Irina

Shtim i mjeteve mbrojtëse për koronavirusin/ Ministria e Shëndetësisë rialokon 1 milion dollarë për spitalet

Pas mbledhjes së pasdites së sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, me fokus masat paraprake për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur të rialokojë një fond shtesë prej 1 milion dollarë buxhetit të spitaleve, që do të shkojë për rritjen e stokut aktual të mjeteve të mbrojtjes personale.

Ky fond shtesë shërben vetëm për qëllimin e sipërpërmendur të rritjes së stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat tona spitalore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron personelin shëndetësor dhe qytetarët se aktualisht, të gjitha strukturat spitalore, kanë në dispozicion sasinë e nevojshme të mjeteve të mbrojtjes personale, për të përballuar situatën.

Ministria e Shëndetësisë siguron se deri në këto momente, nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit COVID 19 në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe taskforca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127, në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon qytetarët se do të ofrojë informacione të përditshme, ashtu siç ka bërë deri më tani, në funksion të transparencës dhe informimit të publikut./atsh

Shtim i mjeteve mbrojtëse për koronavirusin/ Ministria e Shëndetësisë rialokon 1 milion dollarë për spitalet Read More »

Thirrja për tubim, Meta: Dua të ndërgjegjësoj qytetarët për grushtin e shtetit

Presidenti Ilir Meta i ftuar në një studio televizive sqaroi arsyet që kanë sjellë thirrjen prej tij të tubimit të 2 marsit në bulevard.

“Tashmë kemi dhe disa puçistë, të cilët kanë dalë zbuluar, të cilët kanë realizuar një grusht shteti, që duan të mbyllin aktin final të rrëmbimit mafioz në kundërshtim me Kushtetutën pikërisht dhe Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që anëtarët e ardhshëm të kësaj Gjykate të jenë të standardit Dvorani, të Artave, të Etildave dhe të gjithë atyre që për besnikëri të verbër apo për pengmarrje nga organizata që po drejton sot Shqipërinë janë gati të shkelin Kushtetutën me të dyja këmbët, të shkelin ligjin dhe çdo gjë. Të falsifikojnë dokumente shtetërore në mënyrë të strukturuar, kriminale, sikurse u demonstrua qartë edhe me provat e fundit”, tha presidenti Meta.

Ai solli në vëmendje argumentet që i ka paraqitur në konferencat e njëpasnjëshme për mediet në Presidencë.

“Më 2 mars unë u jam drejtuar qytetarëve shqiptarë. Atyre do t’u isha drejtuar edhe në dhjetor me rastin e Lëvizjes Studentore, por ajo u shty për disa arsye. Tani më 2 mars unë do t’i drejtohem të gjithë popullit shqiptar dhe të gjithë botës ndërkombëtare për t’u bërë të qartë, që mbi Kushtetutën qëndron vetëm sovrani dhe vullneti i tij”, u shpreh Meta.

I pyetur për objektivat e tubimit, Meta tha: “Objektivat e mia janë shumë të qarta. E para, një herë të ndërgjegjësoj të gjithë qytetarët shqiptarë për grushtin e shtetit. Së dyti, t’u bëj të qartë që instalimi i grushtit të shtetit asgjëson përfundimisht liritë dhe të drejtat e tyre demokratike që garanton në letër sot Kushtetuta e Shqipërisë, por që është e pamundur t’i garantojnë institucionet e kapura”.

“Unë përgjegjësinë e marr vetë i pari dhe kam plotësisht të drejtën që përmes dekreteve të rivendos rendin kushtetues në vend në rast se parlamenti do të vazhdojë të thellohet më tej në puçin e tij dhe në veprimtarinë e tij anti-kushtetuese dhe anti-kombëtare. Dhe përgjegjësinë e marr unë. për mua ka rëndësi që populli të përgjigjet dhe unë jam i bindur që populli do të përgjigjet. Do t’i zbatojë populli dekretet e Presidentit meqenëse institucionet janë të kapura dhe praktikisht të vdekura në kuptimin e funksionimit”, u shpreh ai.

Në lidhje me pyetjen përse mazhoranca kërkoi opinion nga Komisioni i Venecias në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Meta u shpreh se: “”ata e kërkuan gjoja Venecian, për të relativizuar përgjegjësitë penale të Dvoranit se ai, nuk është vetëm ai, ka bërë bashkëpunëtorë të shumtë”.

“Ja dolën disa bashkëpunëtorë, por do dalin dhe të tjerë. Kam dyshime, që për fat të keq do dalin dhe bashkëpunëtorë ndërkombëtarë. Më këtë akt dhe tentativë të pastër të grushtit të shtetit”, tha Meta.

“Unë kam respektuar Venecian, e kanë kërkuar ata, se unë nuk mund të kërkojë Venecian e të vë në diskutim diçka që e kam bërë në përputhje më Kushtetutën e Republikës se Shqipërisë”, u shpreh ai.

“Por, meqenëse e kërkuan ata, shumë mirë bënë që e kërkuan ata, kërkova edhe unë, për aktet që ka bërë Kuvendi në mënyrë që ata, të shikojnë se çfarë ka ndodhur realisht dhe jam i sigurt që kur unë të shkoj në seancën plenare në Venecia, që po më çon Rilindja, ata do ta kuptojnë edhe më qartë se çfarë ka ndodhur këtu”, tha Meta.atsh

Thirrja për tubim, Meta: Dua të ndërgjegjësoj qytetarët për grushtin e shtetit Read More »

Parashikimi i motit, e martë 25 shkurt 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet fillimisht i kthjellët. Gradualisht vranësirat do të vijnë në shtim mesatare deri të dendura duke nisur nga orët e pasdites vonë. Përgjatë luginave do të ketë mjegull e mjegullinë lokale.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut e lehtë e përgjatë vijës bregdetare prej orëve të mesditës fiton forcë e vrullshme 15-20 m/s.

Valëzimi parashikohet i forcës 3-4 ballë. Në orët e pasdites dallgëzimi do të shtohet.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 6/19 re diell
Kukës 7/18 re diell
Lezhë 6/20 re diell
Dibër 2/16 re diell
Durrës 8/21 re diell
Tiranë 7/20 re diell
Elbasan 5/20 re diell
Berat 4/21 re diell
Vlorë 7/21 re diell
Korçë 5/18 re diell
Gjirokastër 2/18 re diell
Sarandë 8/21 re diell/atsh

Parashikimi i motit, e martë 25 shkurt 2020 Read More »

Rama citon Imam Ali: Cilido që vepron brutalisht vështirëson qëllimin e tij

Në rubrikën “Fjalë të Shenjta”, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sot të citojë një nga shprehjet më të veçanta nga Imam Ali.

“Cilido që vepron brutalisht vështirëson qëllimin e tij” shprehet Rama duke cituar shprehjen e Imam Ali të shkëputur nga vepra e tij Ghorar al-Hikam

Pas tërmetit të 26 nëntorit, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të përcjellë mesazhe duke cituar fjalë të shenjta nga Kurani e Bibla si dhe fjalëve të çmuara nga personalitete të ndryshme/atsh

Rama citon Imam Ali: Cilido që vepron brutalisht vështirëson qëllimin e tij Read More »

Samiti i BERZH-it/ Rama: Ka vetëm një autostradë që na duhet të ndërtojmë së bashku, ajo mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së

“Ka vetëm një autostradë që na duhet të ndërtojmë së bashku dhe ajo është autostrada Ballkani Perëndimor – Bashkimi Europian, kjo është ajo për të cilën kemi nevojë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në panelin e kryeministrave në Samitin e BERZH-it mbi investimet 2020 në Ballkanin Perëndimor.

Duke vlerësuar këtë nismë të BERZH-it, Rama tha se “jam këtu për të dëshmuar se qysh prej momentit të parë kjo nismë ka qenë kaq e dobishme, kaq rigjallëruese çdo vit”.

“Nga njëra anë procesi i Berlinit i nisur nga Kancelarja Gjermane në të njëjtin vit që BERZH-i nisi këtë nismë ka qenë në njëfarë mënyre ngushëllimi ynë, pasi ndërkohë që në procesin e integrimit europian na është dashur të përballemi me mjaft beteja e me jo pak zhgënjime, në këtë rrugëtim paralel politik dhe ekonomik kemi gjetur mjaft lehtësi, shumë mbështetje dhe sigurisht kemi mundur të bëjmë gjëra konkrete”, tha Rama.

Rama falënderoi veçanërisht kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic që ishte i pranishëm në këtë samit. “Është vërtetë shumë e rëndësishme për të gjithë ne që jemi këtu në panel. I jemi mjaft mirënjohës për këtë Andrejit, pasi Kroacia është agjenti ynë në Bruksel dhe në të njëjtën kohë është edhe përkthyesi i Brukselit në rajon. Është më e lehtë të përkthesh Brukselin te ne, se sa ne te Brukseli por është pjesë e punës tënde dhe ti je diplomat me përvojë, ndaj paç fat me këtë”, iu drejtua Rama, kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkovic.

Kryeministri Rama falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në Konferencën e Donatorëve, ku sipas tij, “pjesa më prekëse ishte pa asnjë dyshim pjesëmarrja e miqve tanë nga rajoni”. Të gjitha këto vende dhe Kroacia kanë dhënë një shembull të shkëlqyer solidariteti. Fryma në rajon ka ndryshuar prej disa viteve edhe falë këtij forumi dhe shumë mbledhjeve të tjera. Deri në 2014 ne nuk ishim ulur kurrë në një takim të gjithë së bashku me përfaqësuesit e këtyre vendeve, për t’u ulur pa armë, urrejtje, gjakderdhje, për t’u fokusuar për të ardhmen. Kjo është e jashtëzakonshme dhe na duhet të bëjmë para”, tha Rama.

Kryeministri tha se, “nuk është e lehtë të ecësh para dhe të ndërtosh mbi këtë dhe ta shndërrosh paqen në një instrument zhvillimi dhe begatie, sepse e shkuara ende nuk është tërësisht pjesë e historisë”.

“Natyrisht kemi probleme, mosmarrëveshje, ende ka probleme të mëdha që duhen zgjidhur, por ne po punojmë së bashku e po ecim përpara së bashku e duam që së bashku të ndërtojmë një të ardhme për fëmijët tanë që të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo që trashëguam brez pas brezi, me mosmarrëveshje, luftëra dhe konflikte”, tha Rama.

Kjo, vijoi ai, “nuk ka të bëjë me paqen si e tillë, por me zhvillimin, ekonominë, të ardhmen për popujt tanë”. “Kjo është arsyeja që besoj fort te Shengeni Rajonal. Nuk ka minishengen, nga e kanë gjetur këtë fjalë, ne jemi mesatarisht nga më të gjatët në Europë si rajon. Është Shengen Rajonal, është një hapësirë e përbashkët rajonale që i referohet shengenit thjesht për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë; janë 4 liritë e Europës të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Në rajonin tonë, në kufi njerëzit presin më shumë se 1 mijë vjet në vit”, tha Rama.

Ndërkohë, ai u shpreh se “Shqipëria po ecën para dhe na duhet të tejkalojmë këtë dëm shumë të madh që është shkaktuar nga tërmeti”.

“Kemi një sërë projektesh të mëdha në vazhdim e sipër, si projektin e aeroportit të Vlorës, parqet fotovoltaike, dhe për më tepër për investimet hidrike jemi mes 5 vendeve të Europës në përputhje me vizonin e Ursula von der Leyen, sepse kemi trashëguar një sistem ku thuajse gjithçka mbështetet në energjinë e ripërtëritshme dhe të gjelbër”, tha Rama./atsh

Samiti i BERZH-it/ Rama: Ka vetëm një autostradë që na duhet të ndërtojmë së bashku, ajo mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së Read More »

Instituti i Shëndetit Publik: Këshilla për t’u mbrojtur nga koronavirusi, nuk mbijeton në sipërfaqe për një kohë të gjatë

Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga koronavirusi është duke u kujdesur për higjienën personale. Instituti i Shëndeti Publik shpjegon se koronavirusi nuk është në gjendje të mbijetojë në sipërfaqe për një kohë të gjatë.

Për rregullat e dezinfektimit/ larjen e duarve, dhe sa kohë mbijeton koronavirusi i ri në sipërfaqe dhe a është e sigurt marrja e pakove nga Kina ose vendet e tjera ku është identifikuar virusi, Instituti i Shëndetit Publik jep këto këshilla:

Cilat janë rregullat për dezinfektimin/larjen e duarve?

Larja e duarve dhe dezinfektimi janë çelësi për parandalimin e infeksionit. Duhet të lani duart shpesh dhe tërësisht me spun dhe ujë për të paktën 20 sekonda. Nëse sapuni dhe uji nuk janë të disponueshme, mund të përdoret gjithashtu një solucion me bazë alkoli(përqendrimi i alkolit të paktën 60%).

Sa kohë mbijeton Koronavirusi i ri në sipërfaqe?

Informacionet paraprake tregojnë se koronavirusi mund të mbijetojë disa orë, edhe pse është ende në studim. Përdorimi i dezinfektuesve të thjeshtë është në gjendje të vrasë virusin duke frenuar aftësinë e tij për të infektuar njerëzit, për shembull dezinfektuesit që përmbajnë 75% alkol (metanol) ose 1% me bazë klori (zbardhues).

A është e sigurt marrja e pakove nga Kina ose vendet e tjera ku është identifikuar virusi?

PO, është e sigurt. OBSH deklaron se njerëzit që marrin pako nuk rrezikojnë të bien në kontakt me Koronavirusin e ri, sepse ai nuk është në gjendje të mbijetojë në sipërfaqe për një kohë të gjatë./atsh

Instituti i Shëndetit Publik: Këshilla për t’u mbrojtur nga koronavirusi, nuk mbijeton në sipërfaqe për një kohë të gjatë Read More »

Meta dorëzon në SPAK kallëzimin për ministren Gjonaj e 2 zyrtarë të tjerë: Ka tentuar një grusht shteti

Presidenti Ilir Meta depozitoi sot personalisht në Prokurorinë e Posaçme SPAK, kallëzimin penal për ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe për funksionarë të tjerë të lartë.

Në një prononcim për mediet, Meta tha se “nuk ka ndodhur ngjarje e tillë në historinë e shtetit tonë, ku së fundi rezulton e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe celula e strukturuar në krye të Ministrisë së Drejtësisë, që përmes shkeljes dhe dhunimit të shumë ligjeve ka tentuar një grusht shteti haptazi”.

“Këto fakte tronditëse ishte e domosdoshme t’i sillte vetë Presidenti. Kallëzimi penal për disa vepra shumë të qarta, është dorëzuar për tre titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, me në krye Ministren. Po vlerësojmë prova të tjera për persona të tjerë të përfshirë për të çuar deri në fund shpartallimin e kësaj tentative të grushtit të shtetit, por edhe gjithë përpjekjes për të finalizuar grushtin e shtetit”, tha Meta.

Ai ftoi në 2 mars të gjithë shqiptarët në bulevard në Tiranë për të bërë të qartë se të gjithë shqiptarët janë me Kushtetutën, jo me Presidentin. “Unë kam dal në sheshin e betejës së vërtetë për çdo qytetar shqiptar që dëshiron të jetojë në liri, demokraci dhe një shtet ku ligji është i barabartë për të gjithë. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës që të shkelet ligji në këtë mënyrë”, tha Meta./atsh

Meta dorëzon në SPAK kallëzimin për ministren Gjonaj e 2 zyrtarë të tjerë: Ka tentuar një grusht shteti Read More »

Psikologët: Ankthi nga koronavirusi dobëson sistemin imunitar

Përballë një situate si ajo e koronavirusit ekziston rreziku i një frike objektive apo i një ankth të përgjithësuar.

”Por, ky ankth dhe ky panik mund të ulë mbrojtjen imunitare”, deklaroi David Lazzari, president i Urdhrit Kombëtar italian të Psikologëve.

“Nuk mund të mohohet kjo situatë që po përjetojmë, por duhet të përballohet pa përhapjen e frikës në mënyrë të panevojshme”, shtoi ai.

Urdhri i Psikologëve ka aktivizuar udhëzues për qytetarët mbi menaxhimin psikologjik të problemit për përballimin sa më të lehtë ndaj tij./ atsh

Psikologët: Ankthi nga koronavirusi dobëson sistemin imunitar Read More »