Aktualitet

Gjërat që duhet të dini për Shqipërinë pas dritës jeshile nga BE, përmendet edhe fenomeni më i rrezikshëm

Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë.

Këtu janë disa fakte për shtetin e varfër ballkanik, shkruan agjencia franceze e lajmeve AFP, banorët e të cilit janë thellësisht të lidhur me Europën, pavarësisht se janë ndarë nga ajo për shekuj me radhë gjatë pushtimit osman dhe më vonë, gjatë diktaturës komuniste:

– Tifozë të Mercedes dhe të BE

Nëse janë të reja apo të shkatërruara, makinat e Mercedes janë padyshim makina kombëtare e Shqipërisë, që përbëjnë 40 për qind të makinave të vendit, sipas zyrtarëve të transportit.

Dy flamuj janë të gjithëpranishëm në të gjithë vendin: Flamuri kombëtar i Kuqezi me një shqiponjë me dy koka dhe ai i Bashkimit Europian.

I izoluar nga pjesa tjetër e botës gjatë periudhës komuniste, “shqiptarët janë të obsesionuar me Europën. Europa është për ta një dashuri patologjike, por edhe një model i vërtetë”, tha shkrimtari i famshëm, Ismail Kadare, për Shqipërinë.

– Potenciali i turizmit

Potenciali i turizmit në Shqipëri është i nënshfrytëzuar. Me bregdetin Adriatik, malet e shumta dhe lumenjtë, Shqipëria është e pasur me bukuri natyrore për vizitorët, të cilët gjithashtu mund të eksplorojnë vende arkeologjike të lashta, gjurmë të historisë otomane dhe bunkerët komunistë që u shndërruan në kafene plazhi.

Pikat kryesore të kuzhinës variojnë nga këmbët e bretkosave dhe prodhimet e detit, duke përfshirë midhjet që janë kapur me dinamit. Por potenciali turistik i Shqipërisë është nënshfrytëzuar për shkak të mundësive të kufizuara të akomodimit, infrastrukturës së dobët dhe një rrjeti jo të zhvilluar rrugor në rajonet malore.

Vendi i 2.9 milionë banorëve tërhoqi 4.6 milionë vizitorë në 2016, sipas Ministrisë së Turizmit. Banka Botërore mbështet projektet e turizmit, veçanërisht në Jug, duke e konsideruar rajonin me potencial më të madh.

– Vala e emigrantëve

Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të emigracionit në botë, me një diasporë prej rreth 1.2 milionë personash. Ata janë shtyrë të largohen, disa prej standardeve më të ulëta të jetesës në Europë, një pagë mesatare bruto prej rreth 355 eurosh në muaj dhe papunësisë, që prek pothuajse një në tre të rinj, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INSTAT).

Në fillim të viteve 1990, Shqipëria ishte vendi më i ri në Europë me një moshë mesatare prej 28 vjetësh. Tani është 37 vjeç, thotë INSTAT. Së bashku me numrin e madh të emigrantëve, norma në rënie e fertilitetit ka ndikuar në këtë trend.

– Kanabisi dhe korrupsioni

Shqipëria është eksportuesi më i madh i kanabisit në BE, veçanërisht në Itali, sipas raporteve të përsëritura të Europolit. Kjo tregti përfaqëson një të tretën e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit, sipas burimeve diplomatike perëndimore. Tirana pretendon se po e fiton atë betejë. Sasitë e mëdha në rrezik ushqejnë korrupsionin. BE këmbëngul që Shqipëria të reformojë sistemin e saj gjyqësor dhe penal: pas futjes së një sistemi për të kontrolluar të kaluarën dhe pronësinë e gjyqtarëve, një ligj i kohëve të fundit kërkon shkarkimin e të gjithë punonjësve të policisë të dyshuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

– Zakone në zbehje

Shqipëria është vendi i fenomenit të “gjakmarrjes”, duke prekur familjet në Veri të vendit në një cikël hakmarrjeje të rregulluar nga një kod nderi mesjetar, “Kanuni” i Lek Dukagjinit, një fisnik i shekullit të 15-të. Dhjetëra njerëz ende janë duke u fshehur në Shqipëri, nga frika se janë objektiva e një hakmarrjeje, por shifra është në rënie.

Një tjetër traditë e zhdukur është ajo e “virgjëreshave të betuara”. Këta janë gra që, ose për shkak se ata ishin fëmija i vetëm i prindërve të tyre ose refuzuan të martoheshin, zgjodhën të jetonin si burra dhe trajtohen si të tillë në një shoqëri shumë patriarkale. Vetëm një pjesë e vogël e tyre mbesin të njëjta sot./Monitor

Gjërat që duhet të dini për Shqipërinë pas dritës jeshile nga BE, përmendet edhe fenomeni më i rrezikshëm Read More »

11 kuksianët në burg, Kukësi proteston sot në 11:00

Në mbështetje të 11 protestuesve që vijojnë të jenë në paraburgim, qytetarë të Kukësit do të do protestojë. Protesta e thirrur dhe organizuar nga këshilli bashkiak i Kukësit, do të mbahet para Gjykatës së këtij qyteti në orën 11:00.

“Të nderuar banorë të Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Në mbështetje të vëllezërve tanë të arrestuar në mënyrë të paligjshme në protestën e 31 marsit 2018, Këshilli bashkiak Kukës ju njofton organizimin e tubimit mbarëpopullor në datë 19 prill 2018, në orën 11:00, te sheshi para Gjykatës Kukës.Ju ftojmë të merrni pjesë”.

Të premten në Gjykatën e Apelit të Shkodrës do të zhvillohet seanca për masën e sigurisë të 11 kuksianëve te ndaluar pas protestës në Rrugën e Kombit. Avokatët e tyre, që apeluan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, kërkojnë lirimin e 11 protestuesve. Ndërkohë Prokuroria i qëndron asaj mase sigurie që u vendos në Gjykatën e Shkallës se Parë arrest me burg.

11 kuksianët në burg, Kukësi proteston sot në 11:00 Read More »

Berisha fundos Bashën/ E përze nga Tirana dhe ‘mban në preher’ Monikën. Ia dorëzon asaj çelësat e shtëpisë

Vizitë shumë e çuditshme kjo e Lulzim Bashës në Berlin, ndërkohë që zyratët e BE-së vijnë në Tiranë.

Basha e dinte që në Tiranë do të vinte Federica Mogherini për të dorëzuar raportin për hapjen e negociatave, por megjithatë ai nuk qëndroi, por iku në Berlin.

Pse kjo vizitë e papritur e Bashës, ndërkohë që ia duhet të ishte në Tiranë?

Mogherini sot do të zhvillojë takime me krerët e politikës shqiptare, si ato të mazhorancës ashtu dhe ato të opozitës.

Në hapjen e negociatave, Basha duhet të ishte në shtëpinë e tij blu dhe të priste të ftuarit e nderit, në një ditë të rëndësishme si kjo. Por ai iku. I zoti i shtëpisë nuk gjendet dhe të ftuarit do të priten nga e zonja, që është Monika Kryemadhi.

Lulzimi po humbet pikë përpara ndërkombëtarëve duke i bojkotuar ata.

Këtu hyn në lojë Sali Berisha. Ky i fundit, aleat i vjetër me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, po tenton që të bëjë Bashën kurban që të shpëtojë çifti presidencial.

Berisha largon nga Tirana Bashën, duke e bërë Monika Kryemadhin numrin një të opozitës në takimet e rëndësishme me ndërkombëtarët.

Monikën nuk e takon njëri, kështu që duhet eliminuar Basha, që Kryemadhi të futet në lojë.

Shpresa e Monikës, është që ti gjejë telat me Brukselin, që të shpëtojnë Ilirin nga burgu pas raportit të Freedom House.

Berisha fundos Bashën/ E përze nga Tirana dhe ‘mban në preher’ Monikën. Ia dorëzon asaj çelësat e shtëpisë Read More »

Ministria e Punëve të Brendshme: Mbi 80 deputetë posedojnë armë

Më shumë se 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës mendohet se posedojnë armë. Disa prej tyre e pranojnë publikisht se mbajnë armë se ndihen të rrezikuar, ndërsa disa të tjerët nuk pranojnë të flasin.

Por, armë në brez kanë edhe më shumë se 300 zyrtarë të tjerë të institucioneve të Kosovës. Këtë shifër e ka konfirmuar për ‘T7’ Ministria e Punëve të Brendshme. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës thonë se që nga paslufta janë legalizuar vetëm 8 mijë armë.

Por, besohet se edhe mijëra armë të tjera, të kalibravë të ndryshëm, gjenden ilegalisht në duart e qytetarëve të Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme: Mbi 80 deputetë posedojnë armë Read More »

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”

Me pak fjalë, Shqipëria ka ditur të ecë gjithnjë në rrugë të gabuar sepse pas atyre bëmave që i dedikojmë vetes, u jemi dorëzuar osmanëve, italianëve, gjermanëve, sllavëve, kinezëve dhe në të gjitha rastet, Shqipërinë e kanë sunduar të fortët. Ata, që ne i identifikojmë më së shumti me politikanët në fuqi, që i imitojmë dhe që na marrin jetën nga pak për çdo ditë. Të paktën, në këto pak ditë, na duhet të gëzohemi me Rekomandimin.
Shkruan  Ben Andoni

Shqipëria është një shtet 100 vjeçar, që po t’i heqësh nuancat patetike që i veshin artikullshkrues të ndryshëm, duhet quajtur vend i maturuar. Ka institucionet e veta, por më shumë se kaq brenda historisë së saj ka hartuar politikën e vet në interes të ekzistencës por edhe klasave që e kanë qeverisur. Shpesh me një lloj padrejtësie dhe si revansh ndaj të tjerëve të llojit. Rezultati mijëra e mijëra të vdekur më kot. Miliona e miliona të zhdukura dhe të qeverisura kot. Nuk duhet të harrojmë se ky shtet ka kaluar në tre regjime politiko social-ekonomike të ndryshme. Ka qenë Monarki, ka qenë Republikë Socialiste dhe tashti është një lloj formacioni Demokratik.

Nëse këtyre do t’u shtonim dhe një periudhë Kolaboracionizmi 1939-1944 dhe një tjetër me një regjim miks pas viteve ’20, por si Republikë Parlamentare, Shqipëria mund të quhet një vend i vërtetë eksperimental ballkanik.

“Nëqoftëse Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: Shqipëria lindi nga zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. Kjo thënie Faik Konicës mund të thuhet se është nga më të goditurat sa i përket qartësisë së shprehjes por edhe realitetit të krijuar nga bashkatdhetarët e tij. Ai, vetë, ka kontribuar jo pak në kaosin shqiptar, kurse me ulje-ngritjet personale ka treguar hiç më shumë se ishte pjesë e këtij realiteti.

Shqipëria është konsideruar si një nga vendet më të begata dhe me resurset e mjaftueshme për ekzistencën e saj, porse menaxhimi ynë dhe mënyrat që kemi ndjekur përgjatë 10 dekadave jo thjesht kanë lënë shumë për të dëshiruar por ato na kanë treguar sesa i mungon individit shqiptar gjetja e mënyrës së duhur për të mbijetuar dhe për t’i shërbyer jetës më të mirë.

Më në fund, ja ku jemi në Pranverën e vitit 2018, kur Shqipëria ka marrë rekomandimet më të mirat ndonjëherë për anëtarësim, por tashmë do t’i duhet mbështetja njëzëri në qershor e të gjitha vendeve anëtare të BE-së në takimin e Këshillit Evropian. Për fat të keq, shtetet anëtare s’e kanë atë vrull që po na tregojnë politikanët shqiptarë, e këtë e ndjen nga predispozita që mbizotëron tek të dy vendet kryesore, Gjermania dhe Franca.

Presidenti francez Macron u shpreh hapur dhe tejet skeptik para disa orësh lidhur me të ardhmen e Zgjerimit, kurse Gjermania është duke kërkuar shumë për vendet që e marrin vetëm një herë statusin e kandidatit, por që duhet ta tregojnë shumë. Në radhë, Vuçiç sapo e ka marrë dozën e kritikës dhe prej ditësh nuk ndihet në shtyp prej kërkesës që i është bërë për Kosovën, kurse Rama do të njihet me të njëjtën masë por për realitete të tjera në Berlin, pak ditë më vonë. Kuptohet se nga vendi i shpresuar kandidat deri në anëtarësim do shumë kohë dhe me gjithë ekspozetë e shqiptarëve, duhet të provojmë se kemi bërë realisht shumë.

A mundesh Shqipëria, përgjatë 30 viteve demokraci, të bënte më shumë për të pasur udhë dhe axhendë tjetër?! Të gjithë bien dakord, por sot e kësaj dite problemi i pronës, nga më akutët në kapitalizëm, është i pazgjidhur, kurse ende Shqipëria vuan problemet e Kujtesës e shumë të tjera.

Që para luftës së Dytë Botërore Shqipëria u orientua gabim dhe kreditë e frikshme që mori nga Italia i ndërruan fatin vendit, që u pushtua prej saj, e nga ana tjetër iu dorëzua për inerci Komunizmit një ideologji, që sot e kësaj ditë nuk është çrrënjosur.

Ajo që ndodhi pas Luftës së Dytë është e dhimbshme edhe pse do të ketë deridiku rezultate pozitive. Shqipëria mbart pesëmbëdhjetë vjet të mrekullueshme miqësi me Bashkimin Sovjetik atëherë liderin e jashtëzakonshëm të Lindjes, kredibiliteti i të cilit ishte ngritur sidomos pas fitores mbi Nazizmin. Pati gati po kaq kohë me Kinën, për t’iu dorëzuar pa kushte dhe duke arritur deri në nivel absurd marrëdhënie, duke e imituar deri në budallallëk. Dhe, shkoi më tej në vitet ’80, kur filluan bisedimet e reparacioneve të luftës me Gjermaninë, kur u paraqit për herë të fundit momenti i artë për të bërë largimin e butë nga absurdi e për të kaluar në një kamp, që do t’i jepte mundësisë që tranzicionin demokratik ta bënte që në kohën e Perdes së Hekurt.

Megjithë gjërat që i mveshin, Shqipëria nuk mundi, sepse njerëzit e saj kur nuk e kanë parë Evropën si shtëpinë e tyre zyrtare. Është e vërtetë se në anketime janë mbi 80% të shqiptarëve që e duan përkatësinë evropiane, ashtu si të gjithë ballkanasit, porse në praktikë neve e kemi të përcaktuar dhe e ndjekim shembullin lindor. Osmanizmi është ende i pa avulluar nga poret tona ballkanike.

Sot konjuktura e kërkon Ballkanin dhe Shqipërinë të jetë pjesë e BE-së, kur të plotësojë kushtet, por edhe në Bruksel janë të bindur se vendasit e kanë të pamundur. Krimi i organizuar dhe droga janë të papërballueshëm nga strukturat vendase kurse Shqipëria s’ka as kapacitete ta luftojë, përpos që informaliteti e ndih të bëjë këtë zhvillim kaotik, të cilit i leverdis.

Mbi të gjitha, klasa politike është e kapur kaq shumë saqë rruga evropiane do të zgjatet pafund. Vetëm se Evropa me hapjen e negociatave, i ka dhënë një sinjal vendit se Shqipëria nuk do jetë e vetme, porse do asistohet që sensi i saj pozitiv sa i përket Evropës, do të shpërblehet. A do mundet Shqipëria të orientohet këtë herë si duhet drejt Evropës? Me sa duket trendi ballkanik e ka këtë vështrim, porse vetë Evropa duket se po shpërbëhet.

Rasti i Brexit mund të pasojë në të ardhmen në një frymë më të ngritur të skepticizmit evropian. Dhe, në këtë rast Shqipëria me vendet e tjera do ta ndjenin veten si në shkuarje të askundit, ashtu si u tall pak kohë më parë dikush nga zyrtarët evropianë kur thoshte se hyrja e Shqipërisë është fundi i BE-së. Në fakt ka një të vërtetë, sepse njerëzit më të interesuar që të zgjatet ky realitet në Shqipëri dhe Ballkan janë grupet politike dhe financiare që do kenë më shumë mundësi për të na i kufizuar liritë dhe të drejtat tona civile (siç e bëjnë rëndom), për të na marrë pronat me lloj-lloj marifetesh, apo për të na marrë nëpërkëmbur ashtu edhe si po ndodh.

Me pak fjalë, Shqipëria ka ditur të ecë gjithnjë në rrugë të gabuar sepse pas atyre bëmave që i dedikojmë vetes, u jemi dorëzuar osmanëve, italianëve, gjermanëve, sllavëve, kinezëve dhe në të gjitha rastet, Shqipërinë e kanë sunduar të fortët. Ata, që ne i identifikojmë më së shumti me politikanët në fuqi, që i imitojmë dhe që na marrin jetën nga pak për çdo ditë. Të paktën, në këto pak ditë, na duhet të gëzohemi me Rekomandimin. Sepse vërtetë si në Himnin Kombëtar: Zoti lidhet me Shqipërinë, por deri më sot na ka ruajtur rastësia, pasi vendin tonë po e vdesin për çdo ditë e nga pak politikanët. (Homo Albanicus)

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët” Read More »

Ish-kreu i operacionit: “Fundi i Marrëzisë”, një show. Bixhozi u përhap më shumë

Ish-drejtuesi i policisë dhe operacionit “Fundi i marrëzisë”, Ismail Elezi rrëfen për Top Channel përplasjet për goditjen e lojërave të fatit. Ish-drejtori Kundër Krimit Ekonomiko-financiar u shkarkua nga detyra në mes të operacionit, i cili sipas tij kishte vetëm një qëllim.

“Debati që kam pas me ministrin dhe Drejtorin e Përgjithshëm ishte se duhet të mbyllnim çdo aktivitet, i thash nuk mund të kryejmë veprime arbitrare. Por kush ishte qëllimi dhe për këtë e them me përgjegjësi të plotë, qëllimi ishte që i gjithë aktiviteti i lojërave të fatit të monopolizohet nga 2-3 persona. Përgjegjësi për këtë ishte vetëm një, Saimir Tahiri”, deklaron ai.

Sipas Elezit, situata sot është me keq se para operacionit fundi i marrëzisë.

“Jo vetëm që ka një shtrirje shumë më të gjerë, por nëse më parë kishte subjekte që operonin për vete, sot janë vetëm 2-3 persona, çohen 6 deputetë dhe kërkojnë shtyrje dhe Parlamenti e miraton dhe loja vazhdon”, vijon ish-drejtori i Krimit Ekonomik.

8 muaj nga skadimi afatit për zhvendosjen e lojërave të fatit, nga vëzhgimi në terren rezulton se pika bastesh dhe kumari mund të gjesh pranë shkollave, por edhe institucioneve të kultit, jo vetëm në Tiranë, por edhe qytete të tjera të vendit.

Ish-kreu i operacionit: “Fundi i Marrëzisë”, një show. Bixhozi u përhap më shumë Read More »

Vrasja në Kolumbi, Hoxha: Adriatik Lagji u qëllua me dy plumba në kokë. Dyshimet

Detaje të reja dalin në ditë nga vrasja e shqiptarit Adriatik Lagjit në Kolumbi. Ngjarja në fjalë ndodhi më 2 prill në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota.

I ftuar në rubrikën ‘Opinon’ në ‘News24’ gazetari investigativ Artan Hoxha deklaroi se Lagji ishte qëlluar me dy plumba në kokë, duke dhënë dyshime të mëdha sipas tij se bëhej fjalë për larje hesapesh dhe jo një tentativë grabitje.

Sipas Hoxhës, ka rindërtimi i ngjarjes por edhe figurës së viktimës, dyshohet se vrasja është kryer për pazare të drogës. Mes të tjerash Hoxha tha se ka edhe një pistë tjetër ku po hetohet, pasi sipas tij Lagji dyshohet se ishte i përfshirë edhe në trafik klandestinësh.
vijon…

Vrasja në Kolumbi, Hoxha: Adriatik Lagji u qëllua me dy plumba në kokë. Dyshimet Read More »

Spartak Ngjela tregon pse janë trembur të korruptuarit ‘trima’ të qeverive shqiptare nga rekomandimi i KE?

Pse janë trembur të korruptuarit trima të qeverive shqiptare nga rekomandimi i Komisionit Europian?Por më i trembur dhe që ka dalë nga mendja fare është kryeministri shqiptar Edi Rama. Ky ka që dje pasdite e gjithë ditën sot që flet përçart.

Shkruan Spartak Ngjela

E ka humbur toruan. Po si mund të jetë kryeministër në Shqipëri një palaço panairesh?

Rama po hidhet degë më degë: një herë kërcënon gjyqtarët dhe i lidh me Rekomandimin, pastaj hidhet dhe thotë që “ka shtete të Bashkimit Europian që nuk na pranojnë në BE”.

Të gjitha i ka nga halli.

Asnjë ndalim nuk i bëhet më dot Shqipërisë, se Rekomandimi është bërë nën influencën e Shteteve të Bashkuara dhe të Gjermanisë, dhe asnjë shtet i BE nuk mund të dalë kundër Amerikës e Gjermanisë; sepse interesat e tyre janë në qëndër të Bashkimit Europian.

Shqipëria sot nuk ka më asnjë vështirësi për pranimin e saj në BE. Dhe, në funksion të sigurisë së Shqipërisë për anëtarësim në BE, janë dy ingredientë që e përforcojnë këtë siguri: forca amerikane kundrejt shteteve të Bashkimit Europian që ndiejnë kërcënimin rus, dhe presioni i borxhit të madh që i kanë Gjermanisë dhe bankave gjermane Franca, Greqia e disa shtete të tjera të Bashkimit Europian.

E pra, ku hyn Edi Rama këtu me injorancën dhe ligësinë e tij? Askund.

Asnjë ndalesë nuk ka më Shqipëria drejt anëtarësimit në BE. Por Rama duhet ta lexojë me vëmendje pjesën kundër Rexhep Taip Erdoganit në Raportin që po pret t’i vijë, dhe të japë dorëheqjen, sepse, nga Raporti, ky kryeministër del si njeri i padëshirueshëm për BE, pikërisht për marrëdhëniet e tij të dyshimta me presidentin turk Erdogan.

ll.

Po opozita, si u gjend përballë Rekomandimit?

Edhe kjo e përjetoi shumë keq. U fut nën heshtjen e marrëzisë së saj dhe doli me mendime sporadike; që kuptohen se janë shprehje e ligësisë që iu buron nga frika. Më i trembur u pa të ishte Sali Berisha, derisa u shfaq duke shkruar ca mendime që nuk mund të nxirren nga një mendje normale.

Kjo tregon se i gjithë korrupsioni kryeministror shqiptar është i trembur. Por frika që kanë nuk duhet t’ua çojë arsyen deri në zerot e një mendimi politik dhe të mos kuptojnë që ndërkohë i gjithë korrupsioni kryeministror i dhjetë vjetëve të fundit në Shqipëri, është në një presion dyfish: nga kërkesat e Kushtetutës së Shqipërisë për reformëm në drejtësi, dhe nga kërkesat e drejtpërdrejta të Komisionit Europian.

Kjo është arsyeja që të gjitha palët e korruptuara nuk shpëtojnë dot nga reforma në drejtësi, sepse të gjithë bashkë janë të implikuar në korrupsion, dhe bashkërisht janë autorë të krimeve shtetërorë. Për këtë shkak, tani, të trysnuar edhe nga kërkesat kompetente dhe detyruese të Brukselit, korrupsioni kryeministror shqiptar nuk mund të këtë më asnjë shpresë.

Gjithçka, shumë shpejt do të marrë trajtë të plotë ekzekutuese, dhe pikërisht për këtë kuptohet qartë se korrupsioni shqiptar dje, indirekt, ka shpallur falimentimin e tij.

Spartak Ngjela tregon pse janë trembur të korruptuarit ‘trima’ të qeverive shqiptare nga rekomandimi i KE? Read More »