Finlanda dhe Suedia regjistruan temperaturat e tyre më të ftohta të dimrit ditën e sotme, pasi termometri shënoi në minus 40 gradë Celsius.
I ftohti dhe bora ndërprenë transportin në të gjithë rajonin, përfshirë Norvegjinë ku një autostradë kryesore në jug u mbyll për shkak të motit dhe linjat e trageteve pezulluan funksionimin. Operatorët suedezë të trenave thanë se të ftohtit shkaktoi probleme thelbësore për trafikun hekurudhor në veriun e Arktikut.
Nikkaluokta, një fshat i vogël i banuar nga banorët indigjenë Sami në Suedinë veriore, regjistroi një temperaturë prej minus 41.6 gradë, njoftoi transmetuesi publik suedez SVT.“Është temperatura më e ftohtë që kemi pasur deri më tani këtë dimër dhe do të vazhdojë të jetë mot mjaft i ftohtë në veri,” tha meteorologu i SVT, Nils Holmqvist.Instituti Meteorologjik dhe Hidrologjik Suedez raportoi temperatura deri në minus 30 gradë në disa vende në veri të Suedisë dhe lëshoi një paralajmërim për borë dhe erë në Suedinë qendrore dhe jugore. Paralajmërimi i tij i dytë më i lartë zbatohet nga mesnata deri të mërkurën.
Në Finlandën fqinje, rekordi i ftohtë i këtij dimri u regjistrua në qytetin veriperëndimor të Ylivieska, ku temperaturat ranë në minus 37.8 C dhe parashikuesit thanë se temperaturat do të ishin më të ulëta se minus 40 C në pjesë të vendit gjatë javës.
Temperaturat në kryeqytetin finlandez, Helsinki, pritej të lëviznin midis minus 15 dhe minus 20 C.
Në qytetin jugor të Norvegjisë, Arendal, zyrtarët thanë se shkollat do të mbylleshin të mërkurën sepse nuk ishte e mundur të pastroheshin trotuaret në kohë që fëmijët të shkonin në shkollë. Disa kompani tragetesh në të gjithë rajonin anulluan udhëtimet, duke përfshirë ato nga Norvegjia jugore në Danimarkë, ku një urë kyçe u mbyll për automjetet me rimorkio të lehta për shkak të erërave të forta, thanë zyrtarët danezë.
Një aksident ka ndodhur në Itali, ku për pasojë një 38-vjeçar shqiptar humbi jetën. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 2 janarit në provincën e Kremones, ndërsa mediat në shtetin fqinj raportojnë se shqiptari humbi kontrollin mbi makinën dhe është përplasur me një parmak.
Përplasja ka qenë fatale dhe pavarësisht ndërhyrjes së policisë dhe forcave zjarrfikëse për të shpëtuar shqiptarin, ata nuk kanë mundur të mbajnë në jetë 38-vjeçarin. Hetimet për aksidentin vazhdojnë, ndërsa paraprakisht dyshohet se shqiptarin e kishte zënë gjumi.
Edhe pse e moshuara ka tre fëmijë, ajo dergjet në shtat e vetme
Varfëri, mjerim dhe probleme pa fund. Kështu mund të përmblidhet me pak fjalë historia e 71-vjeçares Liljana Kovaçi, nga Elbasani.
E moshuara vuan nga shumë sëmundje, ndërkohë që ka 13 vite që dergjet në shtrat e vetmuar dhe muajt e fundit ka pësuar edhe paralizë.
“Kam problem shëndetësor, kam vite që jam rrëzuar, kam rënë nga tarraca mbrapsht me kokë. Jam shtruar në urgjencë disa herë te neurologu”, tregon e moshuara.
Mes sëmundjes së rëndë dhe varfërisë, 71-vjeçarja me lot ndër sy apelon për ndihmë në mënyrë që të arrijë të plotësojë kushtet bazë dhe siç ajo thotë, të jetojë.
“Unë kam probleme shëndetësore dhe përveç kësaj jam paralizuar. Kam gati dy muaj që unë nuk luaj këmbë e duar, kam një muaj që as ha as pi. Nuk kam njëri kush të më bëj hyzmet, kush të më japë një gotë ujë. Vetëm azili me sjell bukën e drekës një vakt e unë gjithë kohën rri pa ngrënë. Edhe për t’u ngritur për të shkuar në tualet, do eci këmbadoras, do rrëzohem. Kur jam rrëzuar, ka ardhur ambulanca dhe policia dhe ka gjetur dy dyert mbyllur”, thotë 71-vjeçarja.
Edhe pse Liljana ka tre fëmijë, ajo dergjet në shtat e vetme, duke mos pasur mundësinë as të ushqehet.
“Më kanë vdekur motra, vëllezër, kam një motër në Durrës ajo është sëmurë për vete. Fëmijët kanë vite që kanë ikë, unë kam gati 17 vjet që më kanë braktisur kalamajtë në këtë kuzhinë. Unë kam tre fëmijë, dy çuna, një gocë. I vogli është 45 vjeç, u martua dhe ka ikur në Itali me gjithë gruan”, tregon e moshuara.
Duket e pabesueshme që në vitin 2024, 71-vjeçarja të jetojë në këtë gjendje. Në shtëpinë përdhese e me lagështi nuk ka asnjë orendi, teksa frigoriferi është bosh dhe dollapët pa ushqime.
Jozefina Topalli ka reaguar e revoltuar, pas masës së arrestit ndaj Sali Berishës.
Reagimi i Topallit
Vendimi i sotëm për arrestimin e kryetarit te opozitës (sepse ky i fundit ka zbatuar programin e tij elektoral) është ekzekutimi më brutal i opozitës (që sjell në memorie ekzekutimin e grupit të deputeteve nga Enver Hoxha ne ‘46).
Është mesazhi i tronditjes së besimit, se në vendin tonë do ketë më pluralizëm real apo shtet të së drejtës.
Vendimi i sotëm i gjykatëses së larguar nga sistemi i drejtësisë për korrupsion nga ish-Presidenti Berisha, është ironia më e pabesueshme e gjithë këtij procesi të turpshëm, të pastër politik.
Tashmë është e qartë për çdo njeri me nivel mesatar, se gjykatësit janë kthyer në noterë të hetuesve politikë!
Vendimi i sotëm për një dosje, që nuk ka çështje, nuk ka prova, nuk ka fakte, që është ngritur mbi shkelje të renda kushtetuese e ligjore, qe është iniciuar nga qeveria, e mbi të gjitha për fajin se ish-Kryeministri ka votuar për një ligj, që ishte në programin e tij elektoral, është një kujë për shtetin!
Vendimi i sotëm lartëson edhe më shumë kryetarin e opozitës z. Sali Berisha, i cili si askush tjetër ka mbrojtur pluralizmin e Kushtetutën siç i takon liderit që themeloi bashkë me bashkëpunëtorët e tij të kohës, partinë e parë opozitare kundër një prej diktaturave më brutale që ka njohur historia jonë.
Sali Berisha është politikani më i votuar në 3 dekada!
Vendimi i sotëm politik për arrestimin e ish-Presidentit, ish-Kryeministrit, kryetarit të opozitës vetëm ka ngjitur në piedestal Sali Berishën duke e kthyer në një titan; por na zvogëlon të gjithë ne të tjerëve, na zvogëlon e na turpëron si shoqëri.
Inkuizicioni kundër tij është i pabesueshëm.
Me vendim gjykate nuk e njohën si kryetar i Partisë Demokratike edhe pse ishte votuar nga një stërmaxhorancë e demokratëve. Kjo nuk ndodh as në regjimet autoritare.
Me vendim të turpshëm e politik të gjykatës i vodhën emrin e vulën e Partisë Demokratike.
Me vendim politik i hoqën emrin nga fleta e votimit, i hoqën të drejtën e përfaqësuesve të tij në komisione, i hoqën të drejtën e financimit të partisë, i hoqën emrin si drejtues i koalicionit.
Me vendim politik i futen në burg familjarët e tij.
Ndërkohë që çdo dite lexojmë për korrupsion të pabesueshëm të ministrave dhe ish-ministrave te rilindjes … e megjithatë ata janë të lirë.
E pastaj kur mendon që ky korrupsioni i pandalshëm i Beqajt psh, është shumë pak në krahasim me skemën e vjedhjes së shekullit të inceneratorëve… nuk të mbetet tjetër veç të mendosh edhe një herë se ky vend do vazhdojë të braktiset nga njerëzit, që vazhdojnë të ikin nëpër bote nga padrejtësia që përjetojnë.
Por, vendimi i sotëm për arrestimin e kryetarit të opozitës, shoqëruar me detyrimin për të mos komunikuar me askënd, është surreal.
Ky vendim ia kalon edhe vendeve si Mianmari (në Azine e largët), ku kane arrestuar kryetaren e opozitës, por nuk kanë shkuar deri aty sa t’i ndalonin komunikimin.
Kjo është shprehja më elokuente e faktit se vendimi i sotëm i gjykatëses është jo vetëm politik dhe i urdhëruar, por që demonstron urrejtjen dhe frikën që kane nga kryetari i Partisë Demokratike, z. Sali Berisha.
Frikë nga të vërtetat që thotë; frikë nga denoncimi i aferave e skandaleve qeveritare; frikë nga nominimi i kriminëleve që bashkëpunojne me pushtetin; frikë nga fakti se i vetëm ka mbledhur mbi gjysmë milion vota pa emrin e tij në fletë votimi, pa emrin e partisë përballë gjithë makinerisë së parave e bandave kriminale.
Sot Shqipëria është më e vogël.
Urdhëruesit dhe zbatuesit nuk arritën as të fshehin urrejtjen e hakmarrjen e tyre, aq sa vendimin e tyre e dhanë në prag të vitit të ri, ashtu siç firmosën shkresën e parë kundër z.Sali Berisha në ditën e datëlindjes së tij.
Edhe në kohë luftërash, në prag festash ka armëpushim.
Në këto kushte, vetëm reagimi i qytetarëve është rrugëdalja.
Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyre!
Ashtu si çdo vit, edhe 2023-shi ishte një vit ku nuk munguan vrasjet dhe ekzekutimet. Në disa raste pati vrasje për motive të dobëta, por nuk munguan atentatet dhe krimet e hakmarrjes. “Pamfleti” ka renditur 15 ngjarjet më të bujshme që tronditën vendin gjatë këtij viti. Padyshim ngjarja më e rëndë ishte ajo e 3 prillit, kur Dan Hutra vrau 3 gra. Sipas dosjes hetimore, Hutra i kishte përgatitur planin e ekzekutimit më herët. Sapo ai ka dalë nga burgu ka nisur me zbatimin e tij. Fillimisht ka marrë një makinë me qira dhe është nisur në Kukës aty ku ka marrë armën e zjarrit. Më pas ka shkuar në Astir ku ka plagosur 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi, pasi sipas tij i kishte një borxh prej 80 mijë eurosh. Pasi kreu plagosjen iu drejtua Kodër Kamzës ku u fut në shtëpinë e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa. Nga të shtënat mbetën të vrara motra dhe kunata e ish-partneres, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku. Vetë Elena Hysa mbeti e plagosur bashkë me nënën. Më pas Hutra ka marrë rrugën për në zonën e Kamzës ku në rrugën “Besëlidhja” ka ekzekutuar edhe Etleva Kurtin në derë të banesës së saj si shkak i konflikteve më të vëllain e saj brenda burgut. 40-vjeçari kishte objektiv edhe një tjetër person në zonën e Sharrës por që fatmirësisht u prandalua nga policia, e cila e arrestoi atë pas më shumë se 5 orë kërkime. Vrasje tjetër e bujshme ishte padyshim ekzekutimi i Ardian Nikulajt. Ardian Nikulaj u ekzekutua në 19 prill të këtij viti, në lokalin e tij. Më vonë u zbulua se bëhej fjalë për një grup të strukturuar, pasi dolën të përfshirë Edmond Haxhia dhe britanikët Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson.
Ardian Nikulaj po qëndronte ulur brenda biznesit të tij, kur portugezi, me skafandër hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Porositësi ishte Edmond Haxhia. Për kryerjen e kësaj vrasje, Edmond Haxhia mori një armatë të tërë bashkëpunëtorësh të huaj, të cilët për ditë me radhë vëzhguan Nikulajn në hotel për të kronometruar momentin e ekzekutimit. Pas ngjarjes, një pjesë e vrasësve u larguan nga Rinasi dhe të tjerë në rrugë tokësore në Greqi, por shumë shpejt u arrestuan një e nga një. Edmond Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt. Nikulaj ishte në hasmëri me fisin Lekstakaj prej vitit 1997 për shkak të një pretendimi se nuk janë paguar 10 mijë lekë të vjetra në një karburant. Kjo ngjarje solli dhe dy vrasje të tjera këtë vit. Fillimisht ekzekutohet me breshëri plumbash Nikolin Lekstakaj. I ndjeri u qëllua sapo doli nga një dyqan. Sipas dëshmitarëve okularë, viktima u godit për vdekje nga një automjet, ku në të ndodheshin 2 persona të maskuar. Më 2 dhjetor ekzekutohet brenda në makinë Entjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt. Atentatorët nga një makinë tjetër kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj fuoristradës së bardhë ML të Entjan Nikulaj. 40 vjeçari është transportuar në gjendje shumë të rëndë, në spitalin e Lezhës, për ndihmë mjekësore ku dhe ka ndërruar jetë. Vrasja e fundit që tronditi vendin ishte ajo në burgun e Peqinit ku Arben Lleshi, i dënuar me burg të përjetshëm ka mbetur i vrarë nga Sokol Mjacaj, i cili ka pranuar se armën e siguroi me ndihmën e gardianëve. Nga konflikti ka mbetur i plagosur Indrit Shaqja, një tjetër i dënuar me burg të përjetshëm, që fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Janë dhe një numër tjetër i madh vrasjesh që mund t’i shihni më poshtë.
Vrasjet që tronditën vendin gjatë vitit 2023
Vrasjet e ndodhur në janar
1 mars- Dan Hutra ekzekutoi me armë zjarri 3 gra brenda ditës.
3 prill- Ishte ora 23:30 e së dielës, 3 prill 2022, kur në autostradën Tiranë-Durrës biznesmeni i kromit Iliaz Çali po lëviztë në segmentin e autostradës Tiranë- Durrës, kur persona ende të pa identifikuar më një makinë e cila lëvizte në paralel me makinën e Çalit hapin zjarr.
29 mars- Vriten Altin Rexha nga Kukësi dhe Edmond Gosa. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit ku pas konfliktit Rexha ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë, ndërkohë që Gosa një thikë dhe janë përleshur me njëri-tjetrin deri sa kanë marrë plagë vdekjeprurëse.
19 prill- Ekzekutohet duke pirë kafe në lokalin e tij biznesmeni Ardian Nikulaj. Ai u vra nga një grup vrasësish britanikë. Ndërkohë ai që qëlloi ishte portugez, me origjinë marokene. Në janar pritet ekstradimi i tij në vendin tonë. Vrasja e Nikulajt ka sjellë një numër të madh vrasjesh në muajt në vijim.
2 maj- Një debat për lekët e qirasë u bë shkak për vrasjen e një 51-vjeçari në Shkodër. Vrasja ka ndodhur në momentin, kur Petrit Vuksani kishte shkuar në apartamentin e tij, të cilin e kishte lënë me qira kushëririt të tij Lek Vuksanit. Ky i fundit e qëlloi atë për vdekje.
21 Maj- Vritet Ajan Gosa në Kavajë. Shkak ishte hakmarrja, pasi ai është vëllai i Edmond Gosës që mbeti i vrarë më 29 mars.
Vrasjet e ndodhur në verë
29 qershor- Vrasje e dyfishtë në Dukagjin, qëllohet për vdekje kryeplaku i fshatit Bruçaj dhe djali i tij. Një zjarrëvënie e qëllimshme e shtëpisë së tyre në Dukagjin një natë më parë, ka bërë që Gjokë Gurra, 57 vjeç dhe Eduard Gurra, 31 vjeç, të shkojnë në vendin e origjinës së tyre për të parë dëmet e shkaktuara. Persona ende të paidentifikuar i kanë vënë flakën shtëpisë, ndërsa duket si një skenar i përgatitur për t’i zënë në pritë babë e bir.
19 korrik- Ekzekutohet me breshëri plumbash Nikolin Lekstakaj, i ndjeri u qëllua sapo doli nga një dyqan. Sipas dëshmitarëve okularë, viktima u godit për vdekje nga një automjet, ku në të ndodheshin 2 persona të maskuar. Dyshohet se njëri prej tyre ka hapur zjarr ndaj Nikolinit. Nga mënyra e saktë e realizimit të atentatit, besohet se vrasësit e kanë ruajtur për një kohë të gjatë babain e 3 fëmijëve. Dyshimet e para lidhen me mundësinë e hakmarrjes për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, 3 muaj më parë në 19 prill në hotelin e tij në Shëngjin. Kjo hipotezë paraprake ngrihet për shkak të mbiemrit të njëjtë që ka viktima me anëtarët e fisit Lekstakaj, të cilët janë në hasmëri prej 27 vitesh me fisin Nikulaj.
Vrasjet e ndodhur në vjeshtë
21 shtator- Vrasje në Shkodër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Hot i ri, ndërsa viktima është Valter Fierza, 33 vjeç. Sipas burimeve ai është qëlluar pranë makinës së tij, shumë afër banesës. Kanë qenë familjarët që e gjetën të pajetë dhe më pas njoftuan policinë.
26 shtator- Vrasje për hakmarrje në Rrëshen, ekzekutohet 59 vjeçari që kishte dalë nga burgu! Krismat e kallashnikovit tronditën qytetin e Rrëshenit paraditen e kësaj të marte, 26 shtator 2023, duke rikthyer frikën e konflikteve të vjetra mes fiseve në hasmëri. I sapodalë nga burgu, Martin Bardhi (Marku) u ekzekutua në lokalin e tij që ndodhet në hyrje të spitalit të Rrëshenit, 50 metra përballë komisariatit të qytetit. Ai ndodhej në ambientet e jashtme të lokalit bashkë me tre të afërm të tij, Oltion Gjini, ish-drejtor në bashkinë e Mirditës, Ilir Bardhoku, pronar i një lokali aty dhe Indrit Bardhi të cilët mbeten të plagosur nga breshëria e kallashnikovit. Në atentat kanë marrë pjesë dy autorë të maskuar. Me fuoristradë të zezë ata mendohet se kanë ardhur nga pjesa e qendrës së qytetit dhe janë ndaluar në rrugën kryesore, në afërsi të komisariatit të policisë. Njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tavolinës në verandën e lokalit ku Bardhi dhe tre të afërmit e tij po pinin kafe.
27 shtator- Në orët e mesnatës, 38-vjeçari, Fatjon Dervishi mbeti i vdekur pasi u ekzekutua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar në fshatin Katund të Sukthit. Dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasje dy persona, të cilët pas ekzekutimit të 38-vjeçarit janë larguar nga një rrugë dytësore, pasi është një zonë që nuk mbulohet mirë nga ndriçimi. Autorët kanë qëlluar mbi mjetin e Dervishit të 15 plumba. Në momentin e krimit, viktima ka qenë së bashku me një mikun e tij në makinë, i cili ka shpëtuar i palënduar. Ai ka dëshmuar se ndaj tyre është qëlluar sapo kanë dalë nga një lokal.
30 nëntor- Vrasje për një kanal në Kamëz/ Ekzekutohet me armë zjarri 55-vjeçari, plagoset një tjetër. Një-55 vjeçar humbi jetën në Laknas pas një konflikti banal me fqinjin e tij 70-vjeçar. Në debat e sipër 70-vjeçari Maliq Marku ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Shefqet Hasës duke e lënë të vdekur në vend. Për shkak të të shtënave i plagosur mbeti edhe Besim Keça i cili ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes.
Vrasjet e ndodhura në dimër
2 dhjetor- Ekzekutohet brenda në makinë Entjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt. Atentatorët nga një makinë tjetër kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj fuoristradës së bardhë ML të Entjan Nikulaj. 40 vjeçari është transportuar në gjendje shumë të rëndë, në spitalin e Lezhës, për ndihmë mjekësore ku dhe ka ndërruar jetë
7 dhjetor- Atentat në Fier/ Ekzekutohet 41 vjeçari Elton Javori. Viktima, i identifikuar si Elton Javori, 41 vjeç, u ekzekutua rreth orës 11:00 në makinën e tij Porsche Cayenne pak metra larg banesës së tij në lagjen ‘16 prilli’ në Fier. Autori është identifikuar si Agim (Agli) Gashi, 35 vjeç. I riu fierak që njihet edhe me emrin Agli, dyshohet se qëlloi me pistoletë pas qafe Elton Javorin në makinë. Viktima në Fier, është nipi i Medi dhe Demir Backës. I pari Medi Backa, i njohur si anëtar i bandës së Fierit u vra në 1997, në masakrën e Levanit, me 23 viktima. Kurse Demir Backa u eliminua me kallashnikovë mbrëmjen e 23 tetorit 2021 në qendër të Fierit.
15 dhjetor -Vrasje në burgun e Peqinit/ Ekzekutohet i burgosuri me pistoletë brenda në qeli. Arben Lleshi, i dënuar me burg të përjetshëm ka mbetur i vrarë nga Sokol Mjacaj, i cili ka pranuar se armën e siguroi me ndihmën e gardianëve. Nga konflikti ka mbetur i plagosur Indrit Shaqja, një tjetër i dënuar me burg të përjetshëm.