Është publikuar formulari që do të plotësojnë studentët maturantë për këtë vit. Formulari i aplikimit për në universitet bashkë me datat dhe programet orientuese është firmosur nga Ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Siç shihet në formular aplikimi do të nisë ditën e nesërme dhe do të zgjasë deri në 10 dhjetor. Ndërkohë bëhet e ditur se këtë vit maturantët duhet të zgjedhin që tani lëndën ku do të testohen në qershor, e cila ka rol kyç në garën universitare.
Në larminë e lëndëve që maturanti ka zhvilluar në gjimnaz, do të jenë vetëm tetë për shkollat e mesme të përgjithshme. Mësohet se ata që duan të zgjedhin një shkollë prefesionale kanë mundësi të zgjedhin mes 38 alternativave.
Pas rritjes së pagës minimale, pritet që të rritet edhe ajo maksimale për efekt të pagimit të sigurimeve shoqërore. Burime nga Ministria e Financave pohuan se ende nuk është vendosur, por paga maksimale pritet të rritet me 15%.
Një rritje e tillë do ta çonte pagën maksimale nga 114.7 mijë lekë, që është sot, në rreth 131 mijë lekë. Rritja e pagës maksimale pritet që të shtojë automatikisht pagesën për sigurimet shoqërore, e cila ndahet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Me pagën aktuale, prej 114.7 mijë lekë, sigurimet e paguara në total janë rreth 31.9 mijë lekë. Nëse ajo shkon 131 mijë lekë, atëherë sigurimet që do të paguhen nga punëdhënësi dhe punëmarrësi do të jenë 36.5 mijë lekë, ose 4,500 lekë në muaj më shumë, (54 mijë lekë në vit) me një rritje prej rreth 14%.
Sipas të dhënave të INSTAT, 4.6% e të punësuarve kontribuues në vend kanë një pagë mbi 120 mijë lekë, në fund të tremujorit të dytë 2020.
Rritja e pagës maksimale reflekton atë të pagës minimale, që nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të shkojë në 30 mijë lekë, nga 26 mijë lekë që ishte më parë. Po sipas INSTAT, 27% e të punësuarve kontribuues në vend paguhen më pagë minimale.
Në total, ka 660 mijë të punësuar me kontribute në vend, nga të cilët rreth 74% janë të sektorin privat jo bujqësor. Nga totali i të punësuarve, rreth 30 mijë persona paguhen mbi 120 mijë lekë. Për këta persona do të paguhet (nga punëdhënësi dhe punëmarrësi) maksimumi 4,500 lekë më shumë çdo muaj (54 mijë lekë ne vit) ose në total 1.2-1.6 miliardë lekë më shumë (rreth 10-13 milionë euro) për vitin 2021.
Ndërsa me pagë minimale paguhen rreth 178 mijë të punësuar në vend, për të cilët pagesa e sigurimeve do të rritet me rreth 1,100 lekë në muaj, (13.3 mijë lekë në vit). Ministria e Financave ka llogaritur në projektbuxhetin 2021 se efekti i rritjes së pagës minimale në buxhet do të jetë rreth 3 miliardë lekë, ose rreth 24 milionë euro.
Si rrjedhojë, nga rritja e pagës minimale dhe maksimale në 2021, punëdhënësit dhe punëmarrësit do të paguajnë në total rreth 37 milionë euro më shumë taksa mbi pagën./Monitor
Ka nisur protesta e parashikuar e studentëve para ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit ditën e sotme. Ata kanë vendosur që të ngrihen në protestë pas vendimit për të zhvilluar mësimin online, që komiteti i ekspertëve njoftoi disa ditë më parë.
Një nga kërkesat e studentëve është përgjysmimi i tarifës vjetore të studimit meqënëse mësimi do te zhvillohet online.
Sakaq ka mbëritur dhe policia të cilët janë duke paralajmëruar studentët për shpërndarje në kuadër të ligjit anti Covid.
Ata kanë nisur të thërrasin në kor: “Jo mësim online”, ose “Ulni tarifat”. “E kemi të pamundur për të vijuar kështu mësimdhënien, – vijojnë ata. – Nuk ka kuptim që universitetet të mbyllen dhe baret të qëndrojnë të hapura. Ku të shkojmë ne… Kemi të drejtën tonë. Rinia në çdo vend ndryshon fatet e vendit. Dhe pastaj thonë që rinia ikën jashtë”. /NOA/
Auditoret e universiteteve dhe konviktet nuk do të hapin dyert për të pritur studentët në këtë fillim viti akademik.
Vendimi i komitetit të ekspertëve për mbylljen e konvikteve për të paktën një muaj, ka krijuar paqartësi tek studentët të cilët kanë bërë parapagesa për qëndrimin në rezidencat studentore.
Shumë familje janë të paqarta se si do të veprohet me pagesat që tashmë janë kryer për qëndrimin në konvikte.
Ndërsa është vendosur zhvillimi i mësimit vetëm online, studentët shprehen se është shumë e vështirë, sidomos për ata që janë në vitin e parë.
120 mijë studentë nuk do të ulen në auditore këtë vit akademik, të paktën për një muaj deri në një vendim të dytë nga komiteti teknik i ekspertëve.
Me rastin e 149 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, një prej figurave më të ndritura të letërsisë shqipe dhe rilindjes shqiptare, në fshatin Fishtë sot u inagurua rindërtimi i shtëpisë së tij. Gjithçka ishte iniciativë e Ministrisë së Kulturës për të sjellë një kujtim të kësaj figure të madhe kombëtare shqiptare.
Të pranishëm ishin në inagurim ministrja e Kulturës Elva Margariti si dhe kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama shkroi lidhur me eventin:
SHTËPIA E RINDËRTUAR E AT GJERGJ FISHTËS çel dyert në këtë përvjetor të lindjes së tij, në Fishtën e bukur ku prej sot ka një arsye më shumë për t’u ndaluar e shijuar ajrin e natyrës dhe historisë shqiptare.
Dita e vdekjes e Naimit dhe dita e lindjes së Gjergj Fishtës duket sikur janë vendosur me dorën e Zotit për të ndjekur njëra-tjetrën. Të dy e kanë merituar lavdin e të qenurit “Homerë të Shqipërisë ”. Të dy lirikë e të dy epikë. Të dy etër të shqipes së shkruar e të folur mbi dy partitura të ndryshme muzikore. Njëri tosk e tjetri geg, Naimi dhe Gjergji janë dy zërat e Shqipërisë dykrenare, asaj të jugut plot gurgullima e asaj të veriut plot bubullima.
Të dy të ngjizur me mistikë e të përkryer në politikë, në politikën e shërbimit të kombit të vuajtur e të paepur, jo në atë të “vagabondave e shakllabanve, që rrin tash sa mot tu’u talle npër ne, me na qelb fis e atdhe”.
At Gjergji ishte ëndërrimtar e ishte usta. Prej oratorisë s’krështenë, formue pranë De Martinos dhe Mihaçeviqit dhe nën hijen e “cathedra Petri”, në një kohë lulëzimi të literaturës katolike, françeskani sqimatar përftoi nji t’ligjëruem plot tharm e forcë që mbas vedit tërhiqte gjithkënd.
Zoti i Shqiptarëve e begatoi me ndjesitë e dhuntitë më depërtuese në shpirtin shqiptar. Stoicizmi i tij ishte sa diellor aq dhe hënor. Për ne shqiptarët, ai është një zgjidhës nyjesh gordiane, nga ajo e alfabetit dhe paqtimit mes elitës katolike e shtetit modern shqiptar, tek ruajtja e kufijve të jashtëm të këtij vendi e naltësimi në vendin që i takonte të “universitas” gegë në të larmishmen Shqipëri. Sa ishte një Homer shqiptar i thellësive shpirtërore, Gjergj Fishta ishte edhe një Perikli i betejave madhore.
Si një françeskan i mirë përpara sulltanit të Egjiptit, trubaduri i Lahutës së Malcis u bë mburojë e së drejtës dhe e drejtpeshimit; këtu duke marrë në mbrojtje Shqypnin e mesme, që ca intelektualë me poture e quanin djep të anadollakëve, aty tue lshue anatemën mbi ksenofobinë me guzhinjeta. Ky frat që kishtë bredhur botën e në gjoks mbante dekoratat e shteteve fqinj, ishte një patriot i kulluar dhe një antinacionalist i bekuar; frymëzuesi i më të mirëve të këtij vatani dhe tmerri i mediokërve të çdo sahani.
Meshtari që kremtonte veç në gjuhën e Horacit e të Shën Jeronimit, e që në atë rang e nivel ngriti gjuhën e shqiptarëve të maleve, është përnjimend një Judas Makabe i shekullit XX. Heroit të madh biblik judeas që aq shumë e frymëzonte, Gjergj Fishta i përngjan për nga ideali, martiri shpirtëror, përkushtimi ndaj tempullit të Zotit e altarit të atdheut dhe fjala që kocka s’ka po kocka thyen.
U falemi Orëve të Shqipërisë që na falën një kolos të tillë!
“Ave Reverende Pater ac summe magister, morituri te salutant”
Qyteti antik i Orikut, i ndodhur pranë qytetit të sotëm të Orikumit, në Vlorë, i themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r.vijon të tërheqë vëmendjen e arkeologëve për kërkime dhe zbulimin e historisë nën rrënoja.
Së fundmi, arkeologët e palodhur po sjellin fakte interesante rreth zbulimeve të bëra në Fontanën Monumentale, Kishën Paleokristiane, Portën hyrëse në anën lindore ku janë zbuluar teknika të reja dhe periudha ndërtimi të pahasura më parë.
Rezultatet shkencore të këtij sezoni gërmimesh priten të dalin ku publiku dhe specialistët po i presin me padurim.
Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.
shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.
Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar, për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore./atsh
Në emailet dhe komunikimet mes qytetarësh në rrjetet sociale, ka qarkulluar një shkresë që aludon se ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka nënshkruar më 15 tetor 2020 një Akt Normativ mbi shkollat.
Sipas kësaj shkrese që e gjeni më poshtë, e që sugjerohet të jetë zyrtare, njoftohet se më 2 nëntor 2020 do të mbyllen të gjitha institucionet arsimore shtetërorë dhe publike në vend për tre muaj për shkak të situatës epidemiologjike në vend të shkaktuar nga koronavirusi i ri Sars Cov-2.
Shkresa citon kërkesën e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe shoqërohet me nënshkrimin e urdhrit nga Manastirliu.
Kjo faksimile shkrese, qartësisht dukej se ishte e rreme ose e montuar.
Megjithatë shumë qytetarë u shqetësuan tri ditët e fundit me qarkullimin e gjerë të kësaj letre.
Në këto kushte u kërkua një informacion zyrtar. Burime zyrtare nga ministria e Shëndetësisë, konfirmojnë se kjo shkresë nuk është e vërtetë. Këto burime përgënjeshtruan të jetë nënshkruar marrë një vendim i tillë për mbylljen e shkollave dhe se dokumenti është fals.’
Gjithsesi ministria e Shëndetësisë ashtu si dhe kryeministri një ditë më parë, nuk përjashtojnë një mbyllje të re në periudhën në vazhdim, nëse do të kemi mospërballim të të shtruarve në spitalet Covid.
Për këtë arsye, 17 mijë mësues në të gjithë Shqipërinë, aktualisht po i nënshtrohen një procedure të përgatitjes së mësimeve online. /noa.al/
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njofton se shkrimtari i njohur Ismail Kadare, do të vlerësohet me çmimin ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë të këtij viti.
Në një njoftim zyrtar ambasada amerikane thotë se Festivali Neustadt i Letërsisë është një nga ngjarjet më të mëdha të letërsisë botërore.
“Kemi kënaqësinë të njoftojmë se shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare do të nderohet me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë të këtij viti. Si një nga ngjarjet më të mëdha të letërsisë botërore, Festivali Neustadt i Letërsisë është një festim i librave dhe kulturës ndërkombëtare, sponsorizuar nga World Literature Today dhe organizuar nga Universiteti i Oklahomës.
Këtë vit, ngjarja do të zhvillohet virtualisht dhe do të jetë pa pagesë për të gjitha ata që regjistrohen. Ju ftojmë të bashkoheni me ne dhe të shohim me krenari poetin dhe novelistin më të njohur të Shqipërisë teksa nderohet për arritjet e tij”, njofton ambasada.