Arsim

Universiteti “Eqerem Çabej”, rritet pas shumë vitesh numri i studentëve të regjistruar

Për herë të parë pas afro 10 vitesh bjerrjeje të studentëve në universitetet e rretheve, e sidomos në jug të vendit, në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër janë regjistruar këtë vit të ri akademik 500 studentë të rinj.

Një nga arsyet e rritjes së interesit të të rinjve për këtë universitet është dhe hapja një vit më parë e Fakultetit të Ekonomisë, degët e të cilit, së bashku me Infermierinë numërojnë edhe numrin më të lartë të studentëve.

Sipas Rektorit të këtij Universiteti Bektash Mema, numër më të lartë regjistrimesh kanë edhe programet master me një shifër regjistrimesh plot 300 studentë më shumë se një vit më parë. Por rektori Mema shprehet se programet e mësuesisë janë ato që anë pësuar rënien më të madhe të numrit të studentëve të regjistruar, kjo edhe si pasojë e rritjes së mesatares në këto programe.

“Ajo që është problem jo vetëm në Universitetin e Gjirokastrës por në të gjitha universitetet shqiptare që kanë programet e mësuesisë, janë prurjet e kufizuara,” shprehet ai. Rreth 1500 është numri total i studentëve që do të vijojnë studimet këtë vit në Universitetin “Eqrem Çabej”. /atsh

Universiteti “Eqerem Çabej”, rritet pas shumë vitesh numri i studentëve të regjistruar Read More »

Studime në SHBA/ Përzgjidhen 25 nxënës të shkëlqyer të shkollave të mesme

Njëzetë e pesë nxënës të shkëlqyer të shkollave të mesme të Shqipërisë marrin pjesë në Klubin më të ri të Kolegjeve Konkuruese të inicuar nga “Qendra Education USA Albania”.

25 nxënësit u përzgjodhën nga qytetet të ndryshme në mbarë Shqipërinë, bën të dituar Ambasada e SHBA në Tiranë.

Ky program ndihmon nxënësit e shkëlqyer të shkollave të mesme të cilët duan të jenë aplikues konkurues në kolegjet dhe universitetet në Shtetet e Bashkuara.

Nxënësit përfshihen në sesione intensive këshillimi mbi arsimin e lartë në Shtetet e Bashkuara, përgatitje provimesh, shkrime esesh dhe shumë aktivitete të tjera

Qëllimi i Education USA është të ndërtojë mirëkuptim të ndërsjellë midis njerëzve të Shteteve të Bashkuara dhe njerëzve të vendeve të tjera duke rritur lëvizshmërinë ndërkombëtare të studentëve.

Me qindra qendra në 170 vende të botës, EducationUSA është e angazhuar të promovojë institucione të arsimit të lartë të akredituar në Sh.B.A për mbi 18 milion studentë dhe prindër çdo vit.

EducationUSA është një rrjet i Departamentit Amerikan të Shtetit me mbi 400 qendra këshillimi studentore ndërkombëtar në më shumë se 170 vende./atsh

Studime në SHBA/ Përzgjidhen 25 nxënës të shkëlqyer të shkollave të mesme Read More »

Viti i ri akademik, Shahini fton studentët: Të vijojmë komunikimin për rritjen e cilësisë së Arsimit të Lartë

Studentët kanë një rol të madh në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.

Në ceremoninë që u mbajt sot në Fakultetin e Mjekësisë, në kuadër të hapjes së vitit të ri akademik 2019-2020, ministrja Besa Shahini ftoi studentët të vijojnë komunikimin me ministrinë e Arsimit, me qëllim rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.

“Ju jeni gjenerata e parë pas protestës së mbajtur nga studentët në muajin dhjetor të vitit 2018,e cila na dha një shtytje të fortë të çojmë përpara nisma për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe jetesës së studentëve”, deklaroi Shahini.

Duke u ndalur në disa nga politikat e qeverisë për mbështetjen e studentëve, ministrja informoi se studentët ekselentë do të përfitojnë nga politika për përjashtim të tarifave si dhe përfitim të bursave.

“Kemi bërë investim në konvikte, jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Kemi ndarë një grant për të furnizuar laboratorët në të gjithë vendin”, tha më tej, ministrja.

Ajo solli në vëmendjen e studentëve edhe bibliotekën dixhitale, e cila është në dispozicion të studentëve e që ofron me miliona artikuj shkencorë, libra akademik, etj. Këto, sipas saj, do t’u vijnë në ndihmë studentëve për detyrat e kursit apo temat e diplomave.

Po ashtu, një tjetër politikë për lehtësimin e jetës së studentëve, sipas ministres Shahini është edhe karta e studentit, e cila bëri të ditur ajo, po aplikohet jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha universitetet publike.

Ministrja informoi se në bazë të një sondazhi kombëtar të zhvilluar, ka rezultuar se stafi pedagogjik është në rregull, por kushtet në universitete nuk plotësojnë standardet e nevojshme.

“Duhet edhe angazhimi juaj. Ftesa ime është të vijojmë dialogun për të çuar përpara nivelin e komunikimit dhe arsimit të lartë”, deklaroi Shahini./atsh

Viti i ri akademik, Shahini fton studentët: Të vijojmë komunikimin për rritjen e cilësisë së Arsimit të Lartë Read More »

Proces shembullor votimi, zgjidhen kryetarët e qeverive të nxënësve

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve kanë zgjedhur të dielën qeverinë e tyre përmes një procesi zgjedhorë shembullor.

“Me një proces shembullor, përfundoi zgjedhja e kryetarëve të Qeverive të Nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë Shqipërinë”-, deklaron ministrja e Arsimit dhe Rinisë, Besa Shahini.

“Kryetarët e zgjedhur do të paraqesin platformat e tyre për një përfaqësim sa më cilësor të interesave të fëmijëve dhe të rinjve në Parlamentin e Nxënësve, zgjedhjet e të cilit do të mbahen më 18 tetor. Suksese të gjithë kandidatëve”-, u shpreh Shahini./atsh

Proces shembullor votimi, zgjidhen kryetarët e qeverive të nxënësve Read More »

Xhaçka: 18 bursa fala për të rinjtë për t’u shkolluar në Forcat Detare të SHBA-së

“18 bursa janë në dispozicion për të rinjtë shqiptarë për FD për tu shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha sot Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ndërsa bënë thirrje për aplikim për shkollë falas

“Jeni gati për një supershkollim dhe më pas për një superkarrierë Falas?Eja apliko për të studiuar në akademitë më të mira ushtarake amerikane”, shprehet ajo.

Po ashtu Xhaçka thekson se “plot 18 bursa janë në dispozicion të të rinjve shqiptarë për të ndjekur Akademinë e Forcave Ajrore, atë të Forcave Detare dhe Akademinë West Point në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për vitet akademike 2020 – 2024”.

“Në qendër të fotos, Mario Trupja, kadeti shqiptar që u diplomua sivjet në Akademinë e Forcave Detare në Annapolis”, shprehet ajo, ndërsa publikon linkun e aplikimit që mbyllet më 03 dhjetor 2019. /atsh

Xhaçka: 18 bursa fala për të rinjtë për t’u shkolluar në Forcat Detare të SHBA-së Read More »

“Tetori i Librit” te “Hasan Pulo”

“TETORI I LIBRIT” TE ” HASAN PULO”

Një organizim mbreslënës i DRKK Vlorë, në Shkollën “Hasan Pulo” të Orikumit, në kuadër të nismës së Ministrisë së Kulturës nën okeljon ” Tetori i librit”.
Në bashkëpunim me Bibliotekën ” Shevqet Musaraj” të Vlorës dhe si një kontribut i saj, bibliotekës së shkollës së mesme ju dhuruan një numër librash të autorëve të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj.

Në këtë kuadër pata kënaqësinë që përmes mësueses së letërsisë Elmie Bozhani, edhe si specialist i Trashëgimisë Kulturore të DRKK Vlorë, ti dhuroj bibliotekës së shkollës botimin tim më të fundit, vëllimin me poezi, ” Pikoj këngë” .
Ta dhuroj në një shkollë të njësisë Administrative që ka në juridiksion edhe Dukatin e Tragjasin që jo vetëm pikojnë por burojnë këngë e trashëgimi.
Një falenderim për bashkëpunimin shkon për drejtorinë e shkolës, stafin dhe veçanërisht drejtorit të saj, Andon Meçe.
Rrugëtimi i DRKK- Vlorë vazhdon në shkolla e mjedise të ndryshme sociale në përmbushje të programit të institucionit e në zbatim të nismës së MK./Sejmen Gjokoli

“Tetori i Librit” te “Hasan Pulo” Read More »

“100 vjet Parlament shqiptar”, bursa për studentët më të mirë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u takua sot me rektorët e universiteteve të vendit për të bërë një bilanc të bashkëpunimit Kuvend – universitete.

Takimi u zhvillua në kuadrin e marrëveshjeve të nënshkruara një vit më parë, për të biseduar mbi disa nga nevojat në prag të vitit të ri akademik, mbi disa çështje të perspektivës së universiteteve, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor si edhe për programin e veprimtarive për 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar.

Kuvendi i Shqipërisë dhe 24 universitete e institucione kërkimore, 12 publike dhe 12 jopublike, në tetor-nëntor të vitit 2018, nënshkruan Marrëveshjet e Bashkëpunimit.

Ruçi tha se “këto marrëveshje kanë për qëllim promovimin e punës kërkimore-shkencore dhe të mendimit analitik në funksion të demokracisë parlamentare; rritjen e njohjes dhe kapaciteteve të studentëve mbi parlamentarizmin; përmirësimin e perceptimit publik dhe njohjes më të mirë të funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë; mbështetjen e institucioneve arsimore në përmbushjen e funksioneve të tyre në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë”.

“Një vit pas nisjes së këtij bashkëpunimi institucional, kontributi i universiteteve, akademikëve dhe studiuesve në procesin e hartimit të ligjeve është rritur. Ky kontribut ka përmirësuar edhe cilësinë e akteve ligjore të miratuara në Kuvend. Kontributi i universiteteve, nëpërmjet bashkëpunimit me komisionet parlamentare, sidomos me Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, është rritur edhe në ushtrimin e kontrollit parlamentar. Janë organizuar seanca dëgjimore me përfaqësues të universiteteve e institucioneve kërkimore, rektorë, drejtues të asambleve të fakulteteve, të zgjedhur të këshillit studentor etj.”, – tha ai.

Më tej Ruçi shtoi se “në kuadër të Marrëveshjeve të Bashkëpunimit për periudhën dhjetor 2018–shtator 2019, kryen praktika mësimore pranë Kuvendit 90 studentë, ndër të cilët 60 nga universitete publike dhe 30 studentë nga universitete jopublike.Disa nga detyrimet e shtetit ndaj universiteteve, si për shembull, rritja e financimeve për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor nuk janë plotësuar në nivelin e duhur për shkak të burimeve të kufizuara financiare. Por disa të tjera, si për shembull, vonesa në nxjerrjen e akteve nënligjore në mbështetje të ligjeve të miratuara nga Kuvendi, kërkojnë më shumë vëmendje e produktivitet të disa ministrive e institucioneve. Por pozitive është që Qeveria po tregon një ndjeshmëri shumë më të lartë në çështjet e arsimit të lartë, universiteteve, kërkimit shkencor dhe nevojave të studentëve”.

Për të kremtuar 100 vjetorin e parlamentit të parë shqiptar, Byroja e Kuvendit ka miratuar një program veprimtarish, për një pjesë të të cilave Kuvendi ka kërkuar edhe bashkëpunimin e universiteteve. Një ndër aktivitetet do të jetë akordimi i bursave “100 vjet Parlament shqiptar” disa studentëve më të mirë të universiteteve publike e private.

Në këtë kontekst, Ruçi, u bëri thirrje universiteteve që një pjesë e fondeve që ju kanë menduar të programoni për këto qëllime, të përfshihen në këtë aktivitet të programit të Kuvendit.

Rektorët vlerësoi mbështetjen nga Kuvendi për të kontribuar në hartimin e legjislacionit për thellimin e reformave, sidomos Reformës në Drejtësi, si dhe ishin të një mendimi se ka ardhur koha që universitetet duhet të rifillojnë studimet e ciklit të tretë, të shkollës së doktoraturës.

Në fund të takimit, Kryetari i Kuvendit nënvizoi se “Kuvendi po dëgjon dhe do të dëgjojë njerëzit më të mençur të kombit”. “Ky bashkëpunim do të realizohet përditë dhe në vijimësi. Kontributi i universiteteve dhe akademikëve është i mirëpritur si për procesin ligjbërës, ashtu edhe për kontrollin parlamentar dhe monitorimin e institucioneve të pavarura”, – tha ai./atsh

“100 vjet Parlament shqiptar”, bursa për studentët më të mirë Read More »

Ditët Europiane të Trashëgimisë/ Vlorë, nxënësit vizita në muzeun arkeologjik dhe etnografik

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara në Ditët Europianë të Trashëgimisë, nxënës të shkollave të qytetit kanë nisur vizitat në Muzeun Arkeologjik dhe Etnografik të Vlorës, pjesë e Muzeut Historik të rrethit.

Përmes shpjegimeve të cicerones Arbela Kisi dhe artefakteve nxënësit u njohën me pjesë të historisë së antikitetit e mesjetës, gjetjeve arkeologjike të gjetura dhe grumbulluara pas gërmimeve dhe ekspeditave në vite.

Nxënësit vizituan edhe Muzeun Etnografik të qytetit, një muze me pasuri të jashtëzakonshme trashëgimie, prej kohës së mesjetës.

Shqipëria ka nisur të kremtojë Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore prej vitit 1998.Nga 24 deri 29 Shtator janë ditë të hapura që shoqëria duhet të kujtojë e tu kthehet vlerave të trashëgimisë kulturore që vijnë si trashëgimi nga shekujt e nga brezat. Trashëgimi që sot gjendet në muzeume, por edhe në monumente kulturore, site arkeologjike, objekte kulti, artizanale, krijimtari shpirtërore, zakone, doke, rite etj.

Ndërsa 29 Shtatori është Dita Kombëtare e Trashëgimisë tonë Kulturore. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë ka detajuar prej kohësh një program të larmishëm aktivitetesh, të cilat nisin me vizita të mjaft shkollave të qytetit në Muzeun Etnografik dhe Historik të qytetit, të cilat do të kulmojnë me një aktivitet të madh kulturor në datën 27 shtator 2019, në sheshin përpara stadiumit “Flamurtari”.

Në këtë ditë ,e cila do të organizohet në bashkëpunim edhe me Qendrën për Kulturë e Art të bashkisë Vlorë do të realizohet një Panair i madh me artizanët dhe mjeshtrat e Vlorës si dhe këngë e valle tradicionale nga Kryevepra jonë “iso-Polifoni”./atsh

Ditët Europiane të Trashëgimisë/ Vlorë, nxënësit vizita në muzeun arkeologjik dhe etnografik Read More »