Histori

Drama e policit në luftë me kancerin: Shteti më ka harruar. Ku të mbytem? T’i vë flakën vetes?!

[sgmb id=”1″]

Çfarë duan këta, që të më dëgjojnë? Të hipi në majë të vinçit? T’i vë flakën vetes? Ku të shkoj të mbytem? Jam i harruar. I shkelur me këmbë. Jam i persekutuar”.

I kapluar nga dëshpërimi dhe pafuqia për të ndryshuar rrethanat në të cilat ndodhet, Petrit Nelaj bën thirrje publike për ndihmë, shkruan “Panorama”.

Është nga Vlora, 60 vjeç, dhe prej 10 vitesh punon në Policinë e Burgjeve, si inspektor në togën e shoqërimit të paraburgimit të këtij qyteti. Një vit e gjysmë më parë, Petriti është operuar nga një tumor në fshikëzën e urinës.

Tashmë ai e ka të pamundur të përballojë shpenzimet e kimioterapisë. Medikamenti që duhet të injektojë në trup, katër herë në muaj, kushton 120 euro për çdo seancë. Petritin e takuam pak orë pasi kishte bërë seancën e radhës në repartin e Urologjisë te spitali “Nënë Tereza”. Këtë radhë, ardhja e tij në Tiranë dhe shpenzimet e seancës janë mbuluar nga një biznesmen nga Vlora.

“Një njeri me zemër të madhe”, thotë Petriti dhe sakaq shpreh shqetësimin se ku do të gjejë paratë për seancën e radhës. “Është një mjekim që zgjat gjithë jetën. Duhet ta vazhdoj se në të kundërt më shfaqet kanceri prapë”.

Ai thotë se medikamentin e ka siguruar privatisht dhe se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti, ndonëse prej vitesh paguan kontribute shëndetësore.

Gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, 60-vjeçari rrëfen gjithë peripecitë e sigurimit të parave për kimioterapinë, nga overdraftet dhe kredia në bankë e deri te nxjerrja e shtëpisë në shitje dhe në përfundim, apelin e tij për ndihmë.

Z. Petrit, kur nisën problemet tuaja me shëndetin?

Kam një vit e gjysmë që jam operuar. Kam bërë operacion kirurgjikal për një tumor në fshikëzën e urinës. Nga analizat, skanerët që kam bërë, më ka dalë problem edhe në prostatë. Sipas biopsisë, problemi im është i gradës së lartë. Gjatë kësaj kohe u përpoqa për të bërë gjilpërën kimio, siç më është dhënë nga doktorët. Mjekët Mustafa Xhanin dhe kirurgun Rezart Xhani i falënderoj me gjithë shpirt, por te reparti i Urologjisë te “Nënë Tereza”, gjilpëra që më duhet mua nuk mbulohet nga spitali. Nuk rimbursohet nga spitali. Në farmacitë e lira është një variant tjetër, por jo fiks gjilpëra që dua unë. Unë munda ta gjej përmes vëllait në Greqi, në spitalin e Athinës, në Greqi. Deri tani kam bërë 13 copë. I kam mbuluar me shpenzimet e mia të gjitha. Shteti mua nuk më ka garantuar asnjë gjë. As spitali, asnjë gjë. As institucionet shtetërore nga të cilat unë varem, që nga Ministria e Drejtësisë, që duhet të më mbulojë me fond ekstra për sëmundjet e rënda. As nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila nuk më ka dhënë as një gjilpërë të vetme.

Ku keni trokitur për shqetësimin tuaj dhe ç’përgjigje keni marrë?

Kam trokitur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, që kur ishte Artur Zoto, i cili sot është i proceduar penalisht për abuzime. Kam vajtur në Ministrinë e Drejtësisë, jam përballur me ministrin Vasili. Ma ka lënë përgjigjen në dilemë edhe në një program televiziv “Njerëz në fokus” në TV News24. Tha që ka të drejtë, është shumë e drejtë, do përpiqemi t’i sigurojmë gjilpërën. Edhe nëse nuk sigurojmë dot gjilpërën, do të përpiqemi të sigurojmë një fond ekstra për këto sëmundje. Të mbulohet dhe jashtë shtetit. Të gjitha këto ranë në vesh të shurdhër. Nuk më ndihmuan dhe nuk më kthyen asnjë lloj përgjigjeje. Kjo është çudia, pse nuk më përgjigjen? Unë jam me kontribute të rregullta shëndetësore. Duhet përfituar rimbursim. Ose të më japin para, ose të më gjejnë gjilpërën. Drejtori i tanishëm i Burgjeve, Arjan Hoxha, më ka pritur. Më ka dhënë shpresë, por deri tani nuk kam marrë gjë. Falënderoj dhe kryetarin e Sindikatës së Policisë së Burgjeve, i cili më ka premtuar ndihmë.

Sa është kostoja e medikamentit që ju duhet të injektoni?

Në muaj duhet të bëj katër gjilpëra, që në total bëjnë 520 euro. Një gjilpërë bën 120 euro. Po heq bukën e fëmijëve. Vajzës i humbi viti. Nuk kisha para t’i paguaja tarifën e shkollës. Iu dogjën provimet. Përveç gjilpërës, kam edhe 50 euro kosto për vizita dhe ilaçe të tjera në muaj. Nga ana tjetër, 220 euro në muaj i paguaj kredi.

Si e keni përballuar deri tani blerjen e këtij medikamenti?

Unë po lyp. E kam përballuar me overdrafte në bankë. Kam dy overdrafte dhe një kredi. Sot që erdha në Tiranë, më është mundësuar gjilpëra, analizat dhe të tjerat nga një biznesmen i Vlorës. Një njeri me zemër dhe shpirt të madh. Edhe Avokatin e Popullit e kam lajmëruar. Kam dhe katër gjilpëra. Nuk e di kush do m’i sigurojë mua këto katër gjilpëra. Bëj dy muaj pushim dhe marr katër të tjera. Pastaj marr nga dy vit për vit. Është një mjekim që zgjat gjithë jetën. Duhet ta vazhdoj gjithë jetën, se në të kundërt më shfaqet kanceri prapë. Shteti nuk më ka dhënë asgjë. Institucioni më ka dhënë vetëm 500 mijë lekë të vjetra në fillim të vitit. Fond tjetër nuk kanë ata. Më shumë mundet të bëjë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë.

Sa vjet keni i punësuar?

Kam 14 vjet me uniformë veshur. Katër vjet në Polici të Shtetit. Jam plagosur dy heë në krye të detyrës. Një herë jam plagosur në vitin 1998. Kam qenë bodigard i shefit të krimeve të asaj kohe, Ilir Ngresi. U largova nga detyra se isha i kërcënuar nga bandat e kohës, ndërkohë që Ngresi u vra nga bandat. Pas njëfarë kohe kam qenë polic sigurie në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe më pas kam kaluar në Drejtorinë e Burgjeve. Plagosja e dytë ka qenë në vitin 2002, në gusht, mora dy plumba në trup gjatë një vjedhjeje të armatosur të një banke në Vlorë.

A jeni ndihmuar në atë kohë?

Asnjë gjë nga shteti. Gjithçka e kam mbuluar vetë. Pas plagosjes kam ndenjur nga 8-9 ditë në spital. Më tej kalova në Policinë e Burgjeve, në vitin 2008 dhe deri më tani. Jam inspektor në Policinë e Vlorës. Institucioni mbase nuk e ka mundësinë direkt të më garantojë mua një fond, por e ka Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. E ka Ministria e Drejtësisë. Këtu ka munguar dëshira. Ka munguar kërkesa zyrtare. Nëse nuk më sigurohet gjilpëra, më jep ta blej. Kam një muaj që kam nxjerrë shtëpinë në shitje. Nuk kam si ta përballoj. Të gjitha ilaçet, medikamentet i blej privatisht. Shteti nuk më ka rimbursuar asnjë gjë fare. Jam i harruar. I shkelur me këmbë. Jam i persekutuar në detyrë. Kam skaner në punë. Mua ai skaneri më bën gropën. Nuk më lënë ta shmang. Jam i detyruar të kaloj, për shkak të rregullores së institucionit të burgut.

Cilat janë të ardhurat e familjes suaj?

Të ardhurat janë vetëm paga ime. 420 mijë lekë të vjetër. Çfarë të bëj me ato lekë? Do mbaj fëmijët, do paguaj kredinë në bankë, do blej gjilpërën, apo do vij në Tiranë? Unë blej dhe rrobat e uniformës, stemat e emblemat. I blejmë vetë me lekë. Më ka mbetur që të vetëflijohem. Jam në një depresion të paparë. Kam arritur në një stres që them “ku të vete”. Unë nuk pushoj derisa të më jepet e drejta. Kontributet që më mbajnë mua ku shkojë? Ku shkojnë paratë e mia? Unë për këtë rast e dua. Nuk më duhen kur të vdes. Unë i vdekur jam. Të kap ndonjë vinç apo të blej ndonjë litër benzinë? E di që nuk do dëmtoj njeri, dënim do t’ia bëj vetes dhe fëmijëve të mi, po nuk kam ç’bëj.

E përballoni dot punën në gjendjen shëndetësore në të cilën jeni?

Dua s’dua do ta përballoj sepse ku do vete? Po s’vajta dhe në punë, ku do vete? Unë punoj 12-orarësh. Ndihmën më të madhe në orarin e punës ma japin kolegët, që ma lehtë- sojnë dhe për këtë i falënderoj.

Cili është apeli juaj?

Çfarë duan këta që të më dëgjojnë? Të hipi në majë të vinçit? T’i vë flakën vetes? Ku të shkoj të mbytem? Unë dua që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë të më japë një fond, tre deri në katër paga, që të mbuloj gjilpërat. Apelin më të fortë e kam për Kryeministrin Edi Rama. Meqë po bën këtë koalicionin me popullin. Ja, unë jam këtu, katërmbëdhjetë vjet i veshur dhe s’po përfitoj asnjë gjë. I bën thirrje kryeministrit të vendit, Edi Rama, me shpresë të madhe te Zoti, që pasi të dëgjojë historinë time, do vërë diçka në lëvizje. Unë jam konsumuar në të gjitha institucionet. Nuk kam ku vete më. Vetëm kryeministri më ka mbetur dhe fati i Zotit.

Drama e policit në luftë me kancerin: Shteti më ka harruar. Ku të mbytem? T’i vë flakën vetes?! Read More »

Pse refuzoi Enver Hoxha ta fuste më 1973 Kosovën në historinë e Shqipërisë?

[sgmb id=”1″]

Në vitin 1973 krerëve të regjimit komunist, iu dërgua një relacion për ta përfshirë Kosovën dhe zhvillimet e saj historike, letrare e gjuhësore në Historinë e Shqipërisë. Por, relacionit të gjatë të hartuar nga Stefanaq Pollo e Androkli Kostallari, nga Komiteti Qendror i PPSH-së, iu kthye përgjigje negative.

Në prill të 1973, edhe pse marrëdhëniet politike me Jugosllavinë ishin hesape të mbyllura që prej fundit të viteve ‘40-të, Enver hoxha, siç duket nuk kishte ndërmend të ndërrmerrte asnjë hap në lidhje me Kosovën. Ndaj, ishte negative përgjigjja që iu kthye propozimeve të historianëve.

Por, relacioni i nënshkruar nga Stefanaq Pollo dhe Androkli Kostallari, përbën një dokument të rëndësishëm sot, pasi dëshmon se në këtë periudhë të regjimit komunist, strukturat shkencore shqiptare kërkonin të thellonin studimin dhe trajtimin e çështjeve të zhvillimit historik e kulturor të Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare të Jugosllavisë dhe integrimin e tyre në tekstet e historisë së Shqipërisë, duke e trajtuar çështjen e kombit shqiptar si një e të pandarë.

Në vitin 1973 krerëve të regjimit komunist, iu dërgua një relacion për ta përfshirë Kosovën dhe zhvillimet e saj historike, letrare e gjuhësore në Historinë e Shqipërisë. Por, relacionit të gjatë të hartuar nga Stefanaq Pollo e Androkli Kostallari, nga Komiteti Qendror i PPSH-së, iu kthye përgjigje negative.

Në prill të 1973, edhe pse marrëdhëniet politike me Jugosllavinë ishin hesape të mbyllura që prej fundit të viteve ‘40-të, Enver hoxha, siç duket nuk kishte ndërmend të ndërrmerrte asnjë hap në lidhje me Kosovën. Ndaj, ishte negative përgjigjja që iu kthye propozimeve të historianëve.

Por, relacioni i nënshkruar nga Stefanaq Pollo dhe Androkli Kostallari, përbën një dokument të rëndësishëm sot, pasi dëshmon se në këtë periudhë të regjimit komunist, strukturat shkencore shqiptare kërkonin të thellonin studimin dhe trajtimin e çështjeve të zhvillimit historik e kulturor të Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare të Jugosllavisë dhe integrimin e tyre në tekstet e historisë së Shqipërisë, duke e trajtuar çështjen e kombit shqiptar si një e të pandarë.

Ky relacion i vitit 1973 do të botohet i plotë në “Shqiptarja.com”, së bashku me reagimin që erdhi pas këtij propozimi (përgjigjen negative nga Komiteti Qendror i PPSH-së).

Dokumenti 1 (Relacion i Stefanaq Pollos e Androkli Kostallarit)

MBI STUDIMIN DHE TRAJTIMIN E ÇËSHTJEVE TË ZHVILLIMIT HISTORIK E KULTUROR TË KOSOVËS DHE TË KRAHINAVE TË TJERA SHQIPTARE TË JUGOSLLAVISË

I. Gjatë diskutimit popullor u ngrit problemi i trajtimit të historisë së Kosovës dhe i krahinave të tjera shqiptare të mbetura jashtë kufijve si pjesë e pandarë e historisë së Shqipërisë që nga kohët më të lashta e deri në ditët tona.

Siç dihet, në tekstin ekzistues historia e Kosovës dhe e këtyre krahinave është trajtuar në mënyrë konsekuente si pjesë e historisë së Shqipërisë deri në shpalljen e pavarësisë dhe në formimin e shtetit kombëtar shqiptar.

Pas asaj ngjarjeje është trajtuar vetëm historia e popullit shqiptar brenda kufijve shtetërorë, ndërsa për Kosovën e krahinat e tjera bëhet fjalë vetëm në ato raste kur ato kanë luajtur një rol në ngjarjet e Shqipërisë dhe kur ngjarjet e atyre krahinave kanë gjetur jehonë në opinionin publik shqiptar.

Pas viteve 1912-1913 tokat shqiptare u ndanë në tri pjesë: Shqipëria e pavarur, Kosova dhe krahinat e Dibrës, Tetovës e Gostivarit (më poshtë të gjitha këto toka do të përfshihen nën emrin Kosova) që u përfshinë në shtetin serb dhe Çamëria, që hyri në shtetin grek.

Në këto rrethana shtrohet pyetja nëse historia e këtyre pjesëve të truallit shqiptar duhej trajtuar si një histori e vetme, si histori e një kombi të vetëm apo duhej trajtuar në tri histori të veçanta.

Zakonisht kufijtë shtetërorë të një vendi shërbejnë për historinë si caqe territoriale, kur ato përputhen ose gati përputhen me shtrirjen etnike të popullsisë.

Formacionet shtetërore ose njësitë administrative që u krijuan në truallin tonë para vitit 1912 nuk kanë pasur kufij të ndërtuar sipas parimit etnik. Këta kufij nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm historikë herë janë rrudhur e herë janë zgjeruar, kurse në raste të tjera i janë imponuar me dhunë popullit shqiptar nga pushtuesit e huaj.

Për këtë arsye në historinë e Shqipërisë deri në vitin 1912 kufijtë shtetërorë dhe ndarjet administrative nuk mund të shërbenin si caqe territoriale dhe zhvillimi historik i popullit tonë është studiuar në vendet e shtrirjes së tij etnike.

Për historinë pas vitit 1912 nuk u respektua ky kriter dhe u pranua kriteri politiko-administrativ, megjithëse kufijtë shtetërorë edhe kësaj radhe iu imponuan popullit shqiptar nga fuqitë e huaja dhe përfshinë vetëm gjysmën e tokave të tij.

Nga pikëpamja shkencore kriteri politiko-administrativ mund të argumentohej me faktin se pjesët që iu shkëputën Shqipërisë, duke kaluar nën zgjedhën e huaj, patën sidomos pas vitit 1945 një zhvillim historik të ndryshëm dhe të shkëputur politikisht dhe ekonomikisht nga ai i Shqipërisë së pavarur.

Si rrjedhim, duke u nisur nga kriteri politik-administrativ, studimi i historisë së Kosovës, dhe përgjithësisht i diasporës shqiptare, duhej të bëhej nga historianët tanë objekt studimesh të veçanta.

Për zbatimin e kriterit politik-administrativ në trajtimin e periudhës pas vitit 1913 ndikuan edhe një varg arsyesh të karakterit praktik.

Në vitet 1959-1964 kur u zhvilluan punimet për vëllimin II të “Historisë së Shqipërisë” studimet në lidhje me gjendjen ekonomike-shoqërore dhe kulturore dhe ngjarjet politike të Kosovës e të krahinave të tjera shqiptare të mbetura jashtë kufijve për vitet 1913-1914 ishin në një gjendje krejt të pazhvilluar.

Njiheshin në përgjithësi vijat dhe karakteri i politikës shtypëse e shkombëtarizuese të mbretërisë serbe e më vonë jugosllave kundrejt popullsisë shqiptare, por shumë pak njiheshin të dhënat konkrete dhe rrugët nëpërmes të cilave u zbatua kjo politikë.

Për më tepër përfshirja e historisë së Kosovës në tekstin zyrtar të historisë së Shqipërisë mund të interpretohej keq e të shfrytëzohej nga revizionistët jugosllavë për të sulmuar politikën e drejtë marksiste-leniniste të RPSH ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

Megjithëkëtë, duhet thënë se zbatimi i kriterit politik-administrativ qysh atëherë nuk mund të quhej plotësisht i kënaqshëm. Kjo shihet më qartë sot që kemi një farë distance kohore që nga botimi i vëllimit

II. Së pari, rezulton se edhe në zbatimin e kriterit politik-administrativ kishte një mungesë konsekuence. Kështu p.sh. në periudhën 1916-1918, kur tokat e Shqipërisë dhe të Kosovës ndodheshin nën pushtimin austro-hungarez, kufijtë e 1913-ës praktikisht nuk ishin më në fuqi dhe midis Shqipërisë e Kosovës u rivendosën lidhjet e vjetra.

Gjatë këtyre viteve historia e të dy pjesëve zhvillohet praktikisht si histori e një vendi të vetëm dhe e tillë duhej të trajtohej edhe në tekst, gjë që nuk është bërë.

Po kështu është vepruar edhe për periudhën e pushtimit fashist në vitet 1941-1945 kur pjesa më e madhe e Kosovës u përfshi në kufijtë e “Shqipërisë së Madhe”.

Por arsyet përse zbatimi i kriterit politik-administrativ nuk mund të quhet i kënaqshëm duhen kërkuar më thellë. Në fakt i gjithë trajtimi që i është dhënë problemit të formimit të kombit shqiptar dhe që qëndron në bazë të periudhës deri në vitin 1912, e bën të nevojshme që edhe për periudhën pasuese të vihen në dukje rrjedhimet logjike të këtij koncepti themelor dhe të zbatohet në mënyrë konsekuente kriteri etnik-kombëtar edhe për periudhën pas vitit 1913.

Këtu nuk është fjala që të nisemi nga mundësitë praktike aktuale dhe nga oportuniteti që u treguan më sipër, por nga koncepti themelor që rrjedh nga fakti objektiv se popullsia e Kosovës edhe pas ndarjes politike vazhdoi të formonte objektivisht e subjektivisht deri në ditët tona një pjesë përbërëse të kombit shqiptar, se proceset historike që u zhvilluan në Kosovë ishin të tilla që nuk çuan në formimin e një kombi tjetër, siç mund të vërehet në kushte pak a shumë të afërta në Maqedoni.

Shqyrtimi i problemit nën prizmin historik tregon se Kosova u nda nga trungu shqiptar në një periudhë kur, me gjithë pengesat e shkaktuara nga regjimi otoman, ishte krijuar tashmë një formacion kombëtar unik, i mbështetur jo vetëm mbi territor e gjuhë të përbashkët, por edhe mbi një bashkësi historike-kulturore dhe ekonomike.

Vlen të vihet në dukje se midis Kosovës dhe tokave perëndimore shqiptare ishin formuar lidhje ekonomike qysh nga fundi i shekullit XVIII, lidhje që erdhën duke u forcuar vazhdimisht. Një shprehje e këtyre lidhjeve dhe e bashkësisë shpirtërore e kulturore ka qenë uniteti i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku Kosova e Çamëria kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

Shkëputja në plan ekonomik donte të thoshte për këto krahina jo vetëm prishje lidhjesh të vjetra, por një zhvendosje, një riorientim të plotë të qendrës së gravitetit.

Bujqësia e zejtaria kosovare p.sh. humbën tregun e prodhimeve të veta dhe u gjendën në një ambient të ri ekonomik, kundrejt një industrie e bujqësie më të zhvilluar.

Bujqësia e zejtaria kosovare nuk ishin në gjendje t’u bënin atyre konkurrencë ose të inkuadroheshin e të adaptoheshin. Këtu duhet kërkuar një nga arsyet për degradimin ekonomik të Kosovës që e katandisi atë brenda 60 vjetëve të fundit nga njëra prej krahinave më të pasura të tokave shqiptare e të Ballkanit në shek.

XIX në një aneks shumë primitiv, të prapambetur të Jugosllavisë. Në plan ideologjik, psikologjik dhe politik shkëputja shkaktoi një traumë shumë të rëndë.

Kësaj i duhet shtuar politika e egër shtypëse e shkombëtarizuese e regjimeve monarkike e titiste. Këtu e ka origjinën mospajtimi i shtresave të gjera të shoqërisë kosovare me regjimet që u vendosën atje, gjë që është shprehur në format e drejtimet më të ndryshme deri në rezistencën e armatosur.

Gjendja e krijuar në Kosovë gjatë këtyre 60 vjetëve të fundit pati nga ana e vet dy rrjedhime:

1) ndikoi në ruajtjen e bashkësisë gjuhësore;

2) jo vetëm e ruajti të paprekur bashkësinë shpirtërore, por zhvilloi në maksimum në masat kosovare ndjenjat kombëtare e patriotike dhe tendencat për të ruajtur bashkësinë ekonomike me Shqipërinë, për ta konsideruar këtë tokë mëmë e Kosovën pjesë të pandarë të saj. Natyrisht, bashkësia fetare me shumicën myslimane të popullit shqiptar dhe dallimi me popullsinë ortodokse sllave ka ushtruar e vazhdon të ushtrojë ndikimin e vet.

Këta faktorë të fuqishëm subjektivë vazhdojnë të luajnë edhe sot e kësaj dite një rol të rëndësishëm, duke pasur si bazë objektive bashkësinë gjuhësore e territoriale.

Duke u nisur nga këto të dhëna që vërtetojnë se është historikisht dhe shkencërisht e drejtë që Kosova, pavarësisht nga ndarja politike, të konsiderohet si pjesë përbërëse e kombit shqiptar prej 1912 e deri në ditët tona, ne nxjerrim përfundimin se historia e Shqipërisë në parim duhet të përfshijë si një aneks të saj në fund të vëllimit edhe historinë e popullsisë së Kosovës.

Sa për kolonitë arbëreshe të Italisë, Greqisë etj., ato do të përfshihen në momentet historike, kur ato lidhen me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Kjo do të bëjë të mundshme që populli ynë i përfshirë në RPSH të njohë historinë e vëllezërve matanë kufirit. Kështu është vepruar në raste të ngjashme – ndonëse jo krejt identike – edhe në vende të tjera.

Në Republikën Demokratike Gjermane p.sh. ekziston teksti “Historia gjermane” që përfshin edhe historinë e Gjermanisë Perëndimore. Po kështu kanë vepruar koreanët dhe vietnamezët, duke përfshirë në historinë e tyre kombëtare edhe atë të pjesëve jugore.

Zgjidhja e problemit sipas kriterit etniko-kombëtar ngre disa çështje të karakterit praktik lidhur me ripunimin që po u bëhet teksteve të historisë së Shqipërisë.

1) Mungesa e studimeve shkencore monografike dhe e dokumentacionit arkivor mbi historinë e Kosovës prej 1913-ës e këtej, e bën hë për hë praktikisht të pamundur zbatimin konsekuent të këtij parimi gjatë ripunimit që po u bëhet teksteve të historisë së Shqipërisë po në atë shkallë si për territorin e RPSH.

Megjithatë ne jemi të mendimit që për periudhën 1913-1944 në aneksin e lartpërmendur të trajtohet një aspekt i historisë së Kosovës, politika shtypëse e shkombëtarizuese e regjimit monarkik jugosllav dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit të Kosovës. Për këtë problem janë bërë studime këto vitet e fundit, sidomos nga ana e kosovarëve, një pjesë e të cilave mund të shërbejnë si bazë.

2) Problemi vështirësohet sidomos lidhur me trajtimin e historisë së periudhës pas Luftës së Dytë Botërore.

Pozitat diametralisht të kundërta të historianëve shqiptarë e kosovarë në karakterizimin e kësaj periudhe e bëjnë të domosdoshme që trajtimi në tekst i historisë së Kosovës, për këtë periudhë të mbështetet vetëm mbi studimet tona, të cilat tani për tani mungojnë dhe do të mungojnë edhe më tej, duke marrë parasysh vështirësitë për të hyrë në arkivat jugosllave, veçanërisht për periudhën pas vitit 1944.

Rrjedhimisht, vëllimi III i tekstit tonë të Historisë së Shqipërisë nuk do të ketë mundësi as në mënyrë të pjesshme ta trajtojë këtë periudhë të historisë së Kosovës e të krahinave të tjera shqiptare të Jugosllavisë.

Për këtë arsye ne mendojmë që vëllimi III i “Historisë së Shqipërisë” që përfshin periudhën prej çlirimit e këtej, t’i kushtohet historisë së ndërtimit socialist në RP të Shqipërisë pa e përfshirë historinë e Kosovës e të krahinave të tjera shqiptare të Jugosllavisë, prej 1944-ës e këtej. Kjo do të mbetet si një detyrë e veçantë shkencore.

Zgjidhja që mendohet t’i jepet çështjes së trajtimit të historisë së Kosovës në tekstin e “Historisë së Shqipërisë”, në parim, kërkon studimin e saj të organizuar, sistematik, të gjithanshëm e në plan të parë si pjesë e historisë së gjithë popullit tonë; krahas kësaj, në një plan të dytë duhet vënë studimi i historisë së Çamërisë dhe të diasporës shqiptare jashtë kufijve, si p.sh. të arbëreshëve të Italisë, Greqisë e Dalmacisë, të kolonive shqiptare të emigracionit ekonomik etj.

Me këto probleme te ne sot merren vetëm studiues të veçantë e në mënyrë jo sistematike. Mendojmë se kjo detyrë e rëndësishme shkencore e politike kërkon krijimin e një baze organizative në formën e dy grupeve studimi pranë sektorëve historikë ekzistues: një grup për historinë e shqiptarëve të Jugosllavisë në periudhën prej 1912-ës e deri në ditët tona dhe një grup tjetër për historinë e diasporës shqiptare.

Kjo do të lejonte që të bëheshin edhe botime të veçanta për problemet e historisë së Kosovës e të popullsive të tjera shqiptare jashtë kufijve dhe të mbaheshin kurse e seminare speciale në degën e histori-gjeografisë të Fakultetit të Historisë e Filologjisë etj.

Pse refuzoi Enver Hoxha ta fuste më 1973 Kosovën në historinë e Shqipërisë? Read More »

A e vodhi vërtet mbreti Zog floririn shqiptar? Ja ç’thonë dokumentet…

[sgmb id=”1″]

Regjimi komunist u shqua për shumë gjëra të mbrapshta në Shqipëri. Një ndër fushatat më mizore që ky regjim ndërmori ishte fushata e mbledhjes së arit, grabitja e tyre dhe më pas pushkatimi i më të pasurve. Por ajo që të habit është fakti se për 50 vjet u vesh me petkun e hajdutit të madh shqiptar mbreti Zog. Po a i vodhi vërtet mbreti Zog arin shqiptarëve?

Sipas gazetarit të njohur Katriot Dervishi në një dosier të plotë për çështjen e arit shqiptar thuhet se mbreti Zog u diktua nga rrethanat ndërkombëtare dhe me vendim të parlamentit shqiptar të lërë Shqipërinë të nesërmen e 7 prillit 1939. Për kohën që flitet thesari i shtetit shqiptar nuk ndodhej në Tiranë por në Romë.

Sipas dokumenteve dhe të dhënave që jep Josephine Dedet në librin e saj “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve” thuhet se Zogu mori me vete vetëm rrogat e ushtrisë. Sipas të dhënave që disponon Arkivi i Shtetit, ministri i Financave Kolë Thaçi tërhoqi sipas të gjitha rregullave shtetërore me autorizimet 2031/65 dhe 2031/79 (të datave 31 mars dhe 3 prill 1939), shumën e 448.535 frangave ari, të cilat ishin në llogari të Mbretit Zog. Në lidhje me këtë drejtori i thesarit Kel Naraçi në relacionin 73/1 të datës 6 qershor 1939, thotë:“I nënshkruemi Kel Naraçi dhe arkëtari i përgjithshëm Ramadan Berberolli pritshin në zyrë sipas telefonatës të ish kryeministrit (Kostaq Kotta). Pas pak arriti në bankë një automobil i pallatit i shoqnuem nga dy ushtarë e një toger i gardës i quajtur Selim Gjoci, i cili …….ftoi të nënshkruemin (K.N) dhe arkëtarin e përgjithshëm që ta shoqëronin tek Mbreti Zog me të gjithë gjendjen e monedhave të arit që u nxorrën nga arka nën vrojtimin e togerit Selim Gjoci, i cili fut në strajca sasinë e tregueme më sipër (448.535 franga ari), e cila sipas thënieve të ish ministrit Kolë Thaçi do të merrej në dorëzim me proces – verbal të nënshkruem prej pjestarëve të Këshillit Ministror që ishte mbledhur në shtëpinë e z.Kostaq Kotta, ku gjetëm Mbretin Zog, midis ministrave Musa Juka, Ekrem Libohova, Faik Shatku dhe Abdurrahman Matit, Xhaferr Ypit, Sotir Martinit, Allaman Çupit, Ndoc Kurti, Jani Dallamanga, Milto Noçka etj…….

Në prani të tyne i lëshuem për anë ku kishte ndenjë Mbreti Zog të 13 strajcat që mbajshin monedhat e arit në llojet e sasitë e tregueme në konfirmacionet bashkangjintur…………

Në shtëpi ndëgjoheshin telefonime, urdhna, nervozitet e qëndrime luftarake në një rrëmujë e tension të papërshkuem……..Ndërkohë meqë aeroplanët po fluturonin përsipër, Mbreti Zog me pjestarët e Këshillit që kish për anë, shkoi te shtëpia e vëllait të vet Xhelalit, ngutësisht tue marrë me vete dhe arin që ish në saketa në anë të tij. Në këtë rast arkëtarit Ramadan Berberolli iu tha të shkonte përsëri në zyrë i shoqnuem prej togerit Selim Gjoci për t`i dhënë edhe ç`ndodhje tjetër në arkë si monedha, banknota, ar, etj, në dorëzim te Mbreti Zog dhe për t`i çuar në shtëpinë e Xhelalit. Z.Ramadan Berberolli dorëzoi në shtëpinë e zotit Xhelal Zogu 118.195 franga ari dhe qëndroi deri në orën 16.00 në shtëpinë e zotni Xhelalit për me mujtë me marrë ndonjë dëftesë nga Mbreti Zog për të gjithë sasinë e arit e të monedhave që arrijshin 566.975 franga ari. Vetëm pas numërimit e në ikje e sipër, pas shumë përpjekjesh, iu mor major Allaman Çupit, adjutant favorit i Mbretit, që të nënshkruante për të, një dëftesë (dorëmarrje) si kopja bashkëngjitur”.

Në tërësi duhet thënë se Mbreti Zog tërhoqi nga arka e shtetit shqiptar në prani dhe me miratim të Këshillit të Ministrave, shumën e përafërt të 567 mijë frangave ar që përbënin 183 kilogram ar. Duhet kujtuar se rroga vjetore e Mbretit Zog ishte 500 mijë franga ari. Po ashtu duhet të kemi parasysh se në favor të tij shkonte edhe shuma e përfituar nga shitja e një pylli në Mat. Siç edhe shikohet Mbreti Zog ka marrë me vete pak më shumë se rrogën e një viti.

Kjo sasi monetare është përdorur në masën më të madhe për të paguar rrogat e personave që shoqëruan Mbretin dhe diplomatë si Faik Konica etj. Ky i fundit ka qenë edhe ndër njerëzit më të paguar (më 13 korrik 1942 për shembull ka marrë një mijë dollarë). Si provë për këtë kemi mundur të gjejmë edhe një pjesë të dëftesë pagesave të përdorura atëherë. Në këto deftesë pagesa figurojnë ndër emrat më njohur edhe Mirash Ivanaj, Mehmet Konica, Abaz Kupi, Hiqmet Delvina, Qemal Butka, Peter Kolonja, Nikola Prifti etj,

Për t`u kujtuar është gjithashtu fakti që pushteti i ri i vendosur pas 7 prillit 1939, sekuestroi edhe shumën e 20 mijë frangave ari të Mbretëreshës Geraldinë, shumë e cila ndodhej në Bankën e Shqipërisë dhe që nuk ishte tërhequar nga poseduesja. Dekreti i ministrit sekretar shteti për Drejtësinë doli më 16 shtator 1939 dhe u botua në “Fletorja Zyrtare” më 5 dhjetor 1939, pasi është mbajtur si “sekret” për disa javë.

Këtë version zyrtar dhe shkresor e konfirmon në kujtimet e saj dhe mbretëresha Geraldinë. Duke qenë se në ato ditë të vështira për popullin shqiptar ajo sapo kish sjellë në jetë djalin e saj Lekën, e përshkruan këtë situatë si kaotike dhe shumë të vështirë. Gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar. Ajo deklaron se mbreti Zog mori me vete vetëm aq ar me të cilat pagoi ushtrinë shqiptare për 6 muaj. Faktet treguan që në ekzil gjendja e tyre financiare ishte shumë e vështirë dhe për shumë kohë ato jetuan falë mirësisë së mbretërive të ndryshme që i ofruan mikpritjen e tyre. 

A e vodhi vërtet mbreti Zog floririn shqiptar? Ja ç’thonë dokumentet… Read More »

Del në dritë misteri i vdekjes së Mehmet Shehut: Nuk vrau veten, u hoq qafe nga…

[sgmb id=”1″]

Vdekja e Mehmet Shehut vazhdon ende të rrethohet nga misteri. Ka qenë Ilir Bulka, ai i cili ka treguar disa detaje të reja mbi vdekjen e Shehut.

Kur Hoxha vendosi ta hiqte qafe, më parë mendoi që ta komprometonte në sytë e anëtareve të tjerë të Byrosë Politike shqiptare, duke e detyruar djalin e Shehut të fejohej me vajzën e një profesori të Universitetit të Tiranës, i klasifikuar si kundërshtar i regjimit. Mbas kësaj u mblodh një plenum i Partisë, në vijim të të cilit besnikët e Hoxhës bënë një sërë kritikash të mëdha mbi drejtimin e politikës ekonomike të qeverisë”. Mehmet Shehu bëri autokritikë, por kjo i dukej e pamjaftueshme diktatorit”- ka thënë ai.

Asnjë në Tiranë nuk e di se çfarë ka ndodhur në atë dhomë, nëse ishte vetë Hoxha apo ndonjë pasues i tij që qëlloi mbi kryeministrin, por u bë e ditur se Shehun e vranë dy plumba, gjë e pamundur në një vetëvrasje.Përkthyesi ngre dyshime të forta se Shehu mund të jetë qëlluar nga dora e ish- diktatorit Enver Hoxha.

Del në dritë misteri i vdekjes së Mehmet Shehut: Nuk vrau veten, u hoq qafe nga… Read More »

I mituri nën mbikqyrje elektronike, me frikën e burgut dhe varfërisë .

[sgmb id=”1″]

Xhozefi është 16 vjeç, por thotë se jeta është treguar aq dorështrënguar me të, sa edhe fëmijërinë ia ka kursyer.

I braktisur nga i ati, ndonëse gjykata e urdhëroi t’u paguajë fëmijëve  pensionin ushqimor, ai u rrit në kushte të vështira nga e ëma, e cila po lufton prej vitesh në gjykatë, mes çështjeve civile dhe së fundmi dhe penale. 

Për dy vjet, fëmija u shkëput nga  shkolla për shkak të një ndërhyrjeje në zemër. Tashmë në klasën e tetë, Xhozefi rrezikon sërish vijimin e shkollimit, pasi 3 muaj më parë gjykata urdhëroi mbikqyrjen elektronike. I dyshuar për vjedhje, Xhozefi këmbëngul se nuk ka kryer asnjë vepër. 

“Këto kohë kam lexuar Kodin Penal. Ma vendosi edhe mami si rregull, që ta lexoj dhe ti di më mirë gjërat, për në të ardhmen. Më kanë bërë shumë të padrejta. Unë as nuk kam vra, as nuk kam pre, as nuk kam grabitur, asnjë gjë. Thjesht kam kaluar murin, është trembur ajo, jam trembur unë. I kam kërkuar falje dhe kam ndenjur aty e kam pritur që të sqaroj situatën, duke i kërkuar falje”, shprehet Xhozef Sokoli. 

Aktualisht nën mbikqyrje elektronike ndodhen 100 persona, që janë në pritje të vendimeve nga gjykatat.

“Pa dashur të dukem polemizues, kemi rrethin gjyqësor Lushnjë apo Përmet, apo Pukë, që nuk e kanë vlerësuar asnjëherë të volitshme që të mund të aplikojnë këtë lloj mase sigurie. Kuptohet që kjo është me impakt të jashtëzakonshëm, shoqëror mbi të gjitha, pasi ne të gjithë e kemi shumë të qartë se ka një numër shumë të madh personash që nuk kanë pse të presin procesin penal, në ambientet e paraburgimit dhe kuptohet, janë edhe efektet financiare që përballon buxheti i shtetit”, u shpreh Ilir Qafa, Drejtor i përgjithshëm i Shërbimit të Provës. 

Por, për Xhozefin, burgu dhe humbja e shkollës, janë dy frikërat e tij më të mëdha.

“Kam frikën e pajisjes, të cilës duhet t’i rri gati. Ja, e shikoj pajisjen se mos fiket, e karikoj, kam vënë edhe telefonin në alarm”, thotë Xhozefi./ TCH

I mituri nën mbikqyrje elektronike, me frikën e burgut dhe varfërisë . Read More »

Regjimi komunist i shpalli kriminele ! Ja lista me emrat e te gjalleve dhe te vdekurve !

[sgmb id=”1″]

Me dekretin nr.3005, datë 23.11.1959 të Presidiumit të Kuvendit Popullor regjimi komunist pat shpallur një amnisti për të arratisurit politike, prej së cilës u amnistuan 7.003 persona dhe u cilësuan “kriminelë lufte” 208 të tjerë. Nga kjo amnisti u riatdhesuan në Shqipëri vetëm 60 persona, një pjesë e të cilëve edhe u burgosën pas një farë kohe.

Por, sikurse e përmenda, kjo listë përbëhej nga të vdekur e të gjallë, duke e paraqitur kështu si një listë qesharake. Listë nuk pati fuqi. Të arratisurit u amnistuan me nenin 2 të ligjit nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.

Lista e “kriminelëve të luftës” e datës 4.9.1991

1-Leka Zogu

2-Azem Mustafa Shehu

3-Avdul (Aqif) Emin Kadiu

4-Alo Muke Luarasi

5-Asllan Zenel Cenaj

6-Ajdin Qazim Mete

7-Abulla MuratKaloshi

8-Ali Kajmak Tubova

9-Ago Sherif Agaj

10-Asim Shefqet Jakova

11-Abaz Fejzo Ermenji

12-Bajrush Azem Kosova

13-Bardhok Shkurt Markaj

14-Dodë Bardhok Gjini

15-Ditar Ibrahim Kurtesi

16-Dilaver HasanKacuqi (u dogj dhjetor 1951)

17-Dilaver Dino Begu

18-Dhimitër Miho Maksakuli

19-Enver Mehmet Shaska

20-Enver Selman Dangëllia

21-Eqrem Hysen Peshkëpia

22-Enver Halim Peshkëpia

23-Eqrem Mahmet Telhaj

24-Ndue Frrok Dushi

25-Gjon Mark Jaku

26-Gjon Marka Çupi

27-Gjon GjetoVokrri

28-Gjon Marka Ndou

29-Hysen Osman Vërçani

30-Hetem HamitXhera

31-Haki Shefik Shehu

32-Hafuz Selman Hasa

33-Hiqmet Elmaz Meçe

34-Hasan Elmaz Dosti (kishte vdekur)

35-Ishan AbdiToptani

36-Isuf Maksut Baruti

37-Islam Sali Dobra

38-Isa Haziz Manastirliu

39-Isuf Mehmet Luzaj

40-Jorgji Refael Ruço

41-Jonuz HysenNdreu

42-Kujtim Bektash Cakrani

43-Kadri Hysen Morina

44-Kolë Ndue Frroku

45-Kolë PrendëDoda

46-Kajo Maksut Tresova

47-Kosta Harallamb Karajani

48-Kalem Ibrahim Xhepaxhiu (u dogj i gjallë dhjetor 1951 në Rrajcë)

49-Limoz Vehip Runa

50-Llesh Marka Doda

51-Miftar Zenel Spahiu

52-Meto Fetah Kalliri

53-Mubereq MuratToptani

54-Mark FranoTraboini

55-Mark Pash Pëllumbaj

56-Mehmet HasanXherahi

57-Mustafa Ismail Doko

58-Mark Bib Vokrri

59-Mark Tunxh Myftari

60-Mark ZefNdreca

61-Musa RexhHasani

62-Mato Murat Myftaraj

63-Ndue Mark Lala

64-Nikoll DodPrenga

65-Ndue Jak Zefi

66-Ndue Jak Bajraktari

67-Ndue Lush Martini (Prela, Miraka)

68-Ndrec NdueTuçi

69-Nikoll Mark Gjon Markaj

70-Ndue Gjon Markaj

71-Nesti JosifKopali

72-Pal Mark Lala

73-Prend NdueKaziu

74-Qemal Mustafa Siqeca

75-Qazim Azem Çakërri

76-Qazim Neki Libohova

77-Qani Emin Lesko

78-Reis SheroAgaj

79-Ramiz Faslli Gjilani

80-Ramiz MehmetKoçaj

81-Ramadan Ismail Koçaj

82-Rexhep Musli Krasniqi

83-Ruhi Veip Runa

84-Reshat Dervishi Biçaku

85-Rexhep Refat Beqiri (Dervish Rexhep)

86-Skënder Muço Metohu

87-Sulo Banush Pipa

88-Syrja Shefik Shehu

89-Sabaudin Shefqet Haxhiu

90-Sait QazimDemneri

91-Selaudin Hysen Sula

92-Selman BanushZhurka

93-Sami Ali Çaushaj

94-Stavro KristoKokali

95-Subi IdrizTopulli (ishte vrarë në vitin 1944)

96-Seit beg Kryeziu

97-Sadik FeçorPremtaj (kishte vdekur)

98-Shaban Fetah Peshtani

99-Shyqyri Dervish Biçaku

100-Tajar Mehmet Shaska

101-Tahir Hajdar Vata

102-Turan Vesel Aliko

103-Teki Isuf Xhindi

104-Tahir Avdulla Hoxha

105-Theodhor Refail Ruço

106-Vasil KolëAndoni

107-Vasil Dhimitër Alarupi

108-Vehbi Mehdi Frashëri (kishte vdekur më 1988)

109-Xhemil Hysen Dino (kishte vdekur më 1972)

110-Xhafer Zenel Meçe

111-Ymer Jakup Çakallozi

112-Zef Zog Zogu

113-Zef Marka Gjoka

114-Zeqir Jashar Hoshi

115-Zyber Mahmut Musaraj

116-Zef Marka Çupi

117-Zef Preng Gjoka

118-Zenel Sali Kellolli

Regjimi komunist i shpalli kriminele ! Ja lista me emrat e te gjalleve dhe te vdekurve ! Read More »

Enver Hoxha homoseksual?! Dëshmia e përkthyesit të telegrameve të diktatorit.

[sgmb id=”1″]

30 vjet më parë, arratisja e një përkthyesi të ATSH-së tronditi sistemin komunist dhe kupolën e lartë të Partisë së Punës.

Ajo që bëri bujë nuk ishte arratisja e tij, pasi arratisje ndodhnin thuajse çdo vit e çdo muaj, në të katër anët e vendit, por më shumë bënë bujë deklaratat e të arratisurit, që mbushi shtypin grek fillimisht, dhe më pas atë italian, deklarata që kishin të bënin me jetën private të ish – diktatorit: “Udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha ishte një homoseksual, një paranojak dhe vrasës…”

Shtypi grek u mbush me këto deklarata në fillim të muajit nëntor 1987.

Njëra pas tjetrës gazetat greke “Akropolis”, e datës 14 nëntor 1987, “Vradhini”, e 15 nëntorit 1987, etj. dhe më pas ato italiane “Il Mesaxhero”, “La Stampa”, “Corriere della sera”, “La Republika” etj. shqetësuan seriozisht Tiranën.

Ja si qëndronte ngjarja:

Ilir Bulka, punonjës në ATSH, përkthyes i telegrameve e agjencive të huaja, që i dedikoheshin personalisht Enver Hoxhës, ishte arratisur nga Shqipëria më 26 shtator 1987, kur po shoqëronte ekipin e “Vllaznisë”, në rolin e përkthyesit.

Me 26 shtator ai po udhëtonte me ekipin e futbollit “Vllaznia” nga Tirana për në Maltë, ku do të zhvillohej ndeshja me ekipin vendas.

Në kthim, aeroplani u ul në Athinë dhe ekipi u vendos në hotel “Albatros”.

Mbasdite, përkthyesi 38-vjeçar që e fliste anglishten dhe frëngjishten në mënyrë të shkëlqyer, iku me kujdes nga hoteli, u fut në një taksi dhe u drejtua në polici ku kërkoi strehim politik.

Gjatë nëntorit 1987 Ilir Bulka, me një guxim të admirueshëm, do të zbërthente figurën e Enver Hoxhës, ashtu siç e konceptonte ai, në disa artikuj që janë botuar në Greqi dhe Itali.

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë si dhe Komiteti Qendror i PPSH-së kanë qenë të alarmuar nga informacionet që vinin nga përfaqësuesit e tyre.

Ngaqë nuk kishin çfarë t’i bënin Ilirit, u mendua të internonin familjen e Ilir Bulkës në Tiranë.

“Kisha 10 vjet që planifikoja të ikja, por nuk gjeja rastin.

Thashë të pres sa të vdesë Hoxha e të shoh se mos ndryshon situata, por e pashë se nuk ekziston as edhe një fije lirie.

Ekonomia është në gjendje shumë të keqe. Në treg mungojnë të gjitha. Në janar – vjet – pashë se nuk ka asnjë shprese dhe mora vendimin që të arratisem.

Hoxha ishte homoseksual. Këtë e dinë mirë njerëzit e oborrit të tij, por edhe shumë të tjerë që e patën njohur qysh kur ishte për studime në Paris.

Është sikur të kemi dalë nga burgu.

Preferojmë më mirë të vrasim veten se sa të kthehemi mbrapsht. Ju lutemi të na jepni strehim politik në Greqi”, kishte deklaruar Bulka.

Pak e shumë ishin tënjëjtat deklarata që kishte bërë Bulka dhe që gazetat i kishin marrë e rimarrë.

Botimet italiane ju referoheshin atyre greke. Ja për çfarë e akuzonte Bulka diktatorin Hoxha. Për lexuesin paraqesim vetëm një pjesë nga shkrimi i gazetës  “Il Mesaxhero”,  e datës 11.11.1987.

Gazeta boton një artikull me titull: “Zbulimet/ Enver Hoxha ishte homoseksual, paranojak dhe vrasës’” dhe me nëntitull: “Ish-sekretari personal i udhëheqësit të ndjerë të Tiranës, i arratisur në Athinë, akuzon: i vrau vetë ministrat – dashnorë të tij’”, pa emër autori.

Athinë – Udhëheqësi i ndjerë shqiptar, Enver Hoxha, ishte një homoseksua1 që i fshihte prirjet e tij, dhe për këtë arsye u bë paranojak dhe vrasës; ai vrau me duart e tij shumë nga viktimat e tij.

Këtë e pohoi dje, në një intervistë dhënë agjencisë amerikane UPI, Ilir Bulka, 38 vjeç, i cili për shumë vjet ishte bashkëpunëtor i Hoxhës, për të cilin çdo ditë përgatiste një përmbledhje të lajmeve kryesore nga bota. Bulka kërkoi strehim politik në Athinë, në shtator të këtij viti, ndërkohë që po kalonte tranzit në aeroportin e Athinës bashkë me një skuadër shqiptare futbolli që do të zhvillonte një ndeshje jashtë shtetit.

Duke folur për Hoxhën, Bulka tha se paranoja e tij u shtua sa më shumë që ai plakej dhe e çoi atë deri aty sa te ndalonte këngët e dashurisë, poezitë popullore dhe kërcimet e balerinëve meshkuj e femra në televizionin shqiptar. Bulka pohoi me pas se “homoseksualiteti i Hoxhës, për të cilin e shoqja ishte në dijeni, ishte një sekret që e dinin zyrtarët më të lartë komunistë të vendit. Të kundërshtoje marrëdhëniet me Hoxhën ishte njëlloj si të dënoheshe me vdekje. Paranoja e tij u shtua me moshën bashkë, duke bërë që ai të vriste shumë nga dashnorët e tij pasi i kishte detyruar të hynte në marrëdhënie seksuale me ta”.

Bulka pohoi pastaj se Hoxha insistonte personalisht që të njihej me të gjithë shkrimtarët, poetet dhe kompozitorët e rinj shqiptarë meshkuj në apartamentin e tij luksoz në Tiranë. Dëshironte që të bisedonte me të gjithë intelektualët e rinj meshkuj shqiptarë për t’u siguruar se ata nuk përbenin kërcënim ndaj autoritetit të tij, por edhe sepse kërkonte dashnorë.

Në intervistë, Bulka i bëri elozhe me pas udhëheqjes së tanishme komuniste shqiptare, duke thënë se udhëheqësi i ri Ramiz Alia “po kërkon të pakësojë me ngadalë influencën e pasueseve të Hoxhës në vend, por, ashtu si udhëheqësi sovjetik Gorbaçov, ka shumë armiq të rrezikshëm”.

Enver Hoxha vdiq në prill 1985 në moshën 76-vjeçare, pasi kishte udhëhequr për 40 vjet vendin më të varfër e më të izoluar te Evropës me metoda të ashpra staliniste dhe duke e mbajtur atë rreptësisht të izoluar. Sipas Bulkës, “vrasjet e miqve të tij në qeveri, që i kryente me gjakftohtësi, dhe spastrimet e tmerrshme vinin për shkak te grindjeve midis dashnorëve me huqe ose ishin krime ne bazë të të cilëve ishte pasioni”. Hoxha bënte rregullisht spastrime në gjirin e udhëheqjes komuniste shqiptare dhe “vrau vetë Ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe kryeministrin e tij Mehmet Shehun, përfundoi Bulka.

***

Deklaratat se Nexhmija ishte në dijeni të homoseksualitetit të Enver Hoxhës dhe se ky ‘ves’ i këtij të fundit kishte ndikuar në të gjitha zhvillimet e vendit, u hodhën edhe më vonë, pas vitit 1991. Por askush nuk provoi apo solli ndonjë dëshmi. Nuk dihet se çfarë ndodhi me këtë emigrant, i cili, pas vitit 1991, kur ra sistemi komunist,  nuk u “bë i gjallë, as në media e as me ndonjë libër për të vërtetuar akuzat e tij. Thjesht kjo ka ngelur një ngjarje e largët, e 30 viteve më parë, por që tronditi seriozisht sistemin komunist.

Enver Hoxha homoseksual?! Dëshmia e përkthyesit të telegrameve të diktatorit. Read More »

Letër prekëse kryeministrit: Shokut tim 15 vjeçar i vranë babanë përpara syve!

[sgmb id=”1″]

Një djalë nga Shkodra, i ka shkruar një letër prekëse kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilit i kërkon ta bëjë shtetin, pasi siç shkruan N.P, 15 vjeçar, shokut të tij të klasës i vranë babanë para syve të tij, dhe kur të fillojë mësimi në shtator, ai nuk do të jetë si të tjerët, pasi bashkë me babanë, atij ia vranë edhe ëndrrën.

Letra drejtuar kryeministrit:Leter kryeministrit:

Bëj shtet, shokut tim 15 vjeçar i vranë babanë përpara syve! L. Alija, i cili eshte ne klase me mua, mundi te shijonte me babane vetem 15 vitet e para te jetes se tij.

Kete shtator fillon gjimnazin. Enderronte te ardhme plot shpresa ne vendlindjen e vet, ketu ku i vrane babane, vrasjen e te cilit e mallkon duke qare! Mbreme ai mbeti pa baba, mbreme shkembeu me te atin fjalet e fundit pa menduar se po krijonte kujtime qe sot i memorizon me dhimbje… Dikush, ne shtepine e tij, ne sy te djalit 15 vjeç dhe nenes se L., vrau me arme zjarri mjekun Ilir Alija pa meshire, duke shkaterruar moralisht familjen e pafajshme Alija! L. kishte nje baba te mire, HERO, i cili gjate jetes se tij kishte shpetuar shume jete njerezore, si mjek, si human. Kam qarë zoti kryeministër, kam qare me lot qe mbajne ndjenja! Po qajme gjithe klasa e tij, gjithe shkolla, gjithe femijet e Shqiperise se nje moshatar i cili e ka emrin L. mbeti jetim, por qe mund te quhej dhe Alban, Skender apo Zaho. Ndjeni gje ju xhaxhi kryeminister? Ne shtator, kur te filloje shkolla L. nuk eshte si të tjerët, bashke me babane i vrane endrrat, i vrane shpresat, i vrane jeten! Ju lutem, beni shtet!

Letër prekëse kryeministrit: Shokut tim 15 vjeçar i vranë babanë përpara syve! Read More »