Debat

Zbardhet sherri brenda maxhorancës – Grupi i PS votë kundër, Majko përplas karrigen, ikën nga…

Zbardhen debatet.

Seanca plenare e Kuvendit ka zgjatur dje për rreth 2 orë, thuajse po aq sa zgjati protesta e opozitës, e cila bllokoi akset rrugore në gjithë vendin. Por në mungesë të pakicës në Parlament, deputetët e maxhorancës janë përplasur me njëri-tjetrin gjatë procesit të votimit.

Incidenti kryesor u shënua dje gjatë votimit të projektligjit për “Diasporën”. Shkak është bërë një amendament që ministri për Diasporën kërkonte të përfshinte në projektligj, por duke e futur në procedurë në emër të deputetit socialist Andor Shameti.

Por ky propozim u refuzua nga kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, e cila u mbështet dhe nga kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla. Deputeti propozues Shameti nuk e lexoi propozimin, gjë që la të kuptohej se nuk e dinte se çfarë ishte propozuar. Ndërkohë që Taulant Balla tha se amendamenti ishte propozuar jashtë afateve.

Ajo që acaroi më shumë Pandeli Majkon, ishte e qeshura e Edi Ramës dhe fakti se ai nxori kartonin e abstenimit kur propozimi u rrëzua. Në mënyrë demonstrative, Pandeli Majko mori letrat që kishte në tavolinë dhe përplasi karrigen, duke u larguar nga votimi. Ndërkohë që Gramoz Ruçi është acaruar me deputetin e PS-së, Ervin Bushati, të cilit i ka kërkuar të bëjë autokritikë dhe të mos sjellë materiale me lapsuse në Parlament.

Bushati tentoi të korrigjojë një gabim gjuhësor në projektligjin për statistikat, po mori vërejtje nga Ruçi. “Atëherë bëni autokritikë dhe na i sillni materialet pa lapsuse”, tha Ruçi. Ndërkohë, gjatë votimit të Kodit të Sjelljes, Gramoz Ruçi është përplasur me Bashkim Finon, i cili votoi abstenim.

DEBATI NË KUVEND

Pandeli Majko:Dua të falënderoj Komisionin e Politikës së Jashtme për punën e bërë, do flasë zoti Adnor dhe për të shprehur opinionin tim lidhur me projektligjin, besoj është bërë një punë e përbashkët shumë e mirë. Do të ketë disa ndryshime të vogla, të cilat do të jenë të karakterit teknik dhe mendoj se ato do t’i propozojë zoti Adnori. Dua të falënderoj Komisionin e Jashtëm për propozimet shumë të frytshme…

Adnor Shameti: Ky projektligj ka për qëllim të mbështesë Diasporën ku jeton dhe ku punon. Të mbrojë të drejtën e anëtarëve të saj për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditat e vendit të origjinës që është Shqipëria. Ky projektligj është në përputhje të plotë me programin politik të Këshillit të Ministrave, ku çështja e shqiptarëve në botë zë një vend të mëvetësishëm në kuadër të orientimit politik, në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë, integrimin europian të shqiptarëve në botë. (Nis miratimi nen për nen i projektligjit për “Diasporën”)

Gramoz Ruçi:Shtohet një nen i ri me riformulim të ri…

Mimi Kodheli: Zoti kryetar, cili nen është shtuar?

Gramoz Ruçi: Neni 23. Një amendament nga Adnor Shameti, propozohet shtim neni i titulluar “Komiteti shtetëror për diasporën”. Do shpreheni zoti Adnor?

Adnor Shameti: Sipas raportit, zoti kryetar dhe sipas variantit të paraqitur deputetëve. Mimi Kodheli: Nuk është sipas raportit. Në raport neni nuk ka një shtesë të nenit 24, lidhur me “Komitetin shtetëror për Diasporën”. Unë mendoj që ky komitet i krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave funksionon si organ këshillimor dhe nuk duhet të jetë pjesë e ligjit. Sepse ndërkohë funksionon si i tillë me VKM. Nuk është diskutuar në komision, ndaj mendoj që nuk duhet të futet.

Pandeli Majko: Unë e përkrah amendamentin e relatorit. Mendoj që bëhet fjalë për Komitetin Shtetëror të Diasporës që drejtohet nga Kryeministri. Dhe është, sipas nenit 3, pjesë lista e institucioneve dhe çdo institucion kërkon një nen të vetin për t’u shpjeguar dhe kjo që ka sjellë relatori është thjesht një rregullim juridik i renditjes së neneve dhe shpjegimit të institucioneve. Komiteti Shtetëror është institucion, sipas nenit 3 dhe nuk besoj se sjell ndonjë dëmtim të relacionit në gjithë logjikën e vet. Unë propozoj që Komiteti të mos ketë renditjen e të gjithë ministrive, vetëm të thuhet Komiteti është organ konsultativ i Këshillit të Ministrave në fushën e Diasporës. Të shprehemi me nen të posaçëm për Komitetin Shtetëror që drejtohet nga Kryeministri.

Taulant Balla:Në aspektin procedural, nuk e keni sjellë në kohë amendamentin, që të jemi korrekt me vendimin e komisionit.

(Edi Rama qesh më të madhe)

Taulant Balla: Kryetar, mbështetim propozimin e kryetarit të Komisionit të Jashtëm. Erjon Braçe: Kryeministri ka edhe më shumë kompetenca tani…

Mimi Kodheli:Jam dakord me propozimin e kryetarit të Grupit.

Gramoz Ruçi: Hidhet në votim pro, kundër, abstenim, amendamenti i paraqitur nga zoti Shameti..,

(Grupi i PS përçahet, Balla nxjerr kartonin e kuq. Disa deputetë nxjerrin kartonët jeshilë. Kurse Edi Rama abstenon)

Pandeli Majko: Kjo është pa kuptim… (Çohet dhe përplas karrigen. Largohet nga votimi)

Gramoz Ruçi: Nuk fiton… Neni tjetër, zoti Shameti, do shpreheni? Jo. Hidhet në votim.

Taulant Balla: Shtype o Niko… Niko…

(Projektligji për statistikat)

Ervin Bushati:Neni 17 në fund të pikës tre, në raportin e komisionit të shtohen fjalët “si dhe kryen dhe gjykon të arsyeshëm auditimin statistikor te prodhuesit e statistikave zyrtare”.

Gramoz Ruçi:Ministri i Financave ka vërejtje?

Erjon Braçe:S’ka lidhje ministri i Financave këtu.

Ervin Bushati: Në nenin 21, që është ndryshuar, kemi një redaktim gjuhësor, fjala “garanton” zëvendësohet me fjalën “vlerëson”.

Gramoz Ruçi: Zotëri, propozimet i keni përpara. Keni vërejtje për atë që keni bërë? Atëherë bëni autokritikë dhe na i sillni materialet pa lapsuse. Kush është dakord me lapsusin e komisionit. Miratohet.

(Votimi i Kodit të Sjelljes. Bashkim Fino voton abstenim)

Gramoz Ruçi: Hapet votimi me elektronikë për kodin e sjelljes. Zoti Fino, mos e keni ngatërruar?

Bashkim Fino: Jo s’e kam ngatërruar, kam qëndrimin tim. Si e kam ngatërruar, mos provoko.

Gramoz Ruçi:Nuk të provokova ty, mund të votosh si të duash i dashur.

Bashkim Fino: E kam shprehur mendimin tim. Pse më pyet vetëm mua.

Gramoz Ruçi: Më fal që të pyeta. 74 pro, asnjë kundër, 1 abstenim.

VOTIMET

Raportimi në Kuvend i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale për veprimtarinë e vitit 2017  – 75 vota pro

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9867, datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar- 75 vota pro

Projektligji “Për diasporën”- 74 pro, 1 kundër

Projektligji “Për statistikat zyrtare”- 75 Pro

Projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”- 75 pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg VB Mesdhe (MED), 2014-2020”- 75 pro

Projektvendimi “Për një ndryshim në strukturën e Autoritetit të Konkurencës”- 75 pro

Projektvendim “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”- Robert Gajda 72 pro, 2 kundwr 1 abstenim

Për votim: Projektvendim “Për miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve”- 75 pro.

Zbardhet sherri brenda maxhorancës – Grupi i PS votë kundër, Majko përplas karrigen, ikën nga… Read More »

Plas sherri brenda qeverisë, Pandeli Majko përplas karrigen dhe largohet nga salla pasi…

Në një kohë kur mungonte opozita, pritej një seancë e qetë parlamentare, por ka plasur sherri brenda vetë mazhorancës. Debati brenda qeverisë ka nisur gjatë procesit të votimit të ligjit për diasporën.

Shkak është bërë një amendament i bërë nga Adnor Shameti për rregullimin e një neni dhe që u mbështet nga ministri i Diasporës, Pandeli Majko, por që ka hasur në kundërshtimet e grupit parlamentar.

Fillimisht Mimi Kodheli e më pas Taulant Balla kanë kundërshtuar amendamentin me argumentin se nuk kishte ardhur në kohë, duke kërkuar që të rrëzohet. Në votim 74 vota kanë qenë pro ligjit të ardhur nga qeveria dhe 1 votë kundër.

Rrëzimi i amendamentit ka nxehur ministrin Majko, i cili, siç raporton e gazetari i Panorama në Kuvend, Fation Binjaku, ka përplasur karrigen dhe është larguar nga Kuvendi.

VOTIMET

Raportimi në Kuvend i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale për veprimtarinë e vitit 2017  – 75 vota pro

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9867, datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar- 75 vota pro

Projektligji “Për diasporën”- 74 pro, 1 kundër

Projektligji “Për statistikat zyrtare”- 75 pro

Projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”- 75 pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg VB Mesdhe (MED), 2014-2020”- 75 pro

Projektvendimi “Për një ndryshim në strukturën e Autoritetit të Konkurencës”- 75 pro

Projektvendim “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”- Robert Gajda 72 pro, 2 kundër 1 abstenim

Për votim: Projektvendim “Për miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve”- 75 pro

Plas sherri brenda qeverisë, Pandeli Majko përplas karrigen dhe largohet nga salla pasi… Read More »

Plas në LSI/ Deputeti i del kundër Monika Kryemadhit, injoron vendimin e saj me Bashën: Ai s’është kryetari im

Qendrim surprizë ky i deputetit të LSI Robert Bitri i cili ka dalë kundër vendimit unanim që Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI mori me Lulzim Bashën, kreun e PD në mbledhjen e djeshme

Bitri ka deklaruar se nuk është dakord për mosbindje civile dhe se Basha nuk është kryetari i tij ndaj nuk ka pse ndjek të njëjtën linjë me të.

Kujtojmë se para pak minutash është mbledhur Komisioni i Ekonomisë. PD e ka bojkotuar, ndërsa LSI ka marrë pjesë.

Sakaq, deputetë të PS kanë dënuar vendimin e opozitës për modbindje civile.
Ermonela Felaj e ka cilësuar thirrjen për mosbindje “një thirrje banale” e lidhur me interesa e qëllime personale.

Plas në LSI/ Deputeti i del kundër Monika Kryemadhit, injoron vendimin e saj me Bashën: Ai s’është kryetari im Read More »

Ramush Haradinaj merr guximin dhe iu përgjigjet kërcënimve të Erdoganit: Mos u merr me punët tona!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më në fund i është kundërpërgjigjur presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas akuzave që mori nga udhëheqësi turk, për reagimin e tij rreth dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi.

“Jazëk të qoftë kryeministri i Republikës së Kosovës që shkarkove ministrin e Brendshëm dhe shefin e shërbimeve sekrete të Kosovës. Ndërkohë dua të falënderoj shumë presidentin e Kosovës, i cili ishte një bashkëpunëtor shumë i mirë. Po të duam ta rrëzojmë qeverinë dhe ke për ta pësuar me këtë që ke bërë. Në Kosovë do të bëjmë operacione të tjera të ngjashme me ndihmën e presidentit të Kosovës”, tha Erdogan.

Megjithatë, Haradinaj nuk e ka përmendur asnjëherë me emër presidentin turk, dhe as rastin e dëbimit të turqve, të cilët në Turqi akuzohen për terrorizëm, teksa i është kundërpërgjigjur Erdoganit.

Shefi i ekzekutivit të vendit i ka thënë Erdoganit se nuk do ta lejojë të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.

Haradinaj ka thënë se shqiptarët nuk e kanë në traditë të ndërhyjnë në punët e shtëpisë të dikujt tjetër.

“Kosova dhe unë asnjëherë s’kam ndërhyrë në punët e brendshme të Turqisë. As në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen. Punët tona të shtëpisë s’do të mundet kush t’i bëjë në emrin tonë në Kosovë. Do t’i bëjmë ne, kur t’i bëjmë ne. Këtë le ta dinë të gjithë”, është shprehur kryeministri kosovar.

Ramush Haradinaj merr guximin dhe iu përgjigjet kërcënimve të Erdoganit: Mos u merr me punët tona! Read More »

Fiset e shquara himarjote që mërguan në Itali dhe Greqi

Prof. Rami MEMUSHAJ

Gjatë shekujve të pushtimit otoman, në Labëri ka pasur lëvizje të shumta të popullsisë. Nga kjo krahinë ka pasur largime drejt Greqisë edhe para shek.

XV, por lëvizjet më të mëdha për Greqi dhe Itali kanë ndodhur gjatë shek. XV–XVI, për t’u shpëtuar raprezaljeve që pasuan vdekjen e Skënderbeut dhe shtypjen e kryengritjeve të fuqishme të viteve 1492 e 1537.

Nga emigrimet e dokumentuara, vala e parë është më 1442, një tjetër më 1448, pastaj më 1482, më 1492 dhe më 1537. Ikje të tjera ka pasur edhe gjatë periudhës 1628–1740 nga epidemitë e murtajës dhe të kolerës që prekën krahinën. Ndër të ikurit, kanë qenë qindra e qindra familje të fshatrave të Bregut. Në Greqi, shumica e tyre u vendosën në Peloponez, ku shqiptarët qenë vendosur që në kohën e perandorit bizantin Andronikut.

Arbërori Krokondil Klada, prijës i krahinës së Manit në Peloponez, që u bashkua me ekspeditën e Gjon Kastriotit më 1481, e kishte farefisin në Himarë. Ndër arbërorët e Greqisë, prej Himare kanë qenë Xhavellat;

Kollokotroni e ka prejardhjen nga familja Kotroni e Vunoit, e mërguar qysh herët në Greqi; kurse artistja e njohur greke Melina Mërkuri ka pohuar me gojën e vet se e ka prejardhjen nga Piluri, një nga fiset e të cilit janë Mërkurajt.

Edhe më i madh ka qenë numri i familjeve nga fshatrat e Bregut që u shpërngulën në Itali. Prania e tyre në ngulimet arbëreshe dëshmohet nga mbiemrat që gjenden në dokumente historike dhe në regjistrat e lindjeve pranë kishave.

Shkrimtari arbëresh Zef Skiroi është përpjekur në shumë shkrime të zbulojë prejardhjen e banorëve të vendlindjes së tij, Horës së Arbëreshëve në Sicili.

Duke u mbështetur në dokumentin e themelimit të kësaj kolonie më 1488, në të cilin përmenden emrat e katër përfaqësuesve kryesorë të shqiptarëve, Giovani Barbati, Pietro Bua, Giorgio Golemi e Giovanni Schirò, Zef Skiroi arriti në përfundimin se një pjesë e tyre rrjedhin prej Himare.

Përmendja e Pjetër Buas si një nga krerët e themeluesve të Horës do të thotë se ndër banorët e hershëm të saj ka pasur një bërthamë familjesh nga Bregdeti i Sipërm. Lidhur me Pjetër Buan, Skiroi shkruan: “E fuqishme ishte në Akrokeraunet familja Bua, që duhet të ketë pasur si zotërim të vet edhe Gjirokastrën, dhe dihet që në Dhërmi lindi Mërkur Bua, i cili u dallua aq shumë në Itali me stratiotët e tij, në shërbim të mbretit të Francës Françesk I.”

E. Çabej, duke folur për prejardhjen e ngulimeve arbëreshe të Italisë, përmend një varg mbiemrash të arbëreshëve, që në Labëri janë emra vendesh. Nga emrat që u takojnë fshatrave të Himarës së sotme, ai përmend Cudes (Kudhës), Dirmi (Dhërmi) e Pillora (Pilur).

Kurse si emra familjesh të arbëreshëve të cilëve u përgjigjen emra fisesh ose familjesh nga trevat prej Vlore në Prevezë, nga e kanë prejardhjen shumica e arbëreshëve të Italisë, ai përmend Andronico, Bala, Barbaçi, Bellusci, Granà (Vranà), Ghisci, Lucci, Macri, Stamati, Strati, Sciarra, Tanasi, Thani, Zuppa (Zhupa), Basta, Bua, Losha, Muriqi, Spata. Në regjistrat e lindjeve të Horës së Arbëreshëve, të cilat autori i këtij libri ka pasur rastin t’i shfletojë, gjenden mjaft emra familjesh me prejardhje nga kjo trevë.

Që nga viti 1568, në këta regjistra përsëriten shpesh mbiemrat Dirmi, Bua, Pilora/Pillora, pa folur për emra familjesh tipike edhe për këtë trevë, si: Chulla/Ciulla, Lala, Schillirò, Helmi, Cipi, Dimasi, Verza, Maja etj. Kjo do të thotë se familjet nga fshatrat e Bregdetit të Sipërm përbëjnë një element të rëndësishëm të këtij ngulimi. Mbiemrat e disa lëvruesve e dijetarëve arbëreshë tregojnë se këta e kanë prejardhjen nga Bregdeti i Sipërm.

Mbiemri Matrënga i shkrimtarit Lekë Matrënga jeton në Himarë në toponimet Ara e Matrënge, Kisha e Matrënge, Lisi i Matrëngës; mbiemri i humanistit shqiptar Mikel Maruli (1453–1500) në Itali lidhet me familjen Maruli të Himarës, e shuar aty nga çereku i fundit i shek. XIX, emri i së cilës sot ruhet në toponimet Varret e Marulëve, Sheshi i Marulit, Lisi i Marulit; edhe mbiemri Skutarioti që del në Itali, lidhet me Skutará, një fshat i shkatërruar nga tërmeti i vitit 1410, rrëzë malit me të njëjtin emër midis Vunoit e Himarës. Prania e elementit himarjot nga ana e Bregut në kolonitë arbëreshe të Kalabrisë është aq e madhe, sa, duke u nisur nga mbiemrat e familjeve dhe toponimet në veprat e poetit arbëresh Jeronim de Rada, sidomos në poemën “Milosao”, këto kohët e fundit është vënë në dyshim mendimi i gjertanishëm se ngjarjet e kësaj poeme zhvillohen në Shkodër.

Toponime të tilla, si Skutari, stani i Marlules, Mesosporitë, lumi i Vodit, emri Kallogre, mbiemrat Skutarioti (Rina, heroina e poemës, është bija e “Kallogresë së Skutariotëve”) dhe parganiot, që dalin në këtë vepër, gjejnë shpjegim vetëm në truallin e Himarës. Aty kemi toponimet Skutará, Marul, Shën Mëria e Mesosporitës,

lumi i Bellovodit dhe fisin Pagnatatë të Vunoit. Mbi këtë bazë, është formuluar hipoteza se poema “Milosao” “nuk lidhet me qytetin e Shkodrës, por lidhet esencialisht me Himarën”, pra që ngjarjet e kësaj poeme zhvillohen në Himarë dhe personazhet e saj janë himarjotë.

Eksodi i himariotëve edhe brenda viseve të Labërisë

Veç eksodit drejt vendeve fqinje, një pjesë e popullsisë së fshatrave të Bregut u drejtua për shpëtim në viset e brendshme të Labërisë. Në “Historinë e Shqipërisë” thuhet se nga fundi i shek. XV dhe më vonë, “me mijëra fshatarë u shpërngulën nga bregdeti i Himarës dhe u vendosën në malësitë e Kurveleshit”.

Por në Labërinë e brendshme mbahen mend vetëm raste të rralla të ardhurish nga Himara. Kështu, në Gjorm, lagjja Keshej është e ikur nga Vunoi për hasmëri; lagjja Elezaj e ardhur nga Dhërmiu me tufa të mëdha dhish në shek. XVII.

Me prejardhje nga fshatrat e Bregdetit janë Gjovarfët e Tragjasit, Sinovarfët e Kuçit, Lekvarfajt e Borshit, etj. Në krahinën e Vurgut, me prejardhje nga Qeparoi janë familjet Kardhashi, Lilo dhe Theodhori; kurse nga Himara familjet Çavo, Çuka dhe Ziso. Familje me prejardhje nga Himara ka edhe në zonën e Topalltisë së Vlorës, të cilat janë shpërngulur me dhunë nga turqit pas vdekjes së Ali Pashës. Edhe më të mëdha kanë qenë lëvizjet drejt Himarës.

Këto lëvizje masive u takojnë sidomos shekujve XV–XVII, kur varfëria e madhe e kishte bërë të pamundur jetesën e popullsisë që ishte shtuar ndjeshëm dhe që e kishte të vështirë të siguronte jetesën në krahinat malore. Emigrimet e brendshme drejt fshatrave të Bregut u mundësuan nga zbrazja e tyre si rrjedhim i eksodeve të njëpasnjëshme.

Dëshmi të këtyre lëvizjeve gjenden të shpërndara andej-këndej në dokumente, që janë gjithsesi të pakta dhe të paqëmtuara, po më shumë ruhen në kujtesën e banorëve të fshatrave të Himarës.

Nuk kanë qenë vetëm arsyet ekonomike që kanë nxitur lëvizjet nga krahinat e tjera të Shqipërisë drejt Himarës; ajo ka qenë gjithmonë edhe një vend i sigurt për kundërshtarët e pushtuesit.

Për këtë, udhëtari çek Jan Lobkovcasi, që kaloi nga brigjet e Himarës më 1493, shkruan se “në këtë vend gjejnë strehim të gjithë ata që ndiqen prej turqve”. Sipas ndonjë autori, rreth 90% e popullsisë së Himarës janë të ardhur kryesisht nga zona e Kurveleshit, Korçës, Krujës, Dukagjinit e gjetkë.

Hipoteza e prejardhjes, jo vetëm të himarjotëve, por të të gjithë banorëve të Labërisë nga Veriu i Shqipërisë është hedhur gati një shekull më parë. Por kjo hipotezë nuk qëndron, pasi nuk ka asnjë të dhënë për braktisje të plotë të Labërisë gjatë shekujve të pushtimit osman.

Pastaj, edhe në raste zbrazjesh, siç tregon përbërja e të ardhurve të këtyre dhjetë vjetëve të fundit në Himarë, ata që e kanë ripopulluar Bregun e Detit, kanë qenë shqiptarë, kryesisht banorë të Labërisë.

Pohimet për prejardhjen veriore të banorëve të Himarës dhe të Labërisë nisen nga ngjashmëritë në emrat e njerëzve dhe të vendeve, po këto ngjashmëri janë provë e njësisë kombëtare dhe jo rrjedhim i emigrimeve. Kështu, duke nisur me Palasën, pak nga familjet e saj janë të vjetra.

Sipas pleqve të këtij fshati, familjet Billa, Çeço e Petrokokushta janë të ardhur nga veriu, Gjini e Nikdedat nga Dukati; (ndonjë autor këta të fundit i nxjerr me prejardhje nga Mirdita), Sinanajt nga Sinanjt e Lopësit; ndërsa fiset Vera, Petra e Konomi nga Shallona e Greqisë.

Në Dhërmi, lagjja Gjilek mbahet si e ardhur nga Kruja, banorë të së cilës u vendosën këtu fill pas rënies së qytetit në duart e turqve. Me prejardhje nga Kruja është edhe fisi Beja, kurse fisi Ziu nga Kavaja; Vretajt nga Brataj, Lizajt, Çaçëdhimitrët dhe Trekot nga Tërbaçi; Boxhilajt nga Borshi; Tavajt nga Velça; Ninajt nga rrethet e Janinës; kurse Zhupajt farefis me Milajt e Himarës. Sipas të moshuarve të Iljazit, banorët e këtij fshati kanë
zbritur në shek. XVI nga Progonati bashkë me bagëtitë e tyre; kurse Gjomemot janë të ardhur nga fshati i Tërbaçit.

Në Vuno, Kaçupajt janë me prejardhje nga Hundëcova, Gjomemojt nga Tërbaçi, Latajt nga Bolena, Simajt nga Llënga e Mokrës, Zotajt nga Vithkuqi, Koçajt nga Zagoria, Stolajt (Vasilajt) e Mitrushajt nga rrethet e Korçës, Makajt e Dikajt nga Jonufri, Thopajt nga Dukagjini e Gjidedejt nga Kruja. Në qytetin e Himarës mbahen të ardhura këto fara:

Meko nga Nivica e Kurveleshit; Karo, Zhupa, Dhima, Milaj, Gegëgjikaj nga Progonati; Lekaj, Gjikaj, Beleri nga Kuçi; Bollano nga Rexhini i Kurveleshit; Bodinaj nga Piqerasi; Zotaj, Totaj, Mitraj nga Vithkuqi; Çinajt nga Gjirokastra; Gumajt nga Nivica e Kurveleshit; Totajt e Mitrajt nga Vithkuqi. Zhupajt e Himarës kanë pasur deri vonë lidhje me Zhupajt e Progonatit.

Gogoçkatët janë të ardhur nga Progonati; edhe për fisin Milaj dihet se është vendosur në Himarë në shek. XVII, kur filloi islamizimi i Labërisë. Nga kjo familje ka dalë një kolonel i regjimentit napolitan, një gjeneral grek dhe së fundi majori Spiro Milo, i cili, duke shfrytëzuar këto lidhje farefisnie, i bëri thirrje më 1913 Progonatit dhe Kurveleshit për t’u bashkuar me gjithë Himarën në shtetin e “Vorio-Epirit”. Kurse familjet Dhimopulli, Xhaku e Gjikopulli janë me prejardhje arvanite, dy të parat nga Konica dhe e fundit nga Qefallonia. Sipas F. Bixhilit, jo vetëm në Himarë, po edhe në fshatrat e tjera të krahinës nuk ka fise të ardhura nga jugu grek.

Në Qeparo, vetëm mëhalla Peçolat është vendëse, kurse të tjerat të ardhura. Fisi Bragjinaj është nga Tërbaçi, i larguar nga ky fshat aty nga mesi i shek. XVIII për shkak të konfliktit mes banorëve të islamizuar dhe priftit Papa Gjikë Bragjini e vëllezërve e bijve të tij. Papa Gjika me gjithë të vetët u detyruan të largoheshin nga fshati i lindjes dhe të strehoheshin në Qeparo, ku iu dha strehim dhe tokë buke.

Mbahet mend se në vitin ‘40 të shek. XIX, Bragjinët e Tërbaçit kanë ardhur për ngushëllim në Qeparo. Po kështu, familja e Koçajve nga Qeparoi dhe familja e Liftajve nga Kuçi deri në brezin e fillimit të shek. XX ishin kushërinj të katërt dhe shkëmbeheshin në dasma e vdekje me harxhe. Me prejardhje nga Tërbaçi janë edhe fiset Gjikëbitaj e Popanikaj. Fisi Ndregjini e ka prejardhjen nga Velça, fisi Rusha nga Progonati, fisi Ballëguras nga fshati Ballaur i Korçës, Bogdanët nga Zhulati, Mërtokajt nga Kallarati dhe fisi Dhimëgjonas nga fshati Kardhashezë i
Korfuzit.

Prejardhja e Piluriotëve nga Kuveleshi e Devolli
Piluri mbahet si fshat të parët e të cilit janë me prejardhje nga Kallarati i Kurveleshit, ndonëse ka edhe hipoteza për prejardhje më të lashtë të tyre nga Devolli. Emrin e Kudhësit ka autorë që e lidhin me malin e Kudhësit mbi Sevaster, krahina rrëzë të cilit quhet Kudhës-Grehot, prej nga mendohet se janë shpërngulur kudhësjotët para pushtimit osman.

Nga familjet e këtij fshati, Qurkajt janë me prejardhje nga Golemi; kurse Priftajt pasardhës të mësues Zaharisë nga Kuçi, i cili u dorëzua prift, por u detyrua të largohej për shkak se fshati i tij po islamizohej. V. Baraçi në librin “To Dhelvinon” (1937) thotë se varri i tij ka mbishkrimin “Papa Zaharia nga fshati Kuç”.

Në mungesë të dokumentimit, që kurrë nuk mund t’i
ndjekë këto lëvizje, sidomos kur është fjala për shekuj të tërë e për zona që kanë pësuar shumë nga pushtimet,  kujtimi i lidhjeve të prejardhjes si gjithnjë humbet në mjegullën e historisë, duke u kthyer në legjenda, si ato që prejardhjen e popullsisë së Himarës dhe të gjithë Labërisë e nxjerrin me prejardhje nga Kruja, Mirdita e Dukagjini, për të cilat folëm më sipër.

Për sa i përket elementit joshqiptar të Himarës, ky është me prejardhje kryesisht nga krahinat minoritare të Shqipërisë; familje të ardhura në fshatrat e Himarës nga jashtë vendit janë në numër të papërfillshëm.

Në Dhërmi, të tillë janë Averbahët, familje austriake me prejardhje hebreje. Në Qeparo, i ardhur nga Korfuzi është fisi Dhimëgjon, emri i të cilit tregon se kemi të bëjmë me një familje shqiptare të mërguar më herët atje dhe që është kthyer në Shqipëri. Në Himarë, me prejardhje greke janë Trolajt; Stolajt, të ardhur nga Dropulli; Konomajt (jo Konomët), të ardhur nga Sopiku; dhe Zisajt, të ardhur nga Pogoni.

Pra, migrimi i brendshëm i elementit shqiptar vetëm se e ka forcuar karakterin autokton të popullsisë së Himarës, kurse migrimi i elementit autokton nga jashtë dhe nga zonat e minoritetit ka qenë kaq i papërfillshëm në madhësi, sa nuk ka mundur të ndikojë në përbërjen shqiptare të kësaj krahine.

Ky përfundim, i arritur prej nesh pas shqyrtimit të prejardhjes së familjeve të krahinës së Himarës duke u mbështetur në traditën vendëse, mbështetet edhe nga të dhënat e autorëve të shek. XIX. Autori grek P. Aravantino, njohësi më i mirë dhe më objektiv i Shqipërisë poshtë Vjosës, thotë se në gjashtë kazatë e sanxhakut të Vlorës – kazasë së Vlorës (ku përfshihej edhe krahina e Himarës), të Beratit, Skraparit, Tomoricës, Përmetit dhe të Tepelenës – kishte 29.429 familje shqiptare dhe asnjë greke.

Rreth 40 vjet pas tij, S. Frashëri shkruan në enciklopedinë “Kamus ul-Alam” se sanxhaku i Gjirokastrës, ku përfshihej edhe Himara si kaza, “ka një popullsi prej 140.000 vetësh, prej të cilëve 72.000 janë myslimanë dhe pjesa tjetër të krishterë, të gjithë shqiptarë”. Dhe që nga mesi i shek. XIX e deri në ditët tona popullsia e krahinës së Himarës s’ka pësuar ndryshime për sa i përket përbërjes së saj etnike.

Fiset e shquara himarjote që mërguan në Itali dhe Greqi Read More »

Pagesa për Rrugën e Kombit, Rama: Fajin e ka Berisha, ideja u hodh që në kohën e tij

Në valën e akuzave dhe reagimeve për taksën e Rrugës së Kombit, vjen përgjigja e kryeministrit Edi Rama. Nga foltorja e Kuvendit Rama tha se ka dy drejtime në këto diskutime, rruga e arsyet dhe ata që nuk mbajnë përgjegjësi për atë çka thonë, duke shigjetuar kështu opozitën.

Teksa nënvizoi faktin se kjo nuk është një taksë, por një tarifë, Rama pohoi se ky hap ishte i domosdoshëm për mirëmbajtjen e aksit në fjalë. Mes të tjerash ai risolli në vëmendje edhe një deklaratë që kishte bërë Berisha në vitin 2010, kohë kur ishte kryeministër, kur ishte hedhur edhe ideja për vendosjen e taksës në Rrugën e Kombit.

“Ky është një debat që nuk ia vlen. Ka një anë që ecën në rrugën e arsyet, dhe një anë që nuk mban përgjegjësi për atë që thotë. Ndërkohë që ia vlen patjetër shpjegim, pasi kjo është eksperiencë e parë për vendit tonë që është i vetmi vend në Europë dhe rajon që nuk ka pasur asnjëherë një eksperiencë të tillë. Ndaj ia vlen shpjegimi. Vendimmarrja për të vendosur jo taksë, por tarifë për përdoruesit e rrugës së Kombit, e ka zanafillën në vitin 2010, pasi në këtë vit kryeministri i kohës, (Sali Berisha) ka marrë i9niciativën për të hapur këtë proces. Dhe ka thënë publikisht si rrallë në karrierën e tij atë që sot mohon; e ndërtuam, por për ta mirëmbajtur nuk e mirëmbajmë dot. Kjo nuk është fjalë kot. Pamundësia ka sjellë degradime. Jemi dëshmitar të gjithë së bashku se si ekranet janë mbushur me faqe të degradimit të atij aksi; rrëshqiti këtu, ra atje. Historiku është fare i qartë”, tha Rama.

Pagesa për Rrugën e Kombit, Rama: Fajin e ka Berisha, ideja u hodh që në kohën e tij Read More »

“Rruga e Kombit”, Rama i kujton Bashës “raportin mjekësor”: Ty të nxorën nga gropa miku im

Kryeminsitri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Basha për akuzat e ngritura për taksën e rrugës së Kombit, duke i kujtuar se s’duhet të ngatërrojë taksën e qarkullimit me pagesën për rrugët.

“S’më bën asgjë përshtypje nga miku im Lulëzim, veçse keqardhje sa herë merr fjalën. Ai është kryetyari i Partisë Demokratike, pavarësisht se si e ka kantandisur PD sot. Miku im vjen këtu dhe tregon këmbët e mia në gropën ku paskam rënë vetë. Është ai miku im që thotë se 7×7 bëjnë 42. Po të them që taksën e kanë të gjitha vendet ku ka qarkullim rrugor përveç vendeve me karakter pyjor dhe baritor ku lëvizet me veshgjatë (gomar). Pagesa e rrugës për përdoruesit është krejt tjetër nga taksa e qarkullimit”,- tha Rama.

Duke u kapur me fjalët e Bashës se Rama ka rënë me këmbët e tij në gropën që i ka hapur rrugës së Kombit, kryeministri iu rikthye së shkuarës e i kujtoi abuzimet më ndërtimin e kësaj rruge, kohë kur Basha ishte ministër i Transporteve.

“Rashë unë në gropë? Unë nuk i kam hapur ndonjë gropë buxhetit, ndryshe nga c’parashikonte Kasandra dixhitale nuk ndodhi rënia me këmbët e mia, ne e mbyllëm atë gropë. Gropën Rrugës së Kombit thotë prokuroria ia ke hapur ti, sigurisht raporti mjekësor bëri që pavarësisht se të gjetën në atë gropë këmbët e tua të flutërojnë në një gropë tjëtër… Unë nuk i kam hapur as vendit tim as partisë sime, një gripë siç ia ke hapur ti partisë tënde”,- u shpreh Rama.

“Rruga e Kombit”, Rama i kujton Bashës “raportin mjekësor”: Ty të nxorën nga gropa miku im Read More »

Ironi deputetësh: Ti shkatërron muret, jo më nervat tona

Seanca dëgjimore me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro nisi me debate në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Kryetarja e komisionit, deputetja e PD-së Albana Vokshi e nisi mbledhjen duke këmbëngulur në marrjen e një përgjigje të drejtëpërdrejtë për pyetjen e drejtëpërdrejtë që bëri: A do të shembet teatri? Por kjo pyetje shkaktoi ”përplasje” mes deputetëve.

Debati mes tyre

Albana Vokshi: A do shembet teatri?

Mirela Kumbaro: Nuk diktoj mënyrën si bëni pyetjet. Ju nuk më diktoni përgjigjen.

Albana Vokshi: Përgjigjuni pyetjes?

Mirela Kumbaro: Zonja Vokshi më jepni rastin të flas

Albana Vokshi:Këtu mbledhjen e drejtoj unë. Pyetjen e bëj unë: A do të shembet teatri?

Ismet Beqiri: Ti je rrezik të shkatërrosh dhe muret jo më nervat tona. Lerë zonjën ministre të përgjigjet. Boll të lutem!

Albana Vokshin:Ule zërin

Ismet Beqiri:  Kjo është diktaturë. Mjerë populli thotë po të vijë Albana në pushtet. Ke bërë 11 pyetje. Më hoqe trurin

Albana Vokshi: E kuptoj që e keni me siklet, por lërjani kryeministrit sikletin

Mirela Kumbaro: Nuk kam asnjë lloj sikleti. Ndryshimi i VKM nuk kishte synim për të nxjerrë asnjë objekt specifik qoftë të Teatrit Kombëtar. Ajo VKM kishte shumë pasaktësira….

Albana Vokshi: Nuk po i përgjigjeni ende 100 herë ju pyeta. E kuptoj dhe sikletin

Mirela Kumbaro:  Nuk kam asnjë lloj sikleti

Ironi deputetësh: Ti shkatërron muret, jo më nervat tona Read More »