Mungoi sot në bllokimin e rrugëve nga PD, flet Jozefina Topalli: Ja cilat protesta mbështes
[sgmb id=”1″]
Partia Demokratike dhe aleatët e saj organizuan sot një protestë në mbarë vendin duke bllokuar për 1 orë akset rrugore kryesore, me kërkesën për qeveri teknike.
Gjatë këtyre tubimeve, ra në sy jo vetëm mungesa e ish-kryeministri, Sali Berisha por edhe e një prej figurave kryesore të PD-së, Jozefina Topalli.
E kontaktuar nga gazetarja, Elda Menga, ish-kryetarja e Kuvendit në një prononcim ekskluziv për “BalkanWeb” ka lënë të kuptohet se ka qenë kundër kësaj forme proteste, duke sqaruar kësisoj edhe arsyen e mungesës së saj në tubimet për bllokimin e rrugëve.
“Mbështes çdo protestë për punë, për bukë, protestë kundra padrejtësive, kundra drogës, krimit, kundra korrupsionit, kundra kalbëzimit të qeverisjes. Qëndrimet e mia i kam bërë të qarta çdo seancë parlamentare e do vazhdoj ta bëj. Kam folur kur shumica heshtte. Kam luftuar kur shumica kërcënonte e do vazhdoj të bëj betejën si opozitare, në respekt të bindjeve të mia, parimeve demokratike e rregullave të demokracisë”.
Ish-kryetarja e Kuvendi ka theksuar gjithashtu se ka 3 vite që përsërit nevojën për një opozitë të fortë ndaj qeverisë, ndërsa ka vënë në dukje faktin se në kushte normale Partia Demokratike duhej të ishte sot në fushatë.
“Ky vend është në zgrip të humnerës. E qytetarët e tij janë më të varfër se kurrë në këta 25 vite. Ne jemi në një pikë kritike. Kam të paktën 3 vite që e përsëris dhe kërkoj opozitë të fortë. Kjo qeverisje meritonte të përmbysej prej kohësh. Në kushte normale tani duhej të ishim në fushatë. Por në vendin tonë asgjë nuk është më normale. Dhe kjo situatë është shumë preokupuese”, – është shprehur Topalli.