Irina

Brataj apel qytetarëve: Shifrat ulen brenda dy apo tri javëve nëse zbatoni 3 rregulla

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, gjatë një interviste televizive, pasditen e të martës është shprehur se zbatimi i tre rregullave nga qytetarët si: mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, distancimi fizik dhe higjiena, do bëjnë të mundur uljen e numrave të të infektuarve brenda dy apo tri javëve.

Shefi i Urgjencës Kombëtare Shëndetësore ka shpjeguar rritjen e rasteve me koronavirus përgjatë muajit të fundit, duke deklaruar se kjo ka ardhur për shkak të lirimit të masave të sigurisë.

“Me hapjen e masave do të kishte një rritje të të infektuarve dhe të sëmurëve, po ashtu dhe viktimave. Kjo është një formulë që ecën paralel. E pamë që izolimi dhe distancimi fizik funksionon. Nëse ne nuk do të ishim më pak se 1 metër e gjysëm larg nga njëri-tjetri do kishim më shumë të infektuar. Suedia ka deklaruar se po të ishte ndjekur izolimi nuk do kishim këtë numër viktimash. Ishin disa kushte që ndikuan në numrin e ulët në muajt e parë. Ndoshta u zgjat pak më shumë dhe njerëzit kishin një padurim për të dalë”, – tha Brataj

“Zgjatja e karantinës çoi deri në 2 të infektuar në ditë. Në muajin e dytë dhe të tretë njerëzit u shfaqën më të zhgënjyer. Këto çuan në uljen e vigjilencës nga njerëzit. Pas hapjes pati një javë pa rritje dhe u mendua se u zhduk koronavirusi. Këto shifra do të jenë reale dhe në muajin korrik. Janë procese fiziologjike të sëmundjes. Sado masa të marrësh, tashmë transmetimi është komunitar, nuk ka më një vatër. Nga 23 janari për ngritjen e Komitetit të Ekspertëve janë shpërndarë mjete mbrojtëse, veç trajnimit të personelit”, – tha Brataj.

Ai tha se njerëzit tashmë duhet të mësohen të bashkëjetojnë me virusin. Sipas tij, qytetarët nëse zbatojnë tre rregullat kryesore për mbajtjen e maskave në ambientet e mbyllura, ruajtjen e distancës dhe higjienën, shifrat do të bien brenda dy-tri javësh.

“Çdo qytetar që ka simptoma ta konsiderojë veten pozitiv dhe të sillet sikur është pozitiv. Tamponi ka një përqindje gabimi 20% në të gjithë botën. Me njerëzit asimptomatikë mund të jetë më shumë deri në 50%. Prandaj tamponi duhet të bëhet kur ke simptoma. Po të zbatohen rregullat për dy-tri javë do ulen shifrat. Ne duhet të bashkëjetojmë me virusin. Të vëmë maskën, të zbatojmë distancën dhe të ruajmë higjienën”, – tha Brataj. /atsh

Brataj apel qytetarëve: Shifrat ulen brenda dy apo tri javëve nëse zbatoni 3 rregulla Read More »

Pandemia/ Basha takim me mjekë e specialistë të fushës: Vendi pa menaxhim të situatës

Situata për sa i përket përhapjes së COVID-19, ka dalë jashtë kontrollit”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në takimin e zhvilluar me mjekë dhe specialistë të fushës së bashku me departamentin e shëndetësisë në PD.

Basha tha se “numri i të infektuarve po rritet çdo ditë. Me dhjetëra ankesa vijnë nga familjarë, të cilëve iu është identifikuar një pjesëtar si i infektuar, ndërsa atyre nuk u bëjnë tamponin, duke zgjeruar kështu zinxhirin e infeksionit. Dështimi me menaxhimin e situatës çoi dëm sakrificën e 3 muajve izolim. Sot qytetarët po përballen me një rritje të numrit të viktimave, të të prekurve me COVID-19, shoqëruar dhe me krizën e rëndë ekonomike”.

“Vatrat kryesore të infeksionit tani janë spitalet dhe qendrat shëndetësore. Përhapja e virusit në spitale ka rritur ndjeshëm numrin e personelit mjekësor të prekur me COVID-19, si dhe infektimin e qytetarëve që marrin ndihmë për sëmundje të ndryshme. Virusi është evidentuar tashmë kudo, në polici, në kopshte e çerdhe, në zyrat e shtetit e kudo. Qeveria është dorëzuar dhe nuk po merr masa parandaluese, duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve. Karantina 3-mujore shërbeu vetëm për vjedhjen e miliona lekëve përmes tenderave sekretë, pasi qeveria nuk mori asnjë masë për kujdesin ndaj qytetarëve pas lehtësimit të kufizimeve”, theksoi Basha.

“Kemi që në mars që presim përgjigje për këto pyetje: Sa është numri i kiteve të testimit që ka në dispozicion Shqipëria dhe çfarë po bëhet me sigurimin e tyre? Si po trajtohen të infektuarit që ndodhen në qytete të tjera të vendit”. A po mbështeten financiarisht mjekët dhe infermierët, që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushte tejet të vështira? A ka qeveria në dispozicion fonde për të rritur kapacitetet testuese? Sot është jetik testimi horizontal i personelit dhe pacientëve për të gjurmuar, identifikuar sa më parë dhe izoluar të infektuarit. Situata është jashtë kontrollit por qeveria hesht, ndërsa duhet të kishte marrë masa për aktivizimin e një rrjeti të gjerë laboratorësh publikë e privatë për testet molekulare e imunologjike. Në kushtet e përkeqësimit të situatës nga COVID-19, Shqipëria është pa plan dhe pa masa për pajisjen e popullsisë me maska gratis ose me çmime të përballueshme”, tha ai. /atsh

Pandemia/ Basha takim me mjekë e specialistë të fushës: Vendi pa menaxhim të situatës Read More »

Sezoni turistik/ 700 mijë lekë gjobë deri në mbyllje të aktivitetit në rast shkeljeje të protokolleve antiCovid

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli u shpreh se miratimi i Aktit Normativ për marrjen e masave të përkohshme për mbështetjen e sektorit të turizmit” synon për të mbrojtur më tej shëndetin e qytetarëve në kohën e turizmit, në kuadrin e pandemisë Covid-19.

E pranishme në Komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin, Rakacolli tha se, një turizëm i suksesshëm është i lidhur ngushtësisht me sigurinë shëndetësore e cila kushtëzohet nga dy mënyra; kushtet higjeno sanitare të favorshme dhe duke ofruar shërbim shëndetësor pranë qendrave turistike.

Ministria e Shëndetësisë ka në fokus respektimin e këtyre masave përmes kontrolleve për kushtet higjieno-sanitare apo edhe shtimin e qendrave shëndetësore të lëvizshme pranë pikave turistike që operojnë 24 orë në 24, por në kushtet e pandemisë këto masa bëhen dyfish më të rëndësishme, u shpreh Rakocolli.

Sipas saj, referuar treguesve, në Shqipëri ka një rritje të rasteve me Covid, ndonëse kjo nuk është një tendencë shqiptare, por vihet re edhe në botë. Gjithsesi theksoi ajo, “Komiteti Teknik në Shqipëri është i mendimit, se kjo rritje lidhjet me moszbatimin rigoroz të masave në protokollet tona të mbrojtjes nga përhapja e Covid-19”.

Rakacolli tha se, në këtë periudhë pandemie hapja e sezonit turistik e shton rrezikun e pandemisë, ndaj është shumë e rëndësishme zbatimi i protokolleve të masave mbrojtëse.

“Në aktin normativ të propozuar nuk janë parashikuar penalitete për ato subjekte apo struktura që ofrojnë shërbim turistik. Nëpërmjet këtij akti normativ parashikohet të penalizohen subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike në stacionet e plazhit dhe që nuk respektojnë rregullat dhe protokollet e sigurisë, të nxjerra nga organet kompetente, me
dënimin me gjobe 700 mijë lekë dhe, në rast përsëritjeje, iu shtohet edhe mbyllja e veprimtarisë nga inspektoratet përgjegjëse, duke synuar kështu të mbrohet shëndeti i turistëve në zonat e plazheve nga infeksioni Covid-19 si edhe mjedisi”- deklaroi Rakacolli.

Zv.ministrja bëri të ditur se, në datën 5 korrik janë kryer 619 inspektime në shkallë vendi për respektimin e protokolleve të masave antiCovid dhe për shkeljet e evidentuara janë marrë 6 masa administrative, dy në vlerën e 1 milion lekëve dhe 2 në vlerën e 100 mijë lekëve.

Rakacolli informoi komisionin se, në kuadrin e masave të mbrojtjes kundër Covid-19 aktiviteti i pishinave vijon të jetë i mbyllur në të gjithë vendin me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, deri në një vendim tjetër. Ndërsa inspektorët e shëndetësisë, tha ajo vijojnë kontrollet për dezifektimin e hapsirave në zonat turistike të vendit. /atsh

Sezoni turistik/ 700 mijë lekë gjobë deri në mbyllje të aktivitetit në rast shkeljeje të protokolleve antiCovid Read More »

“Menaxhim shumë herë më i mirë i hapësirës së plazheve”/ Klosi: Fluksi ka nisur, kontroll më i madh nga strukturat lokale

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në drejtimin e kryetarit Niko Peleshi, në mbledhjen virtuale të radhës, shqyrtoi dy akte normative të Këshillit të Ministrave, që lidhen me masat e marra nga qeveria për përballimin e situatës së pandemisë dhe efektit të saj në turizëm.

Fillimisht u shqyrtua Akti Normativ “Për marrjen e masave të përkohshme për mbështetjen e sektorit të turizmit”, i cili u prezantua nga Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit dhe u relatua për komisionin nga deputeti Ilir Beqaj.

Ministri Klosi sqaroi se Akti normativ përcakton masat e veçanta që do të merren në sektorin e turizmit për agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë dhe klientët e tyre në ofrimin e një shërbimi turistik, nga dita e shpalljes deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësië natyrore të shkaktuar nga COVID-19, me qëllim mbështetjen e sektorit të turizmit, si dhe parashikon rregulla për operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, si dhe klientët e tyre.

Klosi u shpreh se në të gjitha vendet e rajonit është bërë e njëjta procedurë, duke shtuar se: “ka qenë një ndër kërkesat e para që kanë pasur operatorët turistikë, të cilët në fillimin e pandemisë, kur dhe situata ishte ende e paqartë u gjendën përballë një presioni shumë të madh nga klientët, të cilit kishin prenotuar pushimet e tyre, madje kishin paguar një pjesë të pushimeve apo gjithë pushimet”.

Ai shtoi se Akti Normativ nuk ka efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit dhe brendia e tij është vendosja e një raporti të munguar kontraktor midis klientëve dhe kompanive turistike.

Klosi tha se tashmë jemi në fushën tonë “pusho shqip” apo “unë qëndrojë në Shqipëri” nisma që i shërben rigjallërimit të turizmit në vendin tonë, në kushtet e vështira që ka krijuar pandemia.

Ministri tha se, hapësirat publike në plazhe për qytetarët, janë në administrimin e bashkive dhe janë ato, që marrin përsipër menaxhimin e këtyre plazheve dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, kushtet higjenosanitare e kështu me radhë.

“Jemi në fillim të korrikut dhe fluksi në plazhe ka filluar ndaj kërkon impenjim më të madh kujdesi dhe kontrolli nga strukturat përkatëse lokale. Sot kemi ndarjen transparente të plazheve publike kundrejt hapësirës që i takon strukturës turistike dhe sot në të gjithë territorin e vendit kemi një situatë shumë herë më të mirë menaxhuar të këtyre hapësirave, ndryshe nga ç’ishte më parë, kur hapësirat e plazhit ishin të uzurpuara nga subjektet”- tha Klosi.

Ministri informoi se është hapur aplikimi onlinë në këto 5 ditë, pasi ka pasur një numër jo të vogël plazhesh për të cilat nuk është aplikuar ashtu siç duhet. “Asnjë kontratë me bashkitë, nuk është e vlefshme në asnjë rast se nuk aplikohet në e- albania”- u shpreh Klosi.

Ministri tha se angazhimi për menaxhimin e turizmit në kushtet e masave anticovid është një betejë për ekonominë. Në 1 qershor ne hapëm kufijtë me vendet e rajonit e më pas punuam për të pasur çarterat e parë me turistë nga jashtë dhe në qershor hynë 30% e 600 mijë turistëve që erdhën vitin e kaluar, pra kemi një lëvizje të turizmit rajonal dhe nëse do të ketë politika lehtësues nga BE presim një fluks në rritje”- tha Klosi./atsh

“Menaxhim shumë herë më i mirë i hapësirës së plazheve”/ Klosi: Fluksi ka nisur, kontroll më i madh nga strukturat lokale Read More »

“Fluks çarterash me turistë në vendin tonë”/ 185 mijë të huaj kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion turistik që nga 1 qershori

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u shpreh se, bregdeti, është një pasuri e madhe kombëtare e vendit tonë dhe politikat lehtësuese që ka ndërmarrë qeveria kanë sjellë një zhvillim të qenësishëm.

Gjatë një interviste televizive, ministri Klosi vlerësoi se impakt në zhvillimin e turizmit veçanërisht në qytetin e Vlorës i kanë dhënë edhe investimet në vepra strategjike të rëndësishme të infrastrukturës krahas investimeve të sipërmarrjes private që siç tha ai arrijnë deri në 600 milionë euro investime në turizëm ku dhjetra milionë euro janë investime në restorante.

“Vetëm këtu në Lungomare ka 3-4 struktura të reja hoteliere. Ka disa hotele që po zhvillohen me markat nga më të njohurat në botë. Projektet vijojnë se janë në fazën e investimeve. Ndërsa synojmë zgjerimin e kapaciteteve akomoduese që arrijnë deri në 3100 të tilla”- tha Klosi.

Duke u ndalur në vështirësitë që solli situata e COVID-19 dhe zbatimin rigoroz të protokolleve të sigurisë për mbrojtjen e shëndetit, Klosi tha se kanë nisur çarterat e parë të vijnë në vendin tonë ndërsa në mesin e muajit korrik presim turistët nga Polonia.

“Ndërsa hapja e transportit detar do të shtojë fluksin e turistëve nga Italia. Hapja e kufijve më 1 qershor ka sjellë 185 mijë turistë në vendin tonë, që janë 30% e turistëve që kanë hyrë në qershorin e vitit të kaluar. Ndërsa në javën e parë të korrikut kanë hyrë, pothuajse i njëjti numër turistësh, sa në javën e parë të 2019. Pra ka një lloj lëvizje”- tha Klosi.

“30% të turistëve e përbëjnë turistët e ardhur nga Kosova ndërsa 65% ose 4 milionë pasaporta të tjera nga 65 shtete të botës vizituan vendin tonë vitin që shkoi”- tha Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se, “sektori i turizmit është mbështetur nga qeveria përmes dy paketave të mbështetjes dhe sot strukturat akomoduese në turizëm janë të hapura. Çarteri i parë i turistëve nga Bjellorusia ndaloi në Shqipëri, ndërsa regjistrohen 3- 4 çartera në javë. Ka filluar tashmë Ukraina të punojë në mënyrë permanente me Shqipërinë, dhe këto janë tregues pozitivë, megjithëse është e vështirë të bësh përllogaritje në kushtet e COVID-19”./atsh

“Fluks çarterash me turistë në vendin tonë”/ 185 mijë të huaj kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion turistik që nga 1 qershori Read More »

Parashikimi i motit, 7 korrik 2020

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak moti për ditën e sotme parashikohet me kthjellime dhe shtim gradual të vranësirave në orët e mesditës.

Parashikohet që reshjet e shiut do të bëhen prezente në orët e mesditës. Në bregdetin jugperëndimor reshjet e shiut do të jenë më intensitet të ulët, ndërsa në relievet malore reshjet do të jenë në formën e shtrëngatave afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Era do të jetë me drejtim verilindje- veriperëndim me shpejtësi deri në 18m/s, e pasuar nga valëzim i forcës 3-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/32 diell re
Kukës 19/32 diell shi
Lezhë 21/31 diell re
Dibër 16/26 diell shi
Durrës 22/33 diell re
Tiranë 20/33 diell re
Elbasan 19/31 diell shi
Berat 17/33 diell shi
Vlorë 19/31 diell shi
Korçë 13/24 diell shi
Gjirokastër 17/32 diell shi
Sarandë 15/33 diell re/atsh

Parashikimi i motit, 7 korrik 2020 Read More »

Brataj: Virusi ekziston, infekton dhe vret, respektoni këto 5 rregulla

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj, deklaroi sot se koronavirusi është real, infekton dhe vret.

Në një reagim kundër atyre njerëzve që sipas tij hiqen si ‘gjithollogë’ dhe besojnë se dinë gjithçka Brataj tha se “ju lutem mos shkaktoni më konfuzion! Koronavirusi ekziston, Koronavirusi infekton, Koronavirusi sëmur, Koronavirusi merr jetë, Jeta e radhës që do të humbi, mos harro, mund të jetë e jotja”.

“Ju lutem na lini të shpëtojmë jetë njerëzish, na jepni kohë të mposhtim virusin, na jepni kohë të sqarojmë qytetarët, na jepni kohë të shërojmë plagët e virusit”, – u shpreh Brataj.

Mjeku Brataj i bën thirrje qytetarëve që të ndjekin 5 rregullat e higjienës dhe mbrojtjes ndaj këtij virusi që ka mbi 6 muaj që ‘po gjunjëzon’ mbarë njerëzimin.

“Prandaj për të ruajtur veten dhe familjen tënde ndiq këto pesë këshilla: mbaj maskën në ambientet e mbyllura, mbaj distancën 1.5 metër, zbato rregullat e higjienës, mos lejo të tjerët t’i shkelin këto rregulla dhe mos e përdor profilin fals deri sa virusi të ikë”, shprehet ndër të tjera Brataj./atsh

Brataj: Virusi ekziston, infekton dhe vret, respektoni këto 5 rregulla Read More »

“Sezon turistik të suksesshëm”/ Kryebashkiaku Leli: Presim fluks turistësh, Vlora destinacion turistik elitar në vitet që do vijnë

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, deklaroi sot se “ne pretendojmë të kemi një sezon turistik të suksesshëm , por e gjithë kjo ka një varësi të fortë nga ajo që ka përgjunjur njerëzimin COVID-19”.

Në një intervistë televizive, kryetari Leli tha se “situata në të cilën ndodhemi na bën të mendohemi të jemi skeptikë, të mendohemi më shumë për të lëvizur dhe absolutisht është e justifkikuar dhe e pritshme pavarësisht përpjekjeve të mëdha që ne jemi duke bërë bashkë me operatorët turistikë në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës, por jo vetëm në Vlorë, në të gjithë Shqipërinë janë duke u përpjekur të sjellin fluks turistësh në qytet”.

“Situata që kemi kaluar , apo që po përjetojmë akoma janë ato ngërçet tek njerëzit që bëjnë më pak skeptikë për të ndërmarrë udhëtime”, – tha Leli.

Duke folur për turizmin, Leli tha se “plazhet në qytetin bregdetar në fundjavë kanë qenë e të populluara, qyteti plot, hotelet kanë një rritje të numrit e të pronotimeve dhe shpresoj se përmirësimi i kushteve atmosferike do të sjellë më shumë vizitorë”.

Më tej ai tha se “qytetarët e Vlorës e duan cilësinë e jetës, infrastrukturën që ju shërben. 450 biznese të reja janë hapur vetëm në Lungomare. Këtu ka pasur situata vetëm të ndërtonin objekte sot ka shumë ndërtues që lejet për pallate duan t’i kthejnë në hotele për t’ju shërbyer qytetarëve. Kemi arritur në një situatë shumë pozitive ku më shumë leje i japim për hotele dhe jo për pallate”.

Lidhur me vendosjen e çadrave në plazhe, Leli tha se “midis hapësirës me çadra ka pjesë pa çadra, janë për banorët që të dalin si turistë të lirë pa pasur nevojë të paguajnë për një çadër. Kjo ka ndodhur brenda të gjithë vijës bregdetare”.

Kryebashkiaku Leli bëri të ditur se “nga zona e tunelit në drejtim të Orikumit do kemi një tjetër projekt, ku do të bëhet rikonstruksion total, do ketë 2 bypass-e që të devijohet trafiku. Do bëhet një shëtitore jo si Lungomare, por me një standard shumë të mire”.

Ai u shpreh se me rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali”, Vlora është bërë edhe një atraksion historik.

“Bulevardi Ismail Qemali është rikonstruktuar. Kur isha në Kosovë thashë të ftoj ata që e ndjejnë dhe duan të vijnë në një vend që ka shumë histori. Dhe pastaj të shkosh tek rruga historike ku kaloi Ismail Qemali kaloi tek shtëpia e Marigosë që qëndisi flamurin është diçka e papërsëritshme”, – tha Leli.

Kryebashkiaku Leli tha se “kemi shumë për të bërë, por në sezonin turistik na takon të promovojmë më tepër vlerat të tregojmë anët pozitive, se po të shikojmë problematikat janë aty dhe do vazhdojnë të zgjidhen. Por duhet të ketë një klimë pozitive për të bërë më tepër ekonomi”.

“Qasja pozitive nuk është vetëm politike, por është strategjike për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri Vlora është nga ato potencialet turistike më të rëndësishme qe ne kemi në gjithë territorin e vijës bregdetare dhe çdo investim ka justifikuar shpenzimin e parave publike për të shndërruar Vlorën në destinacionin turistik elitar në vitet që do të vijnë”, – tha Leli. //atsh

“Sezon turistik të suksesshëm”/ Kryebashkiaku Leli: Presim fluks turistësh, Vlora destinacion turistik elitar në vitet që do vijnë Read More »