Irina

Ministria e Shëndetësisë: 12 raste të reja me COVID-19, 75% e të prekurve janë shëruar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 12 raste të reja me COVID-19.

Gentiana Qirjako, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbështetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive”.

“Në 24 orët të fundit janë testuar 170 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 12 qytetarë, kontakte të rasteve të mëparshme.
Shpërndarja e të prekurve me COVID-19 është si vijon: 8 raste në Tiranë, 2 në Kamëz, 1 në Krujë dhe 1 në Fier. Të shëruar janë 23 qytetarë”, tha ajo.

Gjatë ditëve të fundit kemi një përmirësim të situatës edhe në spitale. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë të shtruar 29 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive, dhe prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 868 qytetarë. Prej tyre 650 qytetarë ose rreth 75% janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz.

Me pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.

Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se “siç jeni në dijeni nga dita e hënë, 11 maj do të ketë një tjetër lehtësim masash. Nga nesër shtohen si zona të gjelbra bashkitë: Lushnjë, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejës, Kavajë dhe Vorë, me të njëjtat rregulla.

Në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbra me automjet privat, duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njëjtës familje, deri në orën 21:00.

Po kështu, lejohen të ushtrojnë veprimtarinë sipas protokolleve strikte të sigurisë, klinikat dentare, parukeritë, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare”.

Me tej, duke filluar nga data 11 maj të gjithë të riatdhesuarit do të vetëkarantinohen në banesë.

Pavarësisht lehtësimit të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i fton qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes COVID-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (10 Maj 2020)
Teste të kryera 10438
Raste pozitive 868
Raste të shëruara 650
Raste Aktive 187
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 87
Krujë 58
Shkodër 16
Kamëz 11
Fier 5
Kurbin 3
Elbasan 3
Mirditë 1
Berat 1
Durrës 1
Korçë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 12 raste të reja me COVID-19, 75% e të prekurve janë shëruar Read More »

Ujëvara e Shëngjergjit, destinacion për turistët vendas e të huaj

Ujëvara e Shëngjergjit është shndërruar në një destinacion të lakmuar për kryeqytetasit, si dhe turistët e huaj, që gjithnjë e më shumë po vizitojnë zonën.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot pamje nga kjo ujëvarë, e cila është kthyer në destinacion për turistët vendas e të huaj që vizitojnë këtë zonë.

“Mirëmëngjes me këtë peizazh nga ujëvara e Shëngjergjit në Tiranë”, tha Rama.

Vetëm 1 orë nga Tirana ndodhet Shëngjergji, një nga bukuritë më impresionuese të Malësisë së Tiranës. Pasi ke përshkuar afro 22 km nga Tirana, në krah të majtë të rrugës për në Shërgjergj, ndodhet Ujëvara e Shëngjergjit, një mrekulli nga pikëpamja e peizazhit.

Ajo gjendet pranë fshatit dhe ka një lartësi prej 30 metrash. Ujëvara furnizohet me ujë nga Mali me Gropa dhe ushqen me ujë përroin, uji i të cilit përdoret dhe për vaditje.

Turizmi familjar është bërë kryefjalë në Shëngjergj, aq më shumë që Shëngjergji bën pjesë tashmë në projektin e 100 fshatrave të ndërmarrë nga ana e qeverisë, ku përparësi kanë projektet në fushën e agroturizmit./atsh

Ujëvara e Shëngjergjit, destinacion për turistët vendas e të huaj Read More »

Soreca: Shqipëria, në etapën e fundit të rëndësishme të integrimit në BE

“Është shumë e rëndësishme për ne, Bashkimin Europian të ndihmojmë miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor, në Shqipëri, për një arsye të thjeshtë: sepse e ardhmja juaj është me ne, në BE”, deklaroi sot ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, duke përshëndetur koncertin e organizuar me rastin e Ditës së Europës.

Ambasadori tha se “këto nuk janë fjalë, por fakte”. “Në mars ne bëmë një hap shumë të madh pranë këtij objektivi të përbashkët, ku BE-ja vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, që tani ka hyrë në etapën e fundit të rëndësishme të rrugës së saj drejt integrimit në BE”, tha ai.

Soreca tha se “sot në Ditën e Europës, si asnjëherë tjetër, fatkeqësisht nuk mund të mblidhemi për ta festuar”.

“Kriza e COVID-19 e ka ndryshuar në mënyra që ishin të paimagjinueshme disa javë më parë! Na mungojnë familjet tona, na mungojnë miqtë tanë. Izolimi dhe pasiguritë po vënë në provë durimin dhe qëndrueshmërinë tonë. Jemi në një çast kritik, kur e ardhmja jonë e përbashkët, mbështetet te përgjegjësia jonë individuale. Pandemia në Shqipëri erdhi pas tërmetit, pasojat tragjike të të cilit i vuajnë ende shumë njerëz. Ne e dimë që çdo krizë mund të nxjerrë më të keqen dhe më të mirën te njerëzit dhe kombet”, tha ai.

Ambasadori Soreca u shpreh se “ne mbështesim njëri-tjetrin, mbështesim miqtë tanë dhe Shqipëria është ndër miqtë shumë të rëndësishëm për ne”.

“Dhe për të përballuar situatën me COVID-19, BE ka dhënë tashmë për Shqipërinë 230 milionë euro ndihmë financiare. Pas tërmetit Bashkimi Europian u mobilizua me shpejtësi për Shqipërinë. Së pari me kërkimet dhe shpëtimin, pastaj me ndihma të menjëhershme dhe tani me rindërtimin. Për këtë KE po investon 150 milionë euro, gjithsej BE ka premtuar 400 milionë euro. Do të ndihmojmë rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të vendit”, tha ai./atsh

Soreca: Shqipëria, në etapën e fundit të rëndësishme të integrimit në BE Read More »

Basha: Qeveria varfëroi edhe më shumë njerëzit gjatë pandemisë

“Qeveria varfëroi edhe më shumë njerëzit”, deklaroi sot kryetarit të PD, Lulzim Basha në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarët ku fokus ishte ishte gjendja e ekonomisë.

Basha tha se, “pandemia ekonomike po i zë vendin me shpejtësi pandemisë COVID-19. Është një problem, i cili po zmadhohet me një shpejtësi të frikshme dhe po prek të gjitha familjet shqiptare, duke shkaktuar pasiguri, varfërim dhe papunësi në të gjithë shtresat e popullsisë, natyrisht në veçanti ata që janë më të pambrojtur dhe në pamundësi ekonomike”.

“Fatkeqësisht sjellja e qeverisë Rama gjatë pandemisë i ka bërë edhe më të varfër, ndërkohë që po e shtyn Shqipërinë drejt një krize edhe më të thellë ekonomike”, tha kreu i opozitës.

“Ky është një shqetësim të cilin e paraqitëm prej ditës së parë, ku kërkuam krahas masave për mbrojtjen e popullsisë dhe për sigurimin e mjeteve të mjaftueshëm shëndetësore për të gjithë aspektet e përballjes me pandeminë që nga testimi e deri tek trajtimi i të sëmurëve, të merreshin urgjentisht masat për ekonominë, kërkesat tona bazoheshin në një analizë realiste të gjendjes ku gjendet vendi, edhe para pandemisë, edhe para tërmetit të 26 nëntorit”, tha Basha.

“Shqipëria në këto vite që nuk ka ecur me të njëjtën ritëm si vendet e rajonit por ka bërë pas. Vetëm para pak vitesh Shqipëria dhe Serbia kishin të njëjtën borxh publik 70% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sot Shqipëria vazhdon të ketë një borxh të lartë i cili, po të kihet parasysh edhe faturat e koncesioneve, përllogaritet deri në 84%, Serbia ka shkuar në 54.6%; ka ulur borxhin, ka financuar eksportet, ka financuar teknologjinë e informacionit, ka shtuar vendet e punës”, theksoi Basha.

“Ndërkohë që ne vetëm gjatë këtyre 8 javëve për shkak të mungesës totale të kujdesit për njerëzit, për ekonominë dhe për vendin kemi humbur vetëm sipas Tatimeve mbi 60 mijë vende pune, shifra mund të jetë dy herë më lartë se kaq. Le të marrim Kosovën, përmes formalizimit kryesisht ka shënuar 6 mijë vende të reja pune gjatë këtyre dy muajve. Edhe një herë vetëm sipas Tatimeve ne kemi humbur 10 herë më shumë, 61 mijë vende pune”, u shpreh Basha./atsh

Basha: Qeveria varfëroi edhe më shumë njerëzit gjatë pandemisë Read More »

Parashikimi i motit, e shtunë 9 maj 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije sot moti do të jetë me diell e vranësira të lehta kalimtare.

Era do të fryjë nga kuadrati i jugut e lehtë e mesatare në bregdet, gjë e cila do të sjellë rritje temperaturash si në mëngjes dhe në mesditë.

Valëzimi në dete parashikohet 3 deri 4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 11/25 diell
Kukës 9/25 diell re
Lezhë 12/27 diell
Dibër 7/23 diell re
Durrës 12/25 diell
Tiranë 10/27 diell re
Elbasan 12/28 diell
Berat 8/28 diell
Vlorë 11/25 diell
Korçë 7/20 diell re
Gjirokastër 8/26 diell re
Sarandë 12/25 diell/atsh

Parashikimi i motit, e shtunë 9 maj 2020 Read More »

Abuzimet me çmimet në tregje/ Braçe: Blini në Divjakë, jo tek të tretët

Zëvendëskryeministri Erion Braçe, tha sot se çmimi i patates dhe i qepës do të jetë i njëjtë nga të gjithë fermerët e Divjakës.

Braçe thekson se patatja dhe qepa nga sot e tutje do të shitet me 40 lekë kg, duke iu bërë thirrje tregtarëve që të blejnë në Divjakë, për të shmangur abuzimet me çmimet.

“Këto janë çmimet e qepës dhe patates; Prej mëngjesit të sotëm, bujqit e Divjakës kanë vendosur çmimi i qepës së thatë: 40 lekë/kg’, çmimi i patates së re: 40 lekë/kg. Boll tregtarët morën mall pa lekë në Divjakë duke u pasuruar në kurriz të bujqve. Blini direkt në Divjakë! Mos blini në dorë të dytë e të tretë! Ejani në Divjakë e merrni mallin drejtpërdrejtë me këto çmime”, shprehet Braçe. /atsh

Abuzimet me çmimet në tregje/ Braçe: Blini në Divjakë, jo tek të tretët Read More »

Mbështetja financiare, 5,41% e PBB-së; 63 042 punonjës kanë marrë “pagën e luftës” deri tani

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mbështetja e qeverisë për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 në vendin tonë ka qenë 5,41% e PBB.

“Instituti i Studimeve Ndërkombëtare të Vjenës, i cili është një institut shumë prestigjioz dhe që flet për gjerësinë e mbështetjes në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto, thotë: Më 16 prill (mos harrojmë që jemi para paketës së dytë), Shqipëria 3,2%. Bosnjë-Hercegovina 3,3%, Bullgaria 2,4%, Republika Çeke 3%, Kosova 3,1% dhe më pas vazhdon me Lituaninë e këto të tjerat”, tha Rama në një intervistë televizive.

“Fondi shtesë për sektorin e shëndetësisë 0,15%, mbështetja e biznesit të vogël, të vetëpunësuarve që janë detyruar të mbyllin aktivitetin e tyre etj etj 0,39%. Mbështetja për të papunët në bizneset dhe industritë më të prekura 0,42%, rritja e shpenzimeve të emergjencës për ndihmat humanitare 0,12%, pagesa e tatimfitimit për ndërmarrjet e vogla, 0,02%, fondi i garancisë 0,66%, qeveria për kosto e interesit 0,02%, fondi i garancisë së pjesshme për kompanitë e prekura 1,79%, heqja e kamatëvonesave 0,89% etj. Në fund del 5,41%. Që të jemi të qartë. Ky është kontributi i qeverisë shqiptare. 5,41% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar”, tha Rama.

I pyetur se sa para kanë marrë shqiptarët cash nga pagat e luftës, Rama tha se, “po të jap të përditësuar shifrat e ditës së djeshme. Të sotmen e kisha, por nuk e kam parë akoma. Deri dje, për paketën e parë, kemi 69 532 aplikime dhe 63 042 punonjës që kanë marrë paratë dhe i kanë në xhep”, tha Rama.

Rama tha se, “vlera e paguar në transhin e parë, se janë tre transhe për punonjësit e paketës së parë është sot që flasim 1 miliard e 571 milionë e 622 mijë lekë të reja. 2950 persona të tjerë janë aktualisht për t’u paguar se janë bërë verifikime ankesash”.

“Më pas problemi i madh i këtij procesi është se disa që ankohen kanë çuar llogaritë bankare gabim kështu që po ripërsëritet dhe e dyta kemi problemin e tatimpaguesve që nuk kanë bërë aplikimin si duhet”, tha Rama.

“Vazhdojmë me paketën e dytë janë aprovuar për 31 mijë e 445 subjekte dhe faktikisht janë 102 mijë individë. Në total numri i përgjithshëm i tyre që kanë marrë pagë sot që flasim është afro 150 mijë”.

“65 milionë dollarë është mbështetja për bizneset e vogla, që shkojnë për paketën e parë. 7 miliardë e 40 milionë është e dyta, që është paketa e 400 mijë lekëshit. Të dyja bashkë këto janë pagesa direkte nga shteti”, theksoi kryeministri.

“Vazhdojmë me kamatëvonesat se janë para, të cilat do i paguajnë, por nuk ua merr shteti. Kamatëvonesat janë 15 miliardë lekë, 150 milionë dollarë të tjera që janë para që rrijnë në xhepat e tyre. 150 milionë të tjera, janë tatimfitimi për biznesin që janë të falura. Tani çfarë janë këto kur unë them që unë si shtet do t’i fal këto nuk quhet kjo mbështetje”, tha Rama. /atsh

Mbështetja financiare, 5,41% e PBB-së; 63 042 punonjës kanë marrë “pagën e luftës” deri tani Read More »

Numri i testimeve/ 100% besim tek ekspertët shqiptarë, rezultati është në favor të tyre

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk i bindet Kryeministrit, por i bindet Kryeministri Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Në një intervistë në media, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se testimi i COVID-19 bëhet bazuar në gjurmimin e kontakteve dhe se strategjia është e koordinuar dhe e miratuar nga OBSH.

OBSH, vuri në dukje Kryeministri, ka përfaqësues në vendin tonë, me të cilët bashkëpunojmë.

Falë kësaj strategjie, tha Kryeministri, Shqipëria ka sukses spektakolar në këtë fazë të parë, ndërsa theksoi se në fazën e dytë do të jetë më e vështirë, sepse hapja sjell më tepër risqe.

“Në pozitën dhe rolin që kam unë duhet të jem një nxënës i mirë e i vëmendshëm për të mësuar jo si bëhen testimet, por logjikën e gjërave dhe për të qenë në gjendje të jap përgjigje, kur del përballë një gazetari. Dhashë një përgjigje, bazuar nga ajo që unë di nga ata që merren me këtë punë. Unë them që ai komiteti që ti e quajte komitet parti, sot meriton të gjithë admirimin tim për shkak të rezultatit. Nëse ai do të thoshte se kemi testime të mjaftueshme dhe rezultati do të ishte keq, do të binte një barrë të madhe për ta. Çfarëdo që të thotë partia juaj i merr era”, shtoi Kryeministri Rama gjatë intervistës.

Rama u shpreh se ne jemi gati të përballojmë çdo lloj situate.

“Ia kam thënë kryetarit të partisë tënde, në rast se Komiteti i Ekspertëve deklaron se na duhen 10 mijë teste në ditë, unë i kam siguruar se do t’i gjenim. Numrin e testeve nuk e përcakton PD me 7X7=42, as media, por ekspertët. Faktet flasin vetë”, deklaroi Rama.

Lidhur me akuzat e ngritura nga opozita për sigurimin e mjeteve mbrojtëse për mjekët e infermierët në vijën e parë të fronit, Rama u shpreh se “ne i kishim të siguruara”, sepse, tha Rama, “nëse nuk do t’i kishim patur, situata do të ishte si në Itali, Nju-Jork apo Angli”.

“Nuk kemi asnjë fatalitet dhe mjekët e infermierët ishin të mbrojtur, siç dëshmonte fotografia triumfaliste e një mjeku protestues aktiv të partisë tuaj, i cili nga një anë kishte fotografuar veten si kozmonaut, e nga ana tjetër dilte e fliste për mungesë të mjeteve mbrojtëse për mjekët e infermierët”, deklaroi Kryeministri.

Sipas Kryeministrit, tjetër është realiteti shqiptar dhe tjetër deklaron opozita reale, duke mos pasur lidhje me realitetin shqiptar.

“Unë i besoj 100% ekspertëve tanë dhe rezultati është në favor të tyre”, deklaroi Kryeministri.

Rama siguroi se qeveria i kishte filluar përgatitjet për t’u përballur me situatën me kohë. /atsh

Numri i testimeve/ 100% besim tek ekspertët shqiptarë, rezultati është në favor të tyre Read More »