Irina

Rënie e ndjeshme e temperaturave/ Reshje shiu dhe dëbore gjatë gjithë ditës

I gjithë vendi ynë sot është përfshirë nga reshjet e shiut dhe dëborës në zonat malore, ndërsa është shoqëruar edhe me uljen e temperaturave.

Edhe pse jemi në stinën e pranverës në alpe e verilindje reshjet e dëborës janë të dendura në këto zona.

Dëbora ka zbardhur disa qytete dhe zona të vendit si në Kukës, Pukë, Tropojë, Shkodër, Has, Bulqizë, Mat, etj.

Shqipëria prej gati tre javësh ndodhet në izolim për shkak të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Gjatë ditës së sotme në rrugët e qyteteve kryesore ka shumë pak lëvizje për shkak edhe të motit të keq.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak me rënien e ndjeshme të temperaturave gjatë ditës reshjet e dëborës do të përfshijnë lartësitë fushore ne rajonin verior. Në lindje e juglindje reshjet e dëborës nisin prej orëve të paradites deri në lartësitë 500-600 metër me intensitet deri mesatar. Në mbrëmje reshjet e shiut e dëborës ndërpriten, për ti lënë vendin kthjellimeve./atsh

Rënie e ndjeshme e temperaturave/ Reshje shiu dhe dëbore gjatë gjithë ditës Read More »

Moti i keq përfshin vendin, Balluku: Skuadrat e ARRSH-së në terren për të mbajtur akset të hapura

Moti i keq ka përfshirë të gjithë territorin e vendit këtë të mërkurë, por situata paraqitet më problematike kryesisht në verilindje dhe juglindje të vendit, për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dëborës.

Trashësia e dëborës në Tropojë, Dibër, Peshkopi, Pukë, Kukës, Shkodër e pjesërisht në Lezhë shkon deri në 40 cm.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bën të ditur se skuadrat e Autoritetit Rrugor Shqiptar ndodhen në terren për të mbajtur të gjitha akset të hapura.

Ministrja apelon që në këto kushte, thelbësore mbetet respektimi i sinjalistikës rrugore.

Qarkullimi në autostradën Milot-Morinë kryhet, por shoqëria koncesionare apelon për reduktim të shpejtësisë nga ana e drejtuesve të mjeteve dhe përdorim të gomave dimërore dhe zinxhirëve./atsh

Moti i keq përfshin vendin, Balluku: Skuadrat e ARRSH-së në terren për të mbajtur akset të hapura Read More »

Lejedalje në e-Albania/ Çfarë duhet të dinë qytetarët për aplikim të suksesshëm

Përmes portalit e-Albania u është dhënë sot përgjigje pyetjeve më të shpeshta nga qytetarët për lejet që nevojiten për të dalë nga shtëpia gjatë fashës orare 05:00-13:00.

Pyetje të shpeshta

1. Çfarë lejesh janë këto?
Këto janë leje për këmbësorët, që duhet te dalin nga shtëpia për të blerë: ushqime, ilaçe apo për shërbesa të tjera.

2. Si mund të aplikoj për këtë leje?

Aplikimi nëpërmjet internetit:
Klikoni www.e-albania.al ose nëpërmjet aplikacionit e-albania, të cilin mund ta shkarkoni në smartphone-n tuaj dhe të kërkoni shërbimin: “Leja për Dalje” (https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx…).
Për të aplikuar për këtë shërbim ju duhet të jeni i identifikuar në portal. (Regjistrohuni në portal nëpërmjet të dhënave të kartës suaj të identitetit nëse nuk jeni regjistruar më parë)

Aplikimi me anë të sms-së në telefon:
Ata qytetarë, që nuk kanë mundësi të aplikojnë në internet, mund të dërgojnë një mesazh të thjeshtë në numrin: 55155 me tekst: Numri i kartës së identitetit dhe ora e daljes
Psh: J12345678L 0930

3. Kur e marr miratimin e lejes, kur aplikoj nga e-Albania?
Aplikimi nga e-Albania miratohet automatikisht në moment dhe vjen në e-mail-n tuaj, dhe në numrin e telefonit nëse keni regjistruar numrin tuaj gjatë aplikimit.

4. Kur e marr miratimin, kur aplikoj me sms në 55155?
Kur aplikohet me sms miratimi për lejen e kërkuar, në varësi të orës së kërkesës, vjen brenda orëve të para të ditës pasardhëse, dhe vlen vetëm për ditën e nesërme.
Psh: Nëse dërgon një mesazh ditën e sotme deri në orën 23:59, miratimi ose refuzimi ju vjen në orët në vijim, dhe qytetari mund të dalë të nesërmen nëse miratohet.

5. Për sa kohë është kjo leja?
Leja është për një datë të caktuar, dhe zgjat vetëm 1 orë, brenda fashës orare: 05:00-13:00.

6. A mund të lëviz me automjetin tim me këtë leje?
Jo, “Leja per dalje” është për këmbësorët.

7. Sa herë që më duhet të dal, duhet të aplikoj?
Po, ju duhet të aplikoni sa herë që ju nevojitet të dilni për të bërë pazar, për të shkuar në farmaci apo shërbesë tjetër. Por, vetëm 1 orë brenda një dite.

8. Shtetasit e huaj si mund të aplikojnë? / How can foreign citizens apply for a permission?
Shtetasit e huaj mund të aplikojnë një leje për dalje ditore, duke dërguat një sms në numrin 55155 me formatin “F IDnumber Time”
Foreign citizens may apply for a one time per day pemission by sending a text message at the number 55155 with the format “F IDnumber Time” (F stands for Foreigner)
Example: F J1234567G 0930

9. Po për të shkuar në punë, duhet të aplikoj?
Jo, për të shkuar në punë si këmbësor nuk nevojitet aplikim për lejedalje.

10. Po për të shkuar në spital, vlen kjo leje?
Në rast se ju do të shkoni në këmbë në spital, patjetër që vlen.

11. Po nëse jam ende në të njëjtën certifikatë familjare me pjesëtarët e tjerë të familjes që jetojnë në qytet tjetër?
Ligji nr. 10129 “Për gjendjen civile” i ndryshuar: Brenda 30 ditësh nga ndryshimi i vendbanimit shtetasi duhet të paraqitet te zyra e gjendjes civile për të kryer veprimet e ndryshimit.
Pra, cilido qytetar që ndërron vendbanimin e tij, ndryshe nga ai i kaluari apo ai i anëtarëve të tjerë të familjes, brenda 30 ditëve duhet të beje deklarimin për vendbanimin e ri dhe të dalë në certifikatë më vete./atsh

Lejedalje në e-Albania/ Çfarë duhet të dinë qytetarët për aplikim të suksesshëm Read More »

Ndihma me ekip mjekësor për Italinë, Rama: 30 persona janë vetëm një qiri në të ftohtin e sotëm europian

Stadiumi ”Air Albania” është më i bukur nga ”Allianz Stadium”, deklaroi kryeministri Edi Rama për gazetën më të madhe sportive italiane ”Gazzetta dello Sport”.

Më poshtë intervista e kryeministrit Rama:

Kryeministër, si lindi ky mision shqiptar për Italinë?

Ky mision lindi nga një memorie e fortë. Brezi im ka jetuar nën lëkurë qoftë kohët e shëmtuara të diktaturës, ashtu sikurse ashpërsinë e detit të lirisë, kur dolëm nga bunkeri i komunizmit për të notuar drejt Amerikës sonë, Italisë! Por ndoshta, lindi edhe nga frika se katenaço europiane që po vërehet ndaj koronavirusit të transformohet në një vetëvrasje kolektive, ndërsa armiku i padukshëm po na bën një presing të paparë ndonjëherë. Të shohësh Italinë të lënë vetëm bëhet çdo ditë e më e turpshme. Çdo anëtar i shtëpisë europiane nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë i mbyllur në dhomën e tij. Prandaj për mua ishte shumë herë më mirë që të ndiqja këshillën e Nënë Terezës: “Në vend që të mallkojmë errësirën, le të ndezim qiriun tonë”.

E prisnit që vetë drita të ishit ju?

Shkëndijën e parë e mora nga reagimi i ministrit Di Maio, kur ia propozova me modesti idenë time. 30 persona janë vetëm një qiri i cili nuk mund t’i japë ngrohtësi një katedraleje të vuajtur si Italia në të ftohtin e sotëm europian. Por sapo ia thashë idenë time, Luixhi (Di Maio) më tha: “Tallesh! Do të ishte e paharrueshme”. Realisht nuk e prisja këtë mallëngjim, i cili më lumturon aq shumë, por edhe më drithëron.

Por, kjo zgjedhje e imja erdhi si rrjedhojë e vuajtjes në vetmi që po përjeton Italia. Ne e bëjmë këtë gjest pikërisht sepse ndoshta jemi të varfër dhe në detin e mesazheve që kam lexuar në italisht, ai që më goditi më shumë ishte i një djali nga jugu se “Shqipëria më kujtoi babain. Ai më thoshte: mos e harro të varfrin. Në momentin e nevojës do të jenë të vetmit që do të të ndihmojnë”.

Ka pasur një kohë kur shqiptari vuante shumë racizmin në Itali…

Shumë e vërtetë, por dilnim nga 50 vite në bunker. Dukej sikur ne dolëm në sipërfaqe nga deti vetëm për të trembur fëmijët. Një herë më kanë arrestuar në Bolonja, pasi u revoltova ndaj një polici, i cili pyeste një grua shtatzënë se çfarë kishte në bark. I afroi qenin dhe ajo, e cila nuk dinte italisht, ra në gjendje të fikëti.

Ne ishim gjyshërit tuaj në Amerikë, ku për të gjithë, ju ishit mafiozë e hajdutë. Kemi vuajtur, po, por dashuria e pakushtëzuar për Italinë na ka ndihmuar që t’i mbijetojmë poshtërimit, për t’jua bërë të njohur më mirë se kush ishim dhe të pranoheshim për atë që ishim.

Si është situata në Shqipëri, gjatë kësaj pandemie?

Luftojmë, si të gjithë. Por të ndërgjegjshëm mbi dobësinë tonë, ishim të parët që vendosëm të parkojmë autobusin përpara portës, siç do të thoshte i madhi Zhoze Murinjo. Fatmirësisht dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu, numrat aktualë të të prekurve deri tani po na japin të drejtë për vendimin e marrë.

Ju citoni Murinjon, por mbani tjetër gjë brenda zemrës suaj, apo jo?

Unë kam qenë juventin që fëmijë. Mbi kokën e krevatit tim ishte fotografia e Dino Xofit. Çdo nate, përpara se të fikja dritën e shihja dhe i kujtoja gjyshes sime se Dino ishte madhështor falë gjyshes së tij që i jepte të hante shumë vezë. Dje, sot e në vazhdim, Xof mbetet lojtari im i preferuar. Por edhe pse juventin, e pranoj njollën time për Zhoze Murinjon. Kur stërviti në Itali, u afeksionova aq shumë ndaj tij, sa festova për të gjitha fitoret e Zhozesë. E di, mund të duket një mëkat vdekjeprurës, por si një lexues i rregullt i “Gazzetta dello Sport” nuk mund ta fsheh.

Çfarë përfaqëson për ju Juventusi?

Shpirtin e grupit që të garanton fitoren, madje duke thyer shpesh edhe parashikimet. Më kanë fotografuar me xhupa të ndryshëm të Juves, por ato janë shumë të bukur. Mbi të gjitha më shkojnë për kohët e vështira si këto. Madje, ia vlen të rrezikoj që të humb edhe ndonjë votues timin interist…

Le ta hapim pak sirtarin tuaj të kujtimeve bardhezi…

Ato jo të bukurat lidhen me dy emra konkretë dhe më vijnë drithërima vetëm për t’u cituar mbiemrat: Rep dhe Magat (ndëshkuesit e Juventusit në finalet e vitit 1973 dhe 1983, respektivisht ndaj Ajaksit dhe Hamburgut, në finalet e Kupës së Kampioneve). Dhe mjaft me kaq sepse nuk dua të flas as për atë tipin e çuditshëm me bilbil në dorë, që arbitronte në Madrid… Ndërsa kujtimet e bukura janë aq të shumta sa më mirë të mos flas dhe mbi të gjitha të mos provokoj lexuesit e shumtë të frontit anti-juventin.

Po nga vizita juaj e kohëve të fundit në “Allianz Stadium” çfarë kujtoni?

Më tepër se një stadium i bukur, ajo që më godet është fakti i të qenit një strofkë mahnitëse që mbështjell shpirtin juventin. Gjithsesi, “Air Albania” ynë është më i bukur dhe nuk është një provokim… Për mua ishte një nder që të takoja presidentin Andrea Anjeli, të cilit i vlerësoj guximin për t’i mbijetuar hijes së rëndë të “Avokatit”.

Fëmijët që i mbijetuan realisht tërmetit iu dhurua të takonin Kristianon dhe Bufonin, dy fëmijë kolosë me një zemër madhështore.

Ju ka bindur deri tani Juventusi i Sarrit?

Ah, nuk dua të them asgjë këtu, pasi Italia ka mjaft njerëz që dinë gjithçka për futbollin, ndonëse nuk e kanë prekur asnjëherë topin. Ne futboll unë shoh fragmente jete, mësoj mënyra të ndryshme për të arritur te fitorja. Për mua, trajnerët e mëdhenj janë mestro të lidershipit, si Murinjo.

Po futbolli në Shqipëri si shkon? Pas shpërthimit të De Biazit keni nisur një cikël të ri me Edi Rejën…

Jam krenar për miqësinë me De Biazin, jo vetëm sepse frymëzoi një komb të tërë, por sepse ka shpirt dhe një inteligjencë mahnitëse. Ndërsa me Edi Rejën më takoi miku i vëllait tim, Igli Tare. Personalisht jam i lumtur që kemi me ne një dhelpër të vjetër, një figurë atërore edhe për futbollistët tanë.

Jo të gjithë e dinë, por basketbolli është sporti i jetës suaj?

Kur luaja isha shumë i gjatë për standartet shqiptare dhe në këtë mënyrë u shndërrova në një pivot shumë të vogël për standartet ndërkombëtare. I kërkova federatës sonë që të bëja përkthyesin për skuadrën e madhe të Skavolinit, e cila na bëri vizitë në Tiranë për eliminatoret e Kupës së Kampioneve. Aty njoha Valerio Biankinin dhe ndihmësin e tij të ri, një Serxho Skariolo. Me “Vate”-n më pas u bëmë miq shumë të mirë dhe e prita që ta vizitonte siç duhej Shqipërinë.

Po NBA-së i hidhni ndonjë sy tashmë?

Që kur i madhi “Air” Xhordan dhe banda e tij e Çikagos nuk janë më, NBA-ja më duket thjesht një paradë yjesh madhështorë, por pa asnjë betejë deri në pikën e fundit të gjakut.

Gjeni shkëndija personale në sporte të tjera?

Unë pasionohem me copa, ose më saktë lidhem me personazhe të ndryshme si për shembull: saga e Italisë së volejbollit të Velaskos; mrekullitë e Zhan Todit dhe Shumakerit; imagjinatën e Kasparovit; hakmarrjet e Federika Pelegrinit; sprintin e pastërtisë etnike të arit olimpik të Majlinda Kelmendit; goditjet dhe rigoditjet pa moshë të Federerit dhe Xhokoviçit, apo edhe të Nadalit së fundmi; por edhe luftën ekzemplare jashtë fushe të Sinisha Mihajloviçit. Këto janë mrekullira që vetëm sporti mund t’ia dhurojë zemrës dhe mendjes./atsh

Ndihma me ekip mjekësor për Italinë, Rama: 30 persona janë vetëm një qiri në të ftohtin e sotëm europian Read More »

Vendimi/ Ndalohen operacionet e planifikuara deri në përfundim të situatës së epidemisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka firmosur sot urdhrin për shtyrjen e ndalimit të ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara deri në përfundim të situatës së epidemisë të shkaktuar prej COVID-19.

Kështu, në pikën 1 të urdhrit nr. 147 datë 09.03.2020 “Për ndërprerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale të planfikuara në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” tofjalëshi “deri në datën 3 prill 2020″ zëvendësohet me togfjalëshin “deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19./atsh

Vendimi/ Ndalohen operacionet e planifikuara deri në përfundim të situatës së epidemisë Read More »

Parashikimi i motit, e mërkurë 1 prill 2020

Moti sot parashikohet të nis me reshje shiu, të cilat do të vijojnë gati përgjatë gjithë ditës. Në bregdet e zonat e ulëta hera herës reshjet e shiut do të jenë edhe në formën e shtrëngatave me rrufe.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se në alpe e verilindje nisin prej orëve të mesnatës reshjet e dëborës të cilat do të jenë të dendura në këto zona.

Me rënien e ndjeshme të temperaturave gjatë ditës reshjet e dëborës do të përfshijnë lartësitë fushore ne rajonin verior. Në lindje e juglindje reshjet e dëborës nisin prej orëve të paradites deri në lartësitë 500-600 metër me intensitet deri mesatar. Në mbrëmje reshjet e shiut e dëborës ndërpriten, për ti lënë vendin kthjellimeve.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim hera herës e fortë, kryesisht në bregdet, zonat e ulëta e lugina. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 4 dhe 5 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 1/8 re shi borë
Kukës -2/2 re borë
Lezhë 1/9 re shi borë
Dibër -3/2 re shi borë
Durrës 5/12 re shi rrufe
Tiranë 3/11 re shi rrufe
Elbasan 2/10 re shi
Berat 2/12 re shi
Vlorë 4/13 re shi
Korçë 0/6 re shi borë
Gjirokastër 0/7 re shi
Sarandë 5/14 re shi/atsh

Parashikimi i motit, e mërkurë 1 prill 2020 Read More »

Masat ndaj COVID-19/ Përgjysmohen pagat e kabinetit qeveritar dhe administratës shtetërore

Këshilli i Ministrave vendosi sot që Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 deri në përfundim të saj, por jo më shumë se tre muaj, përfitojnë page mujore neto në masën 50% të pagës mujore neto aktuale.

Në mbështetje të ligjit “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi që nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, të bordeve apo të komisioneve të institucioneve të administratës shtetërore, të institucioneve publike të arsimit të lartë, të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, për periudhën nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, por jo më shumë se tre muaj, nuk e përfitojnë shpërblimin mujor përkatës.

“Përjashtohen nga zbatimi i pikës 2, të këtij vendimi, nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, bordeve apo komisioneve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në kuptim të këtij vendimi, institucione të administratës shtetërore janë ato të përcaktuara sipas ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Institucionet përkatëse, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, të derdhin shumat e papaguara në buxhetin e shtetit, në fondin anti COVID-19, të miratuar për vitin 2020, në bankën e nivelit të dytë Credins Bank, me numër llogarie në lekë nr. 1348338, me IBAN: AL 152121 1016 0000 0000 0134 8338.6”, – theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Kryeministria, aparatet e ministrive, ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50% shtetëror si dhe institucionet e administratës shtetërore, të cilat sipas legjislacionit të tyre specifik, kanë këshilla apo borde drejtuese me të drejtë pagese.
Atsh
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare./

Masat ndaj COVID-19/ Përgjysmohen pagat e kabinetit qeveritar dhe administratës shtetërore Read More »

Fjalët e shenjta/ Nuk është koha për gjykimin tuaj, por koha e gjykimit për të gjithë ne

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot të tjera fjalë të shenjta për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që gjithë bota po përballet me pandeminë e COVID-19.

“Nuk është koha për gjykimin tuaj, por koha e gjykimit për të gjithë ne, koha për të zgjedhur çfarë ka vlerë dhe çfarë kalon, për të ndarë çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo”.

Ishin këto fjalë të shenjta Papa Françeskut, që zgjodhi sot Kryeministri Rama për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që autoritetet shtetërore kanë marrë masa drastike duke kufizuar lëvizjen, si masë parandaluese për kufizimin e përhapjes së COVID-19./atsh

Fjalët e shenjta/ Nuk është koha për gjykimin tuaj, por koha e gjykimit për të gjithë ne Read More »