Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e dekorimit të Shoqatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve, u shpreh se Partia Socialiste është e vetmja parti në vend që i ka mbetur besnik nderimit të Luftës Nacionalçlirimtare, duke theksuar gjithashtu se Lufta Antifashiste e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se sakrificat e sotme, reformat e ndërmarra nga qeveria janë për shqiptarët dhe për brezin e ardhshëm.
“Ky 5 Maj ka një rëndësi të posaçme, sepse është 5 Maji i 75-vjetorit të çlirimit nga pushtuesit nazifashistë dhe dëshiroj t’ju informoj se nën drejtimin e zv/kryeministrit ka nisur puna për të përgatitur të gjithë kornizën e aktiviteteve në nderim të Luftës Antifashiste dhe në kremtim të 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Për ne Lufta Nacionalçlirimtare, ka qenë dhe mbetet një pikë e palëvizshme referimi. Dhe unë jam krenar, ashtu si gjithë ata që i përkasin familjes sonë politike, pasi PS është e vetmja parti e lindur pas rënies së regjimit komunist që asnjëherë nuk është lëkundur në detyrimin atdhetar, kombëtar, për nderimin e Luftës Antifashiste kombëtare”, – tha Kryeministri Rama.
“Nga ana tjetër, dua të nënvizoj shumë qartë se, për mua ka një vijë ndarëse midis Luftës dhe historiografisë pas Luftës. Janë dy gjëra të ndryshme dhe do doja që asnjëherë të mos ngatërronim atë që buron nga gjaku i pastër i dëshmorëve të Luftës Antifashiste, dhe atë që buron nga gjakderdhja e gjakut të pafajshëm të Pasluftës për shkak të një regjimi diktatorial, këto dy gjëra duhet të jenë të ndara dhe këto dy gjëra duhet të qëndrojnë të ndara”, – tha Rama.
“Ne në Luftën Antifashiste ishim në krahun e fituesit, në krahun e triumfuesve të luftës, ndërsa ajo që ndodhi pas Luftës s’mund të themi se ishte në krahun e duhur të historisë. Më vjen shumë mirë që sot jemi këtu për të rikonfirmuar përkatësinë tonë morale, shpirtërore, por dhe politike, të gjithë atë frymëzim që çoi në luftë një rini të tërë, dhe një popull të tërë dhe për të vlerësuar jo me fjalë të bukura, por me përpjekje dhe me vullnetin për të kaluar vështirësi të panumërta, amanetin e dëshmorëve të Luftës”, – tha Rama.
“Është pak, por e sigurtë se vlerësimi dhe shpërblimi për ata që janë më të moshuar, për brezin e tretë, për ata që kanë dhënë gjithçka kanë mundur dhe kanë marrë pas, shumë më pak se çfarë kanë merituar, përballet me kufirin e mundësive objektive. Nga krahu tjetër, besoj se e lexoj si duhet amanetin e dëshmorëve të Luftës, se misioni ynë është që një tjetër gjeneratë e lindur pas rënies së regjimit komunist të mos paguajë çmimin e moskryerjes së detyrave nga ana e qeverive”, – tha Rama.
“Do të kishim sot një situatë të ndryshme për atë gjeneratë, në rast se qeveritë e mëparshme do ti kishin bërë siç duhet detyrat dhe s’do i kishin bishnuar përgjegjësitë dhe s’do kishin vënë interesin politik dhe jetëgjatësinë në karrige mbi interesin kombëtar për ti siguruar një të ardhme të drejtë fëmijëve. Të sakrifikosh sot, do të thotë të mendosh për ata që sot janë fare të vegjël. Të mos trajtosh sot atë tërësinë e mundësisë që ke si një moment për të jetuar në kurrizin e fëmijëve, do të thotë ti japësh fëmijëve më shumë nesër”, – tha Kryeministri.
Gjatë takimit me veteranët, Rama u ndal edhe te rrogat dhe pensionet.
“Ne, – shtoi Rama, – jemi të vetëdijshëm që pensionet janë të ulëta. Patjetër që jemi të vetëdijshëm që dhe rrogat nuk janë ato që do donim të ishin dhe që njerëzit do duhet të kishin, por ka një zgjedhje të qartë dhe jo të lehtë për të bërë, midis marrjes borxh të së ardhmes për të jetuar pak më mirë në të tashmen, duke ua faturuar fëmijëve të gjitha kusuret apo marrjes përsipër të një sakrifice më shumë sot, për të mos i lënë fëmijëve faturat nesër. Kjo është e gjitha. Nga ana tjetër, unë besoj se mund të flasim për amanetin e Luftës dhe dëshmorëve të Luftës, më shumë duke lexuar faktet dhe duke vlerësuar përpjekjet e bëra në një proces të vështirë transformimesh dhe në një proces të dhunshëm reformash me syrin tek e ardhmja”.
Sipas Kryeministrit, reformat e ndërmarra nga qeveria e tij nuk kanë qenë aspak të lehta, por kanë hedhur themelet bazë për një Shqipëri ndryshe.
“Reformat që kemi ndërmarrë nuk kanë qenë aspak të lehta, ato nuk i sjellin frytet e tyre menjëherë, por jam i sigurt se kanë hedhur bazën mbi të cilën një Shqipëri ndryshe po ndërtohet ditë pas dite, pavarësisht të gjitha pakënaqësive legjitime për të pasur më shumë sot, dhe pavarësisht të gjithë baltës dhe ziftit që hidhet çdo ditë”, – tha Rama.
Sa i takon çështjes së Mid’hat Frashërit, Rama tha se do e bënte njëlloj ceremoninë edhe sot.
“Unë do ta bëja njësoj ceremoninë për Mid’hat Frashërin, njësoj. Jo se kam ndonjë dilemë me kufirin që ndan qartësisht patriotët me bashkëpunëtorët e nazizmit. Unë s’i besoj historisë së shkruar nga fitimtarët, por i besoj tejkalimit të kësaj historie, duke mos lejuar atë që me të drejtë u tha këtu që, në emër të studimeve të krimeve e komunizmit të cenohet cilido që mori armën, që mori armët për të luftuar fashistët dhe nazistët në Luftën Nacionalçlirimtare. Në këtë aspekt qëndrimi im është i palëkundur. Çfarë ka ndodhur deri më 29 Nëntor 1944 s’mund të jetë objekt i Institutit që paguhet nga taksat e shqiptarëve, por çfarë ndodhi pas, ka qenë objekt i këtij instituti në raport me dobinë apo dëmin e shkaktuar nga ky institut”, – tha Rama. “Më lejoni t’ju them vetëm një gjë. Nuk e vlerësojmë Luftën dhe gjakun e dëshmorëve, nëse i hyjmë në hak dikujt që ka qenë në pozicion tjetër, por ka pasur të njëjtin mision kundër okupatorit”, – theksoi Rama./atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2070849619874050/?t=0