Në kërkim të pellazgëve me plis (VIDEO)
https://youtu.be/hDJQQOMkFlU
(Video e rrallë e punimit të qeleshes, në vitin 1937)
“Kam hallet e mia se m’ka humb qeleshja”, thotë teksti i një kënge të vjetër popullore. Por a e dini origjinën e plisit apo qeleshes siç njihet ajo rëndom sot? Që nga lashtësia, ekzistojnë shumë artefakte antike, ku personazhet janë me plis në kokë…por a është e njëjtë ajo, me origjinën e lashtë të plisit tonë, autentik shqiptar? (Në videon bashkëngjitur, një prodhim i “Pathe”, tregohet punimi i qeleshes -plisit apo qylafit – nga disa artizanë në Shqipërinë e vitit 1937).
Sipas Pashko Vasës (1825-1892) tek “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”: “Një gjë marrim ne përsipër: Gjithçka sa kemi sqaruar në lidhje me historinë, është e bazuar mbi logjikën e fakteve … Në qoftë se do të merren me to njerëz të tjerë, më të zotë dhe më të ditur se ne, ata do të jenë të shoqëruar në punën e tyre nga bekimet tona më të zjarrta”.

Në gjenezën e plisit, sipas entomologjisë, duhet të shohim dhe botimin e John Wilkes në veprën e tij “Ilirët” (Split, në vitin 2001), ku përmend ndër të tjerash se në urnat dhe relievin e varreve në Livna, në mes të Dalmacisë “shihen në mesin e kapelave të ngushta, edhe kapela e njohur e Ballkanit (qeleshja shqiptare) që shfaqet në relievin e Zenicës”.
Në mes të Beogradit dhe si simbol i kryeqytetit të Serbisë, ngrihet madhështore kolona “Fitimtari i Kosovës” (e përuruar më 07.10.1928) kushtuar, sipas medias serbe, fitores së Fushë-Kosovës mbi turqit. Statuja shpreh forcën ushtarake (kolona, trupi nudo i mashkullit dhe shpata) si dhe mbrojtjen hyjnore (shqiponja). Modeli i monumentit e ka origjinën tek tradita e Pellazgëve të lashtë, të cilët ngrinin shtylla të gurta pas çdo fitoreje. Këtë fakt na e dëshmon e Diodorit (Diodorus Siculus, shekulli i I-rë para Krishtit) i cili pohon se, “Faraoni Sheshoshi (Sesostri) ndërtoi shtyllat në formën e organeve gjenitale të burrit në rastin e popujve luftarak, duke besuar se mençuria e shpirtit të çdo populli do të shfaqet qartë në brezat pasardhës, nga pjesa kryesore e trupit. Por natyra jo-sllave e këtij monumenti, e dëshmon mbulesa e kokës, origjina e së cilës, lidhet me mitet Pellazge dhe në të gjitha format e saj historike, ka qenë karakteristikë e veshjes tradicionale të Shqiptarëve, deri në ditët e sotme”.
Në një rikthim pas, në albumin e librit “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”, tregohet një skulpturë e Odisesë me qeleshe në kokë. Në po atë libër është edhe statuja e një bariu me fustanellë, qeleshe dhe një dash mbi supe, – e datuar si e shekullit të III-të para Krishtit. E kjo mbulesë tradicionale e kokës (sot e përdorur vetëm nga meshkujt) në shqip emërtohet “qeleshe”, “plis” apo “qylaf”. Emërtimi “qeleshe” tregon se, materiali i përdorur është leshi i bagëtisë, që sipas legjendave popullore është e trashëguar që nga periudha Ilire, ku qeleshja punohej prej leshit të shkelur (i shtypur me këmbë) të deles.

Nga dokumentet e kohës vërejmë se, “Në vitin 1715, feldmarshalli prusian Schulenburg, i këshillonte autoritetet veneciane që ta bazonin ushtrinë e tyre tek elementi shqiptar: edhe në rast se do duhej të rekrutonin ushtarë nga kombësi të tjera, këta duhet të mbanin kapele shqiptare”. Ndërsa studiuesi Orhan Rexhepi nga Presheva, vëren se, “Veshjet e luftëtarëve të ruajtura në rasat e Mikenës dhe në poçeri, janë po ato veshje të sotme kombëtare shqiptare, me fustanella dhe plis”.
“Pileusi (Plisi) ndryshonte nga të gjithë kapelet e tjera, si në formë edhe në ngjyrë. Kapelja e Flamenëve, ishte me majë të mprehtë si forma e piramidave; por pileusi u shëmbëllente kapeleve që venë priftërinjtë në mes të Hebrenjve. Kjo paraqitet nga Shën Hieronimi: Kjo veshje e fisshme (genus) është plisi i rrumbullakët, siç paraqitet në pikturat e Uliksit.” (Epist. faqe 515)

Edhe sot, ndonëse jo brenda territorit administrativ shqiptar, por në Kosovë (komuna e Klinës), njihet “Dita e plisit”. Ideatori dhe organizatori i saj, aktori Ismet Krasniqi thotë se, “plisi i bardhë, është identitet i shqiptarëve”, duke synuar ta fusin atë, në trashëgiminë jo-materiale të UNESCO-s.
Sipas Krasniqit, “plisi ka ekzistuar në fotografi të vjetra, si në dyluftime, në kishën e Deçanit apo në afresket e kishave të hershme, janë gjurmët e plisit që mbanin në kokë formën origjinale të plisit. Në Shqipëri është lënë në harresë plisi, ashtu sikundër edhe xhubleta apo veshjet e tjera popullore, në dallim nga viset e Kosovës, ku trashëgimia popullore është ruajtur dhe po ringjallet”.

Më tej ai përmend një fakt historik ku thotë se, “Në fillim të shekullit XVIII-të u zgjodh papë Klementi XI-të, që kishte prejardhje shqiptare, i fisit Kelmend. Me iniciativën e tij, më 1703 u mbajt një Konsilium i Peshkopëve të Shqipërisë, ku u mor vendimi që literatura kishtare të përhapej në gjuhën shqipe. Kapuçi i bardhë që ne shqiptarët e quajmë plis, qeleshe ose qylaf, i bërë nga lesh deleje i shkelur, konsiderohet si kësulë tradicionale e jona. Për plisin ekzistojnë tek ne gojëdhëna të shumta e të ndryshme, në lidhje me lashtësinë dhe prejardhjen e tij”.

Sot, njihen veçse pak mjeshtër të prodhimit të saj në Shqipëri, ndër ta dhe Ndriçim Guna, qeleshepunuesi në pazarin shekullor të Krujës. Sipas tij, “Gjatë Luftës së Dytë Botërore dyqani u shkatërrua, pasi mbetën vetëm mjetet që mundën të shpëtohen. Në vitet e mëvonshme kur Enver Hoxha vizitoi Krujën mësoi se, babai im akoma i ruante mjetet e përdorura në prodhimin e plisit, e dërgoi babain tim në një mjeshtër plisi në Tiranë. Babai im kështu kishte mësuar përsëri traditën tonë familjare të ardhur nga gjyshërit, por që për shkak të luftës kishte pësuar ndërprerje. Ai bëri shumë përpjekje që unë ta vazhdoj këtë profesion. Sot ndjehem mirënjohës ndaj tij”.
Guna pohon se, prodhimin e plisave si një profesion të ardhur prej gjyshërve, e bën prej shekujsh. “Mjetet që nevojiten për prodhimin e plisave i përdorim për një kohë për më shumë se njëqind vjet. Këta mjete më japin jetë mua dhe profesionit tim. Djali im është akoma shumë i ri. Siç dihet të rinjtë e ditës së sotme nuk duan që të merren me këta punë të vështira. Por unë, sado që ishte e vështirë, ia mësova këtë profesion atij. Tani më ndihmon mua.”
Historia e Plisit
Fjala “Plis” në gjuhën shqipe emërton një copë dheu, që shkëputet kur hapet brazda për mbjellje apo ndonjë punim tjetër . Kur filloi të punohej toka dhe të mbilleshin bimët e egra, që shënoi lindjen e agrikulturës (afro para 7-8000 vjetësh) dhe vendbanimeve të përhershme, atëherë ka lindur edhe hyjnizimi i dheut. Etruskët e Tarkuinës (Tarquinia, Itali), një fis pellazg, e shikonin fatin e tyre tek plisi i një toke të punuar në orët e para të mëngjesit. Siç pohon albanologu Hahn (Johann Georg von Hahn,1811-1869) : “Pellazgët e kohës para-historike, ishin bujq të mirë, mjeshtër të zot dhe tek ata kulti fetar ishte mjaft i zhvilluar“. Është interesant një e dhënë e Hahn-it : “Më duket se kam këndue te një vjershëtor i vjetër, se krijesa e parë e botës asht delja, e cila ka dalë nga Toka”.

Në objektet arkeologjike shohim artefakte që ju blatoheshin Perëndive, që mbanin mbi kokë një copë dheu-Plisin. Për ta bërë më të qartë simbolin mitik, kjo pjesë lyhej më bojën e zezë. Me këtë “shenjë” dëshmonin përkatësinë e fisit të tyre “të lindur prej dheut” pra, prej fiseve pellazge. Forma konike si e fëmijëve të Zeusit, binjakëve Dioskurë apo e Aleksandrit të Madh, është ruajtur tek shqiptarët e sotëm të zonës së Labërisë dhe Çamërisë (Molosia e lashtë). Në skulpturën e Perëndisë tokësore Serapi, Plisi (dheu) është i zbukuruar me bimë; tek Perëndësha Astarte, copa “e dheut” ka formën cilindrike, e cila është forma e qeleshes më e përhapur tek popullsia shqiptare. Sot e gjejmë si mbulesë të kokës, po në ngjyrë të zezë edhe tek priftërinjtë e Kishës ortodokse.
Vendosja e copës së dheut mbi kokë, ishte një ide e njeriut primitiv që e praktikonte mbi artefaktet prej balte, të cilat liheshin në altarë apo vende të shenjta. Praktikisht, njeriu e vendosi mbi kokë shumë më vonë, në kohën kur mësoi ta përpunojë leshin e deles (kur filloi artizanati) gjithmonë për të treguar origjinën e tij, hyjnore. Gjurmët më të lashta të përdorimit të qeleshes, janë gjendur në mijëvjeçarin e III-të para Krishtit.
Si përfundim, sipas historianes Fatbardha Demi: “Qeleshja në zanafillë, ka shërbyer si simbol fetar dhe administrativ, fakt që e dëshmojnë objektet arkeologjike. Emërtimi Plis, është i periudhës para-historike dhe përcakton kohën e hyjnizimit të Tokës dhe krijimin e mitit të origjinës dhe të ringjalljes, së njeriut. Këto mite, shprehin një fazë të re në besimin e lashtë ku krahas forcave të natyrës, që mbizotëronin deri atëherë në mitet e para, u ndërfut edhe figura e njeriut. Miti para-historik i origjinës, mbijeton edhe sot tek emërtimi plis i qeleshes dhe emri Arban-Arbëresh (i banun/i bërë nga Ara) të shqiptarëve. Në gjuhën shqipe “Tokës së punuar” i thonë – Ara, ku rrënja “ar” tregon natyrën hyjnore të saj. Edhe emri pellazg, dëshmon mitin e lashtë dhe në shqip do të thotë :”Të lindur nga dheu” (Spiro Konda). “Ky fakt”, krahas shumë të tjerave sipas Demit, “pohon se shqiptarët e sotëm e kanë origjinën prej banorëve të parë evropianë – fiseve Pellazge”. /konica.al/






/njekomb
















Një burrë malësor i mbështjellë me çallmë të bardhë që i mbulon kokën, sytë dhe një pjesë të fytyrës, duke i lënë jashtë vetëm një palë mustaqe të errëta, kridhet i shtrirë përdhé i pajetë, ndërsa farë pranë tij, i ftohtë dhe triumfalist, një burrë i veshur me kostum dhe me fest në kokë, një veshje e përdorur nga funksionarët e kohës, është prefekti Hasan Kryeziu, i cili pozon pranë trupit pa jetë të Bajram Currit, si para një trofeu. Kësisoj mund të jetë përshkrimorja e asaj fotoje që me gjasë e realizuar nga fotografi gjakovar Ahmet Zherka, duke u bërë publike ka rikthye domosdonë e zbërthimit të këtij ekuacioni, duke u përpjek me e davarit diqysh tisin e trashë të mjegullës që mban të mbështjellë më mister dhe dyshim vdekjen e një prej veprimtarëve më të zëshëm të kohës, Bajram Currit.
Është me rëndësi të citohet se në vitet 1920-1921, me cilësinë e komandantit të Operacionit, bashkëpunoi me ministrin e Brendshëm Ahmet Zogun për të realizuar vendosjen e autoritetit të shtetit në Shqipërinë e mbetur pas copëtimit. Do të jenë zhvillimet e mëvonshme politike, martesa e Ceno Beg Kryeziut me motrën e Ahmet Zogut, ato që ndikuan në ftohjen e marrëdhënieve të Bajram Currit me Zogun. Për rrjedhojë, nga marsi 1922, Bajram Curri zgjodhi rrugën e ngritjes kry kundër shtetit. Ishte një ndër protagonistët kryesorë në Revolucionin e Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit, 24 dhjetor 1924, u tërhoq në Krasniqe, duke qëndruar si mik i bajraktarit, Sali Manit, nga ku vazhdoi përpjekjet e tij të dëshpëruara për organizimin e një lëvizjeje të re kundër pushtetit.
Dokumentet e zbardhura, të cilat rreken ë hedhin dritë mbi dinamikën e ngjarjeve në atë kapërcyell, nuk mund të saktësojnë diçka veçse të përpiqen të plazmojnë kundërshtitë e Bajram Currit ndaj regjimit dhe përpjekjet e Zogut për ta bërë të nënshtrohet këtë kreshtë të lartë të krenarisë dhe qëndresës malësore.
Dëshmitarët e këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë pohuar se xhamadani i Bajram Currit u gjend i hequr dhe i vendosur disa metra larg trupit të tij të vdekur, pa njolla gjaku. Sipas të drejtës zakonore të Veriut të Shqipërisë, ky gjest i tij në momentet e fundit të jetës interpretohej si mesazh për pasuesit e gjakut të tij që ta konsideronin të mbyllur konfliktin e familjes Curri me familjen Kryeziu të Gjakovës. Sapo mjegulla nis të davaritet dhe e vërteta kapet pas alibishë dhe hipotezash të dalë në sipërfaqe, të diftohet faqe dritës, ajo sërish rrëzohet për të mbëtur rishtaz e strukur nën tisin e trashë të dyshimeve. U vra vërtetë Bajram Curri nga nga njerëzit e Ahmet Zogut, apo ky i fundit duke shfrytëzuar ndonjë hasmëri a konflikt e përdori atë për të larë hesapet me kundërshtarin e tij më të flaktë, dhe për të mbajtur nën fre zemëratë e malësorëve që shikonin tek ky burrë udhëheqësin liberator. Gjithqysh Zogut nuk i interesonte të ishte pas këtij akti dhe gjithë mekanizmi që ngrihet rreth fundit të legjendarit Bajram Curri, duket si një përpjekje e matianit të rrafinuar për të mbetur dorjashtë. Por faktet janë kokforta. Me 9 janar 1925, Ceno Begut iu dërgua telegram urgjent, dokument i publikuar nga Veli Haklaj, me të cilin kryeministri Ahmet Zogu urdhëronte: “Currin gjallë â vdek duhet ta zini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt tue marrë gjithë masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet mâ”. Me anë të këtij telegrami Ceno Begu autorizohej nga Ahmet Zogu që: “batalionin e atyshëm ta merrte nën urdhnin e tij; në qoftë se kompanikomandantat nuk ishin të besueshëm të emnonte të tjerë besnikë; prefektin, në qoftë se i sillte pengime, ta pushonte nga detyra dhe për këtë të lajmëronte”. Në vijim të veprimeve operacionale, më 11 janar 1925, Ceno Begu me forcat qeveritare mbërrini në Gash dhe të nesërmen sulmoj Krasniqen. Sipas informacioneve që vinin nga Prefektura e Shkodrës, rezultonte që Bajraktari i Bujanit, Sali Mani me 60 veta i ka shkue në ndihmë Currit. Si rrjedhim kjo ministri urdhëronte Komandën e Operacionit të Veriut që “një kompani 110 vetësh të asaj komande pa vonesë me zânë të gjitha vanat e Drinit për mos me lânë me kalue për në Pukë komitat e fuqis së Currit.” Kështu thuhet në evidencën e dokumentuar të fakteve nga zoti Haklaj. Nga një burim përftojmë një dëshmi që flet për një tjetër moment të rëndësishëm të ngjarjes. Kur janë rrethuar në Dragobi nga forcat zogiste, Sali Mani mbështetësi kryesor i Bajram Currit ka pyetur çfarë të bëjmë? Bajram Curri mësohet të jetë përgjigjur se duhet me luftue se nuk ka asnjë besë, ata kane ardh me na vra. Kështu kanë dalë nga shpella dhe kanë filluar pushka. Mbas disa oresh luftime, kanë marrë vesh lajmin e kobshëm se Bajram Curri, i cili kishte vrarë veten. “Nuk e besoj se Bac Bajrami
të vriste veten. Por duhet ta kenë vra në pabesi”, mbamendet të ket kumtu më vonë një nga bashkëluftëtarët e Shpellës së Dragobisë. Sali Mani dhe luftëtarë të tjerë, pasi kanë mësuar për vdekjen e Bajram Currit kanë marrë ikjen për me përfundu mbas disa ditësh në Gjakovë prejnga nuk do të mund të lëviznin për rreth 7 vjet nën kërcënimin me vrasje të Zogut.