Aktualitet

Romeo Kara takon në qeli Izet Haxhinë, çfarë diskutuan ?

Sot u finalizua akti i parë ligjor për rihapjen e çështjes Hajdari. Izet Haxhiaj, nëpërmjet avokatit të tij, sot ka paraqitur përpara gjykatës kërkesën e parë, me qëllim rihapjen nga e para të çështjes penale, të zhvilluar kundra tij padrejtësisht në mungesë të tij.

Këtë gjë Izeti m’a konfirmoi edhe vete personalisht sot, në një takim të shkurtër që pata me të. Ai dukej mjaft mirë me shëndet i qartë dhe tepër i vendosur për hapin ligjor që u ndërrmor sot si dhe për të tjeret në vijim.

Është për t’u vlerësuar qetësia dhe humori i tij, brenda qelive të burgut 302, të cilat janë totalisht në kontrast, me qetësinë dhe humorin e autorëve të vërtetë të vrasjes së Hajdarit.

Ai premton publikisht, se do të bëjë të ditura edhe vepra të tjera penale të klanit Berisha, për të cilat ai ka dijeni. Çdo hap ligjor në lidhje me çështjen, do t’i bëhet i ditur opinionit nëpërmjet medias ne kohën e duhur.

Në emër të tij, përshëndes të gjithe dashamirësit e tij dhe të vendosjes së drejtesisë në Shqipëri.

Romeo Kara takon në qeli Izet Haxhinë, çfarë diskutuan ? Read More »

‘Pse Zoti të mori, o Klajdi?!’ Dhimbje e madhe për vdekjen e adoleshentit shqiptar në Itali.

‘Pse Zoti të mori, o Klajdi?!’ Dhimbje e madhe për vdekjen e adoleshentit shqiptar në Itali.

Një adoleshent shqiptar humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e së martës në një aksident me motor. 17-vjeçari Klajdi Leka, nga Laçi por që jetonte në Milano po udhëtonte me një skuter, kur edhe u përplas me një makinë në një kryqëzim mes D’Annuzio dhe Parini, në Seggiano.

Ndërkohë që policia po vijon ende punën për të zbardhur dinamikën e saktë të kësaj tragjedie, familja Leka ka hapur dyert e mortit dhe të premten trupi i Klajdit pritet të mbërrijë në Shqipëri.

I gjithë komuniteti në Pioltello, ku jetonte Klajdi është tronditur nga humbja e tij. Zija dhe trishtimi ka pllakosur në familjen Leka, ndërsa të afërmit shprehin dhimbjen e madhe në rrjetet sociale. Një afërme e Klajdit ka rrëqethur me postimin e saj, shkruan GSH. “Pse Zoti të mori mor Klajdi, s’të la midis nesh. Të thirri për vete, t’i preu ëndrrat në mes. Nuk më besohet mor Zzot, më duket si një ëndërr. I madhi zot të pastë afër vetes. Do na mungosh gjithmonë”.

17-vjeçari Leka dyshohet se teksa udhëtonte me motor ka hasur një pengesë në rrugë, që e ka bërë motorin të kërcejë në ajër, ndërsa i riu ka fluturuar disa metra më tutje duke përfunduar në trotuar, e për pasojë ka humbur jetën.

‘Pse Zoti të mori, o Klajdi?!’ Dhimbje e madhe për vdekjen e adoleshentit shqiptar në Itali. Read More »

Refuzuan të shkojnë në Prokurori, sa vite burg rrezikojnë Alibeaj- Salianji nëse s’provojnë dot vërtetësinë e audio- përgjimit

Nëse dy deputetët e PD Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji, si dhe ish ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi nuk arrijnë të provojnë vërtetëtësinë e audiopërgjimit ndaj Agron Xhafajt, ata janë seriozisht në telashe shumë të mëdha me drejtësinë.

Kodi Penal parashikon ndëshkime serioze si sa i përket falsifikatorëve të dokumentave, në rastin konkret audiopërgjimi është një dokument, ashtu edhe të shantazhit për të përfituar në çfarëdo lloj mënyre qoftë përfitimi. Mbi tre personat e sipërpërmendur ka një padi penale konkrete në organin e prokurorisë nga vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Zyrtarët e lartë të PD akuzohen për falsifikim dhe shantazh, vepra penale të cilat përveç burgut i penalizojnë auturët edhe me gjobë. Sa i përket veprës penale të falsifikimit të dokumenteve, Kodi Penal në nenin 186 të tij parashikon burgim deri në tre vjet dhe një gjobë deri në 600 mijë lek.

Por kur kjo vepër penale është kryer në bashkëpunim dhe ka sjellë pasoja të rënda dënimi për autorët dënimi shkon deri në 4 vite burgim dhe gjoba deri në 1 milion lek, shkruan javanews.al.

Ndërsa vepra penale e shantazhit, sipas përcaktimeve juridike në Kodin Penal neni 109/b, klasifikohet edhe më e rëndë. Ajo parashikon deri në 8 vite burg për autorët dhe deri në 3 milion lek gjobë.

Këto janë përcaktimet e Kodit Penal mbi të cilën do të ballafaqohen 3 zyrtarët e PD nëse nuk arrijnë të provojnë vërtetësinë e audiopërgjimit të PD, me të cilën krijuan një klimë tensioni të pashembullt në vend. Dy deputetët refuzuan sot të dëshmojnë para Prokurorisë për audiopërgjimin, gjë që daravit pak a shumë dhe mjegullën rreth këtij fakti, shkruan javanews.al.

Kodi Penal
Neni 186
Falsifikimi i dokumenteve

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 4)
Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me
gjobë nga dyqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion
lekë

Neni 109/b
Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë
(Shtuar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 11)
Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për të kryer ose mos kryer një veprim të caktuar, për të
fituar padrejtësisht pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për vete ose për të tretë, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në tre milionë lekë./JavaNews

Refuzuan të shkojnë në Prokurori, sa vite burg rrezikojnë Alibeaj- Salianji nëse s’provojnë dot vërtetësinë e audio- përgjimit Read More »

Zbulohet identiteti i bashkëpunëtorit X në audiopërgjimin ‘Xhafaj’, shoqërohet në polici (Emri)

Policia ka shoqëruar sot bashkëpunëtorin X të shfaqur në audio përgjimin e Partisë Demokratike, ku implikonte vëllain e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. “Panorama” nga burime të sigurta ka mësuar se emri i të arrestuarit është Albert, që në audio është idendifikuar si bashkëpunëtori X.

Sot kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi nga foltorja e Kuvendit se bashkëpunëtori X është ne terror nga bandat e Xhafajt dhe nga presioni i policisë.

“Policia ka marrë urdhër nga vëllezërit Xhafaj, prej 72 orësh dëshmitari x dhe familja e tij janë në presion të dyfishtë, të bandës Xhafaj dhe terrorin policor, e gjithë policia është vënë pas familjes së dëshmitarit dhe pas vetë atij”, tha Basha nga foltorja e Kuvendit.

Sipas Bashes, “E gjithë policia është vënë pas familjes së dëshmitarit dhe pas vetë dëshmitarit. Policia e ka për detyrë të ndalojë Agron Xahafaj, i cili është koka e drogës në Vlorë. Prokuroria e ka për detyrë të hapë hetimin. Por kanë bërë dicka tjetër, terror policor, përderisa audiopërgjigimi nuk është i vërtetë, perse i jane vënë prapa dëshmitarit X dhe jo bandave?”. Pamfleti

Zbulohet identiteti i bashkëpunëtorit X në audiopërgjimin ‘Xhafaj’, shoqërohet në polici (Emri) Read More »

Fëmijëria mes plehrave; Të miturit që po rriten në landfillin e Durrësit (Video)

Dhjetëra fëmijë sigurojnë jetesën së bashku me familjet e tyre nga mbledhja e mbetjeve të diferencuara në Durrës.

Çdo ditë ata rendin pas makinave që transportojnë mbetjet e zonave përreth. Klevisi dhe tre anëtarë të tjerë të familjes së tij e sigurojnë jetesën përmes punës në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të zonës së Sukthit.

Prindërit e tij nuk punojnë. Familja nuk përfiton as nga skema e ndihmës sociale. E ka braktisur herët shkollën, ndërsa e motra është analfabete. E kanë të vështirë të thonë dhe sa para fitojnë nga puna në landfill.

-“Nuk dua të shkoj. Punoj këtu e me lekët marr ushqime për familjen. Na e prenë asistencën dhe e lashë shkollën”, shprehen disa prej fëmijëve. Ka dhe nga ata të cilëve dëshira për shkollën nuk u mungon. “Unë vij këtu kur mbaroj shkollën. Jam në klasë të shtatë. Fitoj 3500 lekë. Blej ushqime. Jemi 7 veta në familje. Vetëm babi punon në Maqedoni. Mami është e sëmurë.”

Në pamundësi për të gjetur alternativa punësimi, prindërit pranojnë që fëmijët të punojnë këtu për të siguruar të ardhurat për familjen.

“Nuk shkojnë në shkollë se nuk kanë ç’të hanë. Unë fitoj 2 mijë lekë në ditë. Tërë ditën të rrish këtu për 2 mijë lekë. Kjo nuk mjafton. As një çokollatë për fëmijët nuk blihet”, shprehet një banor i zonës.

Asnjë prej këtyre fëmijëve, nuk thotë se një pjesë të parave i përdor për të plotësuar dëshirat prej fëmije. Fëmijëria është një realitet i harruar për ta në frontin e parë të rrezikut që vjen nga ndotja.
Top Channel

Fëmijëria mes plehrave; Të miturit që po rriten në landfillin e Durrësit (Video) Read More »

Paralajmërimi i Edi Ramës: Të gjithë deputetët dhe ministrat do të përballen me drejtësinë nëse janë të përfshirë në afera. Gati shkarkimi i qindra drejtorëve

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ditën e djeshme të gjithë deputetët dhe ministrat se do të përballen me drejtësinë, nëse janë të përfshirë në afera. Pas fjalimit të tij për ministrin Fatmir Xhafaj, shefi i qeverisë vijoi mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste me dyer të mbyllura, ku ka dhënë një sërë porosish dhe udhëzimesh për ligjvënësit socialistë.

Gazeta mësoi disa detaje nga mbledhja, teksa i pari i qeverisë ka qenë i prerë me deputetë dhe ministrat e kabinetet qeveritar, duke u shprehur se për asnjë dhe në asnjë rrethanë, nuk do të ketë mbrojtje dhe ndihmë politike nga ana e Partisë Socialiste. Mirëpo, paralajmërimet e kryeministrit Rama kundrejt ligjvënëseve të vetë nuk ndalen me kaq.

Mësohet se gjatë fjalës së tij, Rama ka paralajmëruar se në kuadër turit të llogaridhënies në ditët në vijim do të shkarkohen shumë drejtorë. Dhe për këtë, i pari i qeverisë i është referuar numrit të madh të ankesave të qytetarëve, që kanë shkuar në adresë të platformës së bashkëqeverisjes për drejtorë apo institucione të caktuara.

Në të njëjtën kohë, burimet thanë se shefi i qeverisë ka kërkuar nga deputetët dhe ministrat që gjatë takimeve që do të kenë me banorë në qytete dhe njësi administrative të vendit, në kuadër të turit të llogaridhënies, duhet të nxisin qytetarët që të bëjnë sa më shumë denoncime tek platforma, në mënyrë që të marrin zgjidhje të menjëhershëm për shqetësimin e tyre.

Ndërkohë, mësohet se shefi i ekzekutivit ka kërkuar që të vijohet me reformën në administratë, duke kërkuar që të shkarkohet çdo “grabitqar” nga zyrat e shtetit. Gjithashtu, Rama ka kërkuar nga deputetët që të koordinojnë dhe të harmonizojnë punën e tyre me zyrat e punës, si një mënyrë për të zbutur papunësinë. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Xhafaj jep sqarime para grupit të PS

Interesant është fakti se në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, përveç kryeministrit Edi Rama, ka folur pak edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Gazeta mësoi se ministri Xhafaj ka mbajtur një fjalë të shkurtër para kolegëve socialistë, duke pohuar para të gjithëve se nuk ka asnjë lidhje, me ato që ai i quajti “baltosje” të opozitës.

Po ashtu, mësohet se Xhafaj është përbetuar se kryefjala e tij sa i takon pozicionit të tij si ministër dhe deputetë është vetëm një, zbatimi me korrektësi i ligjit, duke hedhur në një farë mënyrë poshtë pretendimet e opozitës. Madje, mësohet se Xhafaj ka qenë i prerë duke kërkuar që kushdo që ka shkelur, shkel dhe do të shkelë ligjin, duhet të përballet me drejtësinë, qoftë ky socialist, demokrat apo pa parti.

Megjithatë, në përfundim të fjalës së tij, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj kishte rezervuar edhe një falenderim për gjithë deputetë dhe ministrat socialistë.

Burimet i thanë gazetës se në përfundim të mbledhjes, Xhafaj ka falënderuar një më një deputetët e Partisë Socialiste dhe ministrat. “Ju shpreh falënderimin tim dhe mirënjohjen time për suportin që më keni dhënë”, mësohet t’iu ketë thënë Xhafaj deputetëve socialist para se të linte Kryesinë e Kuvendit.

Bëjmë me dije se dje, kryeministri Edi Rama i hoqi të gjitha përgjegjësitë ministrit të Brendshëm në lidhje me dënimin e vëllait të tij Agron Xhafaj në Itali. Ndërsa për sa i përket audio-përgjimit të publikuar nga Partia Demokratike, Rama theksoi se nuk është autentik, por sipas tij, një mashtrim./ SOT

Paralajmërimi i Edi Ramës: Të gjithë deputetët dhe ministrat do të përballen me drejtësinë nëse janë të përfshirë në afera. Gati shkarkimi i qindra drejtorëve Read More »

Balla tregon kush e tregoi dëshmitarin X, Basha shpërthen në akuza ndaj Arta Markut e Donika Prelës

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka denoncuar ditën e sotme nga foltorja e parlamentit se ‘dëshmitari X’ në audio-përgjimin e bërë publik nga PD është duke u ndjekur nga policia.

Gjatë fjalës së tij Basha ka paralajmëruar hapur kreun e grupit të PS Taulant Balla i cili e ka ndërprerë disa herë nga vendi teksa kryedemokrati mori fjalën në foltore.

“Koha për t’u shqetësuar ti s’ka ardhur akoma, ti shiko endrra për momentin. Do mbash përgjegjësi për këtë në prokurori”, tha Basha ndërsa pyeti se nga e di policia e Fatmir Xhafajt kush është dëshmitari X.

Balla: E njoftoi Mark Frroku.

Basha: Kush e njoftoi? Mark Frroku? Do mbash përgjegjësi për këtë në prokurori.

(Balla flet nga vendi por s’dëgjohet)

Basha: Nga e din policia e Xhafës kush është dëshmitari X kush është ky me audiopërgjimin që qenka i falsifikuar, kush ua tha, ua thanë Xhafajt, vëllai i madh e i vogël se ata e dinë fare mirë kush është dëshmitari X. Sepse gjithcka në atë bisedë është e vërtetë. Kamikazet Marku (kryeprokurorja Arta Marku) dhe Prela (Donika Prela, prokurore e Krimeve të Rënda) nuk veprojnë se për këtë punë janë aty.

Balla tregon kush e tregoi dëshmitarin X, Basha shpërthen në akuza ndaj Arta Markut e Donika Prelës Read More »

Akuza për fshehje të pasurisë, dosja e çiftit të Prokurorëve transferohet në Gjykatën e Fierit. Zbulohet arsyeja

Çifti i prokurorëve Dritan Gina dhe Rovena Gashi, nuk do të gjykohen nga gjykata e Durrësit, por nga ajo e Fierit. Vendimi për transferimin e dosjes në këtë gjykatë është marrë pak ditë më parë nga prokuroria e qytetit bregdetar, e cila vendosi të shpallë moskopetëncën lëndore dhe të transferojë dosjen me të pandehur prokurorët Dritan Gina dhe Rovena Gashi në Fier.

Ky vendim është marrë pasi prokuroria i ka komunikuar akuzat dy prokurorëve, dhe marrë ata të pandehur. Sipas burimeve të prokurorisë së Durrësit, dosja është transferuar në Fier, ku dhe do të gjykohet.

Ky vendim është marrë për të shmangur konfliktin e interesit, pasi Gina ka punuar për disa vite në prokurorinë e Durrësit dhe ka përfaqësuar këtë prokurori gjykatë. Nisur nga kjo situatë, për të mos i lënë vend çdo kalkulimi, prokuroria ka transferuar dosjen në Fier.

Në Elbasan dhe Tiranë, nuk mund ta transferonin pasi Gina ka shërbyer si drejtues në Elbasan, ndërkohë në Tiranë, Gina vijon te të ishte prokuror, e ndërsa bashkëshortja e tij Gashi, ka shërbyer për disa vite në këtë akuzë.

Ditën e hënë të kësaj jave, Prokuroria e Përgjithshme Arta Marku, nëpërmjet një njoftimi, dy prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina janë marrë të pandehur për veprën penale të fshehjes së pasurisë, akuzë kjo që është pasuar me urdhrin e pezullimit të tyre nga detyra.

Pasuria e bashkëshortëve Gashi dhe Gina po hetohej nga Prokuroria e Durrësit, e cila njoftohet se ka regjistruar ndaj tyre procedim, i cili parashikon veprën penale të “refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, pezullimi nga detyra për Rovena Gashin dhe Dritan Ginën u firmos nga kryeprokurorja Marku më 11 maj, pasi kjo e fundit u njoh me ngritjen e akuzës dhe marrjen në cilësinë e të pandehurve për të dy bashkëshortët.

“Dy prokurorët do të jenë të pezulluar deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës,” thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme.

Por pavarësisht kësaj që thotë, Prokuroria e Përgjithshme në njoftim, çështja penale kundër Dritan Ginës dhe Rovena Gashit tashmë është transferuar në prokurorinë e Fierit,qytet ku dhe do kryhet procesi i gjykimit. Gjatë kohës së drejtimit të prokurorisë së Përgjithshme nga Adriatik Llalla, çifti Gina-Gashi mbanin poste drejtuese.

Gina ka qëndruar si drejtues i prokurorisë së Elbasanit, ndërsa gruaja e tij Gashi ka qëndruar për 5 vite me radhë si drejtuese e Drejtorisë së Marrëdhenieve me Jashtë dhe Sektorit të Dekriminalizimit. Pas uljes në detyrë, Gashi dhe Gina i kundërshtuan vendimet e Markut në gjykatë, duke i cilësuar ato të kundraligjshme.

Pretendimet e tyre u rrëzuan respektivisht nga Gjykata e Durrësit dhe Gjykata Administrative e Tiranës, duke lënë në fuqi vendimet e kryeprokurores. Dosja penale për fshehje pasurie ndaj prokurorëve Gashi dhe Gina vjen pas hetimit, Adriatik Llalla, i cili po hetohet për pastrim parash me transaksionet multimilionë shitblerjes së tokave në periferi të Tiranës./Shqiptarja.com

Akuza për fshehje të pasurisë, dosja e çiftit të Prokurorëve transferohet në Gjykatën e Fierit. Zbulohet arsyeja Read More »