Deputetët maqedonas kanë miratuar në mesin e një seance të tensionuar ligjin për përdorimin e gjuhëve, me 64 vota pro dhe asnjë kundër, ndërkohë që nuk janë shqyrtuar aspak amendamentet e VMRO-DPMNE-së.
Votimit i ka paraprirë një tension mes deputetëve të opozitës, që u ngrit deri në një zënkë mes Nikolla Gruevskit dhe kryeparlamentarit shqiptar të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Stefani Xhaxho nxenesja e Gjimnazit ‘Ali Demi’ sjell ne Vlore cmimin e dymbedhjet.
Nje cmim i merituar per kete shkolle model.
Çmimi i dymbëdhjetë
Urimet më të mira për nxënësen Stefani Xhaxho, e cila është fituese e vendit të parë në Olimpiadën Kombëtare të Fizikës 2018, me rezultatin e shkëlqyer 50/50 pikë!
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla vizitoi në spitalin e Traumës gjimnazisten e aksidentuar në Skrapar, e cila ishte një prej 10 nxënësve të plagosur.
Nikolla komunikoi me vajzën e plagosur ne sallën e Reanimacionit, ndërsa mësohet se mjekët informuan ministren për gjendjen e vajzës, e cila është e qëndrueshme dhe nuk paraqet rrezik për jetën.
Ministrja kërkoi nga mjekët angazhim maksimal dhe i uroi vajzës shërim të shpejtë.
Ministrja e Arsimit prej mëngjesit të sotëm është në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e Drejtorisë Arsimore Berat dhe zyrën Arsimore Skrapar për rrethanat e aksidentin dhe gjendjen e nxënësve të plagosur.
“Uroj shërim të shpejtë për nxënësit dhe rikthim sa më shpejt në bankat e shkollës”, tha ministrja Nikolla.
Sistemi arsimor në vend i ngjan pazarit në sezonet e skontove të mëdha, kur blerjet bëhen më shumë për hir të çmimit se sa të nevojës. Modeli arsimor që po ndjekim, po i shmanget gjithnjë e më shumë nevojave të tregut të punës, teksa bizneset në sektorë të veçantë si shërbimet teknologjike, bujqësia dhe turizmi po japin alarmin se mungesa e fuqisë së kualifikuar të punës po shndërrohet në një nga pengesat më serioze për zhvillimin e aktivitetit të tyre. Statistikat arsimore tregojnë tendencën alarmante drejt profesioneve për të cilat tregu i punës nuk ka nevojë. Mbi 50% e studentëve vitin e kaluar zgjodhën të studiojnë për shkencat humanitare dhe artet, teksa numri i studentëve në degët që lidhen me bujqësinë dhe turizmin ra përkatësisht me 24 dhe 57% në krahasim me pesë vite më parë.
Nisma e qeverisë “Rama” për të çuar në arsimin profesional të mesëm 40% të nxënësve nuk po funksionon, për shkak të transferimit të strukturës në tre ministri të ndryshme brenda pesë viteve, duke i demotivuar tërësisht për të vijuar më tej strukturat që menaxhojnë këtë.
Përtej modelit joeficient të arsimit dhe orientimit të gabuar, numri i të rinjve që studiojnë në shkolla ka pësuar rënie dramatike nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve. Në vitin akademik 2016-2017 ishin të regjistruar në arsimin e lartë 123 mijë studentë më pak se më 2012, me një rënie 17%. Ekspertët e sektorit janë të shqetësuar se sistemi arsimor në vend, përveçse nuk po u përgjigjet nevojave të tregut të punës, po krijon hendek edhe në nevojat që ka sektori publik.
Ndriçim Mehmeti, ekspert i politikave arsimore, thotë se, degët e mjedisit dhe administrimit të pyjeve kanë nevojë emergjente për specialistë, por në të vërtetë ata nuk gjenden. Së pari, qeverisë i duhet të ndërtojë një database për nevojat e veta, pasi i duhen psikologë të certifikuar, agronomë, inxhinierë pyjesh, edukatorë dhe mësues të aftë për të zëvendësuar brezat e shkolluar para viteve 1990.
Profesor Dhori Kule, ish-rektor i Universitetit të Tiranës, thotë se sistemin arsimor me tregun e punës e lidhin prioritetet zhvillimore. Nëse qeveria ka një plan afatgjatë dhe të detajuar për zhvillimin e dy-tre sektorëve si turizmi dhe energjia, atëherë edhe kërkesa për studime në këto degë do të orientohet vetvetiu.
Përtej zhvillimeve kaotike, mësuesit në shkolla lajmërojnë një rënie të madhe në nivelin arsimor të nxënësve. Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), një studim ndërkombëtar trevjeçar i cili synon të vlerësojë sistemet arsimore në mbarë botën, duke testuar aftësitë dhe njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë, vlerësoi në vitin 2015, se të rinjtë shqiptarë janë analfabetë funksionalë në matematikë rreth 60%, nivel ky më i lartë se në rajon dhe padyshim edhe në vendet e tjera të BE-së.
Mësuesit në shkollat e mesme e pohojnë një situatë të tillë. Arta. K. jep prej 17 vitesh letërsinë në një nga gjimnazet e rajonit Tiranë-Durrës dhe duke bërë një krahasim me 10 vite më parë, ajo pohon se cilësia ka rënë në mënyrë dramatike. Në vitin 2006-2007, ajo nxori një nga maturat me rezultatet më të larta në vend. Nga 80 nxënës që dhanë provimin e maturës në vitin 2007, 13 rezultate ishin me notën 10, teksa u morën mbi 30 nënta. Vitin e kaluar, tha ajo, numri i maturantëve ishte mbi 100, por janë marrë vetëm 3 dhjeta dhe 13 nënta. Arta thotë se pas rezultateve të dobëta ka një dekurajim shumë të madh për vijuar studimet e larta. “Nga esetë dhe testimet që bëjmë, 90% e maturantëve kërkojnë të largohen nga vendi, shumë pak dëshirojnë të vijojnë studimet e larta.
Dëshira për t’u larguar nga vendi po e çon sistemin në kolaps, i cili është larg zgjidhjeve për të rikthyer shpresën. Profesor Zylyftar Bregu, i cili prej disa vitesh jep leksione në degën e gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, është i shqetësuar për tendencën në rritje të dëshirës për emigracion. Edhe pse gazetaria nuk është nga ato profesione që ushtrohen jashtë vendit, Bregu tha se 50% e studentëve të tij dëshirojnë të emigrojnë.
Gjysma e studentëve në arte dhe ekonomik, braktisen bujqësia dhe turizmi
Në vend që të orientohen në degë që përafrohen me nevojat e tregut të punës, studentët shqiptarë gjithnjë e më shumë zgjedhin të studiojnë në degë që tashmë ka mbingopje.
Në vitin 2016, numri i studentëve që u regjistruan për studimet e larta në shkencat humane dhe artet u rrit me 80%, ndërsa degë që kanë lidhje me sektorët në zhvillim, të tilla si bujqësia dhe shërbimet, pësuan rënie.
Sipas të dhënave të INSTAT, më shumë se 17 mijë të rinj në vitin 2016 zgjodhën artet dhe shkencat humanitare për studimet e larta në raport me 9 mijë studentë që ndoqën këto degë në vitin 2012. Nga ana tjetër, numri i studentëve në degët që kanë lidhje me bujqësinë ra me 25%, nga 5147 studentë në vitin 2012, më 2016 ishin vetëm 2250. Rënie të madhe, me rreth 53%, shënoi edhe numri i studentëve që zgjodhën degët që kanë lidhje me shërbimet.
Por, për shkak të perspektivës, qeveria shqiptare ka parë me prioritet zhvillimin e sektorëve të bujqësisë dhe turizmit, për shkak se hapësirat për rritjen e tyre janë ende të mëdha, ndërsa këto dy degë vuajnë mungesën e njerëzve të shkolluar. Ministria e Bujqësisë dha alarmin pak ditë më parë se profesioni i agronomit është në zhdukje, teksa miratoi një ligj të posaçëm për ta kategorizuar në listën e profesioneve.
Shqipëria numëron 14,200 bare dhe 3,965 bare- restorante, por personeli që punon në këto struktura nuk ka shkollimin përkatës. Eksperti Mehmeti mendon se cilësia e dobët e shërbimeve në hotelet dhe baret shqiptare është një nga arsyet kryesore që po mban peng zhvillimin e turizmit.
Në raport me totalin e studentëve në auditorë, ata që ndjekin shkencat humanitare, biznes dhe financë, përbëjnë mbi 50%, teksa të rinjtë që studiojnë në degët e inxhinierisë zënë vetëm 12.3% të totalit të studentëve. Nga ana tjetër, studentët që ndjekin degët që kanë lidhje me bujqësinë dhe turizmin përbëjnë vetëm 7.2% të totalit.
Oferta për punë 40% në fason, punëkërkuesit me arsim të lartë
Treguesit zyrtarë, edhe pse nuk përfaqësojnë zhvillimet reale në tregun e punës, tregojnë zhbalancimin e madh midis ofertës për punë në raport me kërkesat që kanë të papunët. Shërbimi Kombëtar i Punësimit raportoi se në vitin 2016 grumbulloi nga bizneset rreth 39 mijë oferta për punë.
Nga këto, mbi 40% ishin kërkesa të sektorit fason, 16% ishin për sektorin e telekomunikacionit, 9% për aktivitetet e shërbimit dhe pjesa tjetër përbëhej nga kërkesa në sektorët e energjisë, shërbimeve dhe aktiviteteve profesionale.
Punëkërkuesit e papunë, të regjistruar në zyrat e punësimit në vitin 2016, ishin 93 mijë, ose më shumë se dyfishi i vendeve të lira që kanë deklaruar bizneset në zyrat e punësimit. Mospërputhja e ofertës dhe kërkesës për punë është e gjithanshme. Nëse në kategoritë e zanatçinjve, teknikëve të mesëm dhe specialistëve me arsim të lartë, oferta mbulon 55% të punëkërkuesve, për profesionet elementare mbulohet vetëm 17%, ndërsa për punëkërkuesit pa profesion që janë rreth 10% e totalit të punëkërkuesve nuk ka asnjë ofertë për punë.
Por teksa oferta dhe kërkesa për punë bashkohet në disa pika në Qarkun e Tiranës dhe Durrësit, në qarqet e tjera, situata është dramatike. Kërkesës së lartë për punësim nuk i përgjigjet oferta për punë. Shifrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit tregojnë se në qarqet e Kukësit, Dibrës, oferta për punë nuk përmbush as 3% të kërkesës për punësim. Ky zhbalancim po zbraz qytetet shqiptare, popullsia e të cilave po ikin në emigracion ose po vijnë drejt qendrës së vendit. Eksperti Ndriçim Mehmeti e lidh kaosin në tregun e punës me mungesën e orientimit të qeverisë. Ai thotë se ka disa zanate që lidhen me politikat e zhvillimit të qeverisë.
Nëse qeveria vendos të zhvillojë industrinë e çimentos dhe materialeve të ndërtimit në një zonë të caktuar, i duhet më pak se një vit për të aftësuar forcën e punës. Kjo realizohet me intershipe, një model që zbatohet kudo në botë. Kompania mund të ofrojë kualifikime falas për punonjësit për një periudhë deri në vit, ndërsa qeveria duhet ta lehtësojë atë nëpërmjet subvencioneve dhe pagesës së sigurimeve për punonjësit në praktikë, thotë Mehmeti.
Kurset e kualifikimit të shpejtë zgjidhin kërkesën që ka në një moment tregu i punës. Por, sipas tij, problemi në Shqipëri qëndron te qeveria, e cila nuk e di se çfarë sektori do të zhvillojë me prioritet dhe që ka politika nxitëse për bizneset që ofrojnë trajnime dhe intershipe.
Ofertat për punonjës me arsim të lartë, 25% rënie në një vit
Orientimi i ekonomisë drejt sektorëve që nuk kërkojnë kualifikim të lartë (si fasoni dhe ndërtimi) kanë ulur ofertën për punë me kualifikim të lartë. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2016, kërkesa e bizneseve për të rekrutuar punonjës me arsim të lartë dhe teknikë të mesëm ra me 25% në raport me vitin 2015. Hendeku mësohet të jetë thelluar më 2017.
Në zyrat e punës janë regjistruar si punëkërkues 5336 persona me arsimin e lartë, por oferta për këtë kualifikim ishte vetëm 2517 persona. Eksperti Mehmeti thotë se, shumica e ofertave për punë me arsim të lartë janë për pozicione që i mbulon arsimi profesional. Bie fjala një punonjës kase në bankë nuk ka pse të jetë me shkollë të lartë, ashtu si dhe një llogaritar mund ta bëjë një person me arsim të mesëm. Instalimet elektrike në pallat mund t’i bëjë një teknik i mesëm, por në fakt biznesi kërkon arsimin e lartë që jo domosdoshmërisht vlen për të gjitha vendet e punës.
Disbalanca më e madhe ndërmjet kërkesës dhe ofertës për punë qëndron te profesionet elementare (punëtor krahu, për ndërtim, pastrim dhe bujqësi).
Për këtë lloj pune janë regjistruar 42 mijë kërkesa, kur bizneset ofrojnë vetëm 7000 mijë pozicione. Kërkesa dhe oferta përfarohen disi për zanatçinjtë, por disbalancimet gjeografike sjellin mospërputhje edhe në këtë grup. Mbi 9 mijë persona nuk kanë asnjë profesion dhe kërkojnë punë, por ndaj tyre ofrohen vetëm 41 pozicione pune. Tregu i punës duket se ka rënë në rreth vicioz, teksa bizneset ankohen se nuk kanë gjetur profesionistë, kurse punëkërkuesit pretendojnë se nuk ofrohen mundësitë. Përvojat tregojnë se një popull i mirarsimuar krijon një treg të aftë pune.
Por në Shqipëri, modeli ekonomik është i orientuar ndaj sektorëve me vlerë të ulët të aftësive, çka po dekurajon të rinjtë të thellojnë njohuritë e tyre në profesione me vlerë të lartë. Ndërsa biznese të veçanta pohojnë se, forca e kualifikuar e punës po i pengon ata të zgjerohen në linja që kërkojnë kualifikim.
Popullata që ndjek arsimin ra më 17% në pesë vite
Në vitin akademik 2016-2017, numri i nxënësve dhe në arsimin fillor, të mesëm dhe universitar ra me 17%. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017 ishin në proces arsimimi 596 mijë persona ose 20% e popullatës së përgjithshme.
Në vitin 2012 ishin në bankat e shkollës dhe universitete mbi 719 mijë persona, ose rreth 24% e popullatës së përgjithshme. Rënia më e madhe shihet në studimet e larta me rreth 20% dhe në arsimin e mesëm me mbi 17%.
Nivelet e larta të emigracionit të popullatës, ku në gjashtë vitet e fundit llogaritet të kenë ikur nga vendi më shumë se 350 mijë persona kanë dhënë ndikim kryesor. Kjo ecuri, e cila pritet të përkeqësohet për shkak të rënies së numrit të lindjeve, do të krijojë vështirësi të reja për tregun e punës.
Pjesa e fëmijëve nën moshën 15 vjeç nga mbi 29% në vitin 2001 ra në 18% në vitin 2017, ndërsa pjesa e personave që i përkisnin moshës 65 vjeç e sipër u rrit nga 7.5% në vitin 2001 në 13.8% në 2017. Pjesa e popullsisë në moshë pune parashikohet të rritet deri në vitin 2020, dhe më pas pritet rënie. Kështu, një numër më i vogël njerëzish do të duhet të mbulojnë grupe gjithnjë e më të mëdha të moshuarish, duke paraqitur një numër sfidash në arsim, tregun e punës dhe në politikat sociale.
Projeksionet arsimore tregojnë se numri i nxënësve që pritet të regjistrohen në arsimin e mesëm (Klasa 10) do të zbresë nga 60,139 (për grupin e personave të lindur në vitin 1998) në 39,612 (për ata të lindur në vitin 2005). Një dokument strategjik për arsimin profesional 2014-2020, referon se, për shkak të zhvillimeve demografike, shkollat profesionale do të përballen me rënie të numrit në masën 55% midis viteve 2013 dhe 2020. Në vitin arsimor 2016-2017 u regjistruan në shkollat profesionale 20,981 nxënës, me një rënie të lehtë nga viti 2015-2016.
Shpërbëhet formimi profesional
Në vitin 2014, Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mirëqenies Sociale në atë kohë, Erion Veliaj, shpallën fushatën për nxitjen e arsimit profesional. Gati gjyma e qeverisë mori pjesë në përurimin e Qendrës më të madhe të Formimit Profesional në Tiranë, përballë Ministrisë së Punës, godina e njohur ish-Lidhja e Shkrimtarëve. Qeveria Rama shpalli si target për të çuar deri në fund të mandatit në arsim profesional rreth 40% të nxënësve që ndjekin arsimin e mesëm.
Por që nga ajo ditë, zhvillimet kanë shkuar në të kundërt të objektivit. Arsimi profesional në pesë vite ka ndryshuar varësinë tre herë, duke u zhvendosur nga Ministria e Arsimit në atë të Punës dhe tani në atë të Financave. Në Qendrën e madhe të Formimit Profesional tani janë zyrat e ONM (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) për vetting-un.
Pas pesë vitesh nxënësit që ndjekin arsimin profesional janë 24% e atyre që ndjekin, kundrejt objektivit 40% të qeverisë. Ndërsa nota mesatare në nivelin 6, sipas të dhënave zyrtare, nuk është shumë shpresëdhënëse për profesionet dhe zanatet TIK dhe mekanikës.
Ekspertët rekomandojnë: Modelet e kopjuara në arsim nuk vlejnë
Modeli që Shqipëria ndjek për arsimin është një kaos gati i organizuar me kopjime copa-copa dhe kurrikula që nuk mund të zbatohen dhe as nuk i vlejnë kushteve të zhvillimit të Shqipërisë. Eksperti Mehmeti thotë se aktualisht, modeli më i mirë i sistemit arsimor që përputhet me nevojat e tregut të punës është Gjermania. Por Shqipëria nuk e zbaton dot këtë model, për shkak të mungesës së infrastrukturës njerëzore dhe materiale. Një sistem i tilla kushton dhe Shqipëria nuk mundet ta zbatojë.
Nga ana tjetër, profesor Dhori Kule thotë se, një strategji e qartë për zhvillimin ekonomik është drejtimi më i mirë për të lidhur sistemin arsimor me nevojat e tregut të punës. Qeveria gjermane ka studiuar forcën e punës dhe perspektivat e zhvillimit në të gjitha vendet në zhvillim të Europës. Jo rastësisht kancelarja Merkel, në vizitën e saj në Shqipëri, përmendi si sektorë prioritarë, turizmin dhe energjinë, – tha ai.
Mehmeti thotë se ka disa sektorë në Shqipëri të cilët nuk kërkojnë kualifikim, por që në fakt vuajnë mungesën e thellë të njohurive. I tillë është turizmi. Formimi dhe edukimi profesional nuk garantojnë cilësi, teksa baret dhe restorantet janë një punëdhënës i madh në vendin tonë. Ai merr si shembull Shkollën e Hotelerisë dhe Turizmit “Antonio Athanas” në Sarandë. Një qytet që ka me qindra bare dhe restorante, por shumica e atyre që punojnë kamerierë dhe banakierë nuk e kanë mbaruar shkollën për këtë punë.
Një kamerier në këtë zonë duhet të zotërojë dy-tre gjuhë të huaja, teksa cilësia e dobët në shërbim largon edhe shqiptarët për pushime drejt Greqisë. Më shumë se ushqimi dhe çmimet e larta, njerëzit janë të pakënaqur me cilësinë e shërbimit thotë Mehmeti. Këtu ka një hendek të qartë që duhet përmbushur dhe mundësitë janë.
Sektori publik në Tiranë ka një hendek në edukimin e hershëm prej 2000 vetash kryesisht në personel në kopsht dhe çerdhe. Ky personel përgatitet për tre vite dhe është emergjencë për kryeqytetin. Kërkesat për shërbime të certifikuara në servise makinash janë shtuar. Gjithashtu, shërbimet e kujdestarisë për fëmijët e vegjël dhe moshat e treta. Personeli për këtë profesion përgatitet shpejt, teksa tregu po shfaq kërkesë në rritje për punë të tilla.
E vërteta është se sot, në Shqipëri nuk gjen servis për makinën të certifikuar, hidraulik të besueshëm. Po nuk plotësuam kërkesën që ka aktualisht tregu për profesionet e thjeshta e kemi shumë të vështirë të zhvillohemi në sektorët me njohuri të avancuara, – tha Mehmeti. Por profesor Dhori Kule thotë se, orientimi i modelit vjen nga strategjitë shumëvjeçare të zhvillimit dhe jo nga politikat e momentit.
Shkaku kryesor i papunësisë së madhe ndër të rinjtë e Ballkanit është cilësia e dobët e sistemeve të arsimit, të cilat nuk prodhojnë shkathtësi dhe njohuri që përputhen me kërkesën për punë. Në këtë kontekst, politikat për rritjen e konkurrencës së ekonomisë dhe tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte (FDI) janë të vështira për t’u arritur, analizon Banka Botërore në lidhje me sistemet arsimore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Vrojtimet kanë gjetur se, cilësia e dobët e arsimit është gjithashtu pasojë e mungesës së marrëdhënieve formale ndërmjet shkollave dhe kompanive.
Megjithëse legjislacioni siguron një bazë dhe kërkesë që shkollat të komunikojnë dhe të koordinojnë hartimin e kurrikulave të tyre me bizneset dhe prindërit përmes këshillave trepalëshe, në praktikë kjo nuk ndodh. Është e vështirë të sigurohet praktika me cilësi të lartë për studentët, gjë që nganjëherë arrihet përmes vullnetit të mirë të stafit mësimdhënës dhe menaxherëve të kompanive.
Në anën tjetër, punëdhënësit shpesh nuk janë të interesuar të bashkëpunojnë me shkollat. Punonjësit i gjejnë në kanale joformale, siç janë lidhjet me miqtë dhe të afërmit, sesa nëpërmjet një procesi rigoroz përzgjedhjeje. Prandaj, shkollat nuk kanë informacion për avancimin e nxënësve në tregun e punës dhe në këtë mënyrë, nuk janë në gjendje të fusin kurrikula të reja shkollore në bazë të nevojave të tregut të punës. Në të njëjtën kohë, punëdhënësit nuk janë të gatshëm të përballojnë koston e trajnimit fillestar të stafit të ri, ndërsa qeveritë nuk kanë politika për nxitjen e punësimit.
Një pengesë e madhe me të cilën ballafaqohen studentët në tranzicionin e tyre nga arsimi i lartë në tregun e punës është mungesa e përvojës, e cila vlerësohet shumë nga punëdhënësit gjatë rekrutimit.
Sipas analizës së Bankës Botërore, në 100 studentë të rinj që hyjnë në sistemet e arsimit të lartë në një vit, vetëm 13 diplomohen dhe gjejnë një punë të përshtatshme.
Kjo tregon nivelin e ulët të efikasitetit të sistemeve të arsimit të lartë në Ballkan. Në mënyrë që sistemet e arsimit të lartë të japin një kontribut më të mirë në ndërtimin e kapitalit njerëzor dhe në rritjen e ekonomisë, nevojiten reforma domethënëse të sistemeve të arsimit të lartë dhe tregut të diplomuar të punës, dhe duhet të inkurajohet bashkëpunimi më i mirë ndërmjet punëdhënësve dhe shkollave.
Banka Botërore lajmëron se të gjitha llojet e boshllëqeve të aftësive pritet të rriten në të ardhmen. Rritja më e madhe e pritur në boshllëqet e aftësive është në aftësitë analitike dhe vendimmarrëse. Banka rekomandon reformë thelbësore në kurrikula dhe përmirësime të mëdha nën cilësinë e mësimdhënies. Qeveria duhet të nxisë programet e trajnimit për të stimuluar produktivitetin e edukatorëve dhe mbi një ndërlidhje shumë më të ngushtë midis institucioneve arsimore dhe sektorit të biznesit.
Varreza ngjitur me oborrin e shkollës! Pamja aspak e zakontë, është shumë e zakonshme për nxënësit e shkollës “Tahir Sinani”, nga klasa e parë tek e nënta, që shohin varreza kur hyjnë në shkollë, kur kthejnë kokën nga dritarja e klasës, kur luajnë me top në oborr, derisa dalin nga shkolla, megjithëse pamjet i marrin me vete në shtëpi, disa edhe si makthe në ëndrrat e tyre.
“Kam frikë, njëherë kam parë një ëndërr, sikur më ra topi te varrezat dhe kur shkova për ta marrë, mu ngul një hekur në kraharor. Mbasdite është më frikë. Kur marr motrën nga shkolla natën është frikë…”, thonë nxënësit.
Më pak të frikësuar dhe më shumë të mësuar me pamjen e varrezave që i shoqëron kudo në shkollë, duken nxënësit e klasës së 8, megjithatë edhe ata kanë përjetimet e tyre të ankthit
Adriana Pura është mësuese në shkollën “Tahir Sinani”, prej 6 vitesh. Një nga klasat ku jep mësim rregullisht është ajo në katin e dytë me pamje drejtpërdrejt nga varrezat
“Para dy vitesh një nxënësi që i vdiq e ëma, erdhi pas pushimit në shkollë. Klasa ishte në katin e dytë dhe e pamundur që ai të përqëndrohej. një moment tjetër ishte një varrim dhe ai nuk mundi ta duronte, mbase kujtimi për nënën e vet, i ra të fikët. Dje kanë qenë 4 varrime, mendo si është situata, makinat që vendosen para shkollës, e qara, ulërima”, thotë ajo.
Psikologia e shkollës thotë se ka trajtuar rastet e shumë fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë për shkak të mendimeve të frikshme që u vijnë nga varrezat.
“Pasojat psikologjike kanë qenë shumë të rënda, sepse nxënësit janë cdo ditë përballë këtij fenomeni. traumat që ka lënë janë në faza të gjata, shumica e tyre pas shumë seancave e kanë të papraueshme realitetin që prindërit mund të jenë këtu. unë si psikologe kërkoj zhvendosjen e institucionit në një vend tjetër sepse trauma lë pasoja për ecurinë e tyre”, tregon Hasbije Kara, psikologe.
Por, veç pamjes së rëndë, mësuesja e fiskulturës ndan edhe një shqetësim tjetër.
“Na bie topi nga muri dhe nxënësit ngjiten nga muri për ta marrë. Kjo u rrezikon jetën, mund të thyejnë ndonjë këmbë kur kalojnë murin”, shprehet mësuesja Eva Thanasi.
Ndër vite, madje edhe sivjet, drejtuesit e shkollës “Tahir Sinani” thonë se kanë kërkuar zgjidhjen e kësaj bashkëjetese të frikshme që rëndon psikologjikisht fëmijët. Madje, ata thonë se i kanë ofruar bashkisë Kamëz sugjerime konkrete për këtë histori 16-vjeçare.
“Ngritja e murit rrethues me rreth 2 meter, mbjellja e pemeve të larta, ose zhvendosja e shkollës. Nga pushteti qendror është premtuar dhënia e fondit për ndërtimin e një shkolle të re, por nga pushteti lokal përgjigja ka qenë: nuk kemi vend konkret ku ta ndërtojmë shkollën”, thotë Maliq Qoku, nëndrejtori i shkollës “Tahir Sinani”.
Për Bashkinë Kamëz korrespondenca me Drejtorinë Arsimore ka qenë korrekte, madje sipas tyre shkresa ka marrë zgjidhje zyrtare. Nga Drejtoria e Komunikimit në Bashkinë Kamëz thonë se kanë projekte konkrete për shkollën “Tahir Sinani”.
“Muri real, që është pjesa rrethuese e parcelave do të ngrihet në ato nivele që s’do të jetë kërcënim vizual për nxënësit, ndërsa për pjesën e ambientit që ka komunikim pamor me parcelat do të jetë totalisht e izoluar dhe nuk do të ketë fushëpamje për këtë ambient. Shpresojmë që të jetë brenda 2018, por brenda vitit do të bëhet realizimi i projektit”, thotë Artan Dervishi nga Bashkia Kamëz.
Hetimet e prokurorisë ndaj pronarit të ish Universitetit “Kristal”, Ahmet Muçës kanë nxjerrë një skandal tjetër akoma më të madh se shitja e vetëm një diplome për 2500 euro nga ky person, 4 vjet pas mbylljes së universitetit, raporton Lapsi.al.
Zbulimi implikon zyrtarë të lartë në Ministrinë e Arsimit që kanë fshehur diplomat e falsifikuara nga i njëjti universitet. Vetë Ministria e Arsimit pranoi se kishte zbuluar falsifikimin e diplomave të tjera nga Universiteti Kristal përgjatë kohës kur qytetarët kërkonin verifikimin e dokumentave që kishin marrë në këtë universitet.
“Në 86 raste të shqyrtuara pas kërkesave zyrtare, rezulton se asnjë prej tyre nuk është e vlefshme dhe nuk figuron në regjistrat që ministria disponon” thuhet në njoftimin e Ministrisë, pas arrestimit të Ahmet Muçës, që tentoi t’i shiste një vajze nga Laçi diplomën false për 2500 euro.
Por pyetja që ngrihet në këtë rast është se përse nuk i çoi në prokurori këto raste falsifikimi Lindita Nikolla?
Për 4 vjet dosjet e falsifikuara janë mbajtur në Ministrinë e Arsimit, megjithëse prokurorisë iu kërkua ndihmë për sekuestrimin e dosjeve nga Universiteti Kristal, por pas verifikimit ato u mbajtën në Ministri.
Lindita Nikolla asnjëherë nuk i ka mohuar deklaratat se ajo ka qenë e pajisur vetë me një diplomë të Universitetit Kristal, megjithëse është pyetur vazhdimisht nga opozita për këtë. Gjithsesi është e konfirmuar se bashkëshorti i saj ka punuar në këtë universitet si pedagog i jashtëm, para se Lindita Nikolla të bëhej ministre. Më poshtë pjesë nga deklarata e pasurisë së Nikollës për vitin 2012
Rrugën drejt shtëpisë, ku prej 16 vitesh jeton një familje e ngujuar, mësuesja e bën 3 herë në javë për të mësuar djalin e vogël. Atje jeton një nënë me 3 djemtë e saj. Bashkeshorti është në burg pasi ka vrarë fqinjin dhe dy familjet janë në gjak.
Mësuesja quhet Liljana Luani. Ajo është Misionare e Edukimit të Fëmijëve dhe në këtë 7 mars, veçanërisht e fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja shkon në fshatrat më të thella të Shkodrës, ku jeta i rrezikohet çdo dite.
Mësuesja e bën 3 herë në javë, për të mësuar djalin e vogël të shtëpisë.
“Kjo është një dashuri tjetër, kjo është një përfshirje emocionale e jashtëzakonshme, saqë është e pamundur tua kthesh shpinën”, shprehet Liljana.
Puna e saj si mësuese nisi në vitin 1981.10 vitet e para punoi dhe jetoi maleve, nga Malësia e Madhe në atë të Dukagjinit, ku u njoh me shokun e jetës dhe ku u bë nëna e dy djemve. Ashtu e buzëqeshur dhe plot humor flet pak për veten, por tregon shumë për arkivën e saj, histori rrëqethëse, që duken të gjalla edhe sot, pas shumë vitesh.
“Një herë më ra telefoni dhe një fëmijë i vogël më tha: mësuese dua bukë. Ishte shumë ftohtë dhe shumë shi dhe duhet të kaloja mbi liqenin e Vaut të Dejës me varkë. Bleva disa ushqime, një thes me miell dhe u nisa drejt Rragamit. Liqeni kishte lëshuar aq shumë dallgë saqë kisha frikë. Djali më kishte dalë përpara, nuk m’u hodh në qaf. I thashë: po hajde , a spo më del para? Jam mërzit shumë, tha dhe filloi të qante. Ça ke i thash? Më kanë shitur gomarin – tha. Edhe unë i thash: Hajt he burrë se do të ketë kenë plak! Ai shtriu duart me nerva dhe tha: jo, ai ka kenë sa unë. Ai nuk kishte as televizor, asnjë lodër, as nënë as babë, veç gomarin dhe gjyshen. Qau ai, qava dhe unë”, kujton mësuesja.
Në Ministrinë e Arsimit, të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin shkollor 2017-2018 nuk është paraqitur asnjë rast i fëmijëve të ngujuar për t’u ofruar mësim në mjedis mësimor. Por, mësuesja e të ngujuarve tregon realitetin.
“Ka fëmijë me problematikë gjakmarrjen duke filluar Kukësi, Dibra, Shkodra Lezha, tani jam në Durrës, në Tropojë. Në zonën e Krujës kam gjet fëmijë që janë krejtësisht të ngujuar”, thotë Liljana.
“Unë jam në fund të karrierës në fund dhe do mendoja që e kam përmbyll misionin tim si mësuese kur të mos kishte më fëmijë të ngujuar dhe unë të quhesha mësuese Liljana, jo mësuesja e fëmijëve të ngujuar”, shton ajo.
Edhe pse ka pësuar ndryshime themelore, arsimi në Shqipëri duket se vazhdon të “çalojë”, sidomos në zonat e thella ku si ka shkelur këmba asnjë deputeti.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se shumica e shkollave në fshatra ndodhen në gjendje të mjerueshme, por sakrifica e këtij mësuesi shkon përtej gjithçkaje që kemi parë.
Ai është 61 vjeç dhe ende e bën çdo ditë me këmbë rrugën për të mbërritur në fshatin Plangaricë të Elbasanit, ku e presin vetëm disa fëmijë.
Në fillimet e karrierës bankat ishin plot me nxënës, por kalimin e viteve, fshatrat u zbrazën dhe mësuesin e presin gjithnjë e më pak fëmijë.
Por përkushtimi i Veiz Qoses nuk ka ndryshuar, përkundrazi ai shprehet se misioni i tij do të vazhdojë derisa ta “mbajnë këmbët.”
Sipas “Top Channel”, babai i nëntë fëmijëve shkon dy orë në ditë vajtje-ardhje në këmbë, shpesh herë mes shiut e dëborës.
Në një intervisteë, Veizi shprehet se:
Rri në fshat por jam i detyruar të bëj një rrugë të vështirë në çdo lloj situate, borë, shi…
Kënaqësia është e paparë, e kam pasur pasion. Vitet bëjnë të vetën por dëshira vazhdon. Mundohemi ta shmangim, lodhjen sakrificën.
Kjo nuk ndodh se jemi vetë prind dhe fëmijët që paraqiten, qoftë 10, qoftë 5, puna është e njëjtë. Mbi të gjitha është humanizëm.”