Qeveria Rama e cila këtë fundjavë është zhvendosur në Fier zhvilloi takime me drejtuesit qendrorë e vendorë të Qarkut të Fierit, për punësimin, shërbimet dhe reformën e tokës.
Kreu i qeverisë theksoi se do të vijojë reforma në administrata ku sipas tij ka ende grabitqarë. Ai paralajmëroi punonjësit e hipotekës për zvarritjet që krijojnë
“Kemi mbi 80 raste largimesh nga puna në Hipotekë pikërisht për këtë shkak dhe si rrjedhojë e ndërveprimit direkt me qytetarët dhe një numër i madh masash paralajmëruese për punonjësit e Hipotekave. E them këtë për të nënvizuar se drejtuesit e Hipotekave do ta kenë shumë të qartë që ajo që kanë përsipër është detyrë me rëndësi shumë të madhe për qytetarët dhe zvarritjet janë përgjegjësi e tyre. Dhe nuk mund dot të fshihen pas një punonjësi tjetër që është shkaktari direkt i shkeljes së të drejtës për të marrë shërbimin dhe nga ana tjetër qytetarët duhet ta dinë se nuk është e nevojshme të humbasin kohë për të gjetur anën për problemin në forma nga më të ndryshmet por mjafton të drejtohen në platformë, shpenzojnë tre minuta për të bërë me dije problemin dhe brenda 10 ditësh marrin përgjigje”– tha kreu i qeverisë.
Kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryeministri, Edi Rama kanë replikuar sot për disa shkrime në portale anonime që sulmojnë Kryetarin e Komisionit të Çështjeve të BE-s në Bundestag, Gunther Krichbaum.
Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat dhe akuzoi Edi Ramën si sponsorizuesin e shkrimeve denigruese për politikanin e lartë gjerman, që është dhe një nga njerëzit më të afërt të Angela Merkel në Bundestag.
Shkrimet e botuara në disa media afër PS në Tiranë akuzojnë Gunther Krichbaum për financim nga Rusia dhe deri për trafik fëmijësh! Jehona e shkrimeve të tilla ka mbërritur deri në Berlin dhe sot mediat gjermane kanë folur për sulme jo etike ndaj politikanëve gjermanë.
Pas deklaratës ë Bashës, Edi Rama ka shkruar një status të gjatë në formë letre për Lulzim Bashën. Kryeministri thotë se nuk ka asnjë arsye që PS dhe ai personalisht të merret me një politikan të një vendi tjetër. Ndërsa akuzon Bashën se po dëmton procesin e integrimit të vendit me lobimin në kancelaritë e vendeve të BE kundër çeljes së negociatave.
Letra e plotë e Edi Ramës për Lulzim Bashën
Nga Edi Rama
Zoti kryetar i Partisë Demokratike!
Sapo paske thënë në shqip për publikun, atë që me ndihmën e “dashamirësve” të Shqipërisë, ke shkruar gjermanisht dhe dërguar dje në Berlin, për gjoja sulmin e financuar prej meje në kazanin mediatik të Tiranës, ndaj zotit Gunther Krischbaum!
Kjo është fiks ajo që ti dhe kanakarët e tu anglisht apo gjermanfolës, bëni papushim prej kohësh, kudo e kurdoherë gjeni veshë të huajsh për të derdhur baltën tuaj. Shani e shpifni për t’i lënë Shqipërisë faturën e dëshpërimit prej humbjeve thellë e më thellë, të betejave tuaja zgjedhore. Abuzoni si s’ka më keq me miqësitë e miqtë tuaj gjithnjë e më të paktë ndërkombëtarë, duke përfituar nga dëshira e tyre për t’ju dëgjuar dhe nga pamundësia apo në ndonjë rast, edhe mosdëshira e tyre për t’i verifikuar ngarkesat e rënda të baltës suaj. E quani të kryer me nder punën tuaj krejt të pandershme ndaj këtij vendi, kur dilni prej takimeve me ta pasi i keni shastisur me zeznajën e gjuhës suaj të shthurrur. Dhe meqë mua e Partinë Socialiste nuk na mundni dot në fushën e betejave politike përpara popullit shqiptar, mundni Shqipërinë në recitimet tuaja të turpshme përpara të huajve të interesuar për ecurinë e këtij vendi drejt Europës!
I dashur Lulëzim,
Gunther Krischbaum nuk është miku im dhe as nuk hyn ndër dashamirësit e Partisë Socialiste e të qeverisë sonë! Unë nuk jam aspak dakord me opinionin e tij për punën e qeverisë sime dhe këtë ai e di shumë mirë, sepse e ka dëgjuar nga unë, sy më sy dhe jo mbrapa krahëve. Por, zotëria në fjalë ka të gjithë respektin tim për ndihmën që dha kur zotrote bllokoje Reformën në Drejtësi dhe kurrën e kurrës, jo ai po asnjë i huaj i interesuar për Shqipërinë, nuk ka qenë e s’mund të jetë shënjestra e ndonjë sulmi të orkestruar prej meje apo prej Partisë Socialiste. Kurrë!
Unë dhe Partia Socialiste, jo vetëm s’jemi marrë me asnjë lloj shkrimi për mikun tënd gjerman, po s’jemi marrë asnjëherë as me vetë jetën tënde personale a me familjarët e tu, siç ti dhe Partia jote keni bërë e bëni papushim me zë e me figurë, me jetën time personale, me familjarët e mi dhe me jetën e familjarët e plot kolegëve të tjerë.
Një fjalë e mençur e një dijetari të famshëm gjerman thotë se kush të akuzon për çka nuk ke bërë, ose e ka bërë ose është në gjendje ta bëjë vetë atë për të cilën të akuzon! Mbase zoti Krischbaum nuk e ka të mundur ta bëjë dallimin e qartë mes nesh, sepse ai është miku yt e jo imi dhe nuk e ka as kohën, ndoshta as dëshirën, të thellohet në verifikimin e gënjeshtrave të tua të mëdha për mua e për qeverinë time. Por shqiptarët e kanë shumë të qartë këtë dallim dhe prandaj besueshmëria jote në sytë e tyre vetëm bie dhe udhëheqja jote vetëm thellon humbjet e partisë që ti drejton, në rrugën e saj pa lavdi e as shpresë, nga humbja në humbje.
Sa për portalet e për kanalet, e di e gjithë Shqipëria opinionin tim dhe kam kohë që nuk u kushtoj më minuta të ditëve të mia, sepse as nuk kam mundësi t’ua korrigjoj shënjestrat e as nuk më kanë penguar dot ndonjëherë t’i fitoj betejat! Kështu që mos u bëj edhe më qesharak se ç’je bërë përpara shqiptarëve, duke bërë rolin e të indinjuarit nga balta e hedhur mbi zotin Krischbaum, ndërkohë që balta jote e përditshme është e të njëjtës cilësi mizerabël. Dhe ndaloje të paktën deri në qershor eksportin e asaj balte nëpër Europë!
Deklarata e Kryetarit të PD
Angela Merkel dhe Gunther Krichbaum
Jam para jush për të dënuar fushatën e akuzave të pabaza dhe shpifjeve të ulëta kundër Gunther Krichbaum. Kryetarit të Komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut, i cili është vënë nën shënjestrën e një fushate të turpshme dhe e papranueshme.
Kjo fushatë e pistë, e frymëzuar nga sulmet e Kryeministrit Edi Rama në mediat e kontrolluara prej tij, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish Ministrit të Brendshëm, trafikantit ndërkombëtar të drogës, Saimir Tahiri, bie ndesh me çdo vlerë demokratike dhe europiane. Ajo dëshmon mentalitetin kriminal dheautokratik se kritikët dhe ata që mendojnë ndryshe duhet të sulmohen personalisht dhe të denigrohen.
Gunther Krichbaum është një nga figurat politike më të nderuara dhe të respektuara të Europës. Mbi të gjitha, Gunther Krichbaum është një njeri që e do dhe mbështet Shqipërinë. Por ai do një Shqipëri ku të sundojë shteti i së drejtës dhe demokracia. Prandaj ai ka shprehur hapur dhe me ndershmëri mendimet dhe kritikat e tij për të ndihmuar përparimin e Shqiëprisë dhe të integrimit të saj në Bashkimin Europian. Kritikat e argumentuara dhe të paanshme të Krichbaum i janë shprehur Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare edhe nga shumë qeveri të tjera eurpiane,mbrëmë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kryesisht hapsirës Euroatlantike.
Por në vend që të ballafaqohet me realitetin e vërtetë që Krichbaum e argumenton në mënyrë bindëse, në vend që të reflektojë për kritikat e drejta të Krichbaum, Edi Rama ka zgjedhur të prodhojë një fushatë shpifjesh dhe lajmesh fallco, fake neës, kundër Kryetarit të Komisionit të Çështjeve të Bashkimit Europian në Bundestag.
Gjëja më e ndyrë e kësaj fushate, e cila po zhvillohet prej 3 ditësh në media, është se ajo financohet nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit qeveritar dhe që lidhen direkt me Edi Ramën, Saimir Tahirin dhe Erion Veliajn. Ky aksion i ulët propagandistik dëmton interesat e shqiptarëve, dëmton interesat e Shqipërisë, dëmton prespektiven e saj. Me sulmet ndaj Krichbaum, Edi Rama vetëm sa po shton rradhët e deputetëve gjermanë në Bungestag që janë pesimistë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vota e të cilëve është e domosdoshme para se qeveria gjermane të japën vendimin e saj për Shqipërinë.
Së fundmi, dua të shpreh neverinë time personale, jo vetëm si politikan, por mbi të gjitha si shqiptar, dhe të dënoj fuqimisht këtë fushatë shpifjesh dhe sulmesh skandaloze kundër dinjitetit njerëzor të një njeriu dhe politikani të ndershëm që punon për interesin e përbashkët europian jo vetëm të Gjermanisë, por të gjithë popujve europianë.
Aferat me pronat në bregdet, ndër vite kanë prodhuar skandale, me bekimin e institucioneve të drejtësisë. Disa herë radhazi, CNA.al, ka publikuar fakte dhe dokumente se si ka ndodhur tjetërsimi dhe abuzimi me bregdetin e Gjirit të Lalzit.
Një sipërfaqe toke prej 3.6 dynym e ndarë sipas ligjit 7501, e ndodhur në fshatin Draç, është regjistruar në Hipotekën e Durrësit si ranishte, me anë të një vendimi gjykate, në pronësi të trashëgimtarëve të shtetasit R.H.
Ndërkohë, që kjo pronë është e regjistruar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme si ranishte, në Seksionin e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës Durrës, nuk rezulton e regjistruar asnjë sipërfaqe ranishte në pronësi të shtetasit R.H.
CNA.al, është interesuar pranë kadastrës në Durrës, rreth kartelës së pronësisë të shtetasit R.H dhe bazuar në informacionet e dhëna nga kreu i këtij sektori, nuk rezulton e regjistruar ndonjë sipërfaqe ranishte.
“Pronat e R.H. në fshatin Likmetaj janë të regjistruar në Modelarin numër 2 si vijon :Tokë arë 48 dynym, livadh 13 dynym, pemishte 1 dynym, rrënjë ullinj 90 copë, ullishte 28 dynym dhe pyje 200 dynym”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga kreu i Seksionit të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës Durrës, Endrit Abdyli.
Por, me vendim gjykate, një pronë e ndarë sipas ligjit 7501, ka përfunduar e regjistruar në Hipotekë si ranishte.
Shtrohen pyetjet, nëse është ranishte përse nuk është regjistruar në kadastër dhe përse nuk është marrë parasysh kartela kadastrale nga gjykata, kur ka dhënë vendimin për regjistrimin e pronës si ranishte.
Skandali i abuzimit me pronat në bregdetin e Lalzit është zbuluar pas denoncimit të shtetasit LL.M, i cili është në kontest me trashëgimtarët e R.H. Në të njëjtën çështje është përfshirë edhe Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit ka konstatuar me prova se është bërë zhvendosja e pronës nga fshati Likmetaj, në bregun e detit në fshatin Draç. I njëjti institucion ka depozituar pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë, kallëzim ndaj ekspertit të thirrur nga Gjykata për kryerjen e akt eskpertimit të rremë.
Gjithashtu, Avokatura e Shtetit ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë dhe është në pritje të shqyrtimit të kësaj çështjeje.
Eshtë shoqëruar me debate takimi i sotëm i Ramës me banorë e biznesmenë në Lushnje.
E gjatë takimit bashkëbisedues, të pranishmit i janë ankuar kryeministrit për taksat e shumta që duhet të paguajnë, taksa që sipas tyre janë rritur.
Por Rama ka kërkuar të dijë saktësisht, duke pyetur qytetarët: Ngrije dorën, ja më thuaj, ty ca të është ngritur. Ca?
Qytetari: Taksat, 20 përqindëshi nuk e kam paguar, tani e kam
Rama: Ça takse të është ngrit ty?
Qytetari: Kjo tani, 20 përqindshi
Rama: Ku e paguan ti më shumë
Qytetari: Te taksat e biznesit
Rama: Ti ke biznes vetë
Qytetari: Po biznes familjar, prandaj po them
Rama: Te sqaroj une.
Rama: Janë rritur vetëm dy taksa, për ata që fitojnë më shumë, ne e bënë 15% për ata që janë të mëdhenj dhe e ulëm 5% për të vegjlit deri në 8 mln dhe zero taksë për bizneset e vogla deri në 5 mln. Të gjithë gënjejnë, kush thotë e kam xhiron aq e kaq, gënjejnë, se nuk duan të kalojnë pragun dhe bëhen të mëdhenj dhe paguajnë taksë më të lartë dhe se janë në një marrëdhënie mëkatin me të madhin, se i madhi i jep pa faturë dhe grabitet publiku dhe shteti, se i madhi shmang atje ku ne kemi synimin kryesor. Është lojë që ne do i japim fund. Duke vënë TVSH për të gjithë, kush është deri në 2 mln s’ka.
Një aksident i rëndë ka ndodhur në këto caste në rrugën trasballkanike në Vlorë, por fatmirësisht pa viktima.
Në aksident janë përfshirë pesë automjete, tre prej të cilave janë dëmtuar thuajse krejtësisht.
Një automjet ”tipTuareg”,i cili ishte duke lëvizur me shpejtësi mjaft të madhe në këtë aks pranë zonës së rrugës së re, fillimisht ka goditur një automjet tip Benc dhe më pas ka përplasur dhe tre mjete të tjera të cilat ishin duke ecur në zonë, në anë të rrugës kryesore.
Policia ndodhet në vendngjarje për shkaqet e aksidentit masiv me pesë automjete.
Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama doli në një konferencë pëe mediat nga Fieri, ku ndodhet këto dy ditë për të mbledhur Qeverinë jashtë Tiranës.
Por ai nuk dha asnjë deklaratë lidhur me lirimin e protestuesve kuksianë, 4 prej të cilëve gjykata i la në burg sërish të premten.
Kjo shkaktoi edhe zemërimin e opozitës e cila tha se do të nisë protesta mbarëpopullore në të gjithë vendin. Ja cfarë ka rezervuar
Rama si urim për sot:
MIRËMËNGJES 😃
dhe me lajmin e bukur se Shqipëria dhe Kosova kanë nisur punën për rigjallërimin e shtigjeve malore dhe lidhjen me korridorin “Via Dinarica”, cilësuar nga revista National Geographic Traveler në vitin 2017 si një ndër vendet më të mira për t’u vizituar, ju uroj një fundjavë të qetë 🌹
Një ditë më parë, pas aksidentit që ndodhi në Elbasan, mediat raportuan se gruaja 55-vjeçare e lënduar ishte hedhur nga makina për t’i shpëtuar ngacmimeve të shoferit.
Por Policia e Elbasanit ka dhënë detaje të reja.
NJOFTIMI
Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Elbasan – Bradashesh, ku u ndalua drejtuesi i mjetit Julian Hida, 43 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, për veprën penale “drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt, në gjendje të dehur” dhe “largimi nga vendi i aksidentit”.
Arrestimi i tij u bë pasi, rreth orës 15:15, aksin rrugor Elbasan – Bradashesh, ai ishte duke drejtuar makinën tip Volkswagen Passat me targa AA 087 CD me drejtim lëvizjeje nga Bradasheshi në drejtim të Elbasanit .
Nga mjeti në lëvizje është hapur dera prapme e pasagjerit dhe nga mjeti është hedhur 55-vjeçarja me inicialet Sh. T., banuese në Bradashesh.
Kjo gjë është faktuar nga këqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në afërsi të vendit të ngjarjes.
Po ashtu është zbuluar, drejtuesi i mjetit nuk ka ndaluar për t’i dhënë ndihmën e parë të plagosurës, por është larguar nga vend i ngjarjes me shpejtësi, dhe rreth orës 17:50 është konstatuar dhe kapur nga patrulla e policisë.
Drejtuesit të mjetit i është bërë testi i alkoolit me aparat Drager, ku rezultoi në provën e parë në masën 0.92 mg/l dhe në provën e dytë 1.07 mg/l.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje gruaja është dëmtuar rëndë, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në Spitalin e Elbasanit është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të pa rregullt, në gjendje të dehur” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.