Irina

Ja çfarë thotë horoskopi,parashikimi për secilën shenjë

Dashi
Zemra juaj e thyer nuk është shëruar, sepse ende shpresoni se ish-i juaj do të vijë duke u zvarritur drejt jush dhe do të kuptojë se ishte idiot që të la të shkosh. Ndonëse mund të mos e pranosh me zë të lartë, arsyeja e vërtetë pse nuk ke ecur përpara plotësisht është sepse një pjesë e jotja nuk e do këtë, një pjesë e jotja do të presë dhe të shohë nëse personi që ju th eu zemrën do ta kuptojë që e teproi!

Demi
Ju “s’jeni shëruar” sepse vazhdoni të mendoni gjërat e bukura të lidhjes tuaj të fundit dhe ato mbizotërojnë mbi të këqijat. Marrëdhënia juaj përfundoi për një arsye dhe ju pëlqen ose jo, ka marrë fund. Me siguri kaloni bukur bashkë, por filloni të mendoni për arsyet pse lidhja duhet të mbaronte. Kujtojini vetes pse nuk funksionoi.

Binjakët
Ju keni pritur që dikush tjetër të vijë ta shërojë zemrën tuaj, por shërimi i vërtetë fillon nga vetja. Zemra juaj nuk do të shërohet duke u hedhur nga një lidhje në tjetrën dhe s’mund të mbështetesh tek njerëzit e tjerë për të përmirësuar problemet me veten. Puno me veten fillimisht, sepse dikush tjetër nuk mund t’ju dojë nëse nuk mund t’i doni mbrapsht dhe do të jeni të aftë të ktheni dashurinë kur zemra juaj të jetë gati.

Gaforrja
Nuk keni dalë jashtë zonës tuaj të rehatisë që prej lëndimit. Keni ndenjur në vend dhe nuk keni ecur përpara, sepse ndiheni rehat aty ku jeni, por meritoni më shumë se thjesht rehati. Meritoni të qeshura dhe gëzim dhe lumturi të vërtetë dhe nuk po i gjeni, sepse gjithçka kërkoni është të nidheni ok.

Rrezikoni dhe do të shikoni që do të ndiheni më mirë se thjesht mirë. Marrja e rreziqeve është e frikshme, por tejkalimi i frikës është ajo që ju ndihmon të rriteni, mësoni dhe gradualisht të shëroheni.

Luani
Ju ende nuk i keni kuptuar dhe pranuar gabimet tuaja. Nuk keni pse ndiheni keq apo fajtore për gabimet që keni bërë, por të paktën duhet t’i pranoni. Të gjithë e menderosim nga hera në herë dhe ti nuk bën përjashtim. Mbaj përgjegjësi për gjërat që ke bërë gabim dhe kjo do të ndihmpojë të ecësh përpara.

Virgjëresha
Ti s’mund të lesh të shkojnë të gjitha gjërat që ke bërë gabim. Je i ashpër me veten dhe kështu ke qenë gjithmonë, por gabimet që ke bërë në lidhjen tënde të fundit nuk e meritojnë të gjithë këtë vëmendje që po i jep. Fale veten për gjithçka që ke bërë gabim dhe kupto që të lejohet të gabosh. Nuk je njeri i keq sepse ke gabuar. Je njeri dhe gabimet janë të paevitueshme. Gjithçka mund të bësh është të pranosh gabimet që ke bërë dhe të përpiqesh të mos i përsërisësh.

Peshorja
Ju nuk keni kaluar mjaftueshëm kohë me veten. E rrethoni veten vazhdimisht me njerëz sepse ju tmerron ideja e të qenit vetëm, por të ndejturit vetëm s’do të thotë domosdoshmërisht që jeni të vetmuar. Ka një diferencë të madhe mes të dyjave. Kjo mund të ndihmojë zemrën tuaj të shërohet. Zhytuni thellë në ndjenjat tuaja dhe jepi kohë vetes për t’u menduar.

Akrepi
Ti vazhdon të gënjesh të gjithë rreth vetes që ke kaluar gjithçka, por s’e kupton që thjesht po gënjen veten. Ke bindur veten se ke ecur përpara thjesht sepse nuk do të përballesh me ndjenjat që lidhen me marrëdhënien tënde të mëparshme. Ndjenjat e tua janë shumë të ngjashme me problemet e tua, nuk do të zhduken derisa të përballesh me to. Njih ndjenjat që ke rreth asaj lidhjeje që të theu zemrën dhe përpiqu të kuptosh arsyen pse i ke.

Shigjetari
Ti mendon se duke ia mbathur do të zgjidhësh gjithçka. Je bredharak dhe kështu ke qenë gjithmonë, por të presësh që një vend të shërojë zemrën tënde të thyer mund të jetë e tepërt. Mund të fluturosh në të gjithë botën, por s’mund t’ja mbathësh nga një zemër e lënduar.

Bricjapi
Zemra jote e thyer nuk është shëruar sepse je shumë krenar për të pranuar që është thyer. Je një person serioz dhe nuk të pëlqen të shprehësh hapur dobësitë e tua. Fakti që u përpoqe të dashurosh është një triumf në vetvete, sepse duhet kurajo për të hapur zemrën dhe duhet forcë për të pranuar që dikush ta ka shkatërruar.

Ujori
Ti vazhdon të pyesësh veten pse. Pse mori fund lidhja? Pse ai/ajo bëri këtë dhe pse ti e bërë atë? Çdo ‘pse’ për të cilat pyet veten lidhen me të shkuarën dhe kjo po ju ndalon të shihni potencialin për dashuri në të ardhmen. Po shuani çdo mundësi që të bëni përpara me jetën tuaj, sepse nuk keni gjetur përgjigjet që po kërkoni nga e shkuara. Boll i bëtë vetes pyetje që ju ndalojnë të ecni përpara.

Peshqit
Zemra juaj e thyer nuk është shëruar, sepse prisni që fati të rregullojë me magji jetën tuaj dashurore. Shërimi kërkon punë dhe këtë s’mund ta bëjë universi për ju. Ndërmerrni iniciativa dhe kuptoni se duhet ta shëroni ju veten para se bota apo ndokush tjetër ta bëjë.

Ja çfarë thotë horoskopi,parashikimi për secilën shenjë Read More »

Drejtuesit e agjencive të lajmeve në Ballkan vizitojnë Vlorën: E pabesueshme kjo që po shohim

Drejtuesit dhe përfaqësuesit e agjencive ballkanike të lajmeve , gjatë qëndrimit në Shqipëri në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Agjencive Ballkanike (ABNA-SEE) vizituan edhe qytetin turistik të Vlorës.

Kjo vizitë synoi njohjen dhe promovimin e resurseve turistike shqiptare tek vendet e rajonit, përmes informimit që agjencitë e lajmeve japin për publikun e gjerë.

Gjatë qëndrimit të tyre ata u ndalën në bashkinë e qytetit të Vlorës ku u mikpritën nga nënkryetari i bashkisë, Shkëlqim Rama, i cili bëri një pasqyrim të historisë, kulturës së qytetit bregdetar si edhe atraksionet turistike. Ata u njohën me trashëgiminë kulturore e historinë e jashtëzakonshme që e ndërthurur me peizazhin e mrekullueshëm të Vlorës dhe një sërë monumentesh natyrore përreth tij, që e kthejnë këtë qytet në një atraksion të pakrahasueshëm turistik.

Gjithashtu në takim u prezantuan për drejtuesit e agjencive ballkanike të lajmeve edhe projektet që janë duke u zbatuar nga bashkia e Vlorës në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare sikurse është edhe aeroporti i ri që do të ndërtohet së shpejti.

Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi theksoi se aeroporti i ri, pritet t’i japë një shtysë më shumë turizmit në vendin tonë dhe sidomos jugut të Shqipërisë.

Këshilltari për Marrëdhëniet me Jashtë i Agjencisë së Lajmeve greke, ANA MPA dhe ish-drejtori i përgjithshëm i saj Michalis Psilos, u shpreh se ajo që shihte ishte e pabesueshme.

Ai tregoi se në vitin 1989, vizitoi për herë të parë Shqipërinë si gazetar i dërguar nga gazeta ku punonte për të bërë një reportazh dhe qyteti i parë që kishte vajtur ishte Vlora.

“Është e pabesueshme kjo që po shoh. Nuk mendoja kurrë se do ta gjeja një qytet kaq të transformuar”, tha Psilos.

Krasniqi u shpreh se “njerëzit janë shumë mikpritës, madje shtëpitë e tyre i kanë kthyer në bujtina për të mikpritur turistët”.

Më pas, ata vizituan Muzeun e Pavarësisë, ku u informuan rreth historisë së periudhës së Pavarësisë dhe momenteve kulmore të kohës si dhe për përpjekjet e popullit shqiptar jo vetëm për pavarësi territoriale, por edhe për pavarësi kulturore.

Krasniqi, tha se muaji nëntor përkon edhe me Festën e Pavarësisë dhe Vlora është vetë qyteti i Pavarësisë, ku u nënshkrua edhe Deklarata më 28 Nëntor 1912.

Drejtuesit e agjencive të lajmeve të Ballkanit, vizituan edhe lagunën e Nartës si dhe ishullin e Zvërnecit, ku mbetën të surprizuar me peizazhin fantastik që ndërthurej me kishën e vjetër ortodokse të Shën Mërisë, që është një kishë e shekullit të 13-të, e cila mbart afreske shumë të vjetër.

Udhëtimin e tyre në Vlorë, drejtuesit e agjencive partnere në rajon e mbyllën me një vizitë në shëtitoren e Lungomares, që është pasqyrë dinamike e zhvillimit të qytetit bregdetar vitet e fundit.

Hapësira mediatike e promovuese që ofrojnë agjencitë e lajmeve në rajon është një mundësi e shkëlqyer për të synuar zgjerimin e tregut turistik drejt këtyre vendeve dhe rritjen e numrit të turistëve prej tyre, por jo vetëm./atsh

Drejtuesit e agjencive të lajmeve në Ballkan vizitojnë Vlorën: E pabesueshme kjo që po shohim Read More »

Prezantohet nesër Paketa Speciale anti KÇK, mekanizëm që shkatërron themelin e foleve të krimit

Kryeministri Edi Rama tha se do të prezantohet nesër Paketa Speciale AntiKÇK, një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit.

Kryeministri deklaroi sot se “falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafias e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”.

“Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë e ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë, Paketa Speciale AntiKÇK do të provojë përsëri se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres e drejtësi”, theksoi Rama.

Ai tha se “pa mbështetjen e SHBA/BE e ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, s’do kishte nisur kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit”.

“Edhe Paketa Speciale AntiKÇK s’do bëhej dot pa ndihmën e tyre”, shtoi Kryeministri./atsh

Prezantohet nesër Paketa Speciale anti KÇK, mekanizëm që shkatërron themelin e foleve të krimit Read More »

Meta: Tubim mbarëpopullor për nisjen e dialogut me Shqipërinë

Presidenti Ilir Meta do të organizojë në 8 dhjetor, në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti, një tubim mbarëpopullor që synon nisjen e një dialogu me Shqipërinë.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi tha se, tubimi do të organizohet në Ditën e Rinisë, atje ku dhe nisi Lëvizja Studentore e viteve ’90.

“Nisja e dialogut të Presidentit Meta me Shqipërinë ka për qëllim mbrojtjen e demokracisë dhe Kushtetutës. Dialogun e Presidentit Meta me shqiptarët nuk mund ta ndalë askush, deri në zbatimin e detyrimit kushtetues për referendumet”, u shpreh Blushi.

Ai tha se “jemi të vendosur deri në fund, demokracinë nuk e japim me koncesion”.

“Tani vetëm demokraci direkte. Tani vetëm referendum. Shqipëria e para. Shqiptarët mbi çdo gjë”, tha zëdhënësi i Presidentit Meta./atsh

Meta: Tubim mbarëpopullor për nisjen e dialogut me Shqipërinë Read More »

Basha: Në fillim të dhjetorit gati propozimet për Reformën Zgjedhore

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “në fillim të dhjetorit do të kemi gati propozimet ligjore për Reformën Zgjedhore dhe nuk do të pranojmë zvarritjen e saj por do ta miratojmë sa më shpejt, mundësisht brenda këtij viti”.

Në një konferencë për shtyp, pasditen e sotme, Basha tha se “kjo do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë artikuluar si kusht për negociata dhe daljen e vendit nga kriza”.

Basha reagoi ndaj atyre që i quajti “tentativa për të kapur Gjykatën Kushtetuese apo përmendjen e iniciativave skandaloze për ndryshime kushtetuese për t’i dhënë një partie kompetencat e institucioneve të tjera kushtetuese”.

“Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur Kushtetutën dhe demokracinë e vendit”, tha Basha.

Ai tha se “PD mbështet referendumin dhe një nga 5 pikat e platformës sonë është referendumi si mekanizëm i demokracisë direkte”.

Po ashtu, Basha u shpreh në mbështetje totale të ngritjes së SPAK dhe BKH-së, ndërsa shtoi se “Edi Rama ka vonuar pa asnjë shkak ngritjen e këtyre institucioneve”.

“Edi Rama po përpiqet ta sabotoj SPAK dhe BKH me atë që do të shpallë nesër. Nesër do të shpallë një SPAK dhe BKH paralele që e kontrollon ai. Rikthimi i këtij modeli është i papranueshëm. Ne kërkojmë ngritjen me shpejtësi të SPAK dhe BKH-së”, tha Basha. /atsh

Basha: Në fillim të dhjetorit gati propozimet për Reformën Zgjedhore Read More »

Siguria rrugore/ Kontroll i përbashkët me 2 patrulla të Policisë Rrugore çeke

Prej ditës së sotme e për 3 ditë në vijim, Policia Rrugore ka si mbështetje edhe patrulla të Policisë Rrugore Çeke.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, takoi policët çekë dhe pa nga afër aparaturat dhe mjetet logjistike që Policia Çeke përdor për evidentimin e shkeljeve të Kodit Rrugor.

Dy autovetura të mirëpajisura, jo të uniformuara, kanë nisur patrullimin e përbashkët me kolegët shqiptarë në disa akse kryesore në Shqipëri.

Mjetet janë të pajisura me radarë, sistem identifikimi të targave, lexim automatik, identifikues të përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, etj.

Gjithashtu ato kanë në dispozicion testues alkooli dhe droge, për drejtuesit e mjeteve.

Patrullat e Policisë çeke kanë ardhur në Shqipëri në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave në monitorimin e shkeljeve në rrugë, duke nisur me testet e shkeljeve në drejtim të tejkalimit të shpejtësisë.

Në çdo mjet të Policisë Çeke patrullon një polic rrugor shqiptar.

Në muajt e ardhshëm, Patrulla të Policisë Rrugore shqiptare do të shkojnë në Çeki.atsh

Siguria rrugore/ Kontroll i përbashkët me 2 patrulla të Policisë Rrugore çeke Read More »

“Jam Frani nga Lezha, e dua shumë”, i ftuari në studio i thote gruas: E di që je e martuar

Kudreti është martuar përpara 30 vitesh me bashkëshorten e tij. Në rubrikë e “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, ai ka treguar sesi janë njohur qëkur ishin shumë të rinj, kur Kudreti ishte ushtar dhe Silvana dilte për të kullotur qengjin e saj.

Ata sot kanë tre fëmijë dhe një martesë të lumtur, por për shkak të natyrës së drejtpërdrejtë të Kudretit, shakave të tij, Silvana bëhet xheloze. Kudreti ka treguar dhe një tatuazh me fytyrën e Silvanës në sup, veprim ky që jo shumë njerëz e bëjnë.

Nëpërmjet një loje paksa të “sikletshme”, Kudreti i ka treguar edhe njëherë se dashuria mes tij dhe bashkëshortes është njëlloj si ditën e parë. Ai është transformuar me zë dhe figurë në studion e “Ka një mesazh për ty” në televizionin Klan duke u paraqitur si Frani nga Lezha, një fans i Silvanës që gjoja e kishte “studiuar” prej vitesh.

Kudret: Kam ardhur këtu për të ndarë, për të treguar një histori të jetës sime, si jam njohur… t’i bëj një surprizë bashkëshortes sime. Unë kam qenë ushtar në ’88 në Sarandë. Bashkëshortja ime që quhet Silvana kishte një qengj, nuk e di si i thonë këta?

Ardit Gjebrea: Qengj i themi edhe ne.

Kudret: Edhe dilte e kulloste, ishte në shkollë, dilte e kulloste. Reparti ushtarak ishte diku aty afër. I dal para, si e thua ti atë, dashuri me shikim të parë?

Ardit Gjebrea: Se them unë e thotë gjithë bota.

Kudret: Nejse! Pas një jave më pranon.

Ardit Gjebrea: Sa vjet ishte Silvana?

Kudret: Ishte diku 17 vjeçe..

Ardit Gjebrea: E vogël fare..

Kudret: E vogël..

Ardit Gjebrea: Po ti sa vjeç?

Kudret: Unë isha 23.

Ardit Gjebrea: Fiks diferenca e duhur..

Kudret: Pas një jave më thotë drejtohu në shtëpi..

Ardit Gjebrea: Çfarë i thoje ti?

Kudret: I propozova..

Ardit Gjebrea: Si i propozove?

Kudret: Unë i propozova i thashë..

Ardit Gjebrea: Më pëlqen qengji yt, apo jo?

Kudret: Po…. I propozova, i thashë që të dua. Më tha, jo ti je ushtar, s’kam besim, hajde në shtëpi…

Ardit Gjebrea: Po ti ku e njihje atë?

Kudret: Po unë kisha kohë që e ndiqja.. Po larg e larg. Pasi biem dakord më thotë drejtohu në familje, sepse unë s’kam besim tek ty.. Drejtohem në familje, kam vjehrrin shumë të mrekullueshëm, edhe vjehrrën, vjehrri është edhe shakaxhi..

Ardit Gjebrea: Po ti që në fillim the po erdha, apo kishe ndonjë mëdyshje?

Kudret: Jo, unë u sorollata njëçik siç e ka çdo mashkull, jo do vij sot, jo do vij nesër. Po nuk vija se na qethnin kokën zero atëhere dhe më vinte si për turp, m’u rrit pak floku pastaj vajta.. Babin me vete dhe në Sarandë, na pritën si mrekulli. E lamë do vinin ata më poshtë. S’kaluan 2 muaj, e marr e rrëmbej..

Ardit Gjebrea: Me pëlqimin e saj sigurisht?

Kudret: Patjetër që me pëlqimin e saj.

Ardit Gjebrea: E çove në shtëpi?

Kudret: E marr e çoj në shtëpi, vjehrri, vjehrra nuk dinin gjë, i la në gjumë.

Ardit Gjebrea: Pse e rrëmbeve ti? Kishe pritur sa të zgjoheshin edhe…

Kudret: Jo, jo e mora kështu unë… Qe fundi i ushtrisë, u prish shteti atëhere dhe s’vete ushtar unë, se më pëlqeu nusja mua.

Ardit Gjebrea: Normal!

Kudret: Rri pak kohë unë, e marr nusen dhe iki në Sarandë. Pas ca kohe marr një makinë unë dhe me ndonjë pasagjer kështu tek-tuk…

Ardit Gjebrea: Po Benzi ç’tu kujtua?

Kudret: Në Benz marr një zonjë…

Ardit Gjebrea: Aaaa.

Kudret: Një grua të nderuar, të respetuar, kur shkoj në shtëpi më thotë: Ç’e kishe atë ti? Një pasagjere i thashë unë.. Pse punon taksisit ti? Tasksist punoj i thashë, por e mora nga këtu e lashë Sarandë… Mos të shoh të marrësh grua në makinë. Po dale moj.. se sevap bëra nuk i mora lekë…. Mirë, s’do ti, s’do… Po unë i bëj shumë surpriza asaj Ardit… Nuk e di si do më gjykojë publiku, Ardit, por çfarë ka kjo tokë, unë ja blej asaj.

Ardit Gjebrea: Ti e do pafund Silvanën?

Kudret: Unë e dua shumë Ardit..

Ardit Gjebrea: Është e vërtetë që ke bërë një tatuazh?

Kudret: Unë kam bërë një tatuazh, do jenë të rrallë burrat që bëjnë gruan tatuazh… Ku bëra tatuazhin , nuk i kisha thënë.. Më thoshte ç’ke ne ti ke nja dy ditë fle me bluzë? I them s’jam mirë… Ma shikon djali tatuazhin dhe e merr në telefon dhe i thotë: Shiko burrin se çfarë të ka bërë në krah… Vjen nga puna, rrinte më shikonte dhe më thotë: Ti je i marrë.. Si e bëre? E bëra i thashë, që dhe kur të vdes, të iki i ngopur nga kjo dynja dhe me tatuazhin në krah… Unë herë pas here e ngacmoj në telefon me numër të fshehtë..

Ardit Gjebrea: Jo ore..

Kudret: Por gjithmonë për shaka.. Njëherë më kuptoi, mirë tha se ta tregoj unë kur të vij në shtëpi… Erdhi në shtëpi, i hodha dorën në qafë unë, u zbut shpejt.. Si natyrë është e egër, por unë e zbus shpejt…E kam sjellë këtu, që mos mërzitet me mua, se ndonjëherë unë bëj edhe shaka të tepruara..

Edhe këtë herë, Kudreti e suprizoi bashkëshorten e tij. Për shkak se ai është maskuar, zonja Silvana nuk arrin ta njohë bashkëshortin e saj, kur i shfaqet në ekran. Insistimit të Ardit Gjebreas që t’a dëgjonte mesazhin e zotërisë që kishte matanë murit të studios, Silvana i është përgjigjur vazhdimisht me refuzim duke deklaruar se “nuk e njoh atë person”.

Silvana: Nuk e di kush është, nuk e njoh.

Ardit Gjebrea: Je e sigurt?

Silvana: Mos më ka bërë ndonjë lojë burri këtu? Nuk e di, nuk e di…

Ardit Gjebrea: Do ta dëgjosh çfarë mesazhi ka?

Silvana: Kur nuk e njoh, pse duhet ta dëgjoj unë atë…

Ardit Gjebrea: Po ai i ziu ka ardhur deri këtu, ta lëmë të flasi..

Kudret: Le të flasi…

Kudret: Mirdita zonjë, si ke qenë? Unë jam Frani nga Lezha…

Silvana: Ka mundësi ta ndërpresësh, nuk e njoh fare këtë person..

Ardit Gjebrea: Po ja të flasi…

Kudret: Ardit unë e di që është grua e martuar.

Ardit Gjebrea: Është e martuar, ka fëmijë!

Kudret: Unë e dua shumë!

Silvana: Perëndi, O Zot!

Kudret: E kam marrë dhe me numër të fshehtë, por se kam bezdisur.. S’dua t’i prish familjen por…

Silvana: Ardit, të lutem nuk..

Ardit Gjebrea: Ja ta dëgjojmë deri në fund..Mos ki merak, nuk është agresiv.

Kudret: Por e kam sjellë deri këtu, për ta bërë publike, që unë e respektoj, e dua shumë. I kam vajtur dhe tek puna..

Ardit Gjebrea: Sa vite ke që ke këtë ndjenjë, për zonjën Silvana?

Kudret: Unë kam goxha vite..

Silvana: O zot i madh, ka mundësi ta mbyllësh nuk e njoh fare këtë person?

Ardit Gjebrea: Atëherë dëgjoje me zërin e tij të vërtetë, ndoshta i njeh zërin?

Silvana: Ky është burri im 100%..

Kudret: Silvana, ngrije kokën lart se unë të kam sjellë këtu, të të them mos u mërzit me mua se ti nuk e ke idenë sa shumë të dua unë. Të bëj thirje që dhe kur flas ndonjëherë unë, kaloje me sportivitet dhe mos i merr gjërat ashtu siç i merr ti…/tvklan

“Jam Frani nga Lezha, e dua shumë”, i ftuari në studio i thote gruas: E di që je e martuar Read More »

Shoqata më e re e studentëve të Mjekësisë, Manastirliu: Gjithçka në dobi të armatës së mjekëve të rinj

ACMS është shoqata më e re e studentëve të Mjekësisë, pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Studentëve të Mjekësisë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e pranishme në ceremoninë e hapjes së shoqatës më të re të mjekëve të ardhshëm u shpreh se ky zhvillim do të sjellë mundësi dhe kapacitete të reja për studentët dhe mjekët e rinj.

“Shumë e kënaqur që mora pjesë në ceremoninë e hapjes së shoqatës më të re të studentëve të Mjekësisë ACMS, e cila ka aderuar në Federatën Ndërkombëtare të Studentëve të Mjekësisë. Jam e bindur se ky përfaqësim do të sjellë rritje të shkëmbimeve studentore, duke krijuar mundësi dhe kapacitete të reja për studentët dhe për mjekët e rinj,” shprehet Manastirliu.

Ajo tha se Ministria e Shëndetësisë do të mbështesë studentët edhe në kuadër të Paktit për Universitetit, pasi vetëm kështu do të përmirësojmë sistemin shëndetësor.

“Do të vijojmë të mbështesim studentët e UM sepse përpos lidhjes organike që kemi, me Paktin për Universitetin kemi jetësuar angazhime konkrete në dobi të studentëve, të cilët së shpejti do të jenë armata e re e mjekëve të sistemit tonë shëndetësor,” tha Manastirliu. /atsh

Shoqata më e re e studentëve të Mjekësisë, Manastirliu: Gjithçka në dobi të armatës së mjekëve të rinj Read More »