilin tregohen detajet e një takimi të mbajtur në Shkup, mes përfaqësuesve të Zogut dhe Titos. Aty tregohen detajet e bisedës mes palëve, ndërsa dëshmohet se si jugosllavët i mashtruan, duke përdorur identitete të rreme.

23 tetor 1952

Takimi mes përfaqësuesve të mbretit Zog dhe Marshallit Tito

Përfaqësues të Marshallit Tito dhe përfaqësues të mbretit shqiptar Zog, u mblodhën për një takim tre-ditor më 28 deri në 30 gusht 1952, në fshatin Saraj, rreth 10 km në lindje të Shkupit. Delegacioni jugosllav përbehej nga Branko Miliç dhe koloneli Cedomir Mijoviç. Ndërsa delegacioni shqiptar që përfaqësonte mbretin Zog përbëhej nga Safet Lutfi Tozani, Avni Daralla dhe Irfan bej Ohri. Delegacioni shqiptar kishte ardhur me avionë në Shkup nga Selaniku.

Sesioni i parë

Gjatë takimit të parë të delegacioneve, koloneli Mijoviç përshkruhej si mjaft i ngrysur. Diskutimet u hapën nga Tozani për palën shqiptare, i cili deklaroi se misioni i tyre ishte ngritja e bazës së bashkëpunimit me qeverinë e Jugosllavisë dhe se fillimisht detyrat e tyre përfshinin vetëm diskutime shpjeguese.

Delegacioni gjithashtu ishte instruktuar të caktonte një takim të ardhshëm të përfaqësuesve më të fuqishëm të mbretit Zog dhe marshallit Tito. Ohri, duke folur në gjuhën shqipe, ngriti çështjen e njohës nga ana e Jugosllavisë së legjitimitetit të mbretit Zog dhe integritetit territorial të Shqipërisë.

Ai solli në vëmendje të delegacionit jugosllav faktin se mbreti Zog qëllimisht kishte refuzuar të merrte pjesë në kombinimet politike kundër regjimit të Enver Hoxhës, pasi Zogu ishte i mendimit se pa njohurinë dhe miratimin jugosllav, një aventurë e tillë do t’i kushtonte shumë shtrenjtë popullit shqiptar. Delegacioni shqiptar, vazhdoi më tej Ohri, ka vullneti e sinqertë të diskutojë problemin e bashkëpunimit për çlirimin e Shqipërisë nga kthetrat e Kominform.

Duke parë rëndësinë e negociatave të tilla, delegacioni shqiptar i mbretit Zog, fton qeverinë e Jugosllavisë të dërgojë përfaqësuesit e saj të plotëfuqishëm për diskutime me të. Mbreti Zog do të pranojë çdo kohë dhe vendndodhje të përcaktuar nga qeveria e Jugosllavisë. Nëse takimi vendoset të mbahet në Egjipt, ai duhet të kryhet para se mbreti të vendosen në rezidencën e tij të përhershme në Francë. Nga ana e delegacionit jugosllav, Miliç u përgjigj se u gëzua dhe se nuk e kishte pritur qasjen realiste të delegacionit shqiptar. Ai deklaroi se qeveria e tij ishte dakord me parimet e delegacionit shqiptar mbi pavarësinë territoriale të vendit në kufijtë aktualë.

Më tej, në lidhje me synimet greke, Miliç tha se marrëdhëniet aktuale mes Greqisë dhe Jugosllavisë arrinin atë masë sa për të influencuar Greqinë të hiqte dorë nga pretendimet e saj territoriale mbi Shqipërinë. Propozimi për takimin e përfaqësuesve të lartë të Titos dhe mbretit Zog do të duhet zgjidhur në një datë të mëvonshme, pasi asnjë nga dy përfaqësuesit nuk kishte aktualisht fuqi vendimmarrjeje.

Miliç shtoi se shpresonte për një përgjigje të shpejtë nga qeveria mbi propozimin. Ai më pas siguroi delegacionin shqiptar për respektin e qeverisë jugosllave për integritetin territorial të Shqipërisë, de në një farë mënyre sugjeroi që delegacioni shqiptar të njihej me programin e grupit shqiptar të emigracionit në Jugosllavi, Lidhja e Prizrenit.

Sesioni i dytë

Koloneli Mijoviç, i cili kishte qenë i vrenjtur gjatë seancës së parë, dukej më me humor dhe shfaqi njohuritë e tij të rrjedhshme të gjuhës shqipe. Miliç hapi sesionin e bisedimeve me njoftimin se kishte marrë një përgjigje pozitive nga qeveria mbi propozimin e përfaqësuesve për takimin e të dërguarve fuqiplotë të liderit Tito dhe mbretit shqiptar Zog. Koha dhe vendi i takimit do të komunikoheshin në një të ardhme të afërt.

Miliç pyeti delegacionin shqiptar se ç’mendim kishin për grupin politik të emigracioni Blloku Kombëtar Indipendent, të drejtuar nga Ismail bej Vërlaci, bir i Shefqet bej Vërlacit në Itali. Ohri u përgjigj se në këtë grup kishte shumë njerëz të aftë dhe se mbreti Zog ishte i gatshëm t’i harronte mëkatet e tyre të së shkuarës. Më pas kolonel Mijoviç pyeti përfaqësuesit shqiptarë mbi disa personalitete politike shqiptare dhe më tej iu përgjigj pyetjeve ndaj tij nga Ohri dhe Daralla.

Në të gjitha rastet Mijoviç dha përgjigje të detajuara mbi personat, si të njohur dhe të panjohur. Më pas ai pyeti Darallën dhe Ohrin për komente mbi personat e mëposhtëm: Gjon Markagjoni, anëtar i Ballit Kombëtar, lideri katolikëve shqiptarë; Kol Bib Mirakaj, ish-sekretar i partisë fashiste shqiptare, ministër i brendshëm gjatë pushtimit italian; Muslim Peza, gjeneral i Hoxhës, partizan i njohur dhe ish-bashkëpunëtor i Ohrit; Lutfi Spahiu, zv. Presidenti i Lidhjes së Refugjatëve Shqiptarë; Kolonel Muharrem Bajraktari, partizan i njohur, tashmë në Greqi; peshkopi Fan Noli, ish-kryeministër, tashmë në Shtetet e Bashkuara, si dhe disa emra të tjerë që nuk u përmendën nga burimi.

Ohri iu përgjigj të gjitha pyetjeve mbi personat me interes, duke u përpjekur me kujdes që të mos jepte gjykime mbi ta apo të mos i denonconte në ndonjëfarë mënyre. Delegacioni vërejti me simpati interesin e treguar drejt grupeve fashiste, veçanërisht kur Mijoviç komentoi pozitivisht ndaj emrave si Markagjoni, Mirakaj dhe të tjerë. Në një pikë të diskutimit, Koloneli Mijoviç pyeti mendimin e mbretit Zog dhe përfaqësuesve të ti mbi komunistët shqiptarë.

Ohri u përgjigj se komunistët ishin shqiptarë si gjithë ata që kishin bindje të tjera politike, dhe se mbreti Zog nuk kishte ndërmend hakmarrje kundër tyre. E vetmja dëshirë e mbretit Zog, sipas të dërguarve, ishte zhdukja e influencës së Kominform, pas së cilës partia komuniste e Shqipërisë dhe partitë e tjera mund të mbronin veten e tyre lirisht para opinonit publik të Shqipërisë.

Sesioni i tretë

Në sesionin e tretë të bisedimeve më 29 gusht 1952, Miliç pyeti nëse mbreti Zog kishte një organizatë, të gatshme për të lëvizur kundër regjimit të Hoxhës. Ai kërkoi të dinte më tej nëse mbreti Zog merrte informacionet aktuale mbi Shqipërinë nga kanalet e tij, apo kishte nevojë për informacione nga qeveria jugosllave.

Ohri u përgjigj se në sensin formal të fjalës, mbreti nuk kishte një organizatë të gatshme për veprim, por ai nuk dëshironte të krijonte një organizatë të tillë derisa të kompletohej plotësisht bashkëpunimi me Jugosllavinë. Ohri tha më tej se sigurisht që Zogu kishte mbështetësit e tij në Shqipëri, të gatshëm për të vepruar, dhe se tashmë ishin dërguar në Shqipëri disa dhjetra agjentë zogistë.

Gjithsesi, këtyre agjentëve u ishin dhënë urdhra të qartë të mos përfshiheshin në aktivitete ofensive, por të prisnin deri në ditën e përcaktuar, për të evituar rreziqet e veprimit të parakohshëm. Milic u shpreh plotësisht dakord me pohimet e Ohrit, dhe me pikëpamjet e mbretit Zog. Ai më tej kërkoi ndjesë, dhe që atë natë u largua për në Beograd.

Sesioni i katërt (30 gusht 1952)

Me largimin e Miliç, bisedimet vazhduam vetëm mes përfaqësuesve shqiptarë dhe kolonelit Mijoviç. Ky i fundit nëse të bëhej mjaft miqësor, veçanërisht me Darallën, të cilit i tha: Edhe ne dëshirojmë shkatërrimin e Kominform.

Ne nuk mund të rrimë duarlidhur teksa shohim ngjarjet në Shqipëri. Nëse ju nuk e krijoni dot revolucionin, atëherë ne do të detyrohemi të ndërhyjmë vetë. Por gjithsesi ne do të preferonim një revoltë të nxitur nga vetë shqiptarët, të cilët që padyshim që do ta ndihmonim fshehtësisht. Mijoviç pati një thirrje gjatë takimit dhe kur u kthye njoftoi se ishte thirrur menjëherë në Beograd.

Duke u larguar Mijoviç tha se kjo thirrje urgjente ishte një shenjë e mirë për çështjen, dhe më pas u tha përfaqësuesve lamtumirë. Më 31 gusht 3 anëtarët e delegacionit shqiptar u kthyen në Stamboll me avion nga Shkupi dhe Selaniku. Ndërsa në 8 shtator Ohri dhe Daralla u larguan nga Stambolli për në Aleksandri të Egjiptit.

Koment 1

Përfaqësuesit jugosllavë duket se kanë përdorur emra të tjerë në bisedat e tyre me anëtarët e delegacionit shqiptar. Brano Mliç u prezantua me këtë emër te Ohri dhe Daralla, por me Tozanin përdori emrin Branko Stankoviç. Ndërsa Cedomir Mijoviç u prezantua me këtë emër te Ohri dhe Daralla, por u prezantua si Miliç Sava me Toanin. Në bisedat mbi njëri-tjetrin dy jugosllavët përdornin emrat Branko dhe Cedo.

Koment 2

Brano Miliç pyeti Tozanin nëse ishte e vërtetë që mbreti Zog i kishte dërguar shuma parash ish-mbretit jugosllav Peter. Tozani u përgjigj se nuk ishte në dijeni të ndonjë huaje, por u shpreh i sigurt se nëse kjo është e vërtetë nuk ka qenë për motive politike. Për takimin në fjalë qeveria jugosllave u sigurua që atmosfera të ishte sa më pozitive dhe miqësore.

Fshati i Saraj ishte zgjedhja e përkryer me ambientet mikpritëse, ushqimin e mirë dhe shërbimet e organizuara. Çdo seancë diskutimesh u mbajt në një dhomë të ndryshme të resortit. Shqiptarëve u plotësohej çdo dëshirë dhe nuk paguan asnjë qindarkë. Kur arritën atyre iu ndalua të këmbenin valutën, madje dhe në largim jugosllavët tentuan të blejnë biletat e tyre të kthimit në Stamboll. Por kur shqiptarët u zemëruan, jugosllavët insistuan që të blinin biletat e tyre deri në Selanik.

Të tre përfaqësuesit shqiptarë ishin të gazuar dhe optimistë për pritjen dhe mbarëvajtjen e bisedimeve. Ata pranonin të tre se përfaqësuesit jugosllavë flisnin me autoritet dhe se thelbi i çështjeve ishte pritur me seriozitet nga qeveria e Jugosllavisë.

Në mendjet e tyre shqiptarët nuk kishin dyshime se qeveria jugosllave ishte e sinqertë në qëllimet për t’u takuar me mbretin Zog, dhe se kjo ishte një epokë e re në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.

19 shtator 1949

Sipas kërkesës për informacion mbi ish-mbretin e Shqipërisë Zog, Zoti Church deklaroi informacionet e mëposhtme për të:

Asetet që kishte Ahmet Zogu

Ai ka 108 000 dollarë në bankën National City Bank, rreth 5000 dollarë në fondin Guaranty Trust, toka dhe një ndërtesë në Aleksandri me vlerë rreth 40 000 lira egjiptiane, xhevahiret e kurorës së Shqipërisë me vlerë rreth 200 dollarë, dhe rreth 750 000 dollarë në flori nga rreth 3.000 000 që mori me vete nga Shqipëria.

Detyrimet që kishte

Zogu ka detyrim moral të japë 115 dollarë në muaj për gjyshen e gruas së tij. Ajo është 82 vjeç, jeton në SHBA dhe njihet si Madame de Strahl D’Ekna. Ai nuk ka detyrime të tjera në SHBA. Në vende të tjera duhet të kujdeset për 4 motrat e gruas së tij dhe vëllain e saj John Apponyi i cili vuan nga tuberkulozi në një sanatorium të Siçilisë. Më tej nuk di të them, miku i tij Faruk, Mbreti i Egjiptit nuk e lë të futet në borxh në Egjipt.

Burimet e të ardhurave në Shtetet e Bashkuara dhe mbështetja financiare

Asgjë nuk ka në SHBA, përveç llogarisë së tij në bankë. Ai nuk merr gjë nga shqiptarët këtu apo në vende të tjera.

Kujt ia bën Zogu pagesat, në çfarë forme, në çfarë intervalesh?

Ai paguan gjyshen e gruas së tij 115 dollarë në muaj, pagesat bëhen një herë në dy-tre muaj.

Njerëzit që merren me çështjet financiare në rrethin e Zogut

Kryeministri i tij dhe roja personale, Martini, mbikëqyr gjithçka. Operacionet e tij të tregut të zi kryhet nga Konti Aleksandër de Villa, një zotëri elegant dhe shumë dinak. Por Zogu kryen shumë nga punët vetë, teksa përkthimet i bën gruaja e tij Geraldinë.

Si komunikon me Zogun kompania e zotit Church?

Vetëm zoti Church dhe askush tjetër nuk komunikon me Zogun. Shumica e komunikimeve bëhet me letra te zonja Geraldinë, asnjë herë të drejtuara Zogut. Për çështjet urgjente përdoret telegrami. Nuk përdoren ndonjëherë korrierë, por Church e ka edhe këtë mundësi.

Çfarë kontaktsh ka Zogu në SHBA?

Përveç gjyshes së gruas së tij, është dhe Joseph Blackburn, i martuar me motrën e Geraldinës, Virginia. Ndërsa gruaja e Church është bija e kontit Seher-Thoss, kreu i inteligjencës gjermane gjatë Luftës I Botërore. Mamaja e saj ishte një amerikane që u detyrua të kryente vetëvrasje nga Gestapo gjatë Luftës II Botërore. Me sa di unë Zogu nuk ka kontakte të tjera në SHBA.

A ka ai përfaqësues ligjorë në vende të tjera?

Ka një avokat në Aleksandri por emri i tij nuk njihet. Dokumentet e Zogut i shkruan Church he më pas ato shikohen nga avokati egjiptian.

A ka ndonjë lidhej kompania e zotti Church me Shqipërinë aktualisht? Cilat janë kontaktet e Zogut në Shqipëri?

Kompania e Church nuk ka kontakte në Shqipëri. Zogu ka kontakte të vazhdueshme me individë klandestinë në Shqipëri. Georges Gog i cili kujdeset për sigurinë e Zogut shkon e vjen në Shqipëri, teksa anëtarë të botës së nëndheshme në Shqipëri vijnë shpesh në Egjipt.

A ka regjimi aktual pretendime ligjore ndaj Zogut? Në çfarë shume? A ka mundësi një një pjesë e pasurisë së Zogut t’i jepet Shqipërisë nëse merret veprim ndaj tij?

Sigurisht që regjimi aktual pretendon rreth 3 milionë dollarë në flori që ai ka marrë, që me shumë gjasa janë para shtetërore. Zogu pretendon se po i shpenzon për oborrin e tij, por nga to vetëm 750 000 kanë mbetur. Askush nuk e di situatën e vërtetë ligjore apo tjetër.

Cilat janë planet e Zogut për të ardhmen?

Zogu ka në plan të marrë një shtëpi në Francë verën që vjen dhe të kthehet në Aleksandri në dimër. Është i fiksuar me idenë e kthimit në Shqipëri për të nxjerrë jashtë sovietikët nga vendi. Ai po kërkon ndihmën ushtarake e materiale të SHBA por mendon se mund të mbledhë mjaftueshëm ushtarë arabë për të formuar një ushtri, pasi është shumë mik me mbretin Faruk të Egjiptit. Church thotë se mund ta kontrollojë Zogun por dëshiron të shoqërohet nga një oficer ushtarak i rangut kolonel ose më lart, për të folur mbi çështjet ushtarake. Zogu e pëlqen shumë anën ushtarake.

21 gusht 1950

Memorandum për asistent-drejtorin e koordinimit të politikave

Situata e rezistencës në Shqipëri

Nga një prej misioneve tona në Shqipëri, i cili është në kontakt të afërt me lëvizjen e rezistencës, kemi marrë informacionin e shtjelluar në paragrafët e mëposhtëm. Sipas misionit tonë, shumë anëtarë të rezistencës shqiptare besojnë se nuk mund të durojnë më vuajtjet që po heqin dhe kanë vendosur të arratisen drejt Jugosllavisë në mundësinë më të parë. Ata do të preferonin të shkonin në Greqi, po të mos ishte për distancën e largët prej veriut të Shqipërisë deri në kufirin grek.

Megjithë përpjekjet e bëra për t’i bindur që të qëndrojnë në Shqipëri, ata duket qartë se nuk mund të qëndrojnë një tjetër dimër në male, pasi jeta është aq e vështirë sa po i çon drejt çmendisë. Lideri i këtij misioni ka kërkuar të dijë nëse aktivistët politikë jugosllavë në Shqipëri (të raportuar më parë te ju) njihen prej nesh dhe nëse ata përfaqësojnë përpjekjen e Aleatëve. Ata pyetën gjithashtu nëse aktivistët anti-komunistë nga Shqipëria do të priteshin mirë në Jugosllavi.

Në lidhje me mbështetjen jugosllave ndaj aleatëve, u pyet se cila ishte politika e Jugosllavisë në lidhje me Korenë. Mesazhi i mësipërm na informon se Tropoja është qendra e spiunazhit shqiptar dhe jugosllav, me agjentë jugosllavë dhe shqiptarë duke kaluar vazhdimisht kufirin. Agjentët jugosllavë përshkruhen se të gjithë kanë qenë më parë anëtarë të grupeve shqiptare të rezistencës.

Më 10 gusht 1950 misioni ynë në vend dërgo një kontakt për të hetuar mbi ftesën për të takuar një person të paidentifikuar që dëshironte të furnizonte me armë dhe municione jugosllave misionin.

Lëvizjet e jugosllavëve

Mes popullsive të Shqipërisë së Veriut ka një bindje të madhe se jugosllavët po planifikojnë një lëvizje të armatosur në Shqipëri, me qëllim ngritjen e moralit të grupeve malore të rezistencës.

Disa sasi armësh raportohet të jenë shpërndarë çdo ditë nga jugosllavët, të cilat janë pranuar edhe nga shqiptarët nacionalistë, të cilëve u janë afruar edhe para, por kanë refuzuar duke pritur aprovimin nga misioni ynë. Lideri i misionit trembet se një bujari e tillë nga ana e jugosllavëve do të ketë efektin e fitimit të simpatisë së shumë personave që kanë vuajtur shumë duke punuar për ne.

Në konkluzion, lideri i misionit tha se puna e tij bindëse nuk do të ishte e mjaftueshme, prandaj kishte nevojë për instruksione urgjente për mënyrën e veprimit që duhet të ndiqte./Sot News/

Ja si planifikuan Tito dhe Ahmet Zogu rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës Read More »

Vizita e fshehtë/ Kur Che Guevara erdhi në Tiranë, ish-diplomati tregon takimin 2 orë me Mehmet Shehun

Një vizitë e fshehtë e Che Geavarës është realizuar në Shqipëri në Mars të vitit 1960, zbulohet në dokumentarin “Gjurmë Shqiptare” të gazetarit Mema, transmetuar mbrëmjen e sotme në Top Channel.

Në aeroport për ta pritur u dërgua Zeqir Agolli, i cili asokohe mbante një post të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme.

Zeqir Agolli tregon se si e transportoi nga Rinasi në Kryeministri, aty ku zhvilloi një takim me kryeministrin e asaj kohe Mehmet Shehu. Me udhëheqësin Enver Hoxham Che Geavara nuk u takuam zbulon ish-zyrtari i regjimit.

Në një prononcim në dokumentar, ai shprehet: “Unë kam qenë drejtor politik në Ministrinë e punëve të Jashtme për Evropën. Më merr në telefon Kryeministri i atëhershëm Mehmet Shehu, më thirri në zyrë. Më tha: Do të shkosh në aeroport të presësh dy ushtarakë kubanezë. Merre veturën dhe ik”.

“Shkova në aeroport, ishte linja ajrore hungareze, Tiranë – Budapest dhe viçeversa. Erdhi avioni me dy ushtarakët. I pari menjëherë më ra në sy: Bereta e famshme e Che Geavarës. U binda që ishte Che Geavara”, tregon ai, sot 96-vjeç.

“Nuk bëmë muhabet fare se unë spanjisht s’dija. Flas 5 gjuhë por jo spanjishten. Ata nuk folëm fare në makinë, i vumë prapa në makinë, unë te shoferi. Mbërritëm në kryeministri, në atë kryeministri që është edhe sot. Edhe shkuam takuam Mehmet Shehun. U përqafuan edhe u ulën. Filluan bisedën se çu bisedua se di se ata flisnin spanjisht, unë spanjisht nuk dija. Ndenjën dy orë”.

“Enver Hoxhën nuk e ka takuar për këtë jam i bindur. Vetëm Mehmet shehun. Asnjë njeri tjetër nga udhëheqja, Enver Hoxha s’merrej me gjëra të tilla, se unë Enver hoxhën e njoh më mirë nga të tjerët, Enver Hoxha ka ndenjur 9 muaj në shtëpinë time”…

Vizita e fshehtë/ Kur Che Guevara erdhi në Tiranë, ish-diplomati tregon takimin 2 orë me Mehmet Shehun Read More »

Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Puna në zyrën sekrete me letrat e Enverit, si shpëtoi gazetari nga burgu

Për t’u ulur në karrigen e Prokurorit të Përgjithshëm, m’u desh të kaloja nga paradhoma e Hysni Kapos”. Pavarësisht se këtë fakt Rrapi Mino e pohon si diçka të rastit, ato që rrëfen nga koha kur shërbente për numrin dy të Partisë dhe njeriun më të besuar të Enverit, tregojnë se bekimi i tij ka qenë përcaktues për funksionin e besuar në atë periudhë dramatike.

Në fakt, thotë ish-kreu i Akuzës, zyrtarisht isha emëruar në aparatin e KQ për organet e drejtësisë, por nga fillimi deri në fund punova për Hysni Kapo, në rolin e ndihmësit për të ndjekur verifikimin e ankesave dhe të dhënave komprometuese për zyrtarë të rëndësishëm, ministra, kryetarë të Komiteteve Ekzekutive, anëtar të KQ, prokurorë, gjyqtarë etj. Është kjo një dëshmi interesante që zbulon ekzistencën e një linje sekrete që Mino e quan linjë speciale, e përdorur nga kreu i kupolës për verifikimin e pastërtisë së figurës së funksionarëve të lartë të regjimit.

Roli i Rrapi Minos në këtë procedurë specifike, i ka dhënë mundësinë të arkivojë shumë ndodhi e ngjarje të panjohura, për të cilat asokohe flitej në një rreth shumë të ngushtë njerëzish. Ndër to veçon mënyrën si është proceduar për dosjen e ish-gjeneralëve të Ushtrisë në vitin ‘74, e cila shërbeu si lëndë e parë për Plenumin famëkeq të Partisë që i kryqëzoi si puçistë e tradhtarë.

Rrapi Mino duke folur për “Panorama”I pyetur për akuzat e rënda që u konsumuan ndaj tyre, ndihmësi i Hysni Kapos, ish-Sekretarit të Komitetit Qendror që mbulonte organet e diktaturës, shprehet pa mëdyshje se gjeneralët i ka çuar para skuadrës së pushkatimit degjenerimi moral, jo tradhtia, pavarësisht që për këtë të fundit flitej me të madhe. Duke iu kthyer kësaj historie, Rrapi Mino zbulon një fakt që nuk ka rënë në sy, jo vetëm në atë kohë, por edhe sot, mënyrën si është shmangur Prokurori i Përgjithshëm nga procesi penal ndaj Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos dhe arsyet e vërteta pse ky funksion iu besua një oficeri të lartë të Ministrisë së Brendshme, i rekrutuar rishtas në rolin e prokurorit…

Periudha kur punonit te Hysni Kapo përkon me kohën kur u dënua grupi puçist në Ushtri. Trajtoi zyra juaj në atë kohë probleme, që lidheshin me gjeneralët e dënuar?

Patjetër që trajtuam shumë çështje që kishin të bënin me verifikimin e të dhënave dhe ankesave për gjeneralët e dënuar, kjo sidomos pas plenumit të Komitetit Qendror që dënoi Beqir Ballukun. Reagimet e organeve dhe organizatave të Partisë në solidarizim të vendimeve të Byrosë Politike dhe të fjalës së Enver Hoxhës për zbulimin e puçit në Ushtri, prodhuan një gamë të gjerë problemesh. U hapën gojët dhe njerëzit, komunistët, denoncuan njeri pas tjetrit raste e fakte të ndryshme që komprometonin krerët e Ushtrisë. Zyra jonë në atë periudhë menaxhoi verifikimin e tyre në terren. Unë kam qenë disa ditë me radhë në Korçë dhe kam ndjekur jo vetëm mbledhjet e zhvilluara, por kam marrë me dhjetëra takime për të seleksionuar problematikat pa fund që denonconin njerëzit në adresë të gjeneralëve…

Pastaj këto ia dërgonit Hysni Kapos…

Te Hysni Kapo nuk dërgonim një material bruto, por një përmbledhje të kujdesshme me gjërat më të rëndësishme. Ai pasi i studionte, na thërriste në zyrë dhe konsultohej gjatë me ne. Konsultat vazhdonin për orë të tëra. Në fund, përpunonim një material tjetër, të cilin Hysniu ia dërgonte Enverit.

Konstatuat fakte gjatë kësaj veprimtarie që i komprometonte gjeneralët për tradhti, siç i akuzoi Enveri?

Të them të drejtën dhe të jem i sinqertë, kjo akuza e tradhtisë afishohej aty-këtu në përgjithësi si term, por pa fakte konkrete. Më shumë për gjeneralët kishte akuza për abuzime dhe degjenerim moral. Të paktën unë në Korçë gjëra të tilla dëgjova. Edhe nga takimet që pata aty, mësova për jetën aventureske që bënin gjeneralët, sidomos me ahengje dhe shpenzime të jashtëzakonshme në darka e dreka. Çdo darkë apo drekë e tyre ne terren shoqërohej me qengja të therur e me pije të shumta. Jetë qejfi, jashtë çdo limiti. Ky lloj degjenerimi dhe jo tradhtia, sipas meje, i mori në qafë. Në rrugë e sipër, procesi i penalizoi edhe për gjëra të tjera, për të cilat edhe u dënuan…

Keni marrë pjesë ju në procesin e gjeneralëve?

Unë nuk kam marrë pjesë në atë proces. Prokuror ka qenë Murat Kamani, i cili më parë kishte shërbyer në një detyrë të rëndësishme në Ministrinë e Brendshme. Sidoqoftë, rolin kryesor në procesin e gjeneralëve të dënuar e luante Feçor Shehu me një grup të zgjedhur të Sigurimit të Shtetit. Për nga pozicioni që kisha në aparatin e KQ, kisha informacion për ecurinë e tij, së paku, për ato çështje që diskutoheshin aty në mirëbesim nga zyrtarë të ndryshëm.…

Nuk kishte raporte zyrtare Komiteti Qendror për ecurinë e procesit të gjeneralëve?

Gjithçka ishte në sekret të plotë. Ajo çfarë ndodhte në procesin e gjeneralëve, e dinte vetëm një grusht i vogël njerëzish. E dinin ata që drejtonin procesin, prokurori dhe gjyqtarët dhe tri veta në KQ, Enveri, Hysniu dhe Mehmeti. Askush tjetër nuk dinte gjë. Vetëm kur mbaroi gjyqi, ngjarja u bë e njohur nëpërmjet një komunikate zyrtare, që fillimisht u punua me kuadrot e lartë në KQ dhe pastaj me organizatat e masave…

ENVER HOXHA DHE MEHMET SHEHU
ENVER HOXHA DHE MEHMET SHEHU

Procesi i gjeneralëve ishte një nga proceset më të rëndësishme në atë kohë. Si ka mundësi që iu besua një prokurori të zakonshëm, madje të padëgjuar deri atëherë dhe u shmang Prokurori i Përgjithshëm, Dhori Panariti?

Fillimisht, e nisi procesin Dhori Panariti, që ishte Prokuror i Përgjithshëm, por u shmang me kujdes që në hapat e parë. U bë një spostim i kujdesshëm që mos të binte në sy. Gjatë asaj periudhe, edhe unë nuk e dija arsyen e kësaj lëvizjeje, por e mësova më vonë. Ideja për ta shmangur Dhorin nga drejtimi i procesit kishte ardhur nga Enveri. Arsyeja për këtë lidhej me faktin se Dhori Panariti, para se të vinte në Prokurorinë e Përgjithshme, kishte qenë zëvendësdrejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë. Pra, kishte qenë bashkëpunëtori më i afërt i Hito Çakos, atëherë drejtor i kësaj drejtorie. Kjo, me sa dukej, vlerësohej si një rrethanë që mund të komprometonte procesin. Se nuk mund të ndodhte që ish-zëvendësdrejtori të dënonte me vdekje drejtorin, me të cilin kishin ndarë më shumë se disa vite pune bashkë, por edhe miqësi e afinitet shoqëror e familjar. Ja kjo ishte arsyeja pse u spostua Dhori Panariti nga procesi i gjeneralëve dhe Hito Çakos…

Mbani mend ndonjë histori nga verifikimi i letrave që i vinin Enverit për zyrtarë të rëndësishëm?

Patjetër, mbaj mend shumë të tilla. Kuptohet, pas kaq vitesh, mjaft prej tyre i kam harruar…

Mjafton njërën prej tyre…

Po ju tregoj letrën e parë që më dha Hysni Kapo për ta verifikuar. Nuk kisha mbushur as një javë që kisha shkuar me punë në aparatin e KQ, kur ai më thirri në zyrë dhe më dha një letër që ia kishte adresuar Enver Hoxha. Me sa më kujtohet, ishte pasdite. Bashkë me mua kishte thirrur dhe Bim Sinën, që punonte prej kohësh në aparat për problemet e kuadrit. “E njeh këtë prokurorin e Dibrës”, më tha dhe i hodhi një sy letrës që mbante në dorë, duke shqiptuar emrin e tij, Hulsi Topallai. “E njoh”, i thashë. Në fakt, diçka dija rreth karrierës së tij.

Mbaja mend që e kishim marrë nga Ministria e Brendshme ku kishte punuar për disa vjet dhe kishte mbaruar juridikun me korrespodencë. Po kështu, dija që ai, para disa vitesh, kishte bërë një libër me titullin “Partizanët e Gramozit” dhe në të kishte ironizuar njërin prej partizanëve, të cilin e nxirrte hajdut. Më kishte qëlluar të merresha me këtë histori pas ankesës që kishte bërë partizani që trajtohej si hajdut në atë libër. Mbaj mend që ishte shumë i revoltuar. U përpoqa atëherë ta mbyllja këtë punë, por nuk munda t’i pajtoja dot. Ish-partizani i indinjuar këmbëngulte për ta çuar çështjen deri në fund. Përfundimisht, konflikti shkoi në gjykatë. Më qëlloi që aty mora pjesë dhe unë. Seanca e pajtimit nuk dha ndonjë rezultat dhe çështja shkoi më tej. Përfundimisht, Hulsiu e pranoi që kishte bërë gabim dhe i kërkoi falje të lënduarit, por ai nuk tërhiqej e nuk tërhiqej.

“Ti thua një më fal këtu në sallë,-tha ai,-por unë që u plagosa në luftë, mbeta hajdut në sy të dynjasë në librin tënd”. M’u kujtua kjo histori aty për aty sa Hysniu ma zuri në gojë emrin e prokuror Hulsiut. Këtë radhë, emri i tij vinte në selinë e KQ me një histori tjetër. Nga aq sa më shpjegoi Hysniu ato momente, mësova se ai i kishte bërë një letër Enverit dhe i ankohej i revoltuar për një gazetar të “Zërit të Popullit”, që, sipas tij, gjatë një debati, kishte tejkaluar çdo normë të moralit komunist. Enveri, sa e kishte lexuar, ia kishte adresuar letrën Hysni Kapos me shënimin: “Nëse ky gazetari është sjellë kështu, të dënohet gjashtë muaj burg!”.

Çfarë rezultoi nga verifikimi që i bëtë në terren letrës së prokurorit?

Shkuam bashkë me Bim Sinën në Peshkopi për ta verifikuar. U takuam në fillim me Hekuran Isain që ishte Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit. Biseduam me të rreth çështjes. Ai nuk kishte dijeni. Takuam veç e veç prokurorin dhe gazetarin e “Zërit të Popullit”. Bëmë ballafaqimin me të dy. Rezultoi një konflikt banal. Një përplasje nga ato të rëndomtat që ndodhi në atë kohë. Me sa duket, prokurori, për të treguar pushtet mbi gazetarin, kishte nxituar për ta bërë ngjarjen të bujshme. I kishte dhënë dorë për këtë miqësia me Petrit Dumen, i cili sa e kishte marrë letrën e Hulsiut, ia kishte çuar Enverit në dorë. Kjo ishte në thelb gjithë historia…

Ia relatuat pastaj Hysni Kapos…

Bëmë një përmbledhje të dokumentuar në adresë të tij. Aty shfaqëm dhe mendimet tona për masat ndaj dy të konfliktuarëve. Për gazetarin propozuam një vërejtje, ndërsa për prokurorin transferimin në një rreth tjetër të kategorisë së dytë…

Ndërkohë, Enveri kishte sugjeruar gjashtë muaj burg për gazetarin…

Kjo porosi e Enverit qëndronte nëse ishin të vërteta ato që shkruante prokurori për gazetarin. Nga verifikimi nuk doli gjë, bile, bile, prokurori kishte qenë shkaktari i konfliktit…

Ia mbushët mendjen Enverit për këtë?

Ne raportonim te Hysniu, i cili nuk ishte dakord me propozimin tonë për transferimin e prokurorit si shkaktar i ngjarjes. Hysniu pastaj e shkoqiti mirë problemin në takimin me Enverin. Përfundimisht, nuk u operua me ndonjë masë të rëndë. U mjaftua me një tërheqje vëmendje për të dy dhe një vërejtje në organizatën e Partisë. Mirëpo, historia nuk u mbyll këtu. Prokurori, që me sa duket ishte mësuar me këto sjellje të padenja, bëri një proçkë tjetër që bëri bujë deri në Komitetin Qendror. Hysni Kapua këtë radhë nuk e fali. Pasi ishte njohur me raportin për ndodhinë e radhës, më thirri në zyrë dhe më tha: “Tani, ky Hulsiu e ka mbushur kupën, prandaj të transferohet urgjent prej aty dhe të shikohet me kujdes qëndrimi i tij në vazhdim!”. Kuptohet, fjala e tij ishte ligj. Që atë ditë, Hulsi Topallai u transferua nga Peshkopi dhe shkoi në një rreth të kategorisë së dytë, siç ishte Rrësheni. Po dhe aty, me sa kam dëgjuar më vonë, nuk qëndroi mirë./panorama.

Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Puna në zyrën sekrete me letrat e Enverit, si shpëtoi gazetari nga burgu Read More »

Kuçi një nga fshatrat më të njohura të Labërisë, është fshati më i madh i krahinës së Kurveleshit

Kuçi shtrihet në amën jugperëndimore të krahinës së Kurveleshit. Ai kufizohet nga gjerësia gjeografike 40° 14′ dhe 40° 14′ dhe gjatësia gjeografike 19° 45′ dhe 19° 55′.

Kuçi ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 180 km² ose 350 km² sipërfaqe të sheshtë. Kuçi ka 350 ha tokë arë, 77–80 km² pyje, pjesa tjetër është sipërfaqe kullosëse malore, sipërfaqe të zhveshura e përrenjësh.

Kuçi është 620 m mbi nivelin e detit dhe 62 km larg Vlorës. Nga Kuçi në Vlorë shkon duke përshkruar fshatrat Kallarat 11 km, Vranisht 15 km, Tërbaç 24 km, Brataj 30 km, Lepenicë 35 km, Gjorm 40 km, Kotë 47 km, Drashovicë 53 km, Shashicë 60 km.

Kuçi është një nga fshatrat më të njohura të Labërisë, është fshati më i madh i krahinës së Kurveleshit, si nga sipërfaqja dhe nga popullsia. Në vitet 1431 Kuçi ka patur 49 shtëpi me 180 banorë; në vitin 1942 rreth 500 shtëpi me 4000 banorë ndërsa sot ka rreth 400 shtëpi më 3500 banorë. Në Kurvelesh janë përfshirë fshatrat Bolenë, Kallarat, Kuç, Çorraj, Fterra që bëjnë pjesë në Kurveleshin e Poshtëm; Vërmik, Rexhin, Nivicë, Gusmar, Progona, Lekëdush, Golem, Kaparjel, Kolonjë, Picar bëjnë pjesë në Kurveleshin e sipërm. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit 1878 deri në vitin 1912, së bashku me fshatrat që janë sot në Kurvelesh janë përfshirë edhe fshatrat Koron, Kardhiq, Humelicë, Fushë-Bardhë, Zhulat, Rrëzomë, Palavli, Kalasë, Nivicë-Bubar, Shenvasil, Lukovë, Sasaj, Piqeras, Borsh. Këto fshatra në kohë lufte janë përfshirë në krahinën e Kurveleshit, ashtu siç ndodhi në luftën antifashiste Nacional-Çlirimtare të vitit 1942-1944, ku këto fshatra u përfshinë në një komitet krahinor me qendër në Kuç. Kuçi gjatë luftës së dytë botërore luajti një rol vendimtar me rëndësi të veçantë historike në të gjithë këtë krahinë dhe në krahinat përreth. Për këtë rol të veçantë u shpall edhe fshat MARTIRE i Luftës së Dytë Botërore1) dhe i vendeve Martire e të Paqes në Botë me qendër në Bolonja Itali. Kuçi, duke qenë edhe në kohët e vona kryeqendër e Kurveleshit dhe e Labërisë, ku një vend të dukshëm mori tregëtia me 13 dyqanet që kishte, bluarja e drithit dhe derstila me 12 mullinjtë, njëkohësisht pazari e panairet janë zhvilluar në Kuç, por ato janë zhvilluar edhe në Himarë, Delvinë, Gjirokastër e Vlorë, ku tregëtoheshin bagëtitë, punimet e artizanatit, si sixhadet, velenxat, qylimat, punimet e drurit, si lugë, çibuqe, longare etj. gurët e gdhendur, sidomos gurët e qosheve të shtëpive dhe ato të portave e të dyerve, të cilat gdhendeshin me shije e mjeshtëri.

Kuçi shtrihet në Kurveleshin e Poshtëm, atje ku ka zanafillën e vet lumi i Shushicës, i njohur edhe me emrin Lumi i Vlorës. Pikërisht këtu fillon lugina e Shushicës, një nga më të rëndësishmet e Shqipërisë jugore, e begatë dhe e banuar qysh nga lashtësia.

Pak më në jug të Kuçit shtrihet qafa e Dërrasës, me lartësi 640m mbi nivelin e detit, e cila ka rëndësi të madhe gjeografike e strategjike, pasi lidh Bregun e Detit dhe rrethet Sarandë, Delvinë me luginën e Shushicës e rrethin e Vlorës. Rruga Sarandë – Kuç është e gjatë 60 km dhe kalon në fshatrat Nivic-Bubar 15 km, Shenvasi 17 km, Lukovë 22 km, Sasaj 25 km, Piqeras 30 km, Borsh 35 km, Fterrë 45 km, Kuç 60 km. Përmes kësaj qafe shkon rruga automobilistike në gjithë këtë anë të Shqipërisë Jugore. Prandaj në këtë qafë dhe përreth saj janë shtjelluar ngjarje të rëndësishme historike që nga koha e Gjolekës së Kuçit deri tek LANÇ, gjatë së cilës këtu janë zhvilluar beteja të ashpra midis UNÇ dhe forcave armike pushtuese e bashkëpunëtorët e tyre.

Lugina e Shurit në Kuç dhe gryka e Zarelit e lidh Kuçin me Kurveleshin e Sipërm (Golemin). Kuçi nëpërmjet grykës së Shurit lidhet me rrugë automobilistike (verore), me Gusmarin dhe me gjithë Kurveleshin e sipërm, rrugë e cila është e gjatë 15 km dhe, po të ndërtohet përfundimisht është një nga rrugët turistike më të bukura të vendit, pasi kalon në gjithë kanionin mahnitës të Grykës së Lepushkës, përroit të Dushoberit e të Zarelit dhe përroin e Shurit që zbret nga buza e Dervenit dhe Qafa e Gomarthit. Kjo luginë është shumë e ashpër, e pjerrët dhe nëpër të në dimër mund të kalojnë vetëm këmbësorët. Në këtë anë të Kuçit ka edhe qafa të tjera malore në lartësi 800-1000m, si Buza e Dervenit e Qafa e Gomarthit etj, që e lidhin atë me fshatra të veçanta të Kurveleshit të sipërm.

Nëpërmjet luginës së përroit të Kudhësit dhe qafës së Grashecit, qafës së Mretes e të qafës së Shkallës (610m mbi nivelin e detit), Kuçi lidhet më rrugë këmbësore e me kuaj me bregdetin e Himarës. Ky kalim hëpërhë është i vështirë por në të ardhmen këtej mund të çelet një rrugë automobilistike, rreth 15 km e gjatë që do të bashkonte në rrugën më të shkurtër Kuçin me bregdetin e Himarës. Ajo do të çonte çdo ditë për banjë deti në bregun e bukur të Himarës, gjë për të cilën do të mjaftonte një urban. Kjo do të jepte mundësi dhe për zhvillim në terrenin malor të agroturizmit me klimë të pastër, e të gjuetisë së kafshëve e të shpendëve të egra./wikipedia

Kuçi një nga fshatrat më të njohura të Labërisë, është fshati më i madh i krahinës së Kurveleshit Read More »

Bedi Pipa/ Nje ditar intim,historia e trishte e motres se Arshi Pipes

Bedi Pipa/ Nje ditar intim,historia e trishte e motres se Arshi Pipes Read More »

Kenga e Terbacit, thesar i Folklorit Shqiptar/Nga Albert Habazaj,studiues

Kenga e Terbacit, thesar i Folklorit Shqiptar/Nga Albert Habazaj,studiues Read More »