Shkolla Orikum

4200 maturantët e 35 shkollave profesionale në vend rinisën mësimin në klasa

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj njoftoi se, 4200 maturantët e 35 shkollave profesionale në mbarë vendin rinisën sot procesin mësimor në klasa, i ndërprerë për shkak të situatës së shkaktuar nga COVID-19.
Mësimi do të zhvillohet për një periudhë trijavore.
Synimi kryesor është dhënia e mundësisë për një përgatitje të plotë nxënësve për mbarëvajtjen e provimeve shtetërore.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë garanton nxënësit, por edhe prindërit se stafet pedagogjike do t’i përgjigjen me profesionalizëm çdo nevoje, që do të kenë nxënësit e klasave të 13-ta për ta kaluar këtë sfidë së bashku me sukses”, shprehet Denaj.
Sipas Denaj, për të gjithë nxënësit e klasave të tjera mësimi në distancë do të vijojë normalisht deri në fund të muajit maj. /atsh

4200 maturantët e 35 shkollave profesionale në vend rinisën mësimin në klasa Read More »

Rama publikon projektin e Teatrit të ri Kombëtar, destinacion kulturor i përmasave europiane në çdo aspekt

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot mirëmëngjesi me pamje nga projekt-ideja e Tetari të ri Kombëtar, konceptuar nga arkitekti i famshëm danez Bjarke Ingels.

“Duke ju uruar një javë të mbarë, dua gjithashtu t’ju siguroj se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje”, shprehet Rama.

“Përvoja na mësoi se ashtu si me vepra të tjera publike, të përbaltuara e masakruara pa nisur akoma puna, nga të njëjtët ngatërrestarë profesionistë, edhe për këtë projekt të vonuar me dhjetra e dhjetra vite, do të flasë vetë vepra e përfunduar, e cila do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që nuk e pati kurrë; publikut shqiptar Teatrin Kombëtar që nuk u ndërtua kurrë; Tiranës e Shqipërisë së gjeneratave të tjera, një tjetër destinacion kulturor të përmasave europiane në çdo aspekt”, tha Rama./atsh

Rama publikon projektin e Teatrit të ri Kombëtar, destinacion kulturor i përmasave europiane në çdo aspekt Read More »

31 mijë maturantë rikthehen në klasa të hënën/ 490 shkolla në dispozicion, ja masat e distancimit fizik

Drejtoresha e përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Zamira Gjini, deklaroi sot se ”31 mijë maturantë do të kthehen në shkollë për të zhvilluar orë mësimi për 4 lëndët që i kanë provime të Maturës Shtetërore – matematikë, letërsi, gjuhë e huaj dhe lënda e provimit me zgjedhje, ndërsa janë marrë masat për të garantuar distancimin fizik dhe kushtet e higjienës”.

Në një intervistë televizive duke folur rreth kushteve dhe procedurave që do të ndiqen ditën e hënë për rifillimin e mësimit në shkolla, Gjini tha se “janë vënë në dispozicion 490 shkolla, të cilat janë dezinfektuar në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor për të qenë të gatshme për maturantët”

“Për të garantuar distancimin fizik dhe kushtet e higjienës autoritetet kanë vënë në dispozicion edhe shkollat 9-vjeçare. Nuk do të jenë vetëm godina të shkollave të mesme, por edhe 9-vjeçare, kjo për të krijuar që në klasa bankat të vendosen me largësi nga 2 metra dhe që numri i maturantëve në klasa të jetë në 10-12 nxënës”, – nënvizoi Gjini.

Sipas saj, është hartuar orari mësimor dhe janë bërë shpërndarjet e nxënësve.

“Në çdo bankë nxënësit do të kenë dezinfektantë, maturantët do të duhet të zbatojnë një rregullore të rreptë të hartuar nga drejtoritë e shkollave dhe autoritetet e shëndetësisë, në këtë rregullore është përcaktuar mënyra e lëvizjes në korridore, si do të qëndrojnë klasa apo dhe mjedise të tjera të shkollës. Maturantët janë të detyruar duhet ta zbatojnë rregulloren në mënyrë që të gjithë të jenë të sigurt”, – theksoi drejtoresha Gjini.

Duke folur për numrin e mësuesve për ndarjen e re, Gjini u shpreh se “për shkollat që nuk kanë numër të shumtë maturantësh nuk është problem, ndërsa për ata që kanë numër të madh maturantësh janë angazhuar të gjithë mësuesit e shkollës së asaj lënde në mënyrë që të mbulohen të gjitha orët mësimore për përsëritje për të gjitha lëndët që janë provime të Maturës Shtetërore”.

“Nga 18 maji deri më 5 qershor maturantët do të kenë mundësi të ripërsërisin lëndët e provimeve, të jenë në kontakt me mësuesit për të përsëritur konceptet dhe njohuritë kryesore të programit që do të kenë në maturën shtetërore”, – u shpreh Gjini.

Provimet e maturës zhvillohen nga data 8 qershor deri më 18 qershor dhe do të jenë 2 orë, ndërsa testet me alternativa. /atsh

31 mijë maturantë rikthehen në klasa të hënën/ 490 shkolla në dispozicion, ja masat e distancimit fizik Read More »

Vlora, “zonë e gjelbër”/ Kryebashkiaku Leli: Ndihmuam rreth 2500 familje në nevojë

“Bashkëpunimi ynë me strukturat e tjera të pushtetit lokal, Policinë e Shtetit dhe ato qendrore kanë qenë për t’u lavdëruar dhe garancia e suksesit për të minimizuar rastet e COVID-19 në Vlorë. Sot kemi një Vlorë të gjelbër në një periudhë pandemie globale”.

Kështu u shpreh sot në një intervistë për ATSH-në, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili theksoi se “falë këtij organizimi dhe përkushtimi të të gjithëve kemi arritur të kemi sot një Vlorë të gjelbër me pesë raste, që u evidentuan që në ditët e para dhe për të cilat u ndoqën protokollet hap pas hapi dhe në bashkëpunim të përkryer me sistemin shëndetësor”.

Për kryetarin Leli një nga sfidat më të mëdha ka qenë misioni humanitar në ndihmë të familjeve në nevojë dhe të moshuarve.

“Është ndjekur çdo procedurë ligjore për të respektuar të gjithë ata njerëz që sipas VKM kishim detyrimin për t’i asistuar. Ditët e para kanë qenë ditë thirrjesh telefonike, që kalonin 1000 në ditë, të gjitha thirrjet janë vlerësuar. Janë trajtuar në total duke përfshirë ndihmën e ofruar nga bashkia e Vlorës dhe bizneset në Vlorë rreth 2500 familje, të cilat u asistuan në këto ditë të pandemisë COVID- 19”, – theksoi Leli.

Sipas tij, ishte një armatë me rreth 100 persona të ndara sipas njësive administrative të Vlorës për të qenë pranë këtyre njerëzve.

Sa i përket rifillimit të mësimit, Leli u shpreh se “kujdesi ynë ndaj njësive arsimore nuk ka ndaluar asnjë moment. Nga e hëna nis mësimi dhe ajo që jemi duke punuar fort është të vendosim të jemi të gjithë bashkë për të respektuar distancat për të minimizuar riskun e përhapjes së COVID 19”.

“Në vende të mbyllura rritet mundësia për përhapjen e virusit dhe duke krijuar hapësira të caktuara dhe për ventilimin dhe ajrosjen kjo mundësi minimizohet”, – shtoi Leli.

Kryebashkiaku Leli mbetet besimplotë dhe se në këtë sfidë do ia dalim të triumfojmë./atsh

Vlora, “zonë e gjelbër”/ Kryebashkiaku Leli: Ndihmuam rreth 2500 familje në nevojë Read More »

Shahini: Shtyhen zgjedhjet në Universitete, të sigurohet pjesëmarrje gjithëpërfshirëse e studentëve

Data e zgjedhjeve për organet drejtuese të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë (IAL) shtyhet deri në një moment të dytë kur mund të sigurohet pjesëmarrje më gjithëpërfshirëse e studentëve.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini deklaroi sot se procesi përgatitor i zgjedhjeve duhet të vazhdojë në mënyrë që IAL-të të jenë gati të fillojnë fushatën zgjedhore menjëherë pas shpalljes së datës.

Në urdhrin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë thuhet se shtyrja vjen për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, deri në një datë të caktuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ndërkohë, ministrja Shahini risolli në vëmendje të udhëheqësve të arsimit të lartë publik planifikimin e mbylljes së suksesshme të vitit akademik për studentët./atsh

Shahini: Shtyhen zgjedhjet në Universitete, të sigurohet pjesëmarrje gjithëpërfshirëse e studentëve Read More »

Matura Shtetërore, Shahini: Testi me alternativa, por shkalla e vështirësisë e njëjtë me vitet e tjera

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini tha se po merren të gjitha masat që shkollat të jenë gati për rikthimin e maturantëve në klasa në 18 maj deri në 5 qershor, ndërsa mbetet zgjedhje e tyre nëse do të duan të marrin pjesë në konsultime.

“Të gjitha masat po merren, bashkitë po bëjnë punën e vet, por edhe ne përmes drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, po bëjmë përgatitjet tona. Nëse nxënësit ndjehen se mund ta bëjnë provimin e maturës pa bërë këto konsultime mund të përgatiten vetë në kushte shtëpie. Mësimi online është zhvilluar gjatë gjithë kësaj kohe. Ka patur edhe transmetim në RTSH, leksione specifike për maturantët. Ka çdo ditë informacion shtesë për strukturën e testit dhe mënyrën sesi do të zbatohet ai. Kështu që një maturant që është duke i ndjekur të gjitha këto informacione, është plotësisht i përgatitur që ta bëjë provimin pa ardhur në shkollë. Nëse ndjehet shumë rehat, të vijë në shkollë. Por pjesa dërrmuese e letrave që kemi marrë nga maturantët është për kthim në shkollë dhe kjo është ajo që na ka shtyrë të shohim nëse është e mundur të bëhet ky kthim. Shumica dërrmuese kërkojnë kthimin në shkollë, kanë nevojë të bëjnë konsultimet përfundimtare me mësuesit e tyre para se të bëjnë testin”, u shpreh Shahini.

Shahini sqaroi faktin se edhe pse pyetjet e maturës do të jenë të gjitha me alternativa, shkalla e vështirësisë është po e njëjta me testet e kaluara. “Pyetjet me alternativa nuk e dobësojnë testin, e thjeshtëzon dhe shkurton kohën që i nevojitet nxënësit për ta plotësuar. Një pjesë e pyetjeve, duhet të zgjidhen. Pra një pjesë e pyetjeve duhet të zgjidhen, edhe pse përgjigja është me alternativa nxënësi duhet të kalojë kohë për të zgjidhur detyrën në mënyrë që të dijë se cila është përgjigja e saktë. Nxënësi duhet të jetë në gjendje të lexojë një tekst relativisht të gjatë, në mënyrë që të përgjigjet saktë, duhet të ketë një vëmendje të shtuar për tekstin që e lexon. Pra modifikimi është që të na mundësojë të shkurtojmë kohën që nxënësi kalon me provimin, pra që të mos bëjë zgjidhje të gjata të detyrave dhe shkrim të gjatë të eseve dhe na mundëson korrigjimin digjital që të mos jemi të detyruar të mbledhim një numër të madh të mësuesve në salla të cilat shfrytëzohen për të korrigjuar provimet”, sqaroi ministrja Shahini.

Sipas saj, që të bëhet korrigjimi digjital është hartuar teksti me alternativa, por këto nuk janë pyetje të lehta. Një pjesë e pyetjeve prapë kërkojnë zgjidhje, në mënyrë që të jepet përgjigja e saktë, sidomos për shkencat dhe matematikën./atsh

Matura Shtetërore, Shahini: Testi me alternativa, por shkalla e vështirësisë e njëjtë me vitet e tjera Read More »

Ministrja Shahini flet për maturantët: ‘Përdorimi i maskave i detyrueshëm.Po punojmë t’i sigurojmë ne’

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një intervistë me emisionin “Repolitix” në Report TV sqaroi të gjitha rregullat strikte të higjienës dhe distancimi social mes maturantëve që duhet të zbatojnë për t’u rikthyer në klasa më 18 maj.

Shahini tha se në klasa nuk do të ketë më shumë se 10-12 nxënës dhe se do të përdoren dhe shkollat 9-vjeçare për maturantët që të respektohen sa më shumë distancë, ndërsa sqaroi se nxënësit do të jenë të gjitha me maska pasi ishte urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu shkollat do të dezinfektohen herë pas herë, ndërsa tavolinat dhe karriget do të bëhen pas çdo përdorimi në mënyrë që të shmanget sa më shumë përhapja e infeksionit dhe të sigurohet shëndeti i maturantëve dhe mësuesve.

“Hapi i parë është hapja e shkollave të mesme dhe një pjesë të shkollave 9-vjeçare për maturantët. Nuk kemi mundësi t’i kthejmë të gjithë në shkolla. Maturantët duhet të mbyllin ciklin duke dhënë provimet dhe për këtë dueht t’i hapim ata pjesërisht. nuk do të ketë më shumë se 10-12 nxënës në shkolla dhe se hapja do të bëhet për konsultime jo për mësim.

Për të siguruar shëndetin e plotë të maturantëve dhe mësuesve është urdhër mbajtja e maskës ndërsa po punojmë që t’i sigurojë Ministria e Arsimit disa maska shumëpërdorimshme. Do të bëhet dezinfektimi i shpesh i shkollave dhe klasave, ndërsa hapja nuk do të jetë me turne, ndërsa i karrigeve dhe tavolinave duhet të bëhet pas çdo përdorimi”, tha Shhaini.

Në lidhje me klasat nga 1-11, Shahini tha se do të vijojë mësimi deri më 29 maj online, ndërsa dy javët e para të qershorit do të jenë për mësuesit, që do të kthehen në shkollë për të vendosur notat përfundimtare.

“Nota e provimit të lirimit do të merren si mesatare e të gjithë viteve. Notat do të mbyllen me vlerësimit deri në më 9 mars, ndërsa vlerësimi për mësimin online do të merret parasysh vetëm kur nuk penalizon”, tha Shahini.

Ministrja Shahini flet për maturantët: ‘Përdorimi i maskave i detyrueshëm.Po punojmë t’i sigurojmë ne’ Read More »

Manastirliu: Nga data 4 maj vijojmë me hapa të kujdesshëm lehtësimin e masave me rregulla e protokoll sigurie

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka kujtuar edhe njëherë se nga dita e hënë, 4 Maj, “vijojmë me hapa të kujdesshëm lehtësimin e masave shtrënguese, me rregulla dhe protokolle sigurie, që duhen zbatuar nga të gjithë”.

Manastirliu ka vënë në dukje rezultatet e arritura falë masave të marra në kohën e duhur.

Duke publikuar grafikun e Coronavirus Worldmeter, Manasirliu thekson se këto janë disa fakte të rëndësishme mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri.

“Falë masave të marra në kohën e duhur, falë rezistencës të qytetarëve, falë punës së palodhur të epidemiologëve, urgjencës mjekësore, mjekëve, infermierëve, u arrit përballimi me sukses i fazës së parë të epidemisë”,- thekson Manastirliu.

“Nga dita e hënë 4 Maj, vijojmë me hapa të kujdesshëm lehtësimin e masave shtrënguese, me rregulla dhe protokolle sigurie, që duhen zbatuar nga të gjithë. Bashkëpunimi i secilit prej jush është thelbësor, që të vijojmë përpara me Planin tonë të lehtësimit, pa rrezikuar të kthehemi mbrapsht! Të respektojmë rregullat e distancimit social, masat e higjienës personale duke ruajtur veten dhe familjen”, -nënvizon Manastirliu.

Sipas Coronavirus Worldometer, rezulton se vendi ynë ka numrin më të ulët të jetëve të humbura në Europë dhe rajon nga COVID-19 për 1 milionë banorë.

Tri të hënat e ardhshme do të shoqërohen me lehtësime javë pas jave, shprehet Kryeministri, ndërsa thekson se, “ky plan do të ndryshojë, nëse dinamika e epidemisë ndryshon negativisht”.

Plani i masave lehtësuese nga data 4 maj, parashikon shtimin e “zonave të gjelbra”: Tropojë, Peqin, Gramsh, Kuçovë, Skrapar, Maliq, Kolonjë, Selenicë, Rrogozhinë, Belsh, Cërrik, Ura Vajgurore, Berat, Poliçan, Devoll, Pustec, Mallakastër dhe Vlorë.

Në të gjithë vendin do të lejohet shërbimi taksi për udhëtimet ndërqytetase, me deri dy pasagjerë, anëtarë të një familjeje.

Të riatdhesuarit që janë me banim në “zonat e kuqe” do të vetëkarantinohen në banesë. /atsh

Manastirliu: Nga data 4 maj vijojmë me hapa të kujdesshëm lehtësimin e masave me rregulla e protokoll sigurie Read More »