Deputetja socialiste e Elbasanit, Evis Kushi, e propozuar nga Kryeministri Edi Rama si ministre Arsimi, në vend të Besa Shahinit, reagon lidhur me mesazhet e marra.
Ajo publikon një fotografi nga momenti i diplomimit të doktoraturës, pas shkrimeve dhe akuzave se doktoratura e saj është plagjaturë, siç pretendoi studiuesi Vladimir Kola.
Kushi thotë se është diplomuar në Staffordshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent.
“Mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh! Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë. Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit”, shkruan Kushi.
Mesazhi i plotë i ministres së propozuar
Të dashur miq,
Ju falenderoj pamasë për mesazhet tuaja inkurajuese në këtë moment kaq sfidues për mua! Më keni gëzuar, por nuk më keni lehtësuar! Përkundrazi, mesazhet tuaja më bëjnë të ndjehem edhe më e ngarkuar se sa dje kur kryeministri më shprehu vendimin e tij, me barrën e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme. Kur mora doktoraturën në Staffordshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh! Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë. Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit. Një pedagoge dhe qytetare në shërbim të përulur ndaj komunitetit të madh të dijedhënësve.
Faleminderit shumë edhe njëherë të gjithëve! /noa.al
Nisja e këtij viti shkollor është i veçantë, edhe për Kryeministrin Edi Rama.
Djali i tij i vogël, Zaho, shkon në klasë të parë dhe natyrisht babi Edi, nuk mund të mungonte në këtë moment.
Ai ka ndarë një fotografi të vogëlushit me çantën në sup dhe me lule në duar, duke shkuar në shkollë.
“Dita e parë emocion i rrallë. Zoti i bekoftë të gjithë fëmijët që sot nisën shkollën dhe i mbroftë gjithnjë bashkë me prindërit e gjyshërit e tyre të pazëvendësueshëm.
Dashuri, shëndet e gëzime paçin gjithmonë”, shkruan Kryeministri. /noa.al
Ministrja e Arsimit, Besa Shahuni është ndalur në Fushë Krujë, në ditën e parë të shkollës.
Ajo ndan disa fotografi dhe thotë se e kaloi mëngjesin nëpër shkollat që u hapen sot për herë të parë pas 6 muajsh.
“Ndalova në gjimnazin ‘Shote Galica’ Fushë-Krujë, shkollë e cila ka marrë të gjitha masat e nevojshme në funksion të protokollove të sigurisë së ruajtjes së shëndetit. Gjimnazi është shkollë pritëse edhe për nxënësit e 3 shkollave të dëmtuara nga tërmeti, ‘Sherif Dervishi’, “Bilaj” dhe “Mazhë e Vogël”, deri në rindërtimin e tyre”, shkruan Shahini.
Ajo shton se gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, u ndje mirë ndërsa dëgjoi prej tyre se janë plotësisht të ndërgjegjshëm mbi respektimin e masave anti-COVID, fakt i cili më ngroh që do ta përballojmë me sukses normalitetin e ri.
“I porosita nxënësit të mësojnë fort sivjet, të dalin me rezultate të mira, si dhe të dëshmojnë se përkundër sfidave, ne jemi të qëndrueshëm dhe do t’ia dalim më së miri”, shkruan ministrja. /a.y/noa.al
Letra motivuese e Abraham Lincoln, e cila duhet të lexohet nga çdo mësues para fillimit të vitit shkollorë.
Mësues i nderuar.
Djali im sot e fillon shkollën.
Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht.
Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.
Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.
Për këtë, i dashur Mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.
Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.
Atij do t‘i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.
Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.
Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.
Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.
Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.
Mësojeni po të jetë e mundur – si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.
Mësojeni se mund të ketë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme.
Mësojeni t’i përqeshë cinikët.
Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.
Mësojeni të këtë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t`i thonë se janë të gabuara.
Mundohuni t`i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.
Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.
Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarësinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.
Lejojeni të ketë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejoheni të ketë durimin për të qenë trim.
Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në zotin. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im”.
Me respekt,
Abraham Lincoln
Pas një ndërprerje të detyruar prej koronavirusit në muajin mars, nis sot viti i ri shkollor.
Në këtë ditë të parë mësimi, e cila nis me rregulla të reja prej Covid-19, Kryeministri Edi Rama bën një urim për nxënës dhe mësues.
“Duke ju uruar nxënësve e mësuesve një vit të mbarë shkollor, pikësëpari me shëndet dhe patjetër edhe me rezultate sa më të mira”, shkruan kreu i qeverisë.
Ai ka ndarë disa fotografi nga ambientet e shkollave ku shihen distancat e diktuara prej pandemisë.
Janë rreth 480 mijë nxënës që ulen në banka, ku mësimi do të zhvillohet me 2 dhe 3 turne, me orë të reduktuara ndjeshëm. /noa.al
Nesër nis viti i ri shkollor, ku pas mësimit online dhe pushimeve verore, shkollat rihapin dyert për të pritur nxënësit, por këtë herë nën masa të rrepta higjieno- sanitare dhe distancimi social, kushte të diktuara nga pandemia e COVID-19.
Me nisjen e shkollave Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë një apel kundrejt të gjithë mësuesve, prindërve, nxënësve, të tregojnë kujdes me zbatimin me përpikëri të masave që frenojnë përhapjen e COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë apelon për respektimin e distancimit social, vendosjen e maskave ose barrierave mbrojtëse, larjen ose dezinfektimin e duarve, ajrosjen e ambienteve, matjen e temperaturës së nxënësve çdo ditë. Të gjitha institucionet arsimore që fillojnë ditën e nesërme mësimin duhet të zbatojnë me rigorozitet Udhëzimin mbi masat anti-COVID19 me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmëri për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar.
Ndërsa më herët ministria e Arsimit ka nxjerrë protokollin e sigurisë që duhet zbatuar për hapjen e shkollave dhe se si do të veprojnë në rast se ka nxënës apo mësues të prekur nga COVID-19.
Në prag të hapjes së shkollave, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar një mesazh për nxënësit, mësuesit dhe prindërit duke i siguruar që strukturat shëndetësore janë në gatishmëri dhe duke kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve për të përballuar këtë sfidë.
“Periudha që po afron nuk do të jetë e lehtë dhe përveç forcimit të kapaciteteve të sistemit shëndetësor, për të cilat kemi marrë masa në planin e Vjeshtë-Dimrit, kërkon gjithashtu angazhimin e të gjithë qytetarëve, veçanërisht çdo prindi, për rolin e rëndësishëm që duhet të luajë secili prej nesh, për të frenuar përhapjen e Covid19. Strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmeri për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar”, tha Manastirliu.
Në mesazhin e saj, Ministrja Manastirliu bën apel për respektimin e rregullave të vendosura nga nxënësit dhe mësuesit, si e vetmja mënyrë për të frenuar sa më shumë përhapjen e infeksionit.
“Duhet të mësohemi me maskën. Për çdo shqetësim, duhet të kontaktoni koordinatorin e shkollës, i cili sinjalizon menjëherë strukturat shëndetësore. Të kontribuojmë të gjithë për shkolla më të sigurta, për shëndetin e fëmijëve tanë, të mësuesve dhe të gjithë komunitetit!”, apelon Manastirliu.
Në mesazhin e saj Manastirliu u drejtohet prindërve për të marrë përgjegjësinë që ju takon në këtë moment të rëndësishëm.
“Bëhuni bashkëpunëtorët e parë me mjekun e familjes. Sinjalizojeni atë nëse ka diçka që shihni se nuk shkon te fëmija juaj. Matini çdo ditë temperaturën fëmijës para se të niset për në shkollë. Rihapja e shkollave është momenti më i mirë për të treguar se shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve janë kaq të rëndësishme për ne, ndaj s’duhet të lejojmë asgjë të na cënojë shëndetin dhe përparimin e fëmijëve dhe shoqërisë tonë”, apelon Manastirliu.