Shkolla Orikum

Lista e plotë/ Publikohet notat e provimit të gjuhës së huaj për maturantët

Qendra e Shërbimit Arsimor ka publikuar sot notat e provimit të parë të Maturës Shtetërore.

Lista e notave për maturantët që provimin e parë kishin gjuhën e huaj është publikuar në faqen zyrtare të QSHA.

Pas provimit të parë,  rreth 36 mijë maturantë në të gjithë vendin iu nënshtruan edhe provimit të Gjuhë-Letërsisë, matematikës dhe një lënde me zgjedhje.

Këtë vit dhe teza dhe kohëzgjatja e provimit ka qenë e kushtëzuar nga situata e koronavirusit.  Testi i gjuhës së huaj ishte i ndërtuar i gjithi me alternative dhe përmbante 60 pyetje secila nga 1 pikë.

Ndërkaq pritet të publikohen edhe notat e provimeve të tjera për maturantët, ku korrigjimi i tezave  është bërë elektronikisht.

Më poshtë lista e plotë:

http://qsha.gov.al/infos/matura_2020/d3_rezultate_2020.pdf

Lista e plotë/ Publikohet notat e provimit të gjuhës së huaj për maturantët Read More »

Shahini me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve: Mbi 10 mijë maturantë përgjigje të saktë për pyetjet “problematike”

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve mbi provimin e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë.

Gjatë takimit, nxënësit përcollën në detaje para ministres të gjitha shqetësimet e maturantëve për provimin e maturës, por gjithashtu i shprehën asaj keqardhjen e tyre për ato pjesë të degraduara të protestës para ministrisë, që nuk përfaqësonin nxënësit tanë.

Lidhur me pyetjet e shumëpërfolura si ajo me “Turin” apo mbi kuptimin e fjalës “dlirnja” të Poradecit, rezultatet sipas ministres treguan se mbi 10 mijë maturantë kishin gjetur përgjigjen e saktë tek secila. “Kjo do të thotë qartë se këto pyetje nuk kanë qenë me probleme, pasi siç na informon edhe QSHA, të tilla konsiderohen pyetjet me nën 10% përgjigje të sakta”, u shpreh ajo.

Në takim, Shahini ka siguruar edhe një herë përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve që me analizën përfundimtare të rezultateve, QSHA do të bëjë rishpërndarjen e pikëve nëse rezulton se testi ka patur vështirësi më të madhe se sa njohuritë e nxënësve./atsh

Shahini me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve: Mbi 10 mijë maturantë përgjigje të saktë për pyetjet “problematike” Read More »

Sot provimi i fundit për maturantët, ai i lëndës me zgjedhje

Rreth 32 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot provimit të fundit të Maturës Shtetërore, atë të lëndës me zgjedhje.

Për shkak të pandemisë dhe masave mbrojtëse, çdo shkollë ka qenë qendër provimi, sikurse do të jetë edhe në këtë provim.

Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:30. Testi është i ndërtuar i gjithi me alternativa. Testi përmban 60 pyetje secila nga 1 pikë. Ndërkohë që të gjithë do të jenë të pajisur me maska dhe doreza dhe do të ruhet distance.

Edhe korrigjimi do të jetë ndryshe, tërësisht elektronik dhe vetëm në Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Tiranë. Fleta e përgjigjeve është më e rëndësishmja e këtij procesi, pasi të gjitha përgjigjet e testit do të lexohen dhe vlerësohen nga korrigjuesi elektronik. Specialistët këshillojnë maturantët të mos e dëmtojnë, pasi nuk dublohet dhe ta plotësojnë si duhet.

Maturantët kanë kryer më herët, pra me 8 qershor provimin e Gjuhës së Huaj, për të vazhduar më datë 11 qershor me Gjuhën Shqipe, me Matematikën më 15 qershor dhe ditën e sotme me provimin e lëndës me zgjedhje. Maturantët mbyllin sot ciklin e provimeve për të vijuar me aplikimet në universitet. /atsh

Sot provimi i fundit për maturantët, ai i lëndës me zgjedhje Read More »

Testi i Gjuhës dhe Letërsisë/ Do të rishihet edhe njëherë mënyra e shpërndarjes së pikëve të maturantëve, pasi të dalin rezultatet

Kryetarja e Komitetit të Maturës Shtetërore, Zamira Gjini në daljen e saj publike nga ambientet e ministrisë së Arsimit ka garantuar maturantët që notat dhe pikët e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të rishihen me kujdes.

Ndërsa komentoi reagimet e maturantëve lidhur me provimin, Gjini u shpreh se “Komiteti i Maturës Shtetërore pranë ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë që ditën e parë të provimit të Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë ka vlerësuar me kujdes reagimet e maturantëve si dhe kërkesat e tyre drejtuar ministrisë së Arsimit, duke gjykuar zgjidhjen e tyre, cilësinë e zgjidhjes së tyre pa ndikuar në procesin e maturës shtetërore”.

Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe shumë mësues të Gjuhës Shqipe që janë pyetur lidhur me testin, për modelin e testit, përshtatjen e tij me programin orientues të lëndës: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi kanë gjykuar që të rishihet edhe njëherë mënyra e shpërndarjes së pikëve të maturantëve dhe të notave të tyre, për të shmangur çdo shqetësim të maturantëve mbi notat, gjë që ka efekt të njëjtë, të barabartë për të gjithë maturantët por kjo do të bëhet vetëm pasi të dalin rezultatet e pikëve të maturantëve”.

Gjini lajmëroi se “që sot Qendra e Shërbimeve Arsimore do të publikojë testin e plotë të lëndës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi si dhe përgjigjen e saktë për çdo pyetje të testit, në mënyrë që çdo maturant referuar përgjigjes të mund të bëjë një rivlerësim të asaj çka ai është përgjigjur në testin e tij. Menjëherë sapo të dalin rezultatet, maturantët krahas notës së tyre do të kenë edhe variantin që kanë pasur në test dhe alternativën e saktë”.

Po ashtu, Gjini theksoi ndër të tjera se “maturantët duhet të jenë të qartë, duhet të jenë të bindur se puna e tyre në 3 vitet e gjimnazit, edhe e mësuesve të tyre do të vlerësohet me objektivitet duke iu garantuar se personalizimi i testit që iu bë këtë vit, nuk sjell shmangie të vlerësimit real të tyre në notë”.

“Duke vlerësuar çdo koment apo sugjerim të dhënë në media apo rrjete sociale nga ekspertë të fushës apo të letërsisë, apo nga mësues të cilët njohin shumë mië programin, tekstin, nivelin e nxënësit të tyre, ne si ministri Arsimi dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore i ftojmë që sot të bëhen pjesë e tryezave të përbashkëta për të diskutuar mbi saktësinë e secilit pyetje të testit apo përputhjen e testit me programin orientues të lëndës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi sikurse ka garantuar Qendra e Shërbimeve Arsimore”, u shpreh Gjini. /atsh

Testi i Gjuhës dhe Letërsisë/ Do të rishihet edhe njëherë mënyra e shpërndarjes së pikëve të maturantëve, pasi të dalin rezultatet Read More »

Kërkesat e maturantëve/ Qendra e Shërbimeve Arsimore: Të gatshëm të ngremë grupe vlerësimi për analizimin e pretendimeve të tyre

Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) shprehu sot gatishmërinë të ngrejë, në çdo moment, grupe vlerësimi me mësues me përvojë nga gjimnazet e vendit, të cilët së bashku me hartuesit e testit, do të analizojnë pretendimet e
ngritura nga maturantët.

Në një reagim mbi kërkesën e depozituar sot në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nga maturantët, MASR thekson se “QSHA garanton profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e specialistëve kontribues në hartimin e testit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë, të cilët mbështeten në eksperienca dhe metodologji shkencore të sprovuara ndër vite”.

QSHA garanton me përgjegjësi të plotë se ssnjë prej pyetjeve të testit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk është jashtë programit orientues.

Ky program është hartuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP).

“Identifikimi i gjeneraliteteve për çdo maturant është bërë për dy arsye: së pari, procesi i korrigjimit është digjitalizuar, çka do të thotë se fletëpërgjigjja skanohet dhe, njëherazi, përgjigjet e dhëna vlerësohen nga sistemi kompjuterik dhe jo nga vlerësues fizikë. Kjo metodë përdoret në të gjithë provimet e standardizuara
(p.sh. SAT, TOEFL, IELTS, etj.), ku testi gjithashtu është i personalizuar, dhe siguron besueshmëri dhe saktësi të procesit të korrigjimit”, – nënvizon QSHA.

Së dyti, QSHA shprehet se ka krijuar mjedise provimi, duke përcaktuar numrin dhe renditjen e nxënësve nëpër klasa.

“Kjo ka shmangur vonesat në shpërndarjen e testeve, pasi
secili nxënës ka marrë menjëherë në dorë testin e personalizuar, dhe ka bërë të mundur që provimi të fillojë njëkohësisht në të gjitha mjediset. Veç të tjerash, materialet e provimit janë hapur në klasë përpara nxënësve dhe kjo procedurë është ngritur për të garantuar transparencën e procesit”, – nënvizon QSHA.

Për sa i takon personalizimit të testeve, QSHA sqaron se në të gjitha rastet, edhe nëse përdoren barkode, testet mund të jenë të identifikueshme lehtësisht nga QSHA.

“Institucioni e ndërton procedurën e vlerësimit të përgjigjeve të nxënësve dhe publikimin e rezultateve të tyre mbi protokolle sigurie tejet të larta, të cilat nuk cënojnë konfidencialitetin e të dhënave. QSHA mbetet në dispozicion të çdo kërkese nga ana e maturantëve për të parë jo vetëm saktësinë e vlerësimit, por edhe ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave”, – tha QSHA.

Sipas QSHA-së, provimet kombëtare, janë vlerësime të jashtme, që matin në mënyrë të standardizuar arritjet e nxënësve në përfundim të arsimit të mesëm të lartë, përkundrejt vlerësimit të brendshëm
të shkollës.

“Si të tilla, ato priren të garantojnë një standard vlerësimi në nivel kombëtar. QSHA garanton me përgjegjësi të plotë se, edhe në rastin e shkollave profesionale, testi është bazuar në programin orientues përkatës”, -përfundon reagimi i QSHA-së.

Maturantët protestuan sërish sot përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar rivlerësim të tezës të provimit të gjuhë-letërsisë.

Lidhur me protestën e maturantëve ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, i cili i bën thirrje Komitetit të Maturës Shtetërore që në përmbushje të detyrimit ligjor dhe përballë kërkesave të studentëve, në transparencë të plotë, të marrë sa më parë në shqyrtim të gjitha shqetësimet e tyre dhe t’u përgjigjet me përgjegjësi të plotë./atsh

Kërkesat e maturantëve/ Qendra e Shërbimeve Arsimore: Të gatshëm të ngremë grupe vlerësimi për analizimin e pretendimeve të tyre Read More »

Nesër provimi i parë i Maturës Shtetërore/ Vrapi: Testi me 60 pyetje me alternativa, protokoll sigurie në klasa

32 mijë maturantë do u drejtohen të hënën bankave të shkollës për provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj. Por ndryshe nga një vit më parë, këtë vit testi do të jetë vetëm me pyetje alternative.

Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi në një intervistë në media thotë se janë 60 pyetje me alternativa, për 60 pikë.

“Nuk ndryshon numri i pikëve, por ndryshon lloji i pyetjeve. Në këtë maturë i gjithë testi do të jetë me pyetje me alternativa, pra janë 60 të tilla për 60 pikë. Është shkurtuar koha nga 2:30 në 2 orë. Nuk do të ketë pyetje ese e cila merrte rreth 45 minuta për t’u shtjelluar”, shprehet Vrapi.

Vrapi thotë kjo mënyrë testimi kryhet për shkak të pandemisë së Covid-19, për të mos grumbulluar më shumë mësues për korrigjimin e testeve dhe duke ia besuar atë teknologjisë.

“Për shkak të pandemisë dhe kushteve ku ndodhemi, që të mos mbledhim korrigjues, të cilët janë të detyruar që kur vlerësojnë një pyetje të hapur të komunikojnë me njëri-tjetrin për pikën finale të maturantit, është kaluar në këtë variant. Gjithçka do korrigjohet në mënyrë elektronike, duke shmangur korrigjimin njerëzor”, deklaroi ajo.

Pandemia ka bërë që të ketë ndryshime edhe në mjediset ku do të kryhet provimi. Maksimumi i nxënësve për klasë do të jetë 15 dhe do të mbikëqyren nga një koordinator.

Sezoni i provimeve të Maturës Shtetërore nis me lëndën e gjuhës së huaj këtë të hënë, për të vazhduar më datë 11 qershor me gjuhën shqipe, me matematikën më 15 qershor, për ta përmbyllur me lëndën me zgjedhje më datë 18 qershor./atsh

Nesër provimi i parë i Maturës Shtetërore/ Vrapi: Testi me 60 pyetje me alternativa, protokoll sigurie në klasa Read More »

Shkolla si hapësirë e sigurtë, Shahini: Dyfishim numrit të psikologëve dhe punonjësve socialë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një videomesazhi ka komunikuar një çështje të ndjeshme, por të rëndësishme për shëndetin e komunitetit shkollor.

Shahini foli për bullizmin, për dhunën në bazë gjinore dhe për abuzimin seksual, si në komunitet, ashtu edhe në shkollë.

Duke përgëzuar nxënësit që kanë gjetur kurajon të denoncojnë bullizmin, dhunën apo abuzimin që kanë përjetuar, ministrja Shahini nënvizon se kjo është e vetmja mënyrë që të rriturit dhe institucionet të kenë mundësi të dënojnë këtë dhunë, dhe të parandalojnë që kjo dhunë të ndodhë në të ardhmen. Shkolla duhet të shndërrohet në një hapësirë të sigurtë, ku nxënësi ndihet që mund të denoncojë dhunën që e ka përjetuar, apo të paraqesë çfarëdo shqetësimi që ai mund të ketë”.

“Kjo është arsyeja”, shprehet Shahini se pse para disa muajve ka filluar edhe zbatimi i politikës për shndërrimin e shkollës në një hapësirë të sigurt. Do të dyfishohet numri i psikologëve dhe punonjësve socialë përmes një riorganizimi të stafit arsimor që tashmë ka filluar. Ata do të trajnohen për çështjet gjinore dhe për çështje të ngacmimit dhe abuzimit seksual, në mënyrë që të adresojnë këto tema të ndjeshme sa më mirë që të jetë e mundur në shkollë”, thekson ajo.

Më tej, ministrja Shahini shprehet se “janë vendosur tashmë protokollet e veprimit të shpejtë, në mënyrë që sapo të bëhet një denoncim, të përjashtohen nga puna ata që janë denoncuar dhe të ndiqen penalisht. Kjo tashmë ka ndodhur për rastet që janë denoncuar dhe personat në fjalë janë duke vuajtur dënimet e merituara”.

“Përveç njohjes me rregulloren e arsimit parauniversitar dhe kodit penal, Shahini thekson domosdoshmërinë e ndryshimit të kulturës dhe mënyrës se si shoqëria jonë adreson gratë, vajzat dhe grupet e margjinalizuara. “E gjithë kjo duhet të ndryshojë”, tha ajo.

Po ashtu, ministrja Shahini kërkon edhe bashkëpunimin e medias, si një lojtar kyç në raportimin në mënyrën më të mirë dhe më të ndjeshme në rastet e dhunës kundër grave e vajzave, apo abuzimit seksual.

Në fund të videomesazhit, Shahini nënvizon nevojën se “ne duhet të punojmë së bashku që të ndryshojmë kulturën dhe të shndërrohemi në një shoqëri më të mirë që mbron grupet e margjinalizuara, një shoqëri më të mirë për fëmijët tanë”./atsh

Shkolla si hapësirë e sigurtë, Shahini: Dyfishim numrit të psikologëve dhe punonjësve socialë Read More »

Rikthimi i maturantëve në shkolla/ Vlorë, vijon respektimi i masave ndaj COVID-19

Stafi infermieror i Sektorit të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Vlorë së bashku me punonjësit e qendrave shëndetësore vijojnë monitorimin e gjendjes shëndetësore të maturantëve dhe zbatimit rigoroz të protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Gjatë ditës së sotme punonjësit e shëndetësisë në Vlorë ishin pranë maturantëve të shkollave të mesme “Perla”, “Elite”, Shkolla Tregtare, “Qemal Ataturku” dhe “Ali Demi”.

Ata i informuan maturantët mbi mbajtjen e higjienës personale, larjen e duarve dhe dezinfektimin e objekteve që prekin me shpesh.

Po ashtu i këshilluan të ruajnë distancimin social si një tjetër mënyrë e parandalimit të përhapjes së COVID-19, që do të thotë shmangia e vendeve të populluara dhe mbajtja e largësisë nga njëri-tjetri.

Stafi mjekësor realizoi edhe termometrimin e çdo nxënësi për të evidentuar çdo problematikë shëndetësore. Ata i këshilluan nxënësit të zbatojnë rregullat për të parandaluar përhapjen e infeksioneve respiratore si COVID-19./atsh

Rikthimi i maturantëve në shkolla/ Vlorë, vijon respektimi i masave ndaj COVID-19 Read More »