Aktualitet

Nafta e shtrenjtë, Shqipëria e pesta në botë

Shqipëria renditet e pesta më e shtrenjtë në botë përsa i përket çmimit të karburanteve në krahasim me të ardhurat për frymë, pas Moldavisë, Indisë, Jordanisë dhe Marokut. Të dhënat janë përpunuar nga “Monitor”, bazuar në informacionin mbi çmimin e benzinës që jepet nga Global Price Petrol dhe të ardhurat për frymë sipas metodës së fuqisë blerëse, të Bankës Botërore. Treguesi mat përballueshmërinë, në bazë të përqindje së të ardhurave ditore që duhet për një litër karburant.

Çmimi i benzinës, që merret për referencë nga Global Price Petrol ishte 1.68 dollarë/litër në Shqipëri, në nivele të ngjashme me shtete që kanë të ardhura për frymë shumë më të larta sesa Shqipëria, si Gjermania, Belgjika, Holanda, Danimarka, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia etj. Në vlerë absolute Shqipëria renditet e 23-a më e shtrenjtë në botë.

Shqiptarëve u duhen 5.3% e të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant. Ndonëse Norvegjia, psh, ka ndër çmimet më të shtrenjta në botë të naftës në vlerë absolute (2.05 USD/litër), qytetarët e saj mund ta përballojnë fare mirë, pasi u duhen vetëm 1.3% të të ardhurave ditore për të furnizuar makinën me një karburant.
Maqedonasve dhe malazezëve u duhen 3.2% të të ardhurave ditore, serbëve 3.7%, ndërsa shtetasve të Kosovës 3.9%. Greqia e ka këtë tregues 2.6%, ndërsa Italia 1.8%, Bullgaria 2.4%.

Në Moldavi, që është më e shtrenjta në botë për karburantet, sipas fuqisë blerëse, duhen 7.3% të të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant.

Pse e paguajmë kaq shtrenjtë naftën?

Taksat e larta që paguajmë për naftën janë arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka çmime kaq të shtrenjta të karburanteve, ku 60% të çmimit e përbëjnë taksat.

“Monitor” krahasoi strukturën e çmimit të naftës në Shqipëri dhe Maqedoni:
Në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare, nafta kushton aktualisht 63 dinarë maqedonas, ose 130 lekë, ndërsa në Shqipëri nafta kushton mesatarisht rreth 170 lekë, apo rreth 30% më e shtrenjtë. Më poshtë jepet e detajuar se si formohet ky çmim:

Çmimi i blerjes në port llogaritet i ngjashëm për të dy vendet, në rreth 53 lekë për litër në Shqipëri dhe 60 lekë për litër në Maqedoni, pasi ka kosto më të larta transporti për shkak të mungesës së portit. (një ton naftë sot blihet në bursa me rreth 600 dollarë)

Në Maqedoni, taksat direkte mbi naftën janë vetëm akciza, me rreth 28 lek për litër (0.2 cent për litër) dhe TVSH, në rreth 20 lekë për litër (norma e TVSH-së në Maqedoni është 18%, ndërsa zbatohet mbi një çmim 30% më të ulët se në Shqipëri).

Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia nuk e ka taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e naftës, por e merr direkt tek automjetet.

Në Shqipëri nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila. TVSH totale arrin në 28 lekë për litër.

Në total, në Maqedoni taksat direkte janë rreth 48 lekë për litër dhe në Shqipëri 97 lekë për litër, pra dyfishi.
Krahas tyre, në Shqipëri është rritur ndjeshëm tarifa e rilicencimit të pikave të tregtimit të karburanteve, që sipas operatorëve llogarit një kosto shtesë prej 3-5 lekë për litër. Kosto të tjera përfshijnë tarifat për Inspektoriatin Qendror Teknik, taksë tabele, taksë reklame, amortizim etj, që duke shtuar dhe një marzh fitimi e çojnë çmimin final në rreth 170 lekë për litër, ose rreth 30% më shtrenjtë se në Maqedoni.

Taksa për rrugën Durrës-Kukës

Aktualisht qytetarët shqiptarë paguajnë rreth 120 milionë euro taksa nga qarkullimi (507 milionë litra naftë konsum vjetor me 2016 x 32 lekë taksë qarkullimi + TVSH).

Ndërkohë fondet që akordoi buxheti i shtetit për mirëmbajtjen e rrugëve në vend vitin e kaluar, duke përfshirë edhe Rrugën e Kombit ishin rreth 3 miliardë lekë ose 22 milionë euro. Kjo shumë është sa 18 për qind e taksës që u vol me 2016 nga qarkullimi dhe që ka destinacion mirëmbajtjen.

Këto fonde vlerësohen të mjaftueshme për të bërë mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve në vend. Nga Financat nuk ka transparencë se si përdoren këto të ardhura.

Për herë të parë, Shqipëria ka nisur zbatimin e sistemit të rrugëve me pagesë, përmes dhënies me koncesion të mirëmbajtjes së segmentit Milot-Morinë, ku tarifat janë 5 euro për veturat dhe 22.5 euro për kamionët, sërish ndër më të lartat në Europë. Nga ana tjetër, juristët kanë pohuar se ato mund të ankimohen në gjykatë, për shkak se cenohet parimi kushtetues se nuk mund të paguhen më shumë se dy lloje taksash për të njëjtin funksion./ Monitor

 

Nafta e shtrenjtë, Shqipëria e pesta në botë Read More »

Negociatat me BE-në, lajmërohet takimi Merkel – Rama

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, pret nga Komisioni Europian një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian edhe pse 3 shtete të rëndësishme si Gjermani, Franca dhe Holanda janë ende jo të bindura.

Ministri i jashtëm Ditmar Bushati  tha se kryeministri Rama do të takojë kancelaren Merkel në pranverë ndërsa Ministri i Jashtëm francez do të vijë në Tiranë së shpejti.

“Takimi i kryeministrit Rama me kancelaren Merkel do të ndodhë brenda pranverës. Do të kemi një vizitë së pari të Ministrit të Jashtëm të Francës në Shqipëri ku do kemi mundësi për të diskutuar për këtë progres dhe gjithashtu për të identifikuar mënyrën se si mund të tejkalojmë disa sfida të tjera.

Stacioni i parë për ne është 17 prilli, dita kur Komisioni Europian do publikojë paketën e zgjerimit. Ne jemi me një shpresë të plotë që Komisioni Europian do dalë me një rekomandim për fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, tha ai.

Negociatat me BE-në, lajmërohet takimi Merkel – Rama Read More »

Ja shenjat e horoskopit do të kenë fat të madh në muajin prill

Secili prej nesh shpreson se pranvera është fillimi i diçkaje të re dhe të habitshme. Më poshtë do ju prezantojmë se cilat shenja të horoskopit do kenë më shumë fat në muajin Prill.

Gaforrja

Për ju llogariten ndryshime të këndshme.

Ata prekin kryesisht jetën tuaj personale. Zemra jote është plot dashuri për këtë botë.

E kjo është ajo që do të bëhet forca juaj lëvizëse. Fati do t’ju shoqërojë në të gjitha fushat e jetës. Pra, përpara me ëndrrat dhe dëshirat tuaja!

Shigjetari

Pranvera do t’i japë jetë frymëzimit të Shigjetarit. Sepse më në fund ju do besoni në vete dhe do filloni të ecni përpara. Prilli do të sjellë shumë ndryshime pozitive. asnjë problem nuk mund t’ju nxjerrë nga brazda. Ju do të ndiqni synimet tuaja me besim, shkruan ShkodraNews. Dhe do të jetë mirë.

Fati do të jetë në anën tuaj. Pra guxoni!

Peshorja

Peshore, do të jeni në gjendje të gjeni harmoni dhe të gjeni paqen e mendjes. Do ndiheni të kënaqur dhe të lumtur. Çdo gjë do të jetë në rregull, me qetësi dhe në mënyrën që ju keni planifikuar për veten tuaj, shkruan ShkodraNews. E të gjitha problemet do të jenë të parëndësishme dhe atëherë ju do të jeni në gjendje të merreni me ta një nga një.

Gëzoni momentin. Në prill, do të jeni të suksesshëm në të gjitha fushat e jetës tuaj.

Demi

Muaji prilli do hapë mundësi dhe perspektiva të reja për ju. Qëllimi juaj kryesor nuk është të humbasësh fatin tënd.

Rrethanat do ndryshojnë mjaftueshëm shpejt. Ju nuk mund të jeni të ngadalshëm. Fati juaj do t’ju sjellë shumë surpriza interesante. Fillimi i pranverës është gjithmonë një moment i shpresës së re.

Andaj ndjehuni të lirë për të përkthyer dhe organizuar planet tuaja. Ju do të keni sukses!

Ja shenjat e horoskopit do të kenë fat të madh në muajin prill Read More »

Arbër Hajdari i ‘Fundjave Ndryshe’, takime në SHBA

Themeluesi i “Fundjavës Ndryshe”, Arbër Hajdari po përfaqëson Shqipërinë në programin e Vizitorit Udhëheqës Ndërkombëtar (IVLP) për “Vullnetarizmin dhe Veprimin Qytetar’ në Amerikë.

Njoftimi është bërë i ditur nga ambasada amerikane në Tiranë. “Arber Hajdari nga Fundjavë Ndryshe po përfaqëson Shqipërinë në programin e Vizitorit Udhëheqës Ndërkombëtar (IVLP) për “Vullnetarizmin dhe Veprimin Qytetar.”, shkruan ambasada amerikane”.

Emri i Arbër Hajdarit është i njohur pas nismave për të ndihmuar njerëzit në nevojë duke u dhënë shpresë familjeve shqiptare me probleme ekonomike.

I riu që ka ndihmuar dhjetëra familje të varfëra, falë nismës së tij që u përhap ngado, po përfaqëson Shqipërinë në programin e Vizitorit Udhëheqës Ndërkombëtar (IVLP) për “Vullnetarizmin dhe Veprimin Qytetar.”

Arbër Hajdari i ‘Fundjave Ndryshe’, takime në SHBA Read More »

A ka të dhëna që implikojnë Tahirin? Gazetari që publikoi dosjen “Habilaj” zbulon dëshmitë

Gazetari Italian i cili publikoi i pari dosjen hetimore ndaj grupit të “Habilajve”, ka zbuluar të dhëna të reja për çështjen duke bërë publike edhe pjesë nga dëshmia e Moisi Habilajt.

Gazetari i MeridioNews Dario De Luca ka deklaruar se Moisi Habilaj ka mohuar kategorikisht që ish-ministri Saimir Tahiri të ketë bashkëpunuar me ta duke u siguruar garanci për parcelat e drogës.

Ai ka pranuar se ka lidhje të largëta farefisnore, por vetëm kaq.

Moisi Habilaj ka folur me prokurorët. Ai është pyetur për marrëdhëniet me ish-ministrin Tahiri.

Ai ka përjashtuar përfshirjen e ish-ministrit në çështjen e tij.

Ai ka pranuar në mënyrë të pjesshmë, se vetë ka lidhje me trafikun e drogës, ai ka pranuar përgjegjësitë e veta, por ka përjashtuar implikimin e ish-ministrit Tahiri”, deklaroi gazetari Dario De Luca.

Gazetari italian ka zbuluar edhe deklaratën e Habilajt lidhur me blerjen e makinës së Saimir Tahirit në të zezë.

Habilaj ka deklaruar se ka lidhje farefisnore me Tahirin, por ka thënë se është shumë e largët. Ai është pyetur edhe për Audin e ish-ministrit. Moisi Habilaj ka deklaruar se shitja është bërë në të zezë, pa një kalim pronësie të rregullt”, tha ai.

A ka të dhëna që implikojnë Tahirin? Gazetari që publikoi dosjen “Habilaj” zbulon dëshmitë Read More »

Si mund të blesh armë në Tiranë pa asnjë dokument dhe pa kaluar asnjë …

Si mund të pajisesh me armë gjahu pa pasur asnjë dokument? Madje, pa kaluar në asnjë komision, siç parashikohet nga ligji “për armët”.

Bashkëpunëtorët e emisionit investigativ Fiks Fare paguan 35 mijë lekë dhe morën një armë gjahu. Në disa dyqane armësh nuk të kërkojnë asnjë dokument, raporte mjekësore, vlerësim nga Policia e Shtetit apo edhe dalja para komisionit.

Bashkëpunëtorët e Fiksit shkojnë në një dyqan armësh, ndërsa bisedojnë edhe me personin që shet armë gjahu. Fillimisht, gazetarët i kërkojnë të blejnë fishekë për armë gjahu, ndërsa i bëjnë me dije shitësit se nuk marrin vesh nga armët e gjahut. Gazetari i kërkon shitësit një çifte pa leje dhe ai i thotë se do t’i gjejë një armë teke ruse ose turke, pasi çiftet janë të shtrenjta. Gazetari i thotë se e do të lirë që ta mbajë në shtëpi, ndërsa shitësi i kërkon që “unë s’të kam dhënë gjë”. Mësohet se arma e gjahut kushton 35 mijë lekë të reja.

Gazetarët shkojnë sërish në dyqan për të marrë armën e gjahut. Në momentin që bashkëpunëtorët e Fiksit shkojnë në dyqan, shitësi telefonon një person. Ai del jashtë dyqanit, merr lekët (35 mijë lekë të reja) për armën e gjahut dhe më pas solli armën. “Merre se nuk dua ta fus në dyqan” i thotë ai, ndërsa gazetari i kërkon që ta mësojë si ta përdorë. Shitësi ia monton me një gjahtar tjetër dhe ia jep armën e gjahut teke.

Ndërkohë, gazetarët e Fiks Fare faktuan se, krahas armëve të gjahut, edhe fishekët shiten lirshëm, madje pa paraqitur asnjë dokument. Në qytetin e Lezhës, në një dyqan ku shiten armë gjahu, shitësit të shesin fishekë për derra pa kurrfarë dokumenti. Gazetarët blejnë një kuti me saçme derri dhe një kuti me fishekë për gjueti shpendësh. Krahas gazetarëve, edhe persona të tjerë blejnë fishekë për mëllenja pa asnjë dokument shoqërues.

Në ligjin me numër 74 të vitit 2014 përcaktohet se autorizimi për mbajtje arme gjahu, sportive dhe armë të tjera, jepet nga organi përgjegjës i Policisë së Shtetit. Ndërkohë, municionet e rimbushura të armëve të gjahut janë të destinuara për përdorim të mbajtësit të autorizimit.

Në nenin 34 thuhet se personat që pajisen me armë duhet të kenë mbushur 25 vjeç, mos të kenë dënime apo të kenë ushtruar dhunë në familje, të zotërojë dëshminë për kryerjen e kursit të aftësimit teorik dhe praktik për përdorimin e armës dhe të gëzojë besueshmëri. Ndërkohë, kushdo që duhet të blejë apo mbajë armë duhet të dëshmojë që nuk ka çrregullime fizike dhe të shëndetit mendor, të pasqyruara këto në raportin periodik mjekësor, të lëshuar nga komisionet mjeko-ligjore. Për të verifikuar këto procedura, në Policinë e Shtetit ngrihen komisione për dhënien e licencave dhe autorizimeve për veprimtaritë e lejuara me armë.

Si mund të blesh armë në Tiranë pa asnjë dokument dhe pa kaluar asnjë … Read More »

Manjani: Ish-ministrit Tahiri t’i jepet garancia të flasë për Kryeministrin

Ylli Manjani, ish-ministër i drejtësisë, në studion e “Opinion” te Blendi Fevziu, tha për kanabizimin e vendit se prokuroria shqiptare e ajo italiane kanë nën hetim penal grupin Habilaj si dhe lidhjet me ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, ndaj duhet që drejtësia shqiptare t’i jap garanci ish-ministrit të Ramës. Garanci në sensin e statusit të të penduarit, por që të flas për kryeministrin Rama se si e ktheu Shqipërinë në një masivitet të kanabisit. Ylli Manjani shtoi se kultivimi i kanabisit ishte vendim politik i kryeministrit Rama dhe një strategji për ta kthyer vendin në një shtet kryesor për kultivim dhe transportim të drogës drejt Europës. Asgjë nuk mund të jetë bërë, shtoi Manjani, pa lejen e kryeministrit.

Ish-ministri i drejtësisë Manjani insistoi se duhet patjetër që Saimir Tahirit ti krijohet garanci ligjore ku të flasë me emra. Ato grupe kriminale që u morën me kanabisin tani po trafikojnë kokainën, ndaj vetëm Saimir Tahiri i di lidhjet e këtyre grupeve, pohoi Ylli Manjani.

Pas përgjimeve të reja të publikuara në media që implikojnë Habilajt në trafikimin e drogës më shumë detaje për hetimin e tyre ka dhënë gazetari italian Dario de Luca. Ai ka folur duke dhënë disa fakte. De Luca, i cili ka zbuluar përgjigjet e Moisi Habilajt për hetuesit italianë, kur është pyetur për lidhjen e grupit kriminal me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri tha se po hetohet krejt zinxhiri Habilaj-Tahiri. Sipas tij, Habilaj ka pranuar lidhjen farefisnore me Taihrin, por ka theksuar se është shumë e largët. Gjithashtu ai është pyetur edhe për Audin e famshëm të cilin e kishte blerë nga Saimir Tahiri.

Ndërsa për sa i përket Nazer Seitit të cilësuar si financieri i Habilajve, gazetari tha: Nga Italia ne e dimë se është kryer ekstradimi, por nuk kemi arritur në këtë javë të kuptojmë se kush është avokati i tij. Ajo që dimë është se ai ka vendosur t’i nënshtrohet marrjeve në pyetje. Por Nazer Seiti nuk është përfshirë në dosjen e Habilajve, ku janë vetëm tre shqiptarë. Kjo do të thotë që Nazer Seiti mund të jetë pjesë e një tjetër hetimi. Nëse ky hetim do shkojë në nivel më të lartë, nuk e dimë. Por varet se çfarë do thotë Sebastiano Sardo nga Siçilia që bashkëpunonte me bandën e Habilajve. Ai tha gjithashtu se nuk ka informacione nëse do të përjashtohet nga hetimi Tahiri dhe për këtë arsye nuk mund të përgjigjet për momentin, pasi kjo mbetet sekret i madh hetimor.

Lëvizjet e prokurorëve të krimeve të rënda nga Shqipëria drejt Italisë si dhe ardhja e prokurorëve italianë në Tiranë mendohet se po hetojnë një “peshk të madh” shqiptar.

Manjani: Ish-ministrit Tahiri t’i jepet garancia të flasë për Kryeministrin Read More »