Arsim

Shahini: Nuk ka rritje tarifash për studentët

Përgjysmimi i tarifave dhe dhënia e bursave do të vazhdojë edhe vitin tjetër akademik 2019-2020 po në të njëjtën formë që është proceduar në gjysmën e parë të këtij viti falë mbështetjes financiare nga qeveria në kuadër të Paktit për Universitetin.

Kështu deklaroi ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një prononcim për gazetarët duke theksuar se në shtator të tjerë kategori studentësh do të shtohen në listën e përfituesve, pasi kanë pasur probleme me plotësimin e dokumenteve.

“Nuk ka rritje tarifash. Tarifat që botohen nga Universiteti, janë tarifat e vendosura për t’u paguar nga një student. Ne atë tarifë do ta përgjysmojmë. E subvencionojmë direkt nga buxheti i shtetit”, tha ministrja, duke shtuar se “janë disa grupe interesi që kanë ngritur shqetësime se nuk janë përfshirë ose që përfshirja e tyre është vështirësuar ngaqë duhen më shumë dokumente. Dhe ne i kemi marrë parasysh, po bëjmë llogaritjet e nevojshme dhe do i përfshijmë në shtator.”

Gjithashtu, Shahini deklaroi se sa i përket bursave ato do të vijojnë të akordohen si për ekselentët ashtu edhe për studentët me nevoja të veçanta në vlerën 10 mije lekë në muaj.

“Bursa do marrin studentët ekselentë me notën mesatare 9-10 si edhe të gjithë studentët në nevojë. Bursa është 10 mijë lekë të reja. Në pjesën e parë të vitit kemi pasur problem me studentët që nuk kanë pasur një llogari bankare. Ne i ftojmë studentët që të angazhohen këtë vit, ti kenë llogaritë bankare në kohë”, tha ministrja./atsh

Shahini: Nuk ka rritje tarifash për studentët Read More »

Shahini: 2 miliardë lekë më shumë për studentët, do shtojmë buxhetin për bursat

Ministrja e Arsimit Besa Shahini deklaroi nga ceremonia e prezantimit të Kampusit Universitar se shumë ndryshime kanë ndodhur që pas protestës së studentëve pas reformave të ndërmarra në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës. Shahini i bëri thirrje studentëve që të vijojnë të parashtrojnë kërkesat e tyre edhe gjatë zgjedhjeve që do të zhvillohen këtë fillimvit në Universitet.

“Dua të flas pak për Paktin për Universitetin. Në dhjetor dëgjuam studentët dhe në janar hartuam planin i cili ka në vëmendje studentët për punësim dhe projekte studentore. Do të shtojmë buxhetin për bursat dhe për shërbimet e tjera që iu nevojitet studentëve. Shtesa këtë vit kapi vlerën e 2 miliardë lekëve të reja. Këtë do e realizojmë edhe më mirë vitin tjetër. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe me Ministrinë e Kulturës. Me bashkinë kemi mundësuar pajisjen e studentëve me karta. Portalin për transparencën financiare dhe kemi mundësuar që kushdo të shohë financimin për çdo universitet”, – tha Shahini.

“Kemi bërë sondazhin kombëtar të studentëve ku morën pjesë studentë nga e gjithë Shqipëria. Nga Universiteti i Arteve morën pjesë gjysma e studentëve, pra kjo është një mostër e mirë për të marr përshtypjet dhe eksperiencat e studentëve. Nga ky sondazh dolën rezultate se studentët ishin të kënaqur me pedagogët e tyre, dhe nuk ishin shumë të kënaqur me strukturat drejtuese të universitetit”, – u shpreh Shahini.

Ajo shtoi se, “pyetjes nëse pritshmëritë e studentëve janë përmbushur nga universiteti, janë përgjigjur 35% me po. Ky është një moment që duhet të reflektojmë se çfarë do bëjmë muajt në vijim që semestri tjetër i vitit akademik të na gjejë më mirë”.

“Në fillimin e viti tjetër janë zgjedhjet për organet drejtuese në gjitha universitetet publike. Ky është një moment i mirë pasi nisin diskutimet brenda universiteteve për mënyrën sesi do të qeveriset universiteti gjatë 4 viteve të ardhshme. Pakti për Universitetin nuk realizohet pa ju, ndaj aktivizimi juaj është i nevojshëm për përmirësimin e përbashkët të universitetit”, – përfundoi Shahini. /atsh

Shahini: 2 miliardë lekë më shumë për studentët, do shtojmë buxhetin për bursat Read More »

Panairi i Ulqinit sjell botues nga hapësira mbarëshqiptare përgjatë pesë ditëve

Për 19 vite me radhë në Ulqin organizohet Panairi i Librit. Botues nga hapësira mbarëshqiptare do të jenë të pranishëm gjatë 5 ditëve të panairit.

Organizatorja e këtij eventi, drejtoresha e Përgjithshme e botimeve “Toena”, Irena Toçi gjatë konferencës për mediet në Bibliotekën e Muzeut Historik tha sot se si risi shënon ndarjen e dy çmimeve “Liburnia” dhe “Dega e ullirit”.

“Këto dy çmime letrare që kemi themeluar sivjet janë risi. Njërin e kemi pagëzuar ‘Liburnia’ dhe do të shkojë për prozatorin më të mirë. Liburnia është anija që ndodhet edhe në siglën e qytetit të Ulqinit, ndërsa çmimin që do të jepet për letërsinë për fëmijë e kemi pagëzuar me emrin “Dega e Ullirit”. Edhe dega e ullirit ndodhet në siglën e qytetit të Ulqinit dhe të dyja krijojnë një simbolikë të rëndësishme që e lidhin me panairin e librit të Ulqinit, me Ulqinin vetë, me botën e fëmijëve dhe me letërsinë”, tha Toçi.

Duke u konsideruar si aktivitetin më të rëndësishëm kulturor gjatë verës në Ulqin, Toçi tha se panairi merr rëndësi rajonale.

“Përveç botuesve tanë, ka edhe shumë botues që vijnë nga Maqedonia e Veriut, kryesisht shqiptarë. Ka nga Bosnja që prezantojnë librin e tyre në gjuhën e tyre, botues nga Kosova dhe Mali i Zi. Hapësira është një element i rëndësishëm pasi panairi bëhet një panair i rëndësishëm rajonal.

Krahas prezantimit të titujve të rinj të letërsisë shqipe dhe asaj të përkthyer e cila dominon stendat, nuk do të mungojnë edhe takimet me autorë. I ftuar special do të jetë shkrimtari Fatos Kongoli për të prezantuar romanin e tij të fundit “Gënjeshtarë të vegjël” si dhe për të komunikuar me publikun.
Panairi i Ulqinit 2019 mbahet nga data 26 deri në 31 korrik ku komuna e Ulqinit një vend të veçantë në sezonin turistik i kushton edhe ofrimit të turizmit kulturor. /atsh

Panairi i Ulqinit sjell botues nga hapësira mbarëshqiptare përgjatë pesë ditëve Read More »

Matura 2019, dalin rezultatet e provimit me zgjedhje

Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar rezultatet e fundit të “Maturës Shtetërore 2019”, ato të provimit me zgjedhje.

Në provimin e zhvilluar më datë 24 Qershor kanë marrë pjesë në total 35,466 nxënës.

Nga rezultatet e publikuara rezulton se kalueshmëria është 95.94%, ndërsa përqindja e nxënësve që kanë marrë notën 10 është 11.56 %.
Maturantët e interesuar mund të klikojnë në linkun e mëposhtëm për të parë rezultatet e provimit:
http://www.qsha.gov.al/infos/matura_2019/rezultate/rezultate_z_msh2019.pdf
/atsh

Matura 2019, dalin rezultatet e provimit me zgjedhje Read More »

Procedura e regjistrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”

Regjistrimi në portalin “Mësues për Shqipërinë” ka nisur për të gjithë ata që kanë dorëzuar dosjet pranë drejtorive rajonale në Lezhë, Durrës, Fier e Korçë dhe si afat i fundit aplikimi mbetet 28 qershori.

Çdo aplikant është i detyruar që të bëjë regjistrimin në portal, në mënyrë që të bëhet pjesë e fazës së dytë, atë të testimit të informatizuar.

Ministria e Arsimit ka ndarë një video-udhëheqëse ku nënvizohet se në rast aplikimi për herë të parë në portal, duhet patur kujdes që të vendoset numri personal/numri i pasaportës që aplikanti ka deklaruar në formularin e pranimit dhe një e-mail i vlefshëm.

Për sa i përket mbartjes së pikëve të portalit 2018-të, aplikanti duhet gjithsesi të logohet me kredencialet e mëparshme për të hedhur preferencat e 2019-tës. Njëkohësisht, nëse aplikimi është bërë në vitin 2018-të dhe dëshiron të mbart pikët, aplikanti duhet të informojë DRAP-in në mënyrë që të pasqyrojë mbartjen e pikëve gjatë vlerësimit.

Në rast të modifikimit të aplikimit, aplikanti ka të drejtë të modifikojë zgjedhjet e tij/saj deri në datën e mbylljes së regjistrimeve.

Pas datës së mbylljes së regjistrimeve, është e pamundur që të modifikohen preferencat e zgjedhura. Për procedurën e plotë mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

https://www.youtube.com/watch?v=NlUQc5NqKSE&feature=youtu.be /atsh

Procedura e regjistrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë” Read More »

Nxënësit e klasave të nënta testojnë sot njohuritë në matematikë

Nxënësit e klasave të nënta do të testojnë sot njohuritë e tyre në lëndën e matematikës.

Testimi nis në orën 10:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Pas testit të gjuhës së huaj dhe gjuhës shqipe, sot përmbyllen edhe provimet e klasave të nënta.

Sipas skemës së miratuar, vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat më pas konvertohen në notë.

Çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, ku dy mësues të lëndës do të bëjnë vlerësimin e të njëjtit test në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Testet do të mblidhen dhe do të korrigjohen në qendrat e vlerësimit të njësive arsimore vendore të çdo rrethi. /atsh

Nxënësit e klasave të nënta testojnë sot njohuritë në matematikë Read More »

Portali “Mësues për Shqipërinë”, rritje të cilësisë së mësimdhënies dhe punësimit në bazë të meritës

“Kemi 7200 aplikime në portalin “Mësues për Shqipërinë” që është numër shumë i mirë për të pasur mundësinë për të zgjedhur mësuesit më të mirë për fëmijët tanë”, – u shpreh sot ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini gjatë një interpelance me mësues në detyrë dhe aplikantë të rinj.

Shahini gjithashtu foli dhe për risitë që sjell udhëzimi më i fundit i MASR në lidhje me portalin dhe ndikimin e tij në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe punësimin në bazë të meritës.

“Çdo vit ne kemi 600 deri në 700 që dalin në pension mësues pra janë vende pune që hapen për kontrata afatgjata. Janë 1400 që punësohen nga 7200, pra zgjidhen më të mirët”, – tha Shahini.

Ajo vijoi se “ndryshimet që kemi bërë vijnë nga politikat e reja që kemi ndërmarr për ta vendosur nxënësin në qendër të politikave tona arsimore. Gjithashtu dhe të përmirësojmë cilësinë e mësimdhënies dhe të rrisim transparencën në procesin për zgjedhjen e mësuesve”.

“Kur kemi bërë ndryshimet në udhëzimin e pranimit të mësuesve të rinj në sistem kemi pasur dy gjëra parasysh: të bëjmë sa më transparent procesin e zgjedhjes dhe konkurrimi të jetë sa më i drejtë, duke pasur parasysh ankesat që kanë ardhur nga mësues dhe kandidatët e rinj që ky proces të jetë sa më i drejtë për të gjithë”, – u shpreh Shahini.

Shahini tha se “në mënyrën sesi këto mësues renditen në portal janë dy gjëra që merren parasysh është vlerësimi i dosjes që ka një vlerë 20% të gjitha pikëve dhe testi i informatizuar. Tek vlerësimi i dosjes ka një 20 pikë që merren tek dosja, 10 pikë i takojnë notave që ka marrë gjatë studimeve dhe pjesa tjetër vjen nga kualifikime të tjera që ka mësuesi që konkurron”.

“Nëse një mësues është në sistem 10 vjet dhe nuk arrin të kualifikohet në një nivel më të lart atëherë ky mësues nuk është në të njëjtin hap me ndryshimet që po bëhen në sistemin e arsimit. Pra pse të promovohet ky mësues kur një kandidat i ri ka kushtuar shumë rëndësi studimeve dhe është shumë më i përgatitur që të jetë mësues në shkollë. Kjo gjë nuk penalizon mësues që janë në sistem, por promovon ata që kualifikohen, që kanë vjetërsinë dhe kanë një stad më të lartë, dhe gjithashtu i lë mundësi mësueseve të rinj që dhe ata të jenë pranë nxënësve”, – sqaroi Shahini.

“Punësimi i mësuesve tani ndodh menjëherë nuk do kemi më 1 vit provë. Portali “Mësues për Shqipërinë” është bërë pjesë e ligjit për arsimin parauniversitar pra portali ne na siguron që mësuesit më të mirë të dalin të parët në list. Kjo i jep mundësi të bëhen menjëherë mësues me kontratë afatgjate dhe jo të kalojnë në periudhën e provës”, – tha Shahini.

“Ruajtja e pikëve të dosjes nga viti i kaluar mund të ruhet por ato do të përkthehen sipas vlerësimit të ri, nëse dikush ka pasur pikë sipas vlerësimit të vjetër do merret e gjithë dosja dhe do të rivlerësohet sipas pikëzimit të ri. Testi i informatizuar nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar dhe pikët mund të ruhen por dhe kjo do të bëhet sipas peshës që ka testi. Vitin e kaluar ka qenë 70% e gjithë notës ndërsa sivjet është 80%”, – përfundoi ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini.

Portali “Mësues për Shqipërinë”, rritje të cilësisë së mësimdhënies dhe punësimit në bazë të meritës Read More »

Nxënësit e klasave të nënta testuan sot njohuritë në gjuhën e huaj

Nxënësit e klasave të nënta kanë testuar sot njohuritë e tyre në gjuhën e huaj.

Testimi ka nisur në orën 10.00 të mëngjesit dhe ka zgjatur 2 orë e 30 minuta. Pas testit të gjuhës së huaj, nxënësit do i nënshtrohen provimit të dytë që do të zhvillohet në datën 18 qershor përkatësisht në lëndën e gjuhës shqipe. Provimet e klasave të nënta do të mbyllen me lëndën e matematikës, e cila do të zhvillohet në datën 21 qershor.

Nxënësit e pakicave kombëtare do të zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në gjuhën amtare. Testimi për këtë lëndë do të zhvillohet në datën 14 qershor. Për shkollat e pakicës greke, teza e për provimin e gjuhës amtare përgatitet nga institucioni arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar në Gjirokastër.

Në ditën e provimit institucionet përgjegjëse për arsimin parauniversitar në Delvinë dhe në Sarandë do të paraqiten në drejtorinë e Gjirokastrës për të marrë testet që do të plotësojnë nxënësit në lëndën e gjuhës amtare.

Ndërsa për shkollat e pakicës kombëtare Maqedonase, testet do të tërhiqen në drejtorinë e Korçës. Edhe nxënësit me aftësi të kufizuara do të zhvillojnë testimet në përshtatje me veçoritë e tyre shëndetësor.

Sipas skemës së miratuar, vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat më pas konvertohen në notë. Çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, ku dy mësues të lëndës do të bëjnë vlerësimin e të njëjtit test në mënyrë të pavarur njeri-tjetri. Testet do të mblidhen dhe do të korrigjohen në qendrat e vlerësimit të njësive arsimore vendore të çdo rrethi. z.tosku/atsh

Nxënësit e klasave të nënta testuan sot njohuritë në gjuhën e huaj Read More »