Qyteti, që për 40 vjet me radhë ëmbëlsoi Shqipërinë
Maliqi, qyteti i ngritur në vitet e socializmit, ka historinë më interesante dhe më komplekse krahasuar me qytetet e tjerë të vegjël industrialë që u krijuan në atë kohë. Ai u ndërtua në një vend ku më parë ishte këneta mijëra hektarëshe, që u tha në pjesën më të madhe me punën e papaguar të vullnetarëve të ardhur nga e gjithë Shqipëria, por edhe të gati 3000 të burgosurve, të cilët kanë bërë aty një punë sizifiane. Të paushqyer, të lodhur, të sëmurë, të shkatërruar nga lagështia, ata u kthyen në “skllevër” të kohëve moderne. Por nuk mjaftonte kjo, mbi këta njerëz binte edhe shpata e luftës së klasave, e cila nuk kursente as intelektualët më në zë të kohës, si Mitrush Kutelin, At Zef Pllumin, Arshi Pipën me shokë. Kishte nga ata intelektualë që e paguan edhe me jetën e tyre. Në nëntorin e 1946, në Tiranë u zhvillua gjyqi më i bujshëm i kohës, i ashtuquajtur “grupi i sabotatorëve të kënetës së Maliqit”. Procesi, që transmetohej me altoparlant publikisht, u zhvillua në kinema “Nacional”, në atë që më pas do të merrte emrin “17 nëntori”. Pas dhjetë ditësh u dha vendimi: Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, përkatësisht 35 dhe 30 vjeç, kryeinxhinieri dhe drejtori i kantierit të kënetës së Maliqit, me varje; Andrea Mano, Zyraka Mano, Eugenio Scaturo, Mirush Përmeti u pushkatuan, tetë të tjerë u dënuan me burgime të rënda. Lidhur me këtë ngjarje apo jo, në Maliq në atë kohë janë pushkatuar 63 veta. Është i vetmi qytet në Shqipëri që është ndërtuar jo vetëm me djersë, por edhe me gjak.
…Megjithatë, u bë një punë e jashtëzakonshme
Këneta u tha dhe u krijuan fusha të pamata, ndërsa në një kënd të saj filloi të merrte jetë një qytet i ri. Ky qytet u krijua pikërisht atje ku gërmimet arkeologjike kanë zbuluar një qytetërim të lashtë, periudhën e paleolitit të hershëm, i vetmi vendbanim i kësaj periudhe në Shqipëri. Nga gërmimet arkeologjike atu janë gjetur ndërtesat palafite (ndërtesa me drurë mbi ujë) si dhe shumë sende të rëndësishme me vlerë arkeologjike. Dy pika të tjera arkeologjike pranë tij janë dy kodrat e Gradishtës si dhe të Hijes së Korbit, të cilat në lashtësi kanë qenë dy qytet të hershme në mbretëritë e para ilire.
Pas bonifikimit Maliqi u popullua nga banorë të krahinave përreth si dhe nga shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Menjëherë pas bonifikimit u nis ndërtimi i Kombinatit të Sheqerit, një vepër madhore për ekonominë e Shqipërisë, një kombinat i cili ishte ndër më të mëdhenjtë në gjithë Gadishullin e Ballkanit. Kështu nga mesi i viteve ’50 u vendos në punë kombinati i sheqerit që punësoi më shumë se gjysmën e popullsisë së asaj kohe. Kombinati i sheqerit në Maliq ishte ndërmarrja e parë e madhe e ish-industrisë ushqimore shqiptare dhe një nga veprat e mëdha të planit të parë 5-vjeçar, që përfundoi në vitin 1951. Më 1960 u bë rikonstruksioni i parë duke rritur aftësinë prodhuese të sheqerit 30%, atë të tharjes së bërsive 50% dhe të TEC 50%. Njëkohësisht u ngritën fabrika e alkoolit, ajo e majasë së bukës dhe e gazit karbonik ushqimor. Më 1967 Kombinatit të Sheqerit iu shtua edhe fabrika e nishestesë dhe e glukozës. Më 1979 u bë përsëri një rikonstruksion i fabrikës së sheqerit, duke rritur aftësinë përpunuese ditore 3,7 herë në krahasim me atë të vitin 1951.
Maliqi i sotëm
Pas viteve 1990, kur forca të caktuara politike nxorën teorinë e “çekut të bardhë”, se gjoja do të na ndihmonte bota dhe s’ishte nevoja të prodhonim në vend, fabrikat e Maliqit u shkatërruan. Nga të gjitha këto tashmë funksionon vetëm prodhimi i niseshtesë, kurse pjesën tjetër të tij që pas viteve ’90 e gërryen korrozioni dhe ndryshku. Mbyllja e kombinatit, që sot duket si një vepër e pastër politike, do të thoshte që fshatarët të mos kishin më lëndën e parë, punëtorët punën dhe Shqipëria sheqerin. Fundi i kombinatit ishte fundi i Maliqit. Jeta e qytetit është e vakët, janë shkatërruar objektet social-kulturore që i jepnin gjallëri. Maliqi i sotëm është një grumbull banesash pa arkitekturë dhe i zbehur përherë e më shumë nga ajo që përfaqësonte dikur. Kombinati i Sheqerit, simboli i qytetit, është kthyer në një grumbull gërmadhash dhe simbol të papunësisë së qytetit… Kronika e këtij qyteti është nga më të zbërdhylurat në këtë vend. Thua se ka ndonjë protestë, kur aty nga ora 10 e mëngjesit personazhe që sorollaten pa kuptim baresin tutje e tëhu në bulevardin e vetëm të qytetit. Ngado të hedhësh sytë sheh rrangullina, edhe pallatet e stilit të vjetër, më shumë të stilit sovjetik, janë kthyer në rrangullina, tullat janë ngrënë nga era dhe shiu. Qyteti e ka të rrënjosur shumë të shkuarën, ndërsa për të ardhmen askush nuk flet. Dhe njerëzit në Maliq kanë të drejtë që të jetojnë me të shkuarën, sepse aty janë pikat e tyre të referimit, ndërsa e ardhmja për ta duket se është larg, shumë larg. Me pak fjalë, qyteti i Kombinatit të Sheqerit që ëmbëlsonte shqiptarët në kohën e hidhur të diktaturës, sot është thjesht një hidhësi e botës së çuditshme shqiptare. Si rezultat i kujdesit të pakët dhe mungesës së investimeve, jo vetëm qyteti, por edhe fusha është shkatërruar. Përmbytjet e para dy viteve dëshmuan se kjo zonë kërkon investime të fuqishme, ndryshe është e destinuar të kthehet në origjinë, në kënetë, siç ka qenë dikur.
Qyteti kur ishte qytet
Maliqi është një qytet në juglindje të Shqipërisë në Qarkun e Korçës me rreth 6000 mijë banorë. Ndodhet 13 km larg qytetit Korçës. Zanafillën e krijimit ky qytet e ka në nëntor të vitit 1951, kur u inaugurua edhe fabrika e sheqerit, që mori emrin “8 Nëntori”. Me kalimin e viteve ai mori formë e zhvillim. Krahas fabrikës së sheqerit dhe aksesorëve të saj për prodhimin niseshtesë, alkoolit dhe bërsive të panxharit për bujqësinë, u ndërtuan ndërmarrje shërbimesh, tregtare dhe komunale; u ndërtua shkolla e mesme, qendra shëndetësore, kinoklubi, shtëpia e kulturës, estrada dhe teatri amator, klubi sportiv etj. Duhet thënë se Maliqi ka nxjerrë shumë talente në art dhe në sport.
“Fshati rrethon qytetin”
Nuk ka të bëjë me konceptin filozofik kinez, por realisht dhe figurativisht Maliqi rrethohet nga shumë fshatra, që, dikur, në monizëm, përbënte një fshat të bashkuar me qendër në qytetin e Maliqit, ku bënin pjesë: Bicka, Goca, Gjyrasi, Kolaneci, Kloca, Liboniku, Pocesta, Plevisht-Bosi, Vloçishti, Vashtmia dhe Symizi me një popullsi më të madhe se Maliqi, prej 10 000 banorësh. Pas tharjes së kënetës së Maliqit këtu u ngritën dy ndërmarrje bujqësore, ndërmarrja “8 Nëntori” dhe ndërmarrja e rritjes së gjedhit. Sot në këto fshatra janë ngritur ferma me të gjitha llojet e prodhimit bujqësor. Banorët e këtyre fshatrave jo vetëm që janë shumë punëtorë, por janë edhe ambiciozë drejt të resë, civilizimit. Shtëpitë e tyre ndrijnë nga pastërtia. Bollëku i tyre duket jo vetëm në tavolinat e ngrënies, por edhe në oborret dhe kasollet e mbushura plot.
Nga këneta në kënetë
Të 1250 hektarët e fituara nga tharja e kënetës së Maliqit, çdo vit në kohë reshjesh të mëdha, kthehen përsëri si dikur, në kënetë, Uji mbulon sipërfaqe të konsiderueshme tokash të mbjella duke sjellë dëme për të gjithë fermerët. Ra të mbjella me grurë apo të bëra gati për kulturat e tjera mbulohen me ujë dhe lirohen vonë në pranverë, kur e bën të pamundur mbjelljen e kulturave bujqësore. Nga katër hidrovorë, asnjë nuk punon. Çdo vit për shkak të reshjeve të shumta, lumi i Devollit çan argjinaturat dhe përmbyt një sipërfaqe toke prej 5000 ha në Fushën e Maliqit. Kjo dukuri e përsëritur ka pasur si shkak mos thellimin e mjaftueshëm të shtratit të lumit Devoll në kohën e bonifikimit të Kënetës së Maliqit.
Shpresë…
Gjiganti i dikurshëm i prodhimit të sheqerit në Maliq, pas mëse 22 vitesh në heshtje duket se do t’i rikthehet punës. Falë një projekti polak për ndërtimin e një fabrike të re sheqeri, me kapacitet 80 mijë tonë sheqer në vit, është ndezur drita jeshile për kombinatin, i braktisur prej vitesh. Financimi kap vlerën e 50 milionë eurove dhe afati i ndërtimit arrin në 18 muaj. Ndërsa me rikthimin e fabrikës punësohen rreth 20 mijë punëtorë në fushën e Korçës dhe në qytetin e Maliqit. Aktualisht qyteti i Maliqit shënon shifra rekord papunësie dhe vështirësish ekonomike dhe rikthimi i një potenciali të tillë do të përbënte një zgjidhje për shumë familje. Lajmi i mësipërm ka ngjallur shpresë e gëzim tek banorët e qytetit, të cilët presin me padurim realizimin e projektit.
At Zef Pllumi
Guri i fundit, një rreng me bisht
Fragment nga libri ”Rrno vetëm për me tregue”
“Më kishin mbetë pak muej për me krye dënimin, por ishem mërzitë aq shumë se dyshojshem a mund ia mbrrijë asaj ditës së lirimit. M’erdh ndër mend me ba nji lojë. Kishem vu re se ata ushtarakët që ishin të ngarkuem me mbajtë regjistrat e evidencat ishin aq injorantë sa nuk dijshin me dallue muejt: Dhetorin prej të dhetëtit (Tetorit). Ishte si rregull që dy muej para se të vinte dita e lirimit duhej me i ba nji kërkesë komandës së burgut ku ishe efektiv. Un ia bana nji kërkesë Burgut të Shkodrës, tue i thanë që më 14 të dhetëtit plotsoj dënimin e duhej të më lironin, pamëvarsisht se un e kishem më 14 Dhetor. Ia lexova kërkesën At Donatit e At Aleksit. Ata më bërtitën të dy. Më thanë aman mos ban marrina se të mbysin. Por un e bana marrinë. E nisa letrën. Pritshem ndonji përgjigje. E kotë. Mërzia më shtohej përditë. E si mos me u shtue? Nuk mund shifshem ma keq. Puna ishte randue aq shumë: trajtimi i Komandës nuk bahej ma i egër; njerzit ishin shterrë fuqish: Çadrat e Vdekjes ishin dhetëfishue; kapanonet plot me njerz të smundë. Nji pjesë e madhe ishin ajë kambësh e mucatë fëtyret. Ashtu zharg i nxirshin në punë. Çdo mëngjes ishte nji terror i tërbuem. E vërtetë që thohej se mbas dënimit të Koçi Xoxes ishte ndalue shkopi e rrahja, por qe se, për sherr, kishte teprue aty ndonji bisht lopatet që duhej provue a thue mund thehej për shpinë të njeriut. Pisllëku, mizerja, mizat, morrat, era e qelbte e kënetës, uji i ngjelmët e i amshtë, bile me krymba, bukën po nuk e hangre sa ta merrshe në dorë, ishte rrezik se ta vjedhshin natën e ditën. Kishin mbarue ato takimet e bisedat grupe-grupe. Të merrte malli me e pa nji mikun tand e nuk dijshe ku me e gjetë. Nji ditë, nji djalë i ri po më thonte: -E din ti kanalin e Dunavecit? -Po si nuk e dij? Aty rash un dëshmor. -Uu, me të vërtetë ti nuk ndigjove me punue aty, na u zhgatrruem fare. Sa të marrë që u treguem: këta janë babai i rrenës. Aty pra afër Dunavecit asht Vloçishti. Në vjetin që shkoi kam punue atje. Ishte kampi ma i tmerrshmi që mund mendohet. Sa vetë kanë vdekë ndër tortura të punës. E kam pa me sy të mij priftin katolik, Papa Josif Papamihalin kur e kanë mbulue për së gjalli me llucë aty në mes të kanalit. Shumkush u dëshprue e nuk mundi ta durojë ma gjatë vdekjen. Shokët e mij para se me fjetë vijshin me u falë, me marrë hallallin e thojshin: „U pafshim n’atë jetë!“ e u hidhshin te telat e rrethimit për me u pushkatue. Por, edhe ky kamp po vjen tue marrë pamjen e tij: pak gja ndryshon. Drue se edhe këtu për së shpejti do të filloje hudhja ndër tela. Jeta nuk durohet ma në kët mënyrë.
E pashë se ishte dishprue. U mundova t’i jap zemër. Po çka t’i jap: un ishem keq për vedi, vetëm shpresojshem se po më vjen ndonji përgjegjë. Përgjegje nuk erdh. At Donati kishte mbrrijtë aq keq sa mezi mbahej në kambë. I bani nji letër Mehmet Shehut, i cili kishte marrë Ministrinë e Brendshme në dorë, ku i kërkonte me e transferue për në Burrel. -Si, – i thashë un, – për në Burrel?! Po a din që atje thonë se asht e shkrueme: Burrel, ky hynë e nuk del!
Më thanë se për atje ashtu thohet, ndërsa ketu nuk asht shkrue gja, por desin përditë ma shumë se atje. Mbas disa kohe Mehmet Shehu ia pranoi lutjen.
Por mue nuk më erdh nga Shkodra kurrnji përgjigje. Atëherë hodha gurin e fundit. Me nji letër lajmova se më dt.14 të dhetëtit kishem ditën e lirimit.”
Maliqi-Turizëm…
Po. Edhe Maliqi ka resurse të mrekullueshme turistike. Në radhë të parë, aty janë njerëzit shumë të dashur dhe miqësorë, që, siç thotë fjala e popullit, “s’të lënë të biesh mbërdhe”. Si kudo, edhe aty, gjen hotele dhe lokale luksi me një gatim të shkëlqyer të kuzhinës tradicionale. Akcenti i të folurës së banorëve të këtij qyteti, si edhe ai Korçës, është disi përkëdhelës dhe ke qejf kur e dëgjon. Ai ngjan si muzikë, dhe kur e flasin pleqtë, të duken10 vjet më të rinj.
Gjatë qëndrimit në Maliq ju mund të vizitoni qytetin, ndërtesat e të cilit do t’u çojnë mbrapa në histori. Ato janë të gjitha të stilit të vjetër socialist, madje edhe më tej, të stilit sovjetik dhe bullgar. Pasi bashkë me fabrikën ata ndërtuan edhe qytetin. Megjithëse tregohen strikt dhe të ngurtësuar, por një vizitë në mjediset e fabrikës së sheqerit, të bërsive dhe të TEC-it, do të qe një mrekulli, që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa. Aty mes ndryshkut dhe togjeve të hekurave do të shohësh punën kolosale që është bërë në këtë fabrikë, por edhe dëmin e madh të pakthyeshëm të forcave rebele pas viteve ’90.
Kur të shkoni në Maliq, mos rrini pa u kthyer në një nga fshatrat rreth tij, s’ka rëndësi se ku, të gjithë janë njësoj. Në të gjitha shtëpitë do të gjeni një mikpritje që vetëm korçarët dhe devollinjtë dinë ta bëjnë. Do të kënaqeni me mjediset e shtëpive, të avllive, çezmave dhe selishtave. Banorët e këtyre anëve janë nga më punëtorët në Shqipëri. Ata ndoshta nuk e dinë konceptin “turizmi i gjelbër” (fshatar). Po shkoni dhe s’keni për të ndjerë të ngopur së sodituri fermat e tyre bujqësore dhe blegtorale të organizuara mjeshtërisht me prodhime të çdo lloji.
Po ushqimi? Dardha dhe Voskopoja kanë namin, por atë kuzhinë do ta gjesh dhjetëfish më të mirë edhe këtu në Libonik, Pocestë, Vloçisht, Vashtmi, Symiz, Vreshtaz etj.
Dhe, me që vini deri këtu, mos harroni të pini një kafe në Vreshtas. Pas kësaj kafeje çapituni edhe pak më tej, në Sheqeras, vendi që ka mbushur hartat meteorologjike të botës, si vendi më i ftohtë në Shqipëri. Në këtë fshat është regjistruar temperatura më e ulët në të gjithë Shqipërinë, -25.8°C në vitin 1963.
Qyteti, që për 40 vjet me radhë ëmbëlsoi Shqipërinë Read More »