Irina

Rama falënderon shqiptarët në Itali për mesazhet mbështetëse: Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar akoma që jemi në një luftë të vërtetë

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali, për mesazhet mbështetëse të përcjella prej tyre në këtë situatë, ndërsa u ka kërkuar atyre të sensibilizojnë edhe të afërm të tyre në Shqipëri, që të zbatojnë masat.

“Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve ju që jeni në Itali dhe shkruani në faqen time fjalë të ndjera, të mençura, të vërteta nga zona e dhimbjeve më të mëdha të luftës.
Ju lutem shkruani sa të mundeni, kurdo e kudo mundeni përmes fejsbukut tuaj dhe foluni sa më shumë nëpër telefona të afërmve e miqve tuaj këtu në Shqipëri, jepuni kurajo e forcë duke u thënë të vërtetën! Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar apo s’duan ta kuptojnë akoma, që jemi në një luftë të vërtetë dhe ankohen sikur jemi në një lojë kukamçefthi, të vijnë sa më shpejt në vete e të mbledhin mendjen! Viva l’Italia, Rroftë Shqipëria”, u shpreh Kryeministri./atsh

Rama falënderon shqiptarët në Itali për mesazhet mbështetëse: Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar akoma që jemi në një luftë të vërtetë Read More »

Rama qytetarëve: Nuk jeni në shtëpi se dua unë, po sepse ka një armik që ka sulmuar vendin

Nuk jeni në shtëpi se dua unë, po sepse ka një armik që ka sulmuar vendin tonë”, iu drejtua sot Kryeministri Edi Rama qytetarëve, që reagojnë lidhur me masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Rama siguroi qytetarët se “askush nuk do të bënte dot më shumë për ju, se sa po bëjmë dhe do të bëjmë deri në fund, unë dhe qeveria ime”.

“O ju vëllezër e motra që bëni ca pyetje sikur po vuani nga dora e robit, jo nga dora e Zotit. A do ta kuptoni edhe ju, siç e ka kuptuar shumica, se kjo është luftë e vërtetë dhe pyetja është: po t’i shihnit avionët që ju bombardojnë mbi kokë dhe plagët që hapin, a do ti bënit ato lloj pyetjesh?”, tha Rama.

Rama kujtoi se Presidenti i Francës mbrëmë i tha pesë herë popullit të tij: jemi në luftë!

“Ju lutem ndajeni mendjen: jemi në luftë! Nuk jeni në shtëpi se dua unë, po sepse ka një armik që ka sulmuar vendin tonë! Prandaj bëni secili luftën tuaj dhe bëni durim! Ne po bëjmë e do bëjmë gjithçka që është e mundur mbi këtë tokë, po nuk jemi Zoti dhe nuk zgjidhim dot me magji probleme e halle që janë reale, por që janë pjesë e të qenit në luftë!
Askush nuk do të bënte dot më shumë për ju, se sa po bëjmë dhe do të bëjmë deri në fund, unë dhe qeveria ime! Me mish e me shpirt”, tha Rama./atsh

Rama qytetarëve: Nuk jeni në shtëpi se dua unë, po sepse ka një armik që ka sulmuar vendin Read More »

Rama: Zbatimi i masave deri në fund, askush nuk e di sa do zgjasë as në Shqipëri e në asnjë vend të globit

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive sot, ka theksuar se masat e marra nga qeveria për minimizimin e përhapjes së koronavirusit të ri, COVID 19, duhet të imponohen deri në fund.

Sipas Ramës, Italia nuk po bën asgjë më shumë se sa Shqipëria. “Italia nuk po bën asgjë më shumë se sa ne faktisht dhe njësoj si në Shqipëri edhe në Itali një pjesë e atyre aktiviteteve që lidhen me hallkat kritike të zinxhirit ekonomik janë të pandërprera. Pjesa tjetër është ajo që bëjmë ne”,- tha Rama.

“Ajo që ne na duhet të bëjmë është t’i imponojmë këto masa deri në fund. Këtu e përsëris për gjithë qytetarët që e kanë të domosdoshme të dalin nga shtëpia për shërbimet bazë, duhet të mos harrojnë se dalja në rrugë nuk është dalja në liri por është vijimi i një sjellje ndryshe nga ajo e zakonshme. Nëse shkojmë në bankë duhet të rrimë në distancën nga njëri-tjetri dhe mundësisht të rrimë në radhë për të mbrojtur veten dhe tjetrin. Nëse shkojmë në dyqan, duhet të rrimë në radhë. Këto janë shumë të vështira sepse forca e zakoneve të krijuara është shumë e madhe, por janë të domosdoshme dhe sfida tani është t’i zbatojmë të gjithë këto masa që në një kohë normale do të dukeshin absurd”,- tha Kryeministri.

Lidhur me kohëzjatjen e këtyre masave, Rama tha se askush nuk e di. “Askush nuk e di, as në Shqipëri dhe në asnjë vend të globit. Të gjithë kanë marrë masa të ngjashme tanimë, ne kemi qenë vendi i parë në Evropë pas Italisë që mbylli shkollat, dhe hap pas hapi kemi qenë me atë grup vendesh që kanë bërë të njëjtat gjëra. Por askush askund nuk e di se sa do të zgjasë. Është marrë një masë që bazohet tek një afat tek dy apo tre javor me idenë që këto 2-3 javë janë të domosdoshme për të ulur kurbën e shpërndarjen sepse duhet të kemi të qartë, dhe kam qenë i detyruar të mësoj shumë nga detyra dhe halli për këtë mortje që sulmuar botë, është se asnjë masë nuk e ndal shpërndarjen e virusit, të jemi të qartë”,- shtoi ai.

“Por masat e ngadalësojnë shpërndarjen, i japin mundësi sistemit shëndetësor të mund të asistojë ata që janë më në nevojë dhe hyjnë në fazën e një situate kritike për luftën për jetën. 2-3 javë do të jenë ndikuese në uljen e kurbës, në ngadalësimin e shpërndarjes së virusit, do t’i japë mundësi shumë njerëzve që ta kalojnë gjendjen në shtëpi. Se siç e dimë 80% e atyre që preken nga ky virus, as nuk e marrin vesh që kanë prekur”, tha Rama/atsh

Rama: Zbatimi i masave deri në fund, askush nuk e di sa do zgjasë as në Shqipëri e në asnjë vend të globit Read More »

Pipero: Koronavirusi shkatërrohet shumë shpejt nga uji e sapuni, me kurajo nga qytetarët e mjekët do ia dalim

Doktori Pëllumb Pipero këshilloi sërish mbrëmjen e sotme, qytetarët që të mund të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të lajnë duart me ujë dhe sapun, shumë shpesh.

Ai theksoi se virusi mund të shkatërrohet nëse duart lahen shpesh dhe nuk preken hunda, goja apo sytë.

“Ka njerëz që dalin nga shtëpia që takohen. Unë do t’i këshilloja në këtë situatë që sa herë prek një objekt, bën një punë menjëherë të lahen duart me ujë dhe sapun. Është virus me peshë të madhe molekulare. Transmetohet me spërklat e pështymës, shkatërrohet shumë shpejt nga uji dhe nga sapuni. Por merret përmes spërklave ose me dorën kur ndodh që një objekt të ndotet, në gojë, në hundë apo në sy. Pra, nuk ka rrugë tjetër transmetimi të sëmundjes, e njohur deri tani’, -tha Pipero.

I pyetur nëse ndjehen mjekët dhe infermierët të rrezikuar, Pipero u shpreh se “ne jemi njerëz dhe në praktikën tonë të përditshme mund të bëjmë edhe gabime që na kushtojnë sëmundjen, shpesh edhe jetën. Faktet janë kokëforte dhe kemi parë qindra doktorë të infektuar, në Itali gjithashtu, tek ne kemi prapë mjekë. Pra, ndodh kjo kur je me pacientin dhe nuk ke të dhëna që ai ka pasur kontakte dhe është infektuar dhe ky është një gabim që ka ndodhur shpesh. Por, ne jemi shumë të ekspozuar, çdo ditë të ekspozuar dhe çdo gabim në veshjen apo zhveshjen e atyre maskave të kushton infeksionin. Kemi frikë por jemi të kujdeshëm, frika është njerëzore. Të mos kesh frikë më duket shumë logjike, shumë normale. Kemi frikë por kemi shumë kujdes. Me shumë mirëkuptim nga qytetarët dhe me pak kurajo që buron nga brenda nesh për t’iu shërbyer pacientëve me përkushtim, do t’ia dalim mbanë”.

Pipero po ashtu tha se lidhur me punonjësit e call centerave se “unë do të rekomandoja në këtë situatë, ato duhet medoemos të ndërpresin punën. Janë shumë njerëz që grumbullohen në një vend. Nuk ka asnjë mundësi për të parandaluar në mjedise të përbashkëta, transmetimin e virusit. Është gabim i rëndë që vazhdojnë të jenë në punë akoma. Nuk duhen lejuar”/atsh

Pipero: Koronavirusi shkatërrohet shumë shpejt nga uji e sapuni, me kurajo nga qytetarët e mjekët do ia dalim Read More »

Gjata: Mundësia më e mirë që ka Shqipëria është që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi

– Koordinatori Kombëtar i taskforcës për Burimet Njerezore, njëherazi Rektor i Universitetit të Mjekësise, Arben Gjata u shpreh se masat që janë marrë në zbatim të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe kapacitetet e spitaleve tona, kanë mundësnë e përballimit të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Gjatë një interviste televizive, Gjata tha se “janë krijuar dy taskforca një prej të cilave merret me koordinimin e shërbimit të anestezive në rang kombëtar dhe tjetra është për burimet njerëzore. Kemi filluar një program trajnimi për të gjithë stafin spitalor, në mënyrë që të dimë se kush janë shenjat dhe të mos jemi të papërgatitur”.

Duke folur për situatën aktuale, ai tha se, “në reanimacion janë tre persona. Qëndrimi im ka qenë për masa ekstreme që ditën e parë, të cilat sot janë të tilla dhe po zbatohen nga të gjithë, me përjashtim të atyre hallkave që janë të domosdoshme për t’ i shërbyer shoqërisë, si furrat e bukës apo njësitë e fruta-perimeve. Mundësia e vetme dhe më e mirë që ka Shqipëria është që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi”.

Gjithashtu ai shpjegoi se maskat e thjeshta kirurgjikale nuk janë për të mbrojtur personin, por janë për të mbrojtur të tjerët.

Gjata u shpreh se, Shqipëria ka 9 mijë shtretër dhe shërimi i të prekurve kërkon tre javë.

Ndërsa, përsa i takon zgjedhjeve në universitet të parashikuara për t’u mbajtur më 8 maj, Gjata tha se ato do të shtyhen në një moment të dytë për shkak të situatës./atsh

Gjata: Mundësia më e mirë që ka Shqipëria është që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi Read More »

Mbyllja e aktiviteteve prodhuese tani do të ishte vetëvrasje e një populli të tërë, Rama: Nuk ka për të ndodhur

Mbyllja e të gjitha aktiviteteve prodhuese është njësoj si t’i heqësh pas 3 muajsh gjithë Shqipërisë aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar dhe kjo do të ishte vetëvrasja e drejtuar e një populli të tërë dhe kjo nuk ka për të ndodhur”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Ai u kërkoi qytetarëve që të zbatojnë ligjin special, Aktin Normativ për masat kundër përhapjes së koronavirusit.

“Të dashur qytetarë, koha që po kalojmë është një luftë botërore nervash ku kush nguron të bëjë gjënë e duhur, dhe kush ndalon lirinë e fjalës me detyrim për të zbatuar këshillat, kush dorëzohet e paguan nesër shtrenjtë. Ju kërkoj vetëm të bëni durim dhe të dëgjoni lutjen për të mirëkuptuar për masën e jashtëzakonshme të vështirësisë”, tha Rama.

Rama tha se “të bombarduar me gjithëfarë lajmesh, qytetarët kanë të drejtë të ankohen dhe të acarohen por askush nuk ka të drejtë të vendosë në diskutim dobinë jetike dhe të shkelë ligjin special që më ka rënë mua barra t’ua komunikoj”.

“Askush nuk e di sa mund të zgjasë kjo luftë. Ju lutem ta kuptoni se të mbyllësh aktivitetin prodhues është si të heqësh aparatin e frymëmarrës Shqipërisë. Vendimi nuk do të thotë sakrifikim i shëndetit të atyre që duhet të shkojnë në punë. Ne ishim të parët që mbyllëm shkollat. Asnjë vend nuk e ka përfshirë pjesën kritike të zinxhirit ekonomik të planit drastik të kufizimit, as Italia nuk i ka mbyllur fabrikat, as Izraeli”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “koha që po kalojmë është një luftë botërore”. “Dikush që ngurron të bëjë gjënë e duhur sot për të zbatuar këshillat dhe urdhrat, që në kohë normale tingëllojnë si fjalë që vijnë nga çmendina e paguan, aq shtrenjtë sa nuk do të donte ta provonte”, tha Rama.

Rama tha se “kjo nuk do të jetë një luftë e shkurtër që do mbarojë në një fundjavë apo në 1 dhe 2 javë”. “Askush nuk e di as në botë sa mund të zgjasë kjo luftë. Të gjithë tani po pranojnë dhe po i nënshtrohen të vetmit ilaç për të lehtësuar plagët e mëdha dhe ulur plagët e viktimave të pashmangshme të këtij virusi: kufizimi drastik i lirisë sonë të lëvizjes dhe distancimi gati absurd social”, tha Rama.

Ai theksoi se “sfida është jo vetëm se si të mbyllin rrugët e komunikimit, por të garantojmë që paslufta të mos jetë pa rrugëdalje drejt humnerës ekonomike”.

“Sikur pagesat e ujit, dritave, rrogave të atyre që nuk kanë burim tjetër etj. të mos vareshin nga paratë që prodhon zinxhiri ekonomik i vendit duhet të varesha nga këmbët në Sheshin ‘Skënderbej’ për mosmbylljen e të gjitha aktiviteteve prodhuese. Por është njësoj si t’i heqësh gjithë Shqipërisë pas 3 muajsh aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar dhe kjo do të ishte vetëvrasja e drejtuar e një populli të tërë. Kjo nuk ka për të ndodhur. Kush nuk e kupton le të më shajë, nuk ka problem, mjafton të mos shkelë rregullat që i takojnë si individ”, tha Rama.

Ai theksoi se Shqipëria është në rreshtin e parë të vendeve që mbylli shkollat dhe mori masa drastike./atsh

Mbyllja e aktiviteteve prodhuese tani do të ishte vetëvrasje e një populli të tërë, Rama: Nuk ka për të ndodhur Read More »

Vlonjati ofron ndihmën e tij: ‘Meqënese e ndjej veten shumë mirë me imunitet të fort.Jam i gatshëm të ndihmoj si vullnetar…’

Qytetari nga Vlora Arben Abazaj ofron ndihmën e tij si vullnetar në këtë situatë të vështirë që po kalon vendi ynë për shkak te virusit covid-19.

“Jam i gatshem te ndihmoj si vullnetar nese do duhej te ndihmoheshin njerezit ne nevoje ne keto raste!’- shkruan qytetari në faqen e tij në facebook.

Statusi:

Meqenese e ndjej veten shume mire me imunitet te fort, po ashtu edhe te gjitha analizat, perfshi edhe checkup, me nxoren shume mire ne te gjitha organet, ( para dy muajsh te kryera), jam i gatshem te ndihmoj si vullnetar nese do duhej te ndihmoheshin njerezit ne nevoje ne keto raste!

Uroj qe dikush nga autoritetet ta lexoje!
Deri me tani ka folur vetem kryeministri dhe me ate jemi marre, virusi ende s’ka folur, nuk di nese do kemi po kaq vullnet e humor kur virusi te flas vertet!

K.A
@laberianews

Vlonjati ofron ndihmën e tij: ‘Meqënese e ndjej veten shumë mirë me imunitet të fort.Jam i gatshëm të ndihmoj si vullnetar…’ Read More »

Rama: Pas orës 18.00 ndalohet lëvizja me këmbë në gjithë territorin, gjoba edhe për ata që ulen në parqe

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “duke nisur nga sot, çdo ditë në vijim pas orës 18.00 do të ndalohet edhe lëvizja me këmbë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”.

“Nga nesër, me urdhër të Ministres së Shëndetësisë do të hyjnë në fuqi gjoba edhe për këmbësorët dhe për ata që ulen në parqe apo mjedise të tjera të hapura. Ndjesë 1000 herë, po s’ka rrugë tjetër për ta fituar këtë luftë, ku askush përveç atyre që shërbejnë në strukturat kritike të shtetit dhe atyre që punojnë në hallkat themelore të zinxhirit ekonomik të vendit, nuk duhet të dalë nga shtëpia përveçse për nevojat bazë të furnizimit me ushqim apo ilaçe”, tha Rama.

Ai theksoi se “shëtitjet nuk janë domosdoshmëri jetike në këtë kohë lufte dhe uljet nëpër parqe janë të palejueshme”.

“Më shani e talluni me mua sa të doni, s’ka asnjë problem, po mos diskutoni dhe aq më keq thyeni rregullat! Frikë aspak, po kujdes po! Deri në fund! Kjo nuk është lojë kukafshehthi që mbaron kur duam ne, po luftë që ne do ta fitojmë vetëm duke i bërë me vullnet të hekurt të gjitha këto që nuk duam”, tha Rama./atsh

Rama: Pas orës 18.00 ndalohet lëvizja me këmbë në gjithë territorin, gjoba edhe për ata që ulen në parqe Read More »