Irina

“Heronj shqiptarë”/ Meriban Zeneli, një tjetër mjeke në vijën e parë të frontit kundër COVID-19

Meriban Zeneli është mjeke familjeje, pranë Qendrës Shëndetësore, Dajt, e cila bashkë me stafin e saj gjendet në vijën e parë të frontit në luftën kundër COVID-19.

Duke vlerësuar përkushtimin e saj, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati tha se “një hero i vërtetë nuk matet nga madhësia e forcës së tij, por nga forca e zemrës”.

“Çdo ditë me përkushtim dhe devotshmëri pranë pacientëve me konsulta online dhe dërgimin e ilaçeve tek të sëmurët kronikë”, tha ai.

“Së bashku duhet t’ia dalim mbanë betejës me COVID-19. Durim dhe besim duke zbatuar rregullat e vendosura nga OBSH dhe këshillat e ekspertëve vendas”, është apeli i mjekes Zeneli./atsh

“Heronj shqiptarë”/ Meriban Zeneli, një tjetër mjeke në vijën e parë të frontit kundër COVID-19 Read More »

Kosova 472 raste me koronavirus, 11 të vdekur dhe 71 të shëruar/ Kurti apelon qytetarët: Rrini në shtëpi

Sikurse edhe gjithë pjesa tjetër e botës, edhe Kosova nuk ka shpëtuar pa u prekur nga pandemia me koronavirusin e ri.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti bëri serish thirrje qytetarëve të rrinë në shtëpi.

Ai tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara për vazhdimin e luftimit të koronavirusit, në mënyrë që të dalim sa më pak pasoja.

“Ky virus përhapet përpara se ta vërejmë që e kemi dhe numrat që janë sot janë infektuar para dy javësh, prandaj le të izolohemi e të shpëtojmë”, kryeministri Kurti.

Më shumë se një muaj kur u konfirmuan rastet e para në Kosovë, deri mbrëmë janë konfirmuar 472 raste me koronavirus, prej tyre 11 të vdekur dhe 71 të shëruar./KosovaPress/

Kosova 472 raste me koronavirus, 11 të vdekur dhe 71 të shëruar/ Kurti apelon qytetarët: Rrini në shtëpi Read More »

“Si zogj me cicërima” nga fëmijët e “Zyber Hallullit”/ Rama: Për të na dhënë zemër ne të mëdhenjve

“Duhet shumë pak përpjekje për të dhënë dashuri dhe shumë zemër”, tha sot kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau një tjetër video inkurajuese në situatën me të cilën përballet vendi.

Kryeministri ndau një klip të realizuar nga fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, që sipas tij “na jep zemër ne të mëdhenjve”.

“Duhet shumë pak përpjekje për të dhënë dashuri dhe shumë zemër. Tamam si në këtë këngë! Një klip nga “Zyber Hallulli” për të na dhënë zemër ne të mëdhenjve”, tha Rama, duke ndarë këngën e kënduar nga artisti i mirënjohur Luan Zhegu dhe këngëtarja Mariza Ikonomi.//atsh

“Si zogj me cicërima” nga fëmijët e “Zyber Hallullit”/ Rama: Për të na dhënë zemër ne të mëdhenjve Read More »

“Vdekjet për 1 milionë banorë”/ Rama: Ja sa vendimtare ka qenë shpejtësia, rreptësia dhe respektimi i masave në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama tha sot se “vdekjet për 1 milionë banorë tregojnë qartë se sa vendimtare kanë qenë shpejtësia, rreptësia dhe respektimi masivisht i masave në Shqipëri”.

“Të gjithë ekspertët kudo në botë, bëjnë thirrje për të mos e ulur vigjilencën dhe asnjë qeveri në botë, nuk ka një plan hapjeje pa shkallë, në varësi të kurbës”, tha Rama.

Ai theksoi se “ne do të vazhdojmë të zbatojmë planin tonë dhe ta adaptojmë atë sipas dinamikës së zhvillimeve në frontin e luftës për mbrojtjen e jetës”.

“Ekonomia bie e ngrihet prapë, të vdekurit nuk ngjallen më, prandaj të gjithë duhet ta kenë të qartë që ne nuk do të tërhiqemi nën asnjë presion të padijes, mendjelehtësisë e vulgaritetit, të atyre që nuk duan të kuptojnë thelbin e kësaj situate dhe flasin për diktaturë e për lloj-lloj fantazish jashtë këtij realiteti”, tha Rama./atsh

“Vdekjet për 1 milionë banorë”/ Rama: Ja sa vendimtare ka qenë shpejtësia, rreptësia dhe respektimi i masave në Shqipëri Read More »

Nivel i qëndrueshëm i kurbës epidemiologjike, Tomini: Virusi i pranishëm edhe gjatë sezonit veror

Edhe pse kurba epidemiologjike e COVID-19 paraqitet në një nivel të qëndrueshëm, virusi do të jetë prezent edhe gjatë sezonit veror.

Eugena Tomini, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik argumentoi në një nga mediet e vendit se situata aktuale paraqitet e qëndrueshme dhe se piku i të shtruarve në dy spitale ishte më 25 mars.

“Për t’iu thënë të vërtetën, sipas parashikimeve që ne kishim llogaritur nga të dhënat epidemiologjike nga 9 marsi i 2020, java e katërt apo e pestë sipas projeksioneve përkoi me një pikë që qëndroi stabël me luhatje shumë të vogla gjatë javës së pestë. Jemi në situatën e rrafshët në këto momente dhe me një intensitet ritmik dhe të qëndrueshëm përditë. Ndërkohë që dua të theksoj se kjo situatë e qëndrueshme e ka gjetur përballjen me sistemin shëndetësor, nga një pikë që ishte në datën 25 mars që ishte edhe piku për sistemin shëndetësor, me rreth 83 pacientë të hospitalizuar, në një nivel shumë më të ulët të hospitalizimit që sot ne flasim për 43 pacientë në total të hospitalizuar. Pra, shpresojmë që kjo kurbë epidemike të mbajë një qëndrueshmëri dhe një trend aktual dhe në javët në vijim”, u shpreh Tomini.

Tomini sqaroi se strategjia e gjurmimit dhe hetimit të thelluar të rasteve ka funksionuar në Shqipëri.

“Mbështetur në strategjinë e ndjekur kundrejt strategjisë së rasteve, gjurmimit të tyre nëpërmjet laboratorit të virologjisë, gjurmimit të thelluar të brezit të parë, të kontakteve të ngushta. Po sigurisht edhe marrjes së masave në kohë, të marra nga qeveria në drejtim të karantinës, masave të distancimit fizik të etikës respiratore dhe të gjithë elementëve të tjerë të higjienës. Mbi të gjitha duke marrë një shembull edhe nga gabimet e shteteve të tjera që u prekën më hershëm nga epidemia sesa Shqipëria, zbatuam përkundrejt pozitivitetit në Shqipëri, jemi drejt pritshmërive tonë. Drejtimi që COVID-i ka paraqitur, një epidemi të butë në Shqipëri, kundrejt planeve të veprimit të hartuara paraprakisht dhe të zbatueshme, strategjitë e hetimit të rasteve dhe gjurmimit të kontakteve të saktë. Dua t’iu theksoj se brenda 5 ditësh, numri i të shëruarve i ka tejkaluar kufijtë e rasteve të prekur, raste që janë aktivë të sëmurë. Janë 53% e rasteve që kanë qenë pozitivë, janë rikuperuar nëpërmjet konfirmimit të testit, negativizimit për personelin shëndetësor, 2 teste negative dhe 1 test negativ për popullatën e gjerë”, u shpreh ajo.

Lidhur me ecurinë e mëtejshme të situatës së COVID-19 në vendin tonë, Tomini tha se “unë sipas gjykimit, jo vetëm timit por edhe kolegëve të mi, epidemiologëve, është e hershme për të gjykuar hapjen e të gjithë elementëve të tjerë jetësorë në normalitet shumë shpejt. Megjithatë edhe sipas projeksioneve të kurbës epidemike edhe të dhënave statistikore dhe epidemiologjike, parashikimet ndoshta fundi i majit mund të ketë një lirshmëri në një shkallë më të gjerë sesa aktualisht. Gjithsesi, prezenca e COVID do të jetë aktualisht, do të jetë edhe gjatë sezonit të verës. Por një rikthim, si çdo infeksion tjetër respirator që bën një tendencë në ulje, pavarësisht monitorimit nga ana e shërbimit epidemiologjik, në vjeshtë sërish këto infeksione riaktivizohen. Duke mos pasur as vaksinë, sigurisht që prezenca e COVID do të jetë paralelisht me bashkëjetesën tonë deri në momentin kur të kemi një mjet për parandalimin e tij”, përfundoi Tomini./atsh

Nivel i qëndrueshëm i kurbës epidemiologjike, Tomini: Virusi i pranishëm edhe gjatë sezonit veror Read More »

26 të shëruar në 24 orët e fundit, Manastirliu: Lajm inkurajues, numri i të shëruarve e ka kaluar numrin e të infektuarve aktivë

Në 24 orët e fundit janë shëruar 26 persona nga COVID-19, gjysma e të cilëve janë në Shkodër.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila e cilëson një lajm inkurajues.

“26 të shëruar në 24 orët e fundit, gjysma e të cilëve janë në Shkodër. Lajmi inkurajues është se numri i të shëruarve prej 5 ditësh e kaluar numrin e të infektuarve aktivë”, – tha Manastirliu. /atsh

26 të shëruar në 24 orët e fundit, Manastirliu: Lajm inkurajues, numri i të shëruarve e ka kaluar numrin e të infektuarve aktivë Read More »

Manastirliu: Masat kufizuese të marra në kohë shmangën krizën e sistemit shëndetësor

Ndërsa sot Shqipëria konfirmon vetëm 518 të prekur nga COVID-19, vendimet e marra në kohën e duhur nga kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare, shmangën kolapsin e sistemit shëndetësor.

Kështu u shpreh sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në seancën plenarë të zhvilluar në kushte të jashtëzakonshme. Ministrja tha se “nesër bëhen plot 40 ditë që Shqipëria po përballet me këtë armik të padukshëm me infeksionin SAR-COV 2. Ndërkohë që të gjithë vendet po përballen me këtë krizë globale shëndetësore tashmë prej javësh. Vendimet e marra në kohën e duhur nga kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare, shmangën atë që quhet krizë apo kolapsi i sistemit shëndetësor nga mijera të prekur në ditë e qindra humbje jete në ditë, në vetëm pak javë nga fillimi i kësaj pandemie. Në këtë luftë, shembulli i përsosur i luftëtarëve kanë qenë shumica e qytetarëve që kanë treguar me vepra një rezistencë të shkëlqyer, durim e kurajo të pashembullt në përballje me këtë armik, duke u mbrojtur dhe duke mos i lënë kohë të infektonte në masë dhe të na përballte me katastrofën e mijëra të prekurve e më shumë se qindra jetëve të humbura”.

Sipas Manastirliut, heronjtë të cilën qëndrojnë në vijën e parë të luftës kanë mbrojtje të vazhdueshme përmes materiale mbrojtjesë dhe testimeve për ta.

“Heronjtë tanë, ata në vijën e parë të kësaj përballje me këtë luftë, janë mjekët, infermierët, epidemiologët, punonjësit e Urgjencës Kombëtare që me sakrificë e vetmohim janë aty cdo ditë të javës, në vijën e parë me COVID-19. Sa herë më jepet rasti, do të duhet t’i falënderoj dhe t’i shpreh mirënjohjen maksimale”, tha ajo.

“Sot Shqipëria konfirmon 518 të prekur nga COVID-19 ose 10.7 % e rasteve të testuara positive në më shumë se 4800 testime të kryer, një raport ky i pranuar nga OBSH për testimin, gjurmimin dhe izolimin e rasteve të dyshuara. Personeli mjekësor është testuar në mënyrë të pandërprerë si një grup risku. Mbi 800 testime janë kryer fatmirësisht, më pak se 9% e personelit të testuar rezultojnë të prekur dhe mbi gjysma e tyre janë të shëruar. Do të vijojmë të mbrojmë mjekët duke garantuar testim dhe mbrojtje për ta”, -tha Manastirliu. /atsh

Manastirliu: Masat kufizuese të marra në kohë shmangën krizën e sistemit shëndetësor Read More »

Harta e të prekurve me COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Kukës, Fier, Kavajë, Shkodër dhe Korçë, raste edhe në Mallakastër

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë edhe në Mallakastër dhe zgjeruar në Tiranë, Kukës, Fier, Kavajë, Shkodër dhe Korçë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur se “është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

MSHMS u ka kërkuar qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. ‘Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40’-informon ministria e Shëndetësisë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 241 raste

– Durrës 42 raste

– Lushnje 6 raste

– Elbasan 16 raste

– Fier 35 raste

– Kavajë 9 raste

– Rrogozhinë 4 raste

– Korçë 19 raste

– Vlorë 5 raste

– Shkodër 83 raste

– Lezhë 14 raste

– Berat 2 rast

– Has 13 raste

– Krujë 7 raste

-Tropojë 4 raste

– Pukë 5 raste

– Mirditë 3 raste

– Kukës 9 rast

-Mallakastër 1 rast/atsh

Harta e të prekurve me COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Kukës, Fier, Kavajë, Shkodër dhe Korçë, raste edhe në Mallakastër Read More »