Irina

Meta për qytetarët e bllokuar në Kapshticë: Të gjithë duhet të respektojnë kushtet e urgjencës të imponuar nga COVID-19

Presidenti Ilir Meta shprehet i shqetësuar për situatën e shqiptarëve në pikën kufitare të Kapshticës. Ai bënë thirrje për zgjidhje të menjëhershme

Presidenti Ilir Meta, përmes një deklarate për mediet i bënë thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare.

“Jam shumë i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës. Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme”,- thekson Meta.

“U bëj thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare e njëkohësisht kërkoj nga autoritetet tona përgjegjëse të respektojnë, jo vetëm kërkesat e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që shteti ka ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë”,-vijon Meta.

“Edhe njëherë kërkoj nga të gjithë më shumë bashkëpunim e mirëkuptim, solidaritet e përgjegjësi mes qytetarëve dhe autoriteteve tona në dobi të interesit publik dhe sigurisë së jetës”, tha Meta. /atsh

Meta për qytetarët e bllokuar në Kapshticë: Të gjithë duhet të respektojnë kushtet e urgjencës të imponuar nga COVID-19 Read More »

Balla: Shqipëria ka hyrë në zonën e zjarrit, duhet të zbatojmë rregullat dhe masat shtrënguese për tu mbrojtur nga armiku i padukshëm

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaron se Shqipëria ka hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku COVID-19 mund të marrë shumë jetë.

Balla thekson se duhen zbatuar të gjitha rregullat dhe masat shtrënguese për tu mbrojtur nga armiku i padukshëm.

Sipas Ballës operacioni i përditshëm humanitar i shpërndarjes së ndihmave për familjet në nevojë vijon pa ndërprerje.

“Kemi hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku mund të na marrë më shumë jetë, pasi rezistenca jonë deri tani e ka ndaluar të bëjë kërdinë duke na shkatërruar barrikadën e bluzave të bardha!”,- thekson Balla.

“Duhet të vazhdojmë të zbatojmë një për një rregullat plus masat shtrënguese dhe të mbrohemi nga ky armik i padukshëm, deri sa të dalim nga kjo luftë e egër që kërcënon qindra jetë shqiptare”,-vijon Balla.

“Shqipëria do ta fitojë luftën dhe ata që shajnë e mallkojnë, teksa rrotullohen në divan e çohen vetëm për të hedhur vrerë mbi ata që punojnë, do t’i mohojnë ato që thonë sot pa u menduar e pa e kuptuar që kjo është një luftë. Kuja e paskrupullt e mjeranëve të shqupit le të vijojë, mjekët dhe infermierët në front shpëtojnë çdo ditë jetë dhe karvani i operacionit të përditshëm humanitar ecën përpara, kudo ku ka familje në nevojë. Ti nuk do jesh kurrë vetëm”,- përfundon Balla./atsh

Balla: Shqipëria ka hyrë në zonën e zjarrit, duhet të zbatojmë rregullat dhe masat shtrënguese për tu mbrojtur nga armiku i padukshëm Read More »

Ndahet nga jeta mjeshtri i humorit shkodran, Gëzim Kruja

Mjeshtri i humorit shkodran Gëzim Kruja u nda nga jeta sot në moshën 80-vjeçare. Ai u shua sot paradite, ndërsa lajmi është konfirmuar nga familja. Gjendja e tij ka qenë e rënduar, ndërsa kohët e fundit e kishte të pamundur të fliste për shkak të sëmundjes.

Dalja e tij e fundit për mediat ishte në festën e 80-vjetorit të lindjes në dhjetor të vitit të kaluar, që miqtë e teatrit i organizuan. Vepra e fundit që ngjiti në skenë Gëzim Krujën ishte në vitin 2018.

Humoristi shkodran lindi në 4 dhjetor 1939. Gëzim Kruja karrierën humoristike e nisi që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me estradën amatore nisën që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja mbaroi në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.

Ai kaloi një jetë në skenën shkodrane të humorit, ku spikati me rolet e tij të shumta. Gëzim Kruja shkroi 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor, ndërsa interpretoi mbi një mijë role në skeçe të ndryshme në 52 vite. Në vitin 2004 mori titullin “Krenaria e Qytetit”, ndërsa një vit më pas “Naim Frashëri i Artë” dhe në 2010 “Mjeshtër i Madh”./atsh

Ndahet nga jeta mjeshtri i humorit shkodran, Gëzim Kruja Read More »

Bardhi: PD shpërndan ndihma në të gjithë vendin, jo politikë më të pamundurit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, tha se PD nuk do të përdorë asnjëherë për politikë më të pamundurit, duke pozuar me ta për ndihmat që po shpërndajnë strukturat e PD në të gjithë vendin.

Bardhi shton se pak ditë më parë PS, përmes Taulant Ballës, Okta Xhaçkës apo Erion Veliajt, akuzoi PD se nuk po jepte asnjë ndihmë.

“Përfaqësuesit e PD janë çdo ditë në kontakt me qytetarët, duke ndihmuar me sa mundësi kemi qytetarët më nevojë, por, ndryshe nga Balla, Veliaj, Xhaçka që marrin nga 3 kameramanë për show dhe propagandë me pako në emrin e tyre, ne kemi vendosur të mos bëjmë propagandë me qytetarët në nevojë, ne kemi vendosur të mos bëjmë as foto, as video me njerëz që janë në nevojë. Kemi vendosur të mos pozojmë me ndihmat që u ofrojmë qytetarëve. Ne nuk kërkojmë të përfitojmë politikisht nga mjerimi i pjesës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Po ashtu, Bardhi shton se “është kriminale që ndërsa i çon një pako oriz dhe një pako makarona, të dalësh foto me një person qe sot nuk ka mundësi të ushqejë fëmijët. Kjo është ta përdorësh atë person për politikë. Prandaj, ne e neverisim një formë të tillë ndihme. Kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë për të qenë pranë qytetarëve, së pari për të qenë zëri i tyre dhe së dyti, për të ndihmuar sa të mundemi. Taulant Balla dhe shokët e tij të partisë e dinë shumë mirë që strukturat tona po ndihmojnë aq sa munden me ndihma, familjet në nevojë. Unë mund t’ju dëshmoj raportet e përditshme të strukturave tona për ndihmën që po u ofrojmë qytetarëve, por kurrësesi, siç kemi vepruar me rastin e tërmetit, ne nuk bëjmë foto me persona të pamundur që mezi sigurojnë bukën e gojës për fëmijët e tyre”.

“Propagandën dhe shown me më të pamundurit ia kemi lënë asaj partie që gjithmonë i ka përdorur qytetarët si subjekte të fotove për propagandën e tyre. Ne nuk e kemi bërë kurrë këtë dhe nuk do ta bëjmë asnjëherë ketë. Do të ndihmojmë pa bërë show dhe propagandë me njerëz qe janë në kufijtë e mbijetesës.”- tha Bardhi. /atsh

Bardhi: PD shpërndan ndihma në të gjithë vendin, jo politikë më të pamundurit Read More »

Shenjat e fatit, horoskopi per diten e sotme, 5 prill 2020

Dashi
Sot mund të përballeni me presion për të arritur fundin e punëve tuaja. Mos nxitoni, por përpiquni të bëni gjithçka hap pas hapi. Sa i përket aspektit sentimental, sot mund të përballeni me nevojën për të kaluar më shumë kohë me partnerin.

Demi
Nëse i keni dhënë nje raporti ju nuk mund të prisni që gjithçka të kthehet menjëherë rozë në marrëdhënien tuaj sentimentale. Sa i përket aspektit financiar, gjasat janë që të përballeni më disa pengesa.

Binjaket
Cdo lëvizje që bëni duhet ta bëni me kujdes sot. Kjo nuk do të thotë që duhet të shmangni ecurinë përpara për asgjë, thjesht do të thotë që duhet të jeni të vetëdijshëm për pasojat e veprimeve tuaja. Kjo vlen edhe në aspektin romantik.

Gaforrja
Një nga miqtë e tu mund të dëshirojë të ndajë një sekret me ju. Dërgoni një sinjal se jeni i hapur për ta dëgjuar. Në aspektin sentimental, mund të përballeni me ndonjë keqkuptim të vogël.

Luani
Puna ekipore mund të shpalosë më të mirën tek ju, por një person nuk do të reagojë mirë ndaj dinamikës së grupit. Mos u habitni nëse dikush vepron pak më kritik ndaj vendimeve tuaja sesa është e nevojshme. Atyre nuk u pëlqen fakti që ata nuk kanë më shumë fuqi se ju.

Virgjeresha
Nëse futeni në një situatë të panjohur sot, gjithçka mund të bëni është të provoni më të mirën tuaj. Nëse përqendroheni do të dilni me rezultate shumë të mira! Duke u përqëndruar në detajet më të vogla, do të shmangni çdo problem, veçanërisht financiar.

Peshorja
Buzëqeshjet tuaja mund t’ju ndihmojnë në ngritjen e humorit të njerëzve të trishtuar dhe largimin e trishtimit nga miqtë tuaj. Dita e sotme do t’ju sjellë një shans të shkëlqyeshëm për të ndërtuar një marrëdhënie të re.

Akrepi
Rezistojini tundimit për të censuruar veten. Egoja juaj po mundohet t’ju mbrojë nga dëmtimi i ndjenjave tuaja, por krenaria juaj është e gatshme ta rrezikojë atë. Mos kërkoni që njerëzit t’ju pëlqejnë, por t’ju vlerësojnë për atë që përfaqësoni.

Shigjetari
Puna mund të jetë mjaft zhgënjyese sot. Askush nuk është i përqendruar në realizimin e detyrave të tij dhe kjo ju pengon që të përfundoni projektet tuaja. Lajmi i mirë është se koha është në anën tuaj dhe do të keni mundësi t’ia dilni mbanë.

Bricjapi
Sot, mund të jetë gati e pamundur që ju të gjeni dikë që është më i zgjuar se ju. Energjia juaj intelektuale është jashtëzakonisht e fortë. Shfrytëzojeni këtë energji për të përfunduar ndonjë projekt. E nesërmja mund të jetë ndryshe.

Ujori
Aktualisht duhet të tregoni më shumë kujdes për shëndetin tuaj. Mos harroni ta mbani fizikun në lëvizje dhe gjithashtu të konsumoni ushqime me vlerë. Në aspektin profesional, mund të merrni lajme pozitive

Peshqit
Eshtë momenti i duhur për të rivendosur kontaktet me një person me te cilin në të kaluarën keni kaluar shumë kohë. Një marrëdhënie sentimentale do të ketë nevojë për më shumë angazhim nga ana juaj./bw

Shenjat e fatit, horoskopi per diten e sotme, 5 prill 2020 Read More »

Masat ndaj COVID-19/ Zgjatje e fashës së orareve, por rritje e ndëshkimeve deri në heqje lirie

Paralelisht me lehtësirat që do të krijohen në fashat e orarit, kryeministri Rama prezantoi planin e ashpërsimit të masave, ku thyerja e tyre në mënyrë të përsëritur do të shkojë deri në heqje lirie.

Në mesazhin drejtuar qytetarëve, Kryeministri u shpreh se shkelja e rregullave sjell një katastrofë për Shqipërinë, ndaj edhe është menduar ashpërsimi i masave.

“Fatmirësisht, kjo nuk ndodh kudo në Tiranë, ndodh në tregun e Kombinatit dhe tek-tuk diku tjetër, por kjo del dhe tepron për t’i bërë gjëmën Tiranës por të gjithë Shqipërisë. Po të ishte çështje fashe orari do të ndodhte kudo, po të ishte halli i njëorëshit, do të ndodhte me të gjithë, po të vinte nga pamundësia për të bërë me korrektesë detyrën, do të ishte një fenomen dhe do të na kishte rënë zjarri me kohë, por jo. Kjo ndodh, sepse disa nuk po duan akoma të kuptojnë. Ku ka më keq sesa të mos i japësh lamtumirën dot njeriun të dashur, por ja që në tërë botën, si dhe në Shqipëri, janë ndaluar ceremonitë funerale fetare apo laike, sepse i bie të kthehesh nga varrezat me rrezikun e vdekjes në trup si pjesë e një zinxhiri të infektuarish. Nuk e ndava me ju sot, sepse do të bëheshin shumë, një pamje tmerruese nga një varrim në Peshkopi. Aman o njerëz, aman, po pse me gjoba dhe polici do të zgjidhim këtë punë edhe për funeralet, edhe për të shtatat, edhe për të dyzetat e traditës tonë? Po ja që mbase do të detyrohemi të shkojmë deri këtu, sepse në Shkodër e infektuan njëri-tjetrin fatkeqësisht në një mort dhe pastaj e bënë zinxhir dhe për të shtata. E lus Zotin që të shërohen dhe të mos sjellë morti mort, por kështu është kjo luftë. Kur e vumë këtë fashë orare, projeksioni ynë do të zgjatej deri të hënën e ardhshme, pra pasnesër, por jemi të detyruar ta shtyjmë për minimumi për disa ditë, sepse më parë duhet të merremi vesh mirë. Sepse të gjithë duhet ta marrin vesh dhe ta mësojnë se më e keqja jo nuk ka kaluar, por nuk ka ardhur akoma. Kjo nuk është çështje oraresh, por çështje zemreku të sahatit të trurit që disave u ka mbetur po 12″, – tha Rama.

Më tej, kryeministri tha se 4 qytete rrezikojnë të kthehen më së shumti në vatra infeksioni nëse thyejnë rregullat. “Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri rrezikojnë të bëhen Vaterloja jonë nëse nuk i shtrëngojmë mirë vidat e zinxhirit mbrojtës”,

Ai prezantoi planin ku theksoi se “plani që ne po përgatisim, që do të kthehet në ligj shumë shpejt dhe më pas do të hyjë në veprim i përshkallëzuar sipas dinamikës së luftës. Si fillim do të zgjasim fashën orare, por paralelisht do të rrisim ndëshkimet dhe për rastet e përsëritura, do të shkojmë deri në heqje lirie. Deri në heqje lirie ata që shkelin kohëdaljen për pazare të cilën edhe mund ta zgjasim pak më shumë që të mos kemi më llafe me asnjë nga kompetentët që qahen për kohën e shkurtër. Më pas gjithmonë me shkallë dhe sipas dinamikës, do të përpiqemi të lejojmë automjetet private me fashë orari të zgjatur për të gjithë punonjësit e kompanisë apo sipërmarrjes që kanë aktivitet ligjërisht të lejuar, por kjo patjetër që do të shoqërohet edhe me rritjen e ndëshkimeve deri në heqje lirie. Për shembull, nëse automjeti përdoret për të transportuar persona të tjerë me sebepin e shoferit që ka një leje për punë. Më pas, do të autorizojmë hapjen e dyqaneve, dyqaneve që nuk janë brenda qendrave tregtare, ku do të kërkohet me detyrim pajisja me maska e doreza mbrojtëse e personave që shërbejnë. Do të vendosen rregulla strikte për mënyrën se si do të shërbehet, shkelja e të cilave patjetër që do të ndëshkohet me mbyllje, me konfiskim të mallit e deri me heqje lirie. Të gjithë sipërmarrësit e këtyre aktiviteteve të përgatiten për të qenë të gatshëm, që në momentin e hapjes, të mbrojnë personelin dhe klientët sipas rregullave që do të vendosen”./atsh

Masat ndaj COVID-19/ Zgjatje e fashës së orareve, por rritje e ndëshkimeve deri në heqje lirie Read More »

Lufta ndaj COVID-19/ Shqipëria e vogël mund të bëjë një histori suksesi që të mbahet mend gjatë

“Ne nuk mund ta humbim këtë luftë për qejfin e atyre që akoma s’po duan të marrin vesh dhe ne mund vetëm ta fitojmë e do ta fitojmë me se s’bën këtë luftë, ku deri tani kemi provuar botërisht se Shqipëria e vogël, me të gjitha mangësitë e veta, është në gjendje të bëjë një histori suksesi që të mbahet mend gjatë, falë popullit të saj dhe qeverisë që po udhëheq luftën”.

Kështu u shpreh kryeministri Rama në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve ndërsa theksoi se për sa kohë që ende kjo luftë nuk ka përfunduar, ende duhet të bëjmë durim për t’a fituar luftën ndaj virusit vdekjeprurës.

Ai tha se numri i të shëruarve në Shqipëri është optimizmi pas çdo dite rraskapitëse.

“Ka ndodhur gjithë këto javë që Policia e Shtetit të kapë e të ndëshkojë me gjobë e me mbyllje lokale shërbimi, ku u ofrohet kafe e raki trimave të lagjes. Janë pak raste, po për natyrën e kësaj lufte janë aq shumë, sa për të bërë hatanë, duke nxitur përhapjen e infeksionit që pastaj bëhet zinxhir pa fund. Kështu që nuk mund dhe nuk do të lejojmë më që të ketë mbyllje e gjobitje, por dhe konfiskim dhe deri heqje lirie për autorët e këtyre akteve kriminale në kohë lufte”, tha Rama.

“Më vjen shumë keq po na duhet të përshkallëzojmë të gjitha këto masa, që një pakicë absurde të mos marrë në qafë shumicën dërrmuese, të cilën duhet ta lehtësojmë sadopak, sepse është krejtësisht e vetëdijshme sepse po lufton e po reziston në mënyrë shembullore”, theksoi Kryeministri.

“Sot kemi një numër shërimesh që na jep shumë optimizëm krahasuar dhe me shumë vende të tjera, në fund të çdo ditë rraskapitëse. Por teksa po shkojmë përditë drejt një pike kulmore të luftës që ende nuk e kemi arritur, duhet të mos e harrojmë kurrë, asnjë çast, se bilancet e luftërave bëhen në fund dhe s’ka ndeshje që fitohet pa rënë bilbili. Kështu që deri kur të bjerë bilbili i fundit, duhet të vazhdojmë të rezistojmë në këtë mbrojtje të fortë e të mbështesim fort njëri-tjetrin, ndërsa bilbili le të vazhdojë të bjerë fort e më fort për të gjithë sabotatorët e papërgjegjshëm të kësaj lufte për jetë a vdekje dhe prej të cilës ne kemi detyrimin të dalim kryelartë përpara njëri-tjetrit e përpara brezave që do të flasin për ne”, theksoi Rama. /atsh

Lufta ndaj COVID-19/ Shqipëria e vogël mund të bëjë një histori suksesi që të mbahet mend gjatë Read More »

Shqipëria e dyta në rajon me numrin më të lartë të të shëruarve, Rama: S’do lejojmë askënd të sabotojë çfarë kemi arritur deri këtu

Pas Sllovenisë, Shqipëria njeh përqindjen më të lartë të pacienteve të shëruar nga COVID-19 ndërsa përqindjen më të ulët në numrin e të vdekurve e ka vendi ynë, me vetëm 6% për 1 milion banorë.

Referuar bilancit paraprak të publikuar nga Kryeministri Rama, ai thekson ndër të tjera se “bilanci i luftës bëhet në fund. Nuk do të lejojmë askënd të sabotojë çfarë kemi arritur deri këtu”.

Sllovenia njeh me 35% për 1 milion banorë numrin e të shërurave në raport me 11% të vdekjeve prej COVID-19.

Përqindja e të vdekurve në Shqipëri është 6% ndërsa i pacientëve të shëruar 33%.

Kroacia me 3% lidhur me numrin e vdekjeve dhe 23% atë të të shëruarve prej COVID-19.

Mali i Zi me 3.17% lidhur me numrin e të vdekurve dhe 1,5% atë të të shëruarve.

Maqedonia me 6% për numrin e të vdekurve dhe 10% atë të shëruarve.

Serbia shënon 5,57% lidhur me numrin e vdekjeve për 1 milion banorë dhe 7,7% atë të të shëruarve.

Greqia njeh 6,3% numrin e të vdekurve në raport me 7,3% numrin e të shëruarve./atsh

Shqipëria e dyta në rajon me numrin më të lartë të të shëruarve, Rama: S’do lejojmë askënd të sabotojë çfarë kemi arritur deri këtu Read More »