Orikuminews

Kuvendi, masa rigoroze për mbrojtjen e deputetëve dhe stafit

Kuvendi njoftoi sot masat e marra për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, duke nënvizuar se që në fillim të kësaj situate ka respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha masat mbrojtëse të urdhëruara nga Aktet Normative të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Me vendim të Konferencës së Kryetarëve, është kufizuar kohëzgjatja e seancave plenare, si dhe koha e diskutimeve. Mbledhjet e komisioneve parlamentare, Byrosë dhe Konferencës së Kryetarëve zhvillohen online. Deputetët në sallë mbajnë maska dhe ulen duke respektuar distancën fizike, duke shfrytëzuar për këtë qëllim edhe mjediset e tjera të sallës së seancave, galerinë dhe llozhat.

“Këto masa nuk kanë ndikuar në produktivitetin dhe rezultatet e punës së Kuvendit, të seancave plenare dhe të komisioneve. Përkundrazi, në raportin “Dimensioni Human i OSBE dhe përgjigjet shtetërore ndaj pandemisë Covid-19”, publikuar para disa ditësh nga OSBE/ODIHR, Kuvendi i Shqipërisë ka marrë vlerësime shumë pozitive dhe është vlerësuar ndër parlamentet që u janë përgjigjur më mirë situatave të pandemisë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Sipas raportit, “Parlamenti i Shqipërisë ishte ndër të parët që lejoi komisionet të punonin në distancë, përmes mjeteve të komunikimit elektronik. Në Shqipëri, vendimi për të lejuar zhvillimin në distancë të mbledhjeve të komisioneve, duke përdorur platforma videokonference, ka mundësuar që transmetimi live i këtyre mbledhjeve të jetë i arritshëm për publikun e gjerë”.

Po ashtu, është bërë dezinfektimi i rregullt periodik i mjediseve të Kryesisë së Kuvendit dhe të sallës së seancave plenare, duke garantuar dezinfektim të dedikuar para çdo seance.

Janë siguruar në mënyrë të vazhdueshme elementet e higjienës: sapun i duarve, dezinfektantët me bazë alkoli, letër pastrimi të duarve, pastrim i sipërfaqeve dhe sigurimi i koshave të mbyllur për eliminimin e mbetjeve.

Kryhet pastrimi para hapjes dhe mbylljes së procesit të punës i tavolinave, telefonave, korridoreve, tualeteve. Janë zbatuar masat për dezinfektimin e duarve dhe matjen e temperaturës së deputetëve në hyrjen e sallës së seancave plenare dhe të punonjësve të shërbimeve të Kuvendit në mjediset e Kryesisë së Kuvendit.

Në këtë situatë, Kuvendi shton se, është kufizuar prania e mediave në sallën e seancës plenare dhe, për të mos dëmtuar transparencën e veprimtarive parlamentare, ky shërbim u ofrohet të gjithë televizioneve nga Radio-Televizioni Shqiptar. Është reduktuar në maksimum prezenca e stafit në sallën e seancve plenare dhe e Gardës së Republikës. Janë ndaluar veprimtaritë dhe takimet publike në Kuvend; është pezulluar shërbimi i dokumentacionit arkivor. Janë ofruar masa lehtësuese për punonjësit prindër të fëmijëve të mitur ose me probleme shëndetësore: punë në distancë, orë fleksibël, mundësimi i rritjes së distancës fizike. Bëhet njoftimi i shtrukturave të NJVKSH për rastet e dyshuara dhe njoftohet për çdo mbledhje taskforca pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Shërbimet e Kuvendit kanë dhënë shembullin qytetar për respektimin e masave mbrojtëse.

Më datën 27 korrik, nisur nga numri i lartë i të infektuarve gjatë ditëve të fundit, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi iu drejtua me një apel gjithë qytetarëve shqiptarë, për të rritur ndjeshmërinë e tyre ndaj respektimit të masave mbrojtëse të urdhëruara nga Aktet Normative dhe për t’i zbatuar këto masa në sjelljen individuale, familjare e shoqërore. /atsh

Kuvendi, masa rigoroze për mbrojtjen e deputetëve dhe stafit Read More »

Historia e vërtetë e Sadikut nga krahina jonë. Si u largua dhe përfundoi ekonomist i NATO-s!

Sadik Ramo Begotaraj,si u arratis radhimjoti dhe perfundoi ekonomist i NATO-s!

U lind në Radhimë në vitin 1906. Qysh fëmijë mbetet jetim, prandaj edukimin dhe rritjen e tij së bashku me tre motrat e merr përsipër e ëma, nën kujdesin edhe të xhaxhait të tij Sefer Sadiku. Pas mbarimit të shkollës fillore në fshat, Sadiku vazhdon më tej në Vlorë, dëri sa përfundon shkollën tregëtare.

Mbas shkolle fillon punë si nëpunës në bankën e shtetit në Vlorë, deri në vitin 1942, duke mos i shkëputur asnjë herë marrdhëniet me fshatin, pasi në Radhimë kishte nënën dhe fëmijët.

Qysh në fillim ai aktivizohet me lëvizjen antifashiste, duke u zgjedhur edhe anëtar i këshillit të parë antifashist Nac-Çl të fshatit. Por më vonë, për arsye personale shkëputet nga kjo lëvizje, duke u larguar nga fshati dhe fillon punë si sekretar pranë prefektit të Vlorës. Në këtë kohë i ndikuar edhe nga i kunati, Bego Gjonzeneli, simpatizon Ballin Kombëtar.

Në gusht 1944, rreshtohet në radhët partizane në zonën e Pogradecit, ku
pranohet edhe në radhët e PK. Pas ndjekies se gjermaneve deri ne zonen e
Shkodres, mbas çlirimit në dhjetor 1944 i inkuadruar ne forcat partizane
kthehet ne zonen e Bilishtit, Korce. …
Mbasi njihet rastesisht me urdherin qe kishte ardhur per arrestimin e tij; ndofta per te kaluaren, se bashku me dy shoke te tjere largohet drej Greqise.

Mbas disa muajve burg, përfundon në Frankfurt, RFGJ, ku fillon punë si
ekonomist në forcat e NATO-s, duke shkëputur çdo lloj lidhje me familjen…
Ne fillim te viteve 50-te si shume shqiptare te tjere te arratisur, mobilizohet dhe dergohet ne Bari, Itali per t’u pergatitur dhe hedhur ne momentin e mundshem ne Shqiperi, per te permbysur Pushtetin Popullor; por pa aktivitet…

Kështu, dy vajzat e tij, të ngelura në Shqipëri dhe të afërm të tjerë, vuajtën gjatë gjithë jetës së tyre përndjekien politike si rezultat i largimit të Sadikut…

I plakur, në vetmi, vdes në spital në Frankfurt, në moshën 83-vjeçare,
ndersa ne Maj 2010, me interesimin e vajzave te tij, eshtrat u rivarrosen ne Vorrezat e Radhimes !

Historia e vërtetë e Sadikut nga krahina jonë. Si u largua dhe përfundoi ekonomist i NATO-s! Read More »

Çu zunë nusja dhe plaka, desh arritën në shuplaka – nga Andrea Vangjeli

Çu zunë nusja dhe plaka
Desh arritën në shuplaka
Unë u ndodha në shtepi
Për pak u bë gjullurdi

I thosh plaka nuses time
E sho sot u hoqe trime
Po sedi e ke gabim
Se ai është djali im

I them plakës me të qet
Ç”ke mama përse bërtet
Edhe plaka mu këthye
Dhe mua mu hakërrye

Foli asaj e jo mua
Po deshe vure në shtrua
Shikon veç telenovela
S”pyet për punët e tjera

Gjithë ditën në facebok
Si si pélcet ajo kok
Unë dhe drekën përgatis
Me fshes vij vërdall avllis

Laj e fshij me jasht e brenda
Nuk e she që u çémenda
S”dija kujt ti jipja hakën
Keq për gruan keq për plakën

Uli nervat o mama
Se gruan sonte de rra
Dhe ra paqja në shtëpi
Çdo ndodh nesër nuk e di

Çu zunë nusja dhe plaka, desh arritën në shuplaka – nga Andrea Vangjeli Read More »

Janë të dëmshme dorezat mbrojtëse?/ Ja çfarë thotë studimi…

Njerëzit po debatojnë nëse vënia e një maskë funksionon kundër COVID-19, por Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) paralajmërojnë se janë dorezat mbrojtëse ato që duhet të hiqni.

CDC-ja amerikane dhe ajo europiane kanë lëshuar udhëzime, sipas të cilave përdorimi i dorezave nuk është një taktikë e nevojshme parandaluese kur bëhet fjalë për COVID-19.

“Dorezat nuk do t’ju mbrojnë domosdoshmërisht nga infektimi me COVID-19 dhe ende mund të çojnë në përhapjen e mikrobeve”, sqaron CDC.

“Mund të ndiheni të mbrojtur, sepse lëkura juaj nuk po prek një sipërfaqe, por sapo e zhvendosni prekjen nga ajo sipërfaqe në prekjen e maskës ose fytyrës suaj, kjo është ndotje, edhe nëse keni veshur doreza dhe kështu nuk keni arritur gjë në rrugën e sigurisë”, tha Allison Bartlett, kryemjeke e asociuar e Pediatrisë në Programin e Kontrollit të Infeksioneve, në Universitetin e Çikagos.

Sipas udhëzimeve të CDC, dorezat e ripërdorshme mund të përdoren gjatë larjes së enëve ose pastrimit të thellë të shtëpisë, por kjo ka të bëjë më shumë me mbrojtjen e duarve, sesa me parandalimin e transmetimit, duke rekomanduar veshjen e dorezave të disponueshme nëse kujdeseni për dikë që është i sëmurë dhe ekziston një rrezik i shtuar për të rënë në kontakt me sekrecionet e tyre./ atsh

Janë të dëmshme dorezat mbrojtëse?/ Ja çfarë thotë studimi… Read More »

Mëngjes plot ngjyra në Grand Hotel Tragjasi (foto)

Mengjes plot ngjyra .
Petulla te shoqeruara me mjalt Dragobie dhe Recel kumbulle te bere vet .

Pjeper dhe Dardhe nga bahcja e Fatmir Dano-s Tragjas .

Veze fshati me prodhime te punishtes se qumshtit “ATA” Tragjas , gjize me fara te zeza , djath dhie dhe kackavall .

Pas ketij mengjezi te bollshem dhe kalorik i nje kafe Ama dhe nje gote uje te ftohte!
Ju mirepresim 🤗

Mëngjes plot ngjyra në Grand Hotel Tragjasi (foto) Read More »

87-vjeçarja, 30 vjet në vetmi/ ‘Nuk mbaj mend kur ka qenë njeri këtu’

Dita po i shkon në mendime, e të vetmen mbrojtje e gjen tek perëndia. Vetmia e ka lodhur shumë, e kjo është fraza të cilën e përsërit më së shpeshti.

Brenda katër mureve, e vetme për 30 vjet, shoqëri po i bëjnë vetëm pulat e një qen. E edhe për këta po kujdeset vet. Shtëpinë vështirë po e ngrohë ditëve të ftohta. Dimri i është bërë armik, e jeta po i bëhet çdo ditë e më e pamundur, nuk din kujt t’i drejtohet. 30 vjet frikë, skamje, e lodhje nga mosha.

Kjo është jeta e 87-vjeçares nga fshati Rakoshë e Istogut. Në jetë nuk pati gati askënd që të kujdeset për të. Po jeton krejt e vetme, e pensioni që merr nga shteti, mezi arrin shumën 90 euro.

Ato pak të ardhura vështirë i menaxhon. Nuk mund të blejë gati asgjë, e kur mbet pa ushqim, të vetmen dëshirë e ka që të arrijë të blejë barnat.

“Veç me perëndinë, nuk i kam hjek mendtë prej tij kurrë…Vetëm pasha Zotin qishtu moj motra jem, vetëm. Me halle, me derte. Komshia pasha Zotin e kam thy dorën qitash tash bëhet mot-mot asnjë nuk është ardh me ma qel derën. Shkova me ju qit pulave, ka erdha, u rrëzova e theva dorën”, rrëfen ajo.

Jeton në një dhomë, ku skutat janë mbuluar nga myku. Nënë Zoja të rralla i ka takimet me njerëz, ka harruar edhe kur për herën e fundit e kishte vizituar dikush në shtëpinë ku ajo po jeton që 20 vjet, raporton Kosova Press. Fytyrën ja kanë mbuluar rrudhat e pleqërisë, e derisa flet për jetën e saj të vështirë, nuk i pushojnë lotët.

“Paj vallahin po, një re e kunatit vjen kajher, më këqyr qitu, a po muj me bo bukën, se vallahin shumë herë kur të qet në tepsia diçka, ma bjen. Unë po i them mos ma bjerë. Shporetin e kam, dru jo. Vet nuk muj me i bajt, qishtu”, shton ndër të tjera ajo.

Ndonëse e ka lodhur shumë jeta, e moshuara nga Istogu çdo ditë ka nevojë për përkujdesje. Ishte ithtuar shumë me disa punëtorë, kur disa bamirës nga Istogu kishin mbledhur disa ndihma për t’ia rregulluar banjon.

“Vallahen nuk ma kanë hijdis mirë, ma kanë lon pa derë, ata punëtorët”, flet ajo.

Po duhet edhe t’i kufizojë nevojat e saj, pensioni që merr nga shteti, mezi arrin shumën 90 euro. Këto të ardhura më shumë po i shkojnë në barna. Nuk harron asnjëherë të përmend drutë për dimër, sepse thotë se po i frikësohet shumë ditëve të ftohta dimri.

“Në muaj unë i marr 90 euro, çka me bo me to. A me ble harq, a me ble barna. Barnat turlifare i kam qaty. Vallahi po duhet me i kursye, barnat vallah, barnat e shtrenjta. Gjakun e altë. Janë radhit do sene, po tash dertin për dru, rryma po nalet, që dje gjithë ditën u ndal, sot tre orë u nal, qitash u ardh”, shton nënë Zoja.

Tërë jetën e kishte kaluar në bjeshkë, thotë se jetën ia zgjati puna që e kishte bërë. Nuk i pushojnë lotët, kur tregon se si ia kishin “vjedhur” lopët e delet që po i mbante.

“Sa i kam pas delet e lopët dilsha në bjeshkë….po m’i vodhën. Edhe më kanë qit natën, i hetova. Veç e kam marrë një dërrasë qaty, e jam dal pas tyre deri qatje, kanë mujt edhe me më mbyt. Qishtu, çka me bo. Nuk po shoh mirë, si hije po më dukesh”, tregon ajo.

Ditët e ftohta të dimrit i janë bërë armik, derisa vështirë po arrin të sigurojë vetë drutë për të kaluar acarin. Jo rrallë herë kishte kërkuar ndihmë edhe nga komuna, por thotë se nuk do të shkojë më.

“Jam kanë në komunë, jam kanë parvjet për dru, është njëfarë Dauti. Shkova e bëra letrën poshtë në kat të parë, shkova në kat të tretë e hapa derën. Më tha hallë çfarë po donë. Thash vallahin do dru unë, nuk kam dru, ih tha na keni tesh, u ktheva. Kesha me ato çikat thash nuk më pranoj, edhe i kesha. E tani nuk jam kanë mo. Ja që dy vjet nuk jam kanë mo në derë”, shton ajo.

Nuk kërkon shumë, hallin e vetëm 87 vjeçarja i ka drutë, për to mendon tërë verën. Madje edhe kjo është kërkesa e vetme. Zojë Haxhiaj nga Rakosha e Istogut kishte mbetur e vetme 30 vjet më parë, atëherë kur edhe i vdiq bashkëshorti.

Vet kujdeset për gjithçka, përfshirë edhe ushqimin. E nuk rresht së përmenduri që ditët e dimra po afrohen, e ende nuk ka siguruar ngrohjen për këtë vit.

87-vjeçarja, 30 vjet në vetmi/ ‘Nuk mbaj mend kur ka qenë njeri këtu’ Read More »

Rrepet shekullore-Flet profesori nga Tragjasi – “E kam adresuar para nje muaji, Urojmë që të mos jetë…

Profesor Doktor Sherif Lushaj nga Tragjasi ka reaguar nepermjet nje statusi ne facebook ne lidhje me rrezikun qe i kanoset rrepeve shekullore te Tragjasit. Ja cfare deklaron ai :

Nga Sherif Lushaj:

Sa për informacion për rrepet e Izvorit meqenëse pashë një diskutim
Para një muaj e kam adresuar për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. AGJENCIA KOMBËTARE E ZONAVE TË MBROJTURA ( përgjegjëse për Monumentet e Natyrës në strukturën e kësaj Ministrie) ka organizuar një vëzhgim. Në muajin Gusht do të bëhet një vëzhgim tjetër për të krahasuar ndryshimet që kanë ndodhur.
Urojmë që të mos jetë sëmundja e tmerrshme e pa shërueshme kërpurdhore e përhapur në Evropë ku ka tharje të rrepeve ose të tharjes të ndodhura në pellgun e lumit Vjosë dhe Drino në Gjirokastër.
Ditë të mbarë

Rrepet shekullore-Flet profesori nga Tragjasi – “E kam adresuar para nje muaji, Urojmë që të mos jetë… Read More »

Në Amantia, mes gjurmëve antike dhe bukurive natyrore në jug të vendit

Qyteti ilir i Amantias, në Vlorë, me parkun e tij arkeologjik, dëshmi e historisë së vjetër dhe gatimet tradicionale të zonës, ku spikatin prodhimet e bylmetit, është shndërruar në një atraksion të përhershëm turistik për vizitorët vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

Kalaja e qyteti antik të Amantias është e para që duket kur arrin në fshatin Vajzë. Mes kodrave të luginës së Shushicës dallon maja ku janë rrënojat e qytetit.

Stadiumi arkeologjik në parkun Amantia është në formë patkoi dhe ndërtimi i banesave dhe fortesave i jep Amantias një pamje ndryshe nga qytetet e tjera Ilire.

Kërkimet e para për identifikimin e rrënojave të Amantias, filluan në shekullin e XIX. Tempulli i Afërditës dhe bazilika palokristiane janë elementë të veçantë që spikasin në këtë zonë.

Gjatë komunizmit në kala kanë jetuar rreth 40 familje. Përveç rrënojave të kalasë, në qytetin e Amantias gjenden edhe tre shpella dikur të banuara.

Gjurmët historike të kësaj zone ndërthuren me peizazhet e natyrës fantastike. Ndërsa gatimet tradicionale të fshatit Vajzë, ku spikatin produktet e bylmetit me shijen e veçantë janë pika më e “fortë” që tërheq vizitorët dhe turistët në çdo kohë./atsh

Në Amantia, mes gjurmëve antike dhe bukurive natyrore në jug të vendit Read More »