Shkolla Orikum

Afati i fundit për maturantët, ja si të regjistroheni për në universitetet

Qendra e Shërbimeve Arsimore ka bërë publik urdhrin, sipas të cilit do të lejohen aplikimet për të gjithë ata maturantë të cilët deri më tani nuk kanë aplikuar për ndonjë degë në universitet publike. Aplikimet nisën në datën 3 dhe do të pranohen deri në 10 gusht, duke ngarkuar me përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit të gjitha zyrat arsimore vendore.

Në ditën e fundit të mbylljes së portalit për aplikimet e Formularin A2, dikasteri i Ministrisë së Arsimit vendosi të hapë ato sërish, për plotësimin e formularit A1/ A1Z, duke u dhënë një shans shumë të rinjve të konkurrojnë.

Kjo bëhet pasi pandemia e COVID-19 ka pasur ndikim jo vetëm në mbarëvajtjen e cunguar të shkollës dhe të provimeve, por veçanërisht te maturantët. Duke qenë se Formulari A1 plotësohet online nga çfarëdolloj ambienti ku ka akses interneti, jo të gjithë kanë arritur ta bëjnë këtë, veçanërisht ata të viteve të kaluara që e kanë më të vështirë të përshtaten.

QSHA-ja ka vendosur të mos e lërë pas dore këtë kategori, duke u dhënë mundësi të aplikojnë përgjatë gjithë kësaj jave. Tashmë kanë gjithë kohën në dispozicion për të aplikuar përmes e-albania për të vazhduar aplikimin pranë shkollës në portalin matura.akp.gov.al.

Ata që nuk kanë arritur të aplikojnë, në afatet e paracaktuara (qoftë maturantë të rinj apo të vjetër) mund ta adresohen fare mirë pranë shkollave ku kanë përfunduar arsimin e mesëm për të plotësuar formularin që cakton provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje që duhet të jepen në sezonin e vjeshtës

Në total ato janë katër: gjuhë e huaj, gjuhë shqipe e letërsi, matematikë dhe lënda me zgjedhje, e cila do të përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga listat e miratuara për secilin profil shkollor. Por në formular aplikuesi qarkon vetëm ato në të cilat ka rezultuar ngelës apo ato që nuk i ka dhënë si provime.

Kalimi me sukses i provimeve në sezonin e dytë i bën pjesë të garës për t’u futur në universitet maturantët e këtij viti që rezultuan mbetës në një ose disa provime, si dhe ata të viteve të shkuara që nuk kanë shlyer detyrimet me Maturën Shtetërore. Por këto kategori nuk do të konkurrojnë që në raundin e parë, por në të dytin dhe të tretin.

Konkretisht, bëhet fjalë për kuotat që do të deklarohen të lira në përfundim të raundit të parë. Rregulli vlen për të gjithë, dhe përfshin universitetet shtetërore dhe ato private.

Afati i fundit për maturantët, ja si të regjistroheni për në universitetet Read More »

Ja kush është Rektori i ri i Universitetit të Tiranës

Artan Hoxha është zgjedhur si Rektor i Universitetit të Tiranës. Numërimi i votive ka përfunduar dhe rezultoi se Hoxha fitoi me 348 vota, ndërkohë që 176 pedagogë votuan për Mimoza Hafizin dhe 122 për Kozeta Sevranin.

Më parë, Artan Hoxha mbante postin e dekanit në Fakultetin e Drejtësisë. Ndërsa ish-deputetja socialiste Mimoza Hafizi shpalli kandidaturën e saj si rektore në Universitetin e Tiranës për zgjedhjet e 30 Korrikut duke thënë në një intervistë për Fax News se gjithçka u bë që të mos linte në krye persona që i konsideron se kanë “kapur për fyti” Universitetin.

Ndërsa rektorja e re e universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës është shpallur Suzana Golemi. Nga numërimi i votave të pedagogëve, ka dalë fituese me 2 vota diferencë ndërkohë që po numërohen votat e studentëve por në bazë të formulës, pritet që të mos ndikojnë në këtë rezultat.

Golemit ja dhanë fitoren bindëse dy fakultete, ai i Shkencave të Natyrës ku ishte vetë dekane dhe Drejtësia, ku fitoren e ka patur me bindëse. Përballë saj në këtë gare ishte Adem Bekteshi, rektori në detyrë.

Ja kush është Rektori i ri i Universitetit të Tiranës Read More »

14 studentë nga Shqipëria do të studiojnë këtë vit në vende të ndryshme të Europës falë Erasmus Mundus

Shqipëria këtë vit ka 14 fitues të bursave që do të studiojnë në vende të ndryshme përfshirë Francën, Belgjikën, Gjermaninë, Italinë, Portugalinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Norvegjinë.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka ftuar sot të gjithë studentët që duan të aplikojnë tek programet e masterit Erasmus Mundus për vitin e ardhshëm.

“2452 studentë kanë fituar bursa të financuara nga Bashkimi Europian për të studiuar në një nga 123 programet e masterit të përbashkët Erasmus Mundus këtë vjeshtë! Fituesit e bursave janë nga 142 shtete të ndryshme të shpërndara në gjashtë kontinente”, thekson Delegacioni i BE.

“Shqipëria këtë vit ka 14 fitues të bursave që do të studiojnë në vende të ndryshme. Ata do të studiojnë pjesë të ndryshme të programit të tyre të integruar të diplomës master në dy ose më shumë universitete në vende të ndryshme të Europës”, shton Delegacioni i BE.

“Jeni të interesuar të aplikoni për vitin e ardhshëm? Aplikimet për vitin 2021 do të hapen në tetor 2020. Vizitoni katalogun e programeve Erasmus Mundus për të gjetur atë që ju përshtatet më shumë: https://bit.ly/2NvNGa0. Mos humbni rastin të keni një përvojë që do ju ndryshojë jetën!”, shton zyra e BE në Tiranë./atsh

14 studentë nga Shqipëria do të studiojnë këtë vit në vende të ndryshme të Europës falë Erasmus Mundus Read More »

Shahini: Protesta e maturantëve e stisur nga opozita, gjuha përçmuese segment antishqiptar

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një reagimi zyrtar e ka cilësuar protestën e fundit të maturantëve të stisur prej opozitës duke dënuar njëkohësisht edhe gjuhën e përdorur kundrejt saj, si rrezik për të mbjellë në të ardhmen një segment antishqiptar tek të rinjtë.

Shahini thotë se përfaqësues të opozitës, deputetë të dorëhequr, këshilltarë e ish-këshilltarë të tyre bashkë me portalet e tyre kanë kritikuar prejardhjen e vetë ministres duke shfaqur përçmim ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Nuk e kam kuptuar kurrë se si disa përfaqësues të opozitës, deputetë të dorëhequr dhe në shërbim, këshilltarë dhe ish-këshilltarë bashkë me portalet e tyre, ia kanë lejuar vetes të më kritikojnë prejardhjen dhe dialektin, duke shfaqur përçmim ndaj shqiptarëve që flasin si unë dhe në veçanti ndaj kosovarëve. Të thuhet “Kthehu prej nga ke ardhur!” ka qenë e papranueshme gjithmonë, por t’i thuhet një shqiptari me prejardhje nga Kosova në 2020-ën, është skandaloze!

Ky sentiment antishqiptar, gati racist i disa opozitarëve, është në mospërputhje të plotë me realitetin e një shkëmbimi dhe bashkëveprimi serioz të bashkëkombësve tanë në të gjithë rajonin. Qytetarët e Shqipërisë ndajnë të njëjtin gëzim që kam edhe unë për faktin se shqiptarët janë sot më të bashkuar se kurrë, një prej dëshmive të së cilit është padyshim edhe prezenca e ministrave me prejardhje nga Kosova në qeverinë e Republikës së Shqipërisë”, tha ministrja.

Shahini thotë ndër të tjera se opozita është e dëshpëruar nga mungesa e përkrahjes së popullit dhe mungesa e argumenteve kundër qeverisjes së mazhorancës në arsim.

“E shoh të arsyeshme të reagoj tani, sepse në protestat e fundit të stisura nga opozita kundër provimeve kombëtare, dëgjova edhe disa të rinj duke artikuluar frazën e ulët “Kthehu prej nga ke ardhur!”. Është tejet e rrezikshme për të ardhmen e popullit tonë nëse mbjellim sentiment antishqiptar tek të rinjtë. Tani, unë nuk mendoj se opozita është seriozisht antishqiptare. Ajo është thjesht e dëshpëruar nga mungesa e përkrahjes popullore dhe mungesa e argumenteve kundër qeverisjes së PS në arsim.
Ata janë të vetëdijshëm se përderisa me qeverisjen e tyre kanë jetësuar dhe mundësuar shitblerjen e diplomave fallco, nuk kanë argumente të kritikojnë standardin që po kërkojmë ne në arsimin e lartë. Partia që ka shitur vendet e punës për mësuesit nuk ka fytyrë të kritikojë depolitizimin e punësimit të mësuesve përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Partia, e cila përmes “altertekstit” ka çoroditur totalisht shkollat shqiptare për gati një dekadë dëmi i të cilit po merr edhe një dekadë shtesë të riparohet nuk ka se si të kritikojë politikën e librave falas nga botuesit më të mirë botërorë, që po u jepen tashmë falas 2/3 e nxënësve të arsimit parauniversitar”, u shpreh Shahini.

Ministrja theksoi se “nga frustrimi i mungesës së argumenteve reale kanë vendosur të reduktojnë gjithë kritikën e tyre në krijimin e “tjetrit” në këtë rast, ministri që flet ndryshe nga disa prej tyre – dhe ftesës për ta urryer atë. Kritikat ndaj qeverisjes janë legjitime dhe unë do të mbroj të drejtën e të rinjve për të protestuar. Por, nuk guxojmë të lejojmë që opozita të helmojë mendjet e brezave të rinj me antishqiptarizëm vetëm e vetëm sepse nuk kanë argumente reale kundër punës sime. Në fund, dëshpërimi i opozitës është problem ekskluzivisht i tyre dhe nuk duhet të lejojmë që të na çojë drejt një rruge të rrezikshme të përçarjes kombëtare”. /atsh

Shahini: Protesta e maturantëve e stisur nga opozita, gjuha përçmuese segment antishqiptar Read More »

Lista e plotë/ Publikohet notat e provimit të gjuhës së huaj për maturantët

Qendra e Shërbimit Arsimor ka publikuar sot notat e provimit të parë të Maturës Shtetërore.

Lista e notave për maturantët që provimin e parë kishin gjuhën e huaj është publikuar në faqen zyrtare të QSHA.

Pas provimit të parë,  rreth 36 mijë maturantë në të gjithë vendin iu nënshtruan edhe provimit të Gjuhë-Letërsisë, matematikës dhe një lënde me zgjedhje.

Këtë vit dhe teza dhe kohëzgjatja e provimit ka qenë e kushtëzuar nga situata e koronavirusit.  Testi i gjuhës së huaj ishte i ndërtuar i gjithi me alternative dhe përmbante 60 pyetje secila nga 1 pikë.

Ndërkaq pritet të publikohen edhe notat e provimeve të tjera për maturantët, ku korrigjimi i tezave  është bërë elektronikisht.

Më poshtë lista e plotë:

http://qsha.gov.al/infos/matura_2020/d3_rezultate_2020.pdf

Lista e plotë/ Publikohet notat e provimit të gjuhës së huaj për maturantët Read More »

Shahini me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve: Mbi 10 mijë maturantë përgjigje të saktë për pyetjet “problematike”

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve mbi provimin e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë.

Gjatë takimit, nxënësit përcollën në detaje para ministres të gjitha shqetësimet e maturantëve për provimin e maturës, por gjithashtu i shprehën asaj keqardhjen e tyre për ato pjesë të degraduara të protestës para ministrisë, që nuk përfaqësonin nxënësit tanë.

Lidhur me pyetjet e shumëpërfolura si ajo me “Turin” apo mbi kuptimin e fjalës “dlirnja” të Poradecit, rezultatet sipas ministres treguan se mbi 10 mijë maturantë kishin gjetur përgjigjen e saktë tek secila. “Kjo do të thotë qartë se këto pyetje nuk kanë qenë me probleme, pasi siç na informon edhe QSHA, të tilla konsiderohen pyetjet me nën 10% përgjigje të sakta”, u shpreh ajo.

Në takim, Shahini ka siguruar edhe një herë përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve që me analizën përfundimtare të rezultateve, QSHA do të bëjë rishpërndarjen e pikëve nëse rezulton se testi ka patur vështirësi më të madhe se sa njohuritë e nxënësve./atsh

Shahini me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve: Mbi 10 mijë maturantë përgjigje të saktë për pyetjet “problematike” Read More »

Sot provimi i fundit për maturantët, ai i lëndës me zgjedhje

Rreth 32 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot provimit të fundit të Maturës Shtetërore, atë të lëndës me zgjedhje.

Për shkak të pandemisë dhe masave mbrojtëse, çdo shkollë ka qenë qendër provimi, sikurse do të jetë edhe në këtë provim.

Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:30. Testi është i ndërtuar i gjithi me alternativa. Testi përmban 60 pyetje secila nga 1 pikë. Ndërkohë që të gjithë do të jenë të pajisur me maska dhe doreza dhe do të ruhet distance.

Edhe korrigjimi do të jetë ndryshe, tërësisht elektronik dhe vetëm në Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Tiranë. Fleta e përgjigjeve është më e rëndësishmja e këtij procesi, pasi të gjitha përgjigjet e testit do të lexohen dhe vlerësohen nga korrigjuesi elektronik. Specialistët këshillojnë maturantët të mos e dëmtojnë, pasi nuk dublohet dhe ta plotësojnë si duhet.

Maturantët kanë kryer më herët, pra me 8 qershor provimin e Gjuhës së Huaj, për të vazhduar më datë 11 qershor me Gjuhën Shqipe, me Matematikën më 15 qershor dhe ditën e sotme me provimin e lëndës me zgjedhje. Maturantët mbyllin sot ciklin e provimeve për të vijuar me aplikimet në universitet. /atsh

Sot provimi i fundit për maturantët, ai i lëndës me zgjedhje Read More »

Testi i Gjuhës dhe Letërsisë/ Do të rishihet edhe njëherë mënyra e shpërndarjes së pikëve të maturantëve, pasi të dalin rezultatet

Kryetarja e Komitetit të Maturës Shtetërore, Zamira Gjini në daljen e saj publike nga ambientet e ministrisë së Arsimit ka garantuar maturantët që notat dhe pikët e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të rishihen me kujdes.

Ndërsa komentoi reagimet e maturantëve lidhur me provimin, Gjini u shpreh se “Komiteti i Maturës Shtetërore pranë ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë që ditën e parë të provimit të Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë ka vlerësuar me kujdes reagimet e maturantëve si dhe kërkesat e tyre drejtuar ministrisë së Arsimit, duke gjykuar zgjidhjen e tyre, cilësinë e zgjidhjes së tyre pa ndikuar në procesin e maturës shtetërore”.

Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe shumë mësues të Gjuhës Shqipe që janë pyetur lidhur me testin, për modelin e testit, përshtatjen e tij me programin orientues të lëndës: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi kanë gjykuar që të rishihet edhe njëherë mënyra e shpërndarjes së pikëve të maturantëve dhe të notave të tyre, për të shmangur çdo shqetësim të maturantëve mbi notat, gjë që ka efekt të njëjtë, të barabartë për të gjithë maturantët por kjo do të bëhet vetëm pasi të dalin rezultatet e pikëve të maturantëve”.

Gjini lajmëroi se “që sot Qendra e Shërbimeve Arsimore do të publikojë testin e plotë të lëndës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi si dhe përgjigjen e saktë për çdo pyetje të testit, në mënyrë që çdo maturant referuar përgjigjes të mund të bëjë një rivlerësim të asaj çka ai është përgjigjur në testin e tij. Menjëherë sapo të dalin rezultatet, maturantët krahas notës së tyre do të kenë edhe variantin që kanë pasur në test dhe alternativën e saktë”.

Po ashtu, Gjini theksoi ndër të tjera se “maturantët duhet të jenë të qartë, duhet të jenë të bindur se puna e tyre në 3 vitet e gjimnazit, edhe e mësuesve të tyre do të vlerësohet me objektivitet duke iu garantuar se personalizimi i testit që iu bë këtë vit, nuk sjell shmangie të vlerësimit real të tyre në notë”.

“Duke vlerësuar çdo koment apo sugjerim të dhënë në media apo rrjete sociale nga ekspertë të fushës apo të letërsisë, apo nga mësues të cilët njohin shumë mië programin, tekstin, nivelin e nxënësit të tyre, ne si ministri Arsimi dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore i ftojmë që sot të bëhen pjesë e tryezave të përbashkëta për të diskutuar mbi saktësinë e secilit pyetje të testit apo përputhjen e testit me programin orientues të lëndës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi sikurse ka garantuar Qendra e Shërbimeve Arsimore”, u shpreh Gjini. /atsh

Testi i Gjuhës dhe Letërsisë/ Do të rishihet edhe njëherë mënyra e shpërndarjes së pikëve të maturantëve, pasi të dalin rezultatet Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com